Kalaja e Gjon Boçarit sot ka një vlerë historike në funksion të turizmit. Ndodhet mbi një kodër të ulët që shtrihet në perëndim të fshatit Tragjas i Ri.
Kurtinat kanë një trashësi prej 1.80 m dhe po aq është edhe gjerësia e mureve të kullave. Gjithashtu e barabartë është edhe lartësia e tyre.
Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes arrin 4 m, ndërsa parapeti, i ruajtur vetëm si gjurmë kishte një gjerësi prej 0,54 m.
Në shtegun e rojes të çonin nga dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore, të cilat, si në kalanë e Peqinit janë vendosur në trajtën e shkronjës V. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese.
Muret e tyre, në pjesën e poshtme përshkohen nga frëngji për armë zjarri, të mbuluara me rrasa horizontale guri.
Me frëngji të tilla duhet të ketë qenë pajisur edhe parapeti i mureve dhe i kullave.
Ndërsa trashësia e plotë e kurtinave përshkohet vetëm prej dy frëngjish të vendosura në të dyja anët e portës. Sot, kuriozë të historisë dhe monumenteve të kulturës e vizitojnë atë për të mësuar më shumë rreth bëmave “mitike” të Gjon Boçarit.