[sgmb id=”1″]
Më tepër kontrolle në rrugë, ulje e mëtejshme e limitit të lejuar të alkoolit dhe përdorimin e frymë– testuesve, aparate që nuk lejojnë ndezjen e makinës nëse shoferi është nën efektin e alkoolit
Janë këto disa prej masave që do të ndërmerren për parandalimin dhe minimizimin e aksidenteve të shkaktuara nga drejtimi në gjendje të dehur i automjeteve.
Strategjia për zvogëlimin e dëmeve të lidhura me alkoolin në 4 vitet e ardhshme parashikon ashpërsim të masave me qëllimin për minimizimin me gati 15 për qind të numrit të aksidenteve, duke vënë në dukje se një pjesë e ndjeshme e tyre janë të lidhura me konsumin e alkoolit nga shoferët, duke përfshirë edhe këmbësorët e dehur.
MASAT
Aktualisht përqindja e lejuar e alkoolit në gjak është 0.02 për qind. Ajo që parashikohet është ulje e mëtejshme e këtij limiti, kryesisht për shoferët e automjeteve të rënda të transportit të pasagjerëve dhe të mallrave, si dhe për shoferët e rinj në moshë ose rishtarë.
Një tjetër risi është fakti që për të rinjtë nën 21 vjeç është menduar që toleranca të jetë zero, çka do të thotë se konsumimi i alkoolit në këto grupmosha do të jetë rreptësisht i ndaluar.
Një ndër praktikat që po shqyrtohet për t’u aplikuar edhe në vendin tonë është ajo për instalimin e frymë-testuesve. Këto të fundit janë aparate që nuk lejojnë ndezjen e makinës nëse shoferi është nën efektin e alkoolit.Megjithatë, kjo është një masë që është menduar për ata të cilët në mënyrë të përsëritur janë shkelës të ligjit. “Instalimi obligues i këtyre aparateve në makinat e ish-të dënuarve që kanë drejtuar automjet në gjendje të dehur po rezulton i efektshëm në uljen e incidencave të përsëritura”, nënvizohet në strategji.
Sakaq, parashikohet edhe intensifikim i kontrolleve nga ana e uniformave blu. “Policia mund të ndalojë të gjithë ose një pjesë të caktuar të shoferëve, ndërkohë që testi i frymëmarrjes mund të imponohet nëse policia ka arsye për të dyshuar se shoferi është i pirë”.
KONSUMUESIT
Grupmoshat nga 24 deri në 35 vjeç janë ato të cilat konsumojnë më tepër pijë alkoolike apo me përmbajtje alkooli. Ndonëse nuk ka të dhëna të viteve të fundit, në hartimin e strategjisë grupi i punës u është referuar të dhënave që kanë dalë nga Shërbimi Alkoologjik pranë QSUT-së mbi numrin dhe moshën e përdoruesve.
Kështu, numri total i pacientëve të trajtuar gjatë periudhës 6- vjeçare (2010-2015) nga ky shërbim ka qenë 2534. Nga ky total, 13 pacientë (0.51%), 117 pacientë (4.62%) i përkasin grupmoshës 16-18 vjeç, 882 pacientë (34.81%) i përkasin grupmoshës 19-25 vjeç, 1516 pacientë (59.83%) u përkasin.