Dhia e zeze e Dukatit po shtohet apo po zhduket ? Hamdiu, një nga të moshuarit e fshatit, thotë se, para vitit 1944 numëroheshin mbi 100 mijë kokë bagëti, gjë që e bënte këtë fshat ndër më të pasurit në këtë drejtim.
Blegtorët e zonës Dukat, një fshat 25 km në jug të Vlorës, kanë shtuar kujdesin për mbarështimin dhe rritjen e numrit të krerëve të “Dhisë se zezë”, që mban emrin e këtij fshati. Kjo, përmes pakësimit të therrjeve për nevojat e tregut për mish, si dhe shtimit të pjellshmërisë. Ndërkohë, një numër fermerësh nga kjo zonë kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Bujqësisë për shtimin e tufave përmes skemës së përfitimin financiar të financuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Për rrjedhojë, kjo specie e rrallë, tipike për këtë zonë e dalluar për mbarështimin e blegtorisë, po regjistron një shtim të konsiderueshëm prej rreth 500 krerësh në dy vitet e fundit.
Blegtoria e të imtave është një nga drejtimet kryesore të kësaj zone, ku tradita në këtë drejtim është mjaft e pasur. Hamdiu, një nga të moshuarit e fshatit, thotë se, para vitit 1944 numëroheshin mbi 100 mijë kokë bagëti, gjë që e bënte këtë fshat ndër më të pasurit në këtë drejtim. Të imtat mbarështoheshin në kullotat e shumta, ku një vend të veçantë zinte gadishulli i Karaburunit.
Mes llojeve të tjera të të imtave spikat “Dhia e zezë”, që është tipike për fshatin Dukat. “Dhia e zezë është një e veçantë i të imtave, që në terminologjinë e banorëve dhe atë të specialistëve, emërtohet “Dhia e zezë e Dukatit”, thotë specialisti Simo Petromilo. Sipas tij, ky lloj është një ekotip që ka afërsi gjenetike me dhinë e Muzakës dhe ka një trup të vogël me këmbë të shkurtra, lartësi 55-65 cm si dhe peshë mesatare respektive 38-45 38 kg. Manteli i kësaj dhie është kryesisht i zi, për ka edhe të zinj me lara të bardha, apo krejtësisht me ngjyrë bezhë.
Gëzimi, një kasap nga qyteti i Vlorës, se, “mishi i dhisë së zezë, kërkohet mjaft veçanërisht në muajin maj, kur ai arrin vlerat ushqyese maksimale”. Kjo vjen si rrjedhojë e kushteve të mbarështimit të saj, që bazohet në burimet natyrore duke përjashtuar tërësisht trajtimin me koncentrate. Pasuria e kullotave të zonës së Dukatit dhe Karaburunit me bimë të pasura me lëndë aromatike si, sherebela, rigoni, etj, përbën edhe faktorin krysor, që përcakton cilësinë e lartë të mishit të dhisë së Dukatit.
Dhia e Dukatit ka një prodhim të mirë të qumështit, krahasuar me trupin e saj, që arrin në 150-180 litra në vit, ndërkohë që pjellshmëria arrin në 110 përqind. Kecat lindin me peshë 2-2.2 kg dhe japin shtesë ditore 140 gr.
Pas viteve ’90-të dhia e zezë e Dukatit, u ekspozua përpara rrezikut të zhdukjes për shkak të therrjeve të shumta. Por, tashmë erozioni gjenetik po rikuperohet dhe ky ekotip po del gradualisht nga përcaktimi “i rrezikuar”. Aktualisht, llogaritet se në të gjithë territorin ku mbarështohet numërohen rreth 6500 krerë dhi të kësaj race. Por, ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti që, cilësia e mishit dhe karakteristikat e tjera, e kanë shndërruar dhinë e zezë të Dukatit në një ofertë që u bëhet pushuesve, që frekuentojnë bregdetin e Orikumit.