Votime Sondazhe

Rama: Sot mësimi historik se nuk luhet me popullin

Kryeministri Edi Rama votoi sot në Qendrën e Votimi në Surrel, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Linda.

Pas votimit, kryeministri Rama deklaroi se, “sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve, sesa vota për njërin apo tjetrin që është e fshehtë. Besoj që kjo ditë konfirmon njëherë e përgjithmonë se me popullin nuk luhet, se sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe. Dhe kush tenton t’ja marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër përveç se fundit me dështim dhe me turp”.

Rama tha se, “sot është e rëndësishme që çdo qytetar dhe qytetare në këtë vend të votojë ose të mos votojë, por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose për të mos votuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.

“Prandaj thashë. Historia e solli që këto zgjedhje shumë më tepër sesa zgjedhje për kryetarët dhe këshillat e rinj të bashkive janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për të gjithë fëmijët tanë”, tha kreu i qeverisë.

Rama tha se “jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike dhe është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike, nga asnjë politikan dhe kurrë më interesat e një pale apo hesapet e politikës nuk do të mund t’i bien ndesh interesit të madh kombëtar dhe hesapeve të popullit për të pasur një shtëpi të përbashkët ku fëmijët tanë të rriten ashtu siç e meritojnë”.

I pyetur sesi ishte të votojë pas kaq kohësh si në kohën e komunizmit, Rama tha se, “jam në paqe me ju. Ju dua shumë. Nuk më tundoni dot. Akoma nuk e mësuat që rruga nuk i zihet askujt që është në të drejtën e vet. A mund të ma hapni rrugën. Ja ndryshimi i madh me dje dhe sot. Sot të zënë rrugën gazetarët”. /atsh

Rama: Sot mësimi historik se nuk luhet me popullin Read More »

Zgjedhjet lokale/ Meta: Nesër të respektojmë vendimin e gjithësecilit, t’i shërbejmë të ardhmes europiane

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka bërë thirrje për qetësi ditën e dielë, 30 qershorin e zgjedhjeve vendore, ku shqiptarët votojnë për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj.

“Të dashur qytetarë, përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithësecilit gjatë ditës së nesërme. Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithsecilit!”, citohet Presidenti Meta.

Ai thekson në mesazhin e tij edhe një herë, “rëndësinë e jashtëzakonshme që ka nesër ruajtja e paqes sociale”.

“Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë. Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cenojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, – thekson Presidenti në mesazhin e tij. /atsh

Zgjedhjet lokale/ Meta: Nesër të respektojmë vendimin e gjithësecilit, t’i shërbejmë të ardhmes europiane Read More »

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës

“Sulmi mbi KZAZ-në e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke dënuar këtë ngjarje, Rama siguroi se “ndëshkimi do të jetë shembullor”.

Militantë të PD-së në Shkodër kanë protestuar këtë mbrëmje duke sulmuar KZAZ-në numër 6 e cila është vendosur në Bushat, në palestrën e shkollës së mesme profesionale “Ndre Mjeda”.

Sipas Policisë, gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta dhe për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau i Dejës, që ishin në shërbim./atsh

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës Read More »

Rama: Gratë që punojnë në bashkitë e PD-LSI të rrinë të qeta, burrat po u përzien në krime elektorale, përjetë s’do puthin më në administratë

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral në Gjirokastër ka theksuar se kush tenton të krijojë trazira më 30 qershor, do ta paguajë, siç nuk e ka parë në ëndrrën më të keqe

Sipas tij, kush do guxojë të prekë zgjedhjet, apo të ndalojë qytetarët shqiptarë për të votuar nuk do punojë për gjithë jetën në administratë. Sipas Ramës, gratë dhe vajzat që sot janë në administratë do vijojnë të jenë të punësuara, ndërsa burrat e kanë në dorë vetë zgjedhjen e tyre.

“Për ata që janë punonjës bashkisë, ne do t’i marrim të gjitha bashkitë, në të gjitha bashkitë nuk do të largohet nga puna asnjë grua dhe asnjë vajzë. Do punojnë atje. S’do e kenë fare problem. Asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do preket”, – nënvizoi Rama.

“Burrat si ta duan. Duan të dalin dhe të shkojnë pas “berihajit”, le ta provojnë. Jo që njëherë duke shkelur ligjin do përfundojnë burgjeve, por edhe sikur të mos përfundojnë burgjeve, s’kanë për të shkelur kurrë më në administratë. Sipas ligjit të dekriminalizimit të votuar së bashku me Partinë Demokratike, për krimet zgjedhore nuk punon dot dhjetë vjet në administratë. Ne do ta bëjmë që mos të punojë për të gjithë jetën”, – tha Rama.

“Asnjë taksapagues shqiptar s’do të japë asnjë kokërr leku që këta persona nga një anë marrin rrogën e taksat e shqiptarëve, dhe nga ana tjetër sulmojnë KZAZ, sulmojnë policinë, i vënë zjarr shkollës. Apo, larg qoftë, t’i shkojë mendja të shkojnë në qendër votimi më 30 qershor. Ta provojnë”, – tha Rama.

“Ne s’jemi si ata. Edhe ato të PS, që ankohen, që kur ishte Saliu nuk ishte kështu, unë i them që s’jam Saliu, ne duam punën. Në Gjirokastër do drejtojmë ne, se ne e duam punën dhe duam të punojmë për Gjirokastrën. Pas 30 qershorit, bashkia e Gjirokastrës do jetë shumë herë më shumë punëtore se këto vite”, – tha Rama.

“Ju thashë para katër vite se në bashkinë e Gjirokastrës do bënim shumë më shumë se çfarë ishte bërë në 20 vite. Dhe është fakt, e bëmë. Me shumë vuajtje, po e bëmë. Duke i ndenjur ke koka Kumbaro… etj. Por për hir të vërtetës, edhe më shumë mund të kishim bërë nëse do të kishim dikë në bashki, që s’do ta zinte vendi për të punuar. E kemi gjetur besojë dikë, që s’do ta zërë vendi për të punuar, prandaj tani tani do bëjmë edhe shumë më shumë për Gjirokastrën dhe Libohovën”, – shtoi Rama.

“Thirrja ime është se në 30 qershor nuk është çështja, kë do kemi kryetarë bashkie, çështja është çfarë Shqipërie do kemi. Do kemi një Shqipëri ku do të kemi popullin e lënduar, apo një Shqipëri ku ata që donin të lëndonin popullin, do të jenë të lënduar?” – tha Rama.

“PD ka pas intelektualë, ka pas figura të nderuara të qytetit. Janë në të drejtën e tyre demokratët të thonë që, Rama ik, unë do iki në Tepelenë tani. Janë në të drejtën e tyre. Por nëse iki unë apo jo, këtë e vendos populli. As Lul brilanti, as Luli me filxhanin. Këtë e vendos vetëm populli”, – theksoi Rama.

“Dhe populli më 30 qershor do ta vendosë. E kush do tentojë të bëjë trazira, do paguajë, siç nuk e ka parë në ëndrrën më të keqe. Ia kam thënë Metës, thuaji Monikës deri më 30 qershor s’ka kafe turke në shtëpi. Mbaron. I thashë Metës, thuaji Saliut, merr në telefon Lulin në shtëpi e mos dil nga shtëpia dhe s’ka pse të ketë asnjë rrëmujë”, – theksoi Rama. atsh

Rama: Gratë që punojnë në bashkitë e PD-LSI të rrinë të qeta, burrat po u përzien në krime elektorale, përjetë s’do puthin më në administratë Read More »

Të arrestohet kushdo që ka përgjegjësi penale për blerjen e votës

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi sot se “prokuroria duhet të hetojë dhe në fund do të duhet të arrestojë përgjegjësit nga përgjimet e Bild, nëse arrihet të gjenden prova për blerje votash”.

I ftuar në një emision televiziv Balla tha se “nëse ka përgjegjësi penale kushdo që e ka bërë të arrestohet”.

“Nga këto përgjime nuk kam asnjë shqetësim, kjo prokurori nuk duhet ti mbajë këto dosje në sirtar”, – tha Balla.

Sipas tij, fajësitë dhe përgjegjësitë në një vend demokratik i përcakton drejtësia./atsh

Të arrestohet kushdo që ka përgjegjësi penale për blerjen e votës Read More »

Zgjedhjet parlamentare do të bëhen në vitin 2021

“Zgjedhjet parlamentare do të bëhen në 2021 dhe parlamenti nuk mund të paragjykohet, pasi janë të njëjtat parti që kanë plotësuar vendet në Kuvend”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama duke theksuar se “zgjedhje të parakohshme mund të ndodhin në dy raste: ose kur humbet mbështetjen, ose motivin e brendshëm për të vazhduar të qeverisësh”. “Ose kur taktikisht vendos t’i bësh për ta kapur kundërshtarin në befasi”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk mund të bëhen zgjedhje të parakohshme për të ngushëlluar këta”. “Zgjidhja është e vështirë, por është koha për këtë zgjedhje, pasi zgjidhjet e lehta kanë treguar se nuk na çojnë kërrkund, si në 2017”, tha Rama.

Sa i takon parlamentit, Rama tha se “nuk e kontrolloj parlamentin unë”. “Ne kemi shumicën, ndërsa ata deputetë që kanë ardhur nuk i kam sjellë unë”, – tha Rama. /atsh

Zgjedhjet parlamentare do të bëhen në vitin 2021 Read More »

Dukati dhe Orikumi, bukuritë natyrore pikënisje e së ardhmes turistike

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, zhvilloi sot një takim me banorët e Dukatit dhe Orikumit, me të cilët bisedoi për investimet e kryera në 4 vitet e fundit dhe për projektet e reja që do të transformojnë edhe më tej këto dy fshatra.

Gjatë takimit banorët e Dukatit u shprehën se në këto 4 vite ky fshat është kthyer në identitet, pas rikonstruksionit të qendrës së fshatit dhe rehabilitimit të shkollës së kuqe.
Ndërsa në Dukat fushë, banorët presin në mandatin e ardhshëm më shumë investime në bujqësi.

Kryetari Leli tha se “në Tragjas këtë vit do të nisi rikonstruksioni, pasi ky fshat është pjesë e projektit ‘100 fshatrat’”.

“Për fshatin e Radhimës, guesthouset do të jenë e ardhmja. Bukuria e këtyre fshatrave është pikënisja e të ardhmes turistike të zonës”, tha Leli.

Po ashtu Leli zhvilloi një takim edhe në njësinë administrative Orikum.

“Synimi ynë gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm është që ta bëjmë po kaq të frekuentuar sa Vlora”, tha Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “investime të reja na presin, nisim me shëtitoren bregdetare Radhimë-Orikum, aksin Orikum-Llogora dhe krijojmë infrastrukturë e akses për çdo plazh të zonës. Së bashku në 30 qershor, për më shumë vëmendje e investime në njësitë administrative. Pas Bulevardit të Vlorës është radha e atij të Orikumit për ti ndryshuar faqen qytezës e për ta bërë atë “shtëpinë” e pushuesve familjarë”./atsh

Dukati dhe Orikumi, bukuritë natyrore pikënisje e së ardhmes turistike Read More »

Fushata në Vlorë, Gjiknuri: Koha e fjalëve mbaroi! Në 30 Qershor votë për stabilitetin

Ndalesa e parë e PS në rajonin nr.3 të qytetit të Vlorës në kuadër të çeljes së takimeve publike u zhvillua në sheshin e rikonstruktuar të Tre Racave. Një premtim i mbajtur gjatë mandatit të parë të kandidatit, Dritan Leli.

“Në mandatin e ri do të mundësojmë rikonstruksionin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës.Do ti rijapim vlerë muzeut më të rëndësishëm të Shqipërisë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Kemi miratuar pak muaj më parë edhe pjesën e parë të projektit të shëtitores pas tunelit në drejtim të Radhimës e Orikumit. Do të ndërtojmë korsi të dedikuara biçikletash për një aks me gjatësi 20 km” -tha Leli.

Leli u kërkoi qytetarëve të bashkohen në 30 Qershor, për të cuar më tej projektet për zhvillimin e qytetit.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri deklaroi se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor.

“Dekreti i presidentit është një vrim në ujë, nuk ka asnjë vlerë juridike.Sepse zgjedhjet përcaktohen njëherë dhe zgjedhjet nuk i kemi në dorë ne sa herë kemi qejf të ndryshojmë datë. Një votë për stabilitetin dhe që ky vend të mos kthehet më si më parë duhet ta bëjmë të gjithë. Çdo vlonjat! Mjaft ky vend ka vuajtuar dhe njerëzve që e kanë mbajtur peng duhet t’ ju japim një mësim. Jo dhunës, jo djegies e jo Shqipërisë në udhëkryq. E kush më mirë se Vlora mund ta bëj këtë?! ” – tha Gjiknuri.

Sipas Gjiknurit, koha e fjalëve ka mbaruar pasi vota në 30 Qershor është votë për Integrimin e Shqipërisë./atsh

Fushata në Vlorë, Gjiknuri: Koha e fjalëve mbaroi! Në 30 Qershor votë për stabilitetin Read More »