Turizem

Brenda jahtit më të madh në botë që ndaloi në Sarandë, pamje që të lënë “pa frymë”

Jahti i manjatit rus Andrey Igorevich Melnichenko, 43 vjeç, i cili ankoroi dje në Sarandë dhe iku ditën e sotme ngjalli jo pak kuriozitet për shqiptarët duke qenë se është një nga mjetet lundruese më të mëdha në botë dhe kjo ishte lehtë e konstatueshme edhe me shikim të parë.

Edhe pse kemi një ndër vijat më të gjata bregdetare, në Shqipëri nuk rastis shumë (ose aspak) që të ankorohen jahte të tilla, me një çmim marramendës dhe një luks që të “verbon”.

Prandaj po sjellim për ju disa foto nga ambientet e brendshme të jahtit “Sailing yacht A”, i projektuar nga francezi Philippe Starck dhe u ndërtua nga oborret detare të Gjermanisë, Nobiskrug.

Vlera e jahtit është 500 milionë dollarë, është më i lartë se Statuja e Lirisë apo Big Beni dhe i gjatë është përkatësisht 143 metra.

Pesha e tij është 12.600 ton, brenda ka një pishinë dhe një pistë për uljen e avionëve të vegjël, ka tetë kate dhe një dhomë vëzhgimi nënujore dhe dhomat superluksoze.

 

Brenda jahtit më të madh në botë që ndaloi në Sarandë, pamje që të lënë “pa frymë” Read More »

Kur hienat mediatike , “ sycjerret “ dhe xhelozet bejne moral /Nga Igli Laba

‼Per cdo operator turistik‼
Kur hienat mediatike , “ sycjerret “ dhe xhelozet bejne moral .
Para pak ditesh ne mediat online , perkatesisht tek faqja “ Jeta Osh Qejf “ , me sakte “partia e te drejtes unanime” ne gjithcka qe thote , sheh e poston u publikua nje foto e nje clubi mjaft prestigjoz si “ Havana “ . Nje fature me disa cmime qe u shkojne per shtat disave dhe disave te tjere nuk u kalon dot poshte as “ brioshi “ dhe as “ omleta “ , hapi debat te gjere tek pushuesit dhe operatoret turistike . Tek shume postime te miqeve te mi dhe ne debate e diskutime me kliente ne si operatore dolem “ Te njerkes “ e turistet “ Te nenes “ .
Prej muajsh , ne fillim te Marsit premisat jo vetem te qeverise Shqiptare por edhe ne si operatore turistike ishin te larta . Dhoma te pronotuara prej muajsh , evente te organizuara ne menyren me te persosur me kengetaret me te mire ishin planifikuar kete sezon veror . Kushtet ishin shume te mira , dhe perkrahja e qeverise ne kete sezon ne politikberjen e turizmit “ fillimisht “ ka qene mjaft e detajuar dhe ne harmoni per nje turizem elitar duke perkrahur operatoret turistik . Pas diteve plot diell , nje diell qe te djeg deri ne palce , prishen ekuilibrat e motit , edhe kjo stuhi qe prej dates 1 Korrik e deri tani nuk ishte pare ndonjehere ne asnje sezon veror . Portale qe i ngjajne profesionit me te vjeter ne bote , njerez qe na vleresojne siperfaqesisht ne si operatore por edhe nje fryme destabilizuese ne kete sezon veror. Te dashur pushues , perpara se te na vleresoni pyesni :
1- Cfare taksash paguan nje subjekt qe arrin ne nje cmim te tille ?
2- Cfare pagash kerkojne kamariere , piciere , guzhiniere , barmen e recepsionista kur vijne ne sezon veror ?
3- Me cfare cmimesh stratosferike paguhen kengetaret ?
Po ua them une :
Leke pafund harxhohen nga operatoret turistike per garantimin e kushteve sa me te mira per ju . Keni te drejte te zgjidhni nga “ Havana “ e deri tek biroçja e lagjes ! Mos tregoni ju o te pampral gazetare , se sa paguhet nje uje , nje briosh e nje omlete . Nje fryme qe vjen vetem nga keto pseudoportale me te vetmin qellim prishjen e imazhit te ketij sezoni veror . Realiteti eshte krejt ndryshe , ejani te na vizitoni ! Mos u besoni fotove e gojedhenave .
Ejani te pushoni qete, ne mendjen e trazuar keto diteve te nxehta vere !/igli Laba

Kur hienat mediatike , “ sycjerret “ dhe xhelozet bejne moral /Nga Igli Laba Read More »

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s.  E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi  Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë.  Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…/atsh

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar Read More »

Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri

Shqipëria mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm me pakësimin e taksave

Kur Altin Prenga vendosi të linte Italinë, pas një dekade si emigrant atje, dhe të hapte një restorant të vogël familjar në fshatin e tij të lindjes, Fishtë, në veri të Shqipërisë, të gjithë e quanin të çmendur, shkruan www.travelmole.com.

Pothuajse një dekade më vonë, restoranti i tij është shndërruar në një histori suksesi për industrinë e re të agroturizmit në Shqipëri dhe biznesi i tij ka fituar njohje ndërkombëtare si një vend i përkryer që ofron ushqim nga ferma drejt e në tryezë, duke punësuar edhe dhjetra familje lokale.

Pasi e kishte mësuar mirë zanatin kur ishte emigrant në Itali, ku shkoi pasi u largua nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare, Prenga vendosi të kthehej në Shqipëri në 2009 dhe të bëhej pionier në industrinë e agrobiznesit në Shqipëri duke hapur restorantin e njohur ndërkombëtarisht “Mrizi i Zanave”, të quajtur sipas një vëllimi me poezi nga Gjergj Fishta, një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit XX, i cili u lind në fshatin Fishtë.

35-vjeçari, kuzhinier-pronar, tani mburret me një nga restorantet me prodhime lokale dhe tradicionale të vendit, me pjatat origjinale të krijuara nga bimë të rritura në shtëpi dhe bagëtitë e familjes.

Suksesi i tij ka frymëzuar shumë të tjerë për të provuar restorantet e tipit ”ferma në tavolinë” dhe qeveria shqiptare tani ofron stimuj tatimorë për industrinë në zhvillim.

Fundim Gjipali, një kuzhinier tjetër shqiptar që ka marrë çmime dhe ndan kohën e tij midis Romës dhe Tiranës, ku zotëron restorantet në qendër të qytetit, po hap një agrobiznes në vendlindjen e tij, Shijak, rreth 30 kilometra larg Tiranës, nën filozofinë e ”fermave në tavolinë” që përfshin përbërësit sezonalë dhe minimizon distancën midis farmës dhe pjatës së lokalit.

Dhjetra të tjerë po bëjnë eksperimente duke sjellë modele italiane në Shqipëri, por kuzhinierët me eksperiencë në këtë industri thonë se agrobiznesi kërkon traditë dhe vetëm ata që bëjnë dallimin do të arrijnë të mbijetojnë.

Në një paketë të re fiskale të miratuar nga qeveria shqiptare, sektori i agroturizmit do të përfitojë nga disa stimuj tatimorë, duke përfshirë një taksë mbi të ardhurat prej 5%, një TVSH të ulur në 6% dhe përjashtim nga tatimi në infrastrukturë nëse bëjnë investime.

Bizneset e angazhuara në agroturizëm gjithashtu do të përfitojnë një ulje të taksës së të ardhurave të korporatës prej 5 për qind për një periudhë 10-vjeçare në rast se marrin statusin e ‘operatorit të certifikuar të agroturizmit’ deri në fund të vitit 2021.

Stimulimi ka për qëllim dhënien e një nxitje për agro-turizmin, aktualisht në fazat fillestare të tij në Shqipëri, me disa restorante, kantina, ferma të bletëvë dhe frutave që u ofrojnë turistëve produkte autentike vendase.

Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një fushatë për të markuar produktet e saj unike bujqësore për të nxitur agroturizmin përmes promovimit të produkteve autentike shqiptare, siç janë vaji i ullirit, çaji i malit, bimët medicinale dhe aromatike që konsiderohen si një nga pasuritë më të rralla të Shqipërisë.

Mollët dhe mjalti i Korçës, vaji i ullirit i Beratit, gështenja e Tropojës, mandarina e Sarandës dhe bimët medicinale të Shqipërisë veriore, si dhe perimet e rajonit të Fierit janë tashmë produkte të njohura rajonale, përveç rakisë lokale, një pije e pastër e bërë zakonisht nga rrushi dhe që është pija alkolike tradicionale e shqiptarëve. Megjithatë, atyre iu mungon njohja dhe çertifikimi ndërkombëtar për të depërtuar në tregjet e BE.

Në strategjinë e saj të zhvillimit të turizmit 2018-2022, agroturizmi është në krye të axhendës si një nga mjetet që nuk i shërben vetëm promovimit të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por gjithashtu e bën turizmin më të qëndrueshëm dhe ruan dhe promovon identitetin kulturor dhe lokal .

Ministria e Turizmit thotë se do t’i japë përparësi ndërthurjes së turizmit kulturor me agroturizmin përmes një programi të “rilindjes rurale” që do të rikthejë fshatrat historike si destinacion i turizmit malor, Thethin në Shqipërinë e Veriut dhe fshatrat bregdetarë Dhërmi dhe Vuno përgjatë Rivierës Jugore Shqiptare.

Bujqësia është një sektor kyç për ekonominë shqiptare, duke përdorur rreth gjysmën e PBB-së së vendit, por duke prodhuar vetëm një të pestën e PBB-së, duke treguar produktivitetin e ulët që është penguar nga fragmentizimi i tokës bujqësore në parcela të vogla dhe financimi i dobët dhe teknologjia e përdorur.

Ndërkohë, turizmi, edhe pse shumë sezonal, po bëhet një biznes që po lulëzon në Shqipëri, duke gjeneruar rreth 1,7 miliardë euro në vit, rreth 14% të PBB-së së vendit nga rreth 5 milionë turistë.

Qeveria shqiptare ka zgjedhur 100 fshatra në mbarë vendin për të përmirësuar infrastrukturën e tyre dhe shërbimet publike dhe për të nxitur agroturizmin duke ofruar stimuj dhe grante për të mbështetur produktet bujqësore karakteristike lokale.

Kryeministri Edi Rama thotë se agroturizmi dhe programi i 100 fshatrave është një mjet i ri për të zhvendosur vëmendjen në zonat rurale dhe potencialin e tyre të pashfrytëzuar dhe për t’i sjellë migrantët më pranë fshatrave të tyre.

“Jam i bindur se ky program do të jetë një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë që kanë braktisur fshatrat e tyre dhe tani punojnë në Greqi, Itali apo gjetkë, jo si nostalgji apo detyrim për të dërguar remitanca mujore për të ndihmuar prindërit dhe të afërmit, por si një instrument për të nxjerrë fitim që u mundëson të gjithëve që bëjnë një investim të fitojnë në një vit më shumë sesa nga puna e tyre jashtë vendit “, thotë Kryeministri Edi Rama.

Kjo iniciativë vjen pasi dhjetëra fshatra në Shqipëri, sidomos nga rajonet e varfra të veriut, po abandonohen për shkak të migrimit masiv dhe lëvizjes në familjeve drejt zonave urbane fqinje apo në qendër të Shqipërisë.

Nivelet e larta të migrimit dhe një rënie e shpejtë e numrit të lindjeve janë shndërruar në një shqetësim kryesor në Shqipëri, ku rreth 1,2 milionë persona, rreth 40% e popullsisë së vendit me 2,8 milionë banorë, jetojnë jashtë vendit duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e para në botë që ka me numrin më të lartë të emigrantëve për banor.

Dikur kryeqyteti i Europës për kanabisin, Lazarati, fshat në jug të Shqipërisë, është përzgjedhur gjithashtu në 100 fshatrat që do të kenë infrastrukturën e tyre të përmirësuar, në një përpjekje për t’u orientuar drejt agrobiznesit.

Të paktën katër vite pas kolapsit të industrisë së drogës, fshati i Lazaratit ka humbur shumë nga të rinjtë e tij dhe nga makinat luksoze dhe bujqësia dhe blegtoria janë e vetmja gjë që u ka mbetur të moshuarve për të siguruar jetesën. Autoritetet po promovojnë tani produktet bujqësore lokale dhe po zëvendësojnë industrinë e prodhimit të kanabisit me bimë mjekësore.

Fshatrat malorë turistikë, Thethi dhe Valbona, në Shqipërinë e Veriut, Shëngjergji dhe Pëllumbasi në malin e Dajtit, fshatrat bregdetarë Dhërmiu dhe Vunoi në Rivierën Shqiptare dhe Lini dhe Tushemishti në pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit, në juglindje të vendit, janë ndërmjet 100 fshatrave të përzgjedhur si pjesë e projektit të integruar të zhvillimit rural, që Shqipëria ka në plan të aplikojë dhe viteve 2018-20./atsh

Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri Read More »

Shtatë aventurat që duhet t’i bëni në Shqipëri

Kohët e fundit kemi kaluar një muaj të tërë në Shqipëri duke vizituar vendin dhe duke ndihmuar sipërmarrësit e rinj për fillimin e ndërmarrjeve të reja në fushën e mjedisit, shkruan www.heywedidthat.com.

Në atë kohë gjetëm një vend të bukur dhe të larmishëm me një të kaluar të njohur. Për 40 vjet, Shqipëria u konsiderua Koreja e Veriut e Europës me një diktaturë që ndoqi politikë izoluese për vendin. Sot, është një vend me kaq shumë gjëra për të ofruar për ata që kërkojnë të fshehtat, të panjohurat dhe gjërat e virgjëra të Tokës.

Ja ku janë shtatë gjëra për të parë dhe bërë që ju nuk mund t’i humbasni kur je duke bërë aventurë atje:

1 – Shkoni me makinë drejt bregut jugor. Kaloni pranë qytetit të Vlorës në malet në rrugën bregdetare. Atje mund të shëtisësh me makinë. Mund të endesh rreth ndërtesave të braktisura, rrënojave të bunkerëve dhe bregdetit të bukur me shkëmbinj.

2 – Bëni rafting në kanionet e Osumit. Një botë ujore gati e paprekur ju pret. Një orë udhëtim me makinë jashtë Beratit dhe shijoni një nga udhëtimet më të bukura të raftingut që kemi përjetuar (bonus: përfitoni një ekskursion në kështjellën e fshehur në qytet). Shoqëruesit janë të disponueshëm këtu.

3 – Lahuni në burimet e nxehtë të Bënjës pranë Përmetit. Ju mund ta kombinoni këtë me udhëtimin tuaj rafting dhe të qëndroni një natë në Përmet pas ose para Beratit për të provuar burimet e nxehta aty pranë. Ata nuk janë në të vërtetë aq të nxehtë, por mineralet janë shëruese (dhe freskuese) në një ditë të nxehtë.

4 – Kajakët, “fjordet” shqiptare në veri. Shkoni drejt Shkodrës nga Tirana dhe pastaj shkoni drejt maleve me tragetet në liqenin e Komanit. Aty mund të ndërmerrni një udhëtim ditor ose një udhëtim me traget në pikën më të thellë në Fierzë. Ju mund të merrni edhe makinën tuaj në disa nga tragetet. Këtu bëhen shëtitje njëditore nga një prej kompanive të trageteve.

5 – Ecni në Kepin e Rodonit drejt kështjellës në perëndim të diellit. Ka një kështjellë të vogël në gadishull, si dhe plazhe të fshehura rreth e qark. Kaloni një ditë me not dhe argëtim mesjetar.

6 – Numëroni bunkerët kur udhëtoni me makinë. Vlerësohet të ketë rreth 200 000 bunkerë në vend. Askush nuk e di sa saktësisht, por diktatori komunist i ndërtoi ato si parandaluese për një pushtim që nuk ndodhi kurrë.

7 – Merrni rrugën e paasfaltuar e më pak të rrahur. Ka shumë rrugë që ndryshojnë shpejt nga të shtruara në të pashtruara dhe me gurë. Rruga më e shkurtër nuk është gjithmonë më e shpejta, por nëse keni kohë, dilni jashtë rrugës së mirë dhe gjeni diçka të harruar nga koha. Kjo mund të jetë një monument i epokës së fundit ose një rrugë otomane e rindërtuar. Asnjëherë nuk e di nëse nuk provon./njekomb

Shtatë aventurat që duhet t’i bëni në Shqipëri Read More »

Jahti më i madh në botë, ankorohet në Sarandë/Foto

Jahti më i madh në botë është ankoruar këtë fundjavë në gjirin e Sarandës.

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në instagram.

Rama shprehet se pak vite më parë, diçka e tillë as nuk imagjinohej. “Jahti më i madh në botë sot në gjirin e Sarandës. Deri pak vjet përpara as mund të imagjinohej fluksi i jahteve që po vizitojnë këtë sezon Shqipërinë”, deklaron kryeministri.

Numri i jahteve dhe anijeve turistike që kanë hyrë në hapësirën detare të vendit tonë në 6 muajt e parë të këtij viti,  është rritur me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, treguesit më të lartë i mban Porti i Sarandës, ku deri tani kanë hyrë 276 jahte e veliera e 43 tragete turistike.

Ndërsa në Portin e Durrësit kanë hyrë 112 jahte, në atë të Vlorës 90 dhe në portin e Shëngjinit janë regjistruar 30 jahte e veliera. /atsh

Jahti më i madh në botë, ankorohet në Sarandë/Foto Read More »

Gjirokastra, bukuria dhe pasuria shqiptare e UNESCO-s

Ta quash vetëm të bukur Gjirokastrën nuk është e drejtë, shkruan http://www.francescaonthetopoftheworld.it.

Ky qytet në jug të Shqipërisë, i vendosur në një pozicion skenografik, i rrethuar nga male dhe pak kilometra nga kufiri i Greqisë, është një arkitekturë vërtet e mrekullueshme e një qyteti nga më të bukurit e Ballkanit. Kam pasur kënaqësinë të vizitoj dy herë, në dimrin e  2010 dhe këtë verë. Që herën e parë ngela e hutuar nga bukuria e saj, por pas kësaj vizite ngela pa fjalë.

Pazari i vjetër ishte i rikonstruktuar si dhe muret e dritareve ishin zbardhur me ngjyra të ëmbla dhe ky është sezoni më i mirë për të ndenjur këtu.

Falë turit ”Limitless Albania”, që organizon ekskursione në të gjithë Shqipërinë, kam patur kënaqësinë të vizitoj disa nga pikat kryesore të Gjirokastrës. Udhëtimi me ”Limitless  Albania” është i përbërë nga dy etapa. Njëra 3-ditore, vizita në të gjitha rrugët e trashëgimisë së UNESCO-ve shqiptare, Gjirokastër, Berat , Butrint.  Ose një udhëtim më të gjatë, për një javë, që ka si itinerar Gjirokastrën dhe një varg vendpushimesh  të bukura dhe arkeologjike në afërsi të Zhulatit, Lunxherisë, me parkun arkeologjik të Antigonesë, Zagorisë dhe Libohovës.

Një legjendë e vjetër tregon historinë se nga e mori emrin qyteti. Princesha Argjiro, motra e guvernatorit Gjin Zenebishi gjatë pushtimit osman nga Turqia, në shekullin XV refuzoi të dorëzohej te turqit dhe kështu ajo u hodh nga pika më e lartë e kalasë me të birin e vogël disa muajsh. Fatmirësisht fëmija i mbijetoi rënies, ndërsa princesësh filloi t’i rridhte qumësht, ku edhe sot në gurët poshtë këmbëve të kalasë janë zbuluar gurë gëlqerorë.

Gjirokastra është shtëpia e dy shqiptarëve më të famshëm të të gjitha kohërave, diktatorit Enver Hoxha, shtëpia e të cilit është transformuar në një muze etnografik, dhe Ismail Kadaresë , shkrimtarit madhështor që ka shkruar shumë vepra arti, për qytetin e gurtë.

Bëhet fjalë për një  roman për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore, që është e këshillueshme të lexohet  para se të shkohet këtu.

Çfarë të shihni?

Pazarin e vjetër

Ka stil otoman, dyqane të vogla, ku mund të blihen gjëra tipike, interesante, tapete, produkte gastronomike, tavolina, zbukurime dhe orendi për shtëpi, suvenire, të cilat përfshijnë bluza dhe çanta. Në afërsi të pazarit gjendet edhe një nga xhamitë e vetme në qytet e quajtur Xhamia e Pazarit , e mbijetuar në vitet e diktaturës komuniste kur regjimi e shpalli Shqipërinë si shtetin e  parë laik në botë,  i cili urdhëroi shkatërrimin e objekteve të kultit.

Shtëpinë e Skëndulajve

Nuk është larg nga zona më e famshme e Gjirokastrës, ajo e pazarit të vjetër. Një nga shtëpitë më tradicionale të Gjirokastrës. Shtëpia është një labirint me dhoma, banja, hamame, sallone, dritare, porta, të cilat i viziton nën shoqërinë e pasardhësit të familjes, zotit Skenduli, një njeri i këndshëm i cili flet disa gjuhë mes të cilave italishten. Në sajë të rrëfimeve është e mundur të hyhet në historinë e familjeve dhe të imagjinohet jeta e përditshme e pjesëtarëve të saj në Shqipëri të vitet ‘700 dhe ‘800.

Muzeun ”Ismail Kadare”

Kush vendos të vizitojë Gjirokastrën, nuk mund të mungojë të vizitojë shtëpinë e  transformuar në një muze të qytetarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadare.  Është një shtëpi e stilit osman, e konvertuar në muze.

Të humbasësh në rrugicat e Gjirokastrës

Një nga gjërat më interesante për të bërë në Gjirokastër janë të humbësh në rrugët dytësore. Në vend të ecni përgjatë rrugës që të çon në kështjellë, më mirë është të shkoni djathtas për të shkuar në zbulimin e Gjirokastrës më autentike, me banesat tradicionale të saj, me pemë të gjelbërta dhe me pemë që zvarriten mureve. Ju do të bëni edhe ndonjë takim të këndshëm me ndonjë nga banorët e zonës.

Kështjella e Gjirokastrës

Nuk mund të shëtisni Gjirokastrën pa vizituar kështjellën e saj të mrekullueshme. Për  të arritur atje do të  nevojitet të kaloni një rrugë të gjatë që ka fillon nga pazari deri në hyrje. Kështjella në të kaluarën është shfrytëzuar si burg nga mbreti  Zog dhe më më vonë nga Enver Hoxha dhe  ka në brendësi të mureve Kullën e Orës, Muzeun e Armëve dhe një  avion amerikan.  Nuk ka asgjë më të mirë për të bërë që të kalosh pak kohë dhe të shohësh prej atje çatitë e  Gjirokastrës që janë fantastike.

Ku të hash

Kam provuar shumë restorante në Gjirokastër, por atmosfera më e mirë është  tek ‘’Oda’’ një restorant tradicional me stil shumë të thjeshtë në të cilin është vendosur një piano dhe  një foto e një  ndërtese historike të vjetër të pazarit .Menuja është e përbërë nga më shumë pasta lokale, ku përfshihen fileto me bazë karamele, patate dhe qoftet e shijshme e Gjirokastrës me oriz dhe vezë.  Çmimi mesatar për person shkon në shtatë euro.

Ku prenotohet 

Gjatë qëndrimit në qytet, pronotova në hotel ”Kalemi 2”, me tri yje, i vendosur në hyrje të pazarit të vjetër . Hoteli në stil otoman është vendi i përsosur për të qëndruar në Gjirokastër për shkak të pozicionit të tij ideal pranë qendrave kryesore të interesit të qytetit. Ju mund të shijoni mëngjesin në tarracë në katin e tretë të hotelit, nga e cila mund të shohësh pamje të mrekullueshme mbi kështjellën dhe qytetin. Më e rëndësishmja e ”Kalemit 2”, përveç bukurisë së strukturës dhe në panoramën e mrekullueshme të saj, ka qenë gjithmonë një personel i gatshëm për të pritur nevojat e klientëve, për t’i këshilluar dhe për t’i ndihmuar për çdo nevojë./ atsh

Gjirokastra, bukuria dhe pasuria shqiptare e UNESCO-s Read More »

Orikumi dhe Karaburuni, aty ku natyra i ka ngritur monument vetvetes

Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.

Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.


Nuk po flasim për Orikun e lashtë, por atë të kohëve të sotme. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956 s’kish gjë prej gjëje përveç një poste policie.  Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazëne Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”. Dalëngadalë punët ecën, kurse Pallati i Kulturës, një ngrehinë tipike e stilit sllav, u inaugurua më 15 gusht të 1960. Kështu u krijua Orikumi si qytet tipik socialist, me ndërtesa tipike dhe njerëz tipikë, oficerë, marinarë dhe familjet e tyre.

Me fundin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur baza u prish dhe banorët mbetën në ato dy katëshit e vjetër, që u ndërtuan fillimisht për ushtarakët rusë dhe kolegët e tyre shqiptarë, fytyra e qytetit ndryshoi. Nevoja i mësoi banorët që t’i faleshin emigracionit, ndërsa pjesa e mbetur rregulloi shtëpitë dhe mendoi për turizmin shtëpiak. Falë punës së paqme të kryetarëve të bashkive, u shtrua rruga deri te baza, që nuk u bë kurrë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë dhe sot ajo lidh vendin që nga fundi i Unazës së Re të qytetit dhe derisa përfundon në hyrje të Bazës Ushtarake të Pashalimanit në krahun jugor të Rrugës Nacionale Orikum- Pashaliman. U rregulluan kanalizimet dhe u rregullua bulevardi kryesor në qytet. Që sot gëlon nga të rinj dhe mijëra pushues nga vendi dhe të huaj.

Tani banorët e këtij qyteti i kënaqen plazhit të paanë, që shtrihet nga pranë Bazës dhe vijon deri buzë qytetit, ku një rreth pallatesh të tëra e kanë ndryshuar Orikumin krejtësisht duke e bërë një nga atraksionet më të mëdha të pas bregdetit të Vlorës. Dhjetëra shitore të vogla, rrethojnë qytetin, ku mbizotërojnë merkatat e vogla, pijetoret dhe në barazim me këto kafe-internet. Në këto mjedise, fëmijët e brezave të tashmë të Orikumit, ardhur nga emigracioni mbajnë gjallë fantazinë kibernetike dhe përcjellin trendin e moshës së tyre, që e ka bërë sërish të vjetër qytetin vogëlan.

Orikumi dhe Karaburuni, aty ku natyra i ka ngritur monument vetvetes Read More »