Turizem

Shqipëria, toka e shqiponjave, ofron shumë për të gjithë/Foto

Blogerja e famshme italiane për udhëtimet Marianna Norillo, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë dhe vendeve turistike të saj duke propozuar njohjen e këtij vendi.

Ajo ka ndarë përvojën e saj në vendet që ka vizituar, duke u dhënë disa propozime interesante turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Marianna Norillo e nis shkrimin në blogun e saj për Shqipërinë duke u shprehur se ”toka e shqiponjave me të vërtetë ofron shumë për të gjithë. Unë propozoj një artikull me rreth 10 vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri, të cilat i kam vizituar dhe vetë. Zgjidhni atë që ju intrigon më së shumti”, shprehet ajo.

1. Kruja
Ndër gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri, nuk mund të mungojë Kruja e heroit kombëtar Skënderbeut, qyteti ku kam vizituar kështjellën me të njëjtin emër dhe Pazarin e Vjetër. Ky është një qytet i vogël i qetë dhe me vlerë të rëndësishme historike të kalasë, me praninë e muzeut historik “Gjergj Kastrioti”, një itinerar mbi historinë e qytetit të Krujës dhe historisë së Skënderbeut dhe rezistencës së tij kundër osmanëve, ngjarje që kujtohet me krenari nga të gjithë shqiptarët.

2. Tirana
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu meriton të jetë në listën e vendeve më të bukura për të parë në Shqipëri. Dhe jo sepse është madhështor, emocionues, modern, kozmopolit, por sepse është një kryeqytet i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Një kryeqytet që nuk kujdeset për t’u mbushur me gjëra të padobishme, por dëshiron të paraqitet thjesht për atë që është me të vërtetë. Tirana është një kryeqytet i këndshëm dhe i vërtetë. Për t’a çmuar atë, është e nevojshme të shkojmë përtej klisheve dhe konceptit stereotipik të bukurisë. Në këtë mënyrë mund të përshtatesh me bukurinë e saj, një bukuri që tejkalon pamjen.

3. Berati
Në listën e asaj që duhet të shohim në Shqipëri duhet të përfshihet Berati, “qyteti me një mijë dritare” trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 1992. Për të arritur atje, duhen dy orë për të udhëtuar nga Tirana. Pasi të arrini, përveç një shëtitje në qytetin e vjetër dhe një shëtitje përgjatë lumit Osum, nuk mund të humbisni një vizitë në kala, një nga monumentet më të mëdha historike në Ballkan.

4. Vlora
Vlora është një nga vendpushimet më të famshme turistike në bregdetin shqiptar, edhe për shkak se ajo gëzon një klimë vërtet të mrekullueshme gjatë gjithë vitit. Vera është e nxehtë, por edhe në dimër është shumë mirë dhe reshjet janë të rralla: në 365 ditë, të paktën 266 janë me diell, dhe Vlora konsiderohet si një nga qytetet me ditët më me diell në Shqipëri. Nuk është çudi që është një nga destinacionet më popullore për turistët, të cilët mund të shijojnë si detin e qetë, ashtu edhe plazhin me rërë tipike të Adriatikut dhe ato plazhe shkëmbore tipike të detit Jon.

5. Zvërneci
Ka një vend shumë të veçantë në periferi të Vlorës që pak e dinë: Ishulli i Zvërnecit, i vendosur në mes të lagunës së Nartës. Ai ofron një pamje spektakolare dhe mistike, veçanërisht në perëndim të diellit, një pjesë e vogël toke të çon në manastirin ortodoks të Shën Marisë, që daton në shekullin e 13-të dhe 14-të, dhe që i mbijetoi braktisjes së filluar në vitin 1966, pas fushatës së ateizmit të dëshiruar nga diktatura e Hoxhës. Ndër të gjitha gjërat që kam parë në itinerarin tim 5-ditor në Shqipëri, Zvërneci është një nga më të bukurit, më besoni, shprehet blogerja Norillo.

6. Llogaraja
Shëtitja në Llogara është një kalim i pabesueshëm malor brenda në Parkun Kombëtar me të njëtin emër, është një nga gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri. Prej këtu ju mund të shijoni një pamje të jashtëzakonshme të Rivierës Shqiptare, të arritshme në pak minuta, një pamje spektakolare dhe panoramike, midis detit dhe malit të Çikës. Gjithashtu në Llogara do të keni një mundësi për të shijuar një ëmbëlsirë shqiptare tipike të kësaj zone, kos me mjaltë dhe arra të grira.

7. Porto Palermo
Të gjitha vendet e Rivierës Shqiptare janë të bukura. Unë mendoj për plazhin e Dhërmiut dhe atë të Himarës, me vendet karakteristike ku mund të pini diçka me pamje nga deti. Një pikë e e veçantë është gjiri i Porto Palermos, që më ka lënë pa fjalë aq shumë, saqë unë mendoj se kam marrë të paktën 50 fotografi në të njëjtin peizazh. Këtu qëndron kalaja e Ali Pashës, e quajtur në mënyrë të pahijshme kështjellë, të cilën ushtarët italianë që ishin në këtë vend të shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore e quajtën “Porto Palermo”, në kujtim të portit të njëjtë italian.

8. Syri i kaltër
Syri i Kaltër është një parajsë natyrore e bukurisë së rrallë, e mbushur nga turistët dhe e përfshirë në çdo itinerar udhëtimi në Shqipëri. Emri nuk është i rastësishëm, por i referohet formës së burimit që ngjan me një sy të madh ngjyrë blu dhe blu të errët. Unë e pashë atë në fund të një dite të gjatë, paksa me shpejtësi. Nëse keni më shumë kohë, ndaloni t’a admironi Syrin e Kaltër dhe peizazhin përreth.

9. Saranda

Saranda, një qytet në Shqipërinë jugore, i pasur me histori dhe bukuri natyrore, është ndër më të dashurit nga vendasit dhe turistët e huaj që kalojnë pushimet në plazhet e rërës së bardhë ose gëlqerore, plazhe me ujëra të pastra kristal dhe detit magjepsës, me restorantet me pamje nga deti për të kaluar mbrëmjet e ngrohta të verës. Ndër gjërat që duhen parë në Shqipëri, kjo është një nga më të bukurat, atë që vështirë do t’a harroni. Më pëlqeu vërtet!

10. Butrinti
Një vend tjetër për të parë në Shqipëri është Butrinti, një domosdoshmëri për t’a vizituar. Vizita në parkun arkeologjik të Butrintit, një tjetër trashëgimi e madhe e UNESCO-s në Shqipëri, ishte vërtet emocionuese, më besoni jo vetëm për rëndësinë e saj kulturore, historike dhe arkeologjike, por edhe për ambientin romantik dhe poetik. Nëse jeni të interesuar për arkeologjinë, ose thjesht dëshironi të përjetoni një mrekulli të vërtetë të Shqipërisë, shkoni atje! /atsh

Shqipëria, toka e shqiponjave, ofron shumë për të gjithë/Foto Read More »

Turistët gjermanë “zbulojnë” kepin e Rodonit

Turistët gjermanë kanë zbuluar një mrekulli të vogël, shumë pranë kryeqytetit shqiptar, ndërsa moti i mirë i këtij shtatori ka bërë që të zgjatet sezoni turistik. Kështu, grupe turistësh gjermanë kanë frekuentuar këto ditë kepin e Rodonit, duke shijuar jo vetëm natyrën e bukur dhe detin, por edhe pasuritë kulturore dhe historike të zonës.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Durrësit, që kujdeset për zonën, vë në dukje frekuentimin gjithnjë e më të shpeshtë të zonës nga turistët e huaj.

Kepi i Rodonit, vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /atsh

Turistët gjermanë “zbulojnë” kepin e Rodonit Read More »

Tirana destinacioni i turistëve të huaj edhe në shtator

Për turistët muaji shtator në Tiranë është më i preferuari. Në këto ditë vjeshte, ku temperaturat i ngjasojnë atyre të verës, rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.

Grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Nuk i mungon itinerarit të tyre, edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.

Por, vendi që vijon të tërheqë më së shumti interesin e vizitorëve të shumtë, është sheshi “Skënderbej”, në qendër të qytetit të Tiranës. I kthyer tashmë në një atraksion të ri për vetë rikonstruksionin modern dhe bashkëkohorë, ky shesh është shndërruar në një vlerë të shtuar për turizmin e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, shprehet se “asnjë grup turistësh nuk ikën nga Tirana, pa ndaluar qoftë edhe një herë në sheshin më të bukur të qytetit”.

“Tirana është në listën e 10 destinacioneve të sugjeruara nga Lonely Planet për vitin 2018”, thekson Veliaj.

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transforimimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, Qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj./atsh

Tirana destinacioni i turistëve të huaj edhe në shtator Read More »

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh

Në 6 muaj, Gramshi ishte destinacioni i preferuar i 14 e 500 turistëve vendas e të huaj.

Ky informacion jepet për ATSH nga strukturat e Bashkisë Gramsh që mbulojnë lëvizjet turistike në këtë Bashki.

Ergita Kaso, punonjëse në këtë bashki tha për ATSH se “këtë vit, Gramshi ka pasur numrin më të lartë të turistëve ndër vite. Pasi rakorduam të dhënat në të gjitha atraksionet turistike të Gramshit, konstatuam se gjatë 6 mujorit të parë të 2018 ka pasur rreth 14500 turistë deri tani, të cilët kanë vizituar pikat më atraktive turistike të zonës si Kanioni i Holtës me 3000 turistë. Kjo natyrë e veçantë e zonës, vazhdon të vizitohet gati çdo ditë nga turistë shqiptarë dhe të huaj”.

Liqeni i Zi, theksoi ajo, është një tjetër pikë e vizitueshme edhe për efektet e ujit kurativ që ka. “Deri tani janë numëruar nga strukturat tona deri 5000 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë gjatë muajit gusht, pasi vijnë për kurimin e sëmundjeve reumatizmale”, thotë për ATSH, përfqësuesja e kësaj Bashkie, Ergita Kaso.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që  mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banoret e disa qyteteve si, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballe të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.

Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacake që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

“Ujëvarën  e Sotirës këtë verë e vizituan 2000 turistë vendas e të huaj, kryesisht gjatë muajit Maj-Qershor, por vazhdon të vizitohet edhe në këtë periudhë”, shton më tej Kaso.

Ajo radhit edhe disa pika të tjera turistike të Gramshit që janë vizituar deri tani si Liqeni i Banjës me 3000 turistë, ku  disa operatorë turistik sjellin dhe kajak apo mjete te tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen  për t’u vizituar. Një tjetër destinacion, ka qenë dhe fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur, e vizituar nga 700 turistë të historisë dhe të kulturës.

Dy kishat ortodokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore. Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit kanë qenë dhe Liqeni i Dushkut, Shpella e Kabashit  e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë. /atsh

          

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh Read More »

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve

Sazani dhe Karaburuni edhe gjatë muajit shtator mbetet ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët mahniten nga bukuria që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës 1-17 shtator 3596 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

Sipas Malaj, pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj.

Sipas statistikave nga rreth 3596 turistë, 2014 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistët vendas dhe të huaj.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operuan anije turistike, të cilat niseshin çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve Read More »

Plazheve të Vlorës nuk i ndahen pushuesit edhe në shtator

Bregdeti i Vlorës ka ende shumë pushues që kalojnë fundjavën në plazh.

Temperaturat e larta i kanë bërë të huaj e vendas mos të shkëputen nga bregdeti.

Në foto është pamja e kësaj të diele. Një pushues tha për kamerën e tv klan se: “Këtë shtator unë po e shijoj shumë mirë se zakonisht rri në Tiranë. Sivjet e provova dhe jam shumë i kënaqur.”

E ndërsa një tjetër u shpreh: “Më kujtohet viti ’85 kur rrinim deri në mes të tetorit.”

Në këtë klimë nuk mungojnë edhe të huajt të cilëve plazhi në shtator u duket më mirë se në muajt tradicional të verës. Ka shumë nga ata që kanë udhëtuar nga Bjellorusia dhe Ukraina.

“Vlora, Ksamili dhe Borshi janë më të mirat”, tha një turist i huaj duke shijuar rrezet e diellit./dita

Plazheve të Vlorës nuk i ndahen pushuesit edhe në shtator Read More »

Xhamia e Plumbit vizitohet nga qindra vizitorë gjatë sezonit të verës

Një nga gjërat e bukura, dhe që e bën më të veçantë Xhaminë e Plumbit Vlorë, është se gjatë gjithë vitit, dhe në veçanti gjatë sezonit të verës, vizitohet nga qindra dhe mijëra vizitorë Shqipëtare dhe të huaj të cilët vijnë nga qytete dhe shtete të ndryshme të botës.

Vizitorët njihen me:

– Historinë e Xhamisë.
– Funksionin e saj.
– Roli që Xhamia ka në qytet.
– Njihen nga afër me Kur’anin, Librin e Shenjtë.
– Njihen në terma të përgjithshme me Fenë Islame.
– Gjithashtu u jepet informacion mbi çdo pyetje që vizitorët mund të kenë.

-Në bazë të mundësive gjithashtu shpërndahen edhe fletushka në gjuhë të ndryshme, ku gjithsecili që ka nevojë për informacione të ketë ku mund të lexojë.
Padiskutim meritë kryesore marin të gjithë ato që kontribojnë në punë të tilla

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - Albania

 

Xhamia e Plumbit vizitohet nga qindra vizitorë gjatë sezonit të verës Read More »

Shëtitorja e Dhërmiut, me një shesh të ri panoramik

Shëtitores së Dhërmiut, fshatit me një bukuri madhështore pranë bregdetit të Jonit, do t’i shtohet një shesh panoramik, që do të shërbejë si një pikë takimi për njerëzit.

Duke folur për fazën e ndërtimit të shëtitores buzë detit, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “shëtitorja e Dhërmiut do jetë më fantastikja në Dhërmi”.

“Vazhdojmë në Dhërmi në fazën më të bukur të projektit të një prej Shëtitoreve më fantastike në Mesdhe. Kur të përfundojë Dhërmiu të gjithë do mahnitemi dhe do të përgëzojmë arkitektët tanë për këtë dhuratë të çmuar për Himarën tonë dhe një falënderim Qeverisë Shqiptare për të gjithë vëmendjen e dedikuar”, thekson Goro.

Shëtitorja e re, do ta kthejë Dhërmiun në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët.  Ajo do të jetë akoma më shumë atraktive për turistët e huaj, që ende se kanë eksploruar Shqipërinë.

Dhërmiu i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më tepër se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës./atsh

Shëtitorja e Dhërmiut, me një shesh të ri panoramik Read More »