Turizem

Ambasada e SHBA: Shqipëria, një nga destinacionet turistike më tërheqëse të rajonit

Sot është dita Botërore për Turizmin.

Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një nga destinacionet turistike më tërheqëse të rajonit për udhëtarët në kërkim të aventurave.

USAID/Albania po punon me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të promovuar krijimin e vendeve të punës dhe inovacionit në sektorin e turizmin.

Nisma më e fundit, IntoAlbania, përdor platformën e faqes së saj në internet dhe aplikacionin për celularë për të nxitur rritjen ekonomike duke lidhur vizitorët me kulturën, trashëgiminë dhe bukuritë natyrore të vendit nëpërmjet përdorimit të përvojave dixhitale dhe unike./atsh

Ambasada e SHBA: Shqipëria, një nga destinacionet turistike më tërheqëse të rajonit Read More »

Flamingot rikthehen në shtëpi pas 21 vitesh shtegtim, spektakël në lagunë

Shpendi lozonjar i njohur edhe për baletin karakteristik ishte larguar nga kjo lagunë prej vitit të mbrapsht 1997, ku gjuetia e paligjshme bëri masakër mbi ta.

Pas 21 vitesh shtegtim flamingot rikthehen në shtëpinë e tyre. Shpendi lozonjar i njohur edhe për baletin karakteristik ishte larguar nga kjo lagunë prej vitit të mbrapsht 1997, ku gjuetia e paligjshme bëri masakër mbi ta. Sot ata rikthehen në Lagunën e Nartës, të cilësuar si “Shtëpia e Flamingove” dhe shfaqin për turistët baletin e tyre klasik. Report TV ka vëzhguar për disa orë aktivitetin e këtij shpendi në lagunë, prej orëve të para të mëngjesit e deri në perëndimin e diellit.

Prej vitit 1997 flamingot u arratisën në destinacione të tjera dhe shumë rrallë ishin parë në këtë lagunë. Por në vitin 2016, qeveria vendosi të ndalojë gjuetinë me anë të një moratoriumi, që duket se dha efekt. Prej asaj kohe vihej re se ky shpend po kthehej në shtëpi, por ditët e fundit kjo lagunë është populluar më shumë se kurrë.

Sipas specialistëve, flamingot nuk po shtegtojnë më nga Narta në periudhën e nxehtë por po qëndrojnë në lagunë gjatë gjithë vitit. Por, edhe prania e shumtë e turistëve dhe i vizitorëve është disi shqetësuese, pasi shkrepjet e aparatëve dhe dronët i bezdisin këta shpendë gjatë procesit të tyre të ushqimit apo dhe të shlodhjes. Ato tremben dhe ngrihen me vrull në ajër dhe herë pas herë dëmtojnë njëra-tjetrën por dhe duke i larguar nga vendi i zgjedhur.

Flamingot, klasifikohen tek shpendët me karakteristika të rralla. Në të shumtën e rasteve ata shihen të grupuar në hapësira të cekta uji dhe mblidhen si një grup baleti. Shumë teori janë ngritur për faktin se si ky shpend qëndron me një këmbë dhe për ngjyrat e tyre të ndryshme. Madje me një këmbë ata edhe flenë. Gjatësia e këmbëve të tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm dhe pasha trupore deri në 4 kg. Sipas specialistëve ngjyra e flamingove është në varësi të ushqimit që hanë si edhe karkalecave të cilat kanë përmbajtje të lartë karroteni, e cila i jep ngjyrën karotë në portokalli. Një tjetër teori është se të qëndruarit me një këmbë ka të bëjë me ndërtimin e trurit tek Flamingot, ndërsa të tjetër teori është se të qëndruarit me një këmbë ka të bëjë me gjuetinë dhe ruajtjen e energjisë. Por edhe pse ka shumë teori, ende nuk ka një tezë të saktë për këtë veprim të këtij shpendi.

Të gjithë flamingot kanë një veçori të përbashkët: një sqep që harkohet lehtë në mes dhe përkulet poshtë, duke krijuar një formë të këndshme për sytë. Kur nis të fluturojë, zogu rreh krahët me hijeshi dhe vrapon përmes ujit me këmbët e shkathëta, duke fituar vrullin që i nevojitet për t’u ngritur në qiell. Me qafën e gjatë, me kokën të drejtuar para dhe me këmbët që i tërheq si të ngrira nga pas, ai fluturon me elegancë nëpër qiell.

Veç flamingove në këtë lagunë rriten edhe disa shpendë të tjerë të rrallë në specien e tyre. Nga vëzhgimi i specialistëve pak kohë më parë, aty janë numëruar edhe rreth 17 pelikanë të cilët qëndronin të qetë në habitatin e tyre. Shpendë të tjera më pak në numër janë edhe Kryekuqa e mjeme, Sqepbiza, Dallëndyshja Bisht-Gërshërë, Dallëndyshja kërbishtbardhë  apo Vrapuesi gushëbardhë

Laguna e Nartës, një ndër më të mëdhatë në vendin tonë ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, me një sipërfaqe rreth 42 km 2. Thellësia e saj më pak se 1 . 5 metër, e bënë këtë lagunë të preferuar për flamingot. Ajo ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe  plazhe të vegjël pa bimësi të dendur. Veç ishullit të vogël ku ndodhet Manastiri i Shën Mërisë, kjo lagunë ka edhe një panoramë të mrekullueshme dhe për shkak të gjerësisë së saj të ofron edhe një perëndim unikal të diellit, I cili përshëndetet herë pas here edhe nga grupet e flamingove që banojnë tashmë aty.

Flamingot rikthehen në shtëpi pas 21 vitesh shtegtim, spektakël në lagunë Read More »

Vlora /Qyteti që mrekulloi me detin dhe bukurinë e tij mijëra turistë

Fundqershori 2018. Rreth 1600 turistë të huaj, kryesisht anglezë, mbërritën në bregdetin e Dhërmiut, në një nga plazhet më të bukura të kësaj zone. Ishte një “mësymje” e pazakontë në numër, në një nga perlat e bregdetit të Jugut.

Për 6 ditë me radhë, ata u bënë protagonistë të një feste tradicionale, të cilën më parë e kishin organizuar në vende të tjera. Edicioni i këtij viti i këtij eventi që emërtohet KALA, i solli në Jug të Shqipërisë. Ishte një festë e jashtëzakonshme, e paprecedent për këtë zonë të bregdetit shqiptar, por jo vetëm.

Për 6 ditë dhe netë me radhë, bregdeti i Dhërmiut, u pushtua nga atmosfera festive, e cila niste në orën 16:00 të pasdites dhe vazhdonte deri në orën 05:00 të mëngjesit të ditës tjetër.

Mijërat e turistëve, nën tingujt e muzikës “live”, me këngëtarë dhe DJ të njohur nga vende të ndryshme të Europës dhe nën shoqërinë e birrës që konsumohej pa fund, përcillnin orët duke kërcyer çift, aty, në atë hapësirë të plazhit “Empire Beach”, të rrethuar nga masa të forta sigurie. Pa u ulur për asnjë çast, ata argëtoheshin e argëtoheshin. Dhe… në mëngjes, të lodhur nga kërcimi dhe alkooli, festuesit drejtoheshin në hotelet përreth, të cilat ishin prenotuar javë më parë, për të pushuar deri në pasdite, kur, gjithçka niste sërish nga fillimi.

Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Netët ngjyroseshin dhe thyheshin nga muzika, dritat e projektorëve dhe entuziazmi i atyre që festonin. Valët e detit në sfond, plotësonin këtë atmosferë, e cila përsëritej çdo natë. Nga data 21 qershor e në vijim, Dhërmiu ishte në festë. Mëngjesin e 27 qershorit, miqtë do të përshëndeteshin me mikpritësit e tyre dhe, të mrekulluar nga gjithçka kishin përjetuar, premtuan se edhe në edicionin e vitit të ardhshëm do të ishin këtu, sërish.

“Ishte një festë, nga ato që dinë të organizojnë vetëm anglezët”, tregon për ATSH-në, Xhevat Shehaj, pronari i plazhit “Empire Beach”, vendi që u shndërrua gjatë një jave në mjedisin e një atmosfere të zjarrtë.

Sipas tij, përgatitjet për këtë ngjarje, kishin nisur muaj më parë. “Më kontaktuan nga Ambasada e Britanisë në Tiranë, për këtë event dhe punonjës të saj erdhën disa herë këtu, në plazh, për të diskutuar për detajet e festës”, përshkruan më tej ai.

Shehaj thotë se, në vigjilje të kësaj ngjarjeje, plazhi u rrethua dhe në hapësirën e tij u instaluan pajisjet gjigante të fonisë. Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme dhe çdo gjë u organizua në mënyrë perfekte.

“Ishin më shumë se 1600 persona, kryesisht anglezë, por edhe nga ndonjë vend tjetër, të moshës 20 deri në 45 vjeç. Mblidheshin çdo pasdite rreth orës 16:00 dhe festonin deri mëngjesin e ditës tjetër, rreth orës 05:00. Kërcenin dhe pinin birra, ndërkohë që këngëtarë të njohur dhe DJ gjithashtu të njohur, plotësonin këtë festë me muzikë të zgjedhur”.

Kështu e përshkruan atmosferën e këtyre ditë-netëve, Xhevat Shehaj, plazhi i të cilit do të shndërrohet në një referencë të kësaj feste. Ai nuk mund të thotë se cilët këngëtarë, apo DJ, ishin pjesë e këtij eventi, sepse organizatorët nuk dhanë detaje të tilla, por për një gjë është i sigurtë; ishin emra të njohur të muzikës.

Shehaj thotë se, impakti i kësaj feste ishte pozitiv edhe për operatorët e tjerë në zonë, hotelet dhe subjektet e njësitë tregtare, të cilat ishin në funksion të plotë të festës dhe festuesve për 7 ditë me radhë.

Festuesit ngelën të mrekulluar nga vendi, nga natyra, nga bukuria e detit dhe e gjithçkaje. “Më thanë se do të vijnë sërish vitin tjetër”, shprehet Shehaj, i cili thotë se eventi organizohet nga një shoqëri angleze dhe mbështetet nga Ambasada e Britanisë. Ai thotë se, një ngjarje e tillë e madhe për turizmin, nuk u pasqyrua fare nga media shqiptare. Kjo, për të është e pakuptueshme, megjithëse thotë se organizatorët ishin hermetikë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, thotë se, Festa “KALA” e zhvilluar në plazhin “Empire Beach”, në Dhërmi, është një ngjarje e madhe për turizmin në Himarë, por edhe në Shqipëri. Ai sqaron se kjo festë tradicionale e përmasave të mëdha, organizohet në vende të ndryshme, ndërkohë që, për këtë vit, organizatorët britanikë, zgjodhën bregdetin shqiptar. “Ishte një event i jashtëzakonshëm, që ne e mbështetëm me të gjitha masat e nevojshme”, citon Goro, për ATSH-në.

Ai tregon se, gjithë stafi i bashkisë u angazhua për të marrë masat e duhura në përgjigje të kërkesës së Ambasadës së Britanisë, për të zhvilluar këtë festë në bregdetin e Himarës.

“Sugjeruam plazhin “Empire Beach”, një nga investimet më cilësore në zonë, me bindjen se, në këtë mjedis ofrohen standardet e duhura për evente të tilla. Dhe, gjithçka shkoi si s’ka më mirë”, shprehet Goro.

Në reflektim të asaj çka kishin përjetuar, organizatorët garantuan kryebashkiakun Goro se, i njëjti vend do të jetë mjedisi që do të zgjedhin edhe për edicionin e radhës. “Festa KALA, organizuar në bregdetin e Himarës, përbën një krenari për ne dhe është një tregues se gjithçka po shkon në rrugë të mbarë në drejtim të turizmit, pavarësisht se, kjo ngjarje nuk u pasqyrua aspak dhe me asnjë rresht, apo minutë në median e shkruar dhe atë vizive, ndërkohë që, këtë gjë e bënë disa gazeta britanike”, shprehet Goro. Ai shton se, premtimi që morën për ta zhvilluar sërish në të njëjtin vend edhe edicionin e radhës për vitin tjetër, është elementi më kuptimplotë i asaj çka ofron Himara dhe gjithë bregdeti i Jugut, për turizmin.

– Ka plazhe të bukura këtu, në Vlorë, por edhe më tutje, në Himarë dhe Sarandë, – i thoshte shokut të vet nga Parma (Itali), një i ri italian. Ata ishin vendosur në çadrën pranë meje në plazhin “Vajana” dhe unë dëgjoja gjithçka bisedonin mes tyre. Njeri, rreth të 30-ave, i fejuar me një vajzë nga Vlora, ishte vetëm atë të dielë në plazh, për shkak se, shoqen e kishte çuar një ditë më parë në Tiranë. Tjetri, shijonte prej një jave diellin, plazhet dhe detin në Vlorë, ku kishte zgjedhur të kalonte pushimet e këtij sezoni. Të dy, të takuar rastësisht, nuk di se ku, jepnin përshtypjet për Vlorën dhe për vendet e tjera ku kishin qenë.

– Është bukur këtu, në këtë plazh, por edhe tek një tjetër që isha gjatë këtyre ditëve, -përgjigjej bashkëfolësi, pothuajse në të njëjtën moshë, ndërkohë që shkonte njërën dorë në flokët e dendur kaçurrela.

– Nuk e mendoja që Shqipëria do të ishte kështu, kaq e këndshme. Kam takuar edhe të tjerë nga Parma dhe ishin gjithashtu të kënaqur. Diell, plazhe dhe vende të bukura, lokale gjithashtu tërheqëse dhe çmime të lira. Për shkak të lidhjes time, është vera e dytë që vij në Vlorë dhe në Shqipëri, por kënaqësia është e njëjtë. – Ndërsa mundohet të përshkruajë vende e plazhe të tjera, Himarën, Sarandën, bashkëfolësi i parë, tregon se bashkë me të fejuarën e vet nga ky qytet, ndodhet në Vlorë prej muajit qershor. I ka bërë përshtypje numri i madh i bashkëkombasve që vijnë me pushime në Shqipëri. – Në muajin qershor nuk kishte shumë italianë, por në korrik dhe në gusht, kanë ardhur shumë, shumë fare, -vijon ai më tej.

E, ndërsa ndjek me kërshëri bisedën mes tyre, unë ndihem mirë, sigurisht. Çdokush, do të ndihej po njëlloj, teksa nga të huaj dëgjon fjalë të tilla pozitive.

Ndërkohë, dy “komshninjtë e mi, humbasin në tregimet e tyre për gjërat e tjera që kanë parë, për ato që do të shohin, për faktin se, sa afër e kishin këtë vend, por edhe sa larg njëkohësisht.

Më tej, në hapësirën e plazhit modern, të sistemuar bukur, me çadra e shezlonë cilësorë, qindra pushues të tjerë kalojnë orë të këndshme. Mes tyre, ka turistë që vijnë nga Italia, nga Polonia, nga Çekia, Rusia, Maqedonia, Gjermania, Anglia, ashtu si mjaft të tjerë nga Tirana, Vlora sigurisht, apo qytete të tjera shqiptare. Të gjithë bashkë, pushojnë në një copëz vend, pavarësisht shtetësisë e kombësisë, gjuhës e kulturës. Sepse turizmi, resurset e çdo vendi, njerëzit, ndërtojnë ura dhe shembin mure. Ky është realiteti. Ai është shfaqur dhe shfaqet me të gjitha dimensionet në Vlorë dhe, më tej, në të gjithë bregdetin e Jugut.

* * *

Në këtë hapësirë të bregdetit shqiptar, fluksi i turistëve të huaj, ka qenë i pakrahasueshëm këtë verë. Mijëra prej tyre zgjodhën dhe po vazhdojnë të zgjedhin Vlorë, Dhërmiun, Himarën dhe më tej Sarandën, për të kaluar pushimet. Por, ky fluks, ndonëse më i ulët, po vazhdon. Të dielën, në pikën më të bukur të Qafës së Llogorasë, në atë që tashmë emërtohet “Adventure place” (Vendi i aventurës), prej ku lëshohen drejt qiellit të pasionuarit pas fluturimeve, disa dhjetëra motoçiklistë të huaj u stacionuan për të shijuar bukurinë dhe hapësirën e pamatë të detit. Por edhe për të bërë një foto. Prania e tyre në atë orë të pasdites, por edhe e kamperave apo automjeteve me targa nga vende të ndryshme të Europës, është gjithashtu një tregues se sezoni veror po zgjatet. Kjo ka bërë që, mjaft plazhe të qëndrojnë ende në funksion, si asnjë vit tjetër në këtë periudhë. “Morinë Palace”, “Drymades Resort”, “Drymades In”, “Empire Beach” apo plazhe të tjera, vazhdojnë të jenë aktive, për shkak të fluksit të pushuesve që vijojnë të shijojnë ditët me diell.

Nuk ka shifra. Është ende herët për të bërë një bilanc të saktë të treguesve të këtij sezoni. Por, mjaft pronarë hotelesh, restorantesh etj, përgjatë bregdetit, një gjë ta thonë me siguri; numri i turistëve të huaj, gjatë këtij sezoni ishte shumë më i lartë, krahasuar me atë që shkoi. Investimet, promovimi i resurseve turistike etj, janë disa nga faktorët që ndikuan e që sigurisht, do të ndikojnë edhe në vijim./Klotilda Saracini

Vlora /Qyteti që mrekulloi me detin dhe bukurinë e tij mijëra turistë Read More »

Ndër 15 ishujt më të bukur në botë renditen edhe Ishujt e Ksamilit!

Gazeta suedeze “Expressen.se” konsideron ishujt e Ksamilit ndër 15 ishujt më të mrekullueshëm në botë.Në një renditje për të gjithë ata turistë që pëlqejnë të kalojnë pushimet në ishull, gazeta suedeze, mes ishujve të famshëm si Korsika, Siçilia, Ibiza, Malta apo Singapori ka vendosur edhe ishujt e Ksamilit.Shqipëria është shfaqur si një alternativë tërheqëse ndaj Greqisë. Qyteti i Sarandës është përballë ishullit grek të Korfuzit dhe është i famshëm për plazhet e tij të bukur, si në qendër të Sarandës edhe përgjatë gjithë bregut.Për të shijuar plazhe edhe më të bukur, merr një taksi dhe udhëto rreth 20 minuta në jug drejt ishujve të Ksamilit. Këto ishuj janë të pabanuar dhe mund të arrihen me lehtësi duke notuar ose me një varkë me pedale. Këtu nuk ka aq shumë njerëz sa ka në breg dhe deti është jashtëzakonisht i mrekullueshëmPër ata që duan të bëjnë më shumë se sa vetëm të lahen, ka plot mundësi.

Mund të shkoni tek Syri i Kaltër, një burim me ujë të ftohtë vetëm pak kilometra larg Sarandës. Ky fenomen natyror është 50 metra i thellë dhe ngjason me një sy nga forma dhe ngjyra.Por, mund të kaloni edhe një eksperiencë unike në qytetin historik të Gjirokastrës duke vëzhguar luginën e lumit Drino, duke vizituar pazarin e vjetër, kështjellën mesjetare dhe muzeun etnografik.

Ndër 15 ishujt më të bukur në botë renditen edhe Ishujt e Ksamilit! Read More »

Superjahti i miliarderit rus ankorohet në portin e Sarandës (Video)

Superjahti i miliarderit rus Andrey Melnichenko në këto të ngrohta shtatori, është ankoruar në Sarandë, por nuk dihet nëse brenda mjetit lundrues është biznesmeni rus.

Kjo gjë i ka bërë përshtypje qytetarëve të Sarandës, por edhe pushuesve, të cilët po shijojnë këto ditë të ngrohta.

Kujtojmë se superjahti “Sailing Yacht A” u ankorua në brigjet shqiptare gjatë muajit korrik, dhe ngjarja bëri jo pak bujë në media. Me sa duket, miliarderi rus ka zgjedhur të rikthehet në brigjet shqiptare.

Superjahti i miliarderit rus ankorohet në portin e Sarandës (Video) Read More »

Vlora dhe s’ka tjetër

Nga Rudina Xhunga

Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani,  që nuk ka më gruan,  atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i  njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen,  kurriz me kurriz,  në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella,  plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk,  eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar,  çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen  industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë,  që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot. Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime,  mos ia kurse vetes Vlorën!

Vlora dhe s’ka tjetër Read More »

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e arkeologëve për kërkime dhe zbulimin e historisë nën rrënoja.

Së fundmi, arkeologët e palodhur po sjellin fakte interesante rreth zbulimeve të bëra në fontanën Monumentale, kishën Paleokristiane, portën hyrëse në anën lindore ku janë zbuluar teknika të reja dhe periudha ndërtimi të pahasura më parë.

Rezultatet shkencore të këtij sezoni gërmimesh priten të dalin ku publiku dhe specialistët po i presin me padurim.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /atsh

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto Read More »

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë

E ndodhur mes qytetit të Përmetit dhe Tepelenës, me një urë të varur të dhuruar nga Pashai i saj Ali Tepelena, aq afër  me lumin e Vjosës dhe me një klimë shumë të favorshme për rritjen e agrumeve dhe bimëve të tjera, e bëjnë këtë fshat të vogël shumë të preferuar.

Në zonën përreth e thërrasin ndryshe edhe “Stambolli i vogël”.

Po flasim pikërisht për Dragotin, vend i cili njihet shumë mirë nga të gjithë jugorët për arsye se është e vetmja urë e cila bën të mundur lidhjen e pjesës juperëndimore me atë juglindore të vendit.

Ura e Dragotit ka qenë një dhuratë nga Ali Pashë Tepelena që vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë në këmbë, sigurisht e rikonstruktuar.

Mendohet se emri “Dragot” vjen nga fjala “Dragoi” qenie mitologjike e fortë, mbrojtëse, për shkak të pozicionit të favorshëm për të jetuar dhe klimës së butë që më të drejtë udhëtarët e kanë quajtur “Stambolli i vogël”.

Rruga kryesore vjen paralel me shtratin e lumit dhe Janina e Konica e kishin si rrugën e tyre kryesore që i lidhte me pjesën tjetër. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Edith Durham, diku nga fillimi i shek. XX.

Është thënë se ishte shoqëruar nga një djalë me emrin Sadik e që udhëtarja paska qëndruar në shtëpinë e tij në Dragot.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet po aq mahnitës si për vendasit edhe për të huajt, por fakti që i tërheq më shumë turistët është se aty afër, në Beçisht ka lindur edhe Ali Pashai, por Dragoti ka edhe një simbolikë tjetër, ka një urë që ka marrë emrin e tij.

Është një urë shumë elegante e që silueta e saj e harkuar duket që larg e harmonia e strukturës së saj të befason.

Është plot 100 metra e gjatë e nuk ka këmbë në mes. Bashkon malin e Golikut me Shëndëllinë dhe është një urë me një peshë të madhe strategjike. Kështu është quajtur në kohë lufte dhe paqeje.

Është ruajtur me rojë në kohën e socializmit. Dhe në historinë e saj të luftërave është bombarduar disa herë, por pozicioni strategjik e ka bërë të pamundur shkatërrimin e saj.

Një pllakë çeliku, e vedosur në një nga harqet e saj lexohet “Asaldo. Genova 1936-XIV”. Asaldo duhet të jetë firma ndërtuese e urës, ndërsa “XIV” është viti i 14-të i “erës fashiste”.

Ndërsa në hyrje të urës, në faqen shkëmbore djathtas, ndodhet një gur i cili nuk është i të njëjtës strukture të shkëmbit mbi të cilin ai rri. Ka ngjyrën e betonit dhe një legjendë se kjo urë do të jetojë sa të jetojë edhe ky gur.

Dikush thotë se ai gur është pikë orientimi për ndonjë thesar të fshehur të Ali Pashës. Këto dhe të tjera histori e gojëdhëna, bëjnë kurioz shumë udhëtarë e vizitorë të ngiten në këto anë e të shikojnë nga afër fshatin dhe historinë e tij.

Dragoti është edhe vendlindja e aktorit të madh hollivudian Stan Dragoti.

Është një vend shumë i bukur për tu vizituar dhe sigurisht për të njohur dhe pak mikpritjen e vendasve e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë tipike e kohëve të vjetra.

Fshati vizitohet sipas intenerarit Tepelenë- Dragot- Përmet

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë Read More »