Turizem

610 mijë turistë vizituan Shqipërinë vetëm në shtator

Ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se “gjatë 28 ditëve të muajit shtator, Shqipëria është vizituar nga 610 mijë turistë, pra 34% më shumë se shtatori i 2017”.

Në takimin e organizuar në Pustec në kuadër të programit “100 fshatrat”, ministri Klosi tha se “kjo dëshmon edhe njëherë se ne kemi shumë mundësi që turizmin ta shtojmë, ta diversifikojmë, të mos jetë vetëm bukuria e detit, magjia e plazheve tona fantastike, por ta kombinojmë në mënyrë perfekte, ashtu si dhe turizmi e do në gjithë Europën për të pasur një përthyerje 50% me 50% ndërmjet bukurisë së deteve dhe magjisë që ka zona jonë e brendshme e Shqipërisë”.

“Zona e Prespës falë projektit të menaxhuar me shumë kujdes nga miqtë tanë të KFW me ekspertët shqiptarë të gjithë kësaj fushe, do të bëjnë të mundur që të kemi një zonë të parë që mund të shërbejë si shembull jo vetëm për zonat e tjera të Shqipërisë, por për gjithë rajonin, si një pikë ku mund të përthyhen shumë mirë politikat e zhvillimit të turizmit, biznesi i ri, si një ekonomi e re, si dhe më shumë mirëqenie e më shumë punësim”, nënvizoi Klosi, transmeton atsh.

Duke folur përsëri për shifrat e numrit të turistëve, Klosi bëri të ditur se gjatë muajit gusht u shënua një rritje prej 27% të turistëve, më shumë se në të njëjtin muaj të 2017″. /Telegrafi/

610 mijë turistë vizituan Shqipërinë vetëm në shtator Read More »

Vlorë, dy kroçera vizituan qytetin bregdetar gjatë fundjavës

Edhe pse sezoni turistik është drejt mbylljes, qyteti bregdetar i Vlorës me bukurinë dhe historinë e tij ka bërë për vete turistët e huaj, të cilët kanë zgjedhur të zbulojnë më shumë rreth tij.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “gjatë fundjavës në portin e Vlorës u ankoruan dy kroçera me turistë, “E bukura e Adriatikut” dhe “Panorama””.

Sipas tij, të dy korçerat sollën një numër të konsiderushëm turistësh që kanë vizituar pikat atraktive dhe turistike të Vlorës.

“Kroçera “E bukura e Adriatikut” kishte 180 turistë që ishin shtetas gjermanë, ndërsa tek “Panorama”, ishin 40 turistë grekë, spanjollë dhe anglezë”, tha Malaj, duke shtuar se kroçera “E bukura e Adriatikut” ka ardhur edhe herë të tjera në portin e Vlorës.

Porti i Vlorës është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun. Bashkëpunimi i frytshëm mes “Portit Detar” Vlorë sh.a, dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Vlorës./atsh

Vlorë, dy kroçera vizituan qytetin bregdetar gjatë fundjavës Read More »

Akademia “100 fshatrat”, ndalesa në Ardenicë dhe Krutje

Anëtarët e “Akademisë 100 fshatrat” u ndalën në Ardenicë dhe Krutje, dy fshatrat e zgjedhura në Bashkinë e Lushnjes në kuadër të programit “100 fshatrat”.

Evidentimi i potencialeve që ofrojnë këto fshatra dhe hartimi i projekteve konkrete zhvillimore për nxitjen e këtyre potencialeve ishte në fokus të vëmendjen se anëtarëve të Akademisë “100 fshatrat”.

Ata zhvilluan një takim me Kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, i cili nënvizoi rëndësinë e hartimit të projekteve për dy fshatrat e përzgjedhur në Lushnje.

Gjatë takimit u koordinuan punët për realizimin e këtij plani ambicioz në përputhje me standardet e kohës, duke promovuar vizionin e ri për fshatin që duam.

Qeveria shqiptare ka shpallur nismën e saj “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural-Programi i 100 fshatrave”, i cili do të jetësohet në periudhën 2018-2020.

Ky program synon të kordinojë ndërhyrjet në hapësirën rurale me një qasje ndërsektoriale, duke alternuar investimet publike me donatorët dhe investimet private.

Në Bashkinë Lushnje, investimet dhe mbështetja e programit 4-vjeçar do të shtrihet në fshatrat Ardenicë dhe Krutje.

Ardenica

Fshati Ardenicë shtrihet në brezin kodrinor me të njëjtin emër dhe ka potencial për të qenë zona agro-turistike më e rëndësishme e Bashkisë Lushnje, ku krahas panoramës shlodhëse, i shtohen dhe elemente të trashëgimisë kulturore si “Manastiri i SHën Mërisë” Ardenicë, monumenti i natyrës “Dushkaja e Ardenicës” dhe “Selvitë e Manastirit të Ardenicës”.

Zona është e njohur për vreshtat dhe traditën e kulinarisë, ndërsa ekzistenca e ndërtesave shtetërore mund të shërbejë për qendra komunitare, shërbime hotelerie apo prodhimin e produkteve artistike.

Krutje

Njësia administrative Krutje shtrihet në një reliev fushor dhe ka një popullsi prej 10333 banorë.

Ka dalje në dy arterie kryesore në autostradën Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat. Zona është e njohur për prodhimin e perimeve të fushës dhe serrave, vreshtarinë, agrumet etj.

Në fshatin Krutje e Sipërme ngrihet “Kisha e Shën Kollit”, njohur si monument kulture i kategorisë së I. Kjo zonë njihet dhe për traditën sportive në sportin e volejbollit për femra, trashëguar ndër vite./atsh

Akademia “100 fshatrat”, ndalesa në Ardenicë dhe Krutje Read More »

Thethi, perla e mbrojtur e turizmit shqiptar, i vizitueshëm në çdo stinë/Foto

Thethi, zemra e Alpeve Shqiptare. Kjo perlë e natyrës vetëm këtë sezon turistik ka pritur mbi 40 000 vizitorë, ndaj të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për ruajtjen e saj. Me këtë synim, me propozim të ministrisë së Kulturës dhe vendim të Këshillit të Ministrave tashmë qendra e fshatit Theth, është shpallur “Qendër historike” në mbrojtje.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.

Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.

Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.

Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorë dhe pushuesit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.

Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit të tre shteteve, parku quhet “Parku i Paqes”, ku në të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin edhe të turizmit kulturorë.

Një bukuri natyrore të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me Mullirin e Blojës, kishën në qëndër të fshatit formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i Lumit të Shalës në Okol, që derdhet në Liqenin e Komanit dhe formon plazhe të vegjël që shfrytëzohen gjatë verës nga pushuesit e ardhur nga vendi dhe kuriozët nga bota. Për turizmin në Theth, kanë shkruar shumë media botërore dhe shumë televizione kanë shfaqur reportazhe  promovuese.

Thethi mbetet kurioziteti i turizmit shqiptar dhe vizitohet në çdo stinë të vitit./atsh

Thethi, perla e mbrojtur e turizmit shqiptar, i vizitueshëm në çdo stinë/Foto Read More »

Shpella të stërmëdha dhe shkrime marinarësh, misteret e gadishullit të Karaburunit (Foto)

Një gisht toke që del në det, gadishulli i Karaburunit nuk është asgjë tjetër veçse shkëmbor.
Për aq sa shqiptarët mbajnë mend, ai është përdorur si një kullotë dimërore për dele dhe dhi; plazhet e vogla të bukura, më së shumti në anën perëndimore, dalin në lajme më së shumti si baza të fshehta për trafikantët e kanabisit ndërsa shumica e tyre janë të aksesueshme vetëm me varkë ose përmes një ecjeje të gjatë e të lodhshme.

Ato kanë emra që ngjallin ndjenjën e misterit – njëri quhet Gramata, ose Gjiri i Shkrimeve, një tjetër është i njohur si Gjiri i Raguzës, një qytezë në Sicili dhe emri me të cilin njihej më parë qyteza e Dubrovnikut kur ishte një qytet-shtet.

Një pllajë mbart emrin Ravena, emër i një qyteti tjetër italian.
Pak rrugë të paasfaltuara të hapura nga ushtria shqiptare ecin përgjatë anës lindore të gadishullit, por ato janë ende të paaksesueshme për civilët për shkak se baza e Pasha Limanit e flotës detare shqiptare gjendet në krye të rrugës.

Mënyra e vetme për të mbërritur në plazhet e virgjëra të Karaburunit është përmes gomoneve. Këto janë foto nga dy udhëtime të vitit të kaluar.

Karaburun ok

Udhëtimi i parë u nis nga gjiri i Vlorës me një kosto prej 2,500 lekësh për person, udhëtim që na çoi në Shpellën e Haxhi Aliut dhe në një nga të paktat plazhe në anën lindore të gadishullit, ku një restorant i vogël shërben mish ose peshk zgare, sallatë, djathtë të fortë të bardhë të zonës dhe patate të skuqura.

Në cepin verior të gadishillit, rreth 15 kilometra nga Vlora, shpella e Haxhi Aliut është kaq e madhe sa mund të mbajë një anije të vogël se disa gomone njëherësh. Zakonisht nevojiten 30 minuta për të mbërritur atje, në varësi se sa shpejt është i gatshëm të ecë kapiteni.

Ky është një vend i mbushur me mite mbi piratë dhe tregime më moderne për trafikantë droge apo trafikantë qeniesh njerëzore që e përdorën atë për t’u fshehur si nga moti i keq ashtu edhe nga policia.

Ka disa gomone që nisen çdo ditë gjatë verës; vizitorët mund të notojnë në ujërat me salinitet të lartë ndërsa dritat vallëzojnë në tavanin e stërlartë të shpellës.

Karaburun 4

Udhëtimi i dytë na dërgoi nga fshati Dhërmi në anën tjetër të gadishullit të Vlorës te Shpella Blu dhe te Gjiri i Gramatës, ose i Gramës, ndoshta vendi më i bukur në bregdetin shqiptar.

Varkat drejt Gramatës janë më të rralla dhe më të shtrenjta; në kontrast me ujërat e qeta të Gjirit të Vlorës, Deti Jon dhe Kanali i Otrantos është shpesh i egër. Udhëtimi mund të kushtojë rreth 150 euro për deri në gjashtë apo shtatë vetë.

Mënyra tjetër e mundshme për të mbërritur është një marshim i gjatë përmes një shtegu të ngushtë nga plazhi i Rrugëve të Bardha por kjo mund të zgjasë deri në gjashtë orë dhe duhet të kujdesesh të marrësh ujë me vete.

Karaburun 2

Gjiri i Gramatës është e vetmja zonë e mbrojtur nga stuhitë në një segment brigjesh shkëmbore dhe e ka marrë emrin nga mijëra shkrime dhe simbole të gdhendura në gurë nga marinarët që kanë falënderuar zotat e tyre prej mijëra vitesh.

Studiuesit kanë identifikuar gjuhë të ndryshme në shkëmb, përfshirë greqiste të lashtë dhe të mesjetës si dhe latinisht. Studiuesit në fillim të shekullit të 20 menduan se disa prej shkrimeve i përkasin civilizimit etrusk në Italinë e lashtë.

Plazhi i grames

Disa nga mbishkrimet janë shuar me kalimin e kohës ose janë vjedhur, ndërsa të tjera janë vandalizuar nga vizitorë të mëvonë, përfshirë rekrutë të ushtrisë shqiptare që shërbyen aty kur Shqipëria ishte një vend komunist.

Përveç fjalëve, shkëmbi mbart edhe shenja heraldike, duke i dërguar udhëtarët e kohës sonë shekuj më pas. Ata bëhen dëshmitarë të një fakti tashmë shpesh të harruar – se udhëtimi me det është i rrezikshëm. /BIRN/

Karaburun

Shpella të stërmëdha dhe shkrime marinarësh, misteret e gadishullit të Karaburunit (Foto) Read More »

Misteret e ishullit Sazan të Shqipërisë (FOTO)

Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Me një histori enigmatike, Sazani është i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar. Një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, që përsëri mbetet në kuadrin e misteriozes.

Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet përreth.

Sot, kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.

Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON.

Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia.

Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.

Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.

Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj.

Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë  Shqiptare.

Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër.

Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë.

Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.

Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit.

Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës.

Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qenë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të paprekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.

Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, spelologë, admirues të natyrës por së fundmi, ishulli është kthyer në një atraksion për turizmin e lirë.

Sazani mbetet një mundësi e re për turizmin shqiptar.

Misteret e ishullit Sazan të Shqipërisë (FOTO) Read More »

Himarë, Kisha e Sergit dhe Bakut mirëpret vizitorë të veçantë

Kisha e Sergit dhe Bakut në Himarë u vizitua nga nxënësit e shkollës së mesme të cilët po shfaqin përherë e më shumë interes për monumentet e trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, nxënësit vizituan qendrën historike në kalanë e Himarës, ku u njohën nga afër me vlerat monumentale të kësaj kalaje .

Gjithashtu ata në mënyrë të veçantë u njohën dhe me risitë në kishën e Sergit dhe Bakut tashmë e restauruar nga projekti i sapo përfunduar i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës me vullnetarë nga 15 shtete të ndryshëm nga gjithë bota.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.

Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhet një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.

Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale./atsh

Himarë, Kisha e Sergit dhe Bakut mirëpret vizitorë të veçantë Read More »

Turizmi i peizazhit, vjeshta sjell vizitorë në malet e Shqipërisë

“Vjeshta ka ulur numrin e turistëve në bregdet, por jo të atyre që preferojnë ecjen në natyrën e bukur dhe peizazhin shqiptar”. Kështu shprehen punonjësit specialistë të guidave malore në Administratën e Zonave të Mbrojtura të Beratit.

Punonjësit e kësaj administrate çdo ditë janë në aktivitet në qendrën e tyre të Pritjes së Vizitorëve, për të udhëzuar dhe shoqëruar vizitorët e ndryshëm që ngjiten drejt peizazheve vjeshtore në faqet malore të Tomorit.

Së fundmi ata shoqëruan një grup turistësh gjermanë prej 14 vetash, që me mjetet e tyre kishin për guidë lëvizjen nga Berati, në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit dhe më pas, nëpërmjet lumit të Tomoricës udhëtuan drejt Gramshit ku u ndalën në Ujvarën e Sotirës e më pas vazhduan në destinacionin e tyre.

“Gjatë lëvizjes  në zonën e Kulmakut në malin e Tomorit,  kontaktuam dhe ndihmuam në lëvizjen me mjetet e tyre drejt majës jugore të Malit të Tomorit tre grupe turistësh: një çift çekësh, një çift hungarezësh dhe tete polakë në dy makina të cilët i orientuam në drejtimin e kërkuar prej tyre” thotë Fatos Nako, Drejtor i AdZM Berat.

Nën këmbët e malit madhështor të Tomorrit, ndodhen disa fshatra malore, që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë.  Këtu ndodhen Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani… Bukuritë përrallore të kësaj zone nuk mund të rrëfehen pa i parë me sy. Ndër to, dy liqene në rrëzë të malit, 1100 metra mbi nivelin e detit, të mbushur dimër e verë plot me ujë e gjallesa ujore.

Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore, ku në krye të tyre ndodhet “Sheshi i Shën-Pjetrit”. Rreth e përqark tij bëjnë hijeshi pishat.

Pak me tej gjenden rrënojat e një qyteze të çuditshme, me themele dhe murana që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi. Qyteza ende pret arkeologët të vendosin emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.

Në Qaf-Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos, ku udhëtarët shuajnë etjen dhe shlodhen duke marr udhëzime për vazhdimin e mëtejshëm të itinerarit. Aty në një pllakë guri shkruhet: “Pini ujë dhe uroni/ Tarikon ta kujtoni/ Jam e ëma e Demirit/ Mbeta garibe (e vetmuar) nga dora e qafirit”.

Fatosi thotë se: ”Ishte kënaqësi kur i shihje që ishin goxha të informuar dhe me guida të vetpërcaktuara prej tyre që më parë. Kjo tregon që informacionet  për zonat malore mund t’i gjesh lehtë në internet”.

E verdha vjeshtore ka trokitur kudo, turistët pasionant të kësaj panorama po vërshojnë dhe  Shqipëria po futet fort në tregun turistik edhe në guidat e peizazhit natyror./atsh

 

Turizmi i peizazhit, vjeshta sjell vizitorë në malet e Shqipërisë Read More »