Shqipëria vazhdon ende dhe në këto ditë tetori të mirëpresë turistë të shumtë që po vizitojnë pikat më interesante turistike pasi vendi ynë po shndërrohet në një vend me turizëm gjithëvjetor për shkak ditëve të shumta me diell.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi përmes një albumi me foto, shprehet se ”turistët e huaj, vizitojnë Shqipërinë në këto ditë të ngrohta tetori. Turiste çekë, gjermanë dhe vende të tjera kanë udhëtuar dhe shijuar natyrën në Kepin e Rodonit, Malin e Tomorit, kanionet e Osumit,malin e Dajtit, Kune Vain dhe Bredhi i Hotovës”.
Këto pika turistike u ofrojnë turistëve eksplorimin e natyrës dhe një aventurë fantastike, pasi në këto atraksione ata shijojnë qetësinë e natyrës, bukurinë e egër të maleve shqiptare si dhe me çadra nën shoqërinë e njëri -tjetrit shijojnë madhështinë e kanioneve të Osumit ku natyra ndërthuret me ujin e kristaltë të këtyre kanioneve.
Xhamia e Allajbegisë, Dibër monument kulture i kategorisë së I është një tjetër destinacion i turizmit religjioz i cili po merr vëmendjen e instituteve dhe specialistëve përkatës për të qenë një atraksion i denjë dhe mikpritës për turistët e huaj dhe vendas.
Specialistët e DRKK-së, Shkodër kanë kryer punime konservuese dhe mirëmbajtjeje në Xhaminë e Allajbegisë, Dibër. Nisur nga teknika e ndërtimit dhe burimeve historike, ky objekt kulti i përket shek.XVI.
Xhamia e Allajbegisë ndodhet në një fushë të hapur pranë fshatit Burim në rajonin e Dibrës. Ajo është ndërtuar në vitin 1578 dhe i takon tipologjisë së xhamive të vogla monumentale me kupolë, minare dhe hajat. Teknika e përdorur e klauzonazhit është një veçori e rrallë për rajonet verilindore të Shqipërisë.
Xhamija e Allajbegisë përbëhet nga salla e lutjeve në formë kubike e mbyllur me një kuve, minare dhe themelet e një portiku të shembur si pasojë e një tërmeti. Dera në anën veriore shërbente për të hyrë në sallën e lutjeve. Mihrabi dhe gjurmë të mimbar janë gjetur në murin jugor të dhomës të ndërtuar me dru.
Salla e lutjeve është mbuluar nga një kupolë në formë sferike. Në muret perëndimore, jugore dhe lindore janë vendosur nga tre dritare në dy rreshta, ndërsa në murin verior ndodhen vetëm në një rresht. Xhamija e Allajbegisë përfaqëson një monument me rëndësi kombëtare i shpallur në vitn 1970 monument kulture i kategorisë së parë./atsh
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” mbetet i vizitueshëm në çdo fundjavë. Kryesisht janë të rinjtë ata që preferojnë të ngjiten në këtë park, qoftë edhe për shkak të terrenit të thyer. Këtë fundjavë me të rinjtë e ardhur nga Elbasani e Tirana, u bashkuan dhe nxënësit e shkollës së bashkuar “Shefqet Dosku” Dorëz. Kur kjo moshë e kalon kohën e lirë në aktivitete sportive, apo në vëzhgim të natyrës, do të thotë të qëndrosh më pak pranë teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Kjo është stina kur ky park kthehet në një destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës. Bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë, gjethet vizatojnë në tokën ku bien tapetet e verdhë dhe reshjet nuk kanë filluar akoma.
Rreth 10 mijë turistë, kryesisht të rinj, vendas e të huaj e kanë vizituar vitin e kaluar Parkun Kombëtar në Qarkun e Elbasanit. Një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe historisë.
Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.
Janë dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës, që bashkohet me lumin Shkumbin. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.
Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.
Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para erës sonë, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.
Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen, për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i egër, ariu, kaprolli, ujku etj.
Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.
Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të natyrës shqiptare. /j.p/
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit inauguroi shtegun e Çezarit, që lidh Parkun Kombëtar Llogara dhe Monumentin e Natyrës Delta e Përroit të Palasës.
Ceremonia u zhvillua pranë Green Coast Resort, i cilësuar nga ministri si një investim supermodern i standardeve europiane, në Palasë, që bashkon natyrën dhe investimin duke ruajtur një raport të drejtë mes zhvillimit të turizmit, ruajtjes dhe promovimit të zonës së mbrojtur të Llogarasë dhe Gadishullit të Karaburunit.
“Do të kemi një hotel me 5 yje për të cilat ne po flasim përditë, një nga investimet më të mira të të gjithë zonës së Mesdheut përsa i përket hotelit në cilësinë e tij por po ashtu kemi një bashkërendim ndërmjet këtij investimi dhe sponsorizimit që kompania po bën që së bashku me zonat e mbrojtura të shenjojnë në mënyrë të plotë të gjithë shtegun e Çezarit i cili vjen nga një histori mjëravjeçare ku Çezari ka arritur që të kalojë nëpërmjet këtij shtegu për të bërë betejat e tij të famshme me Pompein në Orikum dhe pastaj në zonën e Durrësit. Ne do të vazhdojmë të promovojmë gjithë këto ngjarje historike të cilat dëshmojnë se traditat, vlerat kulturore, vlerat turistike të kësaj zone janë të paimagjinueshme, por janë edhe pashfrytëzuara”, tha ministri Klosi.
Ai ngjiti shtegun bashkë me përfaqësues të Green Coast, projekti më i rëndësishëm i Grupit Balfin në fushën e turizmit, me përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe një grup alpinistesh.
Menaxherja e projektit Green Coast, Jonida Buda tha se një nga përgjegjësitë kryesore të Projektit Green Coast është mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të zonës, si edhe ngritja e platformës së turizmit të qëndrueshëm duke përmiresuar ndjeshëm aspektin turistik të zonës së Palasës, me synimin për ta shndërruar nga një destinacion veror në një destinacion të frekuentuar gjatë gjithë vitit.
“Viti që po mbyllim sezonin turistik ka qenë i mrekullueshëm , kemi arritur që të kemi rreth 20% më shumë turistë se një vit më parë por përsëri shifrat nuk mjaftojnë pasi ne na duhet që të shtrijmë edhe me shumë sezonin turistik. Sic shohim edhe sot jemi në mes të tetorit dhe këtu ka një bukuri të madhe, ka një ngrohtësi të konsiderueshme dhe pse jo ky të ishte një vend edhe sot i mbushur me turistë të cilët e adhurojnë natyrën, bukurinë por edhe komoditetin, prandaj kombinimi që na vjen nga kompania Green Coast , të cilen do të doja shumë ta përshëndesja për investimin që po bën për shtegun e Çezarit, është ajo çfarë ne do të kërkojmë në të gjithë zonën bregdetare”, tha ministri Klosi.
Shtegu i Çezarit do të kthehet shumë shpejt në një zonë ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen e alpinistëve dhe të apasionuarve pas natyrës, qofshin këta shqiptarë apo edhe ndërkombëtarë./atsh
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shpreh sot se, viti 2018 ka qenë sezoni më i mirë turistik në krahasim me vitet e kaluara dhe të ardhurat shkojnë në 2 miliardë euro, ndërsa u punësuan 34 mijë persona më shumë se vitin e kaluar, raporton ATSH.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, që u zhvillua sot në Tiranë, ministri tha se, rritja 6-mujore e turizmit është ndër më të lartat në 8 vitet e fundit dhe llogaritet në 4.4%. Ai tha se turizmi po rritet çdo vit me 1%.
“Sivjet ka qenë sezoni më i mirë turistik në vite. Rritja 6-mujore me 4.4% është rritja më e lartë në 8 vitet e fundit. Turizmi gjatë 4 viteve të fundit ka rritur peshën e prodhimit bruto. Turizmi në vitin 2017 solli të ardhura 12% më shumë në krahasim më vitet e tjera. Sivjet presim 2 miliardë euro nga turizmi”, – theksoi Ahmetaj.
Sipas tij, turizmi po rritet çdo vit me 1%. Rritjen më të madhe e ka Saranda, më pas Durrësi dhe Vlora. Ndërsa numërohen 34 mijë të punësuar më shumë në krahasim më vitin 2017. “Interesi për struktura akomoduese është në rritje, ndërsa ka rritje të interesit për arsimin profesional. Formalizimi i sektorit të turizmit mbetet sfidë”, – tha Ahmetaj.
Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujorë, që në instiktin e tyre kanë të qëndruarit në grup, po kthehet në trend edhe në Shqipëri. Popullimi i lagunës së Karavastasë dhe të Nartës me flamingo, që së fundmi janë shfaqur edhe në Kune-Vain ka shtuar numrin e vizitorëve në këto atraksione turistike. Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se, “kundrimi i zogjve, gjatë fundjavës nga turistët e shoqëruar nga guidat në lagunën e Karavastasë, ofron pamje spektakolare si këto që janë fiksuar në foto”.
Ai shton se, “falë moratoriumeve të gjuetisë dhe pyjeve, zona të tëra janë rikthyer në habitate të qeta shpendësh, duke pasuruar faunën e duke dhënë mundësi për zhvillimin e një turizmi të panjohur më parë në vendin tonë”. Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri dhe më e bukura në detin Adriatik. Laguna ndahet prej detit nga pylli me pisha i Divjakës.
Laguna është e përbërë prej një lagune të brendshme dhe një lagune të jashtme më e vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna është deklaruar Park Kombëtar dhe është e vetmja venddodhje zyrtare e mbrojtur nga Konventa e Ramsarit. Laguna e Karavastasë është vendi më perëndimor në Europë ku Pelikani Kaçurrel (Pelikanus Crispus) bën fole, gjithashtu rreth 5% e popullsisë së shpendëve në të gjithë botën jeton në Karavasta dhe shpesh ju mund t’i shihni ata duke fluturuar, madje edhe mbi qytetin e Divjakës.
Kanionet e Kurveleshit, ndër 10 më të bukurit në Europë.
Pjesë e bashkisë Tepelenë, renditen ndër 10 kanionet më të bukur dhe më atraktiv të Europës.
Kanionet e Kurveleshit, më të mrekullueshmet në Europë.
Gjeografi zvicerian Prof. Christoph Baumann që ka vizituar disa herë Kanionet e Kurveleshit, e rendit këtë masiv gjeomonumental ndër 10 kanionet më të bukur në Europë.
Kompleksi natyror gjeomonumental i Kurveleshit është nga më impresionuesit që unë kam parë.
E konsideroj nga më të larmishmit në peisazh, përthyerje dhe mundësinë për tu kthyer në një produkt turistik, thotë Prof. Baumann.
Kanioni i Kurveleshit është i dydegëzuar, nga njëra anë e ka zanafillën nga Burimi i Gurrës së Progonatit dhe nga ana tjetër nga Kanioni Nivicë-Rexhin.
Gjatësia e Kanionit të Kurveleshi vijon më pas disa kilometra, duke ndjekur rrjedhën e lumit të Bënçës deri në derdhjen e tij në lumin e Vjosës në Tepelenë.
Krahas pamjes unike për nga thellësia, ky monument i rrallë natyror shoqërohet me kararakte deri në 30 metra, me ura shkëmbore, shkëmbinj të thepisir, shpella dhe shtigje.
Në afërsi të pikëtakimit të Kanionit të Lekdushit me Kanionin e Nivicës, gjenden dy kulla natyrore shkëmbore me forma dhe pamje unikale.
Kanionet e Kurveleshit janë pothuajse të paeksporuar plotësisht.
Vetëm krahu i Kanionit të Nivicës është eksploruara nga një grup eksporatorësh të huaj.
Territori përreth kanioneve është i pasur me histori, monumente kulture, objekte kulti, banesa monumentale, burime, bimësi dhe kafshë të rralla.
Në hyrje të Kanionit nga Tepelena spikat një monument i rrallë culture, Ura dhe Ujësjellsi i Bënçs ndërtuar nga Ali Pashë Tepekena.
Në fshatin Nivicë gjenden dy monumente të tjera kulture, Kështjella Ilire e Nivicës dhe Kulla e Kaçupajve.
Një grup eksploratorësh ndërkombëtarë të monumenteve të natyrës e eksporuan dhe e dokumentuar atë tetorin e kaluar.
Ndërkohë që zona me fshatrat Lekdush, Progonat, Gusmar, Rezhin dhe Nivicë ka filluar të tërheq vëmëndjen e vizitorëve dhe operatorëve turistik.
Sipas drejtorit të Agjensisë së Turizmit dhe Bregdetit Auron Tare:
Eksplorimi i këtyre kanioneve është duke u kthyer në një potencial të madh për zhvillimin e turizmit të zonës.
Kjo zonë me vlera ambientale dhe historike ende nuk është ruajtur dhe shpallur “zonë e e mbrojtur” si një pasuri unikale me një potencial për zhvillimin e turizmit të aventurës.
Zona e Kurveleshit është më e njohura në Shqipëri për traditën e mbarështimit dhe përpunimit të bagëtive të imëta në stane në kope.
Mish i pjekur në hell, kukureci, djathi i napës, pepeku, petaniku, harapashi, urlja e kaçupit, lakrori me mish qëngji dhe gatime të tjera janë pjesë e traditës unikale labe.
Sipas traditës së lashtë, në Kurvelesh ruhet e pastër kënga polifonike labe.
Aq sa thonë që po u bënë bashkë tre lebër të Kurveleshit, do nisin menjëhërë të këndojnë “vençe”.
Kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi thotë se Kanionet e Kurveleshit shumë shpejt do të marrin interesimin që meritojnë, jo vetëm nga bashkia, por edhe nga qeveria shqiptare.
Në qëndër të fshatit Nivicë ka nisur të zbatohet një projekt i rijetëzimit urban dhe një projekt për zhvillimin e turizmit malor, rural, ambientalist, turistik dhe aventuror, sqaron kryebashkiaku.
Për lajm-shqip
Bashkia e Vlorës dhe Bashkia e Korfuzit do të zhvillojnë aktivitete me qëllim rritjen e numrit të turistëve, dhe zhvillojnë potencialet turistike të dy qyteteve bregdetare.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, zhvilloi një takim në Bashkinë e Korfuzit në Greqi ku u prit nga homologu i tij Kostandinos Nikolouzos.
Fokus i këtij takimi ishte turizmi, potencialet e mëdha ekonomike që Vlora ofron në këtë sektor.
Kryebashkiaku i Vlorës bëri me dije se u gjet mirëkuptimi për të vijuar më tej bashkëpunimin mes dy bashkive, me aktivitete reciproke ku në qendër do të jetë promovimi i vlerave më të mira, për të arritur tek qëllimi, thithja e sa më shumë turistëve dhe rritjen e potencialeve turistike.
Dritan Leli e ftoi kryetarin e Bashkisë së Korfuzit për të vizituar Vlorën. Ndërsa homologu i tij, ftoi përfaqësues të Zyrës së Turizmit të Bashkisë se Vlorës në “Samitin e Turizmit”, që pritet të zhvillohet në Korfuz në muajt në vazhdim.