Turizem

‘CultureTrip’ – Riviera shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit

Ballkani është ende një destinacion i paprekur në Europë, i cili është kryesisht i pa eksploruar nga të huajt, shkruan CultureTrip.

Ky cep në juglindje të Europës ka shumë “letra të fshehura nën mëngët të saj”, duke përfshirë ide romantike “për arratisje” në qytete të përsosur për çifte, liqene dhe hotele.

Nëse dëshironi të zbuloni një destinacion të ri dhe t’i keni pushimet tuaja romantike të përballueshme, CultureTrip ka renditur rivierën shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit.

”Riviera shqiptare ende është e panjohur për të huajt, por me ujin e saj bru, plazhet e pacenuar dhe limanet, është një vend i përkryer për një largim romantik të përballueshëm.

Mënyra më e mirë për të eksploruar është të marrësh me qira një makinë dhe të vozisësh vetëm përgjatë bregut, kudo që të ndalosh do të ndeshësh një plazh të egër shkëmbor.

Vetë Shqipëria është një gur i çmuar për eksploruesit e vërtetë, i përshtatshëm për ata çifte që kanë nevojë për diçka më shumë se një plazh dhe një koktej”, shkruan CultureTrip.

Riviera shqiptare renditet si destinacion romantik mes vendeve si Dubrovniku, Kroaci, Santorini Greqi, Liqeni Bled, Slloveni etj. /atsh

‘CultureTrip’ – Riviera shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit Read More »

Fluturim mbi atraksionet më të bukura turistike në Jug

Me vijën e gjatë bregdetare dhe thyerjen e relievit malor, me monumente natyrore dhe kulturore të shumta si dhe me site arkeologjike të njohura, jugu i vendit është një destinacion i padiskutueshëm turistik.

Përmes një videoje promovuese, Kryeministri Edi Rama solli pamjet e mrekullueshme turistike të jugut të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë fluturim mbi disa nga atraksionet më të bukura turistike në Jug të Shqipërisë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, u shpreh Rama.

Një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme, e bëjnë jugun e vendit ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/761284364246700/?t=0

Fluturim mbi atraksionet më të bukura turistike në Jug Read More »

Zbulohet manushaqja e bardhë në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

Florës së egër në Shqipëri i shtohet një specie tjetër e rrallë.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që ështe duke kryer regjistrimin e florës së egër në “Divjakë-Karavasta”, ka zbuluar manushaqen e bardhë, e pandeshur më parë në zonë.

“Larmishmëria e florës së parkut në këto momente bënë që çdo vizitor që vjen në Divjakë kalon më shumë kohë duke i soditur dhe i shijuar aromat e tyre.

Për çudinë tuaj dhe për kënaqësinë tonë ne po ju tregojmë se në park nga specialistet tanë është raportuar dhe një zbulim i ri, pasi është parë manushaqja e bardhë (Vjola alba) që nuk ishte hasur më parë në Divjakë”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura .

AKZM shprehet se më këto, ne duam t’ju themi se Divjaka është vërtet thesar ku akoma ka shume specie që nuk njihen. /atsh

Zbulohet manushaqja e bardhë në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta Read More »

Promovimi i Shqipërisë nëpër botë, 41 aktivitete nga SHBA në Japoni

Promovimi i turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë do të ketë një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2019, teksa do të ketë një program eventesh që do të shtrihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Japoni.

Një prej arritjeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në datat 28 shkurt-2 mars në Tiranë, ishte dakordësimi i një kalendari të përbashkët të eventeve, për promovimin e turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë.

Aktualisht, janë 41 evente të planifikuara, por lista e tyre pritet të zgjerohet me vende të tjera gjatë vitit, ndërkohë që edhe në Shqipëri do të mbahen për herë të parë një numër konferencash/panairesh/eventesh me fokus promovimin e imazhit të vendit tonë dhe forcimin e lidhjeve të biznesit.

Konkretisht, kalendari i eventeve nisi në Milano në muajin shkurt, me një event për artizanatin, duke vijuar me Tel Avivin dhe Berlinin.

Gjatë marsit, evente që promovojnë turizmin dhe vlerat e tjera shqiptare do të zhvillohen në Berlin, Kiev, Prishtinë dhe Lajpcig.

Në prill, kalendari i eventeve parashikon ndalesa në Moskë, Dubai, Bruksel dhe Toronto.

Do të vijohet në maj me Torinon, Kanën, Venecian, Zvicrën, Bakunë dhe Lisbonën, ndërsa në qershor, vëmendja zhvendoset në Kinë, në një panair të madh ndërkombëtar.

Pas ndalesës verore, vëmendja do të përqendrohet në shtator në Tokio dhe në disa qytete italiane.

Në tetor, ndalohet në Këln, Paris dhe Rimini. Ndërsa në nëntor, në Dyseldorf, Varshavë dhe pjesëmarrja në prestigjiozen e “Fiera di Milano”.

Dhjetori përmbyllet me evente në Itali dhe një event dedikuar diasporës shqiptare në Nju Jork.

Këtë vit, një vend të veçantë do të zërë edhe promovimi i kulinarisë shqiptare, ku në 6 mujorin e parë të vitit do të organizohen 10 evente, në Vienë, Amsterdam, Londër, Francë, Zvicër, Athinë, Selanik dhe tre qytete italiane.

Ndërsa eventi “Ditët e Shqipërisë”, do të zhvillohet në Poloni, Çeki, Gjermani, Bullgari dhe një listë vendesh të tjera ku vendi ynë ka një potencial të madh zgjerimi në fushën e turizmit./atsh

Promovimi i Shqipërisë nëpër botë, 41 aktivitete nga SHBA në Japoni Read More »

Fier – Ujëvara e Hinkës, një destinacion i pazbuluar turistik

Ujëvara e Hinkës vetëm 7 km nga qyteti i Fierit, është një destinacion ende i panjohur dhe i paeksploruar nga turistët.

Një ujëvarë e mrekullueshme jashtë çdo guide turistike të deritanishme, ajo përbën një potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit të natyrës në Fier.

Me ftesën për nxitjen e turizmit në këtë monument natyre, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi shprehet se Ujëvara e Hinkës ofron pamje mahnitëse dhe është një atraksion i shkëlqyer turistik.

“Ndodhet vetëm 7 km larg qytetit të Fierit, mes kodrave të hijshme të Peshtanit”, shprehet Subashi, duke folur për këtë potencial të fshehur turistik në Fier.
Bashkia e Fierit ka ndërmarrë ture promovuese me të rinjtë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe pasurive natyrore.

Ujëvara e Hinkës, një kryevepër e natyrës, ndodhet në zonën kodrinore juglindore të qytetit Fier, e fshehur përfund vargut të kodrave të Peshtanit.

Ajo është rreth 20 metra e lartë dhe ujërat që rrjedhin në shtratin e saj janë nga burimet përreth. Për të shkuar atje, duhet të ndiqni itinerarin e rrugës Vlorë – Qafa e Koshovicës, duke devijuar në perëndim të kodrës së Peshtanit.

Me një vijë të gjatë bregdetare dhe me site të rëndësishme arkeologjike, Fieri mund të ofrojë një paketë të plotë turistike.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik dhe kulinaria e pasur e bëjnë Fierin një destinacion të rëndësishëm turistik, ndërsa eksplorimi dhe promovimi i resurseve të pafrekuentuara, siç është ujëvara e Hinkës, nxit zhvillimin e turizmit ditor.atsh

Fier – Ujëvara e Hinkës, një destinacion i pazbuluar turistik Read More »

Kroçera “CroisiMer” në portin e Durrësit me rreth 190 turistë

Turistë e huaj po vijojnë të vizitojnë vendin tonë si një destinacion turistik gjithë vjetor.

Gjithashtu vendi ynë është kthyer dhe në vend i cili po mirëpret turizmin elitar ku kroçerat me turistë të shumtë ndalojnë portet e vendit tonë.

Sot në portin e Durrësit sapo mbërriti kroçera e rradhës me rreth 190 turistë kryesisht francezë, suedezë dhe belgë.

Turistët u pritën dhe nga buzëqeshja e mirëseardhjes nga të rinj dhe të rejat e ”SmileAlbania” Durrës dhe nga stafi i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.

Shqipëria tashmë po iu ofron turistëve përveç natyrës dhe bukurive që ajo ka dhe një mirëpritje të denjë nga këto të rinj të cilët i tregojnë atyre atraksionet turistike që duhet të shohin pra i ofrojnë një guidë mikpritje. /atsh

Kroçera “CroisiMer” në portin e Durrësit me rreth 190 turistë Read More »

“Rrëmbehu nga Shqipëria”, apeli i Soreca për turistët e huaj

Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike dhe është gati të presë vizitorët.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca mori pjesë sot në lançimin e fushatës ndërkombëtare digjitale të Turizmit 2019 “Be taken by ALBANIA”.

Ai tha se “objektivi i kësaj fushate janë të gjithë ata që nuk kanë shkelur në Shqipëri dhe meqë nuk kanë ardhur më parë kanë paragjykime.

Sepse shumica e njerëzve e krijojnë perceptimin e Shqipërisë nëpërmjet filmave apo se çfarë ka ndodhur në vendet e tyre kur kanë parë shqiptarë aty”.

“Shumica e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë njerëz të ndershëm që punojnë fort. Ata janë profesionistë të vërtetë dhe të respektuar.

Por lajmet e mira nuk dalin në lajme. Kështu që ne na duhen iniciativa si kjo që t’u tregojmë njerëzve se cila është Shqipëria e vërtetë. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, kur largohen nga Shqipëria kanë një mendim tërësisht të mirë për të”, tha Soreca.

“Javën e shkuar isha tek Miri i Zanave. Altin Prenga u zgjodh si shqiptari i vitit.

Ajo e Altinit dhe kjo e sotmja janë dy iniciativa të mrekullueshme që shpresoj që do të krijojnë imazhin e duhur për Shqipërinë. BE është këtu për të bërë këtë gjë. Tani do ju drejtohem atyre që s’janë këtu. Atyre u them, Rrëmbehuni nga Shqipëria”, u shpreh ambasadori Soreca.

“Rrëmbehu nga Shqipëria”, apeli i Soreca për turistët e huaj Read More »

Nis fushata ndërkombëtare për promovimin e turizmit shqiptar

“Be taken by Albania” u gjend si shprehje nga të rinjtë dhe të rejat e Federatës së Rafting Albania atëherë kur ata panë turistët që vizitonin kanionet e Osumit, dhe kur ndjenë pasthirrmat e turistëve që shihnin madhështinë e Alpeve shqiptare, kur shijuan bukurinë e Korçës, traditën e Shkodrës dhe bukuritë e agroturizmit shqiptar.

Kjo është një pasthirrmë e gjithë atyre turistëve që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë parë sa e bukur është natyra jonë”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të fushatës ndërkombëtare dixhitale ”Be taken by Albania”.

“Të bukurën shqiptare duam t’ia ofrojmë turizmit, duam të integrohemi në familjen e Bashkimit Europian duke i ofruar asaj bukurinë e natyrës shqiptare, energjinë tonë rinore, t’i ofrojmë ushqimet bio dhe mbi të gjitha t’i ofrojmë Europës turizmin shqiptar, mikpritjen, buzëqeshjen e të rinjve shqiptarë.

Në vitin e kaluar kanë vizituar vendin tonë 1 milion turistë më shumë se një vit më parë. Për këta turistë duhet të bëjmë turizëm me traditën”, tha Klosi.

“Sot jemi në një botë tjetër turistike, ku turizmi është një kombinim i bukurisë së qyteteve me natyrën, bregdeteve të kombinuara me malin, ditët e plazhit të kombinuara me kulinarinë pra janë mundësi të arta që ne duhet t’ia ofrojmë turistëve për të pasur mundësinë që sfida jonë 10 milionë turistë të jetë e vërtetë”, theksoi ministri Klosi.

”Në verë ne do të lançojmë përsëri projektin tonë ”Smile Albania” për të ofruar 1 mijë buzëqeshje kudo në Shqipëri. Gjithashtu Samiti i Diasporës është mundësia e artë që ne t’i kërkojmë të gjithë shqiptarëve t’i ftojnë njerëzitë dhe miqtë e tyre të vizitojnë Shqipërinë për t’u rrëmbyer nga bukuritë e vendeve që ne kemi”, vijoi ai.

Klosi shtoi se Shqipëria ka shumë për të ofruar. “Kemi mikpritjen, buzëqeshjen pasi shumë gjëra kanë ndryshuar por ne nuk e kemi ndryshuar buzëqeshjen, kemi përsëri buzëqeshjen mikpritëse pra kemi një Shqipëri që padyshim mund të ofrojë magjinë”, tha ai.

“Turizmi është ekonomi, punësim është e ardhmja dhe ne e kemi këtë mundësi të artë, të rrëmbehemi ta bëjmë Shqipërinë turistike, ta tregojmë këtë vend siç është dhe të jemi pjesë e nismave të tilla si kjo sot.

Pra, le të rrëmbehemi dhe ne nga Shqipëria, nga pasioni për të paraqitur një Shqipëri tjetër, nga buzëqeshja tradicionale e njerëzve të thjeshtë të këtij populli të mrekullueshëm”, përfundoi Klosi. /atsh

Nis fushata ndërkombëtare për promovimin e turizmit shqiptar Read More »