Turizem

Vlorë, shtegu i “Tre Parqeve” me tabela informuese për turistët vendas e të huaj

Shtegu i “Tre Parqeve” që bashkon tre zona të mbrojtura Parkun Kombëtar të Llogorasë, Karaburun dhe Sazan, tashmë është i vizitueshëm për vizitorët dhe turistët e huaj që zgjedhin të shijojnë magjinë që ofron natyra në këtë zonë.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Vlorë bën të ditur se “ka përfunduar instalimi i tabelave informuese të shtegut mjedisor. Këto tabela, të vendosura në brendësi të tre Zonave te Mbrojtura, janë të aksesueshme për të gjithë vizitorët e shtegut”.

Në këto tabela ndodhen informacione të gjera mbi bukuritë dhe veçoritë natyrore të këtij shtegu, si edhe të dhënat kryesore të tij, mënyrën si përshkohet dhe shkallën e vështirësisë.

Gjithashtu, në ndihmë të vizitorëve është edhe guida e botuar në versionin Shqip dhe Anglisht, e cila gjendet në Qendrën e Vizitorëve Llogora, si dhe në aplikacionin WIKILOC.
Ky shteg do ti shtohet ofertës turistike të kësaj vere në PK Llogora, duke promovuar turizmin mjedisor për tre Zona te Mbrojtura,(PK Llogara, RNM Karaburun, PKD Karaburun-Sazan).

Kjo iniciativë financohet nga Projekti ACAP, me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, zbatuar nga shoqata Flag Pine, në kuadër të projektit me temë ” Rrugëtimi Turistik në Shtegun e Tre Parqeve”./atsh

Vlorë, shtegu i “Tre Parqeve” me tabela informuese për turistët vendas e të huaj Read More »

Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri

Tashmë në lumin Vjosë mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Tepelenën në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj përveç ngjitjeve në mal, për të shijuar ujëvarat, kanionet, monumentet e natyrës, kalatë, objektet e kultit, ushqimin cilësor, mund të bëjnë edhe rafting.

Vjosa është i vetmi lum i egër i Europës, por edhe më i bukuri, sa i përket pastërtisë, peizazhit përreth dhe përshkrimit të saj lundrues dhe gjallesave.

“Eksplorer Tepelena” është agjencia e parë turistike e sporteve ujore, që bëri të mundur prezantimin e saj në Javën e Ali Pashës.

“Një udhëtim mbi Vjosë, mund të jetë një eksperiencat më të bukura që keni provuar dhe kjo duhet patjetër në axhendën tuaj, kur vizitoni Tepelenën”, bën të ditur bashkia e Tepelenës.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Tepelena që lehtësisht identifikohet me emrin e Ali Pashës dhe dhjetëra veprave të shkëlqyera inxhinierike që u ndërtuan nën dominimin e tij ofron këtë vit disa bujtina, kanionet e Nivicës, mundësinë për aktivitete të aventurës, kala, rrënoja antike dhe eksplorimin e një hapësire të gjerë me tradita blegtorale./atsh

Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri Read More »

Klosi: Të gjithë bashkë duhet të promovojmë potencialet turistike

Turizmi dhe mjedisi, janë dy sektorë të cilët vlerësohen për progresin e arritur nga Komisioni Europian në raportin e publikuar një ditë më parë ku dhe u dha rekomandimi pozitiv për hapjen pa kushte të negociatave.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se mjedisi ka qenë një ndër kapitujt e parë në procesin e hapjen së negociata. Ai shtoi se rreth 60% e legjislacionit janë përshtatur sipas ligjeve europiane.

Por vijoi, Klosi, më e e vështira e këtij procesi nuk është miratimi i ligjeve, por implementimi i tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe kthimin e Shqipërisë në një destinacion gjithnjë në rritje të turistëve.

“Më vjen mirë që diskutohet mjedisi pasi është mundësi punësimi dhe ekonomie për vendin tonë, është para publike më e madhe, por a jemi ne një destinacion europian dhe a e promovojmë ne Shqipërinë si destinacion europian, a mendojmë ne për këtë turizëm si një mundësi e artë për t’u ngritur më me forcë për mijëra e mijëra familje nga veriu në jug”, – u shpreh Klosi, duke shtuar se të gjithë duhet të bashkohemi në mbrojtje të mjedisit dhe promovimit të potencialeve që vendi ynë ka.

“Jemi destinacion i ri, që po morëm goditje në këtë sezon, goditja do të na zgjasë edhe dy-tre vjet të tjera dhe sa të kthehemi ne në realitet, sa të krijojmë bindjen te tur operatorët dhe te turistët që në Shqipëri do të gjejnë një vend të qetë ku natyra dhe turizmi janë bashkë, ku mikpritja dhe toleranca janë bashkë, por ne këtë po e shkatërrojmë me duart tona. Ne flasim për politika të mëdha integruese, ky pra është integrimi”, – deklaroi ministri, duke iu referuar protestave të opozitës të cilat po i shkaktojnë dëm të madh turizmit.

“Nëse vjet na vizituan 6 milionë turistë të huaj, këtë vit ky numër është po në rritje, por ky numër është shumë më pak sesa ne kemi potenciale. Shqipëria është vetëm në çerekun e përdorimit të potencialit të saj turistik”, – tha ai./atsh

Klosi: Të gjithë bashkë duhet të promovojmë potencialet turistike Read More »

Pse jo Shqipëria?

Pasi dëgjonin se sapo ishim kthyer nga një udhëtim në Greqi dhe Shqipëri, askush nuk na pyeste për Greqinë. Pyetja që na bënin të gjithë ishte përherë e njëjta… Po pse në Shqipëri?”, shkruan blogerja e njohur kanadeze, Colleen Friesen, në faqen e saj të internetit www.colleenfriesen.com, në një përshkrim të kujdesshëm për Shqipërinë, i trajtuar në mënyrë shumë interesante.

Por, babai im do të thoshte: Pse jo në Shqipëri?

Në rregull. Ndoshta ai nuk thoshte pjesën e Shqipërisë, por sigurisht që i pëlqente të përgjigjej me pse jo? sa herë që i jepej mundësia.

Megjithatë, për të kapërcyer faktorin pse jo, sugjeroj këtë foto të parë si përgjigje. Mes Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka 482 kilometra vijë bregdetare, me shumë plazhe.

e më pas do të kaloja te pasuria arkeologjike…

ose ndoshta tek njerëzit e dashur…

ose te barinjtë e deleve, lopëve dhe dhive…

ose te fakti se ”fëmija” brenda meje kishte qejf të thoshte shitet. Dhe pata mundësi ta thosha për shumë kohë pasi tabelat shitet gjendeshin gjithandej…

Edhe pse regjimi shtypës shkatërroi këtë vend, njerëzit dhe disa prej ndërtesave arritën të mbijetonin.

Kishte edhe disa arsye të tjera, disa prej të cilave i zbuluam ndërkohë që udhëtonim në këtë vend:

ne gjithsesi do të shkonim në Greqi dhe Shqipëria ishte ngjitur me Greqinë, kështu që ishte e thjeshtë.
nuk kishim qenë kurrë aty.
për vite të tëra kemi udhëtuar në vendet më lindore të Europës. Kemi qenë në Hungari, Bullgari, Rumani, Republikën Çeke, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Estoni dhe me një udhëtim në Greqi, dukej e thjeshtë të shkonim në Shqipëri.
mënyra e vetme që unë të kuptoj dhe përvetësoj historinë e një vendi është duke shkuar atje. Mund të lexoj çdo libër historie, por nëse nuk e shoh vendin, thjesht nuk më ngjit. Unë gjithashtu mësoj duke lexuar libra të shkruar në atë vend (në Tiranë, gjeta disa përkthime në anglisht të autorit fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, Ismail Kadare, por nuk munda të thellohem në historinë e Shqipërisë. Po e ndjeja tashmë shumë dhimbjen e vendit. Kam plan ta lexoj tani që kam ardhur në shtëpi).

5 – Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë ku, pas mbarimit të luftës kishte më shumë hebrenj se sa para fillimit të saj. Në fillim të luftës kishte rreth 200 hebrenj në vend. Rreth 2 000 hebrenj të tjerë duke iu larguar Hitlerit, u strehuan gjithashtu në vend. Pavarësisht kërcënimeve ekstreme naziste, hebrenjtë u mbajtën dhe u strehuan në familjet myslimane. Shqiptarët refuzuan të dorëzonin listat që iu kërkuan me emrat e tyre. Kjo vjen si pasojë e kodit shqiptar të nderit të quajtur ”Besa” që përfaqëson tolerance fetare dhe trajtim me respekt dhe barazi ndaj të tjerëve. Mysafirët duhen mbrojtur dhe çdo refugjat hebre konsiderohej i tillë. Kjo histori është akoma pjesë e rëndësishme e nderit kombëtar të Shqipërisë.

6 – Ne mundohemi të mos harxhojmë shumë dhe Shqipëria është ideale për këtë. Qëndruam në disa hotele spektakolare dhe hëngrëm ushqim shumë të mirë për më pak dollarë kanadezë nga sa kishim harxhuar në një hotel të lënë në Grand Folks. Gjithashtu, shqiptarët dinë se si të bëjnë pije shumë të mira dhe, ashtu si grekët, duan të ulen në kafenetë e pafund dhe e zgjasin një kafe për disa orë.

7 – Malet pranë qyteteve ishin shumë interesantë për t’u eksploruar.

Ushqimi ishte i freskët dhe plot aromë; mish qengj organik, oktapod, kallamar, mish derri, fruta, perime dhe të preferuarat e mija, pak patate të skuqura në mëngjes … të shkëlqyera.

Ishte kënaqësi të shikoje të gjithë grupet e burrave të moshuar të veshur e të mbërthyer duke luajtur domino dhe shah. Unë nuk e dija që mund të vije një gur dominoje duke shkaktuar aq shumë zhurmë.

Megjithatë, jo çdo gjë ishte e mrekullueshme. Komunistët e donin arkitekturën e shëmtuar. Ata kërkonin të ndërtonin ndërtesa katrore, në blloqe, ngjyrë gri dhe kërcënuese. Dhe akoma më keq, në vitin 1967, kur ata e shpallën Shqipërinë vendin e parë ateist , shkatërruan shumë xhami dhe kisha, pa përmendur vrasjen dhe burgimin e imamëve dhe priftërinjve.

Çfarë ndjeva se mungonte në Shqipëri ishte bukuria spontane e Greqisë. Duket sikur mungonin disa detaje hijeshie… si mënyra se si grekët shpesh përdornin kanaçet e vajit të ullirit si vazo lulesh në shtëpitë borë të bardha. Megjithatë, pamë shumë grafiti agresivë në Athinë dhe Selanik, që në Shqipëri kishte shumë pak.

Shumë nga shtëpitë më të reja që pamë në fshat dukeshin shumë utilitare. Nuk është habi, pasi regjimi i tmerrshëm ishte në fuqi deri në vitin 1991. Ende nuk ka shumë para shtesë për asgjë përveç bazikeve. Ndoshta bukuria vjen vetëm pasi të kapërcehet mbijetesa?

Megjithatë, në një shtet me rreth 3 milionë banorë, me një milion që jetojnë në kryeqytet, ka shumë shpresa. Për shkak se shumë njerëz kanë migruar nga vendet e origjinës në kryeqytet, Tirana ka mbjellë në bulevardet e bukura pemë dhe barishte që përfaqësojnë fshatrat nga i gjithë vendi. Ata po pikturojnë muret e shumë ndërtesave me ngjyra të ndryshme. E gjithë kjo tregon shpresën dhe qëndrueshmërinë e pabesueshme të këtyre njerëzve.

Vendi akoma përkufizohet si mysliman, edhe pse duket të jetë më shumë nga ana kulturore se sa fetare. M’u duk si këndvështrimi që kam unë për rrënjët e mija menonite… unë jam më shumë për ushqimin dhe gjërat menonite se sa për fenë. Nëpër vend, pamë shumë pak myslimanë të veshur me veshje tradicionale të fesë. Pothuajse të gjithë të rinjtë vishen me rroba të stilit perëndimor dhe mbajnë në dorë celularin e pashmangshëm.

Ne shkuam në një tur me ecje në Tiranë dhe guida na tha se gjatë regjistrimit kombëtar, babai i tij e deklaroi veten mysliman. Guida i kishte thënë të atit: ”O ba, e para, ushqimi yt i preferuar është mishi i derrit. Dhe e dyta, kur ka qenë hera e fundit që ke shkuar në xhami?”. Dhe babai kishte rrudhur supet.

Pasi kaluam nëntë ditë duke i dhënë makinës në ”Skoda”-n tonë të vogël me qira, Kevini u bë mjaft ekspert në metodën shqiptare të mos lirimit të rrugës. Koncepti i radhës ose i kthimit as nuk konceptohet në Shqipëri. Ne gjithashtu mësuam se makina kishte përparësi ndaj këmbësorëve. Nuk ka tolerim në kalimin e rrugës në Shqipëri.

Por, përtej kësaj njerëzit ishin shumë të sjellshëm, të ndihmonin shumë dhe ishin të lumtur që ne po na pëlqente vendi i tyre. Ky është një nga ato vende ku e di që çdo lek që harxhon po ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë një vend që të ngrihet në këmbë.

Nëse kam mësuar ndonjë gjë përmes udhëtimeve, është se kryesisht… njerëzit janë të mirë.

Njerëzit gjithandej thjesht duan të jetojnë në mënyrë të ndershme, të mësojnë, të luajnë, të shijojnë komunikimin përmes ushqimit dhe të krijojnë në jetesë të mirë për fëmijët e tyre. Shumica prej nesh thjesht duan të jetojnë në paqe dhe të respektohen.

Bukuria e të shkuarit në vende të reja është mundësia për të zbuluar se si çdo vend i qaset këtyre gjërave në kontekstin e kulturave të tyre të veçanta. Këto interpretime i bëjnë udhëtimet interesante.

Pra, pse në Shqipëri? Pse jo?/atsh

Pse jo Shqipëria? Read More »

5 masterplane për zhvillimin e turizmit, nga jugu në veri të vendit

Pesë masterplane me përparësi zhvillimin e turizmit, do të përfshijnë hartimin e investimeve shumëdimensionale në 5 zonat bregdetare nga jugu deri në veri të vendit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përcaktuar zonat: Baks-Rrjollë, Rana e Hedhun – Port Shëngjin, Tale, Grykë-Derdhja e Ishmit, Spille, pjesë të Planit të Përgjithshëm Kombëtar “Shqipëria 2030”, si dhe Planeve të Detajuara për Zonat me Rëndësi Kombëtare.

Zonat e përzgjedhura për studim, duke u karakterizuar nga një përqendrim i madh e i shumëllojshëm i burimeve natyrore, kanë filluar të jenë nën trysninë e kërkesës së lartë për përdorim e shfrytëzim të resurseve të tyre. Në këtë kontekst masterplani i zhvillimit parashikon:

Baks-Rrjoll:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të (kompleksit të) resorteve me karakter pushim/ argëtimi dhe kurativ, për shkak të tipareve të veçanta të klimës dhe rërës së pasur me jod në këtë pjesë të bregut të Adriatikut. Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të resorteve dhe mundësojnë diversifikimin e grupeve të targetuara turistike. Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër.

80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shumëkatëshe).

Rana e Hedhun – Port Shëngjin:

Zona ka kufizime fizike dhe shtrihet në një brez të ngushtë bregdetar, ku fasha e rërës e përshtatshme për aktivitete ditore të plazhit mund të mbartë shumë herë më shumë turistë sesa mund të mbartë fasha tokësore turistë të akomoduar. Gjithashtu, për shkak të kapaciteteve të limituara të plazhit në pjesën jugore të Portit, zona në fjalë mund të shërbejë për shfryrjen e turizmit ditor, i cili sjell turistë lokale, apo nga zonat verilindore të Shqipërisë dhe Kosova. Prezenca e monumentit të natyrës Rana e Hedhun është një tjetër atraksion që sjell turistë ditor në këtë plazh të Adriatikut. Për këto arsye zona duhet të destinohet për funksione të turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore dhe në pjesët e ndërtueshme duhet të destinohet për shërbime hotelerie duke filluar nga 4 yje e sipër.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime. Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte.

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një ballinë ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

Tale:

Zonë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore, ndërsa në pjesët e ndërtueshme e përshtatshme për resorte dhe shërbime hoteliere të një cilësie që fillon nga 3 yje e sipër.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime. Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte.

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

Grykëderdhja e Ishmit:

Zona është pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar Patok-Fushëkuqe-Ishëm. Njihet gjithashtu edhe si një nga zonat, e cila në një pjesë të saj vuan ndotjen mjedisore të Lumit Ishëm, lumi që buron nga trevat e Tiranës dhe mbledh ujërat e një pellgu të populluar me ndërtime formale dhe joformale.

Zhvillimi i zonës për qëllime të turizmit të natyrës, sportit dhe aventurës, është një mundësi me përfitime të dyfishta: promovimi i vlerave të zonës së mbrojtur dhe rehabilitimi mjedisor i saj, janë mundësi të shtuara përkrah përfitimeve që mund të sjellë aktiviteti turistik.

Zona është e përshtatshme për krijimin e një resorti natyror në përputhje me natyrën e zonës së mbrojtur. Strukturat e akomodimit turistik duhet të jenë me natyrë të përkohshme, të lidhura me tokën në mënyrë lehtësisht të çmontueshme.

Këtu kërkohet që zhvillimi i zonës t’i dedikohet ‘glamping’, një koncept inovator që kombinon eksperiencën e eksplorimit dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të natyrës me komoditetin e akomodimit. Glamping është një formë kampimi, ku akomodimi bëhet në struktura me më shumë hapësirë dhe komoditet se ato që gjenden në kampet tradicionale. Glamping është një fjalë e përbërë nga dy fjalë të tjera dhe do të thotë: ‘glamourous camping’. Kjo formë e zhvillimit të turizmit është sezonale dhe është e këshillueshme të përdoret në zonat që kanë bukuri natyrore të çmuara (të cilat mund të kenë edhe status mbrojtje).

Ky lloj aktiviteti turistik mund të jetë i preferuar nga të gjitha moshat, por mund të parapëlqehet sidomos nga të rinjtë dhe nga ata që preferojnë një dozë aventure në pushimet e tyre. Zhvillime të tilla shoqërohen edhe me aktivitete kulturore si koncerte e festivale, masive e të zhurmshme. Ndaj, zhvillimi i zonës duhet të shoqërohet edhe me struktura të përkohshme për akomodimin e këtyre aktiviteteve, të vendosura në kohë dhe hapësirë në mënyrë të atillë që të mos krijojnë konflikt me natyrën e qetë të zonave për ‘glamping’. Sidoqoftë, pritet që studimi të vlerësojë dhe të këshillojë lidhur me këtë ‘bashkëjetesë’.

Tipologjia e strukturave duhet të jetë në formën e tendave tekstile të kombinuara me elementë druri.

Zhvillimi i resortit ‘glamping’ duhet të menaxhohet nga një strukturë e vetme menaxheriale për të garantuar integritetin mjedisor dhe funksional të resortit natyror.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime.

Spille:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të integruar masiv ditor dhe atij të (kompleksit) të resorteve me karakter pushimi/argëtimi. Pjesa veriore e zonës, në afërsi të zonave të banuara duhet të zonohet për zhvillimin e strukturave hoteliere dhe shërbimit të turizmit masiv ditor, ndërsa pjesa jugore e zonës, në drejtim të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe grykëderdhjes së Shkumbinit, për shkak të shtrirjes së gjerë të zonës në një fashë të bregdetit të patrazuar nga ndërtimet e paplanifikuara dhe tipareve të veçanta të klimës e brezit të pishave në këtë pjesë të Adriatikut, duhet të zonohet për zhvillimin e kompleksit të resorteve elitare.

Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të zonës dhe të mundësojnë diversifikimin e grupeve të targetuara turistike. Për shkak të bregdetit ranor kjo zonë është e përshtatshme për resorte të drejtuara drejt turizmit familjar. Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër.

80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shumëkatëshe).

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier. Në fashën më të thellë, duhet të akomodohen strukturat e banesave të dyta.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe në masë, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti, i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, transporti dhe parkimi janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone. /atsh

5 masterplane për zhvillimin e turizmit, nga jugu në veri të vendit Read More »

Shqipëria, fytyra tjetër e Mesdheut

Ju që hyni në Shqipëri, lini çdo vend tjetër. Kalimi i Adriatikut është mënyra më e mirë për të rishkruar perceptimin italian të kësaj toke dhe të këtij populli, shkruan lagenziadiviaggi.it, rrjeti i parë multimedial i informacionit turistik në Itali.

”Jo një komb i vjetër, konservator dhe i varfër, por i ri (më shumë se ai italian), i projektuar drejt së ardhmes dhe me një ekonomi në zhvillim (OKB vlerëson rritjen e PBB-së në rreth 4%).

Plazhe të ngjashme me ato tonat dhe një det që i ngjan atij grek. Një kuzhinë që ka sintetizuar në mënyrën e vet dhe origjinale ndikimet greke, otomane dhe madje italiane dhe një mikpritje që është tipike për një destinacion të ri turistik, pak naive, por që dëshiron të përmirësohet. Shqipëria mund të nënkuptojë në radhë të parë detin. Në jug, nën Ngushticën e Otrantos, janë brigjet që dalin nga Joni: toka shkëmbore dhe ujëra të qarta. Si një lloj Greqie apo Pulia e Ballkanit.

Në Sarandë, një nga vendpushimet kryesore turistike, janë hotelet e mëdha të ndërtuara nga viti 2000 e këtej me pamje nga deti. Resorte të tilla si « Bouganville Bay », që përfshin një SPA, dy pishina të brendshme të mbushura me ujë nga deti Jon dhe një sërë dhomash me pamje nga gjiri, si dhe një pamje të detit të rezervuar për klientët, me shezlongë të vendosur deri në metrin e fundit të platformës.

Një port i vogël shqiptar, por që ka tashmë një shëtitore të rindërtuar në dekadën e fundit.

Fshati i afërt i Ksamilit ofron një peizazh më të gjelbër, me plazhet e tij të krijuara duke hequr gurët dhe duke i zëvendësuar ato me rërë. Në kohën e komunizmit e quajtën “qytet pa varreza” sepse shteti kishte nxitur familjet e reja që të jetonin në këtë zonë, e cila në atë kohë ishte e mbushur vetëm nga disa kazerma dhe që për shumë vite nuk pati asnjë funeral.

Një det disi i ndryshëm është ai i Durrësit (më tej në veri përgjatë bregdetit). Shumë më tepër i ngjashëm me rivierën romanjole apo të Markexhanës, plazhet këtu janë të gjatë dhe plot me rërë natyrore. Hotelet janë ndërtuar direkt pranë plazhit dhe shumë hotele si ‘’Blu Fafa’’ ofrojnë një pishinë me pamje nga deti dhe një linjë të gjatë çadrash për ata që nuk duan të heqin dorë nga rëra nën këmbët e tyre. Sigurisht që nuk duhet të habitemi nëse ecja pengohet nga disa mbetje të komunizmit, si kullat e vjetra të përforcuara të betonit, të ndërtuara dikur për të parë pushtuesin kapitalist që mund të vinte nga deti.

Por, Shqipëria nuk është vetëm det. Në jug të vendit, UNESCO ka njohur dy vende si Trashëgimi Botërore: Butrintin dhe Gjirokastrën. E para është një nga vendbanimet më të vjetra në zonë, sot një park natyror që mbulon një sipërfaqe prej 94 kilometrash katrore. Këtu u vendosën grekët dhe romakët, dhe sipas Virgjilit, këtu ka qënë dhe Enea dhe shekuj më vonë arritën venecianët.

Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra, një shembull i rrallë i vendbanimeve osmane, shqiptarët e quajnë atë “qytet argjendi”, sepse pas shiut duket se shkëlqenin gurët e bardhë dhe gri të ndërtesave dhe çative. Mos lini pa provuar një nga oshafët më të mirë në vend, një ëmbëlsirë me qumësht të kondensuar të deles, kanellë dhe fiq të thatë.

Por, nëse doni të mësoni për historinë e Shqipërisë, nuk mund të mos shkoni në Krujë, qytetin e Skënderbeut, në veri të vendit. Për heroin shqiptar, i cili mundi osmanët dhjetëra herë, ka një muze-kështjellë, i rindërtuar mbi rrënojat e lashta dhe i ngjitur nëpër shkëmbinj. Kjo është një nga zonat e vendit më të përkushtuara drejt turizmit, restorante si ‘’Panorama’’ ofrojnë dreka me pamje nga kalaja dhe rrugët e qytetit janë ende të shtruara me gurë qindravjeçarë, tanimë të zbutur nga kalimet e shpeshta aty dhe nga moti.

Vetëm për sa i përket historisë, Shqipëria ende duket të jetë “e pandreqshme”. Gjatë periudhës së komunizmit të gjitha gjurmët e kulturave të kaluara janë fshirë për një të ardhme të përjetshme tipike të diktaturave. Kishat dhe xhamitë e mbyllura ose të shkatërruara, feja e vetme e mundshme apo narrativa ishte vetëm ajo e shtetit. Një represion dekadash që shpërtheu në zemërim kur komunizmi u zhduk, deri në atë pikë sa u lëvizën të vdekurit dhe trupi i udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, nga varrezat e dëshmorëve u zhvendos në një varrezë më modeste.

Sidomos në Tiranë, shumë ndërtesa janë rilyer për të hequr zymtësinë e komunizmit. Ndërtesat e mesit të viteve 1900 janë zëvendësuar me ndërtesa të reja. Dhe disa struktura ikonike të regjimit kanë mbetur në këmbë pas muajsh debati mbi mundësinë për t’i shembur ato. Kjo ka ndodhur me Muzeun Historik Kombëtar, një ndërtesë që nga viti 1981, dhe me fasadën e mozaikut që portretizon historinë e vendit që nga themelimi i tij.

Shqipëria duket se dëshiron të tregojë veten si një fletë bosh gati për t’u rishkruar. Po ndërtohet kudo dhe po rindërtohen rrugët. Pas ’91, ata që kishin pak para i përdorën ato për të rindërtuar, duke filluar që nga shtëpia. Duke përshkuar vendin mund të vihet re se fshatrat janë të mbushura me shtëpi dykatëshe, aq të reja sa kanë ende erë të suvasë së freskët. Në shumë nga to janë vendosur disa armatura prej hekuri, gati për një kat të ri, sapo të sigurohen para të tjera. Shqipëria është e vendosur të projektojë veten në të ardhmen duke lënë pas të kaluarën. Dhe shqiptarët janë të vendosur të gjejnë tek turizmi një pjesë të pasurisë për këtë hap përpara.

Thirrja e ministrit Klosi për italianët

“Të nderuar italianë, pse nuk keni vini me pushime në Shqipëri?”

Kjo është pyetja që ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, u kërkon turistëve italianë gjatë një takimi me Sara Calabrese, CEO i operatorit turistik ‘’Dirotta da Noi’’, shoqëruar nga 20 agjentë udhëtimi.

“Dy vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta si dhe marrëdhënie të mira që kanë zgjatur për shekuj me radhë”, thotë ministri.

”Vitin e kaluar shumë kompani italiane turizmi kanë krijuar marrëdhënie me Shqipërinë: sot kemi fluturime të drejtpërdrejta, që ndalen në Sarandë apo Durrës si dhe shumë paketa turistike. Ne ofrojmë jo vetëm detin, por edhe natyrën, kulturën dhe sportet e aventurës. Kështu që ne presim që italianët të jenë mes vizitorëve tanë të parë’’, thekson ai.

Në Shqipëri, në kohën e komunizmit, këngët e Sanremos ishin si mallra kontrabandë që këndoheshin dhe dëgjoheshin fshehurazi regjimit dhe sot në Shqipëri, shumë flasin italisht dhe pothuajse të gjithë e kuptojnë atë.

“Vitin e fundit, ne mirëpritëm gjashtë milionë turistë, vitin e kaluar pesë milionë dhe në katër muajt e parë të vitit 2019 tashmë kemi regjistruar + 10%. Prandaj do të donim që numri i vizitorëve italianë të rritet dhe ne tashmë po punojmë për këtë gjë’’, thekson Klosi./atsh

Shqipëria, fytyra tjetër e Mesdheut Read More »

100 studentë nga Holanda vizitë në Karaburun-Sazan

Mbi 100 studentë të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bredas, Holandë vizituan Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

Fokusi i vizitës së tyre ishte njohja me eksperiencën e menaxhimit të vizitorëve në park, sfidat dhe problematikat e zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura.

Njëkohësisht studentët patën mundësinë për tu njohur edhe me punën që administrata në bashkëpunim me peshktarët artizanalë dhe UNDP Shqipëri po realizon për trajtimin e breshkave detare në qendrën e ndihmës së parë për breshkat detare.

Vizita në qendër u realizua në kuadër të studimeve që po zhvillonin në vendin tonë të fokusuara në vlerësimin e impaktit të zhvillimit turistik në mjedisin natyror.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipëri. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Ky park gjatë sezonit turistik veror në 2018, ishte destinacioni më mbresëlënës për 45000 turistë vendas dhe të huaj./atsh

100 studentë nga Holanda vizitë në Karaburun-Sazan Read More »

Turistë nga Gjermania deri në Zelandën e Re: Të mrekulluar nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare

Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë të fundit pranverore rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.

Transformimet që ka pësuar Tirana e kanë bërë atë të jetë në listën e destinacioneve europiane.

Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Nuk i mungon itinerarit të tyre edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.

Por, një ndër vendet që vijon të tërheqë më së shumti interesin e vizitorëve të shumtë, është edhe sheshi “Skënderbej”, në qendër të qytetit të Tiranës. I kthyer tashmë në një atraksion të ri për vetë rikonstruksionin modern dhe bashkëkohor, ky shesh është shndërruar në një vlerë të shtuar për turizmin e qytetit.

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transformimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.

Por turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.

Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.

Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve janë nga vende të largëta si , Gjermania, Australia, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelanda e Re, etj, gjë kjo e cila vërteton se tashmë kryeqyteti është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.

Një i ri nga Danimarka shprehet se “jam i lumtur që kam ardhur këtu, është shumë këndshëm, sapo kemi ardhur, në fillim kemi vizituar xhaminë, tani kemi ardhur këtu për të parë piramidën, na duket një vepër e bukur. Do të rrimë në Tiranë edhe ditë tjetër, pastaj do të shkojmë në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër. Njerëzit janë shumë miqësorë. Çuditërisht, të gjithë që kemi takuar ishin shumë miqësorë dhe mikpritës”.

Një tjetër turiste e lindur në Nigeri, por e rritur në Londër shprehet se “është hera e parë që vij në Shqipëri. Shumë bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe është shumë lirë. Po ia kalojmë shumë këndshëm këtu. Kam parë qendrën e qytetit. Kemi ecur në këmbë, dje shkuam në Berat dhe qyteti ishte shumë i bukur. Një qytet me dritare të vogla. Ia kaluam shumë bukur atje. Do qëndroj në Shqipëri dy ditë. Pak a shumë ky udhëtim ngjan me një pushim fundjavë”.

Sipas saj, është një mundësi fantastike sepse është afër me Londrën dhe ka fluturime të lira nga Londra tani.

“Përpara se të vija më kanë thënë mos shko në Shqipëri se është vend i frikshëm. Por pashë se kudo njerëzit ishin të mrekullueshëm. Përfundimisht do të kthehem sepse ka kaq shumë vende për t’u vizituar. Mendoj se është ide e mirë të vish të Tiranë dhe më pas të bësh udhëtime ditore në qytetet rreth e rrotull”, shprehet ajo.

Një turiste nga Gjermania thekson se “është hera e parë që vij në Shqipëri dhe më pëlqen shumë. Kudo që shkon është shumë këndshëm. Do qëndroj 7 ditë. Ishim në Sarandë, më pas në Durrës dhe do të qëndrojmë dy ditë në Tiranë”.

“Saranda më duket një qytet i veçantë. Durrësi shumë i bukur me plazh të gjerë. Do të doja të vija sërish me pushime. Të gjitha vendet janë shumë të bukura për t’u vizituar. Do të doja të vija sërish me pushime. Të gjitha vendet janë shumë të bukura për t’u vizituar”, shprehet ajo.

Ndërsa një i ri nga Australia tha se “Shqipëria është vend i mirë. Njerëzit janë shumë të këndshëm. Do të qëndroj dy ditë, do të shëtis, do të shikoj xhamitë dhe kishat, shtëpinë e Enver Hoxhës dhe ndoshta më vonë do të shoh edhe ndonjë gjë tjetër”.

I pyetur nëse e njihte më parë Shqipërinë, ai thotë se “vetëm pak informacione nga interneti. Dukej vend pak misterioz. Prandaj edha”.

Një i ri nga Zelanda e Re, por që jeton në Suedi thekson se “është hera e parë në Shqipëri, është një vend i mirë. Kemi dy javë për udhëtimin tonë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Një udhëtim shumë i mirë”.

“Kam qenë në veri, në Shkodër, në Tiranë dhe më pas do të vazhdoj në jug. Pra kam parë pjesën më të madhe të vendit. Çdo gjë kushton lirë për turizmin europian. Ushqimi dhe hoteli ishin shumë të mirë. Pra , një udhëtim shumë i mirë”-, nënvizon ai.

Ai thotë se “do t’ua rekomandoj shokëve. Kërkuam në internet kur menduam të bënim një udhëtim në Europën Lindore. Ne kërkuam gjërat që mund të bënim në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë dhe përreth. Gjetëm shumë informacione në internet si për shembull në Lonely Planet. Bëmë kërkime dhe prenotuam”.

Ndërsa një i ri nga SHBA u shpreh se “është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Deri tani më duket shumë bukur. Njerëzit janë të këndshëm dhe ushqimi shumë i mirë. Nuk kam ankesa. Kam një histori shumë interesante. Po bëj një tur të lirë të cilin po e shijoj shumë. Do qëndroj në Shqipëri për pesë ditë”.

“Përveç Tiranës do shkoj në Shkodër dhe më pas do ngjitem lart në mal. Po do vizitoj Thethin, Valbonën. Miqtë e mi europianë që kanë bërë ecje në mal më kanë thënë që është shumë bukur. Njerëzit kanë qenë shumë miqësorë. Dje në darkë patëm mundësinë të shkonim në shumë bare. Provuam ushqimin tradicional ballkanas me shumë erëza dhe na pëlqeu tej mase. Këtu ofrohen lloje të ndryshme gatimesh”, thotë ai./atsh

Turistë nga Gjermania deri në Zelandën e Re: Të mrekulluar nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare Read More »