Turizem

Reportazhi i televizionit publik francez: Shqipëria vendi i vogël i ambicieve të mëdha

Shqipëria është një vend i vogël, por me ambicie të mëdha! E liruar nga tutela e komunizmit në vitin 1991, e ndodhur mes Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria ëndërron të hyjë në Bashkimin Europian dhe të bëhet një destinacion i vërtetë turistik, shkruan portali i televizionit publik francez, Franceinfo, në një reportazh që ia kushton turizmit në vendin tonë.

”Aktualisht nuk ka shumë turistë francezë, ishin rreth 45 000 në vitin 2018, po ky numër është në rritje me 30% nga viti 2017 dhe mbi të gjitha, ata kthehen në vendin e tyre të magjepsur nga udhëtimi në Shqipëri.

Julien Roche jeton këtu që prej fillimit të viteve ’80.

Shumë i domosdoshëm, ky francez me origjinë nga rajoni Ën, ka krijuar rreth 40 kompani në këtë vend.

”Në veri ka liqene dhe male, atje përfundon vargmali i Alpeve. Në jug, ndodhen plazhet e detit Adriatik dhe ato të detit Jon që janë përballë Korfuzit. Vijnë shumë të rinj me çanta shpine ose persona të moshës së tretë. Këta janë ambasadorët tanë më të mirë dhe priten nga banorë të zonës që i strehojnë në banesat e tyre, është diçka shumë vëllazërore”, shpjegon ai në këtë reportazh të Franceinfo.

Autoritetet shqiptare duan të tregojnë mbi të gjitha se realiteti i vendit është larg imazhit të keq që ekziston në Francë, vendi i të gjitha trafiqeve, korrupsionit dhe mafies.

”Megjithatë, udhëtarët e huaj kanë filluar të tregojnë interes për këtë destinacion të ri në zemër të Ballkanit”, sikurse shpjegon Helmut Gschwentner, president i operatorit turistik “Visit Europe”.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të jetë Kroacia e re, por në çdo rast është një destinacion bregdetar dhe kulturor. Ne i besojmë shumë. Prej pesë vitesh zhvillojmë ture në Shqipëri, por duke i kombinuar me vizita në Malin e Zi dhe Maqedoni. Duam të rrisim produktet dhe mundësitë për klientët tanë, për këtë arsye kemi hapur një zyrë në Tiranë”, thotë Gschwentner.

“Visit Europe” synon të arrijë 3 000 klientë këtë vjeshtë të interesuar për Shqipërinë dhe 4 000-5 000 vitin e ardhshëm.

Hotele të vogla familjare

Përveç më shumë se 500 kilometrave vijë bregdetare, pavarësisht disa zonave te betonizuara tashmë si Golemi, ky vend i vogël prej tre milionë banorësh, i madh sa Belgjika, ka gjithashtu një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme si Berati “qyteti i një mbi një dritareve”, që është klasifikuar trashëgimi e UNESCO-s apo qyteti i mrekullueshëm mesjetar i Krujës, që ende nuk është asfiksuar nga turmat e turistëve.

“Ka katër misione arkeologjike franko-shqiptare, në një vend të vetëm ky është një fat i madh. Kjo tërheq vizitorët dhe jo vetëm ata francezë. Ka gjithashtu muze shumë të mirë që japin një imazh të njerëzve dhe të historisë shqiptare, tragjike në disa çaste”, deklaron Christina Vasak, ambasadorja e Francës në Shqipëri.

Grupet e hotelerisë kanë filluar gjithashtu të drejtohen nga Shqipëria, që ende nuk e ka mjaftueshëm të zhvilluar këtë infrastrukturë, si kompania franceze “Accor” që parashikon të hapë në muajt në vijim një “Sofitel” në Tiranë.

“Turizmi këtu bazohet kryesisht tek hotelet e vogla familjare me pesë deri në 10 dhoma. Nuk ka hotele me kapacitet të mjaftueshëm për të pritur për shembull grupe të mëdha me 2 500 apo 3 000 persona. Potenciali i kërkesës është, por nuk është ende produkti”, shpjegon Elisabeth Gjoni, drejtoreshë e grupit energjetik dhe ndërtimor “Amadeus”.

Shqipëria bën pjesë në pesë vendet kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian. Negociatat mund të fillojnë në muajt që vijojnë, por procedura është e gjatë. Ajo mund të zgjasë të paktën 10 vite.

Franceinfo e mbyll këtë reportazh duke i bërë një thirrje gjithë turistëve se “gjatë udhëtimit në Shqipëri do të zbulojnë fakte mbi këtë vend të panjohur”.

”Kryeqyteti, Tirana, do t’ju habisë me influencat e tij. Do të josheni nga pasuria historike e zonës më të madhe arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Apolonisë. Ky është një udhëtim i mrekullueshëm në të kaluarën që do e shijoni gjatë gjithë udhëtimit në Shqipëri”, përfundon Franceinfo./atsh

Reportazhi i televizionit publik francez: Shqipëria vendi i vogël i ambicieve të mëdha Read More »

Vlorë, sezoni turistik punime mirëmbajtje në monumentet e kulturës

Sezoni turistik ka nisur por specialistët e mirëmbajtjes vijojnë punimet mirëmbajtëse në monumentet e kulturës kudo në vendin tonë.

Këtë javë fokusi i punimeve mirëmbajtëse të DRKK Vlorë ka patur qendrat historike dhe monumentet e kulturës të qytetit bregdetar.

Punonjësit janë përfshirë në aksionin kundër vegjetacionit, për t’u dhënë këtyre monumenteve paraqitjen e denjë në pritje të turistëve dhe vizitorëve të shumtë.

Punimet janë bërë në qendrën historike dhe kalanë e Himarës, kalanë e Kaninës, urën e Brataj, urën e Slapit në Drashovicë dhe urën e Frëngut në Gjormë.

Mirëmbajtja e monumenteve dhe hapësirave rreth tyre mbetet një nga sfidat e përditshme të punonjësve që kërkon mbështetjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në mbajtjen pastër të mjediseve për një imazh më dinjitoz ndaj turistëve që mbushin çdo ditë qytetin e Vlorës gjatë kësaj periudhe. /atsh

Vlorë, sezoni turistik punime mirëmbajtje në monumentet e kulturës Read More »

Luari i “100 fshatrave”, destinacioni turistik i radhës

“Luari do të kthehet shumë shpejt në një prej destinacioneve turistike të zonës”, – deklaroi kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë Roskovec, Majlinda Bufi gjatë një takimi në njësinë administrative Kuman.

Gjatë takimeve të organizuara në tri prej lagjeve të këtij fshati, të pranishëm ishin edhe deputeti i zonës Anduel Xhindi dhe kryetari i Partisë Socialiste Roskovec, Maksim Goga.

Bufi u shpreh se “i përzgjedhur prej projektit “100 fshatrat”, Luari do të marrë brenda një periudhe kohore të shkurtër zhvillimin e munguar”.

“Turizmi, edhe pse ka vështirësitë e veta për të marrë hovin e duhur, do të jetë një prej mundësive për zhvillimin ekonomik të Luarit dhe zonës përreth”, – deklaroi ajo, duke nënvizuar se investimet e reja, do t’i ndryshojnë tërësisht pamjen Luarit./atsh

Luari i “100 fshatrave”, destinacioni turistik i radhës Read More »

“Kala Festival”, mbërrijnë 250 turistët e parë anglezë në portin e Himarës

Porti i Himarës mirëpriti sot turistët e parë anglezë, që kanë ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në “Kala Festival”, që do të zhvillohet në dy faza, në datat 12-19 qershor dhe 20-25 qershor.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “gjatë ditës së sotme kanë ardhur 250 turistë anglezë, të cilët kanë udhëtuar me Katamaranin e linjës Himarë-Korfuz”.

Sipas tij, pritet që të vijnë rreth 4000 turistë në Portin e Himarës për të marrë pjesë në këtë festë që tashmë është bërë traditë.

“Nga porti i Himarës këto ditë do të vijnë 3000 turistë, ndërsa nga porti i Sarandës do të vijnë 1000 të tjerë”, tha Malaj.

Për herë të dytë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e dytë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri. Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Këtë vit në festival do të jenë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit./atsh

“Kala Festival”, mbërrijnë 250 turistët e parë anglezë në portin e Himarës Read More »

Fundjava me diell mbush Vlorën me turistë vendas e të huaj

Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si perla e Rivierës shqiptare gjatë kësaj fundjave ku dhe temperaturat ishin të larta është tejmbushur me turistë vendas dhe të huaj të cilët kanë shijuar bregdetin shkëmbor me ujëra të kristalta.

Vizitorët e shumtë shijuan fundjavën me diell në bregun e Lungomares ku përveç detit ata u argëtuan dhe me aktivitete të ndryshme që ofron ky vend, i cili tashmë ka hapësira atraktive për çdo grupmoshë.

Fotografitë e sjella nga Vlora pasqyrojnë momente nga fundjava e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.

Në Vlorë edhe perëndimi i diellit mbi detin e kaltër është një spektakël që nuk duhet humbur.

Vlora me brigjet e saj: Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /atsh

Fundjava me diell mbush Vlorën me turistë vendas e të huaj Read More »

Manastirliu: Plan masash për një sezon turistik të sigurt

28 qendrat shëndetësore me shërbim 24 orë gjatë sezonit veror, do të jenë të përforcuara me autoambulanca fikse në zonat më të frekuentuara turistike, për t’ju përgjigjur më shpejt urgjencave gjatë sezonit veror”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë, deputetët e Durrësit dhe kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e këtij qyteti, inspektuan qendrën e posaçme të hapur për sezonin veror në zonën e Currilave, e cila është një nga 4 qendrat verore 24-orëshe të hapura në Durrës.
Jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në zonat malore, nga Valbona, në Ksamil ofrohet shërbim shëndetësor pranë zonave turistike, gjatë gjithë sezonit veror.

“Përveç qendrave shëndetësore verore, këtë vit do të kemi 18 postacione fikse autoambulancash, të pajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese, nga veriu në jug të vendit, në zonat më të frekuentuara turistike për të garantuar ndihmën e parë në kohë”, tha Manastirliu.

I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore dhe nëpërmjet numrit 127, do të adresohet çdo emergjencë shëndetësore.

Përveç qendrave verore, të gjithë ekipet mjekësore në spitalet pranë zonave turistike do të jenë me shërbim të përforcuar si dhe shërbimi i autoambulancave dhe helikopterëve janë në gatishmëri.

Qendrat shëndetësore 24-orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 shtator. Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik.

Qendrat shëndetësore verore 24-orëshe
Valbonë
Plazhi Velipojë
Plazhi Rrjoll
Theth
Razëm
Tamarë
Plazhi Shëngjin
Plazhi Tale
Plazhi Currila
Plazhi Durrës
Plazhi Gjiri i Lalëzit
Plazhi Shkëmbi i Kavajës
Plazhi Golem
Plazhi Mali i Robit
Plazhi Divjakë
Plazhi Darëzezë
Plazhi Zvërnec
Plazhi i Vjetër
Plazhi Radhimë
Plazhi Drimadhas
Plazhi Dhërmi
Plazhi Himarë
Plazhi Qeparo
Plazhi Ksamil 1
Plazhi Ksamil 2
Vendosja e autoambulancave
Ksamil
Sarandë
Borsh
Himarë
Jalë
Drimadhes
Orikum
Plazhi i Vjetër Vlorë
Darëzezë
Divjakë
Mali i Robit
Golem
Gjiri i Lalëzit
Tale
Shëngjin
Velipojë
Tamarë
Theth/atsh

Manastirliu: Plan masash për një sezon turistik të sigurt Read More »

City Matters: Shqipëria, xhevahiri i fshehur i Mesdheut

E izoluar nga pjesa tjetër e botës për një periudhë të gjatë të shekullit të XX, nuk është e habitshme që njerëzit e njohin kaq pak Shqipërinë, fillon reportazhin për vendin tonë portali i njohur londinez ”City Matters”.

Vetëm pas vitit 1991, kur regjimi brutal komunist u rrëzua, të huajt filluan të zbulojnë malet epike, fshatrat e thellë dhe plazhet e kristalta mesdhetare të përhapura në të gjithë vendin.

Shqipëria konsiderohet si Kroacia e re dhe një xhevahir i fshehur i Mesdheut për shkak të peizazhit të saj shumë të larmishëm.

Fshatrat e vogla janë ende të mbushura me banorë të zonës që drejtojnë sipërmarrjet tyre dhe plazhet janë të pastra dhe pa shumë njerëz, edhe në muajt më të nxehtë. Por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ajo, pa dyshim që do të përballet me të njëjtin fat si vendet fqinje Greqia dhe Kroacia. Pra nëse keni ndërmend ta vizitoni, bëjeni sa më shpejt.

Bjeshkët e Namuna

Kjo zonë malore që njihet si Alpet Shqiptare, por që preferohet më shumë emërtimi që duket sikur ka dalë nga filmi “Lord of the Rings”, Bjeshkët e Namuna.

Dhe me siguri i përshtatet më së miri këtij emir. Atu mund të gjeni disa nga pamjet më mbresëlënëse, si dhe duhet të lodhesh shumë për t’i arritur ato. Sepse industria e turizmit është ende në hapat e para dhe aty mund të shkohet falas për ata që janë të gatshëm të bëjnë një ecje të gjatë mes maleve. Megjithatë, vështirësia e bën qëllimin përfundimtar shumë më shumë shpërblyes.

Izolimi e bënë gjithë këtë zonë të duket sikur është imagjinare dhe shumë larg Europës së shekullit XXI. Mes shkëmbinjve të thepisur që qëndrojnë sipër luginave të gjelbra ndodhen shtëpi të vogla prej guri shumë të vjetar dhe komunitete tradicionale të cilët ecin hap pas hapi me ujqërit.

Parku Kombëtar i Thethit është një prej pjesëve më të famshme dhe të arritshme të Bjeshkëve të Namuna dhe ofron pak nga çdo gjë. Është njësoj si Lugina e Madhe në filmin “Land Before Time”, një oazë biodiversiteti, rrethuar nga maja të thepisura. Poshtë luginës gjenden sisteme të gjata lumenjsh, lagunash, ujëvarash dhe çdo gjë tjetër që lidhet më florën dhe faunën e egër. Duket kaq shumë origjinale.

Riviera shqiptare

Ndërsa vargmalet janë pjesa më pak e vizituar e Shqipërisë, plazhet sigurisht që janë më popullorët. Rekomandohet të marrësh me qira një makinë kur shëtit vijën bregdetare që të mund të ndalosh në çdo plazh të fshehur që të del përpara, nga të cilët ka shumë për t’u numëruar.

Për ata që kanë një buxhet të limituar, ka ende shumë autobusë që përshkruajnë zonën dhe autostopi vazhdon të jetë shumë popullor. Shqiptarët i marrin të huajt me kënaqësi dhe duke i dërguar nga një qytet bregdetar në tjetrin. Saranda është një prej qendrave më të mëdha për të pasionuarit pas detit. Aty mund të gjesh jetën e natës më të mirë dhe shumëllojshmëri restorantesh.

Në opinionin tonë, në Shqipëri shkohet për pak paqe dhe qetësi, të paktën për momentin. Duke ecur në drejtim të veriut përgjatë bregut, ndaloni në Palas që ka një plazh shumë të gjatë ku Jul Çezari dhe trupat e tij mbërritën gjatë Luftës Civile në Romake në vitin 48 pas e.s. Vizitorët ende mund të gjejnë relikte të këtij zbarkimi, si dhe disa mure mbrojtëse të braktisur të historisë së gjatë shqiptare.

Dhërmiu është gjithashtu një destinacion që duhet të vizitohet, me plazhet e tij mahnitëse, limane dhe gjire të fshehur. Një prej vendeve më piktoresk është Drimadha, që është aq i gjatë sa që kurrë nuk duket i mbushur. Këtu mund të gjeni resorte të lira dhe hotele luksoze.

Tirana

Para se kapitalizmi t’i zinte vendin komunizmit, kryeqyteti i Shqipërisë ishte i njohur si një qytet gri dhe i ngadaltë. Por Tirana ka ndryshuar me hapa të shpejtë në dekadat e fundit, duke u bërë një kaleidoskop ngjyrash dhe kulture. Sigurohuni të mos humbisni kutitë elektrike që janë mbuluar me lloj-lloj veprash arti.

Sheshi Skënderbe është gjithashtu një pikë ku do të kaloni shumë herë ndërkohë që shkoni tek Muzeu Kombëtar i Historisë, Pallati i Operas, Xhamia e Et’hem Beut dhe Monumenti i Skënderbeut që i dedikohet liderit shqiptar që i rezistoi osmanëve.

Bunk’Art ndodhet pak më larg, por ia vlen rruga. Bunkeri që ishte ndërtuar nga regjimi i Hoxhës, është transformuar në një vend ekzibicioni dhe hapësirë eventesh ku arti dhe objektet historike përzihen. Ky është vendi perfekt ku tregohet se si Tirana përqafon të kaluarën e saj, duke e kthyer disa të errët dhe tronditëse në shkëlqim dhe plot pozitivistet. /atsh

City Matters: Shqipëria, xhevahiri i fshehur i Mesdheut Read More »

Shqipëria pret krahëhapur turistët

Ky vend në Ballkan, që ka hapur krahët për turistët, ofron një përzierje joshëse të arkitekturave, të mjediseve mesdhetare dhe orientale, shkruan në një reportazh që u kushtohet bukurive të Shqipërisë gazetarja e njohur për çështjet e turizmit, Paula Boyer, në faqen belge www.la-croix.com.

”I vendosur mbi një grumbull shkëmbor, qyteti i Beratit rrethohet nga kodra të mbuluara me ullinj. Gurët e parë të këtij xhevahiri të Shqipërisë u vendosën para 2 500 viteve. Më pas, bizantinët përforcuan fortesat e tij. Ato ishin dëmtuar në vitin 1281, gjatë rrethimit, që dështoi, nga Karli I i Anzhuinëve, në atë kohë mbret i Sicilisë.

Porta e madhe me hark në anën veriore të nxjerr në një zonë jashtë kohës, të qetë dhe romantike, me grumbullin e saj të rrugicave me gurë të rrëshqitshëm. Në krahë të dyqaneve artizanale, jo gjithnjë lokale, gjyshet shesin trikotazh dhe dantella. Ka shumë kisha bizantine, me pamje të thjeshtë, që mbajnë afreske me një vlerë të paçmueshme.

Mjafton të hapësh vetëm një derë për të zbuluar afresket, pak të dëmtuara, të kishës së Shën Kollit. Muzeu madhështor kombëtar i ikonave është pranë katedrales ”Fjetja e Shën Mërisë”.

Pak më tutje, ndodhen rrënojat e dy xhamive.

“Të gjitha influencat që kanë gdhendur Shqipërinë gjenden këtu”, thotë Luftari, guida jonë. Pamja mbi luginë është mbresëlënëse.

Qyteti i një mbi një dritareve

Gjithnjë, lumi Osum ka ndarë Beratin më dysh. Në bregun e majtë, Gorica, lagjja e krishterë, në të djathtën, Mangalemi, lagjja myslimane. Që të dyja kanë rrugica të pjerrëta, tarraca të mbuluara me tjegulla të mëdha dhe shtëpi të bardha prej guri dhe dritare të mëdha prej druri të panumërta. Kjo veçori ka bërë që Berati, pjesë e UNESCO, të marrë pseudonimin “qyteti i një mbi një dritareve”.

Dikur, Berati ka qenë i famshëm për pazarin e tij të madh ku të krishterët dhe myslimanët tregtonin krahë më krahë. Krijuam një ide të kësaj falë fotove të vendosura në muzeun etnografik. Ai gjendet në Goricë, në një shtëpi tradicionale me dy kate ku, në shekullin XVIII, jetonin tre breza të të njëjtës familje.

Të vizitosh këtë shtëpi të mbushur me objekte dhe kostume të vjetra në shoqërinë e Gladiolës llafazane dhe të qeshur, është sikur bën një udhëtim emocionues në kohë. Në bodrum vendoseshin drithërat, vaji i ullirit dhe rakia, “që burrat e pinin, çdo ditë, pas kafes”. Në katet e sipërme, kuzhina dhe dhomat, të gjitha të pajisura me një oxhak të bardhë në formë koni. Megjithatë, meqenëse rrallë herë ka ngricë dhe bie dëborë në Berat, jeta e familjes zhvillohej kryesisht në “çardak”, një dhomë e madhe e hapur nën çati.

Det dhe mbetje antike

Ky qytet piktoresk josh turistët të cilëve Shqipëria u hap krahët. Gati 20 vite pas rënies së diktaturës së tmerrshme komuniste të instaluar në vitin 1945 nga Enver Hoxha, ky vend kandidat në Bashkimin Europian është ende duke rimarrë veten. Sigurisht që këtu ka një demokraci parlamentare, por ka shumë vështirësi, krizë të re politike, korrupsion, trafik, krim i organizuar dhe shpesh herë një nivel jetese të mjerët, që vazhdojnë t’i bëjnë njerëzit të kërkojnë të largohen nga vendi. “Në këtë vend nuk prodhojmë më asgjë”, thotë me keqardhje Luftari, guida jonë, sepse shumë komplekse industriale, të vjetruara janë mbyllur.

Megjithatë, ku vend i gjelbër, por shumë malor, ka bërë përparime të konsiderueshme në shumë pak vite. Është modernizuar dhe ka ndërtuar rrugë dhe hotele. Këto përpjekje duhet të vazhdohen për të arritur standardet ndërkombëtare, përfshirë Durrësin, qyteti i dytë më i madh në vend, ku ka hotele që kanë pesë yje para plazheve jo shumë të pastra. Deti dhe mbetjet atike, kryesisht amfiteatri në të cilin të krishterët kanë ngritur, më vonë, kisha të vogla, tërheq turmat.

Minare, kupola dhe kambana

Shqipëria nuk është më pak e pëlqyer nga kërkuesit e destinacioneve pak të kushtueshme dhe larg zonave të populluara. Ajo është e mbushur me thesare të padiskutueshme. E mbetur në anën e Perandorisë Romake të Orientit gjatë ndarjes së Perandorisë Romake, ajo u gjend më pas në zemër të konflikteve mes bizantinëve, anzhuinëve, normanëve, bullgarëve dhe venedikasve para se të pushtoheshin në fund të shekullit XV nga otomanët. Të gjithë kanë lënë gjurmë, pavarësisht konvertimit masiv në mysliman (70% e popullsisë aktuale) në shekullin XVI.

Sot, në Berat ashtu si në Durrës apo Tiranë, kryeqyteti, minaret bashkëjetojnë në paqe me kishat e shumta bizantine, me kupola ortodokse, me kambanat katolike dhe teqetë bektashiane, një drejtim fetar shumë liberal dhe tolerant i frymëzuar nga islami shiit, qendra botërore e të cilit ndodhet në Tiranë.

Nga Kruja në Tiranë

Në fund të komunizmit, rregullat antike dhe të ashpra të Kanunit filluan të përcaktojnë sërish, kryesisht në veri të vendit, jetën e familjeve dhe shoqërisë. “Këto rregulla këtu vlejnë më shumë se sa ligjet tona”, shprehet me keqardhje Luftari, guida jonë, ndërkohë që mbërrijmë në Krujë. Shtëpitë këtu ngrihen në krahë të një qafe shumë të pjerrët, por pritja është shumë e ngrohtë. Në rrugët e shtruara, dyqanet, ngjitur me njëra-tjetrën, propozojnë punime artizanale lokale dhe tapete me ngjyra. Restorantet shërbejnë gatime tradicionale të shijshme dhe qengj të pjekur.

Kruja është qyteti ku ka lindur Skënderbeu, i quajtur Gjergj Kastrioti, heroi kombëtar. “Në shekullin XV, ai bashkoi princat shqiptarë dhe arriti të largojë osmanët”, thekson Luftari. Muzeu i ngritur në vitin 1982 brenda kështjellës flet për lavdinë e tij, ndërsa statujat me kalë zbukurojnë sheshet e qyteteve, duke filluar nga Tirana.

TIRANA

E rrethuar nga kodra, ky kryeqytet kombinon arkitekturën staliniste me mjediset orientale. Ajo kaloi nga 200 000 në një milion banorë, pas eksodit rural masiv që vijoi pas përfundimit të komunizmit në vitin 1992. Më pas filluan të shfaqen pallate në mënyrë të çrregullt dhe rrugët filluan të bllokohen.

Në qytet nuk mungojnë as godinat fetare, as teatrot, as muzetë. Muzeu kombëtar tregon gjithë historinë e vendit pas mozaikut të stilit sovjetik realist që është në fasadë. Dhe në këmbë të kullës “Evergreen”, “Shtëpia e Gjetheve” tregon metodat e tmerrshme represive të ish-drejtorisë së sigurimit të shtetit. Me kalimin e viteve, regjimi totalitar i Enver Hoxhës ishte mbyllur në një izolim paranojak, dëshmi e të cilit janë bunkerët e pafundmë nëpër qytete dhe fshatra./atsh

Shqipëria pret krahëhapur turistët Read More »