Turizem

Numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë, u rrit me 5,8%

Turizmi dhe biznesi vijon të prevalojë fluksin në rritje të turistëve dhe vizitorëve në vendin tonë.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë, në pesëmujorin e parë 2019 është 1.506.618, duke u rritur me 5,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Maj 2019, shënoi 829.164 persona. Krahasuar me Maj 2018, ky tregues rezulton me rritje 5%, bën të ditur INSTAT.

Sipas statistikave zyrtare, në maj 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 401.531 persona. Krahasuar me majin 2018, ky numër është rritur me 1,7%.

Në Maj 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, janë turistët nga Zvicra, numri i të cilëve shënoi një rritje prej 25,9%.

Turistët nga Zvicra kryesojnë gjatë pesëmujorit të parë 2019, me fluksin më të lartë të vizitove në vendin tonë. Numri i turistëve zviceranë shënoi rritjen më të madhe me 28,4%, pasuar nga turistët spanjollë numri i të cilëve u rrit me 21,4%.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, bën të ditur INSTAT u rrit edhe numri i turistëve nga gjermania me 11,4%, nga SHBA me 14,8%, nga Italia me 9,7% dhe numri i turistëve grekë u rrit me 7,5%. /atsh

Numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë, u rrit me 5,8% Read More »

NY Daily News: Shqipëria, vendi i mrekullueshëm që duhet vizituar gjatë 2019

Në Shqipëri ka disa ngjitje çuditërisht të mrekullueshme në pjesën veriore të vendit, që quhen Bjeshkët e Namuna, shkruan gazeta amerikane ”New York Daily News”, që e rendit Shqipërinë ndër 50 vendet për të kaluar pushimet gjatë këtij viti.

”Nëse jeni gati të filloni një eksperiencë unike në jetë, bëni gati lapsin dhe letrën, sepse lista juaj e udhëtimit 2019 është gati të fillojë.

Me një vit të ri vijnë fillime të reja; është koha për të vizituar disa prej atyre gjërave të pabesueshme që keni dashur gjithmonë të bëni nga lista juaj.

Nga ishujt e Karaibeve, në xhunglat spektakolare dhe vende historike, Bjeshkët e Namuna në Shqipëri, plazhet e mrekullueshme, Anguillës, ujëvarat e fantastike të Balit, një udhëtim me jaht në Saint Barth dhe prova e verës në Napa Valley, ju do të gjeni gjithçka që ju kërkoni në këtë listë të vendeve më të mira për pushime në vitin 2019.

Konsulenti i zhvillimit të turizmit, Audrey Scott thotë se “Shqipëria ka disa ngjitje çuditërisht të mrekullueshme në pjesën veriore të vendit në Bjeshkët e Namuna. Ju mund të vizitoni Valbonën, Thethin ose Lëpushën dhe të bëni ngjitje në zonat me majat madhështore përreth jush”.

“Ose mund të filloni një aventurë më të gjatë dhe të realizoni një version të modifikuar të Peaks of the Balkans Trek që ju merr dhe ju çon përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Pastaj, pasi të keni eksploruar malet, drejtojuni plazheve të jugut apo pushoni edhe në detin Adriatik”, shprehet Scott./atsh

NY Daily News: Shqipëria, vendi i mrekullueshëm që duhet vizituar gjatë 2019 Read More »

Energjia në sezonin turistik, tre pajisje të reja vendosen në HEC-et, Koman dhe Vau Dejës

Për herë të parë në Hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës u vunë në funksionim tre pajisje të reja Cibano, Franeo, Tettex gjatë kryerjes së punimeve sipas grafikut të remonteve të Agregatit nr.1 Koman dhe Agregatit nr. 5 Vau i Dejës.

Investimet që po ndërmerr Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, synojnë përmirësimin e vazhdueshëm të furnizimit me energji të abonentëve, veçanërisht tani gjatë sezonit turistik kur shtohet edhe fluksi i përdorimit të energjisë.

Pak ditë më parë edhe zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, deklaroi se furnizimi me energji elektrike gjatë sezonit të verës do të garantohet në masën 100%, për të gjithë abonentët familjarë dhe bizneset, pavarësisht situatës së vështirë në sektorin energjetik, si pasojë e thatësirës.

“Viti 2019, mbetet një vit i vështirë për sektorin elektro-energjetik në kushtet e motit pa reshje. Por investimet dhe plani i masave për mirëmenaxhimin e burimeve hidrike në raport me importin e energjisë, do të mundësojë furnizimin normalisht me energji të abonentëve gjatë sezonit veror në të gjithë vendin” – u shpreh Bejtja.

Institucionet parashikojnë të shmangin importet e energjisë gjatë orëve të pikut, duke mbuluar nevojat për energji nga prodhimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare/atsh

Energjia në sezonin turistik, tre pajisje të reja vendosen në HEC-et, Koman dhe Vau Dejës Read More »

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë

Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos, çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë dhe çmimit të dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian, sheshi “Skënderbej” vijon të tërheqë vëmendjen e profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës, si një nga hapësirat që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Së fundi, sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), në një garë aspak të lehtë, ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës. Juria e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një reflektim i kompleksitetit dhe historisë së Shqipërisë.

Çmimi prestigjioz u dha nga Shoqata e Arkitektëve të Katalonjës dhe Shoqata e Arkitektëve për Mbrojtjen dhe Ndërhyrjen në Trashëgiminë Arkitekturore, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Katalonjës dhe Këshillit Bashkiak të Barcelonës.

Sheshi “Skëndërbej” konkurroi në kategorinë “Hapësirat e Jashtme” dhe nga dhjetë veprat e përzgjedhura, në finale shkuan 4 finalistë:

– Sheshi “Skënderbej” nga studio 51N4E, Anri Sala, iRI dhe Plant en Houtgoed (Tiranë, Shqipëri)

– Qendra e Vizitorëve në Villers Abbey nga Binario Architects (Villers-la-Ville, Belgjikë)

– Hyrja e Kështjellës Jorba nga Carles Enrich Studio (Barcelona, Spanjë)

– Parku Zollverein nga Planergruppe GmbH Oberhausen (Essen, Gjermani)

Juria vendosi si projekt fitues sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka luajtur liria e autorëve në realizimin e projektit për sfidën e të punuarit në një shesh shumë kompleks dhe simbolik, për shkak të kontekstit historik dhe politik që ai mbart, si dhe thjeshtësisë së shprehur përmes një topografie plot sqimë, që ringre në të njëjtën shkallë vlerat e kompleksit historik arkitekturor rrethues, në harmoni me ndërtesat përreth, duke krijuar një thyerje në përbërjen e aksit urban ekzistues, çka gjeneron një model të ri të hapësirës urbane. /atsh

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë Read More »

877 turistë me dy kroçera, vizita në qendra historike dhe arkeologjike

Në në orët e para të mëngjesit të sotëm në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit u ankoruan kroçerat “La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager”, me 877 turistë gjithsej.

Turistët e organizuar në grupe dhe nën kujdesin e operatorëve turistikë janë nisur me autobusë drejt qyteteve të Krujës, Beratit dhe Tiranës, ku do të vizitojnë qendrat historike dhe muzeale.

Një pjesë e tyre kanë preferuar të qëndrojnë në Durrës për të vizituar Muzeun Arkeologjik të qytetit si dhe Amfiteatrin antik.

Autoriteti Portual Durrës ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual.

Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë ankoruar 11 kroçera me 2.194 turistë gjithsej – bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.

Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shipping” mësohet gjithashtu, se kroçera “La Belle De L’Adriatique” me një gjatësi prej 110 metra mbërriti në Durrës sot paradite, pas dy ndalesave në Sarandë dhe në Vlorë, ndërsa në mbrëmje vonë do të niset për në portin e Tivarit (Mali i Zi). Me këtë kroçerë po udhëtojnë 154 turistë nga shtatë vende të Evropës, 135 prej të cilëve nga Zvicra.

Kroçera “Seven Seas Voyager” ka një gjatësi 206 metra. Turi i saj 11-ditor përveç Durrësit përfshin disa nga portet e njohura turistike të Mesdheut, si Saint Tropez, Monte Carlo, Venecia, Sorrento, Venecia, etj. 723 udhëtarët e këtij turi vijnë nga 22 vende të ndryshme, por pjesa më e madhe janë turistë nga SHBA, 476 vetë, dhe nga Britania e Madhe, 97 të tjerë./atsh

877 turistë me dy kroçera, vizita në qendra historike dhe arkeologjike Read More »

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut e ka transformuar plotësisht plazhin, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut, një prej investimeve të fundit të realizuara në bashkinë e Himarës, e ka transformuar plotësisht plazhin në këtë pjesë të bregdetit të Jugut, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri.

Turistë të huaj, nga vende të ndryshme, si Polonia, Rusia, Çekia, Italia, Gjermani, Franca, Ukraina, Bjellorusia, Maqedonia, shqiptarë nga Kosova, kanë zgjedhur të pushojnë dhe të shijojnë detin e mrekullueshëm të Jonit dhe gjithçka ofron natyra dhe njerëzit, në këtë pjesë të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë.

Në orët e mbrëmjes, shëtitorja është plot dhe po ashtu edhe lokalet përgjatë saj.

Ky është tregues i drejtpërdrejtë i këtij projekti, që nisi vitin e kaluar, për t’u shndërruar në një realitet të këndshëm për pushuesit, banorët e zonës dhe operatorët e shumtë turistikë.

Dhërmiu, i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më shumë se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku – lagjja e dytë dhe Dhërmiu – lagjja e tretë dhe më e madhja, e cila i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës që janë zonat emblemë të turizmit shqiptar.atsh

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut e ka transformuar plotësisht plazhin, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri Read More »

“Kala Festival”, 5 mijë turistë nën ritmet e muzikës ndërkombëtare në Rivierën Shqiptare

“Kala Festival” në bregdetin e Dhërmiut gjatë këtyre ditëve ka mirëpritur 5 mijë vizitorë të huaj të cilët po argëtohen nën ritmet e muzikës dhe bukurive që ky vend ofron.

Turistët e huaj gjatë fazë së parë të këtij eventin që organizohet nga data 12-19 qershor po shijojnë gjatë natës ritmet e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, dhe po ekspolorojnë shtigjet dhe bukuritë bregdetare të Rivierës Shqiptare.

“Kala Festival, një nga organizimet e jashtëzakonshme të kësaj vere, që e ka shndërruar Rivierën Shqiptare, në bregdetin e muzikës, rinisë e atmosferës së festës. Mbi 5 mijë turistë po shijojnë jo vetëm skenat e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, por edhe bukurinë e Jonit e mikpritjen turistike shqiptare”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Klosi shprehet se, “muzikë, argëtim, drita e ngjyra në skenat gjigande të improvizuara në bregdetin e jugut, në Kala Festival. Promovim i turizmit, zhvillim i biznesit lokal, marketim i Shqipërisë turistike”.

“Kala Festival” në këtë vit do zhvillohet në dy faza, e para në datat 12-19 qershor dhe faza e dytë 20-25 qershor. /atsh

“Kala Festival”, 5 mijë turistë nën ritmet e muzikës ndërkombëtare në Rivierën Shqiptare Read More »

Vlorë/Kroçera “La Belle De L’Adriatique” sjell 152 turistë francezë dhe zviceranë

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ditën e sotme në portin e Vlorës ka mbërritur kroçera “La Belle de l’Adriatique” me 152 turistë francezë dhe zvicerianë.

“Turistët janë mirëpritur nga stafi i portit dhe iu është ofruar informacion në lidhje me portin dhe zonat turistike të qytetit”, bën të ditur porti i Vlorës.

Pas vizitës në port dhe në qytetin e Vlorës, turistët do vizitojnë qytetin antik të Apolonisë, ndërsa më pas do vizitojnë qytetin e Durrësit.

Kroçera “La Belle De L’Adriatique” mbërriti për herë të parë këtë vit në portin e Vlorës me 183 turistë më 16 shkurt, ndërsa deri tani është ankoruar disa herë në portin e dytë më të madh në vend.

Masat e marra gjatë sezonit të fundit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve turistike kanë bërë të mundur që gjatë 2018 numri i jahteve, kroçerave dhe anijeve turistike në vendin tonë të rritet ndjeshëm krahasuar me 2017.

Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej në javët në vazhdim./atsh

Vlorë/Kroçera “La Belle De L’Adriatique” sjell 152 turistë francezë dhe zviceranë Read More »