Turizem

Madhështia e malit të Gjallicës

Në ditën e festës së malit të Gjallicës, pjesë e Parkut natyror Korab-Koritnik, të rinjtë e grupit Smile Albania së bashku me punonjësit e AdZM Kukës organizuan një udhëtim njohës e promovues të vlerave natyrore dhe turistike të kësaj zone.

Ata zhvilluan një itinerar turistik duke kaluar nëpër monumentet e natyrës që kjo zonë ka nga Kroi i Bardhë, Rrobulli Laku i Topojanit, Kroi i Kuq, Kroi i Kishës, Kroi i Tanzot deri në Majën e Gjallicës.

Gjithashtu grupi i Smile Albania Kukës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura Kukës dhe Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, bënë ngjitjen e Malit të Gjallicës, 2489 m mbi nivelin e detit pjesë e Parkut Natyror Korab- Koretnik.

Maja e Gjallicës është tashmë një destinacion për turistët dhe të pasionuarit e ngjitjes të cilët gjatë udhëtimit të tyre, shoqërohen edhe nga mikpritja e banorëve të zonës ku është pikënisja e udhëtimit.

Gjallica është mali më i lartë në rrethin e Kukësit me lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Ai ngrihet në lindje të qytetit të Kukësit, mes Malit të Koritnikut dhe atij të Kolesjanit.

Lumi i Lumës ka gërryer një kanion të thellë mes Malit të Koritnikut dhe Gjallicës, duke formuar Grykën e Vanave, kurse në jug, Gjallica ndahet nga Mali i Kolesjanit nga një përrua që ka formuar një kanion po ashtu të thellë. /atsh

Madhështia e malit të Gjallicës Read More »

Saranda ‘pushtohet’ nga turistët e huaj, 3150 me kroçerën “Msc Musica”

Qyteti i Sarandës me plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore po shënon një fluks të lartë turistësh të huaj në ditët e para të gushtit, që përkojnë edhe me kulmin e sezonit turistik.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “rreth 1500 turistë vijnë çdo ditë të javës vijnë me tragetet e linjës Sarandë Korfuz-Sarandë”.

“Ndërsa gjatë ditës së djeshme në portin e Sarandës mbërriti kroçera Msc Musica, e cila vjen çdo të enjte nga Pireu në orën 12.00 dhe largohet për Dubrovnik në orën 20.00. Në bordin e kroçerës ishin rreth 3150 turistë të huaj”, thekson porti.

“Turistët janë nga vende të ndryshme si “Austri, Belgjikë, Brazil, Bullgari, Danimarkë, Gjermani, Hungari, Iran, Itali, Spanjë, Zvicër, Ekuador, Poloni, Rusi, Uruguaj, Zelanda e Re, etj.

Turistët e huaj vizituan pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj.

Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, ku vetëm për këtë vit në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Kapiteneria e portit dhe autoritetet e tjera që operojnë në të ofrojnë mbështetje maksimale për turistët.

Plazhi i Pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një manastir, plazhi i Pasqyrave, i Ksamilit, etj., ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare. /atsh

Saranda ‘pushtohet’ nga turistët e huaj, 3150 me kroçerën “Msc Musica” Read More »

Wanderlust: Eksploroni kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë!

Kryeqyteti i Shqipërisë është një perlë e Ballkanit, e pazbuluar nga shumica e njerëzve. Duke u nisur nga Piramida e Tiranës, sheshi “Skënderbej”, deri te xhamitë e zbukuruara dhe muzetë të ndërtuar brenda bunkerëve atomikë, ka ende shumë për të zbuluar, shkruan Sam Baker i faqes së njohur turistike britanike wanderlust.co.uk.

Nëse ndaloni në Ballkan për një aventurë në natyrë, mos e përjashtoni mundësinë për të vizituar kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë me kuriozitete si bunkerë dhe piramida që mund t’i eksploroni.

Ja gjërat më të mira për të bërë në Tiranë

Ngjituni me teleferik në Dajt

Bukuria natyrore e Tiranës shtrihet në malet që rrethojnë qytetin. Përfitoni nga një ditë me qiell të pastër për t’u ngjitur në malin e Dajtit.
Një udhëtim 20 apo 30-minutash me autobus nga qendra e qytetit dhe gjatë ngjitjes do të ngeleni pa frymë nga pamjet e tij të jashtëzakonshme dhe lartësitë marramendëse.
Ia vlen të kryesh një udhëtim që të ofron të shohësh pamjen e qytetit nga mali. Pas zbritjes nga Dajti Ekspres, ju mund të zgjidhni aventurën tuaj – mbase një lojë mini golfi, ose të vendosni të bëni një udhëtim qetësues më këmbë.

Bëni një fotografi me Piramidën e Tiranës dhe bunkerët e qytetit

Në shikim të parë, Tirana u ngjan qyteteve të tjera ish-sovjetike me ndërtesa të vjetruara që kufizojnë ndërtimet e reja dhe një mozaik gjigant, të stilit të realizmit socialist, të vendosur në qendër, në sheshin “Skënderbej”.

Duke ecur, ju mund të vëreni shtresa betoni. Këto janë bunkerë nga ditët e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili i ndërtoi ato në një moment paranojë si një shprehje e politikës së izoluar pas shkëputjes së kombit nga Bashkimi Sovjetik.
Po aq i çuditshëm dhe me një stil të rreptë të arkitekturës
Piramida e Tiranës shërbeu për një kohë të shkurtër si Muzeu i Enver Hoxhës, pas vdekjes së tij. Duke marrë shumë qëllime që nga ajo kohë, piramida e tanishme e mbuluar me mbishkrime tërheq më shumë vëmendje pikërisht për shkak se tani nënkuptonte një armiqësi ndaj Hoxhës.

Shëtitje rreth liqenit në Parkun e Madh

Për ajër të pastër, shkoni në Parkun e Madh të liqenit në pjesën jugore të qytetit. E ndërtuar për të ofruar më shumë gjelbërim në këtë qytet urban, Parku i Madh është zonë e njohur për vendasit dhe vizitorët.

Në park gjendet një liqen artificial, i rrethuar nga kodra piktoreske. Shëtisni rrugët rreth liqenit, shikoni njerëzit që qëndrojnë në stola ose pini diçka në një kafene buzë liqenit.

Njihuni me historinë komuniste të Shqipërisë

Për të kuptuar historinë e të kaluarës komuniste të këtij kombi ballkanik dhe sesi i ka formuar shqiptarët, vizitoni një nga muzetë e Bunk’Art. Nëse jeni një adhurues i historisë, duhet t’i vizitoni të dy. Bunk’Art iu njeh me një pasqyrë më të gjerë të jetës së përditshme gjatë epokës komuniste. Ky muze ndodhet në bunkerin atomik të ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, në periferi të Tiranës.

Bunk’Art 2 është lehtësisht i arritshëm në qendër të qytetit. Një eksperiencë e frikshme nëntokësore, ky bunker përqendrohet në historinë e policisë politike dhe viktimat e tyre nën regjimin komunist.

Shijojeni si një vendali kulturën e kafesë në Tiranë

Kultura e kafesë është një pjesë thelbësore e jetës në Tiranë dhe mëngjesi nuk bën përjashtim. Por, kini kujdes: shumë kafene nuk shesin asgjë për të ngrënë.

Para se të uleni në një bar, ndaloni në një furrë lokale dhe merrni një byrek, një trekëndësh prej petësh, i mbushur me djathë të freskët ose me spinaq.

Pasi të blini byrekun dhe të gjeni një kafene me verandë, mos ngurroni të porositni lëng frutash të freskëta, përveç pijes tuaj të preferuar të ekspresit. Lëngjet shpesh janë të bëra në shtëpi.

Prandaj uluni dhe shijoni rrjedhën e këndshme të udhëtarëve të mëngjesit.

Vizitoni xhaminë dhe selinë bektashiane

Prirja shqiptare ndaj tolerancës fetare është një parim i identitetit të saj kombëtar. Filloni një bisedë me një shqiptar dhe është e zakonshme të dëgjoni se babai është mysliman dhe nëna ortodokse katolike.

Sekti bektashi i Islamit është i vendosur në Tiranë. Një vizitë në xhaminë e tyre të bukur është një domosdoshmëri. Muzeu poshtë xhamisë përshkruan në detaje historinë e bektashinjve dhe besimin e tyre tolerant islamik.

Xhami më të zbukuruar ju nuk mund të gjeni në të gjithë botën.

Zbuloni traditat shqiptare (dhe alkoolin)

Në gjysmën e rrugës midis një dyqani antik dhe një bari të modës, bar-muzeu “Komiteti” ekspozon objekte kulturore të tilla si rrobat shqiptare, pajisjet bujqësore të fermës, që varen nga muret dhe tavani.

Ky është edhe vendi më i mirë për të provuar pijen alkoolike kombëtare shqiptare, e njohur si raki. Ajo shërbehet atje në një larmi shijesh.

Nga sherbela deri tek boronica, këto aroma e bëjnë shijen e rakisë të tolerueshme dhe, në disa raste, madje, edhe mjaft të shijshme.

Kënaqësia e tetë pjatave të preferuara të Shqipërisë

Darka në restorant “Mullixhiu” nuk mund të anashkalohet në Tiranë. E vendosur në afërsi të Parkut të Madh dhe liqenit artificial, ky restorant tradicional ofron një vakt me gjashtë ose tetë gjërash të ndryshme për 13-15 euro.

Një përvojë e këndshme, me varietete nga djathërat vendas dhe supa e pasur me kunguj deri te mish i kecit dhe buka e shtëpisë dhe makaronat.

Të paraqitura artistikisht, tek pjatat e “Mullixhiut” ndërthuren përbërësit tradicionalë shqiptarë me elegancën moderne. Në dyqane ju gjithashtu mund të blini disa dhurata të këndshme për t’i marrë me vete në shtëpi./atsh

Wanderlust: Eksploroni kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë! Read More »

Zoereport: Riviera Shqiptare të lë pa frymë

Shqipëria ka pamje panoramike që të lënë pa frymë, shkruan Karen Tietjen e faqes së njohur të biznesit thezoereport.com, drejtuar nga dizenjatorja, sipërmarrësja dhe shkrimtarja amerikane, Rachel Zoe Rosenzweig, e cila këtë herë ka përzgjedhur Sarandën, përkrah vendeve të tjera të famshme turistike si Spliti, ishulli i Visit, Valetta, Samosi dhe Efesusi.

”Nëse ëndrrat tuaja mesdhetare janë me ujëra të bruzta, gërmadha që thërrmohen dhe çmime interesante lokalesh të shoqëruara me verë, at[here mund t’ju vijnë ndërmend destinacionet e njohura si Roma, Athina ose Barcelona.

Dhe ndërsa këto vende mahnitëse janë po aq të mira sa reklama për to, është fakt se reputacioni i ka bërë destinacione udhëtimesh edhe pse çmimet janë në qiell.

Por, nëse do të shihni përtej këtyre grackave turistike, mund të zbuloni mundësinë për pushime të lira mesdhetare që ofrojnë të gjitha peizazhet, historinë dhe magjepsjen e homologëve të tyre klishe – thjesht duhet të dini se ku mund të shikoni.

Në krahasim me pjesën tjetër të Mesdheut, Riviera e Shqipërisë është relativisht e pazbuluar.

Ka pamje panoramike që të lënë pafrymë, plazhe të ngjashme me ato të Malit të Zi fqinj dhe Kroacisë dhe shumë rrënoja antike dhe qendra historike. Edhe në pikun e sezonit, është e mundur të gjesh plazhe bosh dhe fshati i afërt i Ksamilit ka me të vërtetë disa nga plazhet më të bukura përgjatë Mesdheut. Autobusi për në Ksamil kushton më pak se një dollar dhe ngrënia jashtë është dukshëm më e lirë në Shqipëri sesa kudo gjetkë përgjatë Mesdheut.

Pasi të keni pushuar dhe të jeni gati për aventurë, atje janë të shumta qendrat e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; qyteti i lashtë grek i Butrintit është 10 minuta larg me makinë dhe aty mund të gjesh një amfiteatër, manastir dhe një fortesë si dhe shumë male të bukura apo qytete bregdetare. Gjirokastra, një qytet i epokës otomane, ka qytetin e vjetër, një vend fantastik, një kështjellë të rrënuar të shekullit XII dhe pothuajse nuk ka turistë, përfundon Karen Tietjen e faqes së njohur të biznesit thezoereport.com, drejtuar nga dizenjatorja, sipërmarrësja dhe shkrimtarja amerikane, Rachel Zoe Rosenzweig./atsh

Zoereport: Riviera Shqiptare të lë pa frymë Read More »

Prestigjiozja britanike e udhëtimeve: Shqipëria, kjo perlë ballkanike, mes 25 vendeve të botës për t’u vizituar edhe në vjeshtë

Me bukuritë e saj natyrore dhe pasuritë e shumta kulturore, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend turistik i preferuar për turistët e huaj si edhe vijon të renditet nga mediet e huaja ndër vendet që nuk duhen humbur për t’u vizituar.

Si një destinacion turistik i njohur nga shumë turistë nga vende të ndryshme të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.

Kryeministri Edi Rama uroi sot Mirëmëngjes me një artikull të revistës prestigjioze britanike të udhëtimeve ”Condé Nast Traveller”, që e rendit Shqipërinë në vendin e 10 mes 25 vendeve të botës që nuk duhen humbur pa u vizituar edhe në vjeshtë.

“Mirëmëngjes dhe me renditjen e Shqipërisë me numrin 10 mes 25 vendeve të botës për të mos u humbur pa u vizituar edhe në vjeshtë nga prestigjiozja britanike e udhëtimeve Condé Nast Traveller, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

”Mund të mos jetë ende ‘Kroacia e re’, por edhe kjo është pjesë e qasjes, pasi kjo perlë ballkanike deri tani ka mbetur kryesisht jashtë vëmendjes”, shkruan ”Condé Nast Traveller”.

”Gjithmonë do të gjendet ndonjë aventurier i guximshëm, i gatshëm për të qenë i pari. Kështu pra, në Alpet e virgjëra shqiptare, Katerina nga Bruklini dhe partneri i saj shqiptar menaxhojnë një shtëpi në fermë me pesë dhoma të quajtur “Hotel Rilindja”, një oaz komod mes majave dhe livadheve, ku gjatë mbrëmjeve ka festa me mish dhie të pjekur dhe troftë rezervuari të freskët”, thekson revista.

”Ose mund të shkoni në Rivierën Shqiptare për rërën e artë dhe ujin e kthjellët mes ngjyrës blu dhe të gjelbër që lag limane të thepisura. Në verë, plazhet janë të mbushura me njerëz që kanë ikur nga Tirana – por, në shtator ata janë përsëri në punë, ndërsa moti vazhdon të jetë Mesdhetar dhe Adriatiku i ngrohtë”, shton ajo.

Revista prestigjioze e rendit Shqipërinë mes 25 destinacioneve kryesore të botës për turizmin, ku përfshihen mes të tjerash edhe Stambolli, Buenos Airesi, San Franciskoja, Polinezia Franceze, Japonia, Lisbona, Ibiza, Nju Jork, Siçilia, Korfuzi, Santorini, Budapesti dhe Barcelona./atsh

Prestigjiozja britanike e udhëtimeve: Shqipëria, kjo perlë ballkanike, mes 25 vendeve të botës për t’u vizituar edhe në vjeshtë Read More »

Sezoni turistik/ 1100 udhëtarë me tragete vetëm ditën e sotme në portin e Vlorës

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, ditët e para të gushit kanë shënuar një fluks të lartë udhëtarësh, të cilët kanë ardhur nga vendi fqinj, Italia.

“Gjatë ditës së sotme në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 1100 pasagjerë, 102 autovetura dhe 22 autobusa”, bën të ditur porti i Vlorës.

Sipas portit, një numër i konsiderueshëm i udhëtarëve janë emigrantë që kthehen për pushime në atdhe, por edhe turistë që vizitojnë Shqipërinë.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për ti shërbyer sa më mirë fluksit të ditës së sotme e në vazhdimësi.

“Me hapjen e terminalit të ri përpunimi i pasagjerëve dhe i automjeteve ka qënë cilësor dhe i shpejtë”, shprehet porti.

Vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 3050 pasagjerë dhe 440 automjete./atsh

Sezoni turistik/ 1100 udhëtarë me tragete vetëm ditën e sotme në portin e Vlorës Read More »

900 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit

900 të rinj francezë qëndruan në Vlorë për ta prezantuar atë si një destinacion të mirëfilltë në rrjetin e qyteteve turistike europiane, në kuadër të turneut sportiv, kulturor dhe solidariteti Europ’Raid.

Të rinjtë francezë të mahnitur nga bukuria e qytetit bregdetar, që ofron plazhe, monumente të shumta kulturore dhe peizazhe fantastike, zgjodhën për të tretin vit radhazi përsëri Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre.

Europ’Raid, përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 23 vendeve europiane dhe për t’i promovuar ato .

Të rinjtë u vendosën në plazhin e vjetër ku shijuan perëndimin e diellit, ushqimin dhe aktivitetin e përgatitur për ta.

Ata festuan deri në orët e para të mëngjesit nën tingujt e muzikës në një disko verore.

Organizatori i Europ’Raid, Benjamin Laidin, u shpreh se “jam shumë i lumtur që jam kthyer sërish në Vlorë, për herë të tretë dhe me një numër akoma më të madh turistësh. Më pëlqeu shumë Vlora, ishte një organizim perfekt dhe sigurisht vitin tjetër do të vijmë përsëri në këtë qytet të bukur”.

Ndërsa një i ri francez shprehet se “jemi të lumtur që jemi në Shqipëri dhe kemi shumë dëshirë të udhëtojmë dhe të zbulojmë vendin”.

Europ’Raid konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli … Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, Europ’Raid rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike europiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

Europ’Raid gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Turizmi shqiptar është futur tashmë në rrjetin e vendeve turistike europiane dhe botërore./atsh

900 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit Read More »

Vlorë, fluks i lartë udhëtarësh vendas e të huaj, 3050 në fundjavën e parë të gushtit

Sezoni turistik i këtij viti vijon të ketë një fluks të lartë udhëtarësh dhe turistësh të huaj, në portin Vlorës, i dyti më i madh në vendin tonë.

“Gjatë kësaj fundjave në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 3050 pasagjerë dhe 440 automjete”, bën të ditur porti i Vlorës.

Autoritetet portuale kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe turistëve që hyjnë apo dalin përmes portit detar të Vlorës, duke hapur sportele shtesë.

Gjatë sezonit të verës në port po punohet me 6 sportele në terminal për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe 3 për makinat.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit./atsh

Vlorë, fluks i lartë udhëtarësh vendas e të huaj, 3050 në fundjavën e parë të gushtit Read More »