Turizem

Rilindja urbane në Dhërmi, i rikthen shkëlqimin e munguar prej vitesh

Dhërmiu, fshati i 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës dhe një ndër fshatrat më të bukur të jugut, po rilind falë investimeve që po kryhen.

Rilindja Urbane në Dhërmi, po i jep këtij fshati një pamje të denjë për të mirëpritur turistët e shumtë por dhe banorëve një investim të munguar prej një dekade, si pjesë e programit qeverisës “100 fshatrat”.

Investimet në këtë zonë kanë për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama duke ndarë një album me foto ku shihet ndryshimi rrënjësor i Dhërmiut shprehet se, “deri dje i zhytur në zymtinë e harresës, sot Dhërmiu i vjetër po rinis të shkëlqejë, falë programit tonë të Rilindjes Urbane dhe një pune prej milingonash, gur pas guri e tjegull pas tjegulle”.

Projekti i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon shndërrimin e Dhërmiut në një qendër autentike dhe atraktive jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor të zonës.

Dhërmiu në territorin e tij ruan mbi 40 objekte kulti, monumente historike si dhe natyrore. Gjurmët e gjetjeve arkeologjike dëshmojnë se jeta në këtë fshat i ka fillesat që në prehistori. Sot fshati Dhërmi dhe plazhet e mrekullueshme përreth tij presin turistë të shumtë, sidomos gjatë sezonit veror. /atsh

Rilindja urbane në Dhërmi, i rikthen shkëlqimin e munguar prej vitesh Read More »

Sezoni turistik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor 415 inspektime në subjekte të ndryshme

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), ka zhvilluar inspektimet dhe gjatë kësaj jave në bregdet nga veriu në jug për të garantuar një sezon turistik të sigurt.

Gjatë kësaj jave në bregdet janë kryer 415 inspektime ku 68 janë ri-inspektime. Këto inspektime janë përqendruar në bare, subjekte akomuduese dhe në prodhimet ushqimore.

Në bare dhe restorante janë bërë 155 kontrolle, 72 kontrolle në subjekte akomoduese dhe 40 kontrolle në prodhuesitë ushqimorë. Nga kontrollet e kryer janë marrë 8 masa administrative, 2 vendime për mbyllje provizore të subjekteve dhe janë bërë 36 paralajmërime.

ISHSH ka si mision garantimin dhe respektimin e kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik si dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, me përjashtim të inspektimit të veprimtarive në fushën farmaceutike. /atsh

Sezoni turistik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor 415 inspektime në subjekte të ndryshme Read More »

“Mjalt fest” në Himarë, Klosi: Produktet vendase, ofertë e shtuar në paketën tonë turistike

Nga pedonalja e Himarës ku u cel edicioni i dytë i Mjalt Fest, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se festat lokale shumë shpejt do të kthehen në pika ku do të ketë ekonomi për prodhuesit e zonës, të cilët ofrojnë produktet e tyre për turistët e shumtë që frekuentojnë Himarën dhe të gjithë Shqipërinë.

Në ceremoninë e hapjes së panairit të mjaltit, ku ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, sipërmarrës të zonës dhe mjaft turistë, ministri Klosi theksoi se tashmë me ligjin e zejtarisë ka ardhur koha që pikat e rëndësishme turistike si Himara duhet të kenë vetëm produkte tradicionale shqiptare. Prodhimet e zejtarëve të traditës janë mundësia e artë për të ofruar më të mirën e vendit tonë për turistët e shumtë që frekuentojnë Shqipërinë gjatë sezoni turistik.

Ministri theksoi se një nga produktet që turistët duan të shijojnë kur vijnë në Himarë dhe që duan ta marrin me vete është mjalti, produkt që në këtë zonë është disa llojesh, gjithashtu një nga produktet më të shitura në panairin e qytetit bregdetar.

Ministri Klosi theksoi se festat lokale të organizuara në vende të populluara nga shumë turistë japin mundësinë pushuesve të njohin produktet tona tradicionale. Nga ana tjetër prodhuesit kanë mundësi që të testojnë produktet e realizuara prej tyre. Edhe kryetari i bashkisë vlerësoi festën si një mundësi të shtuar për pushuesit duke krijuar një atmosferë të veçantë.

”Panairi do të jetë i hapur për 2-3 ditë dhe do t’u japë mundësinë të gjithë turistëve të provojnë prodhimet e zonës dhe u jep mundësinë prodhuesve që të shikojnë reagimet e para karshi produktit të tyre. Idea jonë për të realizuar festat lokale në zonat turistike vjen për disa arsye: E para për të pasur mundësinë që prodhuesit vendas të ekspozojnë produktet e të kuptojnë se çfarë u intereson më shumë turistëve. Po ashtu festat lokale i organizojmë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve, për të pasur mundësinë që në këto atraksione turistike të shohin se çfarë prodhon komuniteti dhe së bashku me plazhin po ashtu të kenë mundësinë që të njohin dhe provojnë produktet e zonës”, tha ministri Klosi, sipas të cilit objektiv i rëndësishëm është që këto festa të kthehen në traditë.

“Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit për të organizuar së bashku me pushtetin lokal kudo festa të tilla, ku ka atraksion turistik pasi mendojmë që është shumë e nevojshme që Shqipëria të shoqërohet edhe me këto produkte dhe turistët që vijnë në Shqipëri përveç se të ndiejnë mikpritjen shqiptare, të ofruar edhe nëpërmjet projektit Smile Albania të kenë mundësinë që të testojnë edhe produktet vendase. Po ashtu në kuadër të ligjit të zejeve , tashmë ka një mbrojtje për zejtarët dhe për zonat si shëtitorja e Himarës, do të duhet shumë shpejt të ketë vetëm produkt shqiptar, të tregtohen prodhimet që bëhen nga zejtarët, nga ata që kanë një profesion por kanë edhe një traditë, për të ofruar më të mirën e vendit tonë”, tha ministri Klosi nga Himara.

Këtë vit Mjalt Fest mbahet në Himarë, ku përveç një panairi degustimi të mjaltit janë ekspozuar edhe produkte të tjera bio dhe artizanale të zonës, shoqëruar me muzikë dhe argëtim për të gjithë pushuesit. Gjatë ceremonisë u shpallën edhe fituesit e konkursit të mjaltit që përfaqësonin bletaritë më të mira nga katër qytete.

Mjalt Fest u organizua për të parën herë në vitin 2018 në Dhërmi në kuadër të politikave të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të nxitur zhvillimin e festave lokale si mundësi për të promovimin e produkteve tradicionale, bio dhe atraksioneve turistike të zonave të ndryshme në të gjitha bashkitë e vendit./atsh

“Mjalt fest” në Himarë, Klosi: Produktet vendase, ofertë e shtuar në paketën tonë turistike Read More »

800 jahte turistike vizituan Sarandën në janar-korrik

Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.

Në portin e Sarandës gjatë muajve janar-korrik të këtij viti vihet re një fluks i kroçerave dhe jahteve turistike.

Drejtoria e portit të Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “në muajt janar-korrik të këtij viti kanë ardhur 800 jahte turistike, 163 tragete turistike dhe 26 kroçera”.

“Duke e krahasuar me 2018 ka rritje të numrit të jahteve, si dhe dyfishim të trageteve turistike, pasi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar porti i Sarandës u vizitua nga 665 jahte turistike, 98 tragete turistike dhe 21 kroçera”, – tha Statha.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./atsh

800 jahte turistike vizituan Sarandën në janar-korrik Read More »

Spektakël dhe misteret e pasurive nënujore të Shqipërisë

Shqipëria njihet në gjithë botën për pasuritë nënujore që ndodhen në bregdetin e saj.

Në brigjet e thyer të Shqipërisë, një nga bregdetet më pak të eksploruara në botë, gjendet një pasuri e thesareve: anfore të lashta – anije të gjata dhe të ngushta terrakote që bartnin vajin e ullirit dhe verën përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, tregime të fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftëra botërore, formacione spektakolare shkëmbore dhe jetë detare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa fotografi mbresëlënëse nga pasuritë nënujore të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë spektakël të nënujit të Shqipërisë nga misteret e Jonit, në kaltërsinë e shpellave të Viroit të Gjirokastrës e të Petranit të Këlcyrës, ju uroj një fundjavë të qetë”, shprehet Rama.

Gjiri i Vlorës, Sarandës, Durrësit, Ksamilit, Karaburunit, Sazanit e deri në afërsi të Zvërnecit, përpos bukurive natyrore, fshehin relike të shumta të një rëndësie të veçantë historike. Zbulimi i këtyre pasurive nënujore me vlera të mëdha është në të mirën e Shqipërisë, si atraksione turistike. Shumë nga këto pasuri janë shumë të rëndësishme si thesare të trashëgimisë kombëtare/atsh

Spektakël dhe misteret e pasurive nënujore të Shqipërisë Read More »

Blogu i njohur: Të lundrosh me jaht në Shqipëri

“Lundrimi me jaht nëpër Shqipëri mund të jetë me interes, pasi në portin kryesor të Durrësit është krijuar një mol i veçantë për jahtet. Ne ishim atje muajin që kaloi. Të gjithë ishin të përzemërt dhe mikpritës”, shkruan blogu i njohur “Med Sailing” për portin e Durrësit dhe lehtësirat e krijuara për jahtet.

“Ne përdorëm dokun në Sarandë, ku ka shërbim për anijet, brenda zonës së sigurisë. Kjo funksionoi, por të shkosh në Durrës me jaht dhe jo anije tingëllon tërheqëse. Ne u kënaqëm me të vërtetë në Shqipëri. Aty ka lehtësira për ankorimin e tyre si edhe energji elektrike. Ai është vend i sigurt dhe me masa sigurie në portat hyrëse”, shkruan “Med Sailing”, blog i njohur në fushën e turizmit.

Sipas këtij blogu, porti i Durrësit është një vend i mirë për të lënë anijet për udhëtime në brendësi të vendit.

“Ne u informuam nga agjenti ynë se mund ta linim anijen për më shumë se një javë edhe pa një njeri që ta ruante atë. Ne donim ta linim anijen për pak ditë për një udhëtim nëpër male. Kostot për të qëndruar në port janë 60 euro dhe 10 euro për natë për jahtet, pavarësisht madhësisë së tyre. Këto janë të ardhura të mira për Shqipërinë. Aktualisht, vendi tjetër i sigurt për të lënë një jaht për pak ditë, pa një njeri që ta ruajë, është në portin e shtrenjtë të jahteve në Orikum, 70 euro për një natë për një jaht 14 metra të gjatë”, shprehet blogu “Med Sailing” në artikullin e tij./atsh

Blogu i njohur: Të lundrosh me jaht në Shqipëri Read More »

Ambasadori i OSBE-së në Parkun e Divjakës: Ua rekomandoj të gjithëve

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Boschard ka vlerësuar ambasadorët e turizmit shqiptar, të rinjtë e “Smile Albania” për giudën në zonën e Lagunës dhe parkut të Divjakës.

Në vizitën e tij të tretë, ambasadori është shprehur se i pëlqen shumë kjo zonë dhe se e rekomandon për të gjithë vizitorët, qofshin ata të huaj apo vendas.

“Shumë faleminderit për guidën tejet interesante. Kjo është vizita ime e tretë në zonën e Lagunës dhe Parkun e Divjakës dhe çdo herë e shijoj më shumë ndaj edhe e rekomandoj për të gjithë”, -thotë Boschard.

Nga ana e tij, ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur sfidën për të kapur 10 milion turistë në Shqipëri dhe për këtë është përgatitur një listë me problematika./atsh

https://www.facebook.com/klosiblendi/videos/723812704739228/?t=1

Ambasadori i OSBE-së në Parkun e Divjakës: Ua rekomandoj të gjithëve Read More »

Revista amerikane: Riviera shqiptare, pamje panoramike që të lënë pa frymë

“Në krahasim me pjesën tjetër të Mesdheut, riviera shqiptare është relativisht e pazbuluar”, shkruan në një artikull të publikuar në revistën amerikane “The Zoee report”, Katie Stepek, shefe për menaxhimin e fluturimeve të lira “Scott’ Cheap Flights”.

Stepek e rendit Shqipërinë bashkë me vende si Kroacia, Greqia, Malta, Turqia, ku mund të bësh pushime më të lira mesdhetare, që janë larg klisheve.

“Ka pamje panoramike që të lë pa frymë, plazhe të ngjashme me ato në Malin e Zi dhe Kroaci fqinje dhe shumë rrënoja dhe parqe historike. Edhe në sezonin e pikut, është e mundur të gjesh disa nga plazhet plotësisht bosh dhe fshati i afërt i Ksamilit ka gjasë disa nga plazhet më të bukura përgjatë Mesdheut. Autobusi për në Ksamil kushton më pak se 1 dollarë dhe ngrënia jashtë është dukshëm më e lirë në Shqipëri sesa praktikisht kudo tjetër përgjatë Mesdheut”, shprehet ajo.

Më tej, Stepek thekson se “pasi të jeni shplodhur dhe jeni gati për aventura, atje janë parqe të shumta të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; qyteti antik i Butrintit, i cili u pushtua nga kultura të shumta gjatë historisë është 10 minuta larg me makinë dhe përmban një amfiteatër, manastir dhe një fortesë, si dhe shumë qytete mjaft të bukura malore apo bregdetare. Gjirokastra, një qytet i epokës otomane, ka një qytet të vjetër fantastik, një kështjellë të shekullit të 12-të dhe praktikisht nuk ka turistë”./atsh

Revista amerikane: Riviera shqiptare, pamje panoramike që të lënë pa frymë Read More »