Turizem

Manastiri i Ardenicës dhe kisha e Karavastasë/ Gjurmë jetike të qytetërimit tonë, destinacione për t’u zbuluar nga vizitorët

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ftoi sot qytetarët që të vizitojnë Lagunën e Karavastasë, ndërsa sugjeroi vizitën në manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë.

Braçe shprehet se “këto janë gjurmët jetike të qytetërimit tonë”.

“Diell ka përsëri, vapa sapo ka nisur. Kështu që përfito edhe një herë e bëje të dielën tënde ndryshe! Vizito dy pasuri të jashtëzakonshme të religjionit e kulturës shqiptare, qytetërimit tonë, manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë”, tha ai.

“Dëgjo, mëso, shiko, pyet e merr përgjigje, ndiz një qiri për vete e të dashurit e tu! Më beso është krejt tjetër gjë! Nise në manastirin e Ardenicës në Kolonjë, Lushnjë, të çon autostrada aty. Ngjitu sipër në një kodër pishash dhe e dallon lehtësisht nga arkitektura. Pastaj kthehu pas, tek Pushimi i Shoferit merr majtas drejt deri në fshatin Gur, aty merr majtas përsëri e vijon drejt për në Karavasta, Divjakë. Rruga të çon vetë deri tek kisha e kuqe e Shën Thanasit! Qetësi, paqe, histori, art, qytetërim, besim i fortë në Zot qysh para 250-300 vitesh”, vijon Braçe.

Ai shprehet se” veç detit, lagunës, parkut, kodrave të pyllëzuara e me liqene plot, vizitorët mund të shkojnë edhe në kishat tona”./atsh

Manastiri i Ardenicës dhe kisha e Karavastasë/ Gjurmë jetike të qytetërimit tonë, destinacione për t’u zbuluar nga vizitorët Read More »

NEX24: Shqipëria e sigurt nga COVID-19 edhe për turizmin shëndetësor

Pandemia COVID-19 po mban pezull tërë botën. Ndërsa vende të tilla si Italia, Spanja dhe Franca kanë pasur një numër të lartë vdekjesh, kriza për Shqipërinë deri më tani ka qenë relativisht e butë. Kufijtë tashmë janë hapur dhe po mbërrijnë turistët e parë për qëllime shëndetësorë, shkruan faqja e njohur NEX24, që ka biseduar me Dritan Gremin, i cili drejton një klinikë dentare në Tiranë.

Zoti Gremi, ju jeni një sipërmarrës i njohur në vendin tuaj. “Klinika Gremi – Udhëtimi dhe Buzëqeshja” ka vite që është aktive në turizmin shëndetësor, veçanërisht në fushat e trajtimit dentar dhe kirurgjisë kozmetike. Sa e vështirë ishte për ju të rifilloni operacionet pas mbylljes nga COVID-19?

Po, si çdo sektor tjetër ekonomik, klinika jonë u detyrua të bënte pushim. Për fat të mirë, klinika rifilloi operimet pas gati dy muaj e gjysmë mbyllje dhe ishte në gjendje të mirëpriste pacientët e parë të huaj. Meqenëse shërbimet që ne ofrojmë janë pjesë e turizmit shëndetësor, turistët e parë në Shqipëri mund të kenë qenë edhe pacientët tanë. Kufijtë fillimisht u hapën për turizmin shëndetësor. Aktualisht ne ofrojmë shërbimet tona për 40 pacientë të huaj, kryesisht nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet bota dhe kufizimet e udhëtimit midis vendeve, kjo mund të shihet si një fillim i mirë për këtë sezon.

Sa i sigurt nga pandemia mund të ndjehet një pacient i huaj i cili vjen në klinikën tuaj?

Në klinikën tonë nuk ka pasur mungesë higjiene apo të masave mbrojtëse as përpara pandemisë. Sidoqoftë, që nga shpërthimi, ne kemi intensifikuar përsëri masat tona dhe kemi futur protokolle të larta sigurie kundër Covid-19. Këto masa në tërësi dhe zbatimi i tyre i rreptë garantojnë gjithashtu shëndetin e pacientëve dhe mbi 100 punonjësve. Të gjitha shërbimet që ne ofrojmë, të tilla si laboratorët, ambientet e akomodimit, baret, restorantet dhe shumë më tepër, përdorin udhëzimet më të rrepta të rekomanduara nga autoritetet më të larta shëndetësore.

Pse mendoni se udhëtarët duhet të zgjedhin Shqipërinë këtë vit?

Shqipëria ka qenë gjithmonë një destinacion i njohur udhëtimi. Por, tani që e gjithë bota po përballet me një pandemi dhe kufizimet që ajo sjell, numrat favorizojnë vendin tonë. Ballafaqimi siç duhet me situatën që nga fillimi i pandemisë ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të sigurta në rajon.Kjo është rezultat i masave të shpejta kufizuese të qeverisë, por edhe i solidaritetit që shqiptarët kanë treguar se respektojnë distancën shoqërore. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, situata tregoi se virusi qarkulloi në vendin tonë një muaj më vonë dhe nuk krijoi ndonjë burim të vërtetë infeksioni. Përveç kësaj, nuk ka raste të qytetarëve të huaj të infektuar në vendin tonë, që do të thotë se shërbimet e ofruara në strukturat e hotelit janë shumë të sigurta. Sa i përket klinikës sonë, duhet të theksohet se asnjë prej punonjësve tanë nuk është prekur nga Covid-19 në 30 ditët e kaluara.

Por, a janë të huajt të vetëdijshëm për këtë situatë pozitive dhe çfarë dëshirash kanë turistët për sezonin e ardhshëm?

Po, sigurisht. Unë besoj se kushdo që dëshiron të udhëtojë në Shqipëri, veçanërisht për të marrë kujdes mjekësor, është i interesuar të marrë një përmbledhje të përgjithshme. Në rastin tonë, kriza ekonomike që po e mban botën të pezulluar ka rezultuar në rritjen e kërkesës nga pacientët e huaj. Sidomos nga europianët që janë veçanërisht të interesuar për trajtimet e dhëmbëve. Përveç klimës dhe bukurisë natyrore, Shqipëria përfiton gjithashtu nga çmimet konkurruese dhe aspekti ekonomik është shumë i rëndësishëm për të gjithë pas pandemisë. Tashmë kemi prenotime për korrik, gusht dhe shtator. Për shkak të rritjes së numrit të pyetjeve, supozojmë se numri i prenotimeve do të rritet. Ne jemi akoma të përkushtuar në respektimin maksimal të të gjitha kërkesave të sigurisë, nga koha e pritjes në aeroport tek shërbimi i klinikës deri tek akomodimi në hotele apo restorante, të cilat, siç ju thashë, të gjitha menaxhohen nga ne. Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm për situatën aktuale në të cilën virusi është ende mes nesh. Përveç mikpritjes, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm në të cilin ka shumë bukuri natyrore për t’u shijuar, përtej sektorit të shëndetësisë./atsh

NEX24: Shqipëria e sigurt nga COVID-19 edhe për turizmin shëndetësor Read More »

Liqeni i Komanit, pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar

Liqeni i Komanit është kthyer tashmë në një destinacion turistik për vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot mirëmëngjesi me pamjen e këtij liqeni i cili është njëri ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti i’a vlen të vizitohen në Shqipëri, për ujërat dhe natyrën e veçantë.

“Mirëmëngjes me këtë lundrim të freskët në liqenin e Komanit, një pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar, ju uroj një të dielë të paqtë”, shprehet Rama.

I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit, Gjakovën me pjesën tjetër të vendit. Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve turistik vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe monumenteve të natyrës e historisë që gjenden në shtrirjen e brigjeve të tij. Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tre orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen. Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Lëvizjet turistike nëpër ujërat e Liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme. Për eksploratorët e natyrës dhe të historisë së zonës, të kulturës dhe të zakoneve, shfrytëzohen për fjetje e strehim bujtinat e rralla të fshatrave buzë liqenit./atsh

Liqeni i Komanit, pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar Read More »

Rikualifikim i fshatrave të jugut/ Impakt i menjëhershëm në turizëm

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku tregohet transformimi rrënjësor që kanë pësuar fshatrat turistikë të jugut.

“Mirëmëngjes dhe me fshatin e nonës dhe të nënës time ju uroj një fundjavë plot dritë si dashuria e gjysheve e mëmave tona”, është shprehur kryeministri Rama.

“Rikualifikim i fshatrave të jugut. Impakt i menjëhershëm në turizëm. Mirësevini në Vuno aty ku urtësia e të parëve, kalldrëmi qindra vjeçar dhe shtëpitë dhe shtëpitë kurorë rrëfejnë historikun e zonës”, thekson Kryeministri.

“Në mbrojtje të identitetit rinovuam qendrën historike Vuno, fasadat shtëpive, çatitë, rrjetin inxhinierik nëntokësor, kalldrëmin. Në bashkëpunim me bankën e Këshilli të Europës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës i dhamë jetë modelit të ri të fshatrave turistikë bregdetarë. Përmirësuam infrastrukturën e integruar publike. Sollëm uniformitet estetik. Ruajtëm trashëgiminë kulturore dhe historike, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik, ofertën turistike dhe ndërmarrjen e sipërmarrjeve të reja. Përmirësuam ambientet që ofrojnë shërbimin bazë. Punuam për rigjenerimin e sheshit dhe mobilimin urban. Për promovimin e denjë të objekteve turistike”, shprehet Rama për investimet e realizuara në Vuno.

“U habita nga bukuria, karakteri dhe pastërtia”, është shprehur Edward Lear për bukurinë e fshatrave të jugut./atsh

Rikualifikim i fshatrave të jugut/ Impakt i menjëhershëm në turizëm Read More »

“Një bukuri që se ke parë kurrë”/Braçe ftesë për të vizituar Belshin

Zëvendëskryeministri Erion Braçe fton qytetarët të vizitojnë Belshin në fundjavë, pasi ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore, liqene, pyje, ajër të pastër, bujtina dhe ushqim tradicionale, e një ditë më pas Divjakën perlën e turizmit në Shqipëri.

“Sot shkoni në Belsh. Nuk e dini ç’është. Akoma më mirë. U bezdise tani se je nisur rrugës për në Palasë ku çantat e vogla nën sqetull apo varur djagonalisht kanë nisur paradën. Kthehu! Ke qenë në Palasë e ke parë e ke paguar thjesht për të qenë. Diell ka kudo. Belshi është vetëm 56 minuta larg nga Tirana, kaq pak. Është një bukuri që se ke parë kurrë, s’ke ditur, s’ke mundur, s’ke dashur. Po e ke humbur ama”, shprehet Braçe.

Nëpërmjet një video, Braçe sjellë bukuritë e Belshit, nga më të bukurat në vend.

“Nuk ndodh kund në këtë vend që të gjesh bashkë kaq shume liqene natyrore, pyje rreth e rrotull tyre, ajër të pastër e gjelbërim natyral apo edhe të kultivuar prej njerëzish punëtore në çdo centimetër. Histori e kulturë, qytetërim të lashte do gjesh gjithashtu; Sport uji e tokë, plazh në ujëra të pastra natyrale, patjetër; Bujtina të vogla mikpritëse, ushqim biologjik që prodhohet nga tokat me të kultivuara natyralisht në mes te Shqipërisë. Bej Belshin sot dhe nesër patjetër Divjakën”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shton se “jemi bashkë në dhe shumë afër njeri-tjetrit, plotësojmë bukuritë, katalog mirësish”./atsh

“Një bukuri që se ke parë kurrë”/Braçe ftesë për të vizituar Belshin Read More »

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës

Bypass-i i Vlorës po merr çdo ditë e më shumë formë, duke u kthyer në një realitet, i cili shumë shpejt do jetë i prekshëm për të gjithë.

Në kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të asfaltit dhe deri në fund të muajit korrik 11,5 kilometra të këtij aksi do të jenë të asfaltuara.

Paralelisht po vijon puna me ritme të larta edhe në pjesën tjetër të këtij segmenti, përfshi edhe ndërtimin e veprave të artit.

Ambasadori i Bashkimit Europian, në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës.

“Bashkimi Europian është krenar që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës me një grant prej 20 milionë eurosh dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane për Investim prej 18 milionë eurosh kredi secila. Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën, dhe cilësia e jetës në Vlorë do të përmirësohet më tej”, deklaroi ambasadori Soreca. /atsh

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës Read More »

Rimëkëmbja e turizmit nga goditjet prej pandemisë/ BERZH, mbështetje Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) do të mbështesin Shqipërinë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit, që është goditur nga situata e COVID-19.

“Përhapja e shpejtë e koronavirusit ka pasur një ndikim masiv në shumë sektorë të ekonomisë globale, me turizmin duke qenë ndër më të goditurit. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) po bashkojnë forcat për të rritur rimëkëmbjen e sektorit të turizmit në 38 ekonomitë ku Banka investon”, shprehet BERZH në një njoftim për shtyp.

Sipas analizës nga UNWTO, të gjitha destinacionet në të gjithë botën futën kufizime në udhëtime në përgjigje të COVID-19 një veprim i paparë. Ndërsa disa destinacione kanë filluar të lehtësojnë kufizimet, kriza nuk ka mbaruar dhe ky bllokim ka çuar në një rënie masive të mbërritjeve turistike ndërkombëtare.

Në dritën e ngjarjeve të tilla të papara, EBRD dhe UNWTO kanë rënë dakord të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të lehtësuar rimëkëmbjen e turizmit.

Mbështetja aktualisht është parashikuar për një numër vendesh, përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Kroacinë, Egjiptin, Xhorxhinë, Greqinë, Jordaninë, Libanin, Malin e Zi, Marokun, Tunizinë, Turqinë dhe Uzbekistanin.

Përgjigja e menjëhershme u hartua përgjatë tre shtyllave të Pakos së Ndihmës Teknike të Rimëkëmbjes së Turizmit të UNWTO.

Ajo përfshin matjen e ndikimit të COVID-19, planet e rimëkëmbjes me stimuj për të ringjallur sektorin e turizmit, protokollet për të siguruar sigurinë e rritur, higjienën dhe sigurinë e turistëve dhe punonjësve, tregtimin e masave që mund të rritin kërkesën e turizmit, ndërtimin e kapaciteteve për turizmin zyrtarë dhe trajnime për ndërmarrjet e sektorit të turizmit në miratimin e protokolleve të reja. Një element kryesor është ruajtja e kapitalit njerëzor, si dhe përshtatja dhe forcimi i gjithë përfshirjes.

BERZH thekson se, Paketa e Ndihmës Teknike për Rimëkëmbjen e Turizmit e miratuar kohët e fundit, nga UNWTO përfshin tre shtylla përmes të cilave organizata planifikon të ndihmojë sektorin: rimëkëmbjen ekonomike; marketingun dhe promovimin dhe institucionale forcimi dhe ndërtimi i rezistencës.

BERZH është duke e ndërmarrë të gjithë veprimtarinë e saj në vitet 2020-2021 për të ndihmuar rajone të saj të luftojnë ndikimin ekonomik të pandemisë koronavirus, me investime që pritet të arrijnë deri në 21 miliardë euro.

Banka do të synojë të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë turizmin dhe mikpritjen të cilat janë prekur veçanërisht nga kriza COVID-19./atsh

Rimëkëmbja e turizmit nga goditjet prej pandemisë/ BERZH, mbështetje Shqipërisë Read More »

Sezon turistik i sigurt/ Vijon dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive

Në kuadër të sezonit turistik të sigurt, nga veriu në jug të vendit po vijon procesi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe ato urbane, sipas vatrave të nxehta të përcaktuara nga Institui i Shëndetit Publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se ky program i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve dhe për një sezon turistik të sigurt, nuk do të ndalet.

Programi kombëtar i dezinsektimit nuk është ndalur që në javën e parë të muajit maj dhe po vijon në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive me prani të larvave të mushkonjave. Ky është një program kontrolli dhe parandalimi i cili po vazhdon të kryhet në zona të rëndësishme për turizmin dhe shëndetin publik.Për një sezon turistik të sigurt, aktualisht kanë përfunduar 3 trajtime në të gjitha zonat dhe ka filluar trajtimi i katërt. Trajtimi i katërt ka përfunduar në zonën e Kavajës, Divjakës, Sarandës dhe Vlorës dhe po vijon në zonën Tiranë-Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier.

“Shërbimi i dezisektimit ka vazhduar në vatrat e specifikuara problematike gjatë monitorimit nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Monitorimi entomologjik dhe monitorimi i shërbimit është kryer në bazë të një udhëzuesi dhe protokolli pune të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik”, informoi Manastirliu.

Sipas saj, “shërbimi i dezinsektimit parashikohet të vazhdojë deri në datë 20 tetor 2020”.

Programi i Kontrollit të Mushkonjave bazohet në kontrollin larvor me anë të agjenteve biologjik Bacillus thuringensis israelensis dhe barrierave fizike. Ky është një program kontrolli dhe parandalimi në zona të rëndesishme për turizmin dhe shendetin publik, me vektorë potenciale të pranishëm. Siperfaqet e trajtuara janë vatra pozitive për pranine e larvave të mushkonjave në zona urbane, në ligatina, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, puseta, bodrume, gropa septike etj. Në parqet kombëtare është rekomanduar përdorimi i agjenteve biologjik, si e vetmja alternative për kontrollin e mushkonjave dhe ruajtjen e biodiversitetit në këto habitate’.

Procesi i dezinsektimit nisi për herë të parë në vitin 2014, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, për të reduktuar praninë e mushkonjave gjatë sezonit turistik, një proces me rëndësi për uljen e mundësisë së transmetimit të sëmundjeve infektive dhe shqetësimeve nga pickimet dhe reaksionet alergjike që shkaktojnë ato në persona të ndjeshëm. /atsh

Sezon turistik i sigurt/ Vijon dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane për eliminimin e vatrave aktive Read More »