Turizem

Mrekullite e fshehura te Vlores dhe magjia e tyre

Të shkosh në Karaburun në ditët e sotme mund të quhet edhe privilegj. Harku “moratorium” vijon ta mbajë “mollë të ndaluar”, pa dhënë hapësira në eksplorime të tilla. Ndoshta kështu e pashë veten edhe unë, teksa rastësisht ndodhesha në një barkë me miq të huaj. Dy italianët e njihnin zonën shumë më mirë se unë, vendësja. Teksa gomonia çante ujërat, hera-herës tregonin në drejtim të bregut. Pamje mahnitëse, të cilat i prekja për herë të parë. Ideja se një ditë mund të shkoja deri në Karaburun kishte mbetur e tillë, pa mundësi të tjera praktike, për t’u konkretizuar në një ditë fundgushti. Të jetosh në Vlorë pa mundur ta njohësh të plotë, këtë e vuajnë jo pak, ndërsa qyteti mban brenda tij mrekullinë natyrore, turizmin kulturor, legjendën…

Në një bisedë me studiuesin Bardhosh Gaçe, ai shprehet se sipas studimeve të qendrës botërore të turizmit në Bruksel, 40% e turistëve vijnë në Mesdhe. Por interesi i tyre është për të vizituar qendrat e mëdha të antikitetit që ka Mesdheu dhe botën etnokulturore. E ndërkohë, sipas tij, bregdeti i Vlorës ka jo pak elemente të tilla që do të tërhiqnin këdo nëse do të kishte pak më tepër orientim, pasi në Vlorë nuk bëhet vetëm plazh. Ajo fsheh shumë më tepër sesa aq.

Ndërmjet legjendës dhe reales

Ka disa vende në Vlorë, të cilat jo vetëm dallohen për veçantinë e tyre, por mbartin edhe copëza “historie”. Pas Sarisalltëkut në qytetin e Krujës, e dyta qendër botërore bektashiane në Shqipëri, njihet Kuzum Babaja. Dhe e treta, maja e Çukës, ku prehet Abaz Aliu në Tomorr. Legjenda thotë se Çoban Babai erdhi nga viset e largëta në mesjetë për të përhapur bektashizmin në Shqipëri. Dhe nuk e besonin që ishte shenjtor.

Madje banorët e Vlorës e përgjakën, pasi nuk besuan që ishte i tillë. Dhe ai, që ta besonin se ishte shenjtor dhe mbronte qytetin nga të këqijat, nga sëmundjet, nga epidemitë, preu kokën e tij, e mori në dorë dhe u ngjit 147 hapa mbi qytet. Në kodër. Dhe që atëherë Kuzum Baba-ja u bë një nga vendet e pelegrinazhit që njihet dhe në 1460-n apo 1510-n në dokumentet turke. E përshkruan dhe një nga dijetarët më të mëdhenj, Çelebiu i Turqisë. Sot kjo qendër është e rikonstuktuar dhe është një qendër fetare, e cila ka vlera të mirëfillta.

Shpella e Haxhi Aliut

Po këtë udhëtim ka bërë dhe Haxhi Bektash Veliu, i cili duke qenë në Krujë, gjatë udhëtimit që bëri në Shqipëri, qëndroi disa kohë në Shpellën e Karaburunit. Dhe atje, deri në fillim të shekullit tonë, thuhej shpella e Haxhi Bektash Veliut i cili ishte misionar i madh. Por në fund të shekullit XIX, kapedani i detit, ulqinakasi Haxhi Ali Ulqinaku, me tartanët e tij që kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut, erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Dhe u bë 22 vjet mbrojtësi i këtyre brigjeve.

Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det. Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë. Në Karaburun ku ai jetoi ndodhet shpella me emrin e tij. Kjo shpellë është mjaft interesante dhe kërkohet që të vizitohet nga njerëzit. Brenda ka disa dhoma të mëdha. Një qetësi mahnitëse, por aty ka dhe llojet më të çuditshme të peshqve: mund të ketë dhjetëra e dhjetëra lloje peshqish brenda në të.

Legjenda e Jonit

Joni është një nga detet më të pastra që shtrihet që nga gjiri i Çamërisë deri në Karaburun. Jona ka qenë një vajzë e bukur ilire. Dhe ngaqë kishte vite të tëra që priste burrin të vinte nga mërgimet e largëta ku ai kishte shkuar, e hidhëruar rrinte mbi një shkëmb dhe papritur ra në det. Legjenda thotë se deti mori ngjyrën e syve të saj, ndërsa shkuma e detit ngjyrën e bardhë të fustanit të Jonës. Dhe kjo legjendë vazhdon të përsëritet tek emrat që njerëzit u vendosin vajzave në bregdet.

Jonufri

Në brigjet e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë, është një vend që quhet Jonufër. Sigurisht njerëzit e kanë konceptuar që vjen nga Joni, nga emri Jon. Por, nëse gërmohet pak më thellë dhe po të marrim dokumentet e shekullit XVI-XVII, aty ka qenë piktori i madh Onufri nga Berati, ishte dhe kisha e Onufrit, në rrëzë të shkëmbinjve. Aty ku është ndërtuar monumeti i Aksionistes, ka qenë kisha e tij. Sot në të ndodhen vetëm rrënojat, ndërsa po të gërmohet, mund të zbulohen themelet. Atje Onufri punonte ikona për 40 shtete të Evropës. Ai kishte 9 ndihmës.

Shumë interesante për këtë janë dokumentet e Vatikanit, që japin kronikën se Peshkopi i Durrësit iu lut piktorit Onufër që të bëhej kryeprifti i gjithë kishave të Himarës. Pra, nga Vlora deri në Sarandë. Dhe në dokumentet e Vatikanit është betimi i tij dhe pagëzimi prej peshkopit të Durrësit në detyrën e kryepriftit. Madje, po të shohim të gjitha pikturat murale që janë bërë në zonën e kishave të Himarës, është dora e Onufrit dhe ndihmësve të tij. Kjo është një pasuri e madhe kulturore. Tek ne kjo nuk shfrytëzohet, sepse duhet të ketë ciceron që të shpjegojë për vizitorët. Dhe nga ana tjetër, një rol të madh këtu duhet të luajnë institutet e monumenteve.

Vlora ka qendrën e institutit të monumenteve për gjithë Jugun e Shqipërisë.

Manastiret

Manastiri i parë që gjendet në dokumente është manastiri i Kaninës, Manastiri i Kllogjërit. Ndodhet 300 metra mbi fshat, pranë një kroi shumë të bukur. Nga manastiri kanë mbetur rrënojat. Siç thuhet, ky manastir u dogj në vitin 1880 nga rrufeja. Në të ndodheshin rreth 150 murgjër, të cilët qëndronin aty për të mësuar. Ka pasur dhe bibliotekë. Murgjit mësonin për kurimin e sëmundjeve të lëkurës.
Pas këtij manastiri shfaqet ai i Marmiroit, në Orikum.

Por thuhej që në këtë manastir vinin edhe nga vende të Evropës. Më tepër vinin gratë që nuk lindnin fëmijë. Sot është kisha, janë krojet, vendet ku rrinin njerëzit. Dhe kjo është pranë qendrës së madhe arkeologjike të Orikumit, qytetit të Orikut. Pranë amfiteatrit, pranë objekteve të tjera. Marmiroi do të thotë “Ujë jetëdhënës” dhe njerëzit e besonin këtë. Që nga uji që del aty nga burimet, pinin ujë dhe kështu bekoheshin nga Zoti për të lindur fëmijë. Dhe ka ndodhur në shumë raste që njerëzit rrinin 15 ditë aty me pushime dhe pastaj bëheshin me shëndet mirë. Deri në 1905-n ka shënime të kronikanëve të ndryshëm që ky vend shfrytëzohej si i tillë.

Pas tij përmendet manastiri i Zvërnecit. Në Zvërnec një nga shenjtorët në hyrje ka një plagë në dorë. Kjo plagë dëshmon se ai ka shërbyer si shkollë në përgatitjen e “mjekëve” për sëmundjet e lëkurës. Por manastiri i Zvërnecit ka dhe vlera historike, sepse aty është varri i Marigo Pozios. Një gjë e tillë është e shkruar. Është bërë me mermer para disa viteve dhe vetë Marigoja e kishte lënë amanet të varrosej në atë manastir, që t’i gjente prehje shpirti. Dhe atdhetarët vlonjatë në ’37-n e varrosën aty. Qetësia midis pishave, bredhave dhe selvive është e mahnitshme. Dhe shumë njerëz venë për t’u kuruar e gjetur qetësi shpirtërore në këtë manastir. Sepse në këtë manastir ndodheshin edhe zërat e natës. Zërat e natës sipas besimit popullor u hiqnin shqetësimet njerëzve, brengat, dhimbjet dhe bënin pushimet në këto vende. Në fakt, në Shqipër ka disa vende të tilla.

Shpellat

Në pasuritë e Vlorës përfshihen edhe disa shpella, si: shpella e shkruar e Lepenicës, është Grama me mbishkrimet historike, por ka dhe disa shpella me stalaktike dhe stalakmite, siç është Shpella e Duk Gjonit, dhe Selman Aliut në Dukat.

Spile

Por shpella më interesante në brigjet shqiptare, është shpella e Spilesë në Himarë, ku sipas veprave “Iliada” dhe “Odisea”, në këtë shpellë është ndeshur Ciklopi me Odisenë. Ka mjaft autorë antikë që e përmendin një fakt të tillë. Deri edhe De Rada në studimin e tij e përmend Shpellën e Spilesë së Himarës për ndeshjen e Çiklopit me Odisenë. Kjo shpellë përmendet edhe Virgjili, tek “Eneida”.

Grama

Grama është një bibliotekë guri. “Biblioteka në gur” është brenda një gjirit të vogël buzë detit Jon, në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit. Nëpër shkëmbinjtë e këtij gjiri gjenden mbishkrime të gdhendura e vizatime të kohëve të hershme e të mesjetës. Duhet përmendur që këtë vend e ka eksploruar Moikom Zeqo. Përpara Moikom Zeqos këtë vend e ka eksploruar studiuesi i madh Ugolini. Dhe Baldaci dhe Piro Marcone, drejtori i institutit albaneologjik të Napolit kanë zbërthyer mbishkrimet. Ato janë të shekullit IV-IIV para erës sonë. Ka lutje të njerëzve ndaj perëndive për t’u mbrojtur nga furtunat e detit. Në gji ankoroheshin anije nga furtunat, nga sulmet që ndodhnin. Por aty janë marrë dhe gurë për ndërtimin e Durrahut, pasi Grama asokohe ka shërbyer edhe si gurore. Po të bësh një paralelizëm, ndoshta në miniaturë, gurët aty janë si piramidat e Keopsit. Ka dhe emra skllevërish, ilirësh të cilët kanë punuar dhe kanë vënë emrat në to. Por është edhe një perandor që ka udhëtuar nga Kostandinopoja për në Romë. Ka lënë mbishkrimin e tij duke treguar se si e zuri furtuna dhe si u strehua aty. Madje është edhe një Papë që ka qëndruar aty në shekullin XV. Të gjitha këto mbishkrime janë mjaft interesante dhe janë një pasuri mjaft e madhe që tregon jetën e banorëve të asaj zone në atë kohë.

Karaburuni

Zona e Karaburunit ka pasur 12 fshatra. Njerëzit më pas kanë emigruar në Itali, në vende si Kalabria e Siçilia. Pas vitit 1480, kur sulltan Sulejmani rrafshoi Labërinë, rrafshoi fshatra të tëra. Shekspiri kur ka shkruar për shitjen e skllevërve në Venedik, e thotë se janë nga malet Akrokeraune (malet e Vetëtimave), ku shkrepin rrufetë.

Karaburuni ka burime uji. Disa nga pikat e Karaburunit janë plazhi i Gramës, gjiri i Dafinës, Kepi (ku ka edhe vend për t’u ulur mjete të ajrit, është fusha e raketave). Aty janë ulur helikopterë që në vitet 1934-37, ndërsa ka pasur edhe vizitorë. Dikur Karaburuni ka qenë i banuar. Madje rezulton se deri në shekullin XVII-XVIII ka pasur banorë, të cilët më pas emigruan në Itali. Në Karaburun shkohet me anije, por ka edhe rrugë tokësore nga Pashalimani, e cila është e paasfaltuar.

Turizmi më i madh mund të bëhet në gjirin e Gramës, ku rruga është deri në 2,5 km. Aty ka dhe diçka tjetër të favorshme për turizmin, pasi ka blegtori. Ka edhe shumë bimë medicinale. Ka mbi 40 lloj bimësh medicinale. Madje aty mund të gjesh edhe valanidhim, që është një nga pemët më të shenjta, që e ruajnë ata. Gjiret në Karaburun janë të mahnitshme.

Sazani

Mësohet se ky ishull ka qenë i banuar që në Antikitet. Në kohën e Bizantit quhej fshati Shën Koll. Në kohën e Turqisë quhej fshati Sebep. Dhe ka pasur mbi 60 shtëpi. Të gjithë ishin thuajse detarë. Detarët bënin udhëtime të “çuditshme nga Gjibraltari deri në Dubrovnik. Të çuditshme sepse me mjetet prej druri që kishin, i habisnin të gjithë. Ishin mjete primitive. Ata zhvillonin tregti midis brigjeve të Vlorës, Ulqinit, Dubrovnikut, Spanjës dhe Anglisë. Sazani pas kohës së Bizantit ra në duart e turqve. Pastaj e morën grekërit, më pas italianët dhe në 1920-n e rimorën shqiptarët. Por mbeti i pashfrytëzuar, pasi shqiptarët nuk kishin mjete. Vetëm në tetor të 1944-s u kthye në një vend që u vu në shfrytëzim nga shqiptarët. Pas kësaj u krijua edhe reparti ushtarak, por edhe një fshat që kishte rreth 1800 banorë. Madje kishte edhe punishte të tipit rrobaqepësi, ku punonin rreth 200 gra. Sazani ka kishën e Shën Kollit, por edhe varri i Haxhi Aliut është aty. Monumenti i tij është i gdhendur në gur dhe është vënë çimentato, jo Bronz.

Një nga vështirësitë e Sazanit është çështja e ujit, pasi aty nuk ka ujë. Por njihet si vend i mirë për gjueti. Është gjuajtur shumë sorkadhja. Ka pasur dhi të egra dhe lepuj të egër.

Ndërsa për peshkimin njihet gjiri i Gjeneralit, Kepi i Pëllumbave, që janë vende shumë të mahnitshme për të bërë plazh, por edhe për të bërë gjuetinë e peshkut. Këto ndodhen në pjesën jugperëndimore të ishullit.

Turizmi në Sazan

Referuar turizmit, ishulli ka vlera të shumta. Vlera të tilla i ka falë qetësisë, erërave të detit. Sidomos në mbrëmje, Sazani ka një erë të ngrohtë. Madje mund të bëhen ndërtime turistike. Ka kodra, brigje dhe livadhe.

Shqipëria ka fatin që është një vend bregdetar. Fatkeqësisht në të gjitha guidat turistike për strategjinë e turizmit, nuk trajtohet si një vend i Mesdheut. Ndoshta është koncepti i shqiptarëve. Me gjithë këto porte, me gjithë këtë vijë bregdetare, me gjithë këtë rërë, me këtë peisazh të madh turistik bregdetar, Shqipëria zë një vend të nderuar, siç ndodh me Spanjën, Greqinë, Italinë, Kroacinë. Por vija e zhvillimit turistik do të jetë bregdeti, deti, portet dhe lëvizja turistike nëpër det. Bregdeti shqiptar është i pasur me gjiret e detit, me plazhet. Por, edhe me infrastrukturën e sotme që po zhvillohet në kushtet e hotelerisë dhe mjediseve të tjera turistike. Pra, në këndvështrimin e ri të zhvillimit turistik, ky bregdet, nga Velipoja deri në Butrint, ku zë një pjesë të madhe Vlora, brenda këtij peisazhi turistik, e kësaj industrie të re që po krijohet (ku ky koncept na mungon neve), ka mjaft pasuri të tjera etnokulturore.

Rezultate imazhesh për foto bregdetii vloresRezultate imazhesh për foto bregdetii vloresRezultate imazhesh për foto bregdetii vlores

Mrekullite e fshehura te Vlores dhe magjia e tyre Read More »

Shnderrimi i fshatrave:Rikthim magjise se mikpritjes Shqiptare

Cicërimat e zogjve dhe vesa e mëngjesit në kopshtet me lule, frutat e perimet, e një aromë që të ndjell në freskinë e saj drejt ndijesisë së një fjale të vetme: Jetë!

Me diellin e artë që shtrin gjerë e gjatë rrezet e tij mbi kodra, shpatet e maleve, çatitë e parmakët e shtëpive, tek sokakët e rrugicat, deri në fushat e mbjella, të gjelbra pa fund.

Me gatimet unike, të përgatitura në zjarrin bubulak e me shijen marramendëse që përveç se aty nuk e gjen askund.

Avllitë me gurë të sheshtë mbi të cilat rendin me hapat e tyre delikate, disi kureshtare pulat e zogjtë e shtëpisë.

Zhurmat e zileve të bagëtive që nisen nga stanet drejt kullotave herët në mëngjes e kthehen drejt staneve vonë në mbërritje të muzgut të parë të mbrëmjes.

Me të ftohtin që të picërron në dimër por që të mbush gjithë krahërorin me frymë e ajër të pastër, e për t’u ngrohur e qetësuar në zhurmën e kërcitjes së druve teksa digjen e lëshojnë flakë në oxhakun e vjetër të ngritur nga të parët e shtëpisë vite e vite më parë.

Me qiellin e hapur, të pastër plot yje, në vallëzimin e tyre të ngadaltë si një vals rreth hënës së madhe rrumbullake a gjysmë,  plot dritë.

Me tingujt e bulkthit dikur afër dhe larg që të kujtojnë dhe të ftojnë drejt mbrëmjes së paqtë e gjumit të qetë.

Si në përralla. Ky ka qenë dikur fshati shqiptar!

I lënë në harresë prej dekadash, por që sot duket se sytë janë kthyer drejt tij për të rikthyer magjinë e dikurshme e për të ftuar turistët e huaj dhe vendas të shijojnë më të mirën e Shqipërisë.

100 porta të hapura për turistët, vendas e të huaj  

E nëse për vet shqiptarët është nostalgjia ajo që i rikthen përherë pas me kujtime tek fshati, për turistët e huaj fshatrat shqiptarë janë një potencial i jashtëzakonshëm tërheqës.

Pamjet natyrale, malet e larta, kodrat, deti, liqenet, lumenjtë, përrenjtë, burimet e pafundme, gatimet speciale, prodhimet e freskëta, objektet kulturore, paqja dhe qetësia shpirtërore, jeta aty është një oaz që ndjell këdo me mrekullitë e tij.

Një projekt, së fundmi i qeverisë shqiptare synon të rizgjojë fshtrat, këtë copë parajse nga Shqipëria, duke përfshirë 100 fshatra nga jugu në veri.

Quhet “100 fshatra” dhe në projektin e qeverisë shqiptare ky do të jetë modeli i ri i zhvillimit rural shqiptar.

Ky projekt fton të gjithë sipërmarrësit që duan të ngrenë struktura agroturistike të çertifikohen dhe më pas të aplikojnë në Skemën Kombëtare, e cila kanalizohet nëpërmes AZHBR-së.

Konkretisht, qeveria do të mbështesë nga 50 % deri në 70 % të financimit sipas kategorive përkatëse çdo sipërmarrës apo investitorë që do të përfshihet në realizimin e këtij projekti.
Konkretisht pikat kryesore kur synohet që të rimëkëmbet zhvillimi i fshatrave e përmes tij turizmi rural ka të bëjë me ngritjen e bujtinave dhe shtëpitë mikpritëse, aktivitetin agroturistik.

Gijthashtu parashikohet nxitje të prodhimit tradicional, ngritjen e punishteve të vogla, makineri, paisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, nxitja e nizjes së bizneseve bujqësore nga të rinjtë (nga 22-35 vjec).

Parashikohet mbështetje për modernizimin e staneve, ngritjen e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale apo edhe ngritja e rrjetit të dyqaneve me prodhime shqiptare.

Një projekt ambicioz, i cili nëse realizohet vërtetë do të kthejë përgjithmonë faqen e zhvillimit të fshatrave shqiptarë duke i shndërruar ata në një fuqi për turizmin shqiptar.

Shnderrimi i fshatrave:Rikthim magjise se mikpritjes Shqiptare Read More »

Si te shkojme ne Gjirin e Gramates ose si e quajne vendasit Gjiri i …

Gjiri i Gramates (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Grames) ndodhet rreze shpatit perendimor te Gadishullit te Karaburunit. Ne nje zone te pabanuar ku mund te arrihet kryesisht nga deti (rruga tokesore eshte shume e veshtire per shkak te terrenit malor dhe reduktohet ne nje shteg te ngushte kalimi mushkash) gjendet nje plazh i vogel natyror me gjeresi rreth 50 m.Ne antikitet qe nga shek. VI p.e.r. shkembinjte masive qe gjenden ne kete Gji kane sherbyer si gurore per ndertimin e qyteteve. Ne muret e tij te gurta, gjenden shkrime te marinarve qe i shprehin falenderimin perendise Poseidon. Aty gjenden emra perandoresh dhe personalitetesh, midis te cileve dhe emri i mbretit ilir Gent. Sot perben nje vlere unikale per detin e Mesdheut. Ne kete zone ndodhet gjithashtu edhe shpella e Grames, muret e gurta te se ciles permbajne vizatime dhe shkrime shumica e te cilave i referohen mikpritjes se vendasve. Si te shkojme ne Gjirin e Gramates? Per te shkuar ne gjirin e Grames mund te ndiqet rruga nacionale Vlore-Sarande, pasi le mbas Parkun e Llogarase merr ne te djathte per ne plazhin e Perivollos qe ndodhet rrreth 2 km larg rruges kryesore por i vizitueshem me automjet.Mbasi arrin ne plazhin e Perivollos merr rrugen kembesore buzes se detit qe te con ne Gjirin e Grames .Rruga me e thjeshte eshte ajo me mjete lundrimi.

Si te shkojme ne Gjirin e Gramates ose si e quajne vendasit Gjiri i … Read More »

Fotografi rrëfen racizmin: Shkova në Kolashinin që mbahet nga shqiptarët dhe na trajtuan si legenë, ja çfarë i bënë autobuzit

Fotografi Andi Agaraj ka rrëfyer eksperiencën e tij të hidhur në Kolashin (Mal të Zi), në destinacionin aq shumë të preferuar për shqiptarët dhe vendin ideal për ski.

Agaraj thotë se nuk do shkelë më kurrë aty për faktin se sipas tij shqiptarët i trajtonin shumë keq e për më tepër, një prej autobusëve me shqiptarë në Podgoricë e goditën me vezë.

RRËFIMI:

Shkova dhe une per ski ne kolashin ne Mal te zi, dhe nuk shkel me, arsyeja se jam shqiptar, shqiptarin atje e trajtonin si legen, shkoje ne lokal te pije dicka nuk te vinte te merte porosine, shkoje ne banak per te porositur nuk te degjonte fare, shkoje per te mar ski, nuk te jepnin ste kthenin pergjigje, sa vinte malazezi i merte direkt skite.

Nje rracizem i papare ne nje vend turistik qe mbahet nga shqiptaret ku vetem dje ne kolashin mund te ishin mbi 2000 vet nga shqiperia. Pas gjithe peripecive qe kalonin shqiptaret ne kolashin vjen qershia mbi torte nje nga autobuzet shqiptar goditet me veze ne podgorice. Ky pra te dashur miq eshte turizmi qe bejne shqiptaret vetem perbuzje ne cdo hap qe hedhin. Eksperienca ime personale dhe shqiptareve qe pashe une dje ne kolashin.

Fotografi rrëfen racizmin: Shkova në Kolashinin që mbahet nga shqiptarët dhe na trajtuan si legenë, ja çfarë i bënë autobuzit Read More »

Shqipëria e 1914-ës… Fotot e rralla të një vendi që s’është më

Një Shqipëri që nuk ekziston më. Pamje të qyteteve shqiptare në vitet 1914-1918 të cilat do t’u befasojnë.

Imazhe nga Shkodra, Tirana, Vlora, Durrësi, Kruja, etj. të sjella me ngjyra rrëfejnë një një realitet aq tq larëgt gati të pabesueshëm.

“I jemi mirënjohës mikut të vjetër të Shqipërisë, z. Johen Blanken nga Hamburgu për dhënien në dispozicion të këtij koleksioni,” shkruan studiuesi Robert Elsie lidhur me albumin e fotografive të konceptuara si kartolina në ato vite.

Shqipëria e 1914-ës… Fotot e rralla të një vendi që s’është më Read More »

The Guardian: Shqipëria, në 20 vendet më të mira të udhëtimeve të aventurës

Shqipëria vazhdon të përmendet si njëra nga destinacionet më të mira të turizmit për vitin 2018, nga shumë gazeta në shtete të ndryshme.
Këtë herë, ka qenë prestigjozia britanike “The Guardian” që ka renditur Shqipërinë në 20 vendet ku ku mund të zhvillohet turizmi i udhëtimeve të aventurës.
“Ylli i Shqipërisë është në rritje, me më shumë udhëtarë që çdo vit dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e saj, siç janë Alpet në veri dhe plazhet e bukura të bardha të jugut”, shkruan The Guardian.
“agjencia e udhëtimeve ‘Frontiers Wild’ sugjeron dy aventura të reja për grupet turistike, nga një në çdo skaj të vendit. Në paketën tetëditore në jug të vendit, ecjet përgjatë bregdetit dhe shtigjeve malore e çon grupin drejt Rivierës Shqiptare, qyteteve otomane dhe parkut kombëtar të Butrintit”, -shkruan më tej britanikja.

The Guardian: Shqipëria, në 20 vendet më të mira të udhëtimeve të aventurës Read More »

Ja qyteti Shqiptar ne mesin e qyteteve me te bukura te Evropes

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë është renditur në vendin e dytë mes 30 vendeve më të bukura në Evropë.

E përditshmja britanike “The Telegraph” ka publikuar një artikull referuar Shoqatës Japoneze të Agjencive të Udhëtimit, (JATA) për qytetet më të bukura në Europë.

Në listën e publikuar mes 30 qyteteve, renditet edhe Berati në vendin e dytë.

“Mangalemi, në qytetin e Beratit shtrihet në brigjet e lumit Osum dhe është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në periudhën e mesjetës ka qenë një qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, që gjë e dëshmon kështjella e tij”, thuhet në shkrimin e publikuar nga “The Telegraph”.

Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë

Këto janë 30 qytetet më të bukura në Evropë, sipas Shoqatës Japoneze të Agjentëve të Udhëtimit (JATA)./ATSH

Më poshtë është lista e qyteteve sipas renditjes.

1. Kilkenny, Irlandë

2. Berat, Shqipëri

3. Civita di Bagnoregio, Itali

4. Procida, Itali

5. Conwy, Wells

6. Lech, Austri

7. Hindeloopen, Holandë

8. Lefkara, Qipro

9. Rovinj, Kroaci

10. Soglio, Zvicër

11. Visby, Suedi

12. Setenil de las Bodegas, Spanjë

13. Piran, Slloveni

14. Vlkolinec, Sllovaki

15. Marianske-Lazne, Republika Çeke

16. Quedlinburg, Gjermani

17. Bernkastel-Kues, Gjermani

18. Golyazi, Turqi

19. Reine, Norvegji

20. Sopron, Hungari

21. Koprivshtitsa, Bullgari

22. Porvoo, Finlandë

23. Saint-Cirq-Lapopie, Francë

24. Riqueëihr, Francë

25. Sint-Martens-Latem, Belgjikë

26. Zalipie, Poloni

27. Monsanto, Portugali

28. Ohër, Maqedoni

29. Kotor, Mali i Zi

30. Gura Humorului, Rumani

Ja qyteti Shqiptar ne mesin e qyteteve me te bukura te Evropes Read More »

Dukati:Fshati me histori dhe legjenda

Një nga zonat më të bukura në  rivierën e vendit tonë është padyshim edhe Dukati, i cili mban brenda vetes një shumësi rrethinash të vogla. Po si qëndron historia e këtij fshati që mban brenda vetes histori e legjenda të shumta.

Ka shumë historian e studiues që Dukatin e përshkruajnë si vendin ku kalonin vendin “Dukët” për shkak të bukurive natyrore. Po t’i referohemi fakteve që sjell profesor Eqerem Çabej të gjitha vendbanimet që kanë në emrin e tyre prapashtesën “at” kanë rrënjë qartazi, Ilire.

Ndoshta për këtë arsye, hapësira e madhe që përfshin fshati Dukat përmbledh edhe disa qytete antike, si për të treguar historinë fort të mistershme dhe mjaft të vjetër të këtij vendi.

Nëse përfshijmë banorët e Dukatit të vjetër atij të ri dhe Okrikumit, numri i banorëve mund të shkojë më shumë se 7 mijë banorë, ndërkohë që 3 a 4 mijë të tjerë janë shpërndarë në qytetet më të mëdha të vendit.

Ago Nezha, kryetari i shoqatës “Labëria” thotë se Dukati është një fshat, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë, me përmasa të gjera gjeografike dhe është një fshat për ta pasur zili jo vetëm për gjerësinë gjeografike, po edhe për resurset që ka ai brenda vetes.

Dukati ka 260 kilometra katrorë sipërfaqe, që është 1/5 e rrethit të Vlorës dhe 1/100 e gjithë Shqipërisë.

Fshati fillon tek Kepi i gjuhës dhe në vijë lienare dhe bregdetare është 91 km që përshkon malet Akrokeraune, që sot banorët i quajnë “Malet e vetëtimës”, shkon në Llogara, zbret në Palasë dhe harkon në malet e tjera në Çikë, në Tërbaç, në Vranisht, zbret në Tragjas më e më pas në Rradhimë.

Pra është një amfiteatër natyror që përveç madhësisë ka edhe një diversitet natyror të admirushëm.

Gjurmët më të hershme në këtë krahinë, i gjejmë padyshim në qytetin e lashtë të Orikut. Ai përmendet në fundin e shekullit të VI si një koloni e krijuar edhe më parë nga Eubeasit.

Megjithatë siç në rastin e Dyrrahut apo Apollonisë edhe Oriku u vendos në një qendër të banuar më parë. Vendbanimi shtrihej në gjirin e Dukatit ku u krijua edhe laguna nën të cilën ndodhen edhe rrënojat e pjesës tjetër të qytetit.

Banori i Dukatit Sofo Kuteli thotë se Dukati është një trevë me shumë vendbanime të hershme. “Unë mund të numëroj 8-9 vendbanime, që po të bësh disa gërmime gjen vlera të mëdha. Brisani, Ravena, Kanali, Maruka, Gjyrati, Erihoi e disa të tjerë”.

Kanë qenë shumë kronikan që kanë kaluar në këto anë dhe Dukatin e kanë përshkruar me nota shumë romantike duke filluar që nga Evlia Çelebia, i cili në kujtimet e tija shkruan që “Kalova nëpër Dukat dhe Dukati kishte brenda vetes së tij 100 fshatra”.

Çelebia i përshkruan dukatasit si njerëz shumë të veçantë, me një trimëri të rrallë e që nuk e njihnin tërheqjen.

Legjendat anë të shumta në këto anë dhe një prej tyre është që në Malin e Vetëtimës ka lindur Zeusi dhe këtë e mbështesin edhe shumë studiues, e një prej tyre është edhe ai anglez, Hamond.

“Këto quhen ‘Malet e vetëtimës’, vetëtima ka zot Zeusin dhe kjo është shtëpia e Zeusit”, kështu shprehet një nga banorët.

Më vitin 48 pas Krishtit, në Palasë zbarkoi Jul Çezari për t’iu ngjitur Llogarasë e për të shkuar në atë vend që edhe sot quhet qafa e Qezarit. Pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun.

Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Thuhet se Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit.

Sipas Mulla Isa Hasko, emri i këtij fshati duhet të ketë prejardhjen nga një monedhë e vjetër dhe me vlerë. Edhe Evilja Celebiu në librin “Shqipëria para dyqind vjetëve”, i përkthyer nga Sali Vuçiterni, hedh dritë mbi emrin e Dukatit.

Ndërsa Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës ose siç quhet sot mali i Rimit.

Në Dukat ndodhet edhe Kulla e Dervish Aliut. Në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike.

I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshtare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është ndërtuar në tokën e tij nga mjeshtrat vendas.

Ajo përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut.

Si pjesë më të rëndësishme të këtij ndërtimi përmendim kullën e vrojtimit, kullën mbrojtëse, divani me kollona guri e harqe, shtëpinë e bukës, odën e miqve e banesa të tjera ndihmëse.

Në banesën e ngritur mbi një truall kulmor janë hapur frengji (vende ku gjuanin luftëtarët) nga ku kontrollohet i gjithë territori përreth.

Kjo e shndërron këtë ndërtim në një kështjellëz të fortifikuar.

Kompleksi është shpallur monument kulture në vitin 1979. Si të shkojmë tek Kullat e Dervish Aliut? Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër.

Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkruhet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.

 

Dukati:Fshati me histori dhe legjenda Read More »