Kalaja e Lëkurësit mendohet nga historianët të jetë ndërtuar rreth viteve 1537, në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i Skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint.
Në vitet 1878 fshati u sulmua nga andartët grekë.
Zhdukja e ketij fshati dhe emigrimi i popullsise ka ardhur si pasojë e këtij sulmi.
Kalaja ndodhet midis rrënojave të fshati Lëkurës mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet sipër qytetit të Sarandës.
Ka një pozicion të veçantë strategjik nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrint.
Ka formë katrore me dy kulla të rrumbullakëta të vendosura në VP dhe JL.
Katrori me dy rrumbullake ne diagonale është simboli i lëkurëpunuesve në mesjete ne këto zona.
Kuptohet nga pozicioni i vendosjes që qëllimi kryesor i ndërtimit të kalasë ishte vrojtimi i detit. Lartësia e mureve arrin 6,7-7 m trashësia e tyre deri në 2 m.
Lezha është një nga zonat më të bukura dhe më të pasura të Shqipërisë, falë vendndodhjes së saj, buzë detit nga njëra anë dhe maleve nga ana tjetër, me një klimë dhe mikroklimë që do ta kishte zili çdo vend i botës. Begati dhe bukuri
Duke qenë nën ndikimin e klimës mesdhetare, me ditë me diell mbi mesataren e vendit, Lezha shquhet për prodhimet bujqësore e blegtorale, sidomos për perimet e herëshme, për prodhimin e patates e të bostanit, të frutave e të tjera produkte blegtorale. Prodhime të tilla si vera “Kallmet”, rakia “Lezha”, mishi i gjelit të detit i racës së njohur “Zadrima”, etj janë tashmë të njohura e vlerësuara në vend e jashtë tij. Vetë fakti që Lezha në të dy krahët rrethohet nga dy fusha pjellore, ajo e Zadrimës dhe e Bregut të Matit, ka në vetëvete premisën e zhvillimit si të industrisë për sektorin, ashtu edhe të agroturizmit, i cili është në fillimet e tij premtuese. Lezha për vetë pozitën gjeogafike që ka, turizmi bregdetar mbetet më kryesori. Rajoni ka një sipërfaqe turistike bregdetare afro 11 000 ha, vijë bregdetare prej 38 km (duke filluar nga Kepi i Rodonit dhe deri në Velipojë),me plazhet e mrekullueshme të Shëngjinit, Tales, Patokut, Godullit etj. Gjerësia e brezit bregdetar prej 3 km përbën një tjetër favor për zhvillimin e turizmit. Ndodhet në bregdet, në jug të Shëngjinit. Përbën një lagunë të vogël interesante të formuar nga akumulimet lumore e detare. Është e gjatë rreth 850 m dhe e gjerë rreth 400 m. Në të është formuar një ekosistem, ku dallohet një botë shumë e pasur bimore dhe shtazore. Ka vlera shkencore (biologjike), ekologjike. Për të vajtur tek ky monument natyre duhet ndjekur itinerari i rrugës automobilistike Lezhë- Shëngjin – Merxhan.
Plazhi i Shëngjinit
Është një prej plazheve më të përmendur të Veriut të Shqipërisë, i njohur veçanërisht për kualitetin e rërës. Gjendet 8 km larg qytetit të Lezhës. Këtu ka 200-300 ditë me diell në vit. Në veri të plazhit të Shëngjinit në një largësi prej 2.5 km, rrëzë kodrave të Rencit, gjendet i mbrojtur nga erërat plazhi i mrekullueshëm i “Ranës së Hedhun”. Ndër plazhet më të frekuentuara si nga pushuesit vendas ashtu dhe të huaj, mbetet plazhi i Shëngjinit, ku fluksi ditor i pushuesve varion nga 40 000 (në ditë të zakonshme) deri në 90 000 (në fundjavë). Pushuesit janë kryesisht nga 3 rrethet e Qarkut Lezhë, por edhe nga Shkodra, Kruja dhe kryeqyteti. Rruga e Kombit, Durrës- Kukës-Morinë, ka rritur me 30 %.numrin e pushuesve kosovarë dheshqiptarëve të Maqedonisë.
Në plazhin ranor, që ofron Shëngjini me shetitoren e re dhe një varg invetimesh në gjith infrastrukturën e bregut, turizmi sa vjen dhe njeh zhvillim të vrullshëm. Pastërtia e detit, ajri i pastërt si dhe qetësia që ofron ky plazh përthith çdo vit e më shumë turistë të huaj dhe vendas , të cilët shprehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara. Njësitë akomoduese, të cilat ofrojnë një shërbim cilësor, shtrihen në një pjesë të madhe të gjatësisë së plazhit. Këto janë ndërtime të viteve të fundit dhe nuk mungojnë baret, restorantet, diskot etj, të cilat plotësojnë më së miri kënaqësitë e turistëve. Plazhi i Shëngjinit me disa pika pothuajse të virgjëra është një premisë për ndërtimin e fshatrave turistikë, të cilat kanë nisur të ndërtohen me inisiativa private.
Në Shëngjin vihet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuru-ar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushtë rërë me bimësi, ndan ujrat e cekta bregdetare me lagunat.
Plazhi i Tales
Edhe plazhi i Tales, në Komunën e Shënkollit, deri më dje “i virgjër”, pas përfundimit të ndërtimit të rrugës lidhëse me autostraden Lezhë-Tiranë, po popullohet çdo ditë dhe më tepër, dhe çdo sezon, po e rrit ofertën turistike. Investimet e vazhdueshme infrastrukturore, por dhe zgjerimi i rrjetit të hoteleve dhe njësive të sherbimit nga investitorët vendas, po e kthejnë Plazhin e Tales në një destinacion të rendësishëm të turizmit detar e familjar. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushte rëre me bimësi, ndan ujërat e cekta bregdetare me lagunat.
Ishull-Lezha, gjuetia turistike
Shëngjini, për vetë kushtet që ka, ofron si të veçantë edhe gjuetinë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, por edhe për biznes, kryesisht në det, si dhe në ujrat e lagunave të Kenalles, Kunes, Merxhanit e Vainit. Shoqata e Gjuetarëve të Lezhës ka krijuar marrëdhënie të rregullta me shoqata gjuetarësh të vendeve fqinje, të cilët frekuentojnë gjithnjë e me shpesh Shëngjinin, gjë që tregon se kjo formë e turizmit është një mundësi tjetër për zhvillimin e kësaj zone me tradita në këtë fushë.
Shërbimi, i shkëlqyer, njerëzit shumë miqësorë Në plazhin e Shëngjinit dhe të Kunes, pushuesit gjejnë hotele, restorante e mjedise të tjera, të ngritura në përshtatje me kushtet dhe traditat e zonës, por edhe shtëpi tradicionale, me kopshte dhe lulishte të bukura. Kudo ofrohet kuzhina tradicionale, por edhe ajo e huaj, sipas shijes e kërkesës. Mbizotërojnë prodhimet e detit, shpendët e egër dhe mishi i zgarës. E, mbi të gjitha, shërbimi i standardeve bashkëkohore.
Natyrë e papërsëritshme
Dy lagunat e Lezhës, Kune e Vain, me sipërfaqe rreth 1800 ha. Janë të njohura e të vlerësuara në Mesdhe për florën e faunën e pasur që kanë. Gjenden pranë qytetit dhe lidhen me detin Adriatik. Dy lagunat e Lezhes janë mjaft atraktive. Atje natyrshëm shkohet për një shëtitje në natyrë, për ajrin e pastër, aromën e pyllit e flladin e detit, shkohet për të shijuar bukuritë e natyrës së virgjër, shkohet edhe për gjueti sportive, peshku e shpendë të ndryshëm të egër, shtegtarë dhe stacionar.
Në Kune e Vain numurohen rreht 92 lloje shpendësh. Objektet kryesore natyrore janë plazhet ranore të Shën Gjinit, Ranës së Hedhun, Tales si dhe sistemi lagunore Drinit (Kune – Vaini), plazhi i Patokut në Kurbin, laguna e Patokut, rezervati i Fushë – Kuqes, burimi kurativ i Kroit të Bardhë në komunën e Selitës në Mirditë, bjeshkët e Valmurit, pllaja e Didhës, shpellat karstike, etj. Monumentet kulturore dhe historike janë 21 objekte, nga këto: në rrethin Lezhë 15 objekte
Memoriali ose Vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë
E para gjë që mund të vizitosh në Lezhë, Memoriali i Skënderbeut. Për vlerësimin e katedrales së varrimit të Skënderbeut në të u ngrit përkujtimorja, e cila pati si ide qëndrore përkujdesjen dhe vënien në pah të vlerave historike, nëpërmjet një ndërtimi të ri të trajtuar me anë të një kollonade brenda së cilës ruhen pjesët origjinale të shek.XV-te. Në punimet e restaurimit të monumentit u nxorën në pah gjurmët origjinale të shek.XV-të. Në brendësi të monumentit u vendos busti i Skënderbeut si dhe një serë objektesh që evokojnë veprat e heroit. Për të simbolizuar varrin e heroit afër qëndrës së kishës u vendosën kopjet e përmendores dhe shpatës së Skënderbeut sipas origjinaleve që ruhen në Vjenë. Në vitin 1981 përfundoi restaurimi i plotë i Katedrales së Shën Nikollës, e cila ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Kjo katedrale, në shek. XVII, qe shndërruar në xhami. Themelet e saj janë të shek. XIV, katedralja është e tipit bazilikë me gjatësi 17 m dhe gjërësi 8 m. Ruhet në muret e saj një afresk i Shën Nikollës. Sot rrënojat e Katedrales së Shen Nikolles janë shndërruar në memorialin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, padyshim një nga monumentet më të mëdha të historisë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha kohërat.
Kalaja e Kaninës është një monument i trashëgimisë kulturore në Kaninë, Rrethi i Vlorës, në qarkun e Vlorës, Shqipëri[1]. Ky monument është i llojit “Arkeologji”, i miratuar me numër “Nr.95 Dt. 1.10.1948“.
Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala është përmendur që në shekullin IV. Megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëpasme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.
Ne mesin e gjirit te Vlores, male te larta i afrohen se tepermi bregut duke e ndare ate ne dy pjese. Ne kete zone, paksa e terhequr ne thellesi, ngrihet nje koder 379 m e larte, ne te cilen gjenden rrenojat e nje qyteti te vjeter, atij te Kanines. Po ketu lugina e Lumit te Vlores shtyhet deri ne rreze te kodres duke e lehtesuar teper lidhjen e zones bregdetare me hinterlandin. Faktor me rendesi ky, pasi me ne jug malet fitojne lartesi te madhe, ndersa me ne veri largesia midis bregdetit me luginen e Lumit te Vlores rritet mjaft shpejt. Keto jane dhe kushtet qe percaktojne rendesine strategjike te Kanines, si ndaj kalimit nga pjesa jugore ne ate veriore (dhe ne te kundert), po ashtu dhe ndaj lidhjes se treves se Lumit te Vlores me Gjirin e Vlores. Nga ana tjeter kodrat perreth saj krijojne kushte te mira per zhvillimin e blegtorise, ndersa ne lindje gjenden troje mjaft te gjera dhe te pershtatshme per bujqesi, duke plotesuar keshtu krahas pozites strategjike dhe ate ekonomike.
Kushtet e mesiperme ndikuan ne kete vend, qysh ne periudhen antike, te linde nje qender e fortifikuar, jeta e se ciles zgjat thuajse pa nderprerje deri ne shekullin e kaluar. Natyrisht, roli i kesaj qendre nuk ka qene kurdohere i njejte, keshtu ajo ka pasur rol te dores se pare ose ka qene ne varesi te qendrave te tjera ne funksion te kushteve ekonomiko-shoqerore te periudhave perkatese. Perveç kushteve strategjike dhe ekonomike vendi ploteson dhe kerkesa te tjera te nevojshme per ngritjen e nje qendre te fortifikuar: mundesine e komunikimit, pranine e ujit te pijshem, nxjerrjen e gurit te ndertimit si dhe mbrojtje natyrale.
Qyteti i Fortifikuar i Kanines eshte ngritur aty nga shekulli i IV p.e. sone. Ne te gjithe sistemin fortifikues dallojme disa faza ndertimi qe shtrihen ne dy periudha, ne periudhen antike si dhe ne ate te periudhes mesjetare.
Ne antikitet kemi mbeturinat e murit ilir, gjurmet e te cilit u zbuluan ne te gjitha anet e keshtjelles. Ne murin ilir kemi te perdorur sistemin “izodomik katror“.
Ne antikitetin e vone kemi rindertim ne muret rrethus te keshtjelles. Ketu kemi te bejme me nje mur te ndertuar me tekniken “opus mixtum“.flori
Periudha e mesjetes si ajo e hershme e me tej, perfaqesohet me rindertimet dhe meremetimet e murit rrethus. Ne fazat e mesjetes muri eshte ndertuar kryesisht prej guresh mesatar te papunuar dhe blloqe antike te riperdorura te lidhur me llaç gelqere. Ne muret rrethus te periudhes mesjetare kemi perforcime me kulla, me trajta te ndryshme.
Veç rrethimit te fortifikimit, ne territorin e brendshem te keshtjelles ne te gjitha pikat, u zbuluan mure ndertesash, qe ndonese te demtuara, na lejojne te kapim gjurm te planimetrive dhe te krijojme nje ide mbi trajten e banesave te kesaj qendre ne lashtesi. Ne territorin brenda keshtjelles gjenden te zbuluara dhe elemente te tjere ndertimor, si rruge me kalldrëm, kanale e strera.
Qyteti historik i Krujës ndodhet rreth 35 km larg nga Tirana dhe diçka më larg nga Durrësi, më të cilin që prej gati 18 vjetësh “bashkëjetojnë” në të njëjtin qark administrativ.
I njohur si “qyteti i bardhë” ai është ndërtuar në një lartësi mesatare 608 metra mbi nivelin e detit dhe kur koha është e kthjellët prej tij mund të shohësh bregdetin Adriatik nga Durrësi deri në derdhjen e Bunës.
I njohur më së shumti si kryeqendra e vendit tonë në mesjetë dhe si qyteti i heroit tonë kombëtar Skënderbeut, Kruja është një nga trevat më përfaqësuese në vendin tonë dhe me të drejtë banorët e tij thonë: ” Kush nuk ka vizituar Krujën, nuk ka vizituar Shqipërinë”.
Udhëtimi drejt Krujës ka disa stacione të rëndësishme natyrore, arkeologjike dhe historike, të cilit prej 10 vjetësh i është shtuar terminali i ri i aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, një vepër moderne dhe shumë funksionale me një kapacitet prej 1.5 milion udhëtarësh në vit. Modeli i tij lejon që kapaciteti të shtohet deri në tre milion udhëtarë në vit.
Albanopolis, qyteti që i dha emrin shqiptarëve
3 km pasi nisesh nga Fushë Kruja drejt qytetit historik, në të djathtë do të ndeshësh tabelën me shenjën e monumentit arkeologjik “Albanopolis” dhe bashkë me të treguesin për në fshatin Halil. Pasi vijon në rrugën e re të fshatit, pjesa tjetër është një shëtitje e këndëshme mes rrënojave, mikpritjes së banorëve dhe natyrës së bukur të kësaj zone. Qyteti ilir i Zgërdheshit nuk përmendet si i tillë në ndonjë dokument historik, megjithëse shumë dijetarë besojnë se ai është Albanopolis i cituar nga historiani Ptolemeu. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se vendosjet në këtë vend filluan në shekujt e VII dhe VI para Krishtit, ndërsa gjatësia e mureve të kështjellës arriti në 1350 metra linear. Zgërdheshi, ose Albanopoli, siç i pëlqen ta quajnë banorëve të zonës u braktis në shekullin e dytë pas Krishtit dhe sipas legjendës vendasit u shpërngulën në qytete më të sigurta.
Krojet e Krujës
Emri i Krujës e ka origjinën nga fjala “kroje”, burim uji natyral. Sipas burimeve historike në fillim të mijëvjeçarit të dytë në qytet dhe në rrethinat e tij kishte tridhjete kroje, shumë prej të cilëve ekzistojnë dhe sot me emrat dhe historinë e tyre. Një prej tyre është edhe kroi i Ballabanecit, i cili e merr emrin nga një pasha turk i vrarë pranë tij. Ndërsa pas kalasë ndodhen pranë njëri tjetrit përroi i Taslloit dhe lisi gjigand i njohur me të njëjtin emër. Një tjetër vend mjaft i preferuar është edhe Qafë Shtama, me ujin e pastër dhe ajrin e freskët. Parku kombëtar me të njëjtin emër ndodhet në një lartësi prej 1200 metra, afro 15 larg Krujës.
Teqeja e Sarisalltëkut
Në Krujë ka shumë teqe e tyrbe që i kushtohen besimit musliman bektashi. Një nga më të vjetrat është Teqeja e Dollmës në Kalanë e Krujës, ndërsa më e njohura është ajo e Sarisalltëkut që ndodhet mbi malin e Krujës, rreth 6.7 km me automjet larg qytetit.
Rruga e re që u përurua disa muaj më parë e ka bërë shumë të lehtë ngjitjen në Mal, siç e njohin krutanët, vendin e shenjtë, që ka marrë pamjen e një pike turistike mjaft të vizituar nga vendasit dhe të huajt.
Pazari i Krujës
Pazari karakteristik i Krujës, i vendosur në të dy anët e një koridori të gjatë e të shtruar me kalldrëm, ka qenë shumë më i gjatë se sa është sot. Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zeje të ndryshme si bakraxhinj, qëndistarë, punues të armëve, etj.
Gjatë verës Pazari është mjaft i vizituar nga turistë vendas dhe të huaj të cilët mund të gjejnë suvenire të vjetra që shitësit i mbledhin nga e gjithë zona rreth e rrotull, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, qilimave apo ato të drurit.
Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit të XVI-të, e ndërtuar thuajse në të njëjtën kohë me atë që ndodhet brenda kështjellës.
Muzeu kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu
Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” ndodhet brenda mureve të kalasë mesjetare. Godina është përfunduar në vitin 1982. Në sallat e eksponateve, që ruajnë një itinerar të historisë së popullit shqiptar në shekuj vijnë çdo vit mesatarisht deri në 100 mijë vizitorë.Një kopje e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut janë vendosur në sallën kryesore, ku ndodhen flamurët me stemat e familjeve të mëdha që luftuan përkrah heroit.
Një afresk gjigand i piktorit Naxhi Bakalli dëshmon një nga betejat e mëdha pranë mureve të kalasë së Krujës. Portrete, piktura dhe libra të shkruar për Skenderbeun janë vendosur në mjedist e katit të tretë të Muzeut.
Muzeu Kombëtar Etnografik
Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës ndodhet përballe Muzeut Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në oborrin e kalasë mesjetare. Muzeu është vendosur në një godinë të vitit 1764 të familjes Toptani. Shtëpia është një ndërtesë dykatëshe me mjediset e punishteve ose kantinat në katin e parë dhe mjediset e banimit në të dytin. Muret e muzeut kanë afreske origjinale 250-vjeçare, tavane të gdhendura në dru, mobilje të rralla, qilima dhe kostume tradicionale. Veglat muzikore, armët e kohës si dhe veshjet e grave dhe të burrave e bëjnë muzeun etnografik të Krujës mjaft të vecantë. Banjoja turke me avull brenda shtëpisë është një nga të vetmet e këtij lloji që kanë mbetur në Shqipëri. Në muze ndodhen rreth 1200 objekte origjinale, që dëshmojnë për mënyrën e jetesës së kësaj treve në shekujt 18-19.
Ndonjëherë mrekullitë mund t’i kërkosh shumë lartë, e në të vertetë ato ndodhen këtu afër nesh, ashtu siç është edhe ky qytet antik, qyteti Amantias. Amantia është një nga qytetet, sigurisht më të vjetër të kohës, por që me rrënojat e saj ka ardhur deri në ditët tona me të njëjtën madhështi. Ky qytet gjendet në kodrinën mes rrjedhës së dy lumenjve me një shtrirje deri në Detin Jon.
Në verilindje kufizohet nga lumi Vjosë i krahinës Mallakastër, e ndërsa në jugperëndim shtrihet lugina e lumit Shushicë. Rrënojat dhe gjurmët e tij në ditët e sotme i gjejmë në fshatin Ploçë të rrethit Vlorë, rreth 34 km larg nga qyteti i lashtë i Aulonës.
Sipas studimeve arkeologjike të bëra në zonë, Amantia shfaq tiparet e një qytetërimi 1 mijë vjeçar. Mendohet se ky qytetet është themeluar rreth viteve 350 para Krishtit, dhe ka mundësi të jetë ndërtuar nga fisi ilir i Taulanteve, që ka dominuar ushtarakisht në rajon nga Epidamni deri ne gadishullin e Akrokerauneve ( Karaburun).
Kjo fortesë e madhe dhe e fuqishme, kishte dy porta kryesore dhe dy kulla mbrojtëse në veri dhe sigurisht që ka luajtur një rol të rëndësishëm mbrojtës që nga lugina e lumit të Vjosës, në drejtim të lindjes, duke shkuar kështu deri në Gjirin e Vlorës.
Qyteti i Amantias, ndryshe nga shumë qytete ilire të vendosura më në veri me një kulturë primitive, u zhvillua shumë shpejt ekonomikisht, nga ana kulturore si dhe duke pasur edhe një rol të rëndësishëm ushtarak dhe politik, që i jepte një rol dominant në rajon.
Sipas të dhënave të mbledhura në shekullin e IV p.e.s, thuhet se Amantia nga një vendbanim i thjeshtë, kthehet në një qytet të mirëfilltë dhe në një nga qendrat më të rëndësishme skllavopronare.
Ajo ka qenë qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amant, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në Ujin e Ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni).
Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova), Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi etj. Si shumë qytete ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj, të cilën e citon Pausania, qyteti u themelua nga abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj, kurse Likofroni thotë se qyteti u themelua nga abantët e Trojës të drejtuar nga Helefenori. Me të tilla legjenda për themelimin ishin mbushur edhe qytetet e tjera fqinje si Oriku dhe Bylisi.
Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 p. K. – 168 p. K., Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”.
Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin. Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një mirorganizim të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: prytani, agonoteti, epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim toksarkun, komandantin e shigjetareve.
Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha dhe shtrihej përgjatë një kodre, e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë, qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor.
Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, gjimnazi etj. Nga monumentet me të ruajtura në Amantia është pa dyshim stadiumi i cili është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologët, ai ka formë katërkëndëshi të stërzgjatur, me gjatësi të krahëve që shkojnë nga 40.40 m deri në 54.50 m.
Ka të dhëna që flasin se qyteti ilir pësoi një bum me ndërtime, të veçantë të cilat i përshtaten zonës kodrinore ku shtriu gjymtyrët qyteti antik. Godinat me karakter publik u ndërtuan në tarraca u rrethuan me mure. Qyteti kodrinor i Amantias përbënte një pamje të veçantë, por dhe krejt të ndryshme nga qytetet ilire dhe ndryshimi vihej re tek ndërtimet në sheshe tarracash.
Gjatë shekujve të III-II p.e.s qyteti ilir i Amantia njihet një qytet me zhvillim shumë të madh, por pas zaptimit të tij nga pushtuesit romak në shekullin e I p.e.s qyteti kodrinor fillon që t’i zbehet madhështia që kishte deri në atë kohë. Pas këtij shekulli fillon dhe rënia e ngadaltë e qytetërimit.
Dëshmi, gjurmët e këtij qytetërimi, sot i gjen te muret rrethues, nekropoli, stadiumi, tempulli i Afërditës, varrezat por stadiumi është me 4000 vende është pjesa e ruajtur më mirë.
Mund të vizitohet duke ndjekur intenerarin Vlorë-Qishëbardhë -Drashovicë-Kotë-Vajzë-Ploçë.
Profili turistik i Vlorës dhe gjirit të saj, shfaqet edhe nëpërmjet vlerave etnokulturore që ndodhen në këtë rajon. Studiuesi dhe historiani vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, thotë se në kushtet e sotme të zhvillimit të turizmit, një vend të veçantë zënë edhe dukuritë e ndryshme social-shoqërore e ekonomike, por edhe lidhjet dhe ndërvarjet midis mjedisit, turizmit dhe pasurive kulturore e monumentale.
-Vlerat etnokultuore, në veprat e studiuesve të huaj-
“Kur flasim për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Vlorës, duhet të kemi parasysh se tashmë ky zhvillim bazohet jo vetëm në marrëdhëniet e peisazhit turistik të mrekullueshëm të këtyre brigjeve, por edhe në botën njerëzore, si dhe veprimtarinë që kryhet mbi këtë mjedis”, nënvizon studiuesi vlonjat. Sipas tij, për peizazhin turistik dhe vatrat kulturore të këtij rajoni, kanë shkruar mjaft autorë antikë, ata të mesjetës, si dhe udhëpërshkrues të shek.XIX-XX. Në veprën e vet “Bella Civila”, Jul Çezari, në udhëtimin e tij në grykat e Palasës e të Dukatit për t’u ndeshur me ushtrinë e Pompeit në vitin ’48 para Krishtit, thotë se, “Këto male më shfaqen si hone poetike homerike…”. Gaçe nënvizon se, autorë të tillë si, Halil Inalçik, Pier Reiz, Ami Bue, Henri Holland, Pukëvil, Bajroni, piktori i madh anglez Eduard lir, Martin Liku, francezi Leon Rey, studiuesit italian Baldaçi, Ugolini, Pirro Mancone, apo gjermani Karl Paç, e përshkruajnë rajonin e Vlorës “si një perlë të brigjeve Mesdhetare”, me pasuri të mëdha natyrore zakonore dhe minerale.
-Monumentet e natyrës, në guidat e Qendrës Mesdhetare të Turizmit-
Në element mjaft pozitiv e i vecantë është fakti se, disa nga peizazhet turistike të Vlorës si, Parku Kombëtar i Llogorasë, Laguna e Nartës, Laguna e Orikumit, Kompleksi Natyror Nartë-Zvërnec-Treport, Pylli i Pishë Poros, si dhe Qendrat Arkeologjike Kombëtare të Orikut e Amantias, janë përfshirë edhe në mjaft projekte e guida të Qendrës Mesdhetare të Turizmit.
Brenda këtij konteksti, roli i monumenteve të natyrës, kulturës dhe historisë është i pranishëm në zhvillimet turistike. Mjaft prej tyre me vlera arkeologjike e etnokulturore, kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si Monumente Natyrore apo Monumente Kulture. Në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 prej tyre. Në inventarizimin e tyre përmblidhen vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike.
Në rajonin e Vlorës ka mjaft qendra arkeologjike, historike e monumentale. Këto monumente janë jo vetëm dokumenta të gjalla që flasin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të epokës që i krijoi, por edhe për periudhat e mëvonshme. Mes tyre, kisha e Marmiroit në Orikum, ajo e Armenit, qendra e peshkopatës në Himarë, Kaninë e gjetkë, kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Kalaja e Himarës, ajo e Kaninës, e Porto Palermos, e Katafiqit në Kuç, Mozaiku i Mesaplikut, Mozaiku i Sherishtës dhe Gorrishtit, shkrimet e Gramatës, Shpella e Haxhi Alisë, Shpella e Velçës dhe ajo e shkruar e Lepenicës, si dhe stadiumi antik i Amantes, përbëjnë muze të hapura të kulturës së lashtë të kësaj treve.
Studiuesi Bardhosh Gaçe, thotë se, këto vlera të kulturës, historisë dhe artit, duhet të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj. Kjo, sepse, përmes këtyre monumenteve si dhe historisë që ato mbartin, shihet edhe mundësia e njohjes së kulturës mes popujve të Mesdheut. Një vlerë e veçantë e kulturës popullore në rajonin e Vlorës, janë edhe monumentet e kultit dhe ato historike. Ato dëshmojnë madhështinë e arkitekturës, afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit etj.
Në secilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar. Gaçe vecon këtu, dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selecnicasin, që, siç shkruan në afreskat e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Sipas tij, piktori i madh shqiptar Onufri, në shek. XVI ndërtoi dy kisha në Jonufër, në njërën prej të cilave ai grumbulloi 9 piktorë të vegjël, të cilët, si nxënës të tij prodhonin ikona dhe mësonin në fushën e pikturës murale. Studjuesi vlonjat, shton se, Pirro Marcone, që ka bërë gërmime në Velçë në vitin 1929, si dhe në disa qendra të tjera të Vlorës, ka shkruar mes të tjerash se, “Veprat e artit që ruhen në Shqipëri kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për vendin tuaj, por ato kanë një vlerë të madhe edhe për historinë botërore të arteve, ato do të plotësojnë boshllëqet në zinxhirin e zhvillimit të artit mesjetar në Shqipëri”.
-Periudha 1908-1932, e rëndësishme për pasurimin e vlerave qytetare-
Duke ju referuar periudhës së viteve 1908-1932, Gaçe thotë se, në qytetin e Vlorës u krijua një lidhje mjaft e ngushtë midis tregtarëve dhe njerëzve të kulturës dhe të artit, përmes së cilës u ndërtuan një sërë objektesh me vlera të rralla, mes të cilave, rruga Vlorë-Skelë, shtiza e Flamurit dhe varri i Ismail Qemalit, Merkatua dhe Sahati, lulishtja “Ismail Qemali”, porti i Vlorës, ura e Drashovicës, Ura e Izvorit, Kisha e Shën Todhrit etj. Për ndërtimin e Markatos dhe Sahatit të qytetit, bashkia u bëri thirrje tregtarëve dhe intelektualëve, të cilët financuan për ndërtimin e saj me një arkitekturë të kohës. Po kështu, për ndërtimin e kishës së Shën Thodhrit, financuan jo vetëm të krishterët, por edhe muhamedanët, bektashianët dhe hebrejtë.
Në vitin 1921, shoqëria “Vlora e Lirë”, krahas ndërtimit të portit të ri, financoi edhe për ndërtimin e shkollave, Muzeun Arkeologjik Ballkanik të Skelës etj. Në një arsyetim të tillë, studiuesi vlonjat sugjeron që, do të përbënte një risi fakti që, në fasadat e godinave shumëkatëshe të banimit, të gdhendeshin basorelieve të objekteve të trashëguara nga historia, mes të cilave, basorelievi dhe emblemat e kalasë së Skelës, e të anijeve lundruese të mesjetës së hershme, të cilat u zbuluan disa vite më parë, në afërsi të stacionit të trenit, në periferi të qytetit të Vlorës. Gaçe evidenton se, Muzeu Etnografik i qytetit, është me një objekt me mjaft vlera artistike, estetike e kulturore, i cili duhet dhe po pasurohet në vazhdimësi.
-Tradita, një vlerë për turizmin-
Sot në fshatra të ndryshme të Vlorës, prodhohen në mënyrë artizanale veshje tradicionale; fustanella, veshje burrah e grash, sherqe, velënxa, flokate e sixhade, të cilat shiten për turistët, por edhe tregtohen në disa vende europiane; Greqi, Turqi, Gjermani, Itali, Francë e Spanjë. Në këtë drejtim mjaft mjeshtra të Labërisë dhe të Dukatit, punojnë drurin e gurin, duke prodhuar objekte artistike e zbukurime, fyej, cula, tavane e orendi shtëpiake.
Përbën një vlerë madhore, kënga polifonike e cila disa vjet më parë, u shpall nga UNESCO, si pasuri e trashëgimisë botërore. Rajoni i Vlorës ka një trashëgimi të pasur folklorike, grupe e ansamble me emër. “Këngët “Qazimademçe”, “Smokthinjoçe”, “Dukatase”, “Matohasançe”, “Himariotçe”, vallet e Vranishtit, fyejt e instrumentat e Labërisë, tashmë janë regjistruar edhe në albumet e katalogët e Francës, Anglisë, Gjermanisë, Norvegjisë, Greqisë, Turqisë, Italisë e gjetkë. Në këtë kontekst, Vlora, ka kapacitete të mëdha artistike e kulturore për të zhvilluar e pasuruar këtë lloj arti.
Në qytetin e Vlorës gjenden edhe disa qendra muzeale si, Muzeu Etnografik, më i pasuri në të gjithë qytetet e jugut të vendit, Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu Historik dhe Arkeologjik, Rruga Muze “Justin Godard”. Këto përbëjnë një pasuri të madhe të kulturës sonë historike, së bashku edhe me objekte të tjera kulti e historie, si Teqeja bektashiane në Kuzumbaba, xhamia në qendër të qytetit, kisha katolike, kisha e Shën Todhrit, shkolla e parë shqipe e Muradies, etj. H.K
Menjëherë pasi të lini qytetin e Vlorës, në pjesën jugore të tij do të shfaqet para jush zona bregdetare e Ujit të Ftohtë. Bregdeti këtu fillon e bëhet shkëmbor dhe mali me detin bëhen një. Përgjatë kësaj zone, në një gjatësi prej rreth 2 km deri në Jonufër, dalin afro 40 burime nëntokësore. Këto janë ujëra tipike karstike, që formohen në brendësi të territorit apo në tabanin e detit dhe dalin përgjatë gjithë gjatësisë se bregdetit, duke filluar me atë të Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit me të njëjtin emër e që vazhdojnë deri në Jonufër. Duke shfrytëzuar këto kushte shumë të përshtatshme natyrore, kjo zonë ka qenë gjithmonë zona më e parapëlqyer për të pushuar në Vlorë dhe krahas vilave e shtëpive të dikurshme të pushimit janë ndërtuar këtu vitet e fundit shumë lokale, restorante e hotele në shërbim të turizmit. Pasi të keni kaluar Jonufrën, një zonë e gjerë e mbjellë me ullinj dhe agrume, bregdeti fillon përsëri të zgjerohet, dhe para jush do të shfaqet zona e Radhimës dhe e Orikumit. Uji i pastër, plazhet zallore, me ngjyrën e tyre karakteristike të bardhë, peizazhi natyror shumë i bukur buzë detit me malet që ngrihen mbi kokë, qetësia larg qytetit etj, janë motive që kanë tërhequr shumë pushues në këtë zonë. Mund të thuhet që ajo është sot zona më e pëlqyeshme dhe më e frekuentuar për të kaluar pushimet në Gjirin e Vlorës. Në fund të rrugës do të mbërrini në qytetin e Orikumit. Ky qytet ka një histori të gjatë, por dy gjëra do t’u bëjnë përshtypje: bumi i madh i ndërtimeve turistike dhe disa godina të shpërndara nëpër rrugicat e qytetit që duken si të një kohe tjetër. Janë shtëpitë e drunjta të oficerëve sovjetikë që jetuan këtu deri në 1961, kohën në të cilën Enver Hoxha hyri në kontradikta të thella me Hrushovin. Pikërisht këtu, në bazën e Pashalimanit, ishte pika më e avancuar në Perëndim e Traktatit të Varshavës. Nëse doni të dëgjoni histori dramatike të Luftës së Ftohtë, atëherë kërkoni ndonjë nga ushtarakët e moshuar që kanë mbetur ende në qytet. Vetëm pak metra larg nga qyteti është një plazh i mrekullueshëm. Ia vlen të freskoheni një copë herë në ujin e mrekullueshëm blu.