Përtej imazhit të bregdetit të zhurmshëm, Durrësi ofron një vijë bregdetare të pafund, nga plazhet ranore me pisha të paprekura nga dora e njeriut e deri te gjiret shkëmbore me ujë të kulluar të përshtatshme edhe për turizmin aventuresk.
Në kohë si këto, kur e gjithë bota është pushtuar nga pandemia e COVID-19, janë pikërisht këto gjire që po tërheqin gjithnjë e më tepër turistët vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të plazhit të Gjirit të Portez, në Durrës, duke e promovuar atë si një destinacion turistik.
Nëse kalon Spitallën dhe vazhdon të ecësh drejt në një rrugë të shtruar, menjëherë sapo lë pas depozitat e karburanteve, pamja është komplet tjetër.
Pas një kodre të vogël shfaqet Gjiri i Portezit, një plazh i vogël dhe i qetë me rërë dhe ujë kristal, ku mund të kalohet një ditë e këndshme, larg rrëmujës së plazheve masive të zonës qendrore të Durrësit./atsh
Bashkia e Tropojës organizon me 29 korrik sofrën bujare të Nikaj Mërturit në Curraj të Epërm për promovimin e vlerave turistike të jashtëzakonshme të kësaj zone dhe traditave nga më të rrallat në Shqipëri.
Tropoja është një nga destinacionet turistike malore më të preferuar nga turistët vendas dhe kryesisht të huaj sepse shpalos bukuri marramendëse të natyrë, alpet e larta, fusha bimësi e dendur, ah dhe pishë, gështenjë dhe boronica, bimë medisionale, ujra të kristaltë dhe përmes gjarpëron lumi i Valbonës, me bukuri të rralla.
Në vijim të udhëtimit promovues të destinacioneve turistike të zonës, pas Valbonës, gjithkush mund të jetë mysafir në sofrën bujare e fisnike të Nikaj Mërturit e pikërisht në Currajn e Epërm.
“Jo vetëm të huajt, por cilido prej nesh ngelet i mahnitur nga bashkëjetesa shekullore e historisë njerëzore dhe mrekullisë natyrore të kësaj zone të pashoq”, shprehet kryebashkiaku Biberi.
Organizimi do të ketë tingujt e Eposit të Kreshnikeve dhe valleve të Ansamblit “Dardania”, si një sfidë e vërtetë ndaj stresit që na ka shkaktuar pandemia si dhe sinjal i vërtetë i shpresës se jeta, normaliteti e shpresa do kthehen më fuqishëm se asnjëherë.
Nikaj-Merturi përbën jo vetëm një destinacion magjik për t’u vizituar por dhe një vend të veçantë për të investuar. /atsh
Zonat e mbrojtura në qarkun e Gjirokastrës po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas e të huaj, por pika më e vizitueshme dhe më atraktive mbeten Ujërat Termale të Bënjës.
Drejtori i Administratës ë Zonave të Mbrojtura, Gligor Dushi, tha sot për ATSH-në se “gjatë kësaj jave ishin rreth 1700 turistë në Ujërat termale të Bënjës, ku vihet re rritje e nurmit të turistëve të huaj, si gjermanë, çekë dhe polakë”.
“Për shkak të pandemisë gjatë muajve mars prill maj numri ishte shumë i ulët, ndërsa në qershor ishin 4400 vizitorë gjithsej në zonat e mbrojtura ku 3800 në ujërat termale”, – tha Dushi.
Sipas tij, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në qershor 2019 ishin 8400 turistë, pra dyfishi i tyre.
“Kjo do të thotë që turistët vendas e preferojnë përsëri dhe e kemi të njëjtin numrin e vizitorëvë vendas, por të huajt janë më të paktë për shkak të masave ndaj COVID-19”, – theksoi Dushi.
Drejtori i ADZM, Gjirokastër Dushi shprehet se “në 2019 kishim 52 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit në zonat e mbrojtura, ku 38 mijë vendas dhe 14 mijë të huaj”.
Ujërat Termale të Bënjës janë një nga resurset natyrore më të çmueshme. Ato ndodhen rreth 8 km nga Përmeti. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer./atsh
Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës është një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga Llogoraja duke ftuar turistët vendas e të huaj ta vizitojnë në fundjavë.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Llogoraja që të kujtojnë çfarë magjish ruan ky vend, Shqipëria, me malin dhe detin aty pranë, diellin dhe flladin, ju uroj një të premte të mbarë para një fundjave mbrëmjesh me muzikën e natyrës në bregdet”, – thekson Rama.
Llogoraja ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.
Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh
Rritja e sigurisë në rrugë është prioritet për Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) i cili po ndërhyn çdo ditë në mirëmbajtjen e akseve kombëtare nga jugu e deri në veri të vendit.
Sipas ARRSH-së, çdo ditë po punohet për të rritur sigurinë rrugore, për të gjithë përdoruesit e këtyre akseve, si edhe për lehtësimin e trafikut gjatë këtij sezoni veror, kur ka një fluks të shtuar lëvizjesh nga pushuesit dhe turistët e huaj.
Kompanitë e mirëmbajtjes dhe inxhinierët e ARRSH-së janë të angazhuar maksimalisht duke ndjekur punën në terren.
“Fokusi monitorimit është kryerja e punimeve të tilla si: riparime të shtresave asfaltike, pastrim te pjesës kaluese pastrim vegjetacioni, pastrim drenazhesh, kanale e tombino, nivelim të bankinave, rifreskim të sinjalistikës horizontale e vertikale instalime të mbrojtëseve anësore metalike”, njofton ARRSH-ja.
Bashkia e Klosit fton qytetarët, turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga qendrat urbane që ofron bukuri natyrore si Ura e Halilajve.
Për këdo që viziton Klosin, nuk duhet humbur peizazhi që shfaqet te “Ura e Halilajve”.
“Ura e Halilajve” gjendet në fshatin Dars. Kjo urë është ngritur në një vend shkëmbor mbi dy brigje të lartë e formuar me hark. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m, gjerësia midis dy këmbëve të saj është 11 m, kurse lartësia nga pasqyra e ujit arrin 9 m. Traseja e rrugës ka një gjerësi 2. 6 m dhe është e shtruar me gurë e pllaka gurësh lumi.
“Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një pjesëtar i fisit Halili. Kjo urë është ndër urat më të vjetra që gjenden sot të padëmtuara në Mat e që është shpallur monument kulture.
Po ashtu në Klos gjendet dhe “Ura e Allamani” dhe “Ura e Vashës” që është një kryevepër e inxhinierisë dhe nga më të rrallat në vend dhe i përket shekullit XVIII.
“Ura e Vashës”, ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor dhe ndodhet pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike në një peizazh të mrekullueshëm natyror.
Por nuk janë vetëm urat që ofron Klosi. I shtrirë buzë lumit Mat, zona ka bukuri të jashtëzakonshme ku mund të bësh plazh dhe pushosh në ujërat e kthjellta të lumit Mat, apo mund të bësh alpinizëm duke ngjitur shpate malorë në të dy anët e Klosit./ATSH
Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës, ngrihet në majën e një kodre, mes një mjedisi fushor, në afërsi të bregdetit të Orikumit, e veçantë për nga shtrirja e saj, krahasuar me objekte të tjerë të këtij lloji.
Kështjella, mban emrin e Gjon Boçarit, një personazh historik i njohur në rrethin e Vlorës për kontributin në qëndresën kundër pushtuesve osmanë,vendosja e emrit, pavarësisht origjinës së tij, mbetet disi i errët për historianët dhe muzeologët vlonjat, për shkak të mospërputhjes në kohë të periudhës kur është ndërtuar dhe asaj që ka jetuar personazhi historik.
Gjithsesi, historianët vlonjat, mes të cilëve edhe Novruz Bajrami, mendojnë se kështjella e Tragjasit është ndërtuar në fillim të shekullit XIV. Përmasat e saj të vogla, krahasuar me simotrat e tjera dëshmojnë se ajo ka shërbyer fillimisht si objekt mbrojtës për ndonjë prej fiseve që kanë jetuar në këtë zonë.
Kështjella lidhet me një periudhë mjaft të rëndësishme të historisë së Vlorës, me qëndresën ndaj pushtuesve osmanë. Historiani vlonjat thotë se, ky mjedis i fortifikuar, ndonëse i vogël, shërbeu si vendqëndrimi i fundit për princeshën e Vlorës, Rugjina dhe mbështetësit e saj, përpara se qyteti të pushtohej nga turqit, në vitin 1417.
Kështjella, me një gjatësi afro 50 metra dhe muret e saj me një lartësi 5 metra dhe gjerësi 1.25 metra, ndodhet në hapësirën mes fshatrave Tragjas i Vjetër dhe i Tragjas i Ri.
Ajo ka formë drejtkëndore dhe në dy skajet veriperëndimore dhe juglindore, ndodhen dy kulla mbrojtëse gjashtëkëndore. Në të gjithë gjatësinë e mureve janë ndërtuar frëngji drejtkëndore dhe gjithë pjesa e sipërme është e rrethuar me mure të fortifikuara.
Teksa lëviz në pjesën e brendshme të saj, në gjysmerrësirë, evidentohen fare lehtë shkallët që çonin luftëtarët në vendet e luftimit. Nga lartësia e kullave mbrojtëse shihen si në pëllëmbë të dorës, gjiri i Vlorës, fusha e Dukatit deri në Orikum, si edhe një pjesë e rrugës që të çon në Qafën e Llogarasë. Ndoshta edhe për këtë fakt, kështjella e Tragjasit evidentohet për vlerat e saj të shumëfishta, mes të cilave historike, arkitekturore etj.
Ngrehina e saj soditet me kërshëri nga udhëtarët që përshkojnë rrugën që të çon në Qafën e Llogarasë. Ajo shfaqet disi papritur, teksa ndodhesh në afërsi të vendit që emërtohet Blloku i Pjeshkëve dhe hedh vështrimin në verilindje, në drejtim të fshatit Tragjas.
Ky fshat, që ngrihet në këmbët e malit të Lungarës, pranë burimit të lumit Izvor, është një nga vendbanimet e spikatura në historinë e rrethit të Vlorës. Gjurmë të vendbanimeve antike, janë zbuluar pranë kodrës së emërtuar qyteza e Sofës, ku gjenden edhe varre ilire.
Në këtë mjedis ka mbetje të disa ndërtesave të shekullit IV, para Krishtit.
Fshati që njihet në histori me disa emra si Tregas, Dragjat, etj dhe që bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës gjendej dikur në një kodër në perëndim të fshatit të sotëm. Ai u shkatërrua nga turqit por u rindërtua në shekullin XVI, atje ku ndodhet edhe sot, rreth 5 km larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë.
Kështjella e Gjon Boçarit, si elementi më i spikatur i këtij sfondi të pasur historik, është shpallur monument kulture dhe u restaurua pjesërisht në vitet 1980-të.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjin “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor mbi 30 KW ose 40.8 KF, me tonazh nën 150 GT”.
Projektligji u relatua për komisionin nga deputeti Ilir Beqaj dhe u prezantua nga Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe Artan Shkreli, zëvendësministër i Energjisë dhe Infrastrukturës.
Ministri Klosi u shpreh se projekligji vjen si nevojë emergjente për të lehtësuar policimin në det dhe synon përmirësimin e monitorimit të mjeteve lundruese, turistike dhe të argëtimit, pa krijuar bezdisje tek turistët.
Sipas Klosit, nisma ka një lloj urgjence në miratim, në mënyrë që t’i vijë në ndihmë sa më parë sezonit turistik të vështirë të vitit 2020.
Objektivat që synohen të arrihen përmes projektligjit janë: rregullimi i mënyrës së regjistrimit të mjeteve lundruese duke krijuar një regjistër elektronik i cili të jetë i aksesueshëm edhe nga institucionet e tjera ligjzbatuese; përcaktimi i normave të lundrimit në det dhe ujërat e brendshme tokësore; si dhe monitorimi sa më mirë i mjeteve lundruese turistike dhe atyre të argëtimit që operojnë në det dhe ujërat e brendshme tokësore.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë./atsh