Turizem

Himarë: Plazhi i Palasës, aty ku natyra dhe historia bëhen bashkë

Ky plazh ndodhet shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Mjedisi bregdetar masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar

Plazhi i Palasës është një nga mrekullitë natyrore më të spikatura në bregdetin e Jugut.

Ky plazh ndodhet shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Mjedisi bregdetar masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar.

Uji i kthjellët i detit që të ngacmon shqisat, i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë. Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone thotë se, nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç edhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore. Shkëmbinjtë e prerë si me thikë që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. Plazhi, dikur i privuar edhe për banorët e këtyre anëve, tashmë është një realitet tjetër. Ai spikat qartësisht, qysh kur nis të zbresësh në kthesat e larta të Llogorasë. Shikimi prek një zonë të bardhë që vazhdon deri në brezin e ujit, ku nis e transformohet gradualisht në një ngjyrë të kaltër të thellë. Ky është ngacmimi i parë që merr kushdo që vjen këtu.

Foto, ne Plazhin e Palases, Himare, (2)Foto HPër të shkuar në këtë plazh, duhet të kthesh rrugën djathtas, pa arritur në Urën e Palasës. Disa koshere bletësh, që prodhojnë një mjaltë si askund tjetër, të ftojnë të shijosh prodhimin e tyre përpara se të drejtohesh për në parajsën natyrore, që ndodhet disa qindra metra më poshtë. Duket se bletërritësit nuk e kanë zgjedhur rastësisht këtë vend për të tregtuar prodhimin e tyre. Janë të shumtë ata pushues, qytetarë nga gjithë vendi dhe turistë të huaj, që kanë nisur t’i bashkohen këtij peizazhi shumëngjyrësh në pjesën më të madhe të muajve të vitit, por, veçanërisht në verë. Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu edhe një mundësi tjetër, vendosjen e çadrave. Numri i atyre që zgjedhin këtë mënyrë për të shijuar plazhin e Palasës, ka ardhur në rritje. Ata janë nga Vlora, Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Është një mrekulli ky vend. Ke detin dhe përkundruall tij edhe malin, që duket sikur të qëndron mbi kokë. Në këtë vend shijon si askund tjetër edhe peshku, apo mishi i pjekur në zgarë, të shoqëruara me pak verë, apo birrë të ftohtë. Janë dhjetra pushues që këtu përjetojnë veç të tjerash edhe dimensione të tjera njerëzore. Kalojnë ditë dhe netë të paharruara në shoqërinë e detit, ajrit të pastër, muzikës. Ata shtohen çdo javë, muaj e vit. Janë mijra metra katrorë bregdet, që nuk preken nga njeriu dhe që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm turistik për zonën. Por, këtu shtohet edhe një resurs tjetër, historia e këtij vendi.

-Plazhi i Palasës, me një histori të pasur në funksion të turizmit-

Foto, ne Plazhin e Palases, Himare, (3) Foto HNë veprën e vet “Lufta Civile”, Jul Çezari përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij “ndanë brigjeve Palaeste” në ndjekje të rivalit të tij, Pompeut. Konflikti mes dy personazheve të njohura në historinë e Romës së lashtë, u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin ’48 para erës së re, Çezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta, sipas historianit vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, vendi i zbarkimit të trupave të Qezarit, është bregu i Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që, Jeriko, përkon me Orikumin.

Bregdeti i Palasës është përmendur shpesh nga të moshuarit e kësaj zone për historinë, që ka si kulm konfliktin mes Çezarit dhe Pompeut. Ky plazh është një nga surprizat e bregdetit të Himarës, ashtu siç është e tillë edhe historia e lashtë e tij. Çezarit në librin e tij përmend edhe fisin kaon ilir të germineve (Dhërmiut), që popullonte këtë bregdet, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj zone. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës.

Parashikohet që ky element i historisë së kësaj pjese të Rivierës, do të shfrytëzohet përmes një projekti që synon promovimin e vlerave historike në funksion të turizmit. “Është menduar të ndërtohet një memorial që evokon ngjarjen e zbarkimit të Çezarit, si një mënyrë për të zgjuar interesimin e turistëve të huaj”, thonë në Bashkinë e Himarës.

Nga ana tjetër, specialistët vlonjatë shprehen se toponimia historike shton mundësitë për zgjerimin e potencialeve turistike të zonës.

 

Himarë: Plazhi i Palasës, aty ku natyra dhe historia bëhen bashkë Read More »

Keshtjela e Tragjasit nje nga vlerat historike ne fuksion te Turizmit!

Vlorë – Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës, ngrihet në majën e një kodre, mes një mjedisi fushor, në afërsi të bregdetit të Orikumit, e veçantë për nga shtrirja e saj, krahasuar me objekte të tjerë të këtij lloji.

Kështjella, mban emrin e Gjon Boçarit, një personazh historik i njohur në rrethin e Vlorës për kontributin në qëndresën kundër pushtuesve osmanë,vendosja e emrit, pavarësisht origjinës së tij, mbetet disi i errët për historianët dhe muzeologët vlonjat, për shkak të mospërputhjes në kohë të periudhës kur është ndërtuar dhe asaj që ka jetuar personazhi historik.

Gjithsesi, historianët vlonjat, mes të cilëve edhe Novruz Bajrami, mendojnë se kështjella e Tragjasit është ndërtuar në fillim të shekullit XIV. Përmasat e saj të vogla, krahasuar me simotrat e tjera dëshmojnë se ajo ka shërbyer fillimisht si objekt mbrojtës për ndonjë prej fiseve që kanë jetuar në këtë zonë.

Kështjella lidhet me një periudhë mjaft të rëndësishme të historisë së Vlorës, me qëndresën ndaj pushtuesve osmanë. Historiani vlonjat thotë se, ky mjedis i fortifikuar, ndonëse i vogël, shërbeu si vendqëndrimi i fundit për princeshën e Vlorës, Rugjina dhe mbështetësit e saj, përpara se qyteti të pushtohej nga turqit, në vitin 1417.

Kështjella, me një gjatësi afro 50 metra dhe muret e saj me një lartësi 5 metra dhe gjerësi 1.25 metra, ndodhet në hapësirën mes fshatrave Tragjas i Vjetër dhe i Tragjas i Ri.

Ajo ka formë drejtkëndore dhe në dy skajet veriperëndimore dhe juglindore, ndodhen dy kulla mbrojtëse gjashtëkëndore. Në të gjithë gjatësinë e mureve janë ndërtuar frëngji drejtkëndore dhe gjithë pjesa e sipërme është e rrethuar me mure të fortifikuara.

Teksa lëviz në pjesën e brendshme të saj, në gjysmerrësirë, evidentohen fare lehtë shkallët që çonin luftëtarët në vendet e luftimit. Nga lartësia e kullave mbrojtëse shihen si në pëllëmbë të dorës, gjiri i Vlorës, fusha e Dukatit deri  në Orikum, si edhe një pjesë e rrugës që të çon në Qafën e Llogarasë. Ndoshta edhe për këtë fakt, kështjella e Tragjasit evidentohet për vlerat e saj të shumëfishta, mes të cilave historike, arkitekturore etj.

Ngrehina e saj soditet me kërshëri nga udhëtarët që përshkojnë rrugën që të çon në Qafën e Llogarasë. Ajo shfaqet disi papritur, teksa ndodhesh në afërsi të vendit që emërtohet Blloku i Pjeshkëve dhe hedh vështrimin në verilindje, në drejtim të fshatit Tragjas.

Ky fshat, që ngrihet në këmbët e malit të Lungarës, pranë burimit të lumit Izvor, është një nga vendbanimet e spikatura në historinë e rrethit të Vlorës. Gjurmë të vendbanimeve antike, janë zbuluar pranë kodrës së emërtuar qyteza e Sofës, ku gjenden edhe varre ilire. Në këtë mjedis ka mbetje të disa ndërtesave të shekullit IV, para Krishtit. Fshati që njihet në histori me disa emra si Tregas, Dragjat, etj dhe që bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës gjendej dikur në një kodër në perëndim të fshatit të sotëm. Ai u shkatërrua nga turqit por u rindërtua në shekullin XVI, atje ku ndodhet edhe sot, rreth 5 km larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë.

Kështjella e Gjon Boçarit, si elementi më i spikatur i këtij sfondi të pasur historik, është shpallur monument kulture dhe u restaurua pjesërisht në vitet 1980-të.

Rezultate imazhesh për keshtjella e tragjasit fotoRezultate imazhesh për keshtjella e tragjasit fotoRezultate imazhesh për keshtjella e tragjasit foto

Keshtjela e Tragjasit nje nga vlerat historike ne fuksion te Turizmit! Read More »

Lajm i shumepritur dhe i merituar:Tragjasi mes 100 fshatrave turistikë

Në Luginën e Dukatit, 20 km në jug të Vlorës ndodhet Tragjasi.

I shtrirë rrëzë malit të Lungarës i cili e mbron në dimër dhe e hijeshon gjatë verës është një nga perlat e turizmit shqiptarë.

Është një fshat piktoresk me monumente të Natyrës dhe të historisë.

Në Tragjas burojnë ujërat e njohura të Tragjasit ( Izvori ) me rrepet shekullore.
Këto burime pasi mblidhen në një rrjedhë, krijojnë lumin e Izvorit i cili pas një rruge rreth 3 km, derdhet në detin Adriatik.

Janë tre fshatra të radhitur bukur, Dukat-Tragjas-Radhimë që bëjnë pjesë në bashkinë e Orikumit.

Ekonomia e Tragjasit dikur bazohej te blegtoria dhe bujqësia, por së fundmi, një drejtim i ri i ekonomisë duket se është turizmi edhe për shkak të bukurive natyrore, historisë së tij, por dhe të distancës së vogël nga plazhet e Orikumit dhe Radhimës.
Fare pranë fshatit ndodhet kalaja e Gjon Boçarit që është një atraksion për turizmin historik dhe atë kulturorë.

Fshati ka një histori të lashtë sepse lidhet me qytetërimin e hershëm të Orikut.
Gjurmët e vendbanimit të lashtë janë shfaqur në qytezën e Sofës, ku janë shfaqur dhe tuma(varre) Ilire.

Akoma dhe sot pranë Tragjasit të vjetër, gjendet një vend i quajtur “maja e qytetës”. Arkeologët kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit.

Ky fshat ka qenë i njohur me disa emra si: Tregas, Dragjat, Tregasaj, Dragjiates.
Në antikitet ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës dhe lidhej me Orikumin.

U shkatërrua disa herë nga pushtuesit Osmanë e u rindërtua në shekullin XVI, ku ngre krye dhe kalaja e Gjon Boçarit.

Ndërtimi i saj është i lidhur me fisin e Boçarëve bashkëkohës të Skënderbeut. Banorët e këtij fshati kanë marrë pjesë aktive në jetën politike dhe ushtarake të periudhës së mesjetës, në kryengritjet antiosmane dhe më pas gjatë rilindjes kombëtare.

Në ditët e shpalljes së pavarësisë në 1912, Tragjasi ka qenë një bazë dhe një mbështetje e rëndësishme për Ismail Qemalin në betejat e brëndshme politike që zhvilloheshin në Vlorë.
Ky fshat ka nxjerre burra të shquar me bëma patriotike dhe epike që kanë lënë histori edhe sot.

Vizitori apo turisti që ngjitet në Tragjas apo në krejt luginën e Dukatit, do të soditë jo vetëm natyrën e bukur me det e qiell, me burime ujore Monumente të Natyrës, por do të njihet dhe me historinë e lashtë të tij, me Boçarët dhe kështjellën e tyre, me rrënoja e murrana që tregojnë historinë e kësaj lugine që së shpejti do të futet në investimet me prioritet të 100 fshatrave turistik shqiptarë.

Lajm i shumepritur dhe i merituar:Tragjasi mes 100 fshatrave turistikë Read More »

Biznesmeni shqiptar investon 80 milionë euro në Mal të Zi

Biznesmenët shqiptarë synojnë të investojnë në vendet e tjera të Ballkanit dhe jo në Shqipëri.
Rasti më i fundit është i biznesmenit Naser Ramaj nga Drenasi, i cili po investon 80 milionë euro në Budva.

DrenicaOnline bën me dije se Ramajt i ka kushtuar 4 milionë euro vetëm leja e ndërtimit.

Ramaj është taksapaguesi më i madh i vitit 2017 dhe për këtë ka marrë edhe mirënjohje nga Komuna e Budvës.

Kompleksi i Ramajt që po ndërtohet në Budva është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm dhe çelësat e pasurive të paluajtshme duhet t’u jepen blerësve para sezonit turistik veror në 2019.

Pothuajse 80 për qind e pronave të këtij kompleksi tashmë janë shitur.

“Qendra Alart” do të mbajë 25 deri në 30 për qind të lokaleve rezidenciale dhe afariste për vete ku të njëjtat mund edhe të ipen me qera kompanive serioze.

Projekti apo kompleksi gjigant i Ramajt ndodhet në zemër të Budavës, vetëm 100 metra nga kalaja e qytetit të vjetër.

Pronari i kompanisë, drenicasi Naser Ramaj, njofton përfundimin e ndërtimit të kompleksit në fund të vitit të ardhshëm dhe thekson se 80% e hapësirës banesore dhe biznesi të Porto Budvës tashmë është shitur.

Ramaj ka thënë për mediat malazeze:

Kompleksi Porto Budva duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Blerësve do tu dorëzohet prona e tyre para sezonit turistik 2019”

Biznesmeni shqiptar investon 80 milionë euro në Mal të Zi Read More »

Mrekullite e fshehura te Vlores dhe magjia e tyre

Të shkosh në Karaburun në ditët e sotme mund të quhet edhe privilegj. Harku “moratorium” vijon ta mbajë “mollë të ndaluar”, pa dhënë hapësira në eksplorime të tilla. Ndoshta kështu e pashë veten edhe unë, teksa rastësisht ndodhesha në një barkë me miq të huaj. Dy italianët e njihnin zonën shumë më mirë se unë, vendësja. Teksa gomonia çante ujërat, hera-herës tregonin në drejtim të bregut. Pamje mahnitëse, të cilat i prekja për herë të parë. Ideja se një ditë mund të shkoja deri në Karaburun kishte mbetur e tillë, pa mundësi të tjera praktike, për t’u konkretizuar në një ditë fundgushti. Të jetosh në Vlorë pa mundur ta njohësh të plotë, këtë e vuajnë jo pak, ndërsa qyteti mban brenda tij mrekullinë natyrore, turizmin kulturor, legjendën…

Në një bisedë me studiuesin Bardhosh Gaçe, ai shprehet se sipas studimeve të qendrës botërore të turizmit në Bruksel, 40% e turistëve vijnë në Mesdhe. Por interesi i tyre është për të vizituar qendrat e mëdha të antikitetit që ka Mesdheu dhe botën etnokulturore. E ndërkohë, sipas tij, bregdeti i Vlorës ka jo pak elemente të tilla që do të tërhiqnin këdo nëse do të kishte pak më tepër orientim, pasi në Vlorë nuk bëhet vetëm plazh. Ajo fsheh shumë më tepër sesa aq.

Ndërmjet legjendës dhe reales

Ka disa vende në Vlorë, të cilat jo vetëm dallohen për veçantinë e tyre, por mbartin edhe copëza “historie”. Pas Sarisalltëkut në qytetin e Krujës, e dyta qendër botërore bektashiane në Shqipëri, njihet Kuzum Babaja. Dhe e treta, maja e Çukës, ku prehet Abaz Aliu në Tomorr. Legjenda thotë se Çoban Babai erdhi nga viset e largëta në mesjetë për të përhapur bektashizmin në Shqipëri. Dhe nuk e besonin që ishte shenjtor.

Madje banorët e Vlorës e përgjakën, pasi nuk besuan që ishte i tillë. Dhe ai, që ta besonin se ishte shenjtor dhe mbronte qytetin nga të këqijat, nga sëmundjet, nga epidemitë, preu kokën e tij, e mori në dorë dhe u ngjit 147 hapa mbi qytet. Në kodër. Dhe që atëherë Kuzum Baba-ja u bë një nga vendet e pelegrinazhit që njihet dhe në 1460-n apo 1510-n në dokumentet turke. E përshkruan dhe një nga dijetarët më të mëdhenj, Çelebiu i Turqisë. Sot kjo qendër është e rikonstuktuar dhe është një qendër fetare, e cila ka vlera të mirëfillta.

Shpella e Haxhi Aliut

Po këtë udhëtim ka bërë dhe Haxhi Bektash Veliu, i cili duke qenë në Krujë, gjatë udhëtimit që bëri në Shqipëri, qëndroi disa kohë në Shpellën e Karaburunit. Dhe atje, deri në fillim të shekullit tonë, thuhej shpella e Haxhi Bektash Veliut i cili ishte misionar i madh. Por në fund të shekullit XIX, kapedani i detit, ulqinakasi Haxhi Ali Ulqinaku, me tartanët e tij që kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut, erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Dhe u bë 22 vjet mbrojtësi i këtyre brigjeve.

Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det. Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë. Në Karaburun ku ai jetoi ndodhet shpella me emrin e tij. Kjo shpellë është mjaft interesante dhe kërkohet që të vizitohet nga njerëzit. Brenda ka disa dhoma të mëdha. Një qetësi mahnitëse, por aty ka dhe llojet më të çuditshme të peshqve: mund të ketë dhjetëra e dhjetëra lloje peshqish brenda në të.

Legjenda e Jonit

Joni është një nga detet më të pastra që shtrihet që nga gjiri i Çamërisë deri në Karaburun. Jona ka qenë një vajzë e bukur ilire. Dhe ngaqë kishte vite të tëra që priste burrin të vinte nga mërgimet e largëta ku ai kishte shkuar, e hidhëruar rrinte mbi një shkëmb dhe papritur ra në det. Legjenda thotë se deti mori ngjyrën e syve të saj, ndërsa shkuma e detit ngjyrën e bardhë të fustanit të Jonës. Dhe kjo legjendë vazhdon të përsëritet tek emrat që njerëzit u vendosin vajzave në bregdet.

Jonufri

Në brigjet e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë, është një vend që quhet Jonufër. Sigurisht njerëzit e kanë konceptuar që vjen nga Joni, nga emri Jon. Por, nëse gërmohet pak më thellë dhe po të marrim dokumentet e shekullit XVI-XVII, aty ka qenë piktori i madh Onufri nga Berati, ishte dhe kisha e Onufrit, në rrëzë të shkëmbinjve. Aty ku është ndërtuar monumeti i Aksionistes, ka qenë kisha e tij. Sot në të ndodhen vetëm rrënojat, ndërsa po të gërmohet, mund të zbulohen themelet. Atje Onufri punonte ikona për 40 shtete të Evropës. Ai kishte 9 ndihmës.

Shumë interesante për këtë janë dokumentet e Vatikanit, që japin kronikën se Peshkopi i Durrësit iu lut piktorit Onufër që të bëhej kryeprifti i gjithë kishave të Himarës. Pra, nga Vlora deri në Sarandë. Dhe në dokumentet e Vatikanit është betimi i tij dhe pagëzimi prej peshkopit të Durrësit në detyrën e kryepriftit. Madje, po të shohim të gjitha pikturat murale që janë bërë në zonën e kishave të Himarës, është dora e Onufrit dhe ndihmësve të tij. Kjo është një pasuri e madhe kulturore. Tek ne kjo nuk shfrytëzohet, sepse duhet të ketë ciceron që të shpjegojë për vizitorët. Dhe nga ana tjetër, një rol të madh këtu duhet të luajnë institutet e monumenteve.

Vlora ka qendrën e institutit të monumenteve për gjithë Jugun e Shqipërisë.

Manastiret

Manastiri i parë që gjendet në dokumente është manastiri i Kaninës, Manastiri i Kllogjërit. Ndodhet 300 metra mbi fshat, pranë një kroi shumë të bukur. Nga manastiri kanë mbetur rrënojat. Siç thuhet, ky manastir u dogj në vitin 1880 nga rrufeja. Në të ndodheshin rreth 150 murgjër, të cilët qëndronin aty për të mësuar. Ka pasur dhe bibliotekë. Murgjit mësonin për kurimin e sëmundjeve të lëkurës.
Pas këtij manastiri shfaqet ai i Marmiroit, në Orikum.

Por thuhej që në këtë manastir vinin edhe nga vende të Evropës. Më tepër vinin gratë që nuk lindnin fëmijë. Sot është kisha, janë krojet, vendet ku rrinin njerëzit. Dhe kjo është pranë qendrës së madhe arkeologjike të Orikumit, qytetit të Orikut. Pranë amfiteatrit, pranë objekteve të tjera. Marmiroi do të thotë “Ujë jetëdhënës” dhe njerëzit e besonin këtë. Që nga uji që del aty nga burimet, pinin ujë dhe kështu bekoheshin nga Zoti për të lindur fëmijë. Dhe ka ndodhur në shumë raste që njerëzit rrinin 15 ditë aty me pushime dhe pastaj bëheshin me shëndet mirë. Deri në 1905-n ka shënime të kronikanëve të ndryshëm që ky vend shfrytëzohej si i tillë.

Pas tij përmendet manastiri i Zvërnecit. Në Zvërnec një nga shenjtorët në hyrje ka një plagë në dorë. Kjo plagë dëshmon se ai ka shërbyer si shkollë në përgatitjen e “mjekëve” për sëmundjet e lëkurës. Por manastiri i Zvërnecit ka dhe vlera historike, sepse aty është varri i Marigo Pozios. Një gjë e tillë është e shkruar. Është bërë me mermer para disa viteve dhe vetë Marigoja e kishte lënë amanet të varrosej në atë manastir, që t’i gjente prehje shpirti. Dhe atdhetarët vlonjatë në ’37-n e varrosën aty. Qetësia midis pishave, bredhave dhe selvive është e mahnitshme. Dhe shumë njerëz venë për t’u kuruar e gjetur qetësi shpirtërore në këtë manastir. Sepse në këtë manastir ndodheshin edhe zërat e natës. Zërat e natës sipas besimit popullor u hiqnin shqetësimet njerëzve, brengat, dhimbjet dhe bënin pushimet në këto vende. Në fakt, në Shqipër ka disa vende të tilla.

Shpellat

Në pasuritë e Vlorës përfshihen edhe disa shpella, si: shpella e shkruar e Lepenicës, është Grama me mbishkrimet historike, por ka dhe disa shpella me stalaktike dhe stalakmite, siç është Shpella e Duk Gjonit, dhe Selman Aliut në Dukat.

Spile

Por shpella më interesante në brigjet shqiptare, është shpella e Spilesë në Himarë, ku sipas veprave “Iliada” dhe “Odisea”, në këtë shpellë është ndeshur Ciklopi me Odisenë. Ka mjaft autorë antikë që e përmendin një fakt të tillë. Deri edhe De Rada në studimin e tij e përmend Shpellën e Spilesë së Himarës për ndeshjen e Çiklopit me Odisenë. Kjo shpellë përmendet edhe Virgjili, tek “Eneida”.

Grama

Grama është një bibliotekë guri. “Biblioteka në gur” është brenda një gjirit të vogël buzë detit Jon, në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit. Nëpër shkëmbinjtë e këtij gjiri gjenden mbishkrime të gdhendura e vizatime të kohëve të hershme e të mesjetës. Duhet përmendur që këtë vend e ka eksploruar Moikom Zeqo. Përpara Moikom Zeqos këtë vend e ka eksploruar studiuesi i madh Ugolini. Dhe Baldaci dhe Piro Marcone, drejtori i institutit albaneologjik të Napolit kanë zbërthyer mbishkrimet. Ato janë të shekullit IV-IIV para erës sonë. Ka lutje të njerëzve ndaj perëndive për t’u mbrojtur nga furtunat e detit. Në gji ankoroheshin anije nga furtunat, nga sulmet që ndodhnin. Por aty janë marrë dhe gurë për ndërtimin e Durrahut, pasi Grama asokohe ka shërbyer edhe si gurore. Po të bësh një paralelizëm, ndoshta në miniaturë, gurët aty janë si piramidat e Keopsit. Ka dhe emra skllevërish, ilirësh të cilët kanë punuar dhe kanë vënë emrat në to. Por është edhe një perandor që ka udhëtuar nga Kostandinopoja për në Romë. Ka lënë mbishkrimin e tij duke treguar se si e zuri furtuna dhe si u strehua aty. Madje është edhe një Papë që ka qëndruar aty në shekullin XV. Të gjitha këto mbishkrime janë mjaft interesante dhe janë një pasuri mjaft e madhe që tregon jetën e banorëve të asaj zone në atë kohë.

Karaburuni

Zona e Karaburunit ka pasur 12 fshatra. Njerëzit më pas kanë emigruar në Itali, në vende si Kalabria e Siçilia. Pas vitit 1480, kur sulltan Sulejmani rrafshoi Labërinë, rrafshoi fshatra të tëra. Shekspiri kur ka shkruar për shitjen e skllevërve në Venedik, e thotë se janë nga malet Akrokeraune (malet e Vetëtimave), ku shkrepin rrufetë.

Karaburuni ka burime uji. Disa nga pikat e Karaburunit janë plazhi i Gramës, gjiri i Dafinës, Kepi (ku ka edhe vend për t’u ulur mjete të ajrit, është fusha e raketave). Aty janë ulur helikopterë që në vitet 1934-37, ndërsa ka pasur edhe vizitorë. Dikur Karaburuni ka qenë i banuar. Madje rezulton se deri në shekullin XVII-XVIII ka pasur banorë, të cilët më pas emigruan në Itali. Në Karaburun shkohet me anije, por ka edhe rrugë tokësore nga Pashalimani, e cila është e paasfaltuar.

Turizmi më i madh mund të bëhet në gjirin e Gramës, ku rruga është deri në 2,5 km. Aty ka dhe diçka tjetër të favorshme për turizmin, pasi ka blegtori. Ka edhe shumë bimë medicinale. Ka mbi 40 lloj bimësh medicinale. Madje aty mund të gjesh edhe valanidhim, që është një nga pemët më të shenjta, që e ruajnë ata. Gjiret në Karaburun janë të mahnitshme.

Sazani

Mësohet se ky ishull ka qenë i banuar që në Antikitet. Në kohën e Bizantit quhej fshati Shën Koll. Në kohën e Turqisë quhej fshati Sebep. Dhe ka pasur mbi 60 shtëpi. Të gjithë ishin thuajse detarë. Detarët bënin udhëtime të “çuditshme nga Gjibraltari deri në Dubrovnik. Të çuditshme sepse me mjetet prej druri që kishin, i habisnin të gjithë. Ishin mjete primitive. Ata zhvillonin tregti midis brigjeve të Vlorës, Ulqinit, Dubrovnikut, Spanjës dhe Anglisë. Sazani pas kohës së Bizantit ra në duart e turqve. Pastaj e morën grekërit, më pas italianët dhe në 1920-n e rimorën shqiptarët. Por mbeti i pashfrytëzuar, pasi shqiptarët nuk kishin mjete. Vetëm në tetor të 1944-s u kthye në një vend që u vu në shfrytëzim nga shqiptarët. Pas kësaj u krijua edhe reparti ushtarak, por edhe një fshat që kishte rreth 1800 banorë. Madje kishte edhe punishte të tipit rrobaqepësi, ku punonin rreth 200 gra. Sazani ka kishën e Shën Kollit, por edhe varri i Haxhi Aliut është aty. Monumenti i tij është i gdhendur në gur dhe është vënë çimentato, jo Bronz.

Një nga vështirësitë e Sazanit është çështja e ujit, pasi aty nuk ka ujë. Por njihet si vend i mirë për gjueti. Është gjuajtur shumë sorkadhja. Ka pasur dhi të egra dhe lepuj të egër.

Ndërsa për peshkimin njihet gjiri i Gjeneralit, Kepi i Pëllumbave, që janë vende shumë të mahnitshme për të bërë plazh, por edhe për të bërë gjuetinë e peshkut. Këto ndodhen në pjesën jugperëndimore të ishullit.

Turizmi në Sazan

Referuar turizmit, ishulli ka vlera të shumta. Vlera të tilla i ka falë qetësisë, erërave të detit. Sidomos në mbrëmje, Sazani ka një erë të ngrohtë. Madje mund të bëhen ndërtime turistike. Ka kodra, brigje dhe livadhe.

Shqipëria ka fatin që është një vend bregdetar. Fatkeqësisht në të gjitha guidat turistike për strategjinë e turizmit, nuk trajtohet si një vend i Mesdheut. Ndoshta është koncepti i shqiptarëve. Me gjithë këto porte, me gjithë këtë vijë bregdetare, me gjithë këtë rërë, me këtë peisazh të madh turistik bregdetar, Shqipëria zë një vend të nderuar, siç ndodh me Spanjën, Greqinë, Italinë, Kroacinë. Por vija e zhvillimit turistik do të jetë bregdeti, deti, portet dhe lëvizja turistike nëpër det. Bregdeti shqiptar është i pasur me gjiret e detit, me plazhet. Por, edhe me infrastrukturën e sotme që po zhvillohet në kushtet e hotelerisë dhe mjediseve të tjera turistike. Pra, në këndvështrimin e ri të zhvillimit turistik, ky bregdet, nga Velipoja deri në Butrint, ku zë një pjesë të madhe Vlora, brenda këtij peisazhi turistik, e kësaj industrie të re që po krijohet (ku ky koncept na mungon neve), ka mjaft pasuri të tjera etnokulturore.

Rezultate imazhesh për foto bregdetii vloresRezultate imazhesh për foto bregdetii vloresRezultate imazhesh për foto bregdetii vlores

Mrekullite e fshehura te Vlores dhe magjia e tyre Read More »

Shnderrimi i fshatrave:Rikthim magjise se mikpritjes Shqiptare

Cicërimat e zogjve dhe vesa e mëngjesit në kopshtet me lule, frutat e perimet, e një aromë që të ndjell në freskinë e saj drejt ndijesisë së një fjale të vetme: Jetë!

Me diellin e artë që shtrin gjerë e gjatë rrezet e tij mbi kodra, shpatet e maleve, çatitë e parmakët e shtëpive, tek sokakët e rrugicat, deri në fushat e mbjella, të gjelbra pa fund.

Me gatimet unike, të përgatitura në zjarrin bubulak e me shijen marramendëse që përveç se aty nuk e gjen askund.

Avllitë me gurë të sheshtë mbi të cilat rendin me hapat e tyre delikate, disi kureshtare pulat e zogjtë e shtëpisë.

Zhurmat e zileve të bagëtive që nisen nga stanet drejt kullotave herët në mëngjes e kthehen drejt staneve vonë në mbërritje të muzgut të parë të mbrëmjes.

Me të ftohtin që të picërron në dimër por që të mbush gjithë krahërorin me frymë e ajër të pastër, e për t’u ngrohur e qetësuar në zhurmën e kërcitjes së druve teksa digjen e lëshojnë flakë në oxhakun e vjetër të ngritur nga të parët e shtëpisë vite e vite më parë.

Me qiellin e hapur, të pastër plot yje, në vallëzimin e tyre të ngadaltë si një vals rreth hënës së madhe rrumbullake a gjysmë,  plot dritë.

Me tingujt e bulkthit dikur afër dhe larg që të kujtojnë dhe të ftojnë drejt mbrëmjes së paqtë e gjumit të qetë.

Si në përralla. Ky ka qenë dikur fshati shqiptar!

I lënë në harresë prej dekadash, por që sot duket se sytë janë kthyer drejt tij për të rikthyer magjinë e dikurshme e për të ftuar turistët e huaj dhe vendas të shijojnë më të mirën e Shqipërisë.

100 porta të hapura për turistët, vendas e të huaj  

E nëse për vet shqiptarët është nostalgjia ajo që i rikthen përherë pas me kujtime tek fshati, për turistët e huaj fshatrat shqiptarë janë një potencial i jashtëzakonshëm tërheqës.

Pamjet natyrale, malet e larta, kodrat, deti, liqenet, lumenjtë, përrenjtë, burimet e pafundme, gatimet speciale, prodhimet e freskëta, objektet kulturore, paqja dhe qetësia shpirtërore, jeta aty është një oaz që ndjell këdo me mrekullitë e tij.

Një projekt, së fundmi i qeverisë shqiptare synon të rizgjojë fshtrat, këtë copë parajse nga Shqipëria, duke përfshirë 100 fshatra nga jugu në veri.

Quhet “100 fshatra” dhe në projektin e qeverisë shqiptare ky do të jetë modeli i ri i zhvillimit rural shqiptar.

Ky projekt fton të gjithë sipërmarrësit që duan të ngrenë struktura agroturistike të çertifikohen dhe më pas të aplikojnë në Skemën Kombëtare, e cila kanalizohet nëpërmes AZHBR-së.

Konkretisht, qeveria do të mbështesë nga 50 % deri në 70 % të financimit sipas kategorive përkatëse çdo sipërmarrës apo investitorë që do të përfshihet në realizimin e këtij projekti.
Konkretisht pikat kryesore kur synohet që të rimëkëmbet zhvillimi i fshatrave e përmes tij turizmi rural ka të bëjë me ngritjen e bujtinave dhe shtëpitë mikpritëse, aktivitetin agroturistik.

Gijthashtu parashikohet nxitje të prodhimit tradicional, ngritjen e punishteve të vogla, makineri, paisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, nxitja e nizjes së bizneseve bujqësore nga të rinjtë (nga 22-35 vjec).

Parashikohet mbështetje për modernizimin e staneve, ngritjen e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale apo edhe ngritja e rrjetit të dyqaneve me prodhime shqiptare.

Një projekt ambicioz, i cili nëse realizohet vërtetë do të kthejë përgjithmonë faqen e zhvillimit të fshatrave shqiptarë duke i shndërruar ata në një fuqi për turizmin shqiptar.

Shnderrimi i fshatrave:Rikthim magjise se mikpritjes Shqiptare Read More »

Si te shkojme ne Gjirin e Gramates ose si e quajne vendasit Gjiri i …

Gjiri i Gramates (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Grames) ndodhet rreze shpatit perendimor te Gadishullit te Karaburunit. Ne nje zone te pabanuar ku mund te arrihet kryesisht nga deti (rruga tokesore eshte shume e veshtire per shkak te terrenit malor dhe reduktohet ne nje shteg te ngushte kalimi mushkash) gjendet nje plazh i vogel natyror me gjeresi rreth 50 m.Ne antikitet qe nga shek. VI p.e.r. shkembinjte masive qe gjenden ne kete Gji kane sherbyer si gurore per ndertimin e qyteteve. Ne muret e tij te gurta, gjenden shkrime te marinarve qe i shprehin falenderimin perendise Poseidon. Aty gjenden emra perandoresh dhe personalitetesh, midis te cileve dhe emri i mbretit ilir Gent. Sot perben nje vlere unikale per detin e Mesdheut. Ne kete zone ndodhet gjithashtu edhe shpella e Grames, muret e gurta te se ciles permbajne vizatime dhe shkrime shumica e te cilave i referohen mikpritjes se vendasve. Si te shkojme ne Gjirin e Gramates? Per te shkuar ne gjirin e Grames mund te ndiqet rruga nacionale Vlore-Sarande, pasi le mbas Parkun e Llogarase merr ne te djathte per ne plazhin e Perivollos qe ndodhet rrreth 2 km larg rruges kryesore por i vizitueshem me automjet.Mbasi arrin ne plazhin e Perivollos merr rrugen kembesore buzes se detit qe te con ne Gjirin e Grames .Rruga me e thjeshte eshte ajo me mjete lundrimi.

Si te shkojme ne Gjirin e Gramates ose si e quajne vendasit Gjiri i … Read More »

Fotografi rrëfen racizmin: Shkova në Kolashinin që mbahet nga shqiptarët dhe na trajtuan si legenë, ja çfarë i bënë autobuzit

Fotografi Andi Agaraj ka rrëfyer eksperiencën e tij të hidhur në Kolashin (Mal të Zi), në destinacionin aq shumë të preferuar për shqiptarët dhe vendin ideal për ski.

Agaraj thotë se nuk do shkelë më kurrë aty për faktin se sipas tij shqiptarët i trajtonin shumë keq e për më tepër, një prej autobusëve me shqiptarë në Podgoricë e goditën me vezë.

RRËFIMI:

Shkova dhe une per ski ne kolashin ne Mal te zi, dhe nuk shkel me, arsyeja se jam shqiptar, shqiptarin atje e trajtonin si legen, shkoje ne lokal te pije dicka nuk te vinte te merte porosine, shkoje ne banak per te porositur nuk te degjonte fare, shkoje per te mar ski, nuk te jepnin ste kthenin pergjigje, sa vinte malazezi i merte direkt skite.

Nje rracizem i papare ne nje vend turistik qe mbahet nga shqiptaret ku vetem dje ne kolashin mund te ishin mbi 2000 vet nga shqiperia. Pas gjithe peripecive qe kalonin shqiptaret ne kolashin vjen qershia mbi torte nje nga autobuzet shqiptar goditet me veze ne podgorice. Ky pra te dashur miq eshte turizmi qe bejne shqiptaret vetem perbuzje ne cdo hap qe hedhin. Eksperienca ime personale dhe shqiptareve qe pashe une dje ne kolashin.

Fotografi rrëfen racizmin: Shkova në Kolashinin që mbahet nga shqiptarët dhe na trajtuan si legenë, ja çfarë i bënë autobuzit Read More »