Edhe pse në dimër, fluksi i të huajve që hyjnë në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas statistikave të INSTAT, në dy muajt e parë të vitit kanë hyrë 423 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vend të parë qëndrojnë shtetasit nga Kosova, të cilët pas “braktisjes” së vitit të kaluar, i janë rikthyer sërish shtetit amë. Sipas INSTAT, në dy muajt e parë të vitit kanë hyrë 140 mijë shtetas nga ky vend, me një rritje prej rreth 17%.
Në vend të dytë janë maqedonasit, me rritje 14% për dy mujorin, por që i dedikohet kryesisht janarit, pasi në shkurt numri i tyre ka qenë në rënie.
Në Shqipëri kanë hyrë rreth 61 mijë shtetas greke në janar-shkurt, me një rritje prej gati 19% me bazë vjetore.
Nuk shkoojnë vetëm shqiptarët në mal të Zi për fundjavë. Edhe malazezët kanë filluar të preferojnë Shqipërinë., duke u renditur të katërtit, me rritje prej 17%, me gati 50 mijë shtetas të hyrë.
Italianët vijojnë ta kenë të preferuar Shqipërinë, teksa numri i hyrjeve u rrit me 13% në 13 mijë shtetas.
Për shtetasit e tjerë hyrjet kanë qenë më të ulëta sesa 10 mijë. Anglezët, amerikanët, zviceranët, gjermanët polakët kanë ardhur në rritje.
Në sezonin e verës pritet që turistët e huaj të shënojnë sërish rritje.
Mund të ndodhë që një copë e stërmadhe shkëmbi, të bëhet objekt dhe subjekt legjendash që vijnë nga lashtësia, deri në ditët tona.
Faktorë natyrorë mund ta kenë shkëputur nga mali mëmë, e kanë rrokullisur disa dhjetëra metra poshtë deri sa ka qëndruar në mënyrë të çuditshme mbi dy këmbë prej guri.
Por, pavarësisht kësaj, njerëzit kanë thurur legjenda e histori që, janë transmetuar brez pas brezi, për të ardhur deri në ditët tona. Kjo copë shkëmbi, unikale në llojin e vet, për përmasat dhe mënyrën e vendosjes, është shndërruar tashmë në një simbol për fshatin pranë të cilit është vendosur.
Për këtë objekt, Koha jonë sjell një histori.
“Guri me Qiell” është një objekt natyror i jashtëzakonshëm në rrethin e Vlorës. Ai ndodhet në majën e Malit të Lipes, në afërsi të fshatit Vranisht, në një largësi prej 65 km në juglindje të qytetit.
Për të shkuar tek ky vend, duhet të udhëtosh për rreth 90 minuta në një shteg kafshësh. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.
Studiuesit thonë se “Guri me Qiell” është një monument prehistorik, që lidhet me periudhën e neolitit të vonë dhe me epokën e bronzit, që shkon deri në 4 – 9 mijë vjet më parë.
Në një interpretim tjetër sipas legjendave të zonës, kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Ai është një gur i stërmadh gjigand, që duket sikur është vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijjuar trajtën e një tryeze që legjendat thonë se, është “Tryeza e Perëndive”.
Ndoshta edhe për këtë arsye, guri, në formën e një paralelopipedi me një peshë që mund të shkojë deri në 10 tonë, emërtohet ndryshe edhe “Sofra e zotit”. Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta. Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi I Zotit”.
Kjo etimologji, sipas muzeologëve, përbën edhe një nga gjërat e veçanta të këtij monumenti, që qëndron në një mjedis mjaft të pasur me histori të ngjashme. Pak më tej ndodhet vendi që emërtohet “Lëmi i Lejlerëve”, një vend i shenjtë që vjen nga periudha pellazge i emërtuar ndryshe “Pjella e bardhë”. Në një drejtim tjetër është shpella dikur e banuar e Lipes.
Ky gur, që vlerësohet si një nga monumentet e rëndësishme në rrethin e Vlorës, është eksploruar shumë pak. Përveçse banorëve vendas dhe atyre nga Vlora, si dhe studjuesve, “Guri me Qiell”, ka zgjuar interesin e mjaft të huajve. Deri para pak vitesh, në vendin ku ndodhet “Guri me Qiell”, vinin çdo verë një numër i konsiderueshëm turistësh e studjuesish francezë, falë një iniciative private të poetit popullor, Muhamet Tartari, udhëheqës i grupit folklorik të Vranishtit.
Ata ngrinin çadrat në territorin ku ndodhet monumenti, një vend i ashpër malor dhe kalonin aty ditë të tëra, duke shijuar prodhimet blegtorale e bujqësore të zonës, nën freskinë e malit dhe hijen e këtij guri.
Apollonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.
Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apollonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin!
Apollonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apolloniate e arteve te bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apolloni.
Kronikat romake tregojnë se si ai, me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apollonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apolloninë nga të gjitha taksat.
Pas një tërmeti në shek. III e.s lumi Aoos ndërron shtrat duke e shkëputur qytetin nga deti. Goditja rezultoi fatale në një epokë kur i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Qyteti e humbi gradualisht rëndësinë ekonomike duke u shndërruar në një qendër të thjeshtë fetare.
Por shuarja graduale dhe jo e dhunshme e jetës qytetare si dhe shndërrimi i zonës përreth në kënetë, të bonifikuar vetëm pas vitit 1945, bëri që zona arkeologjike të ruhet mjaft mirë. Arkeologët e quajnë Apolloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Me interes të madh për vizitorin në Apolloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.
Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë, si dhe rruga automobilistike në gjendje të shkëlqyer, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër, e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.
Veshjet popullore të traditës në trevat e Vlorës janë të shumëllojshme dhe mund të shndërrohen në një resurs të vërtetë për zhvillimin e turizmit kulturor. Sipas piktorit te njohur vlonjat, Hilmi Bani, “kjo shumëllojshmëri ngjyrash dhe stilesh në konceptimin e veshjeve popullore është mjaft interesante në këndvështrimin artistik dhe përbën ndoshta edhe një veçori krahasuar me rajone të tjera të vendit”.
Kjo mund të shfrytëzohet mirë në funksion të tërheqjes së turistëve të huaj, sepse veshjet popullore të traditës janë objekt i vazhdueshëm interesi për turistët, që zgjedhin Shqipërinë apo Vlorën për të kaluar ditë pushimi.
Thanas Gega, etnolog dhe muzikolog i pasionuar pas kostumeve popullore, shprehet se, “stimulimi i prodhimit të këtyre veshjeve do të mundësonte funksionimin e një tregu me mjaft vlera ekonomike dhe promovuese”.
Veshjet e traditës kanë elementët dallues që lidhen veç të tjerash me karakteristikat e terrenit, trevave, klimën etj. “Në vendet malore me klimë të ftohtë dhe me blegtori të zhvilluar, veshjet popullore në pjesën më të madhe prej tyre, bëheshin prej leshi. Në ndonjë zonë të veçantë të Lumit të Vlorës, përdoreshin edhe liri, si dhe gjeshtra për veshje e shtroje”, ka thënë Feti Brahimi, rapsod i njohur dhe drejtues i grupit folklorik të Lapardhasë.
Veshja më e vjetër e gruas labe është ajo me fustan. Sipas studiuesit Sejmen Gjokoli, një veshje e mëvonshme kanë qenë edhe çitjanet, gjë që përbën një element krejtësisht të ndryshëm nga veshja e vjetër tradicionale e lidhur kjo me ndikimet në momente të ndryshme historike.
Veshja e burrave ka më tepër elementë të origjinalitetit, ku më e vjetra është ajo me këmishë të gjatë, me fustanellë e tirqe kofshore, me poture e tirqe gjunjare, veshje me qillota. Pjesë e kostumeve dhe veshjeve popullore janë edhe opinga e lopës, këpucët me profka, opinga me shollë të rregjur, opinga me xhufka, si edhe qylafi i bardhë me thumb në majë.
Po ashtu, në këtë drejtim spikat tradita e fshatit Nartë, ku kostumet janë tërësisht të veçanta dhe nuk ngjasojnë me asnjë tjetër në trevat e Vlorës dhe madje edhe të vendit. Veshjet në këtë zonë janë të punuara kryesisht me satin, që përbën një element unikal në materialet, që përdoren për veshjet popullore, si edhe me lir.
Himara është kthyer shpesh në arenë përplasjesh ku elementë të ndryshëm, për hir të së vërtetës pjesë e një grupi të vogël e gjithmonë të njëjtë, janë përpjekur që në këtë krahinë të ndezin, të acarojnë e të krijojnë idenë e një përballje mes grekëve e shqiptarëve. E gjithë kjo zallamahi ka lindur nën mbështetjen e rrymave të caktuara këndej e andej kufirit, të cilat në thelb nuk kanë asnjë lidhje me interesat e vërteta të banorëve të Himarës, por me të tilla ngushtësisht personale nga njëri krah dhe tërsisht politike në tjetrin.
Në mjaft dokumenta të zbuluara në arkivat e Venedikut nga profesor Pëllumb Xhufi një pjesë e të cilave renditen në veprën Arbërit e Jonit theksohet një histori që sado të mbulohet sot, del sërisht mbi sipërfaqe me të vërtetat e pandikuara të saj, sa kohë ato janë realizuar nga vetë banorët dikur. Dokumentat janë aq të qarta sa nuk mund t’i kundërshtojë askush! Ato i kanë plotësuar vencianët, napolitanët e mbi të gjitha vetë himariotët në periudha të ndryshme.
Në një dokument venecian të vitit 1554 shkruhet qartazi se flota osmane po shkonte drejt Himarës, për të shkatërruar plotësisht ata shqiptarë të gjorë. Kjo tregon se çfarë i konsideronin të tjerët, por edhe si vetëndiheshin himariotët në shekullin e XVI. Është emblematike një letër shkruar nga himariotët Papës Gregori i XIII ku pasi i deklarohen se janë shqiptarë i kërkojnë mbështetje jo thjesht ndaj trupave osmane, por edhe për të rindërtuar kishat e tyre të shkatërruara nga sulmet e shumta. Në vitin 1602 një tjetër dokument flet sërisht për shqiptarët e Himarës dhe pozicionin e tyre në atë kohë. Në vitin 1644 kemi një letër të Gjon Bixhilit nga Dhërmiu, që përveçse lajmëron venecianet për mbërritjen e flotës osmane, shkruan në radhën e pestë të saj, se të gjithë shqiptarët e Himares ishin të organizuar dhe gati për luftë.
Këto tregojnë veç të tjerash edhe lidhjen e fortë që Himara kishte me perëndimin e veçanërisht Italinë. Kjo zonë gëzonte të drejta vetëqeverisëse, ashtu siç edhe Mirdita në veri të vendit. Është periudha kur faktohet ekzistenca e shkollave shqipe në Shqipërinë e veriut të hapura nga Pjetër Bogdani, e Pjeter Budi, e po ashtu nga kleriku Nil Katalani në Himarë. Në shekullin e XVII shkolla e tij shqipe në Dhërmi kishte mbi 80 nxënës, e po kështu vijuan ato në Himarë, e më pas në Pilur. E gjithë kjo inisiativë kishte jo vetëm kundërshtimin grek, por edhe atë osman. Katalani vdiq në këtë vend, e po këtu u varros nën nderimet e shqiptarëve të Himarës, që i garantuan gjatë punës së tij edhe mbrojtjen fizike. Letra të tjera nga komuniteti ju dërguan në shekullin e XVIII deri edhe careshës së Rusisë Elizabeta Petrovna, ku himariotët shkruajnë se gjuha e tyre është ajo shqipe si në të gjithë Shqipërinë e kohës. Këtu dallohet edhe një element i parë mjaft i rëndësishëm që lidhet me gjuhën greke, pasi ata pohojnë se më të diturit flasin këtë gjuhë dhe atë italiane.
Pra, vetëm në shekullin e XVIII popullësia e këtyre anëve vetëshkroi se paria flet edhe italisht edhe greqisht. Këtë element e përmend edhe ushtaraku e studiuesi britanik William Martin Lik, i cili thotë se në këtë zonë, të gjithë kurbetlinjtë flisnin greqisht dhe italisht, ndërsa gratë nuk dinë asnjë gjuhë tjetër përveç shqipes. E kjo sigurisht ka arsyet e saj e që lidhen në thelb me Korfuzin. Ky ishull i afërt që prej vitit 1386 ishte venecian, pra ku gjuhë e përdorur në administratë ishte ajo italiane, ndërsa në komunikim të përditshëm greqishtja. Nuk duhet harruar se në këtë ishull ka patur një komunitet të madh arbëror, të mbishtresëzuar që në kohët e Ilirisë. Përveç shkëmbimeve tregëtare, Korfuzi ishte një vendstrehim, ku luftëtarët himariotë çonin familjet e tyre përgjatë betejave ndaj osmanëve që shpesh zgjasnin edhe me vite. Kjo është një ndër arsyet se përse paria, pra ata që nuk përfshiheshin në beteja, dinin të flisnin apo komunikonin në këto dy gjuhë.
Sigurisht dokumentat, autorët, studiuesit që flasin për identitetin e Himarës janë të shumtë, por në këtë rast u sollën vetëm disa prej tyre, si për të treguar se historia nuk bëhet sipas interesave të kërkujt. Atë e kanë shkruar vetë himariotet në shqip, në gjuhën e paraardhësve të tyre. Kjo është e vërteta, pavarësisht nëse dikujt i pëlqen ose jo. Fakt mbetet se vetë himariotët janë krenarë për këtë histori, sepse atë nuk mund të ndryshojë një grusht individësh të shitur apo blerë për interesa personale.
Kulinaria po shndërrohet në një nga promotorët më të fuqishëm të turizmit në Shqipëri dhe jo më kot. Përveç shijes unike dhe dietës mesdhetare, Shqipëria renditet në vendet më të lira për sa u përket ushqimeve në restorante.
Në 2017-n, sipas renditjes që bën portali më i madh i kostove të jetesës Numbeo.com, Shqipëria u rendit e 22-a në botë për restorantet më të lira. Një vit më parë vendi renditej e 24-ta.
Sipas Indeksit, në Shqipëri mund të konsumosh një drekë me tri pjata për dy persona në një restorant mesatar për 16.3 euro. Ndërsa një vit më parë, çmimi për një drekë për dy persona ishte 17 euro. Edhe pse ndër shtetet më të lira në botë, disa prej vendeve të rajonit janë edhe më të lira se Shqipëria. Kosova është vendi më i lirë i rajonit për sa i përket çmimit të një dreke për dy persona në një restorant mesatar, prej 12.5 eurosh.
Maqedonia është vendi i dytë më i lirë në rajon, ku një drekë e njëjtë kushton 13.8 euro, ndërsa Bosnja vendi i tretë, me 15.3 euro.
Vendet më të lira
Restorantet më të lira për të konsumuar një drekë janë ato aziatiket. Në Bangladesh mund të konsumosh një drekë për dy persona për vetëm 6.8 euro. Më pas renditet Pakistani me 7.3 euro dhe në vend të tretë është India me 7.46 euro. Të lira janë edhe Indonezia, Malajzia, të cilat njihen për kuzhinën e veçantë dhe përdorimin e erëzave në gatim.
Në Europë vendi më i lirë për të konsumuara një vakt në restorant është Moldavia.
Vendet më të shtrenjta
Në vend të parë është Zvicra, ku një drekë për dy persona me tre pjata kushton mesatarisht 85.5 euro. Edhe pse më e lirë se një vit më parë, Zvicra renditet në vendin e parë për sa i përket çmimit të lartë të restoranteve.
Restorantet më të shtrenjta do t’i gjeni në shtetet e Europës Perëndimore si Belgjika, Danimarka, Islanda, ku dreka do t’iu kushtojë më shumë se 80 euro.
Renditja / Vendi Çmimi në euro
1 Bangladeshi 6.81
2 Pakistani 7.30
3 India 7.46
4 Sri Lanka 7.77
5 Indonezia 8.80
6 Malajzia 10.32
7 Algjeria 10.65
8 Filipinet 10.86
9 Tunizia 11.85
10 Moldavia 12.21
11 Ukraina 12.38
12 Kosova (Disputed Territory) 12.50
13 Irani 12.90
14 Maroku 13.23
15 Egjipti 13.74
16 Maqedonia 13.81
17 Vietnami 14.19
18 Turqia 14.57
19 Peruja 14.86
20 Bosnjë dhe Hercegovina 15.34
21 Tailanda 15.56
22 Shqipëria 16.37
23 Gjeorgjia 16.52
24 Armenia 16.79
25 Serbia 16.89
26 Kolumbia 16.99
27 Arabia Saudite 17.24
28 Meksiko 17.40
29 Kina 17.91
30 Iraku 18.81
31 Azerbajxhani 19.10
32 Tajvani 19.36
33 Ekuadori 20.19
34 Bullgaria 20.45
35 Rumania 21.45
36 Republika Çeke 21.62
37 Bjellorusia 23.02
38 Territori i Palestinës 23.51
39 Polonia 23.81
40 Venezuela 24.23
41 Brazili 24.78
42 Sllovakia 25.00
43 Mali i Zi 25.00
44 Kazakistani 25.08
45 Hungaria 25.70
46 Kroacia 26.87
47 Argjentina 26.95
48 Rusia 28.30
49 Kosta Rika 28.35
50 Republika Dominikane 28.55
51 Sllovenia 30.00
52 Portugalia 30.00
53 Lituania 30.00
54 Letonia 30.00
55 Greqia 30.00
56 Koreja e Jugut 30.34
57 Japonia 30.48
58 Afrika e Jugut 30.85
59 Panamaja 32.31
60 Emiratet e Bashkuara Arabe 32.98
61 Katari 33.27
62 Kili 33.57
63 Jordania 34.17
64 Spanja 35.00
65 Estonia 35.00
66 Puerto Rico 36.34
67 Qipro 36.50
68 Hong-Kongu 36.99
69 Singapori 37.00
70 Uruguai 39.93
71 Shtetet e Bashkuara 40.38
72 Libani 40.38
73 Kanadaja 40.54
74 Gjermania 45.00
75 Izraeli 49.37
76 Zelanda e Re 49.39
77 Malta 50.00
78 Italia 50.00
79 Franca 50.00
80 Austria 50.00
81 Mbretëria e Bashkuar 50.82
82 Australia 50.89
83 Irlanda 55.00
84 Suedia 59.28
85 Holanda 60.00
86 Finlanda 60.00
87 Belgjika 60.00
88 Danimarka 69.82
89 Norvegjia 83.67
90 Islanda 85.30
91 Zvicra 85.53