Turizem

Vlora dhe bukuritë e bregdetit të saj!

Vlonjatët janë teje krenarë për qytetin dhe identitetin e tyre “lab”, siç u pëlqen edhe shqiptarëve nga qytete të tjera t’i quajnë! Vlora është një ndër ato qytete shqiptare, që ka se për çfarë të dallohet: për historinë dhe rolin e saj në vendosjen e Pavarësisë, apo për bukuritë natyrore që ofron. Megjithatë, veçantitë e Vlorës nuk mbarojnë vetëm këtu!
Bregdeti i Vlorës karakterizohet nga një larmi habitatesh, nisur nga fakti se Adriatiku dominohet nga bregdeti i ulët, ranor, me gjire, kepe dhe laguna interesante, ndërkohë që e kundërta ndodh me Jonin shkëmbor, me gjire e plazhe me gurë, me shpella e zgavra të shumta. Bota bimore përgjatë vijës bregdetare shqiptare paraqitet me një bio-diversitet të lartë që pasqyrohet edhe nga numri i konsiderueshëm i algave të kuqe, të murrme e të gjelbra dhe prania e disa llojeve të bimëve me farë. Specialistë të mjedisit në qytetin e Vlorës shtrojnë domosdoshmërinë e ruajtjes së standardeve mjedisore në hapësirën detare, përmes aplikimit të formave bashkëkohore në këtë fushë, mes të cilave përfshihet krijimi i Zonave të Mbrojtura Detare. “Invertebrorët detarë përbëjnë pjesën më të madhe të faunës detare dhe janë shumë pak të njohur në Shqipëri, megjithëse janë përcaktues të strukturës trofike brenda ekosistemit dhe influencës në ciklin e dioksidit të karbonit në det”. Pyjet në Gadishullin e Karaburunit janë konsideruar si pyjet më të mirë të ruajtur në Shqipëri. Një diversitet i lartë i llojeve të bimësisë karakterizon shpatet e kodrës dhe habitate të tjera të gadishullit dhe të ishullit. Një numër i konsiderueshëm i llojeve bimore tokësore, të cilat i përkasin Librit të Kuq të Florës së Shqipërisë janë të pranishme në këtë zone. Kjo zonë është mjaft e pasur me habitate bregdetare dhe detare. Ne pjesën perëndimore të Ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit, në ujërat detare të kësaj zone, është regjistruar prania e breshkave ujore mishngrënëse, delfinit dhe Foka mesdhetare. Prania e tyre është një rast shumë i rrallë, të cilat janë ndër llojet më të kërcënuara në shkallë globale, si dhe shumë lloje të tjera si lloje të ndryshëm peshqish, korale, barërat detar dhe specie të tjera të rëndësishme detare me interes ndërkombëtar, që janë të mbrojtura nga disa konventa ndërkombëtare (Barcelona, Bonn, CITES, Bern).
1. DET, DIELL DHE PLAZH
Arsyeja kryesore përse Vlora tërheq turistë, është padyshim për shkak të plazheve të saj. Mund të bëni plazh brenda qytetit të Vlorës, për të patur më afër edhe hotelet, baret, restorantet dhe gjallërinë e qytetit, ose mund të lëvizni me makinë pak më tutje. Gjetja e hoteleve për të qëndruar gjatë pushimeve verore nuk është aspak e vështirë, si në Vlorë, ashtu edhe në rrethinat e saj. Një plus për hotelet është edhe afërsia e tyre me detin, si dhe plazhet private, kështu që turistët nuk kanë përse të lodhen duke kërkuar një plazh perfekt. Nëse plazhi privat i hotelit nuk ju mjafton, mos u shqetësoni aspak: mjafton të keni një makinë dhe dëshirën për të eksploruar, dhe mund të kaloni çdo ditë të pushimeve tuaja në nga një plazh të ri. Ku do të ishte qejfi i pushimeve pa pakëz eksplorim dhe aventurë brenda tyre? 2.
2.SPORTE UJORE PËR AVENTURIERËT DHE PESHKIMI
Nëse nuk keni provuar asnjëherë sporte të tilla si zhytje, hedhje me parashutë, rafting, lundrim me kajak etj., atëherë keni provuar shumë, shumë pak aktivitete mahnitëse! Ne ju këshillojmë të mos humbisni më kohë, e nëse keni frikë, mposhteni frikën tuaj dhe përqafojeni aventurën! Ju premtojmë që do t’ia vlejë!Në Vlorë mund të provoni për herë të parë zhytjen në ujërat e pastra të Rivierës tonë. Nëse preferoni paragliding, apo hedhjen me parashutë, , e cila organizohet në Vlorë një cdo vit për profesionistët apo edhe amatorët! Mos u shqetësoni: nëse nuk keni provuar kurrë hedhje me parashutë, një profesionist ju shoqëron gjatë gjithë fluturimit tuaj. E vetmja gjë që ju duhet të bëni, është të qetësoheni, të merrni frymë thellë dhe të shikoni bukuritë e natyrës vlonjate. Na besoni, syri juaj nuk do të ngopet kurrë! Nëse dëshironi të mos jeni as në ajër e as nën ujë, por mbi ujë, atëherë udhëtimet me kajak gjatë Rivierës Shqiptare që ofron ky vend janë të duhurat për ju! Kajaket nuk janë e vetmja gjë që ofron por edhe: rafting, çiklizëm, kanoe, ture kulturore etj. përfshihen gjithashtu në shërbimet e këtij vendi. Mjafton vetëm që t’i vini gishtin një eksperience dhe gjithçka tjetër do të jetë gati për ju!
Sipas nenit 39 të LIGJIT Nr. 64/2012 për peshkimin, i cili lejon dhe kategorizon llojet e peshkimit në: a) Peshkim amator, peshkim i kohës së lirë, me grepa ose mjete të tjera, peshkimi jo tregtar, i paorganizuar i palidhur me ngjarje ose gara të përcaktuara, pa mjete lundruese. b) Peshkim sportiv, peshkim i organizuar që përfshin garimin e lirë midis peshkatarëve për të zënë individin (peshkun) më të madh të disa llojeve, numrin më të madh të individëve ose peshën më të madhe të përgjithshme në varësi të rregullave të çdo gare të veçantë.c) Peshkim turistik, peshkim i kryer nga peshkatarë profesionistë ose nga profesionistë të peshkimit çlodhës, të konsideruar si palë e tretë, e cila organizon ekspeditat e peshkimit.
Qëndra e Peshkimit në Radhimë, është një kompleks peshkimi i cili ofron për qytetarët jo vetëm peshkun më të freskët i cili mbërrin çdo ditë nga varkat e peshkimit të peshkatarëve te zonës. Kompleksi ofron dhe parkim për mjetet detare si dhe udhëtime turistike .Në këtë qendër mund te shikoni dhe shumë specie te veçanta detare në akuariumet e përshtatura me ujë deti. Gjithçka brenda rregullave dhe pa dëmtuar ekosistemin dhe detin e Vlorës.
3.LLOGARA, VLORË
Nuk jemi duke folur vetëm për rrugën sfiduese të Llogarasë, në të cilën djemtë kanë fort dëshirë të provojnë veten dhe aftësitë e tyre si shoferë! Mund të jetë një eksperiencë mjaft e bukur për ta (dhe pakëz e frikshme, mbase), por rruga është gjëja më e paktë që mund t’i shijosh një bukurie të tillë si Llogaraja e cila është një ndër parqet natyrorë më të rëndësishëm të vendit tonë, e meriton plotësisht famën që ka: kudo në Llogara të zë syri gjelbërim, me pemë konifere si pisha e zezë dhe frashër. Edhe fauna nuk ngelet pas për nga shumëllojshmëria, me kaprojtë, thëllëzat, shqiponjat, lundërzat, dhitë e malit, ketrat etj. Këto kafshë mund të gjenden edhe në zonën turistike të Llogarasë, e cila ka edhe shtëpi pushimi prej druri, gjelbërim mahnitës dhe ajër të pastër malor. Ndër monumentet natyrore në Llogara mund të vizitoni Pishën “Flamur”, e cila ka marrë formën e një flamuri për shkak të erërave të forta që fryjnë në atë zonë. Shpella e Lepenicës është një tjetër zonë që nuk duhet lënë pa u vizituar, sepse në muret e saj gjenden shkrime që nga kohët prehistorike. Të tjera shpella janë shpella e Shëngjergjit, e cila thuhet se përdorej nga mbretëresha Teutë e Ilirisë, dhe shpella e Haxhi Alisë, që vizitohet vetëm nga deti, nga Vlora në kepin e Gjuhëzës.

Vlora dhe bukuritë e bregdetit të saj! Read More »

Llogaraja, mes gjelbërimit dhe qetësisë! Një vend i mrekullueshëm që nuk mund ta përshkruash me fjalë

Ngjyra e gjelbërt lidhet ngushtë me natyrën dhe shplodh. Një nga vendet e përshtatshme për t’u qetësuar nga stresi i punës, zhurmat e qytetit, apo smogu është Llogaraja, e zhytur në gjelbërim dhe ku mund të ndihet kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën.
Parku i Llogarase ndodhet rreth 40 km nga qyteti i Vlorës, aty ku bëhet ndarja mes detit Adriatik dhe Jon. Ka një sipërfaqe prej 1020 hektarësh.

Pyjet e dendura kryesisht me bredha e pisha i japin ngjyrën e gjelbërt gjatë gjithë vitit. Parku kombëtar i Llogarasë shtrihet në lartësitë nga 470-2018 metra, c’ka con edhe në ulje të temperaturave.

Gjelbërimi, qetësia, lartësia malore dhe ajri i freskët janë disa nga arsyet pse pushuesit zgjedhin Llogaranë.

Në qafën e saj gjënden hotele, kampe pushimi ku ambjentet ndahen në mënyrën më natyrale me drerët, dhe restorante.

Hotelet, të vendosura kryesisht në Qafën e Llogarasë në lartësinë 1027 metra, kushtojnë nga 4000 lekë dhoma në natë për cift, në 5000 për familjarë. Në vartësi të vendit, cmimet shkojnë edhe nga 7000-15000, kur bëhet fjalë per suita luksoze.

Përsa u përket restoranteve, këtu shërbehen ushqime tradicionale: mishi në hell, arapashi, apo kosi me mjalt dhe arra.

Për shkak te pozicionit ku gjëndet Llogaraja, përpos pushuesve disa ditorë, këtu ndalojne edhe të tjerë që udhëtojnë për në vende të tjera.

Të gjithë për t’u shplodhur në gjelbërimin dhe klimen e saj. “Llogaraja është një vend i mrekullueshëm që nuk mund ta përshkruash me fjalë. Këtu clodhesh”, shprehet një pushuese.

Hotelet në Llogara përgjithësisht ofrojnë edhe guida në pyje, për ata që dëshirojnë të praktikojne trekking.

Një nga ndalesat kyesore është ajo pranë Pishës-flamur, e cila ka këtë emër për shkak të formës që ka marrë nga korrenti i ajrit që përplaset mbi të. Këtu mund të zhvillohen edhe aktivitete sportive ajrore.

Për ata që duan kafshët dhe shpendët, në Llogara gjënden shumë të tillë. Ndër kafshët: dhelpra e drerë.

Por pushuesit, përpos pamjeve të mrekullueshme nga lart, mund edhe ta shfyrtëzojnë bregdetin. Zbritja merr pak minuta, ndërkohë që ngjyra e gjelbërt e pyjeve ia lë vendin blusë së detit.

Llogaraja, mes gjelbërimit dhe qetësisë! Një vend i mrekullueshëm që nuk mund ta përshkruash me fjalë Read More »

’65-70 % të numrit të vitit 2019’/ Klosi: Mbi 400 mijë turistë të huaj vetëm në shtator

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “gjatë muajit shtator të këtij viti Shqipërinë e vizituan mbi 400 mijë turistë të huaj”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “në shtator kemi 65-70 % të numrit të turistëve të vitit 2019. Janë shumë më pak se vjet, por pandemia solli më pak mundësi për të lëvizur dhe i pengoi turistët që të kishim shifrat e vitit të kaluar”.

“Gjatë periudhës 15 korrik -15 shtator hotelet e bregdetit shqiptar ishin 100% të rezervuara. Ne ia dolëm të krijonim një aleancë, e cila i mbajti të hapura industritë, pasi asnjë sektor nuk u mbyll. Kjo bëri që në datën 1 qershor, ne ishim të parët dhe të vetmit në rajon që hapëm kufijtë dhe për asnjë moment nuk ceduam për sa i përket kufirit. Kjo bëri që të kishim një turizëm të qëndrueshëm. Nuk bëmë si vendet e tjera fqinje. Shqipëria ia doli falë disa marrëveshjeve që bëmë me disa operatorë turistikë”, – nënvizoi Klosi.

Sipas tij, shumica e turistëve ishin nga vendet e rajonit: Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut.

“Në 12 qershor patëm charter-in e parë nga Bjellorusia, fituam një treg të ri që është ai i Bjellorusisë, Ukrainës, Polonisë. Në asnjë ditë nuk ceduam dhe sot kemi shifra të qenësishme”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “strukturat mikpritëse kanë bërë biznes afërsisht sa 2019-a, disa edhe më mirë”.

“Sezoni turistik nuk është mbyllur ende, pasi Shqipëria ka mundësi të ketë 12 muaj turizëm”, – tha Klosi./atsh

’65-70 % të numrit të vitit 2019’/ Klosi: Mbi 400 mijë turistë të huaj vetëm në shtator Read More »

Ndërtimi i aeroportit/ Klosi-operatorëve turistikë të Vlorës: Përgatituni për fluks vizitorësh

“Ne patëm një turizëm të kontrolluar, por ky ishte një vit që fitoi mbi frikën dhe mbi pasigurinë”, deklaroi sot, në një takim në Vlorë me strukturat hoteliere, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ai vlerësoi menaxhimin e një sezoni jashtëzakonisht të vështirë turistik.

“Shifrat e hoteleve tuaja tashmë të deklaruara nga ju për turizmin e vitit 2020 dëshmuan që ne ia dolëm edhe plotësuam pak atë çfarë ne kishim objektiv. Ishim një destinacion i hapur, që në 1 qershor, i cili asnjëherë nuk u tërhoq nga frika e COVID-it”, tha Klosi.

Klosi theksoi se “ne vendosëm të ishim të hapur për destinacionet e rajonit dhe për ata që do të sillnin turistët të organizuar me çartera, dhe në qershor erdhi çarteri i parë turistik në Shqipëri”. “Në asnjë vend të Europës nuk ndodhi kjo”, tha ai.

Në fushën e turizmit, Klosi tha se “tani jemi futur në një rritje të qëndrueshme, por sërish dyshoj se jemi vetëm në 1/4 e mundësive tona për të bërë turizëm”.

“Së shpejti do të ndërtohet autostrada e Prishtinës, do të ndërtohet aeroporti i Vlorës për dy vjet, po ju duhet të përgatiteni për fluks turistësh”, tha Klosi.

Ai theksoi se “ky sukses i turizmit shqiptar ka ardhur nga fakti që ne jemi bashkë. “Deti është i gjithë shqiptarëve dhe duhet ta ofrojmë. Për tregun rajonal këtë vit patëm një arritje që ka të bëjë me një fashë të re turistike që është turizmi serb, maqedonas, të cilët erdhën me shumicë në Vlorë dhe në gjithë bregun. Ky bregdet i mrekullueshëm duhet të jetë alternativa e parë për rajonin. Nuk ka asnjë arsye që ne të mos jemi konkurrent të fortë me vendet fqinje, që kanë histori të gjatë me turizmin”, tha Klosi./atsh

Ndërtimi i aeroportit/ Klosi-operatorëve turistikë të Vlorës: Përgatituni për fluks vizitorësh Read More »

Mali i Tomorit, destinacioni i preferuar i turistëve edhe gjatë shtatorit

Parku Kombëtar i malit të Tomorit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Këto ditë të ngrohta të shtatorit, mali i Tomorit po vizitohet nga të apasionuarit e natyrës, turistë vendas dhe të huaj.

Gjatë fundjavës një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit kanë shijuar kulinarin dhe peizazhet e mrekullueshme që ky vend ofron.

“Një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit, në një fundjavë të bukur në Malin e Tomorrit. Duke bujtur pranë Bujtina në Rroshnik, pas shijimit të gatimeve tradicionale dhe verës, përshkuan edhe shtegun Zalli i Dardhës – Qafa e Skurrës – Kalaja e Tomorit, në Malin e Tomorit”, bën të ditur Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat.

Fillimi i vjeshtës e bënë Tomorin një vend atraktiv për turistë, sepse jo vetëm bukuritë natyrore, pamjet madhështore, shtigjet malore, uji i ftohtë, por dhe shtimi i ngjyrave të vjeshtës e bëjnë këtë vend një parajsë turistike. /atsh

Mali i Tomorit, destinacioni i preferuar i turistëve edhe gjatë shtatorit Read More »

Turizmi ia doli ndaj COVID-19/ 230 mijë pasaporta të huaja hynë në Shqipëri në 15 ditët e para të shtatorit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “sezoni turistik ia doli të mbijetojë, megjithëse ishte një vit shumë i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ndërkohë që sezoni turistik nuk ka mbaruar ende”.

Në një intervistë për median Klosi tha se “për turizmin ishte një vit i vështirë. Ndërkohë që nuk bie dakord me lajmet që informojnë fundin e sezonit turistik, apo u mbyll sezoni, pasi duhet t’i falemi motit të mirë dhe të ngrohtë që po nxit ende fluksin e turistëve në vendin tonë, kryesisht nga vendet e Rajonit, si Kosova e Maqedonia”.

“Hotelet e bregut janë ende të frekuentuara në mënyrë të konsiderueshme edhe në mesin e muajit shtator. Bëj apel që sezoni turistik nuk ka mbaruar, kur thamë atëherë deri më 15 nëntor, mbajmë mend që pati shumë ironi nga opozita apo nga njerëz që nuk e kuptojnë këtë industri”, – u shpreh ministri.

“E kemi thënë shpesh dhe po e ritheksoj, – vijoi Klosi, – se do të vazhdojmë të konsumohet turizëm në qoftë se do të vijojë të ketë mot të mirë, pasi janë shumë të interesuar kompanitë për të ofruar destinacion Shqipërinë”.

Duke iu referuar këtij sezoni turistik ai theksoi se “ja kemi dalë në fakt në këtë sezon jashtëzakonisht të vështirë për turizmin. Katastrofik për vendet e Rajonit dhe të Europës që kanë një turizëm të përqendruar. Ne ia dolëm të mbijetojmë, madje mbijetuam të kemi një turizëm të konsiderueshëm në zonat bregdetare. Nga situata e krijuar nga COVID-19, vuajti këtë sezon Berati, Gjirokastra, Korça, Kruja, pra qytetet që ishin destinacione për turistët e huaj. Por ama nuk mund të them që pati shqetësim në zonën e bregut në Vlorë, në Shëngjin, Velipojë të cilat u frekuentuan jo vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë”.

Sipas tij, politika e ndjekur ia doli që ne të kemi një grup të ri turistik në Shqipëri që janë turistët e Rajonit. Pati këtë vit një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Maqedonia, nga Bosnja, Bullgaria e Mali i Zi.

“Pra Shqipëria u shndërrua në një destinacion dhe ky është një lajm shumë i mirë për një turizëm që do të qëndrojë ende”, – tha ministri Klosi.

“Për sa i përket muajve të mbylljes nga Covid padyshim që shifrat ishin 0. Ndërsa në muajt qershor, korrik dhe në gusht shkuan në 40% numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri si zakonisht. Ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit ne kemi rreth 70% të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë, ose rreth 230 mijë pasaporta të huaja kryesisht nga vendet e Rajonit, që kanë hyrë në vendin tonë”, – u shpreh Klosi.

Duke iu referuar bilancit të hyrje daljeve, Klosi theksoi se numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë është minimal dhe buxheti i shpenzuar i papërfillshëm, kundrejt hyrjes së të huajve në vendin tonë.

“Dy ishin mesazhet për turizmin, që dolën nga situata e pandemisë: e para, që shqiptarët njohën Shqipërinë, potencialin e madh turistik të vendit dhe në këtë kuadër filozofia që ndoqëm për njohjen e bregdetit shqiptar si destinacion të mundshëm pati efekt, nga vizitorët e rajonit. Së dyti, thirrja emergjente që sa shumë nevojë kemi ne për struktura akomoduese, pasi me këtë fluks të turistëve të brendshëm dhe atyre nga Rajoni, që po e bëjnë zgjedhje Shqipërinë për turizëm kërkojnë zgjerim të strukturave akomoduese”.

Klosi theksoi se turizmin në Shqipëri e favorizojnë ndër të tjera edhe çmimet e arsyeshme dhe kulinaria tradicionale.

“Risi në këtë sezon turistik ishte edhe zgjerimi i hapësirave publike ku pushuesit frekuentonin plazhin pa kosto dhe në disa bashki pati shërbime për mbajtjen e plazheve pastër. Pra oferta për plazhin publik ka qenë e përmbushur në shumë drejtime”, – tha Klosi.

Klosi evidentoi faktin se, nga të gjithë turistët e huaj që vizituan vendin tonë nuk pati asnjë rast të infektuar në hotelet shqiptare, çka na rriti reputacionin “Shqipëria vend i sigurt për turizëm”. /atsh

Turizmi ia doli ndaj COVID-19/ 230 mijë pasaporta të huaja hynë në Shqipëri në 15 ditët e para të shtatorit Read More »

Gjirokastra, gjithnjë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare

“Gjirokastra është bërë gjithmonë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare e pashmangshme për miqtë, vizitorët, partnerët ndërkombëtarë”.

Kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi i cili priti grupin e miqësisë Francë-Shqipëri të parlamentit francez, kryesuar nga kryetarja e këtij grupi, mikeshë e Shqipërisë, deputetja Mireille Clapot.

Grupi i miqësisë Francë-Shqipëri i parlamentit francez, kryesuar nga kryetarja e këtij grupi, mikeshë e Shqipërisë, deputetja Mireille Clapot, me pjesëmarrjen e zëvëndëskryetarit të këtij parlamenti, Marc Le Fur, kanë ardhur për vizitë pune në Shqipëri me ftesë të kryetares së grupit të miqësisë Shqipëri-Francë në Kuvendin e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, njëkohësisht deputete e qarkut të Gjirokastrës.

“Hapja e degës së Aleancës Franceze në Gjirokastër, binjakëzimi i Gjirokastrës me qytete të ngjashme franceze, zhvillimi i projekteve në kornizën e programeve të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, ishin pistat kryesore që diskutuam, edhe me kolegët frankofone të qytetit tonë. Nuk do të ndalemi se prezantuari e promovuari Gjirokastrën dhe projektet e reja të muzealizimit e infrastrukturore që po e bëjnë atë destinacionin kryesor të turizmit shqiptar”, u shpreh kryebashkiaku Golemi./atsh

Gjirokastra, gjithnjë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare Read More »

Shtatori, optimizëm për turizmin

Pas një vere të vështirë për turizmin, brigjet e Adriatikut dhe Jonit vijojnë të mirëpresin pushues edhe gjatë muajit shtator.

Zgjatja e sezonit e favorizuar edhe nga temperaturat e larta të kësaj vjeshte, shihet me optimizëm edhe pse prenotimet janë të pakta.

Sipas kryetarit të shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës, Eduard Xhepa, të ardhurat e siguruara nga ana e hoteleve kanë pësuar rënie me 70% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërkohë në Vlorë, gjysma e sezonit turistik vlerësohet e suksesshme por mungesa e transportit urban vijon të mbetet shqetësim kryesor.

Sipas kreut te operatorëve turistikë, Vasil Bedini, edhe kërkesa për punonjës të huaj është thelbësore.
Shtatori fatmirësisht duket do të jetë një muaj i plotë turistik në Vlorë pasi vijojnë prenotimet nga kosovarët, ata ukrainas dhe bjellorusë.

Shtatori, optimizëm për turizmin Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com