Kombëtarja shqiptare do rikthehet në muajin tetor, pasi ka në program ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” ndaj Çekisë dhe miqësoren me Bullgarinë. Ditën e sotme trajneri Sylvio Mendes Campos Junior ka shpallur edhe listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion.
Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator. Rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju dhe së fundmi edhe ka luajtur me Çelsin në Premier Ligë. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet. Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.
Shqipëria U-21 luajti sot ndaj Rumanisë U-21 ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Europianit të kësaj grup-moshe, duke triumfuar me rezultatin 3-2 pas një ndeshjeje të mbushur me emocione.
Formacioni i Shqipërisë: Klidman Lilo, Behar Ismaili, Ermis Selimaj, Adrian Bajrami, Ajdi Dajko, Arda Kurtulan, Medon Berisha, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Geralb Smajli.
Minutat e para janë shumë të balancuar me të dyja skuadrat që qarkullojnë topin, por nuk arriijnë të krijojnë raste të pastra për shënim. Në minutën e 14-të Borza i Rumanisë ka një mundësi për gol shumë afër portës, por gjuan jashtë. Janë sërish rumunët që i afrohen rrezikshëm portës kuqezi me gjuajtjen e kapitenit Munteanu nga distanca që përfundon jashtë ngjitur me shtyllën pingule. Pjesa e parë mbyllet me një barazim 0-0 pa shumë raste të pastra për shënim.
Pjesa e dytë nis shumë vrullshëm me Rumaninë që zhbllokon rezultatin me anë të Grameni, i cili godet saktë në zonë pas një krosimi nga e djathta duke e depozituar topin në rrjetë. Kombëtarja U-21 reagon menjëherë një minutë më pas kur pas një krosimi nga e djathta në qendrë të zonës Arda Kurtulan godet dhe topi përplaset në traversë. Buxhelaj i ndodhur aty pranë provon fare afeër portës, por një nga mbrojtësit rumun largon topin në vijnë fatale. Shqipëria U-21 hidhet e gjitha në sulm dhe bën presion të lartë, duke iu afruar sërish golit, këtë me Shpendin, gjuajtja e të cilit përfundon jashtë ngjitur me shtyllën. Trajnerët kanë bërë ndërkohë zëvendësimet e para, duke rifreskuar forcat.
Pavarësisht përpjekjeve në minutën e 58-të rumunët dyfishojnë. Gjuajtja nga distanca e njërit prej mesfushorëve rumunë grushtohet nga portieri Lilo, por Borza që ndjek aksionin godet saktë dhe shënon.
Gjithsesi, kuqezinjtë nuk dorëzohen dhe në minutën e 63-të Berisha jep një top në thellësi për Cristian Shpendin, i cili arrin të godasë portën me topin që pasi devijohet nga një mbrojtës përfundon në rrjetë. Goli u jep zemër kuqezinjve që vazhdojnë të këmbëngulin dhe barazim nuk vonon. Kapiteni Medon Berisha lëshon një predhë nga një distancë e largët me topin që përfundon në trekëndëshëin e portës rumune. Është minuta e 70-të dhe rezultati i fiksuar në shifrat 2-2.
Tani Shqipëria U-21 beson dhe hidhet e gjitha në sulm. Në minutën 87-të kuqezinjtë zbresin në zonë dhe Stiven Shpendi, jep një pasim të shkurtër për Pajazitin, i cili godet saktë dhe arrin të shënojë për 3-2. Misioni përmbysje realizohet, shpërthen festa në “Elbasan Arena” me kuqezinjtë që më në fund arrijnë të kalojnë në një avantazh të merituar. Në minutat e fundit Kombëtarja shqiptare arrin të menaxhojë mirë lojën, duke marrë kështu tre pikë të rëndësishme, duke u renditur në vendin e parë të Grupit E me 6 pikë pas dy ndeshjeve të para. /FSHF
Luiza Gega vijon shkëlqimin në garat e atletikës. Sportistja shqiptare ka vendosur një tjetër rekord të ri kombëtar, këtë herë në garën e 2000 metrave me pengesa. Me kohën 5 minuta, 56 sekonda dhe 79 të qindtat, Gega e ka mbyllur e katërta garën në turneun Botëror të Atletikës, mbajtur në Zagreb të Kroacisë, për kategorinë “Gold”.
Me kohën 5:56,79 sportistja kuqezi përmirëson me disa sekonda rekordin kombëtar në këtë disiplinë, të vendosur nga vetë ajo në 2019 me kohën 6:00.07. Koha 5:56.79 e regjistruar nga Luiza Gega në Zagreb është koha e dytë me e mirë në historinë e disiplinës 2000 metra me pengesa në Europë dhe e katërta më e mirë në botë.
Pak javë më parë, Luiza Gega përmirësoi një tjetër rekord të sajin, duke bërë që me kohën 9:09.64 të thyente edhe rekordin kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa, në turneun “Diamond League” që u zhvillua në Zurich të Zvicrës. Kështu, Gega mbyll sezonin me dy rekorde të reja kombëtare, në garën e 2000 dhe 3000 metrave me pengesa.
Fitorja ndaj Polonisë në “Air Albania” ka vendosur Shqipërinë në pozita shumë të favorshme për të shkuar në Euro 2024.
Kuqezinjtë kryesojnë grupin dhe në tre ndeshjet e mbetura, tashmë janë ndër favoritët për të siguruar një nga dy vendet e para që të çojnë në Gjermani 2024.
Ka një sërë kombinimesh rezultatesh që të çojnë drejt këtij objektivi, por ka që tani një “kuotë minimale” që ta garanton praninë në turne.
Matematikisht, nëse Shqipëria siguron 5 pikë në tre ndeshjet e mbetura në grupin e saj, do të ketë të sigurt biletën për turne në Gjermani, pasi do të bëhej një nga dy skuadrat e para në grup.
Duke llogaritur që 2 nga 3 ndeshjet e kuqezinjve janë në “Air Albania”, ky objektiv bëhet mëse i arritshëm.
Shqipëria arriti të merrte një pikë të çmuar në transfertë ndaj Çekisë, duke barazuar me rezultatin 1-1, falë supergolit të Nedim Bajramit. Me këtë barazim, kuqezinjtë e Silvinjos ngjiten në kuotën e 7 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë në Grupin E, me një pikë më pak se Çekia kryesuese. Ndërkohë në vend të tretë ndodhet Polonia me 6 pikë.
Kujtojmë që polakët triumfuan ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 2-0, falë dopietës së Levandovskit. Në vend të katërt ndodhet Moldavia me 5 pikë, ndërsa tabela mbyllet nga Ishujt Faroe me vetëm 1 pikë në 4 ndeshje. Një renditje që i jep edhe më shumë vlerë sfidës së 10 shtatorit kundër Polonisë. Një përballje që do të jetë si një finale, pasi luhet një pjesë e madhe e kualifikimit, ndonëse pas kësaj sfide mbeten për t’u luajtur edhe tri takime të tjera, me kuqezinjtë që do të sfidojnë sipas radhës më tej Çekinë në shtëpi më 12 tetor, Moldavinë në transfertë më 17 nëntor, për ta mbyllur grupin me ndeshjen në shtëpi, më 20 nëntor kundër Ishujve Faroe.
Kështu përballja me Poloninë ka një rëndësi të madhe për Kombëtaren tonë, e cila edhe në rast barazimi do t’i mbante pas polakët në renditje, pa nënvlerësuar as Moldavinë që të dielën luan në transfertë kundër Ishujve Faroe. Ndërsa një fitore për kuqezinjtë e Silvinjos do të përkthehej në një hap galopant drejt kualifikimit për në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Lionel Messi është lindur më 24 qershor të vitit 1987. Ai është një futbollist argjentinas, i cili luan si sulmues në klubin amerikan, Inter Miami.
Që nga mosha 21-vjeçare, Messi ka qenë i nominuar për të fituar Topin e Artë dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit.
Një vit më vonë, në vitin 2009, ai ka fituar çmimet e para të Topit të Artë si dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit. Ai ka vazhduar dominimin e tij, duke fituar edhe tre Topa të Artë në vitet 2010, 2011 dhe 2012.
Ai gjithashtu ka fituar në sezonin 2010–11 UEFA Lojtari më i mirë në Evropë. Në moshën 24-vjeçare, Messi është bërë golashënuesi më i mirë i historisë së Barcelonës në të gjitha kompeticionet.
Në moshën 25 vjeçare, Messi është bërë lojtari më i ri që ka shënuar 200 Gola në La Liga. Në Shtator 2014, Messi ka arritur shifrën e 400 Gola me klubet dhe kombëtaren që në moshën 27-vjeçare.
I njohur gjerësisht si lojtari më i mirë në botë, Messi është vlerësuar nga shumë komentues, trajnerë dhe lojtarët si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave.
Luiza Gega, ka rrëmbyer një tjetër fitore në Europianin Ekipor të Atletikës që po zhvillohet në Poloni. 34-vjeçarja ka shkëlqyer në garën e 3 mijë metrave me pengesa, ku ka zënë vendin e parë, ndërsa ka vendosur një kohë rekord e konkretisht 9 minuta e 17 sekonda.
Ajo ishte e ftuar në një lidhje direkte për “Kubin Sportiv” në Euronews Albania këtë të enjte ku ka folur për emocionet dhe pritshëmritë e saj.
“Jam e lumtur dhe krenare për atë që unë përfaqësoj”,-tha sportistja.
Luiza Gega është shprehur shpresëplotë se ka për të pasur kohën më të shpejtë në të gjitha ligat e këtij kampionati, pasi ditën e sotme ia ka kaluar edhe asaj që konsideronte si konkurrenten më të fortë.
“Sot theva rekord kampionati të këtij lloj aktiviteti, pra që do të thotë se është koha më e shpejtë e të gjitha ligave, pra pavarësisht se unë marr pjesë në ligën e tretë, performancë-rezultati që unë arrij është më i mirë se të gjithë sportistët që kanë marrë pjesë ndonjëherë në këtë lloj kampionati.
Unë besoj shumë se do jem koha më e shpejtë e të gjithë ligave edhe në këtë kampionat, pasi edhe konkurrentja që kisha më të fortë, nuk arriti të kapte kohën që unë kapa sot. Jam vërtet shumë e lumtur sot, pasi thuhet se marrja e medaljeve do të bëhet në bazë të kohës, kush arrin kohën më të shpejtë pavarësisht se çfarë lige është”-tha Luiza Gega.
Luiza Gega tha gjithashtu se nga federata europiane është komentuar shumë fakti që ajo ka arritur 11 fitore dhe nëse ajo fiton dy gara do të cilësohet si sportistja më e suksesshme që ka marrë pjesë në Europianin e Atlantikës.
Shqipëria e futbollit fitoi 1-3 në transfertë me Ishujt Faroe, ndeshje e vlefshme për raundin e tretë të grupit E kualifikues të Euro 2024.
Goli i dytë i kuqezinjve u shënua nga Kristjan Asllani në minutën e 51-të, me mesfushorin e Interit që “shkundi merimangat” e portës vendase.
UEFA e ka vlerësuar “perlën” e Asllanit si ndër katër golat më të bukur të javës, duke e futur në listë për ta votuar.
Veç Asllanit në garë për golin më të bukur të raundit të tretë të grupeve është edhe realizimi i turkut Arda Guler, ai i Saka të Anglisë dhe Sallai i Hungarisë.
Tre ditë më parë, realizimi i Jasir Asanit në fitoren 2-0 të Kombëtares kundër Moldavisë u zgjodh si goli më i bukur nga UEFA në bazë të votimeve në internet.