Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar në nder të atletes Luiza Gega, e cilësoi një arritje që të lë pa fjalë triumfin e saj në kampionatin Europian të Atletikës.
Gjatë fjalës së tij nuk munguan as batutat pasi me nota humori Rama tha se sot u prezantua me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkoi që të ishte e pranishme në një aktivitet për të nderuar një kampione europane që mundi një gjermane.
Kreu i qeverisë tha se nuk ndodh shpesh që Shqipëria të lërë pas Gjermaninë, pasi Gega mundi një atlete gjermane.
“E dashur Luiza e fort admiruar, kampionë, tani më edhe e Europës, është krenari dhe privilegj i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh. Në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me fjalët e nevojshme. Kjo arritje të lë pa fjalë.
Po të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti. Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot të prezantohesha dhe me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkova që të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë pas Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë. Por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë.”, tha Rama.
Luiza Gega kualifikohet në finale të garës së 3000 metrave me pengesa në Evropianin e Atletikës që po zhvillohet në Mynih.
Atletja shqiptare garoi në baterinë e parë duke e kaluar e para vijën e finishit me kohën 9’30”93.
Një garë e dominuar nga 33-vjeçarja (në baterinë e parë), e cila fillimisht qëndroi me grupin, për të nisur shkëputjen në pjesën e dytë, duke mos pasur rivale.
Atletja shqiptare, e renditur e pesta në botë në këtë disiplinë një muaj më parë në botëror, konsiderohet favorite për medalje në finalen që do të zhvillohet më 20 gushtit.
Në botëror, ajo ishte atletja më e mirë nga Europa, ndaj shanset për një medalje të artë janë të mëdha.
Florian Marku do të realizojë një nga ëndrrat e tij të fëmijërisë, pasi do të zhvillojë një nga përballjet më të rëndësishme të tij në Shqipëri, në “Air Albania”.
Boksieri shqiptar, kampion bote në peshën “Welter” në kategorinë IBF International ka bërë një postim në rrjetet sociale ku ka njoftuar datën se kur do të zbresë në ring në “Air Albania”, nën sytë e gjithë tifozëve shqiptarë.
“Po kthehem për të gjithë ju, në mes të Tiranës. Në datën 25 Gusht ju pres të gjithëve në ‘Air Albania’.
Kundërshtari dhe info rreth biletave do dalin këtë javë.
Ju premtoj që do jap shpirtin për t’iu bërë krenar akoma dhe më shumë duke u ngritur në majat e botës”, ka shkruar Marku.
Shqipëria nuk ndalet në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, pasi ka siguruar medaljen e katër. Këtë herë është Erkand Qerimaj që ka arritur të fitojë medaljen e argjendë me shkëputje.
Peshëngritësi mori medaljen në stilin me shkëputje të peshave 73 kg, në një garë që nuk kaloi pa polemika, ku sërish u bënë protagonistë gjyqtarët, pasi peshëngritësi shqiptarë “dështoi” në dy provat e para me 148 kg, ndërsa prova e tretë rezultoi edhe e vërteta me peshën 149 kg.
Çuditërisht dy nga tre gjyqtarët e konsideruan fillimisht provën të pa rregullt. Kjo gjë solli protesta të forta nga Qerimaj, trajneri Sokol Bishanaku dhe presidenti i FSHP-së Elez Gjoza. Më pas në rishikim, gjyqtaria vendosi ta quante si provë të rregullt.
Ky rezultat i jepte momentalisht të artën shkodranit, por në provën e fundit italiani Mirko Zanni ngriti 150 kg, duke e marrë ai vendin e parë. Kjo ishte medalja e katërt për Shqipërinë në “Oran 2022”, pasi më parë kanë fituar medalje ari atletja Luiza Gega, mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa një bronzi e ka marrë mundësi Islam Dudaev. /abcnews.al
Shqipëria ka fituar medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” që po mbahen në Algjeri. Mundësi Zelimkhan Abakarov është shpallur kampion në peshat 65 kg në stilin e lirë.
Abakarov bëri një ndeshje fantastike në finale, teksa e dominoi tërësisht sfidën kundër egjiptianit Yehia Hafez dhe triumfoi me rezultatin 11-0, duke marrë medaljen e arit.
Kështu suksesi i parë kuqezi në Oran mban firmën e sportit të mundjes. Zelimkhan Abakarov siç dihet është një sportist nga Çeçenia, i afruar nga Federata Shqiptare e Mundjes dhe i pajisur me pasaportë shqiptare disa muaj më parë.
Florian Marku po përgatitet për duelin e radhës. Boksieri shqiptar ka bërë një postim në instastory, teksa ka bërë kurioz të gjithë fansat.
Aty shihet stadiumi Air Albania, shoqëruar me shkrimin: ”Së shpejti” apo edhe “Vjen së shpejti për të gjithë njerëzit e mi”.
Siç duket, ashtu siç ishte paralajmëruar, na pret një ndeshje e bukur në Shqipëri. 30 vjeçari po kalon një periudhë tejet të mirë, pasi ka fituar tituj të rëndësishëm së fundmi.
Marku vijon të mbetet një nga boksierët më të mirë kuqezi, duke mbajtur lart flamurin e Shqipërisë nëpër botë.
Luiza Gega po kalon formën më të mirë në karrierën e saj. Atletja shqiptare ka treguar veten përsëri dje në Krajova të Rumanisë ku është shpallur Kampione Ballkani në garën e 3000 metrave me pengesa.
Ka qenë vetë atletja e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka treguar arritjen e saj të fundit, me një rekord të ri të vendosur që po pasuron edhe më shumë një karrierë të jashtëzakonshme sportive.
“Kampione Ballkani, Rekord Kampionati në garën 3000m me pengesa me kohën 9.17.91 (koha ime e dytë më e shpejtë.
Shumë e lumtur për fitoren, për ndjesinë e mirë gjatë garës dhe më e motivuar se kurrë për objektivat e radhës.
Faleminderit nga zemra të gjithë që vazhdojnë e mbështesin rrugëtimin tim”, shkruante Gega përkrah fotos me medaljen e fitueses.
Merkato ka hyrë në një fazë interesante të saj, pasi klubet po përpiqen të mbyllin lëvizjet e projektuara para se të nisin fazën e tyre përgatitore dhe ky është një parim i përgjithshëm për transferimet verore dhe objektivat që kanë klubet në treg para se të nisin një edicion të ri. Një nga lojtarët shqiptar që është aktualisht në pritje të mësojë emrin e ri të skuadrës është Thomas Strakosha, i cili është në bisedime me disa klube angleze dhe së fundmi gazetarët e njohur të merkatos në Itali e radhisin krah klubit të Çelsit, një surprizë e vërtetë kjo që u shfaq ditën e djeshme.
Nuk është vetëm gazetari italian Fabrizio Romano që e ka shkruar këtë, por media të ndryshme në Itali dhe në Angli këmbëngulin që Strakosha jo vetëm është në bisedime me klubet angleze, por me shumë gjasë ai mund të veshë fanellën e Çelsit sezonin e ardhshëm, për momentin në statusin e portierit të dytë.
Qëndrimi i gazetarëve italianë
“Gardiani” i portës së skuadrës tonë kombëtare, Thomas Strakosha, vijon të ngjallë kështu interes në klubet e Premier League angleze dhe konfirmohet plotësisht se përveç Njukasëllit, shqiptarin është duke e ndjekur me vëmendje edhe Çelsi. Ky lajm është bërë publik nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili në një postim në “Tëitter” shkruan se portieri “kuqezi” është një nga opsionet e “bluve” të Londrës, duke qenë se aktualisht është lojtar i lirë. “Thomas Strakosha është duke tërhequr interesin e klubeve të mëdha duke qenë se është lojtar i lirë.
Çelsi po e konsideron si një opsion, në rast se Kepa do të largohet nga klubi këtë verë”, shkruan Farbizio Romano. Pas 10 vitesh pjesë e klubit të Lacios, shqiptari ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me klubin italian dhe pas 30 qershorit do të jetë lojtar i lirë. Arsyeja pse Strakosha vendosi të mos rinovonte me klubin italian lidhet jo vetëm me anën financiare, por edhe me kushtin që shqiptari i vendosi Lacios, pra roli i padiskutuar i titullarit. Pra mbetet të shihet deri në fund se çfarë qëndrimi do të mbajë ai, nëse do ta pranojë Çelsin, apo do të shohë mundësinë e një ekipi tjetër që i ofron rolin e titullarit.
Kombëtarja
Strakosha është i konfirmuar tashmë si portier i përfaqësueses, me të cilën ka luajtur shumë ndeshje e do të luajë edhe më shumë në të ardhmen duke pasur parasysh moshën jo premtuese të Etrit Berishës. Edhe pse në rivalitet, dy portierët tanë kanë pasur momente të mira në Serinë A por edhe në Kombëtare dhe ata janë alternuar mjaft mirë me njëri-tjetrin. Por kanë edhe cilësi, pasi vetë trajneri Edi Reja është shprehur më shumë se një herë se portierët e Kombëtares janë të nivelit më të lartë në Europë. Në muajt e fundit titullar ka qenë Berisha, por kjo jo vetëm prej formës, por më së pari sepse Strakosha mungoi për shkak të angazhimeve të tij në bisedimet me klubet angleze, pasi është kuptuar tashmë se ai do të largohet nga Lacio e do të kalojë në Premier League (me shumë gjasë) e dje në listën e klubeve të interesuara u shfaq edhe Çelsi.