Ishte në timon kur arritëm kulmin e 2016-ës.
Gianni De Biasi për Kombëtaren shqiptare është si “dashuria e parë”, që kurrë nuk harrohet, e padyshim mbetet njëri nga më ekspertët kur vjen puna për të folur për finalet e një Evropiani.
Italiani, që sot është në moshën e respektueshme 67-vjeçare, pranon me kënaqësi të japë analizën e tij për ABC News, e padyshim shortin e vlerëson të vështirë.
“Sigurisht një grup shumë i vështirë, që ka Spanjën si favorite e pastaj vijnë Italia e Krocia, në të njëjtin nivel. Shqipëria kuptohet që nuk ka asgjë për të humbur dhe duhet të bëjë atë që mund të bëjë. Çfarë do që të arrijë do të ishte e jashtëzakonshme, por mund t’iu them që tani se nuk do të jenë ndeshje të lehta për rivalët e Shqipërisë”.
Çfarë shansesh ka Shqipëria në një grup të tillë dhe çfarë duhet të bëjë Silvinjo për të përgatitur sa më mirë ekipin?
“Në letër realisht nuk kanë shanse të mëdha, por futbolli luhet në fushë dhe nuk përcaktohet në letër, kjo do të thotë se Shqipëria nuk duhet të dorëzohet kurrë, pasi në qershor sukses do të ketë ajo skuadër, që do të jetë në formën e saj më të mirë, mund të arrijë rezultate të paparashikuara e të papritura. Sylvinho nuk ka nevojë për këshillat e mia është një trajner i aftë dhe i zoti, që i ka marrë maksimumin skuadrës që ka në dispozicion. Mendoj që ka përvojën më parë si lojtar e tanimë si trajner për të realizuar një program, në mënyrë që Shqipëria të jetë në 110% e saj në finalet e Evropianit”.
Një italian nuk mund të mos flasë për “Të Kaltërit”.
“Mendoj se do të jetë e vështirë. Në Europian ka skuadra më të forta, ndonëse Italia jep maksimumin kur ndodhet në vështirësi, në situata jo të zakonshme. Çdo lojtar jep maksimumin. Mendoj se nuk do të jetë e lehtë që të mundin Italinë, por sigurisht që nuk është skuadra favorite në Europian”.
Në fund, De Biazi vendos “qershinë mbi tortë” me parashikimin e tij.
“Mendoj për Anglinë, Francën, Belgjikën, dhe pastaj për pretendentin e katërt shpresoj të jetë një skuadër që të na befasojë, mund të jetë ndoshta edhe Shqipëria”./ABC