ShowBiz

Turistja angleze frymëzohet nga afresku në Vlorë, e bën tatuazh

Turistja angleze dhe dashamirësja e shpendëve Sheila Phyall është frymëzuar nga afresku më i madh i Ballkanit, i njohur si “Sjellësi i Pranverës” që gjendet në qytetin e Vlorës dhe e ka riprodhuar atë si tatuazh në trupin e saj.

Afresku “Sjellësi i Pranverës” është realizuar nga PPNEA dhe BSPB në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” në vitin 2016 dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e kalit të qyqes në vendin tonë.

Afresku, përmban dy elementë kryesorë: kalin e qyqes dhe qyqen dhe është realizuar në formë të tillë që të shprehë një legjendë të hershme të popullit tonë që i ka dhënë edhe emrin këtij lloji.

Në prag pranvere të dy këta lloje kthehen nga shtegtimi në të njëjtën kohë dhe mendohej se qyqja, një shpend më i vogël, kishte nevojë për shpinën e një shpendi të madh dhe të fuqishëm si kali i qyqes për ta sjellë nga territoret e shtegtimit.

Sheila Phyall është shprehur se këtë gjest e ka kryer ndikuar nga frymëzimi që i ka shkaktuar afresku i Vlorës dhe në shenjë mbështetje të fortë të veprimtarisë që po kryet për ruajtjen e këtij lloji si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë jo vetëm për ruajtjen e kalit të qyqes por biodiversitetit në përgjithësi./shekulli

Turistja angleze frymëzohet nga afresku në Vlorë, e bën tatuazh Read More »

Thaçi si Edi Rama, shfaqet me atlete në ceremoninë shtetërore (Foto)

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi duket se po ndjek “rrugën” kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sa i përket pamjes nga jashtë.

Në ceremoninë shtetërore, kushtuar Adem Demaçit, i pari i Republikës është parë të ketë mbathur atlete të zeza, përkundër politikanëve të tjerë që kishin veshje serioze.

“Indeksonline” ua sjellë disa foto në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ku presidenti shihet me një stil krejtësisht ndryshe prej ceremonive dhe eventeve të tjera.

 

Thaçi si Edi Rama, shfaqet me atlete në ceremoninë shtetërore (Foto) Read More »

‘Skifterja e Zemrës’ së Bes Kallakut, shikoni versionin e ‘vjedhur’ grek

Një nga hitet më të bukura të vitit të kaluar që vazhdon edhe sot e kësaj dite të na shoqërojë në ditët më të lumtura është padyshim “Skifterja e Zemrës” e Bes Kallakut dhe Klajdi Harunit.

Edhe pse në shtator bëhet plot 1 vit që prej publikimit, kënga vazhdon të dëgjohet si të ishte publikuar dje.

Ama, jo vetëm shqiptarët, por edhe grekët duket se janë “çmendur” pas skifteres.

Reperi i njohur grek TUS i njohur nga bashkëpunimi me Brunon, “Shqiptare” ka risjellë “Skifterja e Zemrës” në versionin grek, të titulluar “Zemra”.

Kënga është në bashkëpunim me Plazan dhe sigurisht i këndohet një vajze shqiptare, të cilën këngëtarët e kërkojnë në Shqipëri.

‘Skifterja e Zemrës’ së Bes Kallakut, shikoni versionin e ‘vjedhur’ grek Read More »

Një vullkan si Aurela Gaçe

E kam thënë edhe herë të tjera që fjalët e mira dhe epitetet e mëdha i rezervojmë për artistët kur ata nuk janë më mes nesh. Edhe pse të paktë janë atë që meritojnë fjalën “artist” e që meritojnë të lëvdohen e shpërblehen sa janë në jetë, rrallë ndodh që të dëgjosh vlerësime prej vërteti për ta. Dua të them nderime me tituj, siç ndodh në të gjithë botën, ku për shkak të kontributit që jep, një artist merr tituj e dekorata. Zakonisht ne kemi qejf t’ua japim kur  nuk u hyjnë më në punë, pikërisht kur nuk janë mes nesh.

Nejse, bëra gjithë këtë hyrje për të thënë se kisha shumë dëshirë ta bëja këtë shkrim për një artiste me A të madhe si Aurela Gaçe e nuk dua të pres kur të mos jetë më, për t’i kushtuar një status epik apo shkrime pa fund, siç e do zakoni. Rastisa të dëgjoja në Youtube disa këngë të vjetra të muzikës botërore dhe nga faqja në faqe më doli përpara kënga “Nata” e Aurelës.

Doni ju që u bëra nostalgjike dhe fillova të dëgjoja gjithë repertorin e saj! Është e tepërt të flas për tekstin, muzikën apo interpretimin e saj fantastik, por çfarë më bëri përshtypje më shumë ishte çmenduria, guximi artistik i saj. Në një kohë kur vështirë të konceptoheshin thyerjet e tabuve dhe daljet nga klishetë, Aurela kapërcente veten në çdo performancë e dalje publike. E them me bindje se kjo artiste ka qenë një revolucionare që ka ndihmuar edhe në emancipimin e femrës shqiptare.

Artistja “e çmendur” që dilte zbathur në festival apo që qethte kokën dhe e bënte të bardhë e që çuditërisht nuk shikohej me dyshim nga publiku. Karizma e saj është e lindur, Aurelën e duan, e kanë dashur që në momentin e parë që e kanë dëgjuar. Ndoshta sepse ajo nuk përpiqet të jetë skandaloze dhe nuk i bën çmenduritë për të rënë në sy. Ajo nuk ka nevojë të tërheqë vëmendjen me zhveshje të sforcuara apo skandale që nuk i rrinë personalitetit të saj.

Aurela është një vullkan dhe si e tillë është e paparashikueshme, me të mund të ndodhë gjithçka në skenë. Ajo nuk është thjesht këngëtare dhe performuese, ajo është një showgirl. Mbaj mend koncertin e saj të parë recital dhe emocionet që kam ndierë kur e shikoja. Kam qenë e vogël, por mbaj mend që Aurela ka qenë artistja ime shqiptare, ndoshta e vetmja, e preferuar. Teksa e shikoja të imitonte kolegët e saj apo edhe legjenda si Charlie Chaplin apo tek bënte humor e shkëmbente batuta me publikun, shtuar kësaj edhe interpretimet rrëqethëse, si “E pafajshme jam” ose “E kemi fatin shpresë dhe marrëzi”, kuptoja që kjo figurë ishte poliedrike, ishte përkufizimi i fjalës artiste.

Më vonë, kur u rrita dhe fillova të kuptoja më shumë, habitesha gjithsesi për gjurmët që kishin lënë tek unë këngët dhe performancat e Aurelës që në vegjëli. Të prekësh shpirtin e një fëmije është gjenialitet.
Unë e them pa frikë se Aurela është një dhe e vetme në llojin e saj; çuditërisht nuk ka ndryshuar fare që nga recitali i saj i parë e deri në daljet e fundit. Është një burim i pashtershëm energjish, vazhdon eksperimenton deri në hallakatje me stilin e saj, pa e vrarë mendjen nëse e kalon masën apo se nuk i shkojnë. Aurelës i shkojnë të gjitha, sepse kur ajo hap gojën askush nuk e ka mendjen te çfarë ka veshur apo sa e ka masën e gjoksit; i ka fryrë buzët apo jo. 

Është një personazh i thjeshtë dhe komunikon lirshëm me fansat e saj, pa u fryrë e u pompuar duke reklamuar jetën luksoze apo eurot që i hedhin në performancat e saj. Ajo e merr gjithçka lehtë dhe me humor. Po ta ndiqni në Instagram e Facebook e kuptoni mirë për çfarë e kam fjalën.   

Përveç publikut që, siç e thashë, gjithmonë e ka dashur dhe e ka mbështetur dhe përveç anës materiale që, si e zonja që është, nuk ia lë rastësisë, do të doja që figura si ajo të nderohen e të quhen pika referimi për të rinjtë e industrisë së muzikës. Një këngëtare që nuk u zhvesh kurrë për ca klikime më shumë, që nuk u komprometua nga muzika e shëmtuar dhe që nuk ndryshoi asnjëherë marrëdhënien me publikun dhe që sot është në rangun e një ylli.

Ashtu si në skenë, kush ka pasur fatin ta njohë në jetë e di se ajo është po aq energjike, sportive e pa komplekse.
Nuk bën Aurelën e Olimpit, por përkundrazi flet me një lirshmëri që të duket sikur e ke shoqe prej vitesh, sepse njeh Aurelën e ekranit.

Një vullkan si Aurela Gaçe jam e bindur që do e kemi në skenë për shumë kohë, sepse ajo nuk njeh moshë dhe kohë dhe, siç e ka thënë vetë, edhe kur të jetë 80 vjeçe do të jetë po aq e çmendur në look, me flokët blu ndoshta e fustan me zinxhirë, por e sigurt është se fuqia e saj skenike do të jetë e njëjtë me atë të Aurelës 20-vjeçare. Një artiste si ajo është përgjithmonë 20 vjeç, një sfidë e hapur për çdo të ri që kërkon të lërë gjurmë… sepse yjet lindin, nuk bëhen.

©gazetapaloma

Një vullkan si Aurela Gaçe Read More »

Ora e super muzikë mbërriti, Daddy Yankee sonte në sheshin “Skënderbej”

Kanë mbetur më pak  se 24 orë nga koncerti madhështor i këngëtarit nga Porto Rico, Daddy Yankee, në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytet.

Organizatorët po vijojnë punën për të ngritur një skenë prestigjoze, ku do të performojë këngëtari, por edhe krijimin e ambienteve mikpritëse për të gjithë spektatorët.

Koncerti do të startojë me Encën dhe Ledri Vulën, që do të ngrohin atmosferën, para se Daddy Yankee të nisë performancën e tij madhështore, që do të zgjasë rreth 90 minuta.

Këngëtari i hiteve reggaeton Dura, Gasolina e Despacito do bëj që fansat e e tij të argëtohen dhe të kërcejnë nën ritmet latine në këtë sezon veror.

Biletat shiten në sheshin “Skënderbej”. Të ndara në disa kategori, ato nisin nga 19.5 euro, ndërsa për ata që duan më shumë komoditete si tavolina, ndenjëse dhe një pamje më të mirë të skenës, koncerti rezervon zonat Vip Gold, Platin dhe Diamant./atsh

Ora e super muzikë mbërriti, Daddy Yankee sonte në sheshin “Skënderbej” Read More »

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” këngëtares me origjinë shqiptare, Eleni Foureira

Veliaj: “Je frymëzim për të rinjtë; solidaritet me situatën në Athinë”; Foureira: “Tirana qytet shumë i bukur, ka ndryshuar; dua t’ju bëj krenarë”

TIRANË, 27 Korrik/ATSH-A.Fortuzi/- Pas performancës së shkëlqyer mbrëmjen e dy ditëve më parë në sheshin “Skënderbe”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dje këngëtaren e njohur me origjinë shqiptare, Eleni Foureira.

Pasi e falënderoi spektaklin që u ofroi qytetarëve të Tiranës me muzikën e saj, Veliaj i dorëzoi Elenit “Çelësin e Tiranës”, në shenjë mirënjohje për frymëzimin e shumë të rinjve shqiptarë.

“‘Çelësi i Tiranës’ është për njerëz shumë, shumë të veçantë, një mënyrë për të treguar se për miqtë tanë dyert e qytetit janë gjithmonë të hapura. Ti je pjesë e familjes tonë dhe ne jemi shumë krenarë për atë çka ti bën, jo vetëm si artiste e madhe, por njëkohësisht si njeri shumë i mirë”, tha Veliaj.

Këngëtarja Foureira u shpreh e lumtur për këtë vlerësim, ndërsa theksoi se ndihej krenare që ishte shqiptare. “Faleminderit shumë! Jam shumë e lumtur, pasi gjithmonë jam ndierë krenare për faktin e të qenit shqiptare dhe jam shumë e lumtur dhe krenare që ndihem kështu. Shumë faleminderit për këtë. Gjyshja ime që ndodhet tani në Vlorë, do ndihet shumë e lumtur! Edhe unë jam shumë e lumtur që ju kam bërë krenarë dhe gjithmonë do mundohem t’ju bëj ju (Shqipërinë), Greqinë dhe Qipron, të 3 vendet e mia, krenarë”, tha këngëtarja me origjinë shqiptare.

Ajo vlerësoi ndryshimin që ka pësuar Tirana, duke theksuar se i ka bërë shumë përshtypje bukuria dhe mikpritjen e kryeqytetit të shqiptarëve. “Faleminderit shumë Shqipëri. Është një vend ndryshe, Tirana është një qytet shumë i bukur. Përgëzime për çka keni bërë; njerëzit janë të mrekullueshëm. Jam tejet e impresionuar nga fakti se sa të mirë janë dhe me sa respekt të trajtojnë. Koncerti ishte i mrekullueshëm, turma ishte e jashtëzakonshme, ndaj sa herë që ju të më ftoni, unë do të jem këtu”, u shpreh Foureira.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu edhe solidaritetin e Tiranës me popullin grek për fatkeqësinë që përfshiu Athinën me zjarret dhe informoi Elenin me vendimin më të fundit të Këshillit Bashkiak, për t’i ofruar ndihmë financiare për tejkalimin e situatës.

“Jemi shumë të lumtur sot që Këshilli Bashkiak miratoi një fond ndihme për vëllezërit e motrat tona në Greqi, sepse mendoj që është e rëndësishme që në kohë nevoje, zbulojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë. Mendoj se Greqia dhe populli grek hapën dyert për ju, atëherë kur ti dhe familja jote kalonit kohë të vështira, ashtu si edhe unë, një 10-vjeçar, kalova në Greqi përmes maleve, ndaj kam një respekt të madh dhe mendoj se është mirë që të tregojmë në kohë krizash, pavarësisht se çfarë politika apo njerëzit civilë thonë, shumica kujdeset dhe duan njëri-tjetrin”, përfundoi Veliaj. /atsh

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” këngëtares me origjinë shqiptare, Eleni Foureira Read More »

Valbona Selimllari përplaset ashpër me komentuesit për katastrofën në Greqi, mallkimi që e tërboi

Te shumte jane shqiptaret dhe personazhet VIP qe jane sensibilizuar me katastrofen qe po perjeton Greqia, e cila ka prekur edhe shqiptare qe jetojne e punojne atje.

Mes personave qe kane shprehur dhimbje per kete situate eshte dhe ish Miss-i shqiptar, ikona e bukurise Valbona Selimllari.

Megjithatë, në postimin e saj u hodhën komentuesit duke shfryrë urrejtje dhe duke shprehur një gëzim i shfrenuar për ngjarjen tronditëse.

Një nga fansat shkruante: Fuck Greece, ashtu ju pafsha të vdekur dhe ju që vini flamurin grek.”

Valbona nuk ka nguruar t’u kundërpërgjigjet, duke i thënë: Vdekja nuk i urohet askujt. Atje ka pasur fëmijë, nëna, baballarë. Mjaft e bëtë pjesë të politikave dhimbjen njerëzore”/korrieri

Valbona Selimllari përplaset ashpër me komentuesit për katastrofën në Greqi, mallkimi që e tërboi Read More »

Fuego e Eleni Foureira elektrizoi mbrëmjen e djeshme Tiranën/Foto

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, elektrizoi mbrëmjen e djeshme sheshin “Skënderbej” me performancën e saj.

Përfaqësuesja e Qipros në Eurovizion, e cila u rendit dhe në vendin e dytë në kompeticionin më të rëndësishëm europian ishte e ftuar speciale në Summer Festival.

Qindra të rinj dhe të reja shijuan nga afër muzikën e saj, ku padyshim kënga e saj “Fuego” ngriti më tepër temperaturat në shesh, shoqëruar nga balerinat të cilat dhuruan spektakël.

Mbrëmja e 25 korrikut në Tiranë ishte e dedikuar për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas muzikës shqiptare duke mbledhur artistët më të mirë të momentit si Arilana Ara, Eugent Bushpepa, Samanta Karavella, West Side Family, Ylli Limani, Young Zerka, Grupi Lynx dhe Grupi Ofchestra./atsh

Fuego e Eleni Foureira elektrizoi mbrëmjen e djeshme Tiranën/Foto Read More »