Shendetesi

Produktet kozmetike dëmtojnë mijëra fëmijë

Sipas një studimi të sapopublikuar, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve nën moshën 5-vjeçare janë dëmtuar nga produktet kozmetike.

Sipas studimit të revistës klinike ”Journal of Clinical Pediatrics” (”Gazeta e Pediatrisë Klinike”), që vëzhgoi departamentet e emergjencave të SHBA-së në periudhën 2002-2016, rreth 65 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeçare u dërguan në spitale për shkak të dëmtimeve nga produktet kozmetike.

”Dëmtimet më së shpeshti ishin të lidhura me produktet për kujdesin e thonjve (28,3%), produktet e flokëve (27%), kujdesit të lëkurës (25%) dhe produktet e aromave (12,7%)”, bëri të ditur studimi.

Sipas studimit, fëmijët e moshës 2-vjeçare janë dëmtuar më së shumti dhe diagnoza më e zakonshme ishte helmimi, ku 86,2% e fëmijëve të dëmtuar ishin helmuar nga produktet e kozmetikës.

Studimi po ashtu thekson se djemtë janë dëmtuar më shumë në krahasim me vajzat dhe se 99% e dëmtimeve kanë ndodhur në ambientet shtëpiake./atsh

Produktet kozmetike dëmtojnë mijëra fëmijë Read More »

Poliklinika e re e Vlorës, gati në pak ditë

Për pak ditë nis shërbimi në Poliklinikën e rehabilituar dhe të mirëpajisur për të ofruar shërbime me standarde për qytetarët e Vlorës.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila njofton se poliklinika e re e Vlorës është gati për pak ditë.

Poliklinika e qytetit të Vlorës është transformuar në një qendër moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe pajisjeve mjekësore.

Rehabilitimi i plotë i kësaj poliklinike në qendër të Vlorës, u bë për shkak të kushteve të papërshtatshme të ofrimit të shërbimit. Sipas Manastirliut, rehabilitimi ka mundësuar kushte më të mira pune për stafin mjekësor, por mbi të gjitha standard të ri shërbimi për qytetarët. /atsh

Poliklinika e re e Vlorës, gati në pak ditë Read More »

Mamografia e lëvizshme, 1373 ekzaminime falas për gratë afër vendbanimit

Njësitë e mamografisë së lëvizshme janë vazhdimisht dhe në mënyrë periodike nëpër qytete, sipas një grafiku të caktuar paraprakisht. Mamografia lëvizëse vijon rrugëtimin në të gjithë vendin, duke ofruar mamografi falas për gratë afër vendbanimit, gjatë gjithë vitit.

Mamografia lëvizëse sot ndaloi në Tropojë, ku pas ekzaminimit disa prej grave janë rekomanduar për vizitë të specializuar.

Deri tani për 2019 vetëm nga mamografia e lëvizshme janë realizuar 1373 ekzaminime.

Ekzaminimin e mamografisë mund ta kryejnë të gjitha gratë në moshën mbi 50 vjeç. Por mund ta kryejnë edhe gratë e moshës 40-50 vjeç që janë në risk më të lartë (me risk të lartë konsiderohen ato gra që janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale për kancer gjiri, probleme beninje të gjirit, që kanë fillim të hershëm dhe mbarim të vonshëm të menstruacioneve, mos lindje e fëmijës ose lindja e fëmijës mbi moshën 35 vjeç, obezitet, ind i ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik).

Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë. /atsh

Mamografia e lëvizshme, 1373 ekzaminime falas për gratë afër vendbanimit Read More »

Artistët i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut, Manastirliu: Të krijojmë zinxhirin e dhuruesve vullnetarë

Gjatë fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, arritëm në 2200 dhurime vullnetare, që mbulojmë një pjesë të konsiderueshme të nevojave për fëmijët talasemikë, në këtë periudhë të vështirë të vitit”. Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, Ministrja Manastirliu apeloi për më shumë dhurime vullnetare, për të plotësuar nevojat me gjak.

“Shqipëria ka 10.8 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj gjej rastin përsëri, bashkë me miqtë tanë artistë të bëjmë një apel për qytetarët, të dhurojnë gjak”, tha Manastirliu.

Fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut sot ju bashkuan figura të njohura të skenës dhe ekranit, si Valbona Selimllari, Mirela Milori, Rudina Dembracaj, etj, të cilët dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

“Sot mbyllim një fushatë intensive, ku dhurues nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, artistë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, u bashkuan në nismën tonë në ndihmë të fëmijëve talasemikë”, tha Manastirliu.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, nëse vijojmë me këtë ritëm dhurimesh vullnetare, me të gjitha gjasat, kjo verë nuk do të ketë vështirësi për sigurimin e gjakut për fëmijët talasemikë, për të bërë një jetë sa më normale. Me një kalendar të përcaktuar përgjatë gjithë verës, sidomos gjatë muajve Korrik-Gusht, do të vijohet me dhurimet vullnetare, për të garantuar plotësimin e nevojave me gjak për fëmijët talasemikë dhe për këdo që ka nevojë./atsh

Artistët i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut, Manastirliu: Të krijojmë zinxhirin e dhuruesve vullnetarë Read More »

Gjumi me televizorin ndezur dhe drita dëmton metabolizmin

Qëndrimi deri vonë përpara televizorit apo drita që lini ndezur për t’u ndjerë më të sigurt gjatë gjumit mund t’iu shëndoshë.

Një studim i ri tregon se fjetja me dritën ndezur lidhet me rrezikun gjithnjë e në rritje për fitimin e peshës së padëshiruar dhe obezitetit. Kërkim i publikuar në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, që analizoi rreth 44 mijë gra në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se ato që flinin me televizorin apo me një dritë ndezur në dhomë, fituan 5 kilogramë në peshë ose më shumë.

Gjithashtu patën një rritje në masën e trupit me 10% në një periudhë 5-vjeçare, si dhe iu shtuan shanset me 22% për të kaluar mbipeshë. Studimi zbuloi se për shkak të këtyre rrethanave, u rritën shanset me 33% për të kaluar në obezitet.

Zyrtarët e shëndetit amerikan rekomanduan që televizori dhe pajisjet e tjera elektronike të largohen nga dhoma e gjumit në mënyrë që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për fjetjen. Për shkak të dritës artificiale gjatë natës, ora trupore mund të fiket. Kjo mund të dëmtojë metabolizmin duke shkaktuar shtim në peshë. /atsh

Gjumi me televizorin ndezur dhe drita dëmton metabolizmin Read More »

Meta: Të jemi më aktivë në dhurimin e gjakut

Presidenti i Republikës, Meta vizitoi sot paradite tendën e Kryqit të Kuq Shqiptar të ngritur në Parkun “Rinia” të kryeqytetit, me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, në bashkëpunim me Aleancën e Dhurimit të Gjakut, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që u rikthye edhe këtë vit mes dhuruesve të shumtë vullnetarë, si dhe falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar, që punon me përkushtim për këtë kauzë kaq humane në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Sot në këtë ditë të rëndësishme të dhurimit të gjakut dua t’i falënderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë që i janë bashkuar kësaj kauze! Në mënyrë të veçantë të gjithë ata që janë dhurues të rregullt e të qëndrueshëm, pasi i shërbejnë një kauze të jashtëzakonshme humanitare, sepse përmes këtij solidariteti, ata garantojnë që të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevoja të përhershme për gjak, e në mënyrë të veçantë për fëmijët, të vazhdojnë normalisht jetën e tyre dhe të jenë plotësisht të integruar në shoqëri”, – ishte mesazhi i sotëm i Presidentit të Republikës.

“Jam këtu për të nxitur më tej këtë vullnetarizëm, këtë solidaritet që i ka shërbyer prej më se një viti edhe Aleanca për Dhurimin e Gjakut dhe do të vijojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në të ardhmen. Aq më tepër që jemi edhe në fillim të sezonit të verës dhe tani nevojat shtohen akoma e më shumë”, – nënvizoi Presidenti Meta.

“Do t’i ftoja të gjithë që të jenë edhe më aktivë në proces. Edhe ne si Aleancë për Dhurimin e Gjakut do të organizojmë më shumë seanca të tilla në të gjithë vendin, sidomos në ato zona dhe rajone të Shqipërisë ku ka nevojë më shumë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Meta: Të jemi më aktivë në dhurimin e gjakut Read More »

Vitamina C ul rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës

Limoni përmban një sasi të madhe të vitaminës C, e cila është shumë e dobishme për trupin tonë. Madje sipas ‘Healthline’ në një limon gjenden 31 mg vitaminë C.

Disa studime kanë treguar se konsumi jo vetëm i limonit, por edhe i shumë frutave që janë të pasura me vitaminën C, çojnë në zvogëlimin e rrezikut të prekjes nga sëmundjet e zemrës.

Veç vitaminës C te limoni gjejmë edhe fibra, të cilat e ndihmojnë shumë shëndetin tonë, e sidomos zemrën.

Për këtë arsye është mjaft i këshillueshëm konsumi i limonit dhe i produkteve të tjera që përmbajnë vitaminën C. /atsh

Vitamina C ul rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës Read More »

Bonusi, 23 mjekë ofrojnë shërbim të specializuar në spitalet rajonale

Njëzet e tre mjekë specialistë kanë përfituar bonusin 2.5 milionë lekë plus pagën, duke ofruar shërbime të specializuara në spitalet rajonale dhe bashkiake.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se objektivi i programit të bonusit është ofrimi i shërbimit cilësor pranë vendbanimit. Sipas saj, falë këtij programi u rikthyen shërbimet e munguara në spitalet rajonale dhe bashkiake, që sot ofrohen nga mjekë specialistë.

Doktor Halit Karaxha, mjeku obstetër-gjinekolog që ka përfituar bonusin 2.5 milionë lekë plus pagën, ka rikthyer shërbimin për nënën dhe fëmijën në maternitetin e Burrelit.

“23 mjekë specialistë kanë përfituar pagesën e bonusit, duke ofruar shërbime të specializuara në spitalet rajonale dhe bashkiake”, – thotë ministrja./atsh

Bonusi, 23 mjekë ofrojnë shërbim të specializuar në spitalet rajonale Read More »