Problematika

Avioni pëson defekt sa do nisej, anulohet fluturimi Rinas-Firence

Anulohet fluturimi i ‘Albawings’. Avioni i linjës që do të nisej për në Firenze në orën 7:30 është anuluar për shkak të një defekti teknik. Mësohet se avioni ka pasur defekt me rrotat dhe ky problem është vënë re kur pasagjerët kishin hipur në bord dhe avioni do nisej.

Për shkak të defektit pasagjerët janë detyruar të zbresin nga avioni. Aktualisht ende nuk është nisur dhe nga kompania nuk ka ndonjë njoftim se kur do të bëhet gati për fluturim.

Avioni pëson defekt sa do nisej, anulohet fluturimi Rinas-Firence Read More »

Kujdes kur konsumoni verë, analizat tregojnë se është false dhe e helmuar

Sipas ligjit për vreshtarinë dhe verën, në nenin 2 citohet se “Verë” quhet pija që përftohet nga fermentimi alkoolik, i plotë ose i pjesshëm, i rrushit të freskët ose i mushtit.

Kështu kur porositin një gotë verë jemi të bindur që jemi duke konsumuar fermentimin e lëngut të rrushit. Konsumimi i verës ka bërë që ajo të na vijë në tryezë në forma të ndryshme, nga kantina në tavolinë. Tani verën e gjejmë në shishe, kuti, apo dhe shtëpie. Këtë të fundit rëndom e ofrojnë të gjitha baret dhe restorantet e vendit tonë. A thua se të gjithë merren me vreshtari.

Pyetja shtrohet se çfarë vere pinë shqiptarët? Për të mësuar këtë Top Channel dërgoi 5 kampione verë pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për t’i bërë analizat fiziko kimike. Ku enollogu Krenar Gozhadari do të bëjë interpretimin e rezultateve.

“Njëri nga kampionet është lehtësisht mbi normën përsa i përket prezencës së sulfurëve në verë. Kurse një kampion tjetër, verë e kuqë gjithmonë ka një raport sulfuresh i lidhur me të lirë, pak jo normal. Çfarë roli loz sulfuri në verë, çfarë është sulfuri? Atëherë sulfuret ose SO2 të themi është konservuesi i vetëm i lejuar në verë. Bën ruajtjen e verës që vera të mos na kthehet në uthull. Sa është standardi i sulfurit në verë? Për verën e kuqe limitet për të lirin janë deri në 60mlg për litër, kurse sulfuri total shkon deri në 200 mlg për litër. Dhe kur shohim abuzim të tillë çfarë ndodh me verën? Nëse këto analiza konstatohen duhet të bëhet një bllokim i sasisë”, u shpreh Krenar Gozhadari.

Në vendin tonë të gjithë restorantet të sugjerojnë verën e shtëpisë, por kujdes pasi vera e shtëpisë mund të jetë një verë e përgatitur në kushte laboratorike, pa rrush.

“E vetmja verë ku mund të dyshohet për sofistikim është vera e shtëpisë, e cila ka një alkool prej 11. 26% sipas analizës. Thjesht duke parë përqindjen e alkoolit, pres që kjo verë të jetë ngjyrë e kuqë e lehtë. Pasi supozohet që rrushi në këtë përqindje alkooli ka qenë i pa pjekur. Ndërkohë që vera kishte ngjyrë shumë të errët gjë e cila më bën të dyshoj për vetë të modifikuar”, deklaroi Enollogu./Tch.

Kujdes kur konsumoni verë, analizat tregojnë se është false dhe e helmuar Read More »

Katër vajza si yje, por ajo që fshihet pas syve të bukur është vetëm dhimbja

Një histori si shumë të tjera në Shqipërinë tonë të dashur.

Deputetja Oriola Pampuri ishte në familjen 6 anëtarëshe të Arben Hysenajt në Babrru të Tiranës, e cila jeton pa asnjë të ardhur dhe është në gjendje të mjeruar.

Kësaj familjeje i është hequr ndihma ekonomike, megjithëse dy prindërit janë pa punë dhe kanë 4 vajza të mitura për të ushqyer.

Njëra prej katër vajzave të mitura, vuan nga distrofia, por prindërit i treguan deputetes Pampuri se iu është hequr KEMP-i pa asnjë shpjegim.

Vajza tjetër familjes vuan nga sëmundja e epilepsisë dhe kërkon kujdes të vazhdueshën, i cili u mungon fëmijëve. Për shkak të kushteve të mjerueshme ekonomike, heqjes nga lista e ndihmës ekonomike dhe mungesës së shpresës, kryefamiljari Arben Hyseni vuan nga depresioni, ndërsa nëna e familjes është e pamundur të punojë.

Fëmijët të cilët shkojnë në shkollë, udhëtojnë rreth 35 minuta në një rrugë të keqe.
Deputetja Pampuri thotë se kjo familje jeton me borxhe dhe sipas skemës kriminale të qeverisë, me largimin nga skema ekonomike, kjo familje e varfër duhet të presë edhe gjashtë muaj të tjerë për të aplikuar sërish.

“Kjo është e vërteta”, tha Pamuri, “jo ajo që propagandon kryeministri Rama”.

DEPUTETJA ORIOLA PAMPURI NË FAMILJEN GJASHTË ANËTARËSHE
Jemi në familjen e zonjës Azize, e cila jeton me katër vajza, më e vogla është katër vjeçe më e madhja është 12 vjeç.

Vajza ka përfituar KEMP, por tani nuk e përfiton më KEMP-in për shkak të një patologjie që ka, Azizja është pa punë, bashkëshorti del çdo ditë për të kërkuar punë dhe jo gjithmonë e gjen atë. Është hequr nga ndihma ekonomike dhe nuk janë më përfitues të skemës ekonomike ndërkohë që nuk plotësojnë asnjë kusht jetese për të jetuar normalisht.

Dhe i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë pjesë e ndihmës ekonomike, ashtu sikurse vajza i plotëson të gjitha kushtet për të përfituar KEMP.

Megjithatë ne shpesh dëgjojmë nga qeveria që janë hequr nga ndihma ekonomike ato familje të cilat përfitojnë padrejtësish. Ju e shihni që kjo familje nuk ka asnjë arsye për të kërkuar padrejtësisht ndihmën ekonomike por ka të gjitha të drejtat për të përfituar ndihmën ekonomike dhe për ta marrë atë sepse pa të nuk munden të jetojnë.

Listat e përfituesve të ndihmës ekonomike, sot nuk janë transparente. Personat të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe nuk kanë gjetur ende punë, janë të shumtë.

Janë hequr 20 mijë familje nga ndihma ekonomike dhe sot janë shumë të paktë ata që i janë rikthyer skemës. Janë të shumtë në numër si zonja e cila ndodhet në gjendje të mjerueshme, e cila nuk përfiton ndihmën ekonomike. Gjithçka që paraqitet si show, është e pavërtetë përballë këtij realiteti të dhimbshëm në të cilën jeton kjo familje dhe shumë familje të tjera si zonja Azize.

Azize Hyseni: Jetojmë në kushte shumë të vështira për momentin. KEMP-in e vajzës ma kanë hequr dhe nuk e di përse. Doli në komision, nuk më kanë kthyer përgjigje, e merr apo nuk e merr. Ndihmën ekonomike ma kanë hequr. Më thanë se nuk jam paraqitur tek zyrat e punës.

Tek zyrat e punës nuk jam paraqitur sepse burri më vuan nga depresioni. Edhe sikur ta fusin ai nuk e mban dot. Unë jam me katër fëmijë të vegjël. Në shkolla janë dy paradite, dy pasdite. Vetë jam e sëmurë siç e shikoni. Për në shkollë duhet gjysëm ore.

Jetojmë me çfarë mbledh burri gjatë ditës, kanaçe, hekura. Ndonjëherë kur sjell tela i pastroj, para tre javësh preva dorën duke i pastruar. Është shumë vështirë për t’ia dalë. Shkojnë dritat dhe uji më shumë. Jetojmë vetë i gjashtë vetëm në këtë dhomë 3 me 3.

Katër vajza si yje, por ajo që fshihet pas syve të bukur është vetëm dhimbja Read More »

Thirrja e sociologëvë: Braktisja e fshatit, situata alarmante, duhet…

Shpopullimi i fshatrave shqiptarë banorë e të cilëve janë zhvendosur në qytete është përshkruar si një gjendje alarmante nga sociologet. Zyhdi Dervishi kërkon që të merren masa, duke investuar atje, me qëllim që zonat rurale të mos shpopullohen. Kjo zhvendosje e popullsisë me ritme kaq të shpejta sipas tij, sjell edhe një sërë problemesh në kryeqytet.

Ritmi i shpejtë i lëvizjes së shqiptarëve nga fshati drejt qytetit ka ndikim në shoqëri. Shifrat zyrtare të bashkisë së Tiranës, tregonin se çdo ditë në kryeqytet vijnë 70 persona, ndërkohë që projeksionet e divizionit të popullsisë së OKB-s ngrinin alarmin se në të ardhmen, zonat rurale do të braktiseshin tërësisht. “Këtu përqendrohen shumë njerëz, të cilët jetojnë me mënyrën e jetesës që kanë pasur në krahina; transferojnë këtu dhe konfliktet si dhe Tirana nuk ka fuqi t’i rishoqërizojë ata me mentalitete urbane, por më shumë po ruralizohet Tirana”, u shpreh Zyhdi Dervishi, sociolog.

Shkollat e mbyllura në fshatra, janë një nga pasojat e largimit të banorëve. Ndërkohë që, pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare e larguar nga zonat rurale, e cila përqendrohet në aksin kryesor të zhvillimit urban, Tiranë Durrës, tregon sociologu, sjell ndikime si emocionale dhe shëndetësore te të ardhurit.

“Grumbullimi i banorëve me shumicë dhe në zona të pasistemuara, në zona urbane të rrëmujshme do të ndikojë që të shfaqen shumë sëmundje profesionale, do të ndikojë që do të ketë shumë njerëz në depresion, dhe njerëzit do të ndihen të vetmuar mes turmës. Grumbullimi i njerëzve në zona të përqendruara, në banesa që nuk kanë ajrimin dhe dritën e mjaftueshme do të thotë që do të shtohen edhe sëmundjet kancerogjene”, tha Zyhdi Dervishi, sociolog.
Teksa ngre shqetësimin, prof. Dervishi parashtron zgjidhjen, në mënyrë që në 2050, 78.2% e popullsisë shqiptare të mos zhvendoset në zonat urbane.

“Nëqoftëse do të investohet që të happen vende pune, në shumë zona rurale të Shqipërisë, një pjesë e popullsisë do mbetej atje. Zgjidhja nuk fillon kur vjen popullsia këtu, zgjidhja fillon duke parandaluar ardhjen e popullsisë këtu, por jo metodat e regjimit totalitar, por me metoda ekonomike dhe kulturore”, shprehet sociologu Zyhdi Dervishi.

Thirrja e sociologëvë: Braktisja e fshatit, situata alarmante, duhet… Read More »

Rritet varfëria në rrethe; Thellohet ndjeshëm pabarazia ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera me 2017

Rritet varfëria në rrethe; Thellohet ndjeshëm pabarazia ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera me 2017
Në vitin 2015 familjet në 5 qarqe të vendit konsumonin mbi mesataren e vendit, ndërsa në vitin 2017 vetëm familjet e vetëm 2 qarqeve, Tiranës dhe Durrësit konsumojnë mbi mesataren e vendit, teksa 10 qarqe te tjera konsumojnë nën mesatare, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave.

Suksesi i një qeverisje të mirë ilustrohet me ngushtimin e pabarazisë ndërmjet rajoneve dhe shtresave të shoqërisë. Sa më i ngushtë hendeku tregon se politikat qeverisës janë të njehsuara si nga përkatësia gjeografike dhe shoqërore, në të kundërt zhbalancimi tregon qeverisje jo te baraspeshuar për te gjithë.

Duke matur strukturën e konsumit të familjeve shqiptare INSTAT gjeti se vetëm Tirana dhe Durrësi në vitin 2017 kishin të ardhura më të larta se mesatarja e vendit, ndërsa të 7 qarqet e tjera , Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Berati, Kukësi, Gjirokastra, Vlora, Elbasani dhe Dibra kishin të ardhura për frymë nën mesataren e kombëtare, e cila në vitin 2017 ishte 73.000 lekë në muaj për familje.

Kjo tregon se shpenzimet mujore të familjeve që jetojnë në Durrës dhe në Tiranë janë rritur me ritme shumë të larta se shpenzimet në qarqet e tjera të cilat kanë pësuar ulje në shumicën e qarqeve.

Siç shikohet nga të dhënat e INSTAT duket se një nga qarqet më të mëdha të vendit, Elbasani është zhytur ne varfëri. Shpenzimet për familje në Elbasan ishin vetëm 57.831 lekë më 2017 ose mbi 21 për qind më të ulta se mesatarja kombëtare. Elbasani dhe Dibra u evidentuan si qarqet me konsumin më të ulët të familjeve në raport me mesataren  e vendit.

Familjet në Tiranë kishin konsum mujor 19 për qind më të lartë se mesatarja e vendit  në vitin 2017, ndërsa në vitin 2015 ky tregues kishte një diferencë 15%.

Ka disa ndryshime interesante në ndryshimin e shpenzimeve sipas qarqeve. Në vitin 2017 një familje në qarkun e Tiranës shpenzoi për konsum mesatarisht 87.968 lekë në muaj.

Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi me 76.129 lekë dhe Shkodra, me 73.306 lekë në muaj. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 47.467 dhe i Elbasanit, me 57.831 lekë në muaj. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Gjirokastrës me 9,1 %, ndjekur nga qarku i Beratit me 8,9 %. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Dibra me 24,9 %.

Ndërsa në vitin 2016 qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në qarkun e Tiranës shpenzoi për konsum mesatarisht 85.344 lekë në muaj. Qarqet me shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas qarkut të Tiranës, ishin Durrësi dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore për konsum përkatësisht 77.933 dhe 75.503 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum ishin qarku i Gjirokastrës dhe i Elbasanit përkatësisht me 57.068 dhe 57.290 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Vlorës me 15,0 % ndjekur nga qarku i Dibrës me 12,4 %. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Gjirokastra me 23,9 %.

Rritet varfëria në rrethe; Thellohet ndjeshëm pabarazia ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera me 2017 Read More »

A e dini se klinikat dentare në pallate, po na sjellin “vdekjen” në rubinetin e ujit, shikoni çfarë po ndodh

Shkak i këtij vëzhgimi, më saktë, alarmi që po japim, u bë denoncimi një nëne të re nga Tirana, të cilës i humbi fëmija, 2 muaj para lindjes, për shkak të një dëmtimi, që sipas mjekes gjinekologjike, i ishte shkaktuar nga rrezatimi, prej substancave kimike, të gjendura pranë ose brenda banesës së saj.

Pasi çifti, kreu gjithë procesin analitik mjekësor, zbuloi se shkak, kanë qenë lëndët që përdor dhe mbjetjet e rrjedhshme kimike-mjeksore, të klinikës stomatologjike, që ushtron aktivitet në pallatin ku ajo banon.

Pas këtij denoncimi, “PAMFLETI”, bisedoi me një mjek, specialist të Homotoksinave, i cili na kofirmoi, se klinikat dentare, që ushtrojnë aktivitet brenda pallateve të banimit, ta sjellin “helmin kimik”, në rubinetin e ujit, mbasi çdo lëndë të rrjedhshme, që ato, shkarkojnë në sistemin e rrjetit ujë-kanalizime, shpërndahet në rrjetin e çdo apartamenti.

Sipas eskpertit, i cili ka kryer një studim për këtë shqetësim, rezulton se në çdo 10 pacientë të goditur nga rrezatimet e lëndëve kimike mjekësore, në pallatet ku ka klinika stomatolgjike, ose aktivitete të tjera mjekësore, që punojnë me lëndë e pajisje rrezatimi, 7 prej tyre janë të dëmtuar, nga “helmet” radikative jonizues, që shpërndajnë klinikat dentare, në rrjetin e ujë kanalizimeve të apartamenteve (familjeve).

Mirëpo, mjeku na bëri me dije, se aktiviteti i klinikave dentare në pallate e objekte të tjera banimi, ndalohet kategorikisht me ligj, me VKM dhe me Urdhrin e Posaçëm nr. 415, datë 11.10. 2011, të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij urdhëri, nuk duhet licencuar asnjë klinikë, laborator a shërbim radilogjik dentar, por edhe nëse konstatohet, bllokohet urgjent dhe ndëshkohet, sipas sanksioneve që parashikon ligji.

Mirëpo, në Shqipëri, 97% e klinikave, laboratorëve e shërbimeve radiologjike dentare, ushtrojnë aktivitet brenda pallateve të banimit e nuk i ndalon, as Instituti i Shëndetit Publik, as Ministria e Shëndetësisë, as Inspektorati Qendror, as Zyra Kombëtare e Mbrojtjes nga Rrezatimet, as Zyra Mjedisore Rajonale dhe as Urdhëri i Stomatologut, që i licenson si leje profesioni./Pamfleti

Ja udhri, që ndalon aktivitetin e shërbimit dentar në pallate banimi

  1. Ndalohet, ndërtimi i klinikave e kabineteve grafi dentare e thjeshtë dhe Ponorameks, si dhe pajisje të tjera me reze “X”, në ambjente me destinacion banimi.
  2. Ndalohet, ndërtimi i klinikave e kabineteve, për ushtrim aktiviteti mjekesor, me burime radioaktive të hapura e të mbyllura, në ambiente, me destinacion godina banimi.

A e dini se klinikat dentare në pallate, po na sjellin “vdekjen” në rubinetin e ujit, shikoni çfarë po ndodh Read More »

Ilaçet e skaduara, mjeku: Thuaji Ramës që tall b***n gjithë ditën

Një qytetare u ankua në emisionin “Stop”, pasi ka të atin të sëmurë nga zemra dhe duhet të bëjë ndërhyrje urgjente për valvul dhe bypass. Por prej kohësh e sorollasin dhe i ati luan çdo ditë me jetën.

“Nuk po gjej zgjidhje në asnjë rrugë tjetër. Kam babin që vuan nga zemra. Pasi ka bërë një koronare në spitalin “Nënë Tereza”, i kanë kthyer përgjigje që është e nevojshme urgjente që të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale. Duke qenë që muaji Gusht është një muaj që sipas spitalit, nuk bëjnë operacione, na e lanë për në Shtator. Ndërkohë meqenëse ishte urgjente dhe neve muaji Gusht na u duk i gjatë u drejtuam në një spital privat, ku morëm një çmim që ishte shumë i lartë. Shkonte te 10000 Euro dhe ishte i papërballueshëm për ne.  Në këtë pikë ishim të detyruar të prisnim spitalin shtetëror. Erdhëm këtu dhe morëm përgjigje që nuk mund të futet në operacion se nuk ka bazë materiale”, u shpreh denoncuesja.

Ajo shtoi se janë ende në pritje për kryerjen e operacionit të pacientit, i cili sipas mjekëve duhet të kryhej në mënyrë urgjente, pasi rrezikon jetën.

Në një përballje me kardiologun, ky i fundit shpërtheu duke fajësuar kryeministrin Edi Rama.

Mjeku: Po presim të na sjellin materialet. Nuk do mërzitesh, do vish prapë. Hajde nga mesi i javës, nga e mërkura nga e enjtja. Të shohim se ça mund të bëjmë.

Qytetarja: Po u bë një muaj, data 3 shtator, po vjen tetori ..

Mjeku: Më fal, të të bëj një pyetje?

Qytetarja: Është jetë njeriu se të jemi për gjëra të tjera presim…

Mjeku: Mirë, më fal, pse më drejtohesh në atë mënyrë? Çfarë faji të kam unë? Mund të ma shpjegosh pastaj, që të të shpjegoj pak se ti më thua… Shko thuaja Edi Ramës, që tall bythën me njerëzit nga mëngjesi deri në darkë…

Ne nga katër operacione që duhet të bëjmë, bëjmë 2 operacione për mungesë materialesh dhe kemi bërë vetëm pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë dhe nuk dalin nga spitali. Unë nuk mund të përgjigjem për hajdutërinë dhe për pisllikun e tjetrit, që ne punojmë me materiale të skaduara, skadente komplet dhe punojmë në një ambient jashtë çdo lloj standardi. Këtë gjë nuk ta zgjidh dot!

Qytetarja: Po mirë, akoma nuk është bërë ky furnizimi me materiale? Akoma kjo puna e tenderit?

Mjeku: Vazhdon një herë për një herë.

Qytetarja: Akoma s’ka furnizime? Është bllokuar?

Mjeku: Po!

Moderatori i emisionit “Stop” u shpreh: “Ky është një tmerr i madh! Ne duhet të lëvizim vendit. Me këto ilaçe të skaduara na ka vdekur nervi, por ky është momenti që duhet të çohemi në këmbë përtej partive. Jemi në momentin që po tallen me shëndetin tonë. Po na trajtojnë si kavje!”/tvklan.

Ilaçet e skaduara, mjeku: Thuaji Ramës që tall b***n gjithë ditën Read More »

100 familje janë të rrezikuar në zonën e ish-uzinës së sodës PVC në qytetin e Vlorës

100 familje, rreth 1200 banorë janë të rrezikuar në zonën e ish-uzinës së sodës PVC në qytetin e Vlorës. Sipas mjekëve, territori ende bën pjesë në një zonë me ndotje të nivelit të lartë, më tepër ç’rregullime te banorët e kësaj zone vihen re me fillimin e sezonit pranveror. Ku nxiten fenomene spastike dhe sëmundje dermatike por edhe ankesa të tjera të ndryshme sa I përket shëndetit. Mbetjet e zhivës dhe të pesticideve të tjera me të cilat punonte uzina gati 35 vjet më parë ende janë të pranishme në gërmadhat e ish-uzinës, në kapacitetin e plotë të saj fabrika 24.000 mijë ton sodë të kalcifikuar, 15.000 sodë dhe 10.000 ton sodë PVC. Uzina u vu në punë në vitin 1967 dhe përdorte qeliza mërkuri për të prodhuar sodë kaustikë dhe pvc. Sipas të dhënave që jep Inspektorati sanitar i Vlorës, temperaturat dhe reshjet e vazhdueshme, rënë ndër vite kanë ndikuar në vetëpastrimin e territorit dhe rënien e nivelit të ndotjes me zhivë, por pranojnë gjithsesi se ndotja ende ekziston. Territori i uzinës dhe përreth saj tashmë gjendet i populluar prej gati 25 vjetësh por për ndërtimin e banesave janë shfrytëzuar dhe materiale nga prishja e reparteve të uzinës, të cilat janë të ndotura me zhivë, madje ka dhe shtëpi të ndërtuara brenda gërmadhave. Ndërsa banorët e parë kanë ardhur pas viteve ‘90, mbipopullimi vazhdoi i konsiderueshëm pas vitit ’97, ku shumë prej tyre janë të ardhur nga zonat rurale. Për pastrimin e zonës BB (banka botërore) vuri në dispozicion 3 mln euro, projekt i Komitetit Evropian për pastrimin e zhivës në këtë zonë u miratua pas përcaktimit të saj si një nga 9 vendet më të ndotura në Shqipëri.

Pas studimeve të kryera në zonë, për shkallën e ndotjes së terrenit, Banka Botërore tha: ” Se ajo ka përcaktuar se zona e ish uzinës së Sodë PVC-së, e kthyer tashmë në një pjesë së saj në zonë informale banim në pritje të legalizimeve dhe në një pjesë së saj me perspektivë zonë industriale. Ishte një nga më të ndoturat në vend, madje në top-listën e zonave të ndotura në shkallë vendi për këtë Banka Botërore vuri në dispozicion një fond prej 3 milion eurosh për pastrimin tërësor të zonës nga mbetjet e zhivë. Projekti parashikon disa stade të punimeve që do të finalizohen me pastrimin tërësor të kësaj zone, më parë do të hapet një gropë e madhe, e cila do të shtrohet me një shtresë argjili në fund të saj dhe në parete.

Pas kësaj do të shtrohet një shtresë plasmasi e trashë me qëllim për të mos lejuar filtrimin e mbetjeve të rrezikshme në tokë apo në det, në zonë do të prishen disa nga godinat tashmë të mbetur si skelete, ndërsa inertet do të hidhen në gropën e hapur dhe të izoluar. Po ashtu do të largohen nga zona dhe një trashësi dherash dhe mbetjesh me një thellësi prej dy metrash, të cilat më pas të hidhen në gropën e hapur ku dhe do të kryhet izolimi i tyre duke e mbuluar të gjithë gropën.Në zonë parashikohet mbjellja me pemë e të gjithë territorit. Në zonën e pastruar do të hidhet dhe i pastër dhe i shkrifët dhe e gjithë sipërfaqja do të mbillet me gjelbërim dhe pemë. Në këtë sipërfaqe nuk do të lejohen të kryhen ndërtime por do përdoret vetëm për kënde lojërash apo ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore apo artistike, në shërbim të komunitetit. Por situate në terren sot prezantohet shumë ndryshe edhe pse projekti ka nisur implementimin në zonën e ish-Uzinës ka ende banorë që jetojnë brenda godinave. Sakaq, mbetjet e rrezikshme janë ende të evidentueshme me sy të lirë në zone.Gazetare Jerola Ziaj.

100 familje janë të rrezikuar në zonën e ish-uzinës së sodës PVC në qytetin e Vlorës Read More »