Problematika

Siguria ushqimore, Çuçi: Zero tolerancë abuzuesve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë një takimi të premten në mjediset e dikasterit të Bujqësisë, me operatorë të biznesit të ushqimit, prezantoi paketën e ndryshimeve ligjore që ndalon abuzuesit me produktet në treg.

“Siguria ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve, është prioritet dhe e kemi bërë të qartë, tolerancë zero ndaj kujtdo që abuzon me produktet ushqimore” -tha Çuçi, ndërsa garantoi kontroll rigoroz në të gjithë zinxhirin ushqimor, në çdo hallkë të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve.

“Miratimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, na jep mundësinë të kapin abuzuesit dhe t’i ndëshkojmë ato. Asnjë operator i biznesit ushqimor nuk do tentoje te mashtrojë duke u nisur nga babëzia per fitim”- tha ministri.

Sipas tij, qëllimi final, është rikthimi i besimit tek konsumatorët, se çdo produkt që konsumojnë është i sigurt.

Çuçi theksoi se, “Janë shumë beteja për tu fituar derisa të garantojnë konsumatorët se produktet që konsumojnë janë 100% të sigurta dhe ne do t’ia arrijmë”.

Ministri i bëri apel biznesit, prodhuesve dhe konsumatorëve të angazhohen në sfidën për sigurinë ushqimore, me impakt të drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Ne kemi filluar betejën për sigurinë ushqimore, me produktet e shportës, duke menduar se 90% e konsumatorëve i kanë si ushqime të përditshme. Kemi filluar me kontrollin e qumështit, kripën dhe do të vazhdojmë me miellin, bukën”- tha Çuçi.

Ndërsa solli në vëmendje të audiencës, shembullin e abuzimit me gjalpin të konstatuar nga inspektorët e Autoritet Kombëtar të Ushqimit. Ky produkt, tha ministri hyn nga importuesi si yndyrë me origjinë bimore, ç’doganohet si margarinë dhe paketohet si gjalp, duke infektuar tregun.

“Ky është rasti për të bërë me dije se kontrolli në të gjithë zinxhirin ushqimor, do të kryet për të gjitha produktet dhe të gjithë abuzuesit që kërkojnë të fitojnë në kurriz të sigurisë ushqimore do të ndëshkohen”- tha ai./atsh

Siguria ushqimore, Çuçi: Zero tolerancë abuzuesve Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, 1-5 vjet burg për dëmtim të zonave të mbrojtura

Ashpërsim penaliteteve për shkelësit mjedisorë në ndryshimet ligjore të Kodit Penal.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paraqiti këto ndryshime në Kodin Penal në fushën e mjedisit, gjatë një takimi me ekspertë mjedisorë në mjediset e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

”Kjo paketë ligjore nuk ka qenë më përpara dhe po futet tani. Konkretisht neni 201 i Kodit Penal parashikon burgim i cili fillon nga 1 deri në 5 vjet për ata që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

Ata që shkaktojnë dëme të pakthyeshme të ekosistemit dhe biodiversitetit, do të dënohen nga 5 vjet deri në 15 vjet burg. Këto masa dënimesh do të rriten me 1/3 e dënimeve nëse territori i dëmtuar është pjesë e zonave të mbrojtura”, tha Klosi.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të njësisë së Karabinierisë italiane për kontrollin e mjedisit./atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, 1-5 vjet burg për dëmtim të zonave të mbrojtura Read More »

Braçe: Fitimet me mallra të skaduara, vepër e rëndë penale

Zv.kryeministri Erion Braçe përshëndeti bllokimin nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i 762 kg produkte ushqimore të skaduara në kufi, duke përcjellë mesazhin se do të ketë ndëshkime për të gjithë ata që kryejnë këto vepra.

“Hiqni dorë! Boll keni fituar duke shitur ushqime të skaduara! Hiqni dorë tani! Pak javë më pas, fitimet në këtë mënyrë do konsiderohen vepër e rëndë penale, ndëshkohen me burg!

Agjencia Kombëtare e Ushqimit është rikthyer në detyrë, qëllimi: Rikthimi i sigurisë ushqimore në çdo cep të këtij vendi, dyqane e fabrika, pika doganore e transport”, tha zv.kryeministri Erion Braçe.

Sipas tij, mallra të ndaluar janë bllokuar jo vetëm në rastin e sotëm në kufi, por edhe në supermarkete me emër.

Ndryshimet ligjore në Kodin Penal parashikojnë ndëshkime më të ashpra për të gjithë shkelësit e sigurisë ushqimore. /atsh

Braçe: Fitimet me mallra të skaduara, vepër e rëndë penale Read More »

AKU bllokon në Morinë 762 kg produkte ushqimore të skaduara

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, 762 kg produkte ushqimore (majonezë, ketchup dhe xhel karameli) të skaduara.

AKU bën të ditur se, nëse sot do të kishim gati ndryshimet në Kodin Penal dhe nuk do të ekzistonte vakuumi ligjor që kemi, një rast si ky që goditëm në pikën kufitare të Morinës do të shkonte për ndjekje penale dhe subjekti do të ndëshkohej me burg.

Sipas AKU-së, ngarkesa me këto produkte ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej për rieksport në Shqipëri. Inspektorët e AKU-së gjatë kontrollit në kufi kanë konstatuar mangësi në mos përputhje të dokumentacioni që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raport-analizat nuk i përkisnin këtyre produkteve dhe mungesë të datës së skadencës në etiketë.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ngarkesa me produktet ushqimore të skaduara u kthye në vendin nga ishte nisur. Me ndryshimet në Kodin Penal që do të miratohen së shpejti masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg.

Siguria ushqimore është prioritet i punës tonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerim ndaj abuzuesve. Ftojmë konsumatorët të jenë bashkëpunues me AKU-në duke denoncuar rastet që konstatojnë se ka abuzim. Siguria ushqimore është një çështje e të gjithëve dhe që kërkon angazhim të përbashkët, citon njoftimi i AKU-së. /atsh

AKU bllokon në Morinë 762 kg produkte ushqimore të skaduara Read More »

Protestat e dhunshme të opozitës godasin ekonominë, anulime të rezervimeve të turistëve të huaj

“Protestat e dhunshme të opozitës godasin ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare të të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri foli për ndikimin negativ që shkakton kjo situatë në ardhjen e turistëve të huaj.

“Pata një takim me një grup të operatorëve turistikë para se të vija këtu. Ata ishin shumë të shqetësuar për faktin se mbas përhapjes së atyre imazheve, menjëherë ka anulime të rezervimeve nga hotelet e vendit”, – tha Rama.

Sipas tij “ka rënie të potencialit ekonomik të kësaj industrie kyçe për vendin, goditje të vendeve të punës që krijon kjo industri dhe ka rënie për buxhetet e të gjithë sipërmarrjeve të mëdha e të vogla që merren me turizmin drejtpërdrejt apo indirekt”.

“Ky përbën një shqetësim real. Këto manifestime nuk sjellin asnjë gjë të mirë, por përkundrazi, u bëjnë keq Shqipërisë dhe shqiptarëve. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shanse të preket nga gjithë kjo është qeveria dhe shumica qeverisëse. Gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq”, – tha Rama./atsh

Protestat e dhunshme të opozitës godasin ekonominë, anulime të rezervimeve të turistëve të huaj Read More »

Braçe: Sulmi ndaj Policisë së Shtetit krim i rëndë, nuk ka ndodhur as në ’97

As në vitin 1997-1998, nuk ka guxuar kush të sulmojë një institucion jetik, selinë qendrore të Policisë së Shtetit”, tha zv/kryeministri Erion Braçe, në reagim të protestës së mbrëmshme të opozitës.

Për të ilustruar dhunën e opozitës, Braçe publikoi foton e një polici të plagosur . “Shiheni, ky është një shërbyes i shtetit, oficer i Policisë së Shtetit, djegur në këmbë nga një kapsollë shpërthyese e fuqisë së lartë. Për Partinë Demokratike dhuna është si gjaku. Gjithë bota t’i thërrasë ajo nuk e kontrollon dot, dhuna është më e fortë se ajo, e identifikon”, tha Braçe.

Sipas tij, “gjatë sjelljes rrotull në Tiranë për t’i nxirë jetën qytetarëve që si ndjekin, Sali Berisha e Lulzim Basha, e kishin me vete Komandon e Dhunës”.

Braçe e konsideroi sulmin mbi Policinë e Shtetit, një krim të rëndë dhe si i tillë duhet ndëshkuar ligjërisht./atsh

Braçe: Sulmi ndaj Policisë së Shtetit krim i rëndë, nuk ka ndodhur as në ’97 Read More »

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi flet për sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi sqaroi në një emision televiziv perceptimet e gabuara se të gjitha ushqimet janë me hormone, gjë që rezulton e pavërtetë.

“Ka probleme, por patjetër që shumica e ushqimeve nuk janë me hormone. Një tjetër koncept i gabuar është që ushqimet që çohen jashtë janë më të mira, sepse nuk mund të jetë një serë e cila spërkatet ndryshe për tregun e brendshëm dhe ndryshe për tregun e jashtëm. Kjo nuk ndodh pasi spërkatja bëhet njëlloj”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke folur për denoncimet e medies në lidhje me produktet ushqimore me hormone.

“Hormonet vetë nuk janë akoma të vërtetuara shkencërisht nëse janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Nuk ka deri sot një provë shkencore që hormoni është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. E vetmja gjë që është vërtetuar është që deformon produktin nga pamja fizike dhe nga shija. Sot në botë 90% e gjërave që konsumohen janë të modifikuara gjenetikisht. Sot në serat shqiptare meqë përmendët rastin e domateve fitorregullatorët për to janë bletët në 80% të serave shqiptare. Kjo është një metodë moderne dhe 80% e serave shqiptare përdorin bletët si fitorregullator. Kemi probleme, patjetër, dhe jam i gatshëm për bashkëpunim. Të denoncohen rastet dhe të shkojmë tek e keqja”, tha Çuçi.

Duke sqaruar rastin e mishit nga Brazili, po ashtu i denoncuar në një emision investigativ, Çuçi tha se në Europë, sot Shqipëria është i vetmi vend që kontrollon 100% të importeve që vijnë nga Brazili për mishin.

“Shqipëria është i vetmi vend që gjithë mishin që vjen nga Brazili 100% e kontrollon kur është këtu. Vetëm në këto muaj të parë të vitit ne kemi kthyer në vendin e origjinës nga Brazili 180 ton mish, ku kanë hyrë në vendin rreth 300 ngarkesa nga këto janë 15 ngarkesa të kthyera. Në thertoret e licencuara nuk hyn asgjë e pakontrolluar pasi kemi disiplinuar tregun”, tha ai.

“‘Kemi probleme me mënyrën sesi është rregulluar shërbimi veterinar në Shqipëri dhe unë kam marrë nismën që ta ribëjmë komplet nga e para, sepse fragmentimi që ka ndodhur midis pushtetit lokal, klinikave veterinere, ministrisë dhe veterinerëve privat ka krijuar një problem. P.sh sot matrikullimi bëhet në klinika private pra është decentralizuar tek privati. Ky është një problem që do marrë zgjidhje pas kam marrë iniciativën të bëjmë një ligj për ridimensionimin total të shërbimit veterinar, pasi nuk është vetëm çështja e matrikullimit por me veterinarinë fillojnë të gjithë problemet që dalin në tavolinat e konsumatorëve”, përfundoi ministri Çuçi. /atsh

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi flet për sigurinë ushqimore Read More »

AKU, aksion në të gjitha pikat e grumbullimit të perimeve dhe frutave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në kuadër të masave për garantimin e sigurisë ushqimore, ka ndërmarrë aksione në terren duke bashkërenduar dhe koordinuar veprimtarinë inspektuese të Drejtorive Rajonale Fier dhe Berat.

Plani i monitorimit është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së. Zbatimi i tij në terren, në zonat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre Pikat e Grumbullimit të Perimeve dhe Frutave, është koordinuar nga Drejtori i Menaxhimit dhe Inspektimit, Sefer Sefa.

Referuar lajmeve të bëra publike nga disa media në lidhje me përdorimin e preparateve kimike (pesticide) mbi normën e lejuar në fermat (serat) e zonave të Beratit e Fierit, trupat inspektuese të AKU-së kanë kryer verifikime në magazinat që ushtrojnë aktivitet për “Ruajtjen dhe shitjen e fruta perimeve me shumicë”.

Gjate këtyre dy ditëve janë inspektuar një sërë subjektesh me këtë natyrë aktiviteti duke u marrë mostra për analizim në laborator për mbetjet pesticide. Për rastet kur është konstatuar mos përmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërinë e produktit.

Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së edhe në këto dite pushimi dhe festash vijon të jetë në shërbim për të adresuar problematikat e sigurisë ushqimore. Duke ushtruar kontrolle në operatoret e biznesit ushqimor sipas planit vjetor të kontrollit zyrtar dhe planeve sezonale të monitorimeve.

AKU konkludon se perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashkëkohore. Për rrjedhojë edhe të kërkuar nga vendet e BE-së dhe kjo vërehet nga rritja e eksporteve të fruta-perimeve drejt vendeve si Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane etj. Pothuajse çdo ditë nga Shqipëria dalin produkte (fruta, perime) me destinacion vendet e BE-së.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë menjëherë çdo subjekt që abuzon dhe cenon sigurinë ushqimore. /atsh

AKU, aksion në të gjitha pikat e grumbullimit të perimeve dhe frutave Read More »