Problematika

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike

Taskforca për Turizmin e Prefektures së Qarkut Durrës ka vijuar aksionin e saj në plazhin pranë Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit për të liruar plazhet publike të zaptuara nga sipërmarrësit privat. Aksion ky që është vlerësuar edhe nga pushuesit dhe banorët e zonës.

Aksioni Taskforcës i mbështetur dhe nga Policia e Shtetit, u fokusua në dy zona: te Shkëmbi i Kavajës dhe zona e Golemit, ku u liruan katër hapësira publike të zaptuara, ndërsa më herët aksioni është shtrirë në të gjithë vijën bregdetare nën jurisprudencën e Prefekturës së Durrësit, duke nisur nga Gjiri i Lalëzit e duke vijuar deri në kufi me Kavajën.

Gjatë vëzhgimit të bërë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, qytetarët u shprehën pozitivë ndaj nismës së kësaj Taskforce. “Kam 15 vite që bëj plazh në këtë zonë dhe në fillim kemi pasur një rrip plazh publik, por tani ishte zhdukur”, tha ajo. “Sot bashkia erdhi dhe e hapi. Ne kemi shtëpinë këtu. Pse duhet të paguaj shtratin e plazhit, pse duhet të paguaj. Kur kam shtëpinë këtu, duhet të kem dhe vendin tim këtu në rërë”, tha një zotëri tjetër.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit gjatë aksionit, teksa u përballnin me sipërmarrësit që kishin zaptuar plazhet publike, garantuan qytetarët se do respektohet ligji për hapësirën publike që u takon. Qytetarët dhe banorët e zonës pranuan se Bashkia edhe vitin e shkuar kishte reaguar në lidhje me të njëjtin fenomen. “Edhe vjet dhe sivjet jam i detyruar në bazë të ligjit të hap hapësirën e nevojshme për plazhin publik. Plazhi publik është pa pagesë, e ofron Bashkia, që ja jep banorëve”, garantoi nëndrejtori i Policisë Bashkiake i pranishëm në aksion.

“Unë kam shumë vite që vi këtu te Shkëmbi Kavajës. Sivjet paska bërë shumë ndryshime kryebashkiaku i Durrësit. Policia Bashkiake është prezentë dhe na qëndron pranë për çdo problematikë”, tha një zotëri që po ndiqte nga pranë aksionin e Taks-Forcës për bregdetin.

Ndërsa për ATSH, punonjësit e Policisë Bashkiake u shprehën se “jemi duke mbajtur në kontroll plazhet publike që ka liruar bashkia. Jemi këtu dhe ruajmë të gjitha këto plazhet dhe vrojtojmë dhe fenomenit e tjera”.

Qytetarët u shprehën mirënjohës për punën e bërë. “Ne e vlerësojmë punën e Policisë Bashkiake. Kjo Bashki ka ardhur edhe vitin e shkuar. Kemi qenë të shtrirë mbi njëri-tjetrin, kemi pasur konflikte mes nesh”, tha një zonjë tjetër aty pranë.

“Erdhi polica bashkiake liroi vendin. Mua më pëlqen veprimi”, thotë zotëria tjetër. Kam shtëpinë këtu dhe ndryshimet janë të mira”, vijon ai.

Oltsen Gripshi Koordinator i Taskforcës për Turizmin, Prefektura e Qarkut Durrës u shpreh se puna e bërë deri më tani do të vijoi deri në fund të sezonit veror. “Ky është një bashkëpunim i ndërsjellët mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore bashkë me Task Forcën e kryesuar nga Prefekti i Qarkut. Jemi munduar të vendosim në veprim ligjin, duke krijuar dhe hapur plazhet publike. Kemi nisur që në mëngjes këtu në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës për të krijuar hapësirat e mundshme për pushuesit vendas e të huaj. Sot u liruan 3-4 plazhe deri më tani. Në total janë mbi 13-14 plazhe publike të rikthyera te qytetarët. Pas një aksioni të ndërmarrë nga prefekti i Durrësit ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike duke nisur nga Gjiri Lalëzit, duke vijuar te Plazhi i madh i Durrësit dhe tashmë në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem”, tha Gripshi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./atsh

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike Read More »

Rama-bizneseve: Mos e sprovoni shtetin, kush nuk lëshon faturë asnjë tolerim

Kryeministri Edi Rama ka apeluar sot biznesit që të mos sprovojë administratën dhe shtetin duke mos punuar rregullisht me faturat përkatëse.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Tatimeve, Kryeministri Rama theksoi se, “kemi zgjedhur prej më shumë se 6 muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit, pa bërë hapat e tjerë”.

Kjo periudhë, theksoi Rama “ka përfunduar dhe besoj që legjislacioni është i qartë dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse janë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës”.

“Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal, të mbyllet lokali. Në një njësi tregtare, të mbyllet njësia, për një periudhë që të sjell një dëm të madh”, u shpreh Kryeministri.

“Kështu që ju lutem të gjithëve mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do tolerohet askush”, – ishte apeli i Kreut të Qeverisë ndaj bizneseve. /atsh

Rama-bizneseve: Mos e sprovoni shtetin, kush nuk lëshon faturë asnjë tolerim Read More »

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin”

Çmimet e ushqimeve në restorantet që ndodhen në jug të vendit, sa vijnë dhe rriten, veçanërisht në sezonin e verës.

Pavarësisht cilësisë së ushqimit, e cila në shumë raste lë për të dëshiruar, për të mos thënë që të bën të përfundosh edhe në spital, nëse vendos të hashë një drekë apo darkë në jug, patjetër që duhet të sigurohesh ta kesh xhepin plotë.

Avokati Altin Goxhaj ka publikuar një faturë të kripur, nga e cila i ka bërë përshtypje një prej çmimeve.

Teksa publikon faturën me listën përkatëse, të ngel syri në fund, ku thuhet se një fileto demi prodhim vendi kushton 25 mijë lekë të vjetra.

Sipas avokatit, ky është rasti kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin.

Ai shkruan në rrjetet sociale:

KUR TË HA VIÇI TY DHE JO TI VIÇIN

25 mijë lekë një racion në pjatë me një fileto viçi në Sarandë!
Duket ata te restoranti po nxjerrin fitimin e munguar në kurriz të vikt.imave që u shkelin në lokalet bosh.
Ndaj habitemi ne se si turistët e huaj ndalojnë veç në ato restorante që kanë të publikuar jashtë Listën e Çmimeve. E dinë mirë se ç’duhet bërë që t’a hanë ata viçin dhe jo viçi ata.”

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin” Read More »

Lojërat e fatit/ Ushtronte aktivitet të paligjshëm, procedohet një shtetas në Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vazhdon kontrollet për të goditur paligjshmërinë e aktiviteteve të lojërave të fatit.

Policia e Tiranës ka dërguar për procedim penal 1 shtetas për veprën “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje interneti.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 4, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin: F. Z., 43 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin nën administrimin e shtetasit F. Z në rrugën “Dom Nikoll Marku”, u gjetën 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje për shpërndarje interneti që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, Policia Vendore e Tiranës garanton se kontrolle kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës,me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të këtillë të kundërligjshme. /atsh

Lojërat e fatit/ Ushtronte aktivitet të paligjshëm, procedohet një shtetas në Tiranë Read More »

Braçe-Bashës: Selenica 7 ditë pa ujë, ndërroni transformatorin

Zv/kryeministri Erion Braçe reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Selenicë, ndërsa e ftoi atë dhe kryetarin në detyrë të bashkisë Selenicë (PD), Përparim Shametin, që të punojnë realisht për interesin publik.

“Ti Lyrzim nuk po lufton për karrige? Ti Lyrzim po lufton për interesin publik? E ke seriozisht? Atëherë, merre për veshi atë Papin tënd, domethënë “kryetarin legjitim” të Selenicës, të dy bashkë ngrihuni nga karrigia partiake e tavolina po e tillë, shkoni e ndërroni transformatorin nga merr energji pompa e ujësjellësit, se meruat Selenicën. Ka 7 ditë pa ujë dhe Papi yt legjitim as që mendon për këtë”, tha Braçe.

Ujësjellësi, sipas Braçes, është në pronësi të bashkisë, por “pompa u dogj se e linte ditë-natë ndezur e pa kontroll dhe pompën e re ja blemë dhe ja vendosëm ne, qeveria”.

“Tani lërini dënglat dhe ndërroni transformatorin se edhe atë e keni djegur! Ky është interes publik! Bëjeni tani meqë qenkeni në Selenicë. Ndryshe e bëjmë ne, por ti e ju hani peshk pas kësaj”, tha Braçe./atsh

Braçe-Bashës: Selenica 7 ditë pa ujë, ndërroni transformatorin Read More »

Vlorë, pastrohet kanali kullues në lagjen “Kushtrimi”

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po vijon punën intensive për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet dhe jashtë tij.

Punonjësit e kësaj ndërmarrje sot kanë pastruar kanalin te ish-Fabrika e Tullave në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Fier, në lagjen “Kushtrimi”.

Gjatë pastrimit të kanalit janë nxjerrë shumë mbeturina të hedhura në rrjetin e kanalizimeve.

Ujësjellës Kanalizime Vlorë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos hedhin mbeturina në kanalizime për shkak se krijohen probleme në drejtim të funksionimit të rrjetit.

Gjatë ditës së sotme është realizuar pastrimi edhe i zgarave dhe pusetave në zonën nga “Aleksandria” në Skelë, deri te Palestra “Flamurtari”.

Pjesë e përditshme e kësaj ndërmarrje është edhe reforma e ujit, e cila po vijon me ritme të larta. Gjatë ditës së sotme punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve kanë kryer kontrolle në biznese, në lagjen “Lef Sallata” dhe “Uji i Ftohtë”./atsh

Vlorë, pastrohet kanali kullues në lagjen “Kushtrimi” Read More »

ISHP, disa këshilla për të përballuar të nxehtin

Kur vera ka arritur kulmin me temperatura ekstreme që shkojnë mbi 38 gradë celsius duhet patur kujdes nga rreziqet që vijnë. Për këtë Instituti i Shëndetit Publik rekomandon disa këshilla për të evituar të nxehtin, rrjedhimisht duke eliminuar edhe rreziqet.

Disa këshilla të thjeshta, të zakonshme dhe parandaluese nëse i bëjmë pjesë të jetës sonë të perditshme gjatë ditëve të nxehta të verës, ato mund të na ndihmojnë për të reduktuar apo ulur efektet negative të temperaturave të larta në shëndet.

Çfarë duhet të bëjmë që të mbrojmë shëndetin nga temperaturat e larta?

1-Evitoni daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00. 2-Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura. 3-Mbani në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia. 4-Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës. Temperaturat në shtëpi duhen të jenë deri në 25° – 27° Celsius. 5-Freskohuni here pas here me ujë të freskët duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit në krah, qafë dhe ballë.

6-Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje. 7-Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë. 8-Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta. 9-Ruajini ushqimet në frigorifer. 10-Shmangni ngrënien e ushqime të nxehta apo pikante.

Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

Mbani shtëpinë të freskët- Mbani të freskët ambientin ku jetoni. Kontrolloni temperaturën e dhomës ndërmjet orës 8:00-10:00, në orën 13:00 dhe natën pas orës 22:00. Temperatura e ambientit ku jetoni duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.

Mundohuni të ulni temperaturën në shtëpi. Mbyllni grilat dhe dritaret, veçanërisht ato që rrihen nga dielli. Mos mbani llampat ndezur, reduktoni vënien në punë të pajisjeve elektrike të gatimit apo larjes, etj.

Nëse keni kondicioner, mbyllni dyert dhe dritaret me qëllim ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke zvogëluar kështu konsumin e tepërt të energjisë.
Shmangni të nxehtët- Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, veçanërisht gjatë natës. Në pamundësi për të mbajtur shtëpinë të freskët, shpenzoni 2-3 orë të ditës në mjedise të freskëta jashtë shtëpisë (p.sh. ambiente publike). Shmangni daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Shmangni aktivitetet fizike me intensitet të lartë nëse mundeni. Nëse duhet të bëni patjetër aktivitet fizik, atëherë shfrytëzoni orët e mëngjesit. Qëndroni në hije.- Mos lini fëmijët apo kafshët në një automjet të parkuar. Konsultohuni me mjekun nëse nuk ndiheni mirë apo nëse gjendja juaj nuk përmirësohet. Mundohuni të mbani trupin të freskët dhe të hidratuar

Bëni dush me ujë të ftohtë.- Vishni rroba të lirshme, mundësisht me materiale pambuku ose linoje. Nëse dilni nga shtëpia mbani kapelë me strehë të gjerë dhe mos harroni syzet e diellit. Mundohuni të flini pa jastëk dhe të pambuluar për të mos akumuluar nxehtësi. Pini rregullisht lëngje por shmangni alkoolin, kafet e tepërta dhe sheqerin. Konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë. Shmangni ushqimet e pasura me proteina.
Ndihmoni të tjerët

Kontaktoni me familjarët, miqtë dhe fqinjët të cilët jetojnë vetëm, pasi në ditët e nxehta mund të kenë nevojë për asistencë. Diskutoni për situatat e të nxehtit ekstrem me familjen. Gjithsecili duhet të dijë se si të zvogëlojë rreziqet shëndetësore në këto situata. Nëse ndokush që ju njihni është në rrezik, ndihmojeni atë të kërkojë ndihmë. Të moshuarit dhe të sëmurët të cilët jetojnë vetëm duhet të kontaktohen të paktën një herë në ditë. Nëse një person është duke marrë mjekim, pyesni mjekun që e trajton nëse mjekimi që po merr ndikon në funksionimin normal të organizmit, e lidhur kjo me vapën; këtu kemi parasysh mekanizmat termorregullatore dhe balancën e lëngjeve në organizëm.
Nëse ju keni një problem shëndetësor

Mbani ilaçet në temperaturën nën 25°C ose në frigorifer. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike apo nëse merrni më shumë se një ilaç. Nëse ju apo dikush tjetër nuk ndihet mirë Kërkoni ndihmë nëse ndiheni i turbulluar apo i këputur, nëse keni dhimbje koke, gjendje ankthi apo etje shumë të madhe dhe të vazhdueshme. Zhvendosuni menjëherë në një mjedis të freskët dhe matni temperaturën e trupit.

Pini ujë apo lëng frutash për t’u hidratuar. Nëse njëri nga pjesëtarët e familjes ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikti, lajmëroni menjëherë mjekun e ambulancës. Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një dhomë më të freskët, vendoseni në pozicion horizontal mbështetur në njërën anë, ngrini këmbët pak nga pozicioni horizontal, mundohuni ta freskoni duke e lagur me ujë dhe mos i jepni paracetamol. /atsh

ISHP, disa këshilla për të përballuar të nxehtin Read More »

Ndotja akustike, Policia e Shtetit task forcë për kontrollet në bregdet

Policia e Shtetit në bashkëpunim me institucione të tjera të ngarkuara me përgjegjësi në kuadër të task – forcës “Për sezonin turistik veror 2019” ka marrë të gjitha masat për garantimin e pushimeve të qeta dhe të sigurta për të gjithë pushuesit në zonat turistike dhe plazhe, ku një ndër më kryesoret është menaxhimi i nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare.

Lajmi u bë me dije nga, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka, gjatë një deklarate për mediat të premten. Sipas tij, “nisur nga disa ankesa të ardhura në adresë të Policisë së Shtetit gjatë muajt Qershor 2019, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë që gjenerojnë lokale të ndryshme, jo vetëm në zonën bregdetare, por edhe në zona të tjera urbane, si dhe në zbatim të porosive të lëna në takimin e fundit nga Kryeministri i vendit dhe Ministri i Brendshëm, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për reagim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë, Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave, urdhrat dhe udhëzimet e dala në bazë dhe për zbatim të tij, udhëzimi i fundit i Ministrit të Brendshëm për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë, detyron një sërë institucionesh të përfshira në Task – Forcën “Për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2019”, për bashkërendim të masave për garantimin e rendit, rritjen e parametrave të sigurisë publike dhe menaxhimin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare”, tha Loka.

“Me qëllim plotësimin e standardeve për pushime të sigurta dhe të qeta në zonat turistike dhe qendrat e banuara, Policia e Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan masash të detajuar me detyra sipas strukturave përkatëse, në zbatim të detyrimeve institucionale të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në lidhje me sezonin turistik veror 2019”, shtoi ai.

“Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”, nënvizon Loka.

“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet”, thekson Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka. /atsh

Ndotja akustike, Policia e Shtetit task forcë për kontrollet në bregdet Read More »