Problematika

Rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti në Floq, Rama takon banorët

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot familjet e prekura nga tërmeti i 1 qershorit në fshatin Floq të Korçës.

Ai ndoqi nga afër ecurinë e punimeve për rindërtimin e shtëpive të rrënuara.

“Në fshatin Floq të Korçës, ku po rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti i qershorit”, tha Rama, ndërsa postoi edhe dy foto me banorët e fshatit.

Në 1 qershor zona e Korçës u prek nga disa tërmete, që shkaktuan dëmtimin e shumë banesave. Tërmeti më i fortë e kishte epiqendrën në fshatin Floq, të bashkisë Korçë ku mbetën të dëmtuara rreth 184 shtëpi./atsh

Rindërtohen shtëpitë e rrënuara nga tërmeti në Floq, Rama takon banorët Read More »

AKU bllokon mbi 140 tonë produkte të pasigurta, gjobë 3.5 milionë lekë subjektit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet në të gjithë hallkat e zinxhirit ushqimor duke monitoruar zbatimin e kërkesave ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor në funksion të sigurisë ushqimore dhe mbajtjes pastër të tregjeve nga produktet e pasigurta për konsum dhe të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve.

Nga kontrolli i kryer në subjektin “Afrim Bici” me aktivitet “Magazinë mielli dhe ushqimi për blegtorinë”, Fushë-Krujë, u konstatua se subjekti kontrollohej për herë të parë, megjithëse operonte prej 18 vjetësh duke ushtruar edhe aktivitetin “Prodhim, përpunim dhe shpërndarje me shumicë e ushqimeve për kafshë që përdoren për ushqim” për të cilin nuk dispononte licencën përkatëse dhe njëkohësisht tregtonte edhe plehra kimike (Ure, DAP, Superfosfat dhe Nitrat).

AKU evidentoi se aktiviteti ushtrohej në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Sasia e produkteve prej 141.6 ton përbëhej nga 30 ton ushqim për njerëz (10.5 ton miell importi turk, 19.5 ton miell vendi) dhe rreth 111.6 ton ushqime për kafshë, që përdorën për ushqim për njerëz (33.4 ton krunde/hime, 19.8 ton tërshërë, 19.6 ton sojë, 14.8 ton grurë, 10.3 ton miell misri, 5.7 ton grurë, 5 ton misër dhe 3 ton elb) ishin jashtë standardeve për konsum.

Për shkeljet e konstatuara trupa inspektuese mori masën e ndërshkimit me gjobë në shumën totale prej 3.5 milionë lekë, ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore, bllokim të 30 tonë produkte për konsum njerëzor, deri në daljen e rezultatit të analizave dhe bllokim të 111.6 ton ushqim i pasigurtë për kafshë me destinacion asgjësimin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon intensifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimorë për parandaluar çdo praktikë abuzive që ndikon në shëndetin e konsumatorëve. /atsh

AKU bllokon mbi 140 tonë produkte të pasigurta, gjobë 3.5 milionë lekë subjektit Read More »

Denoncimi qytetar në Komisariatin Dixhital/ Masa për parkim të gabuar dhe ndërtim pa leje

Aplikacioni “Komisariati Digjital” vijon të jetë në krah të qytetarëve, duke afruar më tej bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarit, i cili kërkon të denoncojë një shkelje ligji.

Ministria e Brendshme ka njoftuar rastet që qytetarët kanë raportuar dhe policia ka marrë masa ndaj shkelësve

Sipas Ministrisë së Brendshme, në një rast është raportuar një parkim i gabuar dhe në një rast tjetër një ndërtim pa leje për të cilat policia ka marrë masat gjobë për parkimin e gabuar dhe procedim penal për ndërtimin pa leje.

“Komisariati Dixhital” e sjell Policinë në dorën e qytetarit. Ministria e Brendshme inkurajon qytetarët të shkarkojnë aplikacionin falas dhe të denoncojnë çdo shkelje e abuzim.

Ky aplikacion është një ndër mjetet e rëndësishme të bashkëpunimit qytetar-polici për një shërbim më të mirë nga kjo e fundit dhe vendosjen e sundimit të ligjit. /atsh

Denoncimi qytetar në Komisariatin Dixhital/ Masa për parkim të gabuar dhe ndërtim pa leje Read More »

Çuçi: Asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi, deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend.

Duke iu referuar të dhënave të fundit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për kthimin mbrapsht nga Durrësi në vendet e origjinës të disa ngarkesave me mish, që nuk përmbushnin standardet për konsum, ministri Çuçi tha se “po monitorojmë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, sidomos ato në zonat turistike, për të garantuar produkte të sigurta”.

AKU njoftoi të premten se ka kthyer mbrapsht në vendin e origjinës tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, pasi nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili.

Ndërsa gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces verifikimi përfundimtar për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim./atsh

Çuçi: Asnjë tolerim ndaj kujtdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore në vend Read More »

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal

Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot se “zjarri në Shëngjin është i përsëritur në të njëjtën kurorë, i qëllimtë e për këtë arsye, kriminal”.

“Pylli me pisha e shkurre të tjera nuk është më. Për 32 orë zjarrfikës, ushtarë e punonjës të emergjencës, bën gjithçka për të mbrojtur banesat nga zjarri pranë tyre, njëherësh për të shpëtuar pyllin. Me banesat ia dolën, i mbrojtën, me pyllin jo, s’arritën. Ai që pronën e vjedhur se gëzon dot më sepse njerëzit kanë kurajo të flasin, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, mos e gëzoj kurrkush!! Ai që pronë do të grabisë, plas deri sa t’i vërë zjarrin asaj, të ndërtojë aty ku zjarri e ka kthyer pyllin në truall”, tha Braçe.

Sipas tij, “kurora e Shëngjinit është shkatërruar fiks kështu, nga interesa kriminale horrash që urrejnë pyllin e se paratë i bëjnë nga betoni”.

“Për të mos folur edhe për piromanë edhe më banalë që përfitojnë kullota, më keq dru nga pemët, qymyr nga shkrumbimi për të fituar edhe kështu. E di që e qara për Amazonën është trendy, por Shëngjini dhemb edhe më shumë”, u shpreh ai.

Për shumë kohë, sipas Braçes, “në Shëngjin, detin, erën që vjen prej tij, e ndanë me pyllin, malin, me një mur 8-10-12 kate betoni”.

“Fituan para pa hesap, pa pyetur për shkatërrimin! Tek interesa të tilla nis, me këto interesa duhet luftuar, të mëdha apo banale qofshin”, tha Braçe.

Sipas tij, “nuk i duhen kërrkujt dëngla të politikanëve hipokritë që flasin për zjarrin kur për luks i kanë vënë betonin pyllit, mu në mes të tij”.

“Zjarri nuk shuhet as me hipokrizi e as me pështyma! Zjarri nuk shuhet me koordinim zjarrfikësish, kur benzina e interesave të betonit dhe çdo interesi tjetër përfitues,
e ndez dhe e përhap flakën kudo! Duhet të merremi tani me këtë “benzinë”, posaçërisht aty në vend, ndryshe as shiu që na ndihmoi dje në Shëngjin, nuk do jetë më me ne! Gjithnjë nis tek politika, vendimet e saj, që të mos arrijë më tek pylli”, tha ai./atsh

Braçe: Zjarri në Shëngjin, kriminal Read More »

Siguria ushqimore/ Kontrolle në zonat turistike, gjobiten me 6.1 milionë lekë dhe bllokohen 4 subjekte

Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer një sërë kontrollesh për të garantuar sigurinë ushqimore në vend dhe për të siguruar vijimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik.

Nga kontrollet e kryera në këto subjekte u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), si dhe etiketim i parregullt i produkteve.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim: 12 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 6,100,000 lekë, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” për 4 subjektet./atsh

Siguria ushqimore/ Kontrolle në zonat turistike, gjobiten me 6.1 milionë lekë dhe bllokohen 4 subjekte Read More »

Vijon operacioni “Plazh i lirë”, lirohen rreth 2800 m2 hapësirë e zaptuar në mënyrë të paligjshme

Operacioni për lirimin e plazheve publike ka vijuar në Shëngjin të Lezhës. Si rezultat i këtij operacioni të policisë është liruar rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.

Shtatë subjekte janë konstatuar se ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga bashkia Lezhë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.

Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.

Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë. /atsh

Vijon operacioni “Plazh i lirë”, lirohen rreth 2800 m2 hapësirë e zaptuar në mënyrë të paligjshme Read More »

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime në gatishmëri për furnizimin me ujë të qytetit

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë është në gatishmëri të plotë për të siguruar furnizimin normal me ujë në të gjithë qytetin e Vlorës.

Punonjësit e UK Vlorë punuan ditët e fundit në Stacionin e Pompimit të Ujësjellësit Nr.6, që është pjesë e stacionit kryesor që furnizon me ujë qytetin.

Sipas UK, Vlorë u riparua një pompë, pjesët e të cilës janë specifike që nuk gjenden në tregun tonë dhe kanë mbërritur nga kompania prodhuese që gjendet në Angli.

Pjesë e punës së kësaj ndërmarrje ishte edhe riparimi i avarisë në rrjetin e ujësjellësit pranë pallatit Nr.1271 përballë Shkollës “Ismail Qemali”, si dhe defektin te rruga e “Çipajve”.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë prej disa ditësh po punon edhe për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe stacioneve të pompimit./atsh

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime në gatishmëri për furnizimin me ujë të qytetit Read More »