Problematika

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se ka bërë testin e COVID 19 dhe doli negative.

Në një intervistë televizive, Meta u shpreh se, “unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht”.

“Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë”, tha Meta.

Ndërkohë, shtoi kreu i Shtetit, “unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje”.

“Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur”, tha Meta.

“Ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori. Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar”, tha Presidenti Meta.

Meta theksoi se, “kjo është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale. Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton. Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij”.

Meta shpreh “mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie”.

Ndaj, shtoi ai, “dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar”.

Dhe së dyti, vijoi Meta, “kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre”.

Padyshim, ka nënvizoi Meta, “që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal”.

“Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik”, theksoi ai.

Meta u shpreh se nevojitet bashkëpunim nga të gjithë dhe se taskforca në Presidencë nuk dublon asnjë strukturë

“Shqetësimin për këtë çështje unë e kam bërë publik që më 31 janar 2020, kur për herë të parë u identifikuan dy shtetas italianë. Dhe kuptohet se ky do të ishte një rrezik që do të vinte në rritje për arsye sepse përmasat që mori në Kinë, por edhe në vende të tjera, dhe fakti se jetojmë në një epokë të globalizimit, ku jo vetëm të mirat shpërndahen shpejt, por ku edhe rreziqet menjëherë marrin përmasa gjithëpërfshirëse. Dhe në vazhdimësi kam qenë në komunikime me të gjitha institucionet shtetërore e të qeverisë për të kërkuar marrjen e masave brenda kompetencave të secilit prej tyre, në parandalimin dhe përballimin e këtij fenomeni. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në këto komunikime, dhe do të vazhdojmë pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në parametrat në të cilët ndodhemi, sepse janë disa faktorë që nuk varen vetëm nga ne, por edhe përsa u takon përshkallëzimeve të ndryshme që mund të vihen re në të ardhmen”, tha Meta.

“Pra përshkallëzime përsa u takon përballimit të të gjitha skenarëve të zhvillimit të kësaj pandemie, të përmirësimit apo të përkeqësimit, dhe njëkohësisht edhe të skenarëve të tjerë që duhet të ndiqen paralelisht, të situatës ekonomike, sociale, të sipërmarrjes, sepse impakti padyshim që tashmë ka filluar të mos jetë pozitiv. Pra kjo nuk është vetëm për ne. Kjo është edhe për vende e tjera, por natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një avantazh, po të kemi parasysh që është një situatë kur çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e vet në radhë të parë, pra nuk është si në rastin e një fatkeqësie tërmeti kur të gjithë përpiqen të ndihmojnë atë që goditet”, shtoi Meta.

Megjithatë, nënvizoi ai, “përvojat e vendeve të tjera: të Kinës, Italisë, që janë goditur më fort e më përpara, duhet të na shërbejnë edhe ne për të ardhmen. Apo të vendeve që kanë arritur të jenë më të mbrojtura në rajonin tonë dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja, edhe parandaluese, edhe përmirësuese të të gjithë mekanizmit reagues të shtetit e të shoqërisë”.

“Përsa i takon Task-Force-s, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim apo dëshirë për spekulim: Task-Forca në Institucionin e Presidentit është në funksion të Presidentit. Pra nuk është se ajo dublon Task-Force-n e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka as këshilltarë funksionalë për shëndetin, pavarësisht se këshillohet në mënyrë të vazhdueshme me profesorë të kësaj fushe, nga më të njohurit në vend, por ajo është një Task-Force, e cila ndihmon, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me institucionet, shqetësimet që vijnë këtu apo që evidentohen nga mediat me qëllim të vetëm përmirësimin e reagimit shtetëror të menaxhimit të kësaj krize, emergjence”, tha Meta.

Në lidhje me masat e marra Meta tha se, “Duhet të kemi parasysh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është se ka patur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, të cilën dhe ajo me pak vonesë e konsideroi si Pandemi. Në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë udhëzime të ndryshme apo të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e reja duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë shkencërisht”.

“Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, të gjithë duhet të jemi reflektues, sepse është një eksperiencë e re, që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar më parë dhe sigurisht që Shqipëria ka patur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në të kaluarën në përballimin e SARS-it apo të gripit të derrit apo të disa fenomeneve relativisht të ngjashme”, theksoi Meta.

Megithatë, Meta, theksoi se, “e para mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet mbi prioritetet, sepse jo vetëm ata janë të rrezikuar në çdo sekondë për shkak të profesionit dhe për shkak të kontaktit të parë dhe të vazhdueshëm që kanë me të gjithë personat e infektuar, apo potencialisht të infektuar, pra ende të pakonfirmuar apo të paverifikuar. Kjo e theksoj edhe një herë që është prioritet mbi çdo prioritet, se është një betejë që do vazhdojë gjatë dhe ata do të jenë gjithmonë në vijën e parë të kësaj beteje”.

Së dyti, shtoi Meta, “padyshim që testimi është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e masave për të patur infrastrukturën e duhur është e domosdoshme për të gjithë ata të cilët kanë shqetësime”.

Së treti, tha Meta, “mbetet prioritet marrja e masave për terapinë intensive për të gjithë ata gjendja e të cilëve mund të rëndohet, sepse këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për t’i shëruar, po për t’i shpëtuar jetën e tyre, dhe në këtë drejtim unë kam marr garancitë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi që po merret me këtë çështje që janë marr masat edhe për sa i takon respiratorëve shtesë edhe për sa i takon posteve shtesë për sa i takon reanimacionit, në mënyrë që në çdo rast të jepet ndihma dhe të shpëtohet çdo jetë e çdo qytetari në vendin tone”.

Ndërkohë, ënnvizoi Meta, “padyshim që jam takuar edhe me përfaqësues të opozitës të cilët kanë një qasje kritike, që edhe është normale për sa i takon këtij pozicioni opozitar, ashtu sikurse jam i sigurt që edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë çdo ditë mendojnë se ka vend për përmirësime, sepse është një eksperiencë e re. Dhe disa nga shqetësimet e tyre ua kam transmetuar edhe përfaqësuesve të qeverisë, dhe është e rëndësishme thellimi i procesit të bashkëpunimit në përballimin e kësaj sfide në interes të përmirësimit të masave parandaluese dhe njëkohësisht të qetësimit, të ruajtjes së një atmosfere sa më pozitive të jetë e mundur në shoqëri në përgjithësi, në familjet tona kudo, sepse paniku në çdo rast nuk është një aleat i mirë, përkundrazi është një kundërshtar që mund të jetë dhe i pamëshirshëm në momente të caktuara. Të gjithë duhet të punojmë për të dhënë këto mesazhe përgjegjshmërie, bashkëpunimi, transparence”.

Në lidhje me shtetasit shqiptarë që janë jashtë dhe kërkojnë të kthehen në atdhe Meta tha se, “ne kemi marrë vazhdimisht shqetësime në këtë drejtim dhe kemi bërë edhe komunikimet tona me institucionet këtu për të evituar disa raste të cilat mund të lehtësonin moslëvizjen e tyre ndoshta të panevojshme apo për disa arsye në këtë situate”.

“Megjithatë, duhet të kemi parasysh që duhet të jemi pranë çdo qytetari të vendit tonë, i cili dëshiron të vijë në vendin tonë, sidomos të atyre që janë rezidentë në Shqipëri. Duhet të gjejë mënyrën e duhur në mënyrë që kjo gjë të jetë e kontrolluar, të jetë e menaxhueshme dhe sigurisht ata t’i nënshtrohen edhe një karantine të plotë dhe të sigurt”, shtoi Meta.

“Në këtë drejtim sot jam informuar që në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, të Konvaleshenca janë krijuar të gjitha kushtet për të patur një karantinë sa më funksionale për të gjithë ata që do ta kenë të domosdoshme që ta realizojnë këtë detyrim”, tha Meta.

Ndërkohë, theksoi Meta, “do të ndiqen besoj të gjitha hapat për t’iu përshtatur kësaj situate në të gjitha dimensionet që ajo do të shfaqet, kur nuk varet nga ne. Sepse ka edhe faktorë që nuk varen plotësisht nga ne”.

“Nga ne varet që gjithsecili të jetë i kujdesshëm në të gjitha sjelljet e tij, në veprimet e tij dh të respektojë të gjitha ato këshilla dhe instruksione të cilat janë në mjetet e informimit publik në mënyrë të vazhdueshme”, tha Meta./atsh

Meta, negativ në testin e COVID 19: Detyrim pasi qëndrova në një ambient me një person të infektuar Read More »

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, për mesazhet mbështetëse të përcjella prej tyre në këtë situatë, ndërsa u ka kërkuar atyre të sensibilizojnë edhe të afërm të tyre në Shqipëri, që të zbatojnë masat.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve ju që jeni në Itali dhe shkruani në faqen time fjalë të ndjera, të mençura, të vërteta nga zona e dhimbjeve më të mëdha të luftës.
Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes fejsbukut tuaj dhe foluni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefthi, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen! Viva l’Italia, Rroftë Shqipëria”, u shpreh Kryeministri./atsh

Rama falënderon shqiptarët në Itali për mesazhet mbështetëse: Ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar akoma që jemi në një luftë të vërtetë Read More »

Kirurgu Bollano: Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim

Kirurgu Enton Bollano i bën apel qytetarëve se duhet të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, së pari për familjet e tyre por edhe për të gjithë shoqërinë.

Përmes një videomesazhi, kirurgu dhe pedagogu i njohur i mjekësisë shprehet se, “këshilla ime është një dhe vetëm një. Zbatoni në mënyrë të rreptë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, në këto momente jo të zakonshme. Këtë bëjeni për vete. Për fëmijët tanë dhe për ne. Higjienë, higjienë dhe vetëm higjienë, këtë bëjeni për veten tuaj dhe për të tjerët . Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim”. /atsh

Kirurgu Bollano: Ju na ndihmoni duke respektuar rregullat, ne ju shërbejmë me vetëmohim Read More »

Rama qytetarëve: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin

Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë”, iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama qytetarëve, që reagojnë lidhur me masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Rama siguroi qytetarët se “askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime”.

“O ju vëllezër e motra që bëni ca pyetje sikur po vuani nga dora e robit, jo nga dora e Zotit. A do ta kuptoni edhe ju, siç e ka kuptuar shumica, se kjo është luftë e vërtetë dhe pyetja është: po t’i shihnit avionët që ju bombardojnë mbi kokë dhe plagët që hapin, a do ti bënit ato lloj pyetjesh?”, tha Rama.

Rama kujtoi se Presidenti i Francës mbrëmë i tha pesë herë popullit të tij: jemi në luftë!

“Ju lutem ndajeni mendjen: jemi në luftë! Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin tonë! Prandaj bëni secili luftën tuaj dhe bëni durim! Ne po bëjmë e do bëjmë gjithçka që është e mundur mbi këtë tokë, po nuk jemi Zoti dhe nuk zgjidhim dot me magji probleme e halle që janë reale, por që janë pjesë e të qenit në luftë!
Askush nuk do të bënte dot më shumë për ju, se sa po bëjmë dhe do të bëjmë deri në fund, unë dhe qeveria ime! Me mish e me shpirt”, tha Rama./atsh

Rama qytetarëve: Nuk jeni në shtëpi se dua unë, po sepse ka një armik që ka sulmuar vendin Read More »

Rama: Zbatimi i masave deri në fund, askush nuk e di sa do zgjasë as në Shqipëri e në asnjë vend të globit

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive sot, ka theksuar se masat e marra nga qeveria për minimizimin e përhapjes së koronavirusit të ri, COVID 19, duhet të imponohen deri në fund.

Sipas Ramës, Italia nuk po bën asgjë më shumë se sa Shqipëria. “Italia nuk po bën asgjë më shumë se sa ne faktisht dhe njësoj si në Shqipëri edhe në Itali një pjesë e atyre aktiviteteve që lidhen me hallkat kritike të zinxhirit ekonomik janë të pandërprera. Pjesa tjetër është ajo që bëjmë ne”,- tha Rama.

“Ajo që ne na duhet të bëjmë është t’i imponojmë këto masa deri në fund. Këtu e përsëris për gjithë qytetarët që e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpia për shërbimet bazë, duhet të mos harrojnë se dalja në rrugë nuk është dalja në liri por është vijimi i një sjellje ndryshe nga ajo e zakonshme. Nëse shkojmë në bankë duhet të rrimë në distancën nga njëri-tjetri dhe mundësisht të rrimë në radhë për të mbrojtur veten dhe tjetrin. Nëse shkojmë në dyqan, duhet të rrimë në radhë. Këto janë shumë të vështira sepse forca e zakoneve të krijuara është shumë e madhe, por janë të domosdoshme dhe sfida tani është t’i zbatojmë të gjithë këto masa që në një kohë normale do të dukeshin absurd”,- tha Kryeministri.

Lidhur me kohëzjatjen e këtyre masave, Rama tha se askush nuk e di. “Askush nuk e di, as në Shqipëri dhe në asnjë vend të globit. Të gjithë kanë marrë masa të ngjashme tanimë, ne kemi qenë vendi i parë në Evropë pas Italisë që mbylli shkollat, dhe hap pas hapi kemi qenë me atë grup vendesh që kanë bërë të njëjtat gjëra. Por askush askund nuk e di se sa do të zgjasë. Është marrë një masë që bazohet tek një afat tek dy apo tre javor me idenë që këto 2-3 javë janë të domosdoshme për të ulur kurbën e shpërndarjen sepse duhet të kemi të qartë, dhe kam qenë i detyruar të mësoj shumë nga detyra dhe halli për këtë mortje që sulmuar botë, është se asnjë masë nuk e ndal shpërndarjen e virusit, të jemi të qartë”,- shtoi ai.

“Por masat e ngadalësojnë shpërndarjen, i japin mundësi sistemit shëndetësor të mund të asistojë ata që janë më në nevojë dhe hyjnë në fazën e një situate kritike për luftën për jetën. 2-3 javë do të jenë ndikuese në uljen e kurbës, në ngadalësimin e shpërndarjes së virusit, do t’i japë mundësi shumë njerëzve që ta kalojnë gjendjen në shtëpi. Se siç e dimë 80% e atyre që preken nga ky virus, as nuk e marrin vesh që kanë prekur”, tha Rama/atsh

Rama: Zbatimi i masave deri në fund, askush nuk e di sa do zgjasë as në Shqipëri e në asnjë vend të globit Read More »

Mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video sensibilizuese lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi, bashkë me apelin për të qëndruar në shtëpi.

“MIRËMËNGJES, s’jam Edi, po janë dy çuna që s’i njoh që e kanë qarë këtë video. Shikojeni dhe mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë”, tha Rama, duke ndarë videon.

Në përballje me situatën e krijuar nga koronavirusi, Shqipëria ka përshkallëzuar masat, ndërsa apeli i autoriteteve për qytetarët është të qëndrojnë në shtëpi. Deri tani në vend rezultojnë 51 të prekur nga koronavirusi./atsh

Mos lëvizni nga shtëpia, nëse nuk jeni ndër ata që duhet të shkojnë patjetër në punë Read More »

Mjekët psikiatër, 13 këshilla për të përballuar mendërisht izolimin

Ekipi i stafit të Ankthit në Mbretërinë e Bashkuar, (shumë prej të cilëve kanë përvojën e tyre personale të ankthit) sugjerojnë disa këshilla që ju vijnë ndihmë qytetarëve, sesi të kujdesen për veten kundër ankthit, duke qenë se vetë-izolimi i është sugjeruar kujtdo nga qytetarëve gjatë kësaj periudhe, si masë parandaluese kundër COVID-19.

Sipas tyre këshillohet të; Shkarkoni disa inçizime që keni menduar të dëgjoni (informacion, muzikë, këshilla, të tjera); Shikoni në Netflix ose në filmoteka të tjera që keni në dispozicion; Të merreni me gjëra të tilla si arte dhe vepra artizanale, thurje, video-lojëra; Provoni meditimin ose teknikat e tjera të relaksimit, veçanërisht për ata që nuk e kanë provuar kurrë (informacionin rreth këtyre teknikave mund ta gjeni edhe në internet); Mësoni një hobi të ri, diçka si origami ose detyra të tjera të thjeshta artizanale; Edukimi (përmes lidhjeve në internet); Kontaktoni me miqtë në Skype ose Facetime; Gatim ose zgarë; Ushtrime fizike në kushte shtëpie; Shkrimi; Leximi; Bëji-vetë aktivitete (lyerje, pastrim, dekorim, etj.); Kopshtari.

Të gjitha idetë e shkëlqyera për të të mbajtur aktiv dhe të zënë mund të jenë të dobishme.
Gjithashtu sugjerojnë ata edhe këshillat e paketës (e quajtur APPLE), lidhur me mendimet negative që përjetoni herë pas here gjatë kësaj periudhe, si më poshtë:

Pranoni – Vini re, vetëdijësohuni dhe pranoni pasigurinë ndërsa vjen në mendje.
Pauzë – Mos reagoni siç bëni zakonisht. Mos reagoni fare. Vetëm pauzë dhe frymëmarrje.
Tërhiquni – Thuajini vetes kjo është vetëm shqetësim dhe kjo nevojë e dukshme për siguri nuk është e dobishme dhe jo e nevojshme. Është vetëm një mendim ose ndjenjë. Mos besoni gjithçka që mendoni. Mendimet nuk janë deklarata apo fakte.
Lëreni – Lërini mendimin ose ndjenjën. Do të kalojë. Ju nuk duhet të përgjigjeni atyre. Ju mund t’i imagjinoni ato duke fluturuar si një flluskë apo si re që largohet.
Eksploroni – Eksploroni momentin e tanishëm, sepse tani, në këtë moment, gjithçka është mirë. Vini re frymëmarrjen tuaj dhe ndjesitë e frymëmarrjes tuaj. Vini re tokën poshtë jush. Shikoni përreth dhe vini re atë që shihni, çfarë dëgjoni, çfarë mund të prekni, çfarë mund të nuhatni, tani për tani. Pastaj zhvendosni përqendrimin tuaj të vëmendjes në diçka tjetër – në atë që duhet të bëni, në atë që keni bërë përpara se të vini re shqetësimin, ose bëni diçka tjetër – duke përqëndruar vëmendjen plotësisht.
Tendenca për të kontrolluar gjithçka nga frika e humbjes së kontrollit, bën që shpesh herë të qëndroni me orë të tërë duke ndjekur burime të ndryshme informimi (ku jo gjithmonë informacioni i dhënë është shkencor dhe i qartë), kjo bën që të shtohet ankthi, ndaj duhet kufizuar koha për informim dhe duhen përzgjedhur burimet e informacionit.
Tërhiquni – Thuajini vetes kjo është vetëm shqetësim dhe kjo nevojë e dukshme për siguri nuk është e dobishme dhe jo e nevojshme. Është vetëm një mendim ose ndjenjë. Mos besoni gjithçka që mendoni. Mendimet nuk janë deklarata apo fakte.
Lëreni – Lërini mendimin ose ndjenjën. Do të kalojë. Ju nuk duhet të përgjigjeni atyre. Ju mund t’i imagjinoni ato duke fluturuar si një flluskë apo si re që largohet.
Eksploroni – Eksploroni momentin e tanishëm, sepse tani, në këtë moment, gjithçka është mirë. Vini re frymëmarrjen tuaj dhe ndjesitë e frymëmarrjes tuaj. Vini re tokën poshtë jush. Shikoni përreth dhe vini re atë që shihni, çfarë dëgjoni, çfarë mund të prekni, çfarë mund të nuhatni, tani për tani. Pastaj zhvendosni përqendrimin tuaj të vëmendjes në diçka tjetër – në atë që duhet të bëni, në atë që keni bërë përpara se të vini re shqetësimin, ose bëni diçka tjetër – duke përqëndruar vëmendjen plotësisht.
Tendenca për të kontrolluar gjithçka nga frika e humbjes së kontrollit, bën që shpesh herë të qëndroni me orë të tërë duke ndjekur burime të ndryshme informimi (ku jo gjithmonë informacioni i dhënë është shkencor dhe i qartë), kjo bën që të shtohet ankthi, ndaj duhet kufizuar koha për informim dhe duhen përzgjedhur burimet e informacionit.
Mbajtja e mirëqenies mendore është po aq e rëndësishme, sa edhe mirëmbajtja e mirëqenies fizike./atsh

Mjekët psikiatër, 13 këshilla për të përballuar mendërisht izolimin Read More »

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur

Mbyllja e të gjitha aktiviteteve prodhuese është njësoj si t’i heqësh pas 3 muajsh gjithë Shqipërisë aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë dhe kjo nuk ka për të ndodhur”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Ai u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë ligjin special, Aktin Normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusit.

“Të dashur qytetarë, koha që po kalojmë është një luftë botërore nervash ku kush nguron të bëjë gjënë e duhur, dhe kush ndalon lirinë e fjalës me detyrim për të zbatuar këshillat, kush dorëzohet e paguan nesër shtrenjtë. Ju kërkoj vetëm të bëni durim dhe të dëgjoni lutjen për të mirëkuptuar për masën e jashtëzakonshme të vështirësisë”, tha Rama.

Rama tha se “të bombarduar me gjithëfarë lajmesh, qytetarët kanë të drejtë të ankohen dhe të acarohen por askush nuk ka të drejtë të vendosë në diskutim dobinë jetike dhe të shkelë ligjin special që më ka rënë mua barra t’ua komunikoj”.

“Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë. Ju lutem ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues është si të heqësh aparatin e frymëmarrës Shqipërisë. Vendimi nuk do të thotë sakrifikim i shëndetit të atyre që duhet të shkojnë në punë. Ne ishim të parët që mbyllëm shkollat. Asnjë vend nuk e ka përfshirë pjesën kritike të zinxhirit ekonomik të planit drastik të kufizimit, as Italia nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “koha që po kalojmë është një luftë botërore”. “Dikush që ngurron të bëjë gjënë e duhur sot për të zbatuar këshillat dhe urdhrat, që në kohë normale tingëllojnë si fjalë që vijnë nga çmendina e paguan, aq shtrenjtë sa nuk do të donte ta provonte”, tha Rama.

Rama tha se “kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër që do mbarojë në një fundjavë apo në 1 dhe 2 javë”. “Askush nuk e di as në botë sa mund të zgjasë kjo luftë. Të gjithë tani po pranojnë dhe po i nënshtrohen të vetmit ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur plagët e viktimave të pashmangshme të këtij virusi: kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi gati absurd social”, tha Rama.

Ai theksoi se “sfida është jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit, por të garantojmë që paslufta të mos jetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike”.

“Sikur pagesat e ujit, dritave, rrogave të atyre që nuk kanë burim tjetër etj. të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit duhet të varesha nga këmbët në Sheshin ‘Skënderbej’ për mosmbylljen e të gjitha aktiviteteve prodhuese. Por është njësoj si t’i heqësh gjithë Shqipërisë pas 3 muajsh aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Kush nuk e kupton le të më shajë, nuk ka problem, mjafton të mos shkelë rregullat që i takojnë si individ”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që mbylli shkollat dhe mori masa drastike./atsh

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur Read More »