Politike

Vuçiç: Perëndimi mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë çështje të mbyllur. Ai i bëri këto komente pas takimeve që ka zhvilluar ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë private gjatë së cilës është takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres. Ai i tha televizionit shtetëror serb se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar takime të rënda lidhur me çështjen e Kosovës.

“Jam i kënaqur me punën e përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh. Nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Qe një kohë të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën… Po përpiqemi të gjejmë zgjidhej kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të veten. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e pavarësisë Kosovës“, tha ai. Presidenti serb ka paralajmëruar mundësinë që në muajin prill të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por për këtë tha ai, ka nevojë edhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. “Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova”, tha ai duke nënvizuar se Serbia po paguan çmimin e vendimeve të gabuara të së kaluarës, përfshirë edhe ngritjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë. Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për kompromise por jo “edhe të sakrifikojë interesat e saj”, ndërsa hodhi poshtë pohimet se ka zhvilluar takime private me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, apo të ketë biseduar me të për “ndarjen e Kosovës”, një pohim i hedhur nga forcat opozitare në Serbi por edhe nga disa medie evropiane.

Për të premten në Bruksel është paralajmëruar takimi i radhës ndërmjet presidentit serb dhe presidentit të Kosovës në kuadër të bisedimeve për ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Presidenti serb tha se moti i lig që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara mund të pengojë këtë takim. Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane. Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kjo është ritheksuar edhe në fillim të muajit shkurt, kur Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019./VOA

Vuçiç: Perëndimi mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës Read More »

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dha urdhër për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën pak më parë gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kur pritet të miratohet demarkacioni.

Pas urdhrit, Policia e Kosovës ka filluar të arrestojë deputetët në sallën e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka bërë të ditur se edhe Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të përjashtohen pesë deputetët, Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba, Librun Aliu. Këta pesë deputetë gjuajtën dy herë radhazi me gaz lotsjellës, kur pritej që marrëveshja e demarkacionit të dilte për votim. Seanca u ndërpre dy herë.

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit Read More »

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.

Ai vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumë palësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit.

Kreu i Shtetit ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE Read More »

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj veprimeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën dy herë gaz lotsjellës në momentin kur po tentohej të votohejMarrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe është pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

“Dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot.

Kjo është ajo që e presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie. Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar.

Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullnet i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane.

Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar.” shkruan Thaçi në facebook.

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë Read More »

Meta, Rama, Basha dhe Berisha sipas “sondazheve” të blera kryeministrore

Edi Rama njihet se ka një aftësi kamuflazhi dhe intrige në prapaskena politike, sa jo vetëm palosi Lulzim Bashën si një “sardele” duke e rrotulluar siç deshi vjet në maj, por fut në kurthin e ditës edhe ish-kryeministrin Berisha. Me presidentin Meta, për momentin, rri në distancë, herë duke e lëmuar, dhe disa herë duke i ngrënë “copa mishi” nga ish-partia e tij.

Edi Rama mori zgjedhjet, në mënyrat që tashmë dihen. Ka plot 74 deputetë puro rilindas-socialistë, mban edhe 4 vota “çamesh” e “socialdemokrat”; mori prokururorinë si institucion i pavarur, po gllabëron gjykatat me “komisione vettingu”, mediat i miklon me leje ndërtimi e pazare lekësh dhe i censuron me autocensurë, biznesmenët i shkojnë vetë pas dere. Edhe kur nuk don, ata vetë si biznesmenë të “qerasin”.

Ekonomia është copë-copë, taksat në rritje për ata që paguajnë. Mirëqënia në rënie, papunësia rritet në mënyrë gjeometrike, pensionet shtohen me një kafe në vit (!), dhe çuditërisht sondazhet e nxjerrin si njeriun më pozitiv!

Sa lekë paska qeveria, aqsa edhe sondazhet e “pavarura” me “albania” në fund e nxjerrin kryeministrin si personi më pozitiv në Shqipëri. Një kompani sondazhesh me financime qeveritare e nxjerr sot online si njeriun pa asnjë negativitet, aqsa mund të jetë një kandidat për çmimin “Nobel” për popullaritet në një vend me papunësi me tepër se gjysma e popullsisë.

Edi Rama e meriton “sondazhin” vetëm nëse në qershor Shqipëria merr statusin e kandidatit për në BE.

Meta, Rama, Basha dhe Berisha sipas “sondazheve” të blera kryeministrore Read More »

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE”

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime miqësore para dëgjesës në Parlamentin Europian. Rama është takuar me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini si dhe me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. Me të dy diplomatët, Rama ka pasur biseda të veçanta.

“Disa takime miqësore përpara dëgjesës me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”🇦🇱😊🇪🇺”, shkruan kryeministri.

Më herët Rama u takua komisionerin Johannes Hahn si dhe me kryeministrin belg Charles Michel, i cili shprehu mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE.

 

 

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE” Read More »

Berisha “masakron” Bashën në mbledhjen e grupit parlamentar

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD, Sali Berisha ka “kryqëzuar” në mbledhjen e grupit parlamentar kreun e PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me lëvizjen dhe tentativën për të zhdukur nga kalendari i datave historike, 20 shkurtin.

CNA.al mësoi se Berisha ka folur gjatë në mbledhjen e grupit, ku ka shpjeguar simbolikën e asaj date si dhe arsyen pse është shpallur me vendim qeverie si simbolikë e persekutimit komunist.

Ish-kryeministri Berisha i është drejtuar me ton Lulzim Bashës, duke theksuar, se PD ka më shumë se dy vite që nuk e përkujton 20 shkurtin dhe nuk zhvillon asnjë aktivitet.

Ish-kryeministri i vendit dhe lideri historik i PD-së, mesa duket e ka të qartë dhe të fotografuar mjaft mirë çdo detaj që ka të bëjë me 20 shkurtin dhe lëvizjen e Lulzim Bashës për të zhdukur këtë datë dhe simbolikën e saj.

Mësohet se ish-kreu i PD-së ka theksuar në mbledhje se, “data dhe ngjarje ka shumë, por 20 shkurti ka një simbolikë të veçantë dhe askush nuk mund ta ndryshojë.”

Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ish-kreu i qeverisë ka mbajtur një leksion të gjatë për deputetët duke ju shpjeguar vendimin e qeverisë së tij për 20 shkurtin dhe simbolikën e saj.

Berisha “masakron” Bashën në mbledhjen e grupit parlamentar Read More »

Koço Kokëdhima: Për tu bërë deputet paguhet 300 mijë euro!

“Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro. Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie? Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë”, shkruan kreu i Zgjidhja.

Gjithashtu ai zbërthen edhe skemën se si partitë e vjetra sipas tij, përdorin financat për të lobuar jashtë vendit me synim forcimin e pushtetit të tyre në Shqipëri, gjithmonë në funksion të përfitimeve.

“Është bërë “normale” tashmë që kryetarët e partive të vjetra shqiptare paguajnë qindra-mijëra dollarë për një foto me Barack Obama-n apo Donald Trump-in. Kërkojnë të blejnë nga pak nder! Duan t’u hedhin hi syve njerëzve, të dëshmojnë se janë shumë më të rëndësishëm se sa i vlerësojmë ne në këtë provincën tonë. Duan të manipulojnë veçanërisht militantët fanatikë të partive të vjetra që këta të fundit të turren me thika në gojë dhe të shqyejnë zgjedhjet dhe shtetin për t’i dhënë pushtet kryetarit të tyre të pander që do të sundojë në katër vitet që do vijnë! Paratë e kryetarëve të partive të vjetra janë para droge e kriminelësh. Ja pse shumë kriminelë i shohim në parlament, disa të tjerë fitojnë tenderat e qeverisë dhe të tjetër akoma emërojnë drejtorët e shtetit. Drejtorët mbledhin para gjatë ditës duke grabitur popullin, në mbrëmje i ndajnë me kryetarët e partive dhe padronët e tyre kriminelë. Për të punuar me fondet publike e përfituar koncesione duhet të paguash kryetarët e partive të vjetra me shuma marramendëse e pjesë të biznesit që shkojnë nga 20 deri në 50 për qind të kontratës apo të kapitalit”, denoncon Kokëdhima.

Koço Kokëdhima: Për tu bërë deputet paguhet 300 mijë euro! Read More »