Politike

Hapja e negociatave/ Edi Rama: BE vlerësoi punën tonë, ftesë Bashës për vazhdimin e reformave

Kryeministri Edi Rama përshëndeti dje rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni i Evropës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Në një deklaratë mediatike, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria kaloi sprovën historike, ndërsa shtoi se tashmë nis plotësimi i objektivit të radhës: anëtarësimi në BE. “Shqipëria sapo ka hapur një kapitull të ri, të historisë së saj si shtet. Nuk jemi më thjesht një vend që aspiron të bëhet një ditë si gjithë Evropa, siç ishim për 28 vjet me radhë, qysh prej dhjetorit ‘90; as vetëm një vend me statusin e kandidatit për në BE, siç ishim prej vitit 2014 e deri sot.

Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar, pa asnjë rezervë, nga Komisioni Evropian, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave, për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Evropës së Bashkuar. Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha Edi Rama. Kryeministri nënvizoi se ky lajm pozitiv nuk ishte dhuratë nga BE, por ishte falë meritës dhe falë reformave të kryera përgjatë kësaj kohe.

Ai u shpreh i bindur se zbatimi i këtyre reformave do të vazhdojë. Duke e vijuar më tej fjalën për reformat, Rama rezervoi edhe një paralajmërim për politikanët e larguar nga kjo fushë. “Gjykatësit e prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë dot vetingun, politikanët që i kanë ikur me sukses për kaq shumë vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti, keqbërësit e mëdhenj të botës së krimit të organizuar, që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, apo çdo “i fortë” qytetesh e lagjesh, që është mësuar të hyjë nga dera e komisariatit e të dalë nga penxherja e gjykatës, duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”, deklaroi Edi Rama.

Bllokimi i negociatave

Kryeministri Edi Rama hodhi edhe disa akuza ndaj opozitës, duke theksuar se kanë tentuar të bllokojnë negociatat me çdo kusht. Kreu i qeverisë shtoi se pavarësisht të gjithave, vendi ynë fitoi. “Kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv.

Sot ka fituar atdheu ynë i paragjykuar dhe i nënçmuar prej shumë e shumë vitesh dhe i përgojuar lartë e poshtë nëpër Evropë, me gjysmë të vërteta që shpeshherë, janë më të hidhura se sa vetë gënjeshtrat”, tha Rama. Ai i shtriu edhe një herë dorën e bashkëpunimit kreut të PD, Lulzim Bashës, duke e ftuar që të bashkëpunojnë në realizimin e reformave.

“Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot, përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, po mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën e kryetarin e saj, që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila, sot më shumë se kurrë, kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, po t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane”, u shpreh Edi Rama./Sot

Hapja e negociatave/ Edi Rama: BE vlerësoi punën tonë, ftesë Bashës për vazhdimin e reformave Read More »

Reprezalje në drejtësi dhe politikë pas hapjes së negociatave, arrestime politikanësh dhe sekuestrim pasurish. Plani i bashkëpunimit me Prokurorinë

Gjatë dy muajve në vijim priten goditje në nivele të larta. Dje Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërkohë që sfida më e madhe do të jetë fundi i muajit qershor, pasi duhet të binden vende skeptike si Gjermani, Franca dhe Hollanda. Por kjo do të thotë se gjatë majit dhe qershorit pritet që të ketë reprezalje në drejtësi dhe politikë. Bashkimi Europian ka kërkuar gjithmonë arrestime në nivel të lartë zyrtarësh, ndërsa maji dhe qershori shihen si dy muaj vendimtarë, kohë në të cilën do të ndryshojë fati i Shqipërisë.

Sinjalet janë dhënë ditën e djeshme edhe nga qeveria, e cila i ka dorëzuar kryeprokurores Arta Marku rekomandimet për vitin 2018. Ekzekutivi ka kërkuar nga prokuroria që fokus i punës së këtij institucioni gjatë vitit 2018 të jetë lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta. Sipas ligjit çdo vit qeveria i dorëzon Prokurorisë së Përgjithshme një paketë me rekomandime, ku e udhëzon mbi fushat që duhet të jenë prioritare. Në rekomandimet e saj, ekzekutivi kërkon nga institucioni i akuzës që të rrisë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.

Madje, qeveria i rekomandon prokurorisë që të ketë si prioritet hetimin e zyrtarëve dhe politikanëve që fshehin pasurinë. “Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit”, thuhet në dokument. Gjithashtu, qeveria i rekomandon prokurorisë që në kuadër të luftës ndaj korrupsionit të rrisë hetimin me metoda speciale, me qëllim zbulimin e kësaj vepre penale në një kohë të shkurtër.

Sipas qeverisë, hetimi pasuror dhe sekuestrimi i pasurisë duhet të shihet me prioritet nga prokuroria. “Rritje të hetimeve proaktive dhe teknikave speciale të hetimit; Kryerja e hetimeve sistematike pasurore dhe rritje e numrit të aseteve të sekuestruara që prej fazës fillestare të hetimit dhe konfiskimin e tyre në përfundim; Hetime të shpejta dhe bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese; Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare sidomos për kryerjen e hetimeve pasurore financiare që lidhen me veprat penale të korrupsionit”, thuhet në dokument.

Hetimi i pasurisë

Por përveç kërkesës për arrestimin e zyrtarëve të lartë me akuzën e korrupsionit, qeveria ka kërkuar nga prokuroria që të rrisë hetimin pasuror për politikanët. Dhe për këtë qeveria ka ngritur si shqetësim raportin e ILDKPI, ku shumë zyrtarë të lartë kanë fshehur pasurinë, dhe sipas saj, nuk janë referuar në prokurori. Qeveria kërkon nga prokuroria që të rritet numri i të dënuarve për pastrim parash.

“Relatohet se për veprën penale të “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë  i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe i nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e cila është vepër penale që referohet nga ILDKPI, numri i kallëzimeve penale të regjistruara për vitin 2017 është 20, po aq edhe numri i procedimeve penale të regjistruara.

Ndërsa numri i procedimeve të dërguara për gjykim është 13. Pra rezulton se jo të gjitha materialet referuese të dërguara nga ILDKPKI-ja dërgohen për gjykim, nuk relatohet numri i të pandehurve dërguar për gjykim dhe i atyre të organi i prokurorisë ka kërkuar dënimin, ndërkohë që për vitin 2017 është rekomanduar rritje e numrit të çështjeve të dërguara për gjykim dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në dokument. Më tej është deklaruar se gjatë vitit 2018 pritet të ketë më shumë hetime për politikanët që fshehin pasuritë./Sot

Reprezalje në drejtësi dhe politikë pas hapjes së negociatave, arrestime politikanësh dhe sekuestrim pasurish. Plani i bashkëpunimit me Prokurorinë Read More »

“Nuk kam frikë”/ Do ngelesh me duar në xhepa! Dhimbja që ju shkakton USA kriminelëve është e rëndë e papërballueshme or Tomë!

“Jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri. Unë jam i pastër, dhe nuk kam frikë! As nuk e kam ndërmend të merrem me këtë punë, jam i pastër. Gruaja dhe fëmijët e mi nuk kanë nevojë për vizë, ato janë nënshtetas australianë.”  Ky ishte reagimi i deputetit Tom Doshi pas vendimit të DASH.

Por, kjo deklaratë e tij ironizohet nga gazetari Guxim Alimani, i cili thotë se do të ndjejë dhimbje në momentin, që doi i sekuestrohen të gjitha.

“O i fortë Toma! Haha rri mirë o njeri që kurrë nuk pate shok klase se do ngelesh me duar në xhepa duke parë sarajet e konfiskuara e sa për fabrikat e ilaçeve nuk do të ngelet as aspirinë kur të dhëmbi koka . Se dhimbja që ju shkakton USA kriminelëve është e rëndë e papërballueshme or Tomë!”, shkruan ai.

“Nuk kam frikë”/ Do ngelesh me duar në xhepa! Dhimbja që ju shkakton USA kriminelëve është e rëndë e papërballueshme or Tomë! Read More »

Fleckenstein: Rekomandin pa kushte, Shqipëria e meriton

Lajmin e mirë për hapjen e negociatave, e ka dhënë edhe eurodeputeti dhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein.

Në një status në Twitter, ai thotë se Shqipëria ka marrë rekomandimin për hapjen e negociatave pa kusht. ”Urime! Jam shumë i lumtur.

Një hap i madh përpara për Shqipërinë! Rekomandim i pakushtëzuar nga komisioni i BE-së për hapjen e negociatave. Shqipëria e meriton”,-shkruan Fleckenstein.

 

Fleckenstein: Rekomandin pa kushte, Shqipëria e meriton Read More »

Topalli: Është rrogëtar i Ramës, duhet rrëzuar Basha

Pas ndryshimeve statutore që pritet të miratohen në Kuvendin Kombëtar të fund Prillit, ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli sheh farsën e radhës së Lulzim Bashës, për të mbajtur karrigen e kryetarit.

Në një intervistë për Televizionin Klan, Topalli thotë se thirrja e Kuvendit për të ndryshuar statutin e demokratëve është një mënyrë hileqare nga ana e Bashës për t’u fshehur pas shkaqeve të vërteta që kanë çuar në krizë Partinë Demokratike.

“Jam e kthjellët për qëllimin që Basha ka prej vitesh. S’më bën përshtypje që ai s’vë asnjë nen që do japë dorëheqjen, ai përsëri do ngrihet dhe pse vjedh votat brenda shtëpisë, është dëshpëruese.

Është ajo që kam thënë prej kohësh që PD e kanë marrë peng, s’ka rëndësi nëse  humbet 1, 2, 3 apo 10 palë zgjedhje, pasi Basha e ka marrë PD si biznes familjar dhe asgjë nuk më zhgënjen. Është e rëndësishme që Luli të mbajë karrigen, të tjerat s’kanë rëndësi.

Është e rëndë që PD që ka lindur si forca për votën e lirë s’ka zgjedhje, vota e proces të drejtë dhe kur vendi po rrëshqet buzë greminës dhe dikush do të mbrojë karrigen e Lulit”.

I vetmi shkaktar për disfatat e njëpasnjëshme të demokratëve thotë se është Lulzim Basha, ndaj dhe ndryshimet statutore nuk i sheh aspak si një mundësi për ringritjen e Partisë Demokratike.

“Është qesharake, është t’ia bësh me hile demokratëve sikur fajin e paska statuti. Kush është ai qytetar që beson se kjo situatë degraduese e dëshpëruese vjen për shkak të statutit. Statuti i PD ka pas të garantuar çdo mekanizëm për çdo anëtar të jetë i lirë. Çdo gjë tjetër është fasadë e re dhe antistatutore”.

Dhe për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti, demokratët i fton që më parë të rrëzojnë Lulzim Bashën.

“Për sa kohë Basha është në krye të PD, Rama do jetë rehat në vendin e tij. Ka vetëm një mënyrë për të rrëzuar Ramën, kthimin e opozitës në shinat e saj, s’mund të jetë po një kryetar që është në listëpagesën e Kryeministrit dhe oligarkëve”.

Topalli ironizon aksionin e mosbindjes civile, teksa kritikon edhe sjelljen e opozitës ne seancën e fundit parlamentare.

“Të sqarohet çfarë do të thotë mosbindje civile, se nuk shkon pjesëmarrja në Parlament dhe mosbindja civile bashkë,  nuk rrinë. T’i shpjegojë shqiptarëve është për mosbindje civile apo jo, Parlamenti është kthyer në degradim të madh”.

Ish-nënkryetarja e demokratëve refuzon ta njohë Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, ndaj paralajmeron se nuk do të jetë pjesëmarrëse në Kuvendin Kombëtar që do të mbahet në 28 dhe 29 Prill.

Topalli: Është rrogëtar i Ramës, duhet rrëzuar Basha Read More »

Çelja e negociatave me BE, Rama: Sot fitoi Shqipëria

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Nga Kryeministria, Rama e cilësoi diten e sotme, një ditë të madhe për Shqipërinë, ndërsa shtoi se reformat e thella dhe të pareshtura po japin fryte.
Pasi mori zyrtarisht raportin e Komisionit Europian nga Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, Kryeministri Edi Rama u shfaq i emocionuar në konferencën për shtyp. Kryeministri tha se rekomandimi është dhënë pa asnjë rezervë dhe shigjetoi edhe mediat që u morën me frymëmarrjen e tij në deklaratën e bërë pas protestës në Rrugën e Kombit.

“Jam i emocionuar dhe ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndjejnë, por jam edhe shumë krenar, sepse ja dolëm këtij provimi të vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Rruga përtej udhëkryqit, sado e gjatë është e gjitha e hapur përpara nesh”, deklaroi Kryeministri.

Stacioni i radhës, thotë Rama është anëtarësimi, ndërsa ndau meritat edhe me paraardhësit e tij.

“Një falenderim për ata që kush më shumë e kush më pak, dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të rrugës së vetme për shqiptarët, atë drejt BE-së”, vijoi ai.

Rama e quan plotësisht të merituar rekomandimin e hapjes së negociatave.

“Europa nuk bën dhurata dhe Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat. Rekomandimi është njohja e meriatave tona në fushën e reformave dhe me luftë të vërtetë kundër armiqëve të shoqërisë dhe shtetit, krimit dhe korrupsionit”, thotë ai.

 

Çelja e negociatave me BE, Rama: Sot fitoi Shqipëria Read More »

Pyetja që “mbyti” Mogherinin: Si do ta bindni Francën dhe Gjermaninë për Shqipërinë

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, KA prezantuar zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Strasburg progres-raportin për vendet që duan të bëhen pjesë e Unionit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Mogherini tha në fjalën e saj se Komisioni Europian ka vendosur të hapë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Por pas deklaratës, kanë vijuar pyetjet nga gazetarët. Mogherini “u vu në siklet” nga pyetja e gazetares së “Financial Times”, e cila pyeti se si do të bindet Këshilli Europian, në një kohë kur Shqipëria ka nivel të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar.

Sa i përket kundërshtimit të Francës dhe Gjermanisë për Shqipërinë, Mogherini u shpreh se “nuk na takon neve të bindim këshillin”. “Rezultatet janë të dukshme, vendimi i sotëm bazohet në vlerësimin e progresit”.

“Së pari, nuk ka vende të vogla e të mëdha anëtare. Së dyti nuk i takon Komisionit që të bindë Këshillin e Europës. Ka një mënyrë bashkëpunimi, por mbështetet në autonomi në vendime dhe mendime.
Por siç tha Hahn, unë mendoj se dokumenti që kemi miratuar sot tregon qartësisht situatën, siç ka qenë dhe si është dhe rezultatet e arritura. Unë nuk dua të hyj në hollësi, dhe do t’i ruaj komunikimet me shtypin lokal.

Vendimi që morëm sot të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në vlerësime mjaft të rrepta dhe rigoroze. Hapja e negociatave është një inkurajim për këto vende që të vijojnë reformat.

Ruajtja dhe thellimi i këtyre reformave do të jetë themelore. Megjithatë i takon të 28 vendeve anëtare të vendosin. Por mesazhi inkurajues për Tiranën dhe Shkupin ka ardhur tashmë”, u shpreh Mogherini.

Ndërsa eurokomisioneri Hahn tha se: “Ky është një rekomandim. Natyrisht që jemi këtu për të dhënë informacione shtesë, për të ndihmuar për marrjen e një opinioni.

Po ashtu është me rëndësi që ne të punojmë me shtetet tona anëtare për të ju shpjeguar qytetarëve tanë përfitimet të një integrimi të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duhet t’u shpjegojmë. Sondazhet tregojnë se shumica e këtyre qytetarëve janë kundër, por ka një rritje të optimizmit për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Pra, ka një ndërgjegjësim më të madh. Mendoj se ky është një rezultat i vetëm, por mjaft premtues”.

Pyetja që “mbyti” Mogherinin: Si do ta bindni Francën dhe Gjermaninë për Shqipërinë Read More »

Çelja e negociatave/ Bregu thumbon Bashën: Ngushëllime të sinqerta!

Ish ministrja e Integrimit Majlinda begu ka reaguar pas çeljes së negociatave. Pas këtij lajmi ajo na ka lënë pa thumbuar  kreun demokrat Lulzim Basha, për të cilin shkruan, “Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuar PRO çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë pro europian!”

Reagimi i Majlinda Bregut

Më në Fund!

Propozimi për celjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Europë është lajmi me i mirë për shqiptarët këto kohë, është drita jeshile në fund të tunelit të gjatë e të errët të ndarjes tonë shekullore nga Europa!

Çka u propozua sot në Strasburg, është cfarë duhej për Shqipërinë, Maqedoninë dhe konfirmim i perspektivës jetike të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Europë!

Rikthimi i plotë i Shqipërisë në Europë është e vetmja urë, e vetmja shpresë, e vetmja degë e një pemë të gjatë përpjekjesh që s’u këput kurrë, pavarësisht tronditjeve dhe krisjeve të shqiptarisë sonë.

Pas gjithë rrengjeve të hershme që historia ka përcjellë ndër shqiptarë, ca të liga e ca idiote; ca me armiq të jashtëm e ca me bashkfajësi së brendshmi; -prej sot nis një fazë e re në të cilën koha, (sidomos deri në qershor),nuk mund të ikë pa i thënë gjë askujt.

Do të ketë një “pështjellim” më të madh këto muaj deri në marrjen e vendimit përfundimtar për çeljen e negociatave.

Do të ketë nevojë së pari për të shënuar progres dramatik në zbatimin e ligjit si shenja më bindëse e dëshirës tonë për të qenë europianë. Akoma më shumë do te ketë nevojë për gjakftohtësi përtej përdëllimit tonë të zakonshëm poetik apo vandalizmit politik; për zhdehje nga paranoiat me armiq të brendshëm e të përbotshëm. Do të lipset të qartësohet një proces gradual, strategjik, dhe i qëndrueshëm që të mundësojë sukseshëm kryerjen e negociatave të anëtarësimit.

Europa ju shkon shqiptarëve!

Megjithë hambarin tonë plot me shqiptarë të mirë, por edhe delirantë, Haxhi Qamilë, pro injorantë,vullnetshkatërrues,revanshistë,megjithë zymtinë e realitetit, Europa prodhon hapje jo mbyllje, liri jo robëri, drejtësi jo padrejtësi.

Urime cdo shqiptari me bindje e identitet të patronditur europian!

Mirënjohje për miqtë e Shqipërisë në ditë të mira e të vështira!

Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuar PRO çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë pro europian!

Kushedi cdo të sjellin erërat për fatin e tyre të gremisur!

Çelja e negociatave/ Bregu thumbon Bashën: Ngushëllime të sinqerta! Read More »