Politike

”Kam takuar në politikë shumë ‘kolegë’ halabakë dhe injorantë. Kanë hyrë si pabuksa dhe tani janë milionerë”, flet ish-deputetja

Lajla Përnaska, me profesion mjeke pediatre, për dy mandate me radhë ka përfaqësuar Partinë Demokratike në Kuvend, si deputete.

Në zgjedhjet e fundit, refuzoi të kandidonte për shkak se lidershipi i PD-së, emrin e saj e renditi diku nga fundi…

Në një intervistë për gazetën DITA, ajo jep disa konsiderata interesante për politikën dhe politikanët shqiptarë.

Më poshtë, një pjesë nga intervista e zonjës Përnaska:

-Ju u larguat me dëshirë nga politika apo ju “spostuan”?

Mund të quhet edhe spostim, por në fakt nuk kam qenë realisht pjesë e pushtetit të maxhorancës në vitet 2005-2013. Gjatë kësaj periudhë nuk m’u dha akses në ushtrimin e pushtetit dhe kjo e vështirëson mjaft detyrën si deputete, pasi në fushatë ti bën premtime, që më pas nuk i mban dot, pasi nuk ke asgjë në dorë drejtpërdrejt.

Unë jam përpjekur shumë për zonën time elektorale, që është dhe lagjja ime, ngrita një model të marrëdhënies me votuesit të paarritshëm deri më sot dhe sigurisht kam pasur gjithnjë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre, por nuk kam arritur të përmbush objektivat e mia në këtë drejtim. Edhe aq sa kam mundur të nxis investime, apo projekte në zonë, ka qenë me mjaft përpjekje, pra shumë energji e harxhuar për pak rezultate.

Edhe me sistemin elektoral proporcional që u aplikua nga 2009-ta, nuk m’u dhurua mandati parlamentar, (pozicion i sigurt në renditje), pasi në listën e Tiranës, isha nr 15. Edhe mund të tërhiqesha fare nga gara, por e mora si sfidë, kam realizuar një fushatë spektakël, duke arritur rezultatin më të lartë për zonën time, Njësia nr 2 në Tiranë dhe dola fituese, pra të dy mandatet e mia i kam fituar falë punës sime dhe mbështetjes së njerëzve dhe votuesve të mi.

Askush s’më ka falur asnjëherë asgjë në politikë. Është politika që ka përfituar prej meje dhe jo unë prej saj. Për të mos folur për lojëra interesash dhe fenomenin e shitblerjes se mandateve që është bërë një plagë e rëndë e politikës.

Vlen të theksohet dhe parimi i korrektësisë me pushtetin politik. Tek ne ka ndodhur fenomeni i abuzimit me pushtetin. Dhe kjo lexohet fare thjeshtë tek individë që në politikë hynë si rrogëtare, apo si të papunë (pabuksa quhen në zhargonin popullor) dhe shndërrohen në parellinj/llesha (“kanë ndërruar lëkurën“, thotë populli). Unë e shoh pushtetin si shërbim, jo si përfitim.

Thuhet se rroga e deputetit është e lartë, por nëse e ushtron detyrën e deputetit siç e kuptoj unë, duke i shërbyer një zone elektorale, ajo rrogë është totalisht e pamjaftueshme.

Ndërsa në fushatën e 2013-ës më vendosen nr. 17 në listë, që ishte një pozicion i sigurt humbës i PD në Tiranë, kështu që e gjykova të tërhiqem fare nga gara. Për më tepër që në zonën fituese të listës ishte një ekip i dobët ne gjykimin tim (dhe jo vetëm) me figura jo përfaqësuese, pa integritet e personalitet (madje që s’kishin fare lidhje me votën e votuesin në Tiranë), gjë që e tregoi dhe humbja e thellë në kryeqytet.

-Me çfarë sfidash përballet një femër në politikë?

Më një kulturë politike vulgu që është ushqyer në vite në klasën politike shqiptare, me një terren amatorizmi politik dhe mungesë integriteti e profesionalizmi.

– Ju gjithmonë keni dhënë përshtypjen e një gruaja të fortë, por a keni patur ndonjë çast dobësie në jetën tuaj politike ku ndoshta keni thënë: “kjo punë nuk bën për mua”?

Familja ime më ka kultivuar një karakter të fortë, për të qenë e zonja e vetes, me aftësitë e duhura për të arritur objektivat e mia. Parimi që ne kemi trashëguar në breza, është që të realizohemi falë talentit e punës e investimit. Ky është çelësi i suksesit të karrierës sime.

Sigurisht në situata absurdi të jetës politike, me është dukur vetja në “vendin e gabuar’, kur shihja rrotull meje “kolegë” halabakë, injorantë, amoralë, defiçientë, mediokër, sigurisht e kam menduar shpesh këtë gjë. Por është edhe ana tjetër e medaljes: nëse të gjithë intelektualët e profesionistët tërhiqen, në dorë të kujt do mbetet politika?!

-Si ju duket politika tani që e shihni nga jashtë?

Nuk harxhoj aspak nga koha ime, për të ndjekur falsitetin e “politikës se ditës”, që ka degraduar ne një shterpësi totale. Jam e interesuar për mbarëvajtjen e vendit tim, jam e vëmendshme ndaj procesit tonë të integrimit europian, për arritjen e standardeve të munguara deri më sot. Besoj se Hapja e Negociatave në procesin e anëtarësimit në BE, është një hap pozitiv për vendin. Është përgjegjësi e mbarë politikës të përmbushë obligimet e veta (jo vetëm maxhoranca, por edhe opozita)

-Si një vajza që keni lindur dhe jeni rritur në Tiranë, si ju duket kryeqyteti këto kohë?

Unë e dua Tiranën dhe kam bërë shumë përpjekje edhe si deputete e këtij qyteti, për të përmirësuar standardet e tij. Do të doja të bëja realisht më shumë. Ka ndryshime të dukshme pozitive në kryeqytet, por ka edhe plot probleme. Dua të theksoj se në lagjen time, ekipi aktual i Bashkisë, në vëmendjen e Kryebashkiakut, ka realizuar disa projekte, për të cilat jam përpjekur edhe unë në vite dhe këtë e vlerësoj. Për Tiranen dhe jo vetëm, duhet të angazhohemi më shumë të gjithë, pa kolorit partiak.

Në mendimin dhe eksperiencën time, partitë janë thjesht sigla, ato i bëjnë njerëzit dhe kur janë njerëzit e duhur, në vendin e duhur, ka mbarëvajtje. Uroj të kemi një garë dinjitoze, me kandidate dinjitoze për raundin zgjedhor, që po afron.

”Kam takuar në politikë shumë ‘kolegë’ halabakë dhe injorantë. Kanë hyrë si pabuksa dhe tani janë milionerë”, flet ish-deputetja Read More »

Rama adhurim për kancelaren gjermane: Merkeli për ne, si Papa për një pelegrin

Kryeministri shqiptar Edi Rama e krahason vizitën e tij të planifikuar për të mërkurën me kancelaren Angela Merkel njësoj si të takojë Papën.

“Angela Merkel është një kampione evropiane. I gjithë rajoni i Ballkanit ka shumë shpresë tek ajo”, tha Rama për median gjermane RND.

“Pra, është normale që çdo shef qeverie në Ballkan që shkon në Berlin të ndihet pak si pelegrin që dëshiron të takohet me Papën”, tha Rama, raportojnë mediat gjermane.

Rama këmbëngul që vendi i tij duhet të hapë negociatat sa më shpejt me BE.

“Ne dëshirojmë të bëhemi anëtarë që sot”, tha Kryeministri i Shqipërisë për RND.

“Për ne Evropa është ajo që ishte për etërit themelues: një projekt paqeje”, vijoi Rama.

Rama adhurim për kancelaren gjermane: Merkeli për ne, si Papa për një pelegrin Read More »

Qeveria Rama shpërndahet nëpër botë

Pas rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me BE-në për Shqipërinë, Qeveria Rama ka nisur tur lobimi për të bindur vendet skeptike të Bashkimit Europian që të votojnë në favor të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Vetë kryeministri Rama ndodhet në një vizitë në Berlin ku do të takohet edhe me kancelaren Angela Merkel, zëvendësja e tij, Senida Mesi ndodhet në Maqedoni, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi ka shkuar për një vizitë në Kroaci, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në Mal të Zi, ministri i Financave Arben Ahmetaj në Francë e ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në SHBA , Ervin Bushati dhe Almira Xhembulla në Bullgari.

Bindja e shteteve skeptike deri në qershor, mbetet një tjetër sfidë.

Qeveria Rama shpërndahet nëpër botë Read More »

Arrestimi i Ilir Metës emergjencë kombëtare, 400 mijë euro apartament me paratë e korrupsionit

Gjyqtarët po fluturojnë jashtë sistemit të drejtësisë për një garazh dhe një makinë, Ilir Meta President me dhjetëra milionë euro pasuri të paligjshme

Freedom House e cilësoi para disa ditësh si simbol të korrupsionit në Shqipëri.

Sipas një raporti konfidencial të OSBE ai ka lidhje të forta me kriminelë si dhe ka porositur dy vrasje kur ishte zv/kryeministër.

Ambasadorë të vendeve më të fuqishme të botës kërkojnë prej vitesh arrestimin e tij, si një hap që do të afronte Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Ky është Ilir Meta, një ndër politikanët më të korruptuar dhe të pasur më Ballkan, me vetëm dy rroga si burime të ligjshme të ardhurash.

Ky personazh, i cili ka 27 vjet që pasurohet dhe vjedh shqiptarët, sot është President i Shqipërisë me votat e Edi Ramës.

Sot më shumë se kurrë arrestimi i Ilir Metës dhe konfiskimi i pasurisë së tij në bazë të ligjit anti-mafia është një emergjencë të kombëtare.

Çdo strategji kundër korrupsionit, çdo fjalë, çdo plan dhe çdo retorikë është një flluskë sapuni, për sa kohë Ilir Meta nuk arrestohet dhe nuk i sekuestrohen pasuritë.

Vetëm gjatë vitit 2010, Ilir Meta ka blerë një apartament tek Rruga e Barrikadave në Tiranë me vlerë 400 mijë euro.

Ilir Meta thotë ne letra se 200 mijë euro i ka marrë kredi dhe 200 mijë euro të tjera i ka kursyer.

Më vonë, bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi del edhe shet disa apartamente që nuk dihet se si i ka blerë.

Monika deklaron shitje apartamenti 345 mijë uro, shitje apartamenti 60 mijë euro, shitje apartamenti 85 mijë euro, shitje apartamenti 57 mijë euro, shitje apartamenti 64 mijë euro etj.

Këtu nuk llogarisim vilën në Bllok, vilën në Gjirin e Lalzit dhe një tjetër vilë në Golem, që e ka shitur më vonë.

Këtu nuk llogarisim pjesë në qendra tregtare, rrjete dyqanesh, gurore, pjesë pallatesh etj., të gjitha këto me vetëm dy rroga shteti.

Ditët e fundit, gjyqtarë dhe prokurorë, po fluturojnë nga sistemi i drejtësisë vetëm se kanë nga një shtëpi, një garazh, makinë apo disa dhjetëra milionë lekë të pajustifikuara.

Ilir Meta vijon të mbetet President i Republikës së Shqipërisë, duke qenë pronar i një pasurie prej dhjetëra milionë euro, e cila buron qartësisht nga veprimtaria korruptive dhe trafiqet.

Me të ardhurat e tij të ligjshme, që përbëhen vetëm nga dy rroga, Ilir Meta nuk mund të justifikojë asnjë nga parlamentet apo vilat e tij, të deklaruara apo të fshehura.

Vetëm vila në Gjirin e Lalzit, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, ka një vlerë mbi 1.5 milionë euro.Pamfleti.com

Arrestimi i Ilir Metës emergjencë kombëtare, 400 mijë euro apartament me paratë e korrupsionit Read More »

Selami ‘godet’ Berishën: Ika nga PD prej teje, ja çfarë bërë

Ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, është kthyer pas në vite për të treguar edhe njëherë arsyet e largimit nga kjo parti.

Duke folur në forumin e UET-së përballë studentëve, Selami tha se u largua atëherë kur Berisha filloi të rrezikojë varkën duke shkuar drejt autoritarizmit.

Kjo sipas Selamit binte ndesh me parimet dhe idealet e tij. Në bindjen e ish-deputetit, protagonizmi i gjatë i disa figurave në politikën shqiptare ka dëmtuar Shqipërinë.

Nuk mund të jesh një person publik aktiv për 30 vjet. Kam qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, ka qenë situatë jashtëzakonisht e vështirë të ishe mendjehapur atë kohë sepse Shqipëria mbeti në fund, e mbyllur brenda mbylljes.

I vetmi model është Koreja e Veriut që i përgjigjet sot. Pastaj filluam dalëngadalë të lëvizim, studentët ishin të parët. Kam qenë dhe unë pjesë e kësaj lëvizje që dalëngadalë u krijua si forcë politike, aty filluan aksionet e mia politike si themelues i PD dhe sekretar i parë i përgjithshëm i PD, ku kryetar i parë ishte Azemi teknikisht dhe formalisht pastaj u bë Saliu.

Në 5 vitet e para Shqipëria ishte një histori e madhe suksesi dhe me standartet e Europës Lindore, gjërat filluan të lëvizin në ‘9 4 me referendumin që ne bëmë, ku presidenti i kohës pasi u zgjidh Sali Berisha nga kryetar partie u largua sepse ishte një nen në Kushetutë që nuk mund të jesh në pozicione të larta vendosi për të marrë më shumë seç duhet nga kompetencat e kësaj dhe këtu fillon ai akti im rebel sepse aty e pashë që prirja dhe sirenat e pushtetit jo se nuk i kishte Sali Berisha, i kishte, por ju forcuan kaq shumë sa filloi të rrezikonte të gjithë varkën dhe në fakt e rrezikoi. Kjo bëri dhe largimin tim, ishte prova ime e parë e forcës së karakterit se ajo që ti beson është më e rëndësishme se ajo që ti ke aty.

Jam i vetmi kryetar partie që kam dalë dhe kam folur kur kam qenë kryetar partie dhe jo kur jam larguar. Pra jam larguar duke dhënë një ide sepse po shikoja se PD dhe Shqipëria po rrëshqiste nga një histori suksesi e admirueshme dhe zoti Berisha nga Havel i Ballkanit i projektuar dhe nga administrata amerikane në një histori autokrate që kishte me dhjetra. Nuk u shpëtua dot.

Ajo solli ’96 manipulimin  e zgjedhjeve, pruri ’97 dhe rrëzoi Shqipërinë duke e sjellë në pikën e parë të nisjes, edhe më keq akoma. Aty u nda pjesa ime politike.Kam qenë 29 vjeç kur e kam filluar këtë punë. Mu duk sikur u shkëputa pak më shpejt nga dëshira ime e parë, ana akademike. Megjithëse isha i vetmi kryetar partie që jepja mësim në atë kohë.

Nuk doja të bëhesha pjesë e kapitullit të dytë që politika të konsiderohej si përfitim personal  dhe jo si shërbim ndaj publikut dhe qytetarit. Kur ky kapitull u hap, kur kjo derë u hap unë mendova jo të largohem por  të përpiqem të rrezikoj të gjitha. Kërkova Kushtetutën në parlament, kërkova ngritjen e institucioneve, kërkova institucionalizimin e demokracisë, largimin e autoritarizmit ekstrem të zotit Berisha dhe në këtë betejë humba. Me gjithë sukseset që ka pasur Shqipëria, nuk ka pasur modelin e një lideri bashkëkohor demokrat të vënies së interesit të publikut dhe të përgjithshëm për mbi egon dhe interesin e tij personal. Protagonizmi i gjatë në politikën shqiptare dhe emrat që janë, kanë dëmtuar më shumë, se kanë dëmtuar Shqipërinë.

Këto vakumet që krijohen, edhe kjo krizë politike që ka kapur PD që është krizë serioze jo vetëm e PD, por edhe e të djathtës, opozitës shqiptare kjo ka ardhur për shkak të këtyre kontrasteve dhe manisë për protagonizëm dhe dëshirë për autoritarizëm. Kjo ka kompromentuar klasën politike shqiptare që me gjithë sukseset është shkaktarja kryesore që udhëtimi i Shqipërisë drejt Europës ka qenë më i gjatë, më i vështirë dhe shumë herë më i ngadaltë se duhej të ishte.’-tha Selami.

Selami ‘godet’ Berishën: Ika nga PD prej teje, ja çfarë bërë Read More »

Sajmir Tahiri dikur i kishte shoqe banke, sot “armike”

Sot ata janë politikanë të rëndëshëm dhe për këtë janë bërë edhe armiq me njëri tjetrin, por dikur ata kanë qënë shokë banke.

Saimir Tahiri, Ogerta Manastirliu dhe Jorida Tabaku kanë qënë shokë klase në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Një foto e rrallë tregon regjistrin e vjetër të kësaj klase, ku pikasin 3 emrat e lartë përmendur.

Manastirliu është ministrja e Shëndetësisë, Tahiri ish-ministër i brendshëm, nën hetim, Tabaku është deputete e Partisë Demokratike. Pavarësisht se sot janë kundërshtar, Tabaku dhe Tahiri ishin të ulur në të njëjtën bankë.

Sajmir Tahiri dikur i kishte shoqe banke, sot “armike” Read More »

Statuti i ri, Shehi: Treçereku i PD-së nuk dinë ndryshimin me të vjetrin

Partisë Demokratike i nevojitet frymë dhe jo statut i ri. I këtij mendimi është kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i cili thotë se vendimtare për këtë parti është hapja për korrentët.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Shehi thotë se vetë ai nuk di të bëjë diferencën mes statutit që ishte dhe këtij që është sot.

Dashamir Shehi: PD nuk ka vuajtur nga statutet. Është një dokument që nëse respektohet luan një rol, nëse nuk respektohet nuk luan ndonjë gjë të madhe.Nuk është puna se statutet më përpara në PD ishin më të këqia, puna është se në PD zoti Basha e ka për detyrë, besoj se duhet ta ketë dhe për nder, nëse mendon me gjithë mend se po hap një faqe të re politike, të bëjë disa gjëra të tjera pak më të rëndësishme se statuti. Jam i bindur se tre çereki në PD nuk e dinë fare se çfarë ka qenë statuti i vjetër dhe çfarë është i riu dhe ku është diferenca. Nuk është çështje statuti, duhet një frymë tolerance. I kam sugjeruar 100 herë të hapë partinë për korrentët. Jemi në kohë të reja, nuk mjafton  të jesh një lider, korrentët janë një formulë për të bashkuar të gjitha ata që janë ndryshe.Kongresin e kanë përpara, mund ti bëjnë të gjithë këto ndryshime. Kjo do të ishte, ta revolucionojmë jetën e brendshme të partisë më të madhe opozitare. Uroj të gjendet formula për tu bashkuar por unë mendoj se nuk mjafton statuti.Po të ishte korrente dhe një si puna ime që kam ikur 20 vjet përpara…Unë nuk di të dalloj nga lëviz ai statuti i vjetër me këtë të riun

Lidhur me debatin për dorëheqjen e kryetarit, Shehi ka këtë koment:

Shehi: Nëse ti humb një herë, dy herë, duhet të largohesh. Shkruhet apo nuk shkruhet në statut. Berisha iku se i humbi zgjedhjet.Kemi pasur dhe raste të tjera të doreheqjeve, Nano.Unë do të isha të shkruhej diçka megjithatë po të ketë një frymë brenda partisë. Se duhet me pritë që të humbë dy herë, nëse punët nuk shkojnë mirë unë mendoj se mund të ikë dhe përpara. Mundësinë që brenda një partie të thonë idetë e veta pa pasur frikë se çfarë mendon grupi i mazhorancës se nuk po them i kryetarit.Nuk e di se çfarë do të bëjnë të dielën, uroj që të kenë kapacitetin jo thjesht të absorvojnë ata që janë larguar nga PD, por sigurisht dhe ato sepse shumë vlera janë lënë jashtë në këtë periudhë, por një statut që të tërhiqte me mijëra qytetarë dhe intelektualë, ajo që ka ndodhur në vitet ’90 që na dha një shpresë si shoqëri dhe fatkeqësisht e shpërdoruam.

Kundërshtitë e krijuara mund të krijojnë një çarje të PD.

Shehi gjykon se drejtuesi i kësaj partie siç gjen gjuhën e bashkëpunimit me ata që deri dje ishin në qeveri e ka më të lehtë ta gjejë me kolegët.

Shehi: Mundet. Sa më shumë grupe do jetë më e vështirë për ti kordinuar. Por edhe ndonjë dramë të madhe nuk do të bëja për këtë punë. Shikojmë që brenda PD kanë kurajon të bashkëpunojnë me ato që deri dje ishin në qeveri, nuk duhet ndonjë kurajo e madhe për të bashkëpunuar me kolegët e vet. Janë më afër se ortakët opozitarë që kemi sot të cilët deri dje qeverisnin bashkë me Edi Ramën. Brenda PD ka kaq shumë kurajo sa për të kapërcyer ylberin. Besoj se brenda gjuhës blu dhe mund ta gjejmë marrëdhënien.

Por sa janë mundësitë për një bashkim si ai i ’90?

Shehi: Nuk është e nevojshme, nuk është fotografi gjimnazi. Njerëzit lëvizin, evulojnë, emancipohen,politika ka interesat brenda, dikush ka bërë zigzaget e veta. Nuk ka ndonjë rregull të artë në këtë mes.Ideja që këto që e kanë bërë duhet ta trashëgojnë nuk është më racionale, në politikë duhet ti hapim dyert për të gjithë.

/Ora News

Statuti i ri, Shehi: Treçereku i PD-së nuk dinë ndryshimin me të vjetrin Read More »

Berlini vendos sot fatin e statusit të Shqipërisë në BE

Nga Qamil Xhani.

Kryeministri Edi Rama është nisur mbrëmjen e djeshme për në Berlin, në një vizitë zyrtare dy ditore. Mes shumë vizitash që ka zhvilluar në kryeqytetin gjerman, kjo e fundit është më e rëndësishmja. Rezultatet e takimeve në Berlin do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të marrë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian apo procesi do të shtyhet për më vonë, pa afat. Qëndrimi i politikës gjermane sot do të vulosë nëse Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive në muajin qershor.

Pavarësisht se vendimi zyrtar jepet në muajin qershor, sinjalet që Edi Ramës do t’i përcjellin nga Berlini do të përcaktojnë dhe vendimin final të gjithë vendeve të BE. Ndaj dhe gjithë vëmendja e qeverisë dhe opozitws është sot në Gjermani. Kreu i qeverisë ka parashikuar një axhendë të ngjeshur takimesh, e cila pritet të ketë edhe zhvillime të paparashikuara. Mesazhet më të rëndësishme do të jepen në konferencën për shtyp me kancelarin Agela Merkel. Takimi mes dy politikanëve është parashikuar në orën 15:30. Tema e bisedimeve është publikuar nga zyra e shtypit e kancelares Merkel. Në njoftim theksohet se Merkel dhe Rama do të diskutojnë për “marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”. Mes temave kryesore, ajo e integrimit është dhe më e nxehta, bile më e rëndësishmja për qeverinë shqiptare. Në 28 dhe 29 qershor Këshilli i Ministrave të BE pritet të vendos për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Në këtë institucion të BE, qëndrimi i Gjermanisë, si vendi lider i Unionit Europian është orientues dhe për shtetet e tjera. Nëse Gjermania jep votën e saj pro, gjasat janë që shumica e vendeve të tjera të mos kenë asnjë rezervë. Nga mesazhet që do të japë Merkel në deklaratën me Edi Ramën do të parashikohet edhe vota e thuajse gjithë vendeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Përgjithësisht politike gjermane nuk i përdor fjalitë e spërdredhura diplomatike, ndaj nëse Merkel thotë “po” Rama kthehet në Tiranë me “negociata në xhep”. Nëse qëndrimi është “jo” nuk duhet të presim qershorin për të parë se çfarë do të ndodhë. Por veç takimit me Merkel, kryeministri Edi Rama ka një detyrë aspak të lehtë me anëtarët e parlamentit gjerman, Bundestagut. Sipas axhendës provizore, sot është parashikuar dhe një takim informues i kreut të qeverisë shqiptare me një grup deputetësh të komisionit për Europën në Bundestag. Ky komision do të orientojë dhe debatin politik në Bundestag lidhur me votën gjermane për Shqipërinë. Pavarësisht dëshirës për integrimin e Shqipërisë, fakti është se ka jo pak deputetë gjermanë që e shohin me rezerva integrimin e Shqipërisë pwr shkak tw korrupsionit dhe krimit tw organizuar e sidomos pwr rastin Tahiri. Edhe më problematik duket takimi me deputetët e Bundestagut, për shkak se komisioni për Europën drejtohet nga Gunther Krichbaum. Për këtë të fundit në Tiranë prej një jave ka nisur një sherr pozitë-opozitë. Partia Demokratike dhe eurodeputetë akuzuan Edi Ramën se ka urdhëruar një fushatë denigruese ndaj Gunther Krichbaum për shkak të qëndrimeve që ai ka mbajtur kundër integrimit të Shqipërisë. Shkrimet e mediave shqiptare kanë mbërritur deri në duart e deputetëve të Bundestagut dhe tashmë kryeministrit shqiptar, përveç kritereve të BE duhet të japë llogari dhe për sulmet që mediat afër tij kanë bërë ndaj një politikani gjerman. Nga kjo pikëpamje debati në komisionin gjerman pritet të jetë jo i lehtë, kur dihet se qëndrimi i deputetëve do të pasohet dhe nga qëndrimi i parlamentit gjerman. Është një situatë jo fort e favorshme për kreun e qeverisë shqiptare, ku bashkë me problemet e reformave duhet të jap llogari dhe për mëkatet e politikës së brendshme në Tiranë.

Pas Gjermanisë janë dhe dy vende të BE që shihen si jo në favor të Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha dje se Franca dhe Holanda mund të kenë rezerva për Shqipërinë. Është parashikuar që kryeministri Edi Rama të zhvillojë dhe një seri vizitash në këto vende.

Gjithsesi, fati i negociatave vendoset sot në Berlin. Djersë të ftohta e presin kryeministrin Rama në vendin me të fuqishëm të Bashkimit Europian. Nëse i bind e kaloi lumin në Shqipëri, nëse jo atëhere mot me rrebesh e pret në Tiranë.

Berlini vendos sot fatin e statusit të Shqipërisë në BE Read More »