Politike

Xhafaj-opozitës: Besimi i qytetarëve te policia është rritur ndjeshëm. Akuzat e politikës u shërbejnë kriminelëve

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë prezantimit të raportit të institucionit ‘’Hidra’’ i realizuar për periudhën Prill-Maj 2018 u shpreh se akuzat e politikës ndaj policisë u shërbejnë kriminelëve.

Ndër të tjera ministri Xhafaj tha se tregon që “besimi i qytetarëve te policia është rritur ndjeshëm në këtë periudhë”.

“Sondazhet tregojnë se rreth 63% e qytetarëve kanë besim tek policia dhe vlerësojnë punën e saj. Për mua është mëse e mjaftueshme që qytetarët i besojnë policisë dhe është inkurajim për të ecur përpara me vullnet. Politika ka interesa të ngushta lidhur me punën e policisë, i komenton sipas interesit politik.

Ky lloj debati degradon në shpifje. Është e rëndësishme që gjykimi duhet të konsiderohet nga rezultatet e punës. Një tregues tjetër që ka vullnet. Si Ministër i Brendshëm bashkë me ekipin tim jemi të angazhuar. Kjo politikë me papërgjegjshmëri sulmon policinë, edhe kur rezultatet e operacioneve janë të mëdha. Politika e pozicionuar kundër qeverisë duhet të vlerësojë punën e policisë. Akuzat dhe kundër akuzat janë kundër produktive.”- tha Xhafaj.

Xhafaj tha se është hartuar një Plan me objektivat deri në qershor 2019, me qëllim përmbushjen e objektivave për integrimin. Drafti është në punim e sipër dhe do bëhet më i plotë, shtoi ai.

Xhafaj-opozitës: Besimi i qytetarëve te policia është rritur ndjeshëm. Akuzat e politikës u shërbejnë kriminelëve Read More »

Zbulohet pse Meta u mbajt “peng” prej dy ish-drejtuesve të SHISH dhe lidhjet e tij me shërbimet sekrete ruse

Në vitin 2010, ndërkohë që Presidenti i sotëm i Republikës mbante pozicionin e zv. Kryeministrit të vendit dhe si kokë e madhe që është, “u detyrua” të bënte dhe Ministrin e Jashtëm, në kabinetin e tij asokohe punonte një këshilltar.

Këshilltari me inicialet GJ.R, u pikas nga shërbimet partnere të inteligjencës, se ishte takuar disa herë me dy funksionarë diplomatik të Ambasadës Ruse, në Tiranë. Shërbimet partnere, e kaluan këtë informacion të klasifikuar për trajtim të mëtejshëm pranë SHISH, i cili në atë kohë drejtohej nga Bahri Shaqiri (Ari).

Për shkak të lidhjeve miqësore që ky i fundit kishte me z. Meta, ai i tregoi për këtë dyshim të bazuar në prova, që ishte krijuar me këshilltarin e tij, i cili ishte futur në vëzhgim të afërt nga shërbimi shqiptar. Meta në konfidencë kërkoi nga Ari, që kjo çështje të mos implikonte figurën e tij dhe të kalonte në qetësi të plotë pa u diktuar nga askush.

Pas kësaj, për çudinë e të gjithëve, marrëdhëniet midis Metës dhe Arit u bënë shumë “të ngushta” dhe ky i fundit, pas lirimit nga detyra në SHISH, mori funksione të rëndësishme pranë LSI-së, lidhjet të cilat i shfrytëzoi edhe sot, duke punuar si këshilltar në Presidencë.

Me ardhjen e Visho Ajazi Lika në detyrë, shërbimet tona i raportuan në vitin 2013, se këshilltari tashmë i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, kishte zhvilluar një tjetër takim sekret me një diplomate ruse. Çështja u bë serioze, sepse partnerëve ju ishte thënë më parë, që personi në fjalë, pas survejimit, nuk kishte dyshime se ishte rekrutuar, apo i ishte ngarkuar ndonjë detyrë konkrete nga rusët.

Duke shfrytëzuar kanalet e komunikimit nëpërmjet ish-Kryeministrit Sali Berisha, Visho i dërgon fjalë Metës, se këshilltarin që nuk e kishte ndarë asnjëherë nga vetja, po e mbanin në kontakt shërbimet e FSB (Agjensia Shtetërore e Sigurisë Ruse). Meta u ndje borxhli për këtë informacion dhe me shumë delikatesë, duke kërkuar mbrojtje për figurën e tij, filloi ta largonte këshilltarin fillimisht nga kabineti i tij dhe më pas edhe nga strukturat partiake që mbante si sekretar.

Mbrojtja që ju bë figurës së Ilir Metës, nga dy shefat e Shërbimit Informatik Shqiptar, ishte një nder i madh, i cili të parit ju shpërblye me poste të larta në administratë, ndërsa të dytit me sigurinë për të qëndruar në krye të detyrës, sapo mori mandatin si President.

Kjo mendohet se është një nga arsyet, që Meta po heziton të dekretojë propozimin e ri për drejtuesin e SHISH, për shkak se në morinë e dokumentave që ai institucion posedon kundër tij, figuron përvëluese marrëdhënia e tejzgjatur dhe përulja e detyruar që ka bërë me dy ish-drejtuesit e SHISH./Tellalli.al

Zbulohet pse Meta u mbajt “peng” prej dy ish-drejtuesve të SHISH dhe lidhjet e tij me shërbimet sekrete ruse Read More »

Mblidhet Kuvendi, në axhendë 2 nismat e shumëdebatuara. Zbardhet skenari i opozitës

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancë  për të miratuar 5 nisma ligjore.  Të përfshira në to janë edhe çështjet më të debatuar; ligji për ndërtimin e Teatrit të ri si dhe ai për profesionin e  avokatit.

Maxhoranca qeverisëse pritet të përballet me një rezistencë të fortë nga opozita e bashkuar PD-LSI si brenda sallës ashtu jedhe jashtë saj me qëllim që të mos lejojë miratimin e këtyre 2 nismave.

Debati për projektligjin për profesionin e avokatit konsiston nëse duhen lejuar apo jo prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga veprimi i ligjit të Vetingut për të ushtruar profesionin e avokatit.

Deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve deklaruan se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nuk mund të lejoheshin të riktheheshin në gjykata si avokatë.

Por, më pas deputetët befas ndryshuan mendje. Partia Demokratike dhe LSI janë shprehur kundër. Në raportin për këtë projektligj, Komisioni i Ligjeve sqaron se ‘komisioni lidhur me këtë çështje, vendosi që formulimi të jetë sipas draftit integral të rakorduar ndërmjet relatorit dhe propozuesit, sipas të cilit kandidatët për avokat nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale sipas rasteve të përcaktuara nga pikat “i” deri “iii” të germës “dh” të nenit 13”.

Konferenca e Kryetarëve 

Konferenca e Kryetarëve, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi miratoi dje draft-programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 9 korrik e deri në mbyllje të sesionit parlamentar dhe draft-kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën 9 korrik-23 korrik 2018.

Dy nga projektligjet më të rëndësishëm dhe të shumëdebatuar në kalendarin trejavor të Kuvendit janë disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Ndryshimet në ligjin për statusin e magjistratëve parashikojnë t’i hapin rrugën Shkollës së Magjistraturës për të pranuar rreth 80 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë. Ndërkaq, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit parashikojnë të reflektimin e një rregulli të ri për arrestimin e deputetëve.

Axhenda

Në axhendën e ditës së sotme janë përfshirë edhe dy çështje të nxehta, konkretisht projektligji për profesionin e avokatit si dhe projekti për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.

Rezistenca

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë përgatitur për rezistencë të fortë, brenda dhe jashtë Parlamentit, për t’i pamundësuar shumicës miratimin e dy nismave.

Agjenda e seancës plenare 

Raporti vjetor i veprimtarisë së Këshillit Drejtues të RTSH për vitin 2017.

Raporti vjetor i veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017.

Projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.

Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

Mblidhet Kuvendi, në axhendë 2 nismat e shumëdebatuara. Zbardhet skenari i opozitës Read More »

Arta Marku kaloi Vettingun, vjen reagimi i parë nga PD: Shkollë partie

Pak pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për rikonfirmim në detyrë për kryeprokuroren Arta Marku, e cila kaloi kështu edhe vettingun, vjen reagimi i parë nga demokratët.

Ka qenë nënkryetari i PD-së Edi Paloka ai që përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ka ironizuar vendimin e KPK duke e  krahason stë me një shkollë partie.

Statusi i plotë:
“Ja dhe VETTINGU i famshem…

Thjeshte “Shkolle Partie””.

Komisioni i Pavarur Kualifikues vlerësoi aftësitë profesionale dhe të figurës së Arta Marku, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës. Gjatë seancës, KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI, Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi.

Kujtojmë se edhe sot kryeprokurorja nuk ishte në seancë, pavarësisht pakënaqësisë së shprehur nga vëzhguesi i ONM gjatë seancë së djeshme.

Arta Marku kaloi Vettingun, vjen reagimi i parë nga PD: Shkollë partie Read More »

Rama gati dosjet për kryebashkiakët, fati i tyre vendoset në Asamble

Kryeministri Edi Rama ka në dorë të gjithë të dhënat e punës së kryebashkiakëve të Partisë Socialiste. Vitin tjetër do të mbahen zgjedhjet vendore dhe shumë krerë bashkish rrezikojnë të mos rikandidohen. Më 27 prill sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla nxori një vendim për të parë performancën e kryebashkiakëve socialistë në gjithë bashkitë e vendit.

Pas këtij vendimi të gjitha degëve të Partisë Socialiste iu dërgua një formular, ku secila degë të shprehtë opinion e saj për kryebashkiakët, ndërsa një formular iu shpërnda këtyre të fundit për ta plotësuar. Pyetjet kanë të bëjnë me performancën e kryetarëve të bashkive dhe kanë lidhje me mënyrën sesi kanë menaxhuar të ardhurat, sa investime kanë kryer, apo sa metra katrorë leje ndërtimi kanë dhënë gjatë mandatit të tyre.

Gjithashtu, në formular ka pyetje edhe për numrin e pemëve të mbjella, për situatën e furnizimit me ujë dhe numrin e të punësuarve. Mirëpo, gazeta ka mësuar se shumica e degëve socialiste i kanë dorëzuar formularë tek selia qëndrore e PS-së, madje një kopje e këtij formulari tanimë ndodhet edhe në tryezën e shefit të qeverisë. Mësohet se në raportin e saj, baza ka folur me emra konkretë kryebashkiakësh, për të cilët kërkon që të mos rikandidohen.

Po kush janë disa nga arsyet që kanë çuar bazën socialiste që të shpreh pakënaqësi ndaj kryebashkiakëve? Arsyeja kryesore është se shumë kryetar të PS në rrethe por edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë kanë rezerva ndaj punës dhe performancës së kryebashkiakëve. Për këtë arsye ata në raport i kërkojnë kryetarit të PS, Edi Rama, i cili është njëherësh edhe kryeministri i vendit që të mos i rikandidojë në zgjedhjet e 2019 këta kryebashkiakë.

Një tjetër arsye që ka çuar bazën që të ndërmarrë këtë veprim kundrejt kryebashkiakëve ka të bëjë me premtimet, sidomos sa i takon punësimeve. Kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të lartë të PS-së vazhdimisht kanë kërkuar që administratë të pastrohet nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, veprimi ky që do ti hapë rrugë punësimit të socialistëve. Por duket se kryebashkiakët nuk e kanë vënë “ujin në zjarr” sa i takon këtyre porosive, duke shkaktuar pakënaqësi në radhët e bazës socialiste.

Ballafaqimi i raporteve

Interesant është fakti se përveç dy raporteve të bazës, ku njëri është për partinë dhe tjetri për ekzekutivin, në lupë do të kalojë edhe vetë raporti i kryebashkiakëve. Gazeta mësoi se formulari që kanë plotësuar kryebashkiakët do të merret në konsideratë nga kryeministri Edi Rama, në mënyrë që të ketë një tablo të qartë mbi performancën e secilit prej tyre dhe që pritet ta bëjë publik gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS, e cila mund të zhvillohet gjatë këtij muaji.

Madje, mësohet se kryeministri Edi Rama do të bëjë një ballafaqim të raportit të bazës me atë të kryebashkiakëve socialiste. Thënë më drejtë, shefi i qeverisë do bëjë krahasim raportesh, përpara se të marrë një vendim sa i takon emrave të kryebashkiakëve që baza ka kërkuar të mos rikandidohen. Pra përmes kësaj lëvizje Rama kalon në sitë gjithë performancën e krerëve të bashkive, raporton gazeta Sot Dhe ai kryebashkiak që rezulton me performancë negative në lidhje me porositë e Ramës, me shumë gjasa nuk do të rikandidohet. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Rama gati dosjet për kryebashkiakët, fati i tyre vendoset në Asamble Read More »

Arta Marku “harron” Llallën, dosja e abuzimit dhe pastrimit të parave “arkivohet”. Sfidë SHBA që solli provat. Meta, Berisha, Rama e Basha duan mbylljen

Sekretari amerikan i Shtetit Tillerson firmosi shpalljen e ish kryeprokurorit dhe familjes së tij si të padëshiruar në SHBA, për shkak të korrupsionit të theksuar
Nëse ka ndonjë zyrtar të lartë të shtetit që e ka dosjen hapur fare, të kopsitur dhe ku janë materializuar të gjitha abuzimet, ai është Adriatik Llalla, ish Prokuror i Përgjithshëm.

Provat dhe faktet janë të dokumentuara dhe të nxjerra në dritë të diellit nga ana e organeve ligjzbatuese amerikane.

Këto prova dhe fakte shërbyen për shtetin amerikan, me institucione të konsoliduara për qindra vite, për të shpallur ‘non grata’ në SHBA Adriatik Llallën, familjen e tij dhe më të afërmen në Prokurori, Rovena Gashin.

Aq e kopsitur ishte kjo dosje në ngarkim të Adriatik Llallës nga organet ligjzbatuese amerikane, sa ka mbërritur deri në zyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe është firmosur pa hezitim.

Madje nuk është ngurruar nga ana e DASH që pas firmosjes së aktit, të jepet dhe relacioni shpjegues se përse Adriatik Llalla dhe familja e tij e madhe shpallet e padëshiruar në SHBA.

Vendimi i bërë publik, thekson se, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të DASH, thuhet se “ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në SHBA.

Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.

Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane”.

Por, me gjithë këto fakte, prova dhe dokumente që provojnë qartë se dosja e Adriatik Llallës është e kopsitur, Prokuroria shqiptare nuk e dërgon dosjen në gjykatë për gjykim.

Kanë kaluar pesë muaj që kur është ngritur akuza dhe nga koha kur ka filluar hetimi në prokurorinë e Durrësit, konkretisht më 15 mars 2018.

Ndërkohë që tani hetimi po vijohet zyrtarisht të paktën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Adriatik Llalla, ish numri një i akuzës në Shqipëri, njeriu që kishte në dorë goditjen e kriminelëve dhe abuzuesve në të gjitha nivelet, hetohet për 4 akuza konkrete nga Prokuroria.

Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin e pasurisë, mosdeklarimin e të ardhurave, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi, pastrimi i produkteve të veprës penale(pastrim parash), si dhe shpërdorim detyre.

Ndër 4 akuzat, bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë se sa e lejon ligji.

Aktualisht çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq.

Por nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj.

Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre, një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave.

Objekt i hetimit do të jetë edhe shitja e një sipërfaqeje toke ullishtë prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull të Bathores në Tiranë.

Sipas deklarimeve në ILDKPKI të Adriatik Llallës, ai e ka shitur këtë pronë duke përfituar 250 mijë euro.

Më 16 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Llallën, ku pas një ‘kalvari’ ankesash, sërish Llalla mbeti jashtë Vettingut.

Llalla pati përplasje të shumta me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, të cilin ish kryeprokurori e akuzoi deri si të korruptuar dhe “sorosian”.

Po atë vit Departamenti Amerikan i Shtetit doli në një deklaratë publike, ku lajmëroi se SHBA-të ia kishin ndaluar hyrjen ish-Kryeprokurorit pasi dyshohej për afera korruptive.

Ndërkohë që duke parë rëndësinë e akuzave dhe në zbatimit të ligjit, dosja në ngarkim të Adriatik Llallës u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Pak para transferimit të dosjes së Adriatik Llallës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndryshoi dhe drejtuesin kryesorë dhe tërë kupolën e saj.

U largua Besim Hajdarmataj nga drejtimi i kësaj prokurorie, për t’u zëvendësuar nga ish kreu i Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela.

Çështja penale kundër Adriatik Llallës u transferua tek Krimet e Rënda, pasi akuza e Durrësit gjatë verifikimeve të kryera konstatoi shkelje ligjore, për sa i përket makinacioneve që Llalla ka kryer për rritjen e pasurisë së tij.

Në skenë kanë dalë emrat e shtetasve Gazmend Brahimaj dhe Edison Dushku.

Gazmend Brahimaj është instruktor kuajsh në një hipodrom privat në fshatin Qeha Shytaj dhe figuron si i punësuar në një spital privat me pagë 30 mijë lekë në muaj por që në fakt ka kryer transaksione prej dhjetra miliona lekësh me ish kryeprokurorin për shitblerje tokash.

Ndërsa Edison Dushku është një i burgosur, i cili figuron që të ketë kryer transaksione shitblerje ullishtash në periferi të Tiranës me ish Kryeprokurorin.

Adriatik Llalla në një rast ia ka blerë atij 3 000 metra katrorë për 1.5 milionë lekë për ta shitur më pas, pas pak kohësh, për një vlerë prej 250 mijë eurosh.

Të gjitha këto prova dhe fakte, shtuar dhe ato që kanë sjellë organet ligjzbatuese amerikane përbëjnë dhe bazën themelore për kopsitjen e dosjes së Llallës dhe dërgimin e saj në gjykatë.

Por kur kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga fillimi i këtyre hetimeve më Durrës dhe tashmë në Krimet e Rënda në Tiranë, dosja në ngarkim të Llallës më shumë duket e “arkivuar”.

Nuk ka asnjë përpjekje për ta çuar atë në gjykatë, apo për të kërkuar dhe formalisht një urdhër arresti për Adriatik Llallën.

Akuza nuk është e vogël, mosjustifikim pasurie, transaksione bankare të pajustifikuara, kalim parash nga kufiri tokësor dhe mbi të gjitha pastrim parash.

Akuza të rënda dhe për një qytetar të thjeshtë e jo më për një njeri që ka qënë në krye të Prokurorisë shqiptare për pesë vite me radhë.

Ndërkohë që tashmë jo vetën që nuk po hetohet por as nuk dëgjohet të flitet më për abuzimet, pastrimin e parave dhe hetimin e Adriatik Llallës.

Ma sa duket të interesuar për mbylljen e kësaj dosjeje janë pikërish kupola politike në Shqipëri e përbërë nga Berisha, Meta, Rama dhe Basha.

Ndoshta nga frika që kanë ndaj Adriatik Llallës se mos ka ndonjë dosje të tyre nën “mëngë”./>Pamfleti

Arta Marku “harron” Llallën, dosja e abuzimit dhe pastrimit të parave “arkivohet”. Sfidë SHBA që solli provat. Meta, Berisha, Rama e Basha duan mbylljen Read More »

PD nuk di të ndalet, sulmon keq Vlahutin: Rrugë të mbarë trajnerja e ekipit mavi

Deputeti i Partisë Demokratike Myslim Murriz e ka krahasuar me filmin “Operacioni i zjarrit” kërkesën për dialog që Vlahutin dhe Fleckenstein i kanë bërë opozitës.

Përmes një postimi në “facebook” deputeti demokrat thotë se Vlahutin është një nga shkaktaret kryesore të kriminalizimit, drogës, e korrupsionit në vend.

Postimi i plotë:

Kur pashe Romanen dhe Knutin qe kerkojne dialog me OPOZITEN pas 5 vitesh maskarade, droge, trafik, korrupsion, hashash, fukarallik, mjerim, vjedhje, krim, arrogance te nje qeverie te majte, dhe ky “ ÇIFT” ka heshtur per çdo gje, mu kujtua filmi : OPERACIONI I ZJARTIT

Mu kujtua pikerisht ulerima e Krishnik Martinit kur i drejtohet Pjeter Mustakuqit:

PJEEETER …. MEMECIT I ERDHI GOJA.

Rruge te mbare Vllahute se do na kursesh jo pak para nga buxheti i shtetit, sepse eskortat te ruanin sikur ishe prokurore e antimafies europiane, ne fakt ishe ………?????

Tani besoj qe do te punosh me Majlinden,sepse Shqiptaret dine ta kthejne nderin.

Apo e ke ndare per ne KIRGISTAN?????

Suksese ne jete o “ trajnerja” me fustan roze e ekipit mavi.

Ngado qe te shkosh, thirri ndonjehere “ çunat” qe luajte futboll ne Tirane.

Ska problem se disa lojtare jane me “ karton te kuq”.

PD nuk di të ndalet, sulmon keq Vlahutin: Rrugë të mbarë trajnerja e ekipit mavi Read More »

“Çohu more hajdut, keni vrarë 26 veta në Gërdec”, “O xhepist”, deputetët përplasen me tone të ashpra

Ligji për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nuk po shqyrtohet në Komisionin e Ekonomisë, por opozita kërkon që të diskutohet mbi këtë çështje pasi, sipas saj, shkeljet janë të mëdha.

Jorida Tabaku tha: “Pse ka fonde për të restauruar qendrat e qyteteve me nga 500 milionë euro dhe nuk gjenden 30 milionë euro për Teatrin Kombëtar? Pse ka fonde për luksin e ministrive?”

Në reagimin e tij, kryetari i komisionit, Erion Braçe ftoi deputetët opozitarë që pyetjet e tyre t’i drejtojnë tek komisionet përgjegjëse ose të kërkojnë zyrtarisht informacion në ministri.

“Pyetjet që ngrini këtu lidhur me projektligjin në fjalë adresojini në komisionet ku ligji po diskutohet gjerësisht”, citon TCH Braçen.

Situtata degradoi shpejt pasi nga mazhoranca nuk u lejuan diskutimet jashtë rendit të ditës dhe Erion Braçe u përplas me demokratin Klevis Balliu.

“Dil jashtë djali. Çohu dhe dil. Çohu more hajdut. Ti dhe familja jote keni vrarë 26 veta në Gërdec”, iu drejtua Braçe deputetit demokrat.

“Mbylle mikrofonin ore xhepist”, ishte përgjigjja e Balliut.

Në fakt prej disa muajsh deputetët e opozitës ngrenë në komisione parlamentare çështje që nuk janë në rend të ditës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe për lidhje me krimin dhe shpesh situatat kanë precipituar.

“Çohu more hajdut, keni vrarë 26 veta në Gërdec”, “O xhepist”, deputetët përplasen me tone të ashpra Read More »