Politike

Begaj në OKB: Njihni Pavarësinë e Kosovës!

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e tij, Begaj kërkoi edhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë, teksa tha se të drejtat e serbëve në Kosovë, pasqyrojnë normat evropiane.

Ai shprehu shqetësimin edhe për bërjen jo aktive të adresave të banimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton”, u shpreh Begaj.

Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kreu i shtetit shqiptar e konsideroi si platformë unike për bashkëpunim global dhe që ofron shpresë për një botë më të mirë.

“Rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global është më shumë se kurrë një domosdoshmëri për pajtim, mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim. Është e vetmja mënyrë se si mund të përballemi me sfidat e sotme të përbashkëta dhe globale, që nuk po prekin vetëm të tashmen, por po rrezikojnë edhe të ardhmen e brezave që do të vijnë. Dhe gjithçka duhet të fillojë duke vlerësuar rajonet dhe vendet bazuar më së shumti në kontributet sesa në dështimet e tyre”, tha Presidenti.

Fjala e plotë e Presidentit: I dashur zoti President, Shkëlqesi, Jam i nderuar të flas sot përpara jush dhe të shpreh vlerësimin tim të thellë për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo asamble shërben si një platformë unike për bashkëpunim global dhe ofron shpresë për një botë më të mirë. Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të sinqertë Presidentit Fransis për zgjedhjen e tij dhe t’i përcjell urimet e mia më të mira për vazhdimin me sukses të kësaj asambleje.

Dëshiroj gjithashtu t’i shpreh urimet e mia më të ngrohta Sekretarit të Përgjithshëm Guterres, për përpjekjet e tij të vazhdueshme për paqe në botë dhe për qëndrimin e tij të vendosur në mbrojtje të Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut përballë kaq shumë vështirësive të kohëve të sotme.

Lidershipi i tij nxit besimin në Kombet e Bashkuara. Rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global është më shumë se kurrë një domosdoshmëri për pajtim, mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim. Është e vetmja mënyrë se si mund të përballemi me sfidat e sotme të përbashkëta dhe globale, që nuk po prekin vetëm të tashmen, por po rrezikojnë edhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.

Dhe gjithçka duhet të fillojë duke vlerësuar rajonet dhe vendet bazuar më së shumti në kontributet sesa në dështimet e tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Që nga viti 1955, kur Shqipëria u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara, shumëçka ka ndryshuar. Nga një vend i vetëizoluar, Shqipëria tani qëndron krenare si anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Aktualisht, Shqipëria po mbyll mandatin e saj të parë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, dhe këtë muaj ne në mēnyrë produktive po kryesojmë këtë organ të OKB-së për të dytën herë.

Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vazhdon të japë kontribut të palëkundur për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.

Shqiptarët luajnë një rol vendimtar në Evropën Juglindore. Ne përbëjmë shumicën në dy Republika të pavarura, Shqipëri dhe Kosovë, formojmë një pakicë themelore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, si dhe pakicë të rëndësishme në jugun e Serbisë.

Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve.

Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë.

Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative.

Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës.

Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike.

Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë.

Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon.

Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje.

Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës!

Shqipëria, pavarësisht se është një komb i vogël me një demokraci të re, ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi, si dhe pushtime që nuk i kërkoi dhe as i pranoi.

Edhe pse kujtime të dhimbshme, ato kanë dhënë mësime të paçmueshme.

Është pikërisht për shkak të historisë së saj që Shqipëria i kushton rëndësi të madhe të drejtës ndërkombëtare si mbrojtja e saj kryesore. Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut. Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.

Pavarësisht madhësisë sonë Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë.

Megjithatë, ne e pranojmë se zhvillimi i qëndrueshëm është një komponent integral i arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm kuptimplotë është i paarritshëm pa pasur në themel paqen dhe sigurinë e vërtetë.

Akti i agresionit të paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër fqinjit të tij, fatkeqësisht flet më shumë se fjalët tona. Kjo luftë absurde dhe keqdashëse ka prekur drejtpërdrejtë dhe tërthorazi dimensione të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për Ukrainën dhe rajonin, por për të gjithë globin.

Kjo luftë e pakuptimtë ka prishur tregjet ndërkombëtare, ka shkaktuar paqëndrueshmëri ekonomike, ka shkatërruar infrastrukturën, përfshirë rrjetet e transportit dhe objektet industriale, dhe ka larguar vëmendjen dhe burimet nga adresimi i sfidave të përbashkëta të zhvillimit, dhe zbatimin e Agjendës 2030.

Lufta në Ukrainë ka tensionuar stabilitetin rajonal dhe ka ndikuar në bashkëpunimin midis vendeve. Ka nxjerrë në pah tensionet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e tensionuara diplomatike, duke penguar bashkëpunimin ndërkombëtar për nismat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Efektet e përhapura të luftës, përfshirë zhvendosjen, migrimin dhe shqetësimet ekonomike dhe të sigurisë, siç e kemi parë, mund të kenë pasoja globale që pengojnë përparimin drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ).

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria e mirëpriti samitin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe deklaratën politike të miratuar. Është një moment historik për riaktivizimin e përpjekjeve dhe angazhimeve tona të përbashkëta për arritjen e Agjendës 2030.

Ne besojmë fuqimisht se suksesi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm qëndron në përpjekjet tona kolektive për të adresuar sfidat që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Përpjekjet kolektive nënkuptojnë nevojën urgjente për veprime vendimtare për të mbështetur më mirë vendet në zhvillim.

Shqipëria e njeh nevojën e domosdoshme për reforma dhe është e gatshme të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar një mjedis të përshtatshëm që u lejon vendeve në zhvillim të marrin pjesë aktive dhe të përfitojnë nga ekonomia globale.

Dëshiroj të theksoj se Shqipëria është e përkushtuar të reduktojë nivelet e varfërisë dhe pabarazisë brenda viteve 2027 dhe 2030, në përputhje me kontributet tona klimatike të përcaktuara në nivel kombëtar. Ne njohim nevojën për angazhime gjithëpërfshirëse të politikave për të nxitur energjinë, ushqimin, tranzicionin digjital dhe social, të nevojshëm për të arritur këto standarde.

Përafrimi i buxheteve tona kombëtare me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, integrimi i barazisë gjinore, rigjallërimi i kapaciteteve të sektorit publik dhe forcimi i të dhënave dhe sistemeve tona të monitorimit janë ndër veprimet themelore që kemi prioritet.

Shqipëria e njeh rëndësinë e këtij sesioni si një moment qendror për botën tonë. Është një mundësi për të kaluar nga frika në shpresë dhe nga pesimizmi i thellë në veprim të përshpejtuar. Ne jemi të përkushtuar të luajmë rolin tonë dhe të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar realizimin e suksesshëm të Agjendës 2030.

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja të sjell në vëmendjen tuaj edhe qëndrimin e Shqipërisë për një nga çështjet më të debatuara sot, atë të multilateralizmit.

Sfidat e sotme kritike tregojnë se arsyeja universale është e vetmja rrugëdalje. Ne e pranojmë se paqja është e pandashme: ne nuk mund të sigurojmë paqen mbi sakrificat e popujve në luftë. Askush nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme përsa kohë këtë paqe nuk e gëzojnë të gjithë.

Shqipëria pranon gjithashtu se të drejtat e njeriut janë të pandashme: ne nuk mund të sigurojmë të drejta bazë për të gjithë nëse zgjedhim një nëngrup të drejtash dhe shpërfillim pjesën tjetër. Vuajtjet e shkaktuara nga tortura ose uria janë të vështira të dallohen – janë vuajtje të papranueshme dhe të panevojshme që mund të shmangeb nëse ne përqafojmë të gjitha të drejtat – civile, politike, socio-ekonomike dhe kulturore.

Shqipëria është kandidate për Këshillin e të Drejtave të Njeriut në zgjedhjet e ardhshme të muajit pasardhës. Nëse zgjidhemi, ne do të mbrojmë të drejtat e njeriut në kuptimin e tyre më të gjerë. Kjo përfshin të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e pakicave dhe të drejtën themelore për mundësi të barabarta. Ne do të punojmë me vendet e tjera për të mbrojtur, promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut si kusht jetik për zhvillimin dhe prosperitetin individual dhe kolektiv.

Në kontekstin rajonal, ne presim me padurim samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor këtë tetor, në Tiranë. Ne jemi të përkushtuar për ta transformuar rajonin tonë në një shembull besimi dhe partneriteti që kapërcen kufijtë dhe komunitetet.

Multilateralizmi është thelbësor për përpjekjet tona kolektive. Është mbi të gjitha, një vizion se si shtetet duhet të bashkëpunojnë për të arritur rezultate më të mira për të gjithë. Pra, në thelb, bëhet fjalë për pritshmëritë e një sjelljeje të pranueshme në të ardhmen.

Multilateralizmi kërkon që ne të shqyrtojmë jo vetëm nëse marrëveshjet ekzistuese janë efektive apo efikase, por edhe nëse praktikat dhe proceset ekzistuese shumëpalëshe janë të drejta.

Është koha që të angazhohemi pa kushte, plotësisht dhe me mirëbesim për të arritur një reformë kuptimplotë, duke patur Këshillin e Sigurimit në qendër të tij. Asnjë vend, qeveri apo individ nuk mund të jetë mbi ligjin.

Shqipëria mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara dhe organeve të saj kryesore, me syniminin për të forcuar aftësinë e Organizatës për të trajtuar sfidat dhe kërcënimet aktuale në zhvillim për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar.

Fuqia e Këshillit të Sigurimit qëndron në kapacitetin e tij për të ndërhyrë me vendosmëri në shërbim të paqes dhe sigurisë.

Pyetja në ditët e sotme nuk duhet të jetë më nëse Këshilli mund të ndërhyjë në cështjet e brendshme të shteteve apo jo. Përkundrazi, pyetja duhet të jetë se si Këshilli mund të ndërhyjë në mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, në shërbim të vlerave dhe mandatit për të cilin është krijuar.

Të nderuar Shkëlqesi,

Që nga fitimi i pavarësisë në vitin 1912, vendi im ka pësuar transformime të rëndësishme territoriale. Aktualisht, Shqipëria krenohet me peizazhe magjepsëse urbane dhe rurale që jua inkurajoj me gjithë zemër t’i eksploroni.

E përmend këtë jo thjesht për t’ju bërë një ftesë për në Shqipëri, por edhe për të nënvizuar rëndësinë e transformimit territorial që qëndron përpara nesh.

Përballë ndryshimeve klimatike, kjo sfidë është thelbësore përmes 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Shpresoj që vendi im dhe kombet tona të mund ta trajtojnë në mënyrë efektive këtë sfidë duke mbrojtur burimet tona natyrore dhe trashëgiminë kulturore. Qasja jonë duhet të përfshijë respektimin e diversitetit të këtyre burimeve dhe bashkëpunimin me komunitetet e angazhuara si në çështjet mjedisore, ashtu dhe në përpjekjet për ruajtjen e kulturës.

Unë besoj fuqimisht se kjo qasje përforcon demokracinë — i vetmi sistem politik i aftë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë.

Vetëm në një botë të tillë brezat tanë të ardhshëm mund të gjejnë lumturi dhe begati.

Përpjekjet tona të përbashkëta mund t’i shtrojnë atyre rrugën për një bashkëpunim të suksesshëm në të ardhmen. Një e tillë është kjo organizatë e nderuar.

Faleminderit shumë për vëmendjen tuaj!

Begaj në OKB: Njihni Pavarësinë e Kosovës! Read More »

Bardhi ngatërron karrigen, kërkon fjalën nga vendi i Bashës, batuta e Nikollës ‘shkrin’ së qeshuri deputetët e Kuvendit

Sot në Kuvend, ndërsa po diskutohej ligji për rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gazment Bardhi kërkoi fjalën, jo nga foltorja por nga vendi, por ishte i ulur në karrigen e Lulzim Bashës.

Ishte kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila i tërhoqi vëmendjen që të ulej në vendin e tij, pasi aty dilte emri i zotit Basha.

Kaq ka mjaftuar dhe deputetët e tjerë në sallën e Parlamentit të shpërthenin në të qeshura. Sigurisht edhe Gazment Bardhi këtë situata e mori me sportivitet, duke thënë se pas kaq shumë orësh debate duhet edhe pak humor.

Nikolla: Zoti Bardhi vetëm shko në vendin tënd se del emri i zotit Basha aty”.
(deputetët qeshin)

Bardhi: Pas shumë orësh seancë sigurisht që ka nevojë edhe për humor, faleminderit zonja kryetar që i bëtë kolegët të qeshin.

Bardhi ngatërron karrigen, kërkon fjalën nga vendi i Bashës, batuta e Nikollës ‘shkrin’ së qeshuri deputetët e Kuvendit Read More »

‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj prezanton lëvizjen politike: Mund të isha ulur në kolltukë si të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër

Aktivisti Adriatik Lapaj ka prezantuar ditën e sotme lëvizjen e tij politike të lajmëruar prej kohësh, e cila zyrtarisht mësohet se quhet “Shqipëria Bëhet”.

Lapaj është shprehur se nisja e këtij rrugëtimi ishte vendimi më i vështirë që ka marrë ndonjëherë.
Ai shtoi se në vend duhet të hapet gara politike dhe të miratohet ligji për referendumet duke sjellë demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Nuk do ju tregoj si është Shqipëria dhe si arritëm në këtë gjendje. Sot do ju flas si mund ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një vend normal Shqipërinë. Unë besoj te cilësia e individit, por që ky i fundit të performojë duhet të garantohet shpërfaqja e tij në shoqëri.

Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.

Askush nga ne nuk ka fuqi të mbinatyrshme. Qytetarët shqiptarë, nëse bashkohemi ne mund t’ia dalim. Askush të mos presë të dërguarin e Zotit të shpëtojë jetët tona. Duhet organizim për qëllimin tonë.

Ky është vendimi më i vështirë që më është dashur të marr ndonjëherë. Mund të isha ulur në kolltukë si ata të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër. Deri sot pesha e përgjegjësisë ishte mbi mua, por nga sot ne jemi ne”, u shpreh ai.

‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj prezanton lëvizjen politike: Mund të isha ulur në kolltukë si të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër Read More »

Deklarata e fortë e Spartak Ngjelës

Për të folur për ndryshimet e reja në qeveri dhe lëvizjet e fundit në PD ishte i ftuar në një intervistë televizive avokati Spartak Ngjela.

Ngjela analizoi ndryshimet në kabinetin qeveritar duke i cilësuar si të njëjta me ndërrimet që bënte ish-diktatori Enver Hoxha. Për Ngjelën emrat e rinj në qeveri janë njerëz të panjohur të cilët nuk mund të drejtojnë shtetin.

Avokati shton se në vendin tonë nuk ka opinion publik të ndjeshëm ndaj veprimeve të qeverisë dhe prandaj ndodhin mjaft skandale.

Spartak Ngjela: “Ishte ndërrim drastik me metodën e vjetër, me metodën e Enver Hoxhës, me njerëz të panjohur vetëm Shqipëria e ka këtë ndërrohen ministrat dhe ata që vijnë janë të panjohur.

Njerëz ta panjohur të paidentifikuar si mund të drejtosh shtetin dhe qeverinë me njerëz të panjohur …që te jenë rehat vetë. Të mos kenë konkurrencë në nivelin intelektiv. Ka shqiptarë në katedra në perëndim. Këta kanë Lupen Shupen dhe Tupen…

Nuk e kemi faktin të provuar është SPAK apo është kryeministri apo është disfata e qeverisë. Shoqëria vuan në një moment enigmatik, qeveria është sekret, nuk ka lidhje fare me të vërtetën. Nuk thotë fare asgjë. Nuk ka kontroll të opinionit publik. S’ka opinion publik. Po të kishte opinion publik nuk do ndodhnin këto”, tha avokati.

Ndërsa për situatën e opozitës, Ngjela u ndal tek rikthimi i Bashës dhe lëvizjet e Bardhi-Berisha. Avokati e shikon të pamundur që opozita e përçarë të fitojë përballë qeverisë.

Për të, Basha është me një grusht njerëzish dhe kurrsesi nuk mund të vijë në pushtet. Gjithashtu edhe Berisha me grupimin e tij nuk mund të fitojnë pasi është shpallur non-grata nga SHBA.

Spartak Ngjela:”Opozita në parlament, zihen me njëri-tjetrin. Kanë opozitë me njëri-tjetrin nuk mendojnë fare për zhvillimin kombëtar.

Nuk kanë fuqi të fitojnë. Kur flasim për parti opozitare duhet të jetë konkurrente me pushtet, janë kot. S’ka vlerë. Ku kanë ata, nuk i jep shpresë shoqërisë që merr pushtetin. E mendoni se Basha fiton me grushtin e njerëzve që ka. Ata janë të ndarë. Njëra është parti ligjore, tjetra është lëvizje kot. Kanë hyrë te Meta. Është ndarë PD nga ajo ligjorja sepse Saliun e kanë nxjerrë Non-Grata Washingtoni. Shqipëria aleat ka SHBA-në. Çkërkon ai?! Të shkatërrojë të djathtën?! Ku mund të krijohet e djathtë antimerikane në një vend europian”, u shpreh Ngjela.

Për Ngjelën, lëvizja e Bashës për të nxjerrë jashtë grupit parlamentar të PD-së Berishën në 2021 ishte e saktë, pasi u diktua nga politika amerikane.

Ndërsa ish-kryeministri bëri gabim sipas Ngjelës që e çoi çështjen në një gjykatë franceze kur duhej ta kishte çuar në një Gjykatë Federale në SHBA.

Spartak Ngjela: “Çfarë do bëjnë si mund të vish me Non-Grata në Amerikë. I nxjerr Non-Grata gjithë lëvizjen. Kur SHBA të kanë nxjerrë Non-Grata ti duhet të bësh gjyq në gjykatë federale në SHBA, vajti në Francë, është budallalllëk. Si mund ta marri Blinkenin Franca sepse nuk shkon mirë me një shtetas shqiptar. Duhet të shkonte në një gjykatë federale dhe të rrëzonte dekretin Non-Grata. Nëse dekreti nuk rrëzohet, merr formën e prerë. Kanë shkatërruar opozitën dhe i kanë bërë dëme popullit shqiptar. Non-Grata dhe ai tjetri Basha e kishte të saktë lëvizjen, e hoqi nga grupi parlamentar dhe deklaroi se m’a kërkoi politka amerikane. Për kë luan Berisha?! Për Shqipërinë jo një herë?!”, përfundoi Ngjela.

Deklarata e fortë e Spartak Ngjelës Read More »

Rama: ‘Korrigjimi i së tashmes, arsyeja e ekzistencës sonë politike’

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e PS u shpreh se vendi tashmë ka hyrë në fazë të re, por ka ende shumë punë për të bërë.

Rama nuk la pa përmendur edhe punën e institucioneve të drejtësisë për të cilën u shpreh se impakti i organeve të reja të drejtësisë ka qenë i pazakonshëm, ndërsa paralajmëroi se sfidat mbeten edhe të mëdha.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një nivel të ri. Ka plot arsye që e pohojnë këtë. Por dy janë pohimet më të mëdha, e para sezoni i turistik dhe e dyta impakti i pazakonshëm i organeve të reja të drejtësisë. Ky është vetëm një fillim i ri nga një nivel i ri dhe nuk është maja ku duam të arrijmë në fund të kësaj. Shqipëria 2030 është ende përpjetë dhe sfidat janë ende më të mëdha. Sa më shumë bëjmë progres aq më shumë rritet nevoja për fuqizim politik”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Rama: Kur ua do puna lënë pa gojë të huajt, përqeshës gjuhëjashtë për vendin e tyre. Miliona turistë vijnë të buzëqeshur në këtë vend të vogël, ku në kaq pak territor gjejnë bukuri të mahnitshme. Gjejnë edhe siguri që nuk ka asnjë lidhje me legjendat. Disa miq anglez më çuan hartën e vjedhjeve të banesave në Europë, Shqipëria në vendin më të ulët, e Britania me shifrën më të lartë. Nuk ke çfarë vjedh në shtëpitë e shqiptarë, ku nuk ke as bukë për të ngrenë u kishin thënë. Ndërsa një tjetër u kishte thënë se kanë shkuar shqiptarët atje. Mos e vet hiç, siç thonë në Kosovë. Por edhe vrasjet kanë shënuar numrin më të ulët. Por mendje mëndje është kjo dynja, por për ne vazhdon përpjekja për ta future Shqipërinë në hartë e sigurisë. Miliona të huaj po vizitojnë çdo vit e më shumë këtë vend. Edhe ata që na duan të vdekur mua bashke më këtë forcë udhëheqëse për Shqipërinë Europiane. Edhe ata kompetentë të huaj që duan ti shohin shqiptarët si fajtorë për probleme të vendit të tyre, janë një shtysë për të ecur vetëm përpara. Por ama me këmbët në tokë. Me sytë hapur për të hedhur hapat e duhur duke parë nga e ardhmja për të kuptuar realitetin e të tashmes. Ky realitet është më mirë se ai I djeshmes, por më problematik se ai i të ardhmes, ndaj detyra jonë është të kuptojnë se korrigjimi i të tashmes është arsyeja e ekzistencës tonë politike.

Rama: ‘Korrigjimi i së tashmes, arsyeja e ekzistencës sonë politike’ Read More »

Rama: ‘S’kam përgjegjësi të skuqem apo kërkoj falje për ata që hanë pas shpine’

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shprehur se nuk ka përgjegjësi për t’u skuqur apo kërkuar falje për personat brenda PS-së që “hanë pas shpine”, duke iu referuar arrestimeve të shumta të muajve të fundit nga radhët e kësaj force politike.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka një mesazh për të gjithë që përdorin “fjalën e neveritshme Rama të lëshon, Rama s’të mbron, teksa tha se ai mban përgjegjësinë më të madhe morale në raste të tilla.

“Nuk e di sa prej jush këtu mendojnë me gjithë mend se ky vend bëhet, dhe se këtë e bën Partia Socialiste dhe asnjë forcë tjetër që ka pasur mundësinë apo çdo individ që sheh Shqipërinë si një jorgan për t’u djegur kur e pickon pleshti i interesit të vetë.

Po të mos e besoja që ky vend bëhet, as do kisha hyrë në politikë me ftesë të liderit historik të PS-së, e as do përpiqesha t’i zija vendin. Apo të mbaja ë kurriz në 20 vjet më shumë baltë se të gjithë ju bashkë për të qëndruar si lider. As do e përballojë dot. Nuk do i hyja detit në këmbë për këtë.

Ma dëgjoni mirë këtë ju dhe gjithë socialistët që janë shumë pak që qarkullojnë fjalën e neveritshme që Rama të lëshon, Rama s’të mbron. Unë kam përgjegjësi të madhe morale, më të madhen fare nga të gjithë ju, por e dini se cila është përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem apo të kërkoj ndjesë pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave”, u shpreh Rama.

Rama: ‘S’kam përgjegjësi të skuqem apo kërkoj falje për ata që hanë pas shpine’ Read More »

Rama: ‘Deri dje turizmi në Shqipëri ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm’

Teksa bëri bilancin e tij për turizmin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e Asamblesë së PS-së se qeveria duhet të angazhohet maksimalisht për të forcuar më tej imazhin e ri të vendit.

“Për të vazhduar ngjitjen nga një pikënisje e re dhe duke parë në sy të gjithë të metat dhe problemet që kërkojnë adresim, detyra jonë është ta forcojmë më tej imazhin e ri të vendit dhe ta kthejmë në kapital ekonomike e social. Rreziku i humbje së ekuilibrit mes të ardhurave masive që turizmi sjell dhe shpenzimet, është një kërcënim real me të cilin duhet të merremi që sot.

Kujdes sepse do të ishte fatale të mos e mbanim parasysh se ky lloj turizmi nuk do të jetë kurrsesi i vetmi burim i të ardhurave të Shqipërisë turistike, por duhet të jetë një sirenë alarmi për të krijuar një burim tjetër, ende të munguar që sjell të ardhura që është turizmi i konsumit të lartë që sjell shumëfishin e të ardhurave dhe zë më pak vend fizikisht. Portet turistike janë themelore për krijimin e tij, infrastruktura e re aeroportuale gjithashtu, këto po ecin edhe pse jo me ritmet më të larta, edhe për arsye subjektive.

Ndërkohë që kjo infrastrukturë e re po ndërtohet dhe zinxhiri i ri i hoteleve me 5 yje po zgjatet hap pas hapi, duhen ndërtuar edhe resortet, duhet fokusuar jo vetëm në bregdet, por edhe në hapjen e shtegut të turizmit malor, ku Shqipëria ka një tjetër potencial të pashfrytëzuar, kjo është rruga e re që duhet të çajmë tani me angazhim të madh, të kemi garantuar në fund të kësaj dekade një hyrje shumë më të madhe parash në ekonominë shqiptare, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Në këtë dekadë vendoset lartësia e profilit të Shqipërisë në çdo drejtim.

Shqipëria duhet të bëhet se s’bën, për bukuritë që i ka falur Zoti dhe për ato që ka trashëguar, ne duhet të synojmë majat e industrisë botërore, investimet qindra milionëshe, ja pse ne duhet të forcojmë në radhë të parë vetëdijen tonë qeverisëse. Ne s’duhet t’i harrojmë asnjë çast ata që do ta trashëgojnë nesër këtë vend, duhet të jemi vendi i ekselencës në mirëpritjen e investitorëve, duhet të rrisim menjëherë kërkesën e cilësisë ndaj investitorëve vendas. Kjo është një pikë kthese e re, ku prej tyre duhet të kërkojmë maksimumin evropian”, deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi se arsyeja pse u ndal gjatë tek turizmi, përpos domosdoshmërisë, ka të bëjë me atë që ai e cilëson “momentum” i Shqipërisë në këtë sektor.

“Në një vend ku turizmi ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm, tani ka ndryshuar është kthyer në brand ndërkombëtar të turizmit. Shqipëria e 2030-kampione e rajonit në turizëm, që tërheq jo vetëm turizmin italian, por edhe atë të shtresës më të lartë, që vjen këtu për të shpenzuar këtu njësoj si në Maldive, do fusim shumë më shumë të ardhura në ekonominë prodhuese, me paga të larta për njerëzit tanë.

Edhe kapitulli i ndërtimit të fshatrave turistikë, duhet të shpallet shkresërisht i mbyllur! Ky vend është i vogël, prandaj golemizimi i dikurshëm si model zhvillimi duhet të konsiderohen histori. Ky vend duhet të nxjerrë më shumë nga turizmi me ndërtimet e reja, me kritere dhe kërkesa të reja. Vendi ynë do duhet të rezistojë në fashën e parë të destinacioneve me nam të Mesdheut ose përndryshe do kthehet te fasha e dytë.

Në fakt as kjo e imja nuk është një fjalë për turizmin, të cilin duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme. Arsyeja pse u zgjata për turizmin ka të bëjë nga njëra anë me faktin se ky momentum është një pohim i madh që askush nuk e mohon dot, Shqipëria është ngritur në një nivel të ri dhe ka të bëjë me domosdoshmërinë strategjike që arritjet e sotshme duhet të jenë stimul i madh për ne nesër”, shtoi ai.

Rama: ‘Deri dje turizmi në Shqipëri ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm’ Read More »

Emrat/ Rama zyrtarizon ministrat e rinj

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryetari i PS e kryeministri Edi Rama zyrtarizoi ndryshimet në kabinetin qeveritar. “Kokat” që u prenë ishin Frida Krifca, Olta Xhaçka, Milva Ekonomi dhe Evis Kushi.

Ndërkohë Ogerta Manastirliu merr drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Te Shëndetësia shkon Albana Kociu, e cila deri më tani ka drejtuar Departamentin e Administratës Publike.

Në vend të Frida Krifcës shkon Anila Denaj. Delina Ibrahimaj nga Financat “zbret” poshtë në një ministri pa portofol në vend të Edona Bilalit te Mbrojtja e Sipërmarrjes.

Milva Ekonomi shkon te Sekretariati për Programin në PS, ndërsa ministria e saj shkrihet dhe emërohet Ministër për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku.

Anila Denaj – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Igli Hasani- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropës

Ervin Mete- Ministër i Financave

Ogerta Manastirliu- Minister i Arsimit dhe Sportit

Delina Ibrahimaj- Ministër për Sipërmarrjen

Arbian Mazniku- Minister i Pushtetit Vendor

Albana Kociu- Ministër i Shëndetësisë

Emrat/ Rama zyrtarizon ministrat e rinj Read More »