Opinione

Saimir Tahiri, na e bëre jetën ferr!

Shkruan Anila Basha

Në një vend ku të gjithë punojnë e jetojnë me intrigën, konspiracionin, prapaskenat, enigmën, vulgaritetin, thashethmnajën: “unë i them atij që t’i thotë këtij, që ai ta tregojë, dhe më vonë ajo të bëhet e vërtetë”, pra, në një vend të tillë ku po rritemi e punojmë a gjoja-punojmë të gjithë (duke konsideruar edhe thashethemet një punë), të kryesh një akt të vërtetë, të ndjerë, të tërhiqesh për sa je lodhur, apo të kesh fuqi ta konsiderosh “rrëzim në dysheme” se nga dyshemeja nuk bie më dot për të gjetur ngritjen, të konsiderojnë: intrigant, mashtrues, tallagjar, inatçor, kriminel, vagabond, trafikant, kokë e madhe, kokë e prerë, besëthyer a bukëshkelur….e s’kanë të ngopur.

Kjo po ndodh me Saimir Tahirin, ish-ministër i brendshëm, që në vazhdën e një politike që nuk prodhon dot më politikë përveçse emrin e tij nga mëngjesi deri në darkë, që nuk kanë lënë vrimë pa hyrë e derë pa dalë me bisht ndër shalë, ngrysen për të parë ëndërra natën e gdhihen në përpjekje për t’i realizuar ditën, gjendet nën komentet me dhe padorashka të gjithkujt, të votuar ose jo, qytetarë të thjeshtë, apo trafikantë, njerëz punëtorë, apo të papunë, e gjithkujt që ka një hapësirë të vetme lirie për t’u shprehur në televizion, foltore partish, kancelari diplomatike, facebook, Instagram, emaile, kafene, shtëpi, në oborrin e lagjes, te ceremonitë e dasmave apo të vakive…

Saimir Tahiri ua bëri jetën ferr të gjithë atyre që e përgojuan për plot PESE vjet me radhë në një gjyq popullor të pashembullt.

Dhe si çekan, mbi të gjithë rëndon pyetja: PSE U DOREZUA SAIMIR TAHIRI?

Personalisht kam idenë se nuk është dorëzim, por dalje nga një situatë e tejzgjatur që në mos e ka lodhur, e ka disgustuar; në mos i është neveritur, tenton ta përbuzë; në mos ka dashur të japë ushqim për qentë, kërkon të dalë e vërteta…Pra, është e thjeshtë: të përfundojë një proces që ka nisur ndaj tij, si qytetar i lirë.

Nëse do pengohej integrimi i Shqipërisë në BE, do thoshin “e pengoi SAIMIR TAHIRI”; nëse hapet drita jeshile, do thonë “e shiti SAIMIR TAHIRIN”;

Nëse do arrestohet Klement Balili, do thonë “e kishte mbrojtur Saimir Tahiri”; nëse nuk arrestohet Klement Balili, do thonë: “e fsheh Tahiri te shtëpia e vet”.

Nëse mbyllet gjyqi ndaj Tahirit dhe ky i fundit del i pafajshëm do thonë “fshehu provat për gjashtë muaj”; nëse arrestohet dhe shpallet fajtor Saimir Tahiri do thonë “e shiti Rama për të mbrojtur veten”.
Nëse kultivohet ende hashash në Shqipëri do thonë “janë klanet e Saimir Tahirit”, nëse nuk mbillet hashash në Shqipëri, do thonë….(në fakt këtë nuk e thonë fare, sepse mbillet akoma)…

Harruam taksën e biznesit të vogël, sepse dha dorëheqjen Saimir Tahiri; u harruan në burg 4 kuksianët e protestës së Kalimashit, sepse Tahiri dha dorëheqjen; kullat në Tiranë nuk ekzistojnë më, se Saimir Tahiri iku; ama, askush nuk flet më për oligarkët që na kanë zënë frymën me palate, se Tahiri u la shëndenë.

Nuk ka më komente për nënat me presh në dorë, qentë e rrahur a të vrarë, as për kioskat, mbaroi historia e Partneritetit Publik Privat; nuk ka më HEC-e mbi hidrocentrale, as task-forca që bllokojnë pronat në bregdet; nuk ka më para tenderash që i merr Safet Gjici apo Sadri Abazi, as hetim pronash deputetësh, nuk ka më shtëpi të pastrehë për kuksianin Flamur Noka në Sarandë për vete e për tre familjarë; janë kthyer ilaçet nëpër spitale; nuk ka më zhul nëpër Shqipëri; u pastrua vendi e na u zbardh faqa,… se iku SAIMIR TAHIRI.

Dhe kur gjithçka tjetër humbi, sepse Tahiri firmosi një letër, për këtë të fundit, ndoshta duhet të fillojnë tani llogaritë, për të bërë ato që harroi t’i bënte kur duhej t’i bënte.

Sepse Tahiri s’mund të ikë kaq thjeshtë përsa kohë që për të kanë votuar njerëz dhe vazhdojnë e besojnë; ndoshta sepse duhet të zgjedhë më mirë njerëzit që i sheh në sy dhe jo në tavolinat e kompromisit ku dhe ai ka qenë palë; sepse është një politikan që mesa dimë, nuk e ka grisur akoma teserën që mban në xhep.
E historitë për Balilajt e LSI, Habilajt e Tahirit, Gërdecin e Zenit dhe Mediut, lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan nga Lulzim Basha sipas një kabllogrami të ambasadës amerikane, tenderat PPP të Ramës, janë histori, që do t’i nxjerrim nga arkivat, saherë të na duhet të trazojmë politikën, siç edhe politika na orienton ne, turmat.

Sepse politika është mësuar gjithmonë të na e lërë dobiçin në derë, me hir, apo me pahir.

Saimir Tahiri, na e bëre jetën ferr! Read More »

Dorëheqja e Tahirit/ “Minjtë” ndjejnë fortunën, Meta synon televizionet, Berisha kërcënon me kodin e “plumbit në zarf” politika në panik!

Meta e Berisha të trembur nga burgu, dalin në ekran me urgjencë. Presidenti vetëm tregon se është jashtë qelisë, ish kryeministri kërcënon me plumb

Menjëherë pas konferencës së shtypit të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, deklaratave të forta të tij, “minjtë” nisin të lëvizin. Ndoshta janë tronditur nga mesazhet e forta dhe të vërtetat që ka përcjellë Tahiri, në momentin kur dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Nuk po hyjmë në detaje se çfarë tha ish ministri i Brendshëm në tërësi, por ajo që mund të nënvizojmë është fakti se Tahiri përmendi Berishën si vrasës nga i cili nuk mund të pranojë moral, dhe Metën e Monikën të cilët nuk ke nga t’i kapësh, aq shumë pis janë bërë.

Me sa duket kjo i ka trembur fort Berishën dhe Metën sa dolën në disa televizione periferike për të bërë “adetin” dhe për të qënë prezent në sytë e shqiptarëve se janë “gjallë” dhe jashtë qelisë.
Kështu, Presidenti Ilir Meta doli në ekran mbrëmë dhe nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje të gazetarit, megjithëse ai ishte ithtar i tij. Akuzat e Tahirit, i kaloi me shprehjen e famshme se “kjo nuk është e rëndësishme”.

Po ashtu dhe për dorëheqjen nga mandati i deputetit të Tahirit dhe kalimin në dizpozicion të drejtësisë, Meta tha vetëm se nuk duhet të ushtrohet presion mbi drejtësinë. Asnjë vlerësim, as negativ dhe as pozitiv.

Njëherësh dhe për akuzën e fortë të “Mother Jones” ndaj Ilir Metës se ka lobuar në SHBA për një foto me presidentin amerikan Donald Trump me para të financuara nga rusët, Meta nuk dha asnjë përgjigje.

Madje tha se ndjehej i fyer vetëm nga pyetja, jo më të jepte një përgjigje të saktë, duke thënë se përgjigjen shterruese e ka dhënë kushuriri i tij drejtor i shtypit në LSI, Shaban Sulçe. Pra nuk tha asgjë.

Po ashtu dhe për raportin e “Freedon House” që shkruante se lufta kundër korrupsionit mori një goditje të fortë me zgjedhjen president të Ilir Metës nuk tha asgjë. As për deklaratën e Llallës se ambasadori Donald Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, presidenti Ilir tha se ishte një çështje e sqaruar tashmë.

Pra në tërë intervistën në pikun e shikimeve në këtë ekran periferik televiziv, Ilir Meta nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, nuk tha asgjë.

Atëherë lind pyetja: Pse Ilir Meta doli mbrëmë në emisionin televiziv?!
E vërteta është se Ilir Meta doli para shqiptarëve për të thënë se ishte aty, nuk frikësohet nga sulmet që i vijnë nga deputetët apo dhe nga kreu i qeverisë. Pra doli për të treguar se është jashtë qelisë, madje për të treguar më tepër se nuk guxon njeri ta fusë në burg.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qënë dhe ish kryeministri Sali Berisha, në daljen e tij televizive të paralajmëruar. Në ndryshim nga aleati i tij në krime, vjedhje dhe maskarallëqe, Ilir Meta që nuk tha asnjë gjë, Sali Berisha u hodh në sulm kundër të gjithëve.
Berisha akuzoi Edi Ramën, akuzoi Saimir Tahirin. Madje teksa përmendi plumbin në zarf, ndonëse ia adresoi ish ministrit të Brendshëm, në të vërtetë ishte një kërcënim neto i Berishës ndaj Ramës. Për t’i thënë se ai dhe familja e tij nuk preken nga drejtësia.
Pra Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë një hall të fortë, kanë hall burgu që kanë dalë një natë më parë në ekranin e mediave njëri për të kërcënuar dhe tjetri për të mos thënë asgjë.

Të dy kanë hall burgu, pasi dosjet po u kopsiten një nga një nga organet ligjzbatuese shqiptare me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Berisha e ka më të agravuar situatën ,ndaj është hedhur në sulm me kërcënime. Eshtë situatë e rëndë për ta.Pamfleti.com

Dorëheqja e Tahirit/ “Minjtë” ndjejnë fortunën, Meta synon televizionet, Berisha kërcënon me kodin e “plumbit në zarf” politika në panik! Read More »

Hoxha ”tremb” Romana Vlahutin: Duam të rikthehet dënimi me vdekje

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin gjatë pjesëmarrjes së saj në forumin për sigurinë në qytetin e Lezhës tha se Shqipëria ndodhet në zemër të Evropës. Por gjatë bashkëbisedimit hoxha i xhamisë së Lezhës, Agim Terezi kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Gjatë takimit ku i pranishëm ishte edhe ministri Xhafaj dhe ambasadorja e BE Vlahutin, ai kërkoi që të rikthehet dënimi me vdekje.

Shqipëria është rast i veçantë dhe në Europë duhet të pranohet si një rast i veçantë se nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhen shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin.

Ne si komunitet mysliman do lobojmë në Parlament nëse jepet drita jeshile prej jush. Por ambasadorja e BE, Romana Vlahutin u shpreh se BE nuk e pranon dënimin me vdekje.

Dënimi me vdekje nuk pranohet nga Bashkimi Europian.

Hoxha ”tremb” Romana Vlahutin: Duam të rikthehet dënimi me vdekje Read More »

Deputetët ‘zgjojnë’ Bashën, fol se Tahiri dorëzoi mandatin: Lajm i keq…

E gjithë politika, është shprehur për dorëzimin e mandatit të Saimir Tahirit. I vetmi që nuk kishte folur deri tani, ishte kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Ndërkohë që pritej që kryedemokrati të fliste i pari, ai foli i fundit.

Kanë kaluar më shumë se 24 orë dhe Basha doli e foli tani. Pse Basha ia dha çelësat e opozitarizmit Kryemadhit?

Dihet se dorëzimi i mandatit të Tahirit, do të përdorej nga opozita si mjet për të sulmuar qeverinë. Por Basha zgjodhi të fliste i fundit, ku tha se dorëzimi i mandatit i Tahirit është lajm i keq.

“Do ishte një lajm i mirë nëse Tahiri 6 muaj më parë do pranonte të dorëzonte mandatin. Tahiri rezistoi, Edi Rama i ktheu deputetët e PS në gjyqtarë për ta mbrojtur. Qëkur Rama e mbrojti nga kërkesa për arrest, Tahiri e shfrytëzoi për të mbrojtur veten, pastroi banesën dhe zhvendosi thasët.

Dorëheqja vjen pasi Rama emëroi Prokuroren pa vetting. Sot të gjithë e kanë të qartë pse Rama nxitoi kaq shumë për të kapur prokurorin e përgjithshëm. Vetëm kështu mund të garantonte se Tahiri edhe pa mandat nuk do vihej para drejtësisë dhe në këtë mënyrë do shpëtonte veten e tij. U ekstradua gjatë kësaj kohe në shkelje të ligjit financieri i bandës së Habilajve”, tha Basha.

Deputetët ‘zgjojnë’ Bashën, fol se Tahiri dorëzoi mandatin: Lajm i keq… Read More »

Imuniteti i Tahirit/ “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”!

Shkruan Bedri Islami

Në mendimin tim ai bëri gjënë e duhur, megjithëse disi me vonesë. por, edhe tani, nuk është vonë për të patur një rrugë më të lirë hetimi dhe gjykimi, nëse ndodh kjo, për gjithçka që është dyshuar në jetën e tij si ministër i brendshëm.

Ka gjashtë muaj që çështja “Tahiri” është më e përfolura, më e ndjekura, më seriozja dhe prova e një ballafaqimi mes së vërtetës në jetën e dretësisë shqiptare dhe të rremes së deritashme.

Nuk e paragjykoj Saimir Tahirin. Nuk e di nëse është i fajshëm apo i pafajshëm. Në gjashtë muaj kundër tij është hedhur një mal me akuza të politikës së ditës, dhe nga ana tjetër është hedhur poshtë po ky mal, sa që secili e ka të vështirë të zbulojë se çfarë gjenet në të vërtetë në fillesën e kësaj rropullie.

Duke qenë ministri i punëve të Brendshme më jetëgjatë në detyrën e tij pas vitit 1990, ka qenë e natyrshme të ketë shumë mendime, pro e kundër tij, por në fund të fundit strukturat e drejtësisë, të monituruara nga ndërkombëtarët do e japin verdiktin e tyre.

Që kjo çështje nuk është jashtë vemendjes ndërkombëtare e bëri edhe më të qartë ambasadori amerikan, Donald Lu, në prononcimin e tij të fundit.

Për gjashtë muaj opozita kishte të njëjtin lejtmotiv: përse Tahiri nuk hoqi dorë nga imuniteti i tij, dhe përtej saj, përse shumica po e mbron me çdo kusht , përmes forcës së kartonit, imunitetin e deputetit Tahiri.

Sipas saj, pas këtij imuniteti fshiheshin raportet mes Ramës dhe Tahirit, mes këtij të fundit dhe shumicës dhe se, nëse ai do të ishte pa imunitet, gjithçka do të përmbysej, shumica qeveritare do të binte, shteti do të thërmohej etj.

Në të gjitha prononcimet, brenda e jashtë vendit, të opozitës dhe të një grupimi analistësh, shumë nga të cilët në të njëjtën linjë me opozitën, është vënë theksi pikërisht tek imuniteti i Tahirit, si garanti i tij për të mos qenë objekt i hetimit, gjykimit e dënimit.

Të gjithë drejtuesit e opozitës, një zëri ose në zëra të ndryshëm, çuditërisht opozitarët burra kishin zë femror, ndërsa opozitaret kishin zë burri, i thonin Tahirit : zbrit nga imuniteti. Shkonin dhe më tej, me të njëjtat zëra i thonin shefit të qeverisë: Zbrite nga pema e imunitetit, mos e mbro, sa kohë Tahiri është në imunitet, do të thotë se jeni një dyshe e pandarë, se jeni njëlloj, se duke mos hequr imunitetzin, mbron krimin etj.

Tani, Tahiri, vetë ai ose me shtytjen e dikujt tjetër, në këtë rast nuk është primare, zbriti nga pema e madhe e imunitetit, ku kanë hipur prej vitesh shumë të tjerë , si Mejdiu, Basha, Bumçi etj dhe nuk po zbresin.

Tani që ai zbriti, filloi pjesa e dytë e thirrjeve: Hip në imunitet. Ke zbritur se kjo është lojë, se po luan lojën e ramës, se pas tërheqjes tënde do të jesh në arrest shtëpie, se është marrëveshje e fshehtë, se ia kërkoi gjermani, se erdhën prova të reja dhe rama i ka premtuar që të ruajë veten.

Gjashtë muaj rrjesht imuniteti ishte patatja e nxehtë e opozitës.

Të jemi të qartë, edhe nëse kjo do i ndodhte opozitës kur ishte në pushtet, për shumicën e sotme në opozitë do të ishte po ashtu patate e nxehtë.

Por, në gjashtë muaj, opozita donte heqjen e imunitetit. ja, u hoq! Po tani?

Përsëri nuk është e një mendje. Për opozitën , sot, është më mirë që Tahiri të kishte imunitet, pra të hipe në pemën e madhe të mbrojtjes së imunitetit dhe prej sa të fërshëllente përmes gjetheve. Sepse, kur je pjesë e krimit, vetëm me gjethet e imunitetit mund të mbrohesh.

Mbrohesh, edhe pse ke qenë i akuzuar zyrtarisht për përvetsime qindra mlionësh, edhe pse je pjesë e një vrasje makabre si në Gërdec, mbrohesh edhe nëse vret në mesin e bulevardit…fshihesh edhe nëse paralajmëron se do e vrisje vetë shefin e opozitës dhe do i mbaje fjalimin më të fortë në botë, fshihesh edhe nëse biri yt dërgoi në pasjetë, përmes shpërthimeve 36 vetë, mes tyre edhe fëmijë.

Tahiri, vonë ose herët, e dha dorëheqjen e tij.

Opozitën , si ishte e pritshme, më shumë e tremb shembulli i tij, se nesër mund të ia kërkojnë edhe pjesëve të saj, ndaj i thotë se, kjo heqje imuniteti është lojë, hip përsëri në pemë dhe prej aty prit kur të të gjuajmë. Por, mos u ul, se, ku i dihet, nesër mund të na ulin edhe ne.

Histori shqiptare!

Imuniteti i Tahirit/ “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”! Read More »

Berisha qan me ‘oi’ gjyqtarët milionerë. S’ka kush ti mbrojë më Shkëlzenin dhe Argitën

Ish-kryeministrin Sali Berisha  ka reaguar i shqetësur pasi vetingu ka përjashtuar nga detyra disa gjyqtarë të cilën nuk kanë mundur që të justifikojnë pasurinë e tyre. Dje vettingu shkarkoi nga detyra gjyqtaren kushtetuese, Altina Xhoxhaj

Dhe për këtë Berisha thotë se Gjykata Kushtetuese është asgjesuar nga puçi anti-kushtetues i Edvin Kristaq Ramës dhe narkoshtetit të tij.

Duket se Berisha është i shqetësuar nga Vettingu, i cili pas gjyqtarëve, do të skanojë edhe politikanët dhe familjet e tyre. Fëmijët e Berishës janë akuzuar për korrupsion.

Postimi i plotë i Berishës:

Asgjesimi i Gjykates Kushtetuese puç anti-kushtetues i Edvin Kristaq Rames dhe narkoshtetit te tij!

Te dashur miq, Shqiperia nga dita e djeshme nuk ka me Gjykate Kushtetuese, organi pergjegjes sipas Kushtetutes se vendit per garantimin e kesaj te fundit si dhe lirive dhe te drejtave te qytetareve shqiptare.

Ky eshte nje puç i vertet antikushtetues, veper makabre kriminale e Edvin Kristaq Rames, i cili pasi u be kryegjykates dhe kryeprokuror i Shqiperise perdori vetingun per te rrezuar institucionin e fundit kushtetues qe nuk varej prej tij.

Sot ne Shqiperi, i gjithe pushteti ekzekutiv, gjyqesor dhe legjislativ, njelloj si ne ditet me te zeza te diktatures eshte ne duart e nje kryekrimineli qe nuk njeh norma, kufinj apo standarte per pushtetin e tij personal.

Perdorimi i vetingut, ne sy te mbare shqiptareve dhe botes, jo per te reformuar pushtetin gjyqesor pot per te eleminuar institucionet kushtetuese eshte nje akt makaber per vendosjen e plote te narkoshtetit ne Shqiperi.

Duke denuar me ashpersine me te madhe puçin antikushtetues te Edvin Kristaq Rame dhe klikes se tij, ftoj qytetaret te ngrihen ne lartesine e guximit te tyre dhe te flakim sa me pare kalbesiren e tij! Sb

Berisha qan me ‘oi’ gjyqtarët milionerë. S’ka kush ti mbrojë më Shkëlzenin dhe Argitën Read More »

Dorëheqja e Saimir Tahirit, flet Edi Rama: Akt dinjitoz, i pari në historinë e parlamentit shqiptar

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar dorëzimin e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, duke e konsideruar akt dinjitoz.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Rama ka mohuar që t’i ketë sugjeruar Tahirit të dorëzojë mandatin e deputetit.

Ai thotë se nuk ka pasur dijeni paraprakisht për dorëheqjen e Tahirit, duke arsyetuar se prej 6 muaj ish-ministri i Brendshëm nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS.

Sa i përket akuzave të opozitës se dorëheqja e Saimir Tahirit është kërkuar nga Gjermania, Kryeministri Edi Rama i mohon këto pretendime.

Z.Rama çfarë mendoni ju për dorëheqjen e Tahirit?

Edi Rama: Një akt dinjitoz, në kujtesën time i pari i këtij lloji në historinë e parlamentit shqiptar, i respektueshëm plotësisht. Unë gjykoj asgjë nga ato që thuhen në këtë rast, sepse ky është një rast për të cilin jam shprehur qartë këtu e 6 muaj më parë, se i takon Saimir Tahirit dhe drejtësisë.

A ja keni kërkuar ju dorëheqjen?

Edi Rama: Besoj që është humbje kohe të merremi me llafet e kazanit politik dhe mediatik, pasi ky është një akt që flet vetë dhe është i respektueshëm për atë që është. Unë s’kam pasur asnjë dijeni dhe s’ka asnjë arsye pse unë duhet të kisha dijeni. Saimir Tahiri prej 6 muajsh nuk është pjesëtar i grupit tonë parlament dhe nuk ka asnjë rol në Partinë Socialiste.

Ky vendim i Tahirit, e çliron Parlamentin shqiptar qoftë në sytë e publikut apo qoftë edhe në ato akuzat e inkriminimit që janë bërë?

Edi Rama: Parlamenti shqiptar, fatkeqësisht nuk është një i tërë sot, është i ndarë. Parlamenti shqiptar ka një shumicë, ka dhe një pakicë. Në rast se flasim për shumicën, nuk ka pasur asnjë lloj nevoje të çlirohet nga asgjë. Shumica ka mbajtur qëndrimin e duhur për këtë rast. 100 herë të ktheheshim mbrapsht, 100 herë do kishim mbajtur të njëjtin qëndrim.

Lidhur me deklaratat që Tahiri ka bërë për qëndrimet që ministri i Brendshëm ka mbajtur ndaj policisë dhe krimit, a keni ju një koment?

Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm pothuajse një mandat të plotë me mua dhe unë nuk i heq asnjë presje të gjithë atyre që kam thënë në kohën kur ai ishte ministër i Brendshëm, sepse kam mbështetur dhe vlerësuar punën e tij. Ashtu sikundër mbështes dhe vlerësoj punën e ministrit aktual të Brendshëm. Janë natyra të ndryshme, janë qasje të ndryshme, janë stile të ndryshme.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, njëkohësisht z.Berisha sot kanë artikuluar që në fakt Europa kërkon largimin tuaj, jo largimin e Saimir Tahirit. Si i komentoni ju këto deklarata?

Përfytyroni se në ç’mjerim do të ishte Europa nëse do të fliste për shqiptarët nëpërmjet Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. Por, ata nuk kanë asnjë lidhje me Europën në kuptimin e zëdhënies në emër të Europës dhe fatkeqësisht janë sot kundërshtarë të vendosur të rrugës sonë për të ecur më shpejt drejt Europës për të çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe kjo është një fatkeqësi e jona e përbashkët, por në këtë mes Europa s’ka asnjë lidhje. Patjetër ata thonë kaq dhe shumë më tepër se sa kaq dhe ajo që unë mund të them për ato që ata thonë, është Zoti i ndihmoftë ata që i dëgjojnë.

 Kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se kjo është një lojë që bëhet pas presionit që juve keni patur në Gjermani.

Unë në Gjermani nuk kam pasur asnjë presion. Në Gjermani në komisionin çështjeve europiane, unë thjesht i jam përgjigjur interesimit të një deputeti për këtë çështje duke dhënë edhe shpjegime bazuar në qëndrimin tonë që është publik këtu. Sa për lojën, lojë është t’i ikësh drejtësisë me raporte mjekësore siç ka bërë Lulzimi.

A është një sinjal për hapjen e negociatave gjesti i Tahirit?

Edi Rama: Hapja e negociatave nuk ka lidhje fare me këtë rast dhe leje më pastaj me këtë gjest. Hapja e negociatave është tani më një çështje politike. /tvklan.al/

Dorëheqja e Saimir Tahirit, flet Edi Rama: Akt dinjitoz, i pari në historinë e parlamentit shqiptar Read More »

Patozi flet për shpirtrat që ka trazuar dorëzimi i Saimir Tahirit, dhe iu uron rrugë të mbarë “peshkaqenëve”

Ish deputeti i PD, Astrit Patozi, në një reagim në rrjetet sociale, pasi ish ministri Saimir Tahiri hoqi dorë këte të enjte nga mandati i deputetit, thotë se tani, “ata që bëjnë prej kohësh gjumë të trazuar, për shkak se e dinë ç’kanë bërë, kanë një arsye më shumë të shikojnë ëndrra të keqija”.

Postimi i plotë i Astrit Patozi:

SHPIRTRAT QË MUND TË KETË TRAZUAR DORËZIMI I SAIMIR TAHIRIT

Nëse Saimir Tahiri paska qenë një peshk i vogël, siç po thuhet, atëherë rrugë të mbarë gjuetisë së “peshkaqenëve”, pavarësisht krahut që kanë zgjedhur për të qëndruar në oqeanin e zullumit!

Nuk ka fare rëndësi, nëse janë shefa apo kundërshtarë të tij. Cilado qoftë arsyeja e dorëzimit të tij tek drejtësia, ata që bëjnë prej kohësh gjumë të trazuar, për shkak se e dinë ç’kanë bërë, kanë një arsye më shumë të shikojnë ëndrra të keqija.

Të paktën nuk qëndron më alibia se mbrojtja e ish-ministrit me imunitet ishte një barrikadë e fortë për pandëshkueshmërinë. Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me atë që mund të thotë apo tregojë vetë Tahiri gjatë hetimit të tij.

Më tepër se kaq, është djegia e një etape tjetër në një proces me sa duket të pakthyeshëm, dhe me shumë gjasë ky është shkaku se pse po përvëlon kaq shumë. Është ai momenti, kur e ndjen se po të ngrihet niveli i ujit dhe ti e di që nuk mund të notosh, ngaqë t’i kanë lidhur duart.

Patozi flet për shpirtrat që ka trazuar dorëzimi i Saimir Tahirit, dhe iu uron rrugë të mbarë “peshkaqenëve” Read More »