Opinione

Shkodrani me 8 fëmijë mbeti në shtyllë duke lidhur dritat, “shpërthen” ish-kreu i PS: Ikni o popull nga ky qelbësirë vend

Vdekja e kryefamiljarit ne tentative per te lidhur energjine elektrike per familjen pasi OSHEE ja kishte nderprere si debitor, ka sjelle reagimin e ish kryekomunarit dhe kryetarit te PS Shale, Bal Vuksani.

Per kete gjendje ai ben pergjegjese klasen politike pa dallim qe ka thelluar varferine dhe rritur tek qytetaret pesimizmin.

Thirrja e tij shkon me tej ndersa ben thirrje qe zgjidhja eshte ikja nga vendi. Vuksani shkruan: Shteti qe “DUAM” i nderpret dritat familjes me 8 femije te mitun.

Me “qetesi dhe dashuri” per femijet e tije babai FRROK BREGU vdes ne korent. Rilindja do beje shtet ne dekadat e ardhshme. Deri atehere ikni o popull nga ky qelbesire vendi. Leni te jetojne vetem keta palo politikan. Qeveri + Opozite = VRASES. (mendimi im). /ShkodraNews

Shkodrani me 8 fëmijë mbeti në shtyllë duke lidhur dritat, “shpërthen” ish-kreu i PS: Ikni o popull nga ky qelbësirë vend Read More »

Tragjedia me gruan e gjykatësit, rrënqeth gazetarja: Vetingu u shpërbë, ka ardhur koha kur po hamë veten…

Bashkëshortja e gjykatësit nga Shkodra në Krimet e Rënda Dritan Hallunaj i dha sot fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i banesës ku jetonte në Tiranë.

37-vjeçarja Enkelejda Hallunaj mbeti e vdekur në vend. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, shkruan ShkodraNews. Gazetarja Anta Muçaku përmes një postimi në rrjete sociale ka rrënqethur me fjalët e saj lidhur me ngjarjen.

Ja reagimi i gazetares:

Pa dashur të gjykoj si “turmë” e pa dashur të tregohem e nxituar aq kohë sa nuk ka ende një shkak zyrtar për vetëvrasjen e bashkëshortes së gjyqtarit Halluni…
POR gjithmonë kam menduar se gratë e politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, e njerëzve të pushtetshëm në përgjithësi, jetojnë në një luftë të vazhdueshme.
Kostoja e të bërit kompromise me shumëçka, e të duruarit, e të përballuarit të presionit në emër të një “jetë më të mirë” ndonjëherë, është fatale.
Kur një grua, nuk arrin ta mbajë në jetë as fryti i barkut të saj, një vajzë 7-vjeçe, kjo do të thotë se ka arritur kulmi, s’ka më kthim.

Vettingu, drejtësia, luksi, paraja, familja… të gjitha shpërbëhen! Jemi në kohën kur njeriu që ha njeriun, po ha edhe vetveten! /ShkodraNews

Tragjedia me gruan e gjykatësit, rrënqeth gazetarja: Vetingu u shpërbë, ka ardhur koha kur po hamë veten… Read More »

FBI dhe organet ligjzbatuese shqiptare, “gjueti” ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që kanë pasur dosjet e rënda. Hetim “goglave” që binin vetëm në pak emra

Faza e dytë e verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të vijojë me hetimin e lidhjeve të tyre me njerëzit e krimit dhe politikanët e inkriminuar. Pastrimi i parave nga ish kryeprokurori Llalla tregoi skemën e funksionimit të përfitimeve që drejtësia merrte nga krimi e politika.
Faza e parë e Vettingut deri më tani ka përfshirë një pjesë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të kenë verifikim prioritar pasi janë dhe kandidatë për në komisionet e reformës në drejtësi dhe të Vettingut.

Por gjatë hetimit të dosjeve të njerëzve të drejtësisë që iu nënshtruan Vettingut, organet ligjzbatuese shqiptare por dhe organet ligjzbatuese të partnerëve tanë ndërkombëtarë, kryesisht FBI dhe ekspertët anglezë e gjermanë kanë vënë re një fakt të përsëritur.

Një grusht prokurorësh dhe gjyqtarësh kishin marrë në dorë për hetim dhe për gjykim të gjitha dosjet e rënda. Këtu nuk bëhej dallim, nëse kanë qënë dosje krimi të njerëzve të trafiqeve dhe të krimit apo dosje të politikës.

Rezultantja e këtij vëzhgimi nga ana e organeve ligjzbatuese partnere dhe ata shqiptare konkludonte në faktin se hetimi në prokurori i këtyre dosjeve i delegohej njerëzve më të besuar, duke përqëndruar në pak duar dosjet që sillnin lekë dhe mbështetje politike.

Ndërkohë që për gjykimin e këtyre dosjeve, gjithnjë shorti përmes “goglave” i binte një grushti gjyqtarësh, të cilët vendosnin për dënimin ose jo të këtyre shkelësve të ligjit. Bëhet fjalë por hetimin apo gjykimin e dosjeve të kriminelëve, trafikantëve dhe njerëzve të hurit dhe litarit, të cilët në një muaj lëviznin para aq sa ishte buxheti i shtetit për një vit.

Dhe hetimin e gjykimin e këtyre dosjeve e realizonin më të besuarit e kupolës së Prokurorisë dhe Gjykatës. Dënimi dihej për këta njerëz, maksimumi dënoheshin me kohën e paraburgimit. Ish kryeprokurori Adriatik Llalla e tregoi më së miri si veprohej me këta njerëz që kishin qënë para drejtësisë për krime të ndryshme dhe ishin liruar.

Llalla tashmë nën hetim penal për pastrim parash e tregoi më së miri si ka funksionuar skema, teksa vetë ai ka blerë lirë e shitur shtrenjtë toka e prona pikërisht përmes këtyre njerëzve të krimit.Po kështu dhe për dosjet e mëdha, si “Gërdeci”, “21 janari”, “Rruga e Kombit”, përgjimi i Ilir Metës apo afera CEZ-DIA, delegimi për hetim dhe shorti i “goglave” për këtë grusht prokurorësh dhe gjyqtarësh ka rënë.

Rezultati dihet, janë mbyllur dosjet e rënda ndërsa ata që i kanë mbyllur kanë përfituar benefice dhe mbështetje politike. FBI dhe organet ligjzbatuese këtë linjë po ndjekin për të evidentuar dhe nxjerrë faktin se prokurorë dhe gjyqtarë të caktuar kanë bashkëpunuar me njerëzit e inkriminuar për përfitime materiale por dhe politike.

Mbi bazën e këtyre gjetjeve, pritet të startojë dhe faza e dytë e verifikimit dhe pastrimit të të gjithë sistemnit të drejtësisë./Pamfleti

FBI dhe organet ligjzbatuese shqiptare, “gjueti” ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që kanë pasur dosjet e rënda. Hetim “goglave” që binin vetëm në pak emra Read More »

Edi po përdor ministrat, Iliri përdor gruan

Rama-Meta, betejë me bizneset e njeri-tjetrit, i “kuqi” e vonon me dekrete, “mavia” ia mbyll me urdhra
Dy “ujqërit” e pushtetit, që tashmë janë ndarë për “thela”, konkretisht Edi Rama duke mbajtur “territorirn” (qeverinë) e duke “gjuajtur” vetëm, ndërsa “i tredhuri” Ilir Meta, i struktur në strofullën e tij, nga po hakërrehet për të mbrojtur bizneset që ka ende në aktivitet, por dhe ato 5-6 copa “territore” (bashki) që i kanë mbetur, pas përzënies nga pushteti.

Mes tyre, ka mëse 2 vit qysh kur ishin bashkë në një “çanak”, që zhvillohet beteja për të shkatërruar njeri-tjetrin, por deri në tetor 2015 në heshtje, ndërsa tani po bëhet hapur. Edi po lufton duke përdorur pushtetin, ndërsa Iliri duke përdorur gruan si opozitare.

Nga këtë betejë, Ilir Meta po lufton, duke përdorur fuqinë e dekreteve, për t’i shtyrë ligjet qeverisë, ndërsa Edi Rama po lufton, duke urdhëruar ministrat, që t’i bllokojnë bizneset bosit të LSI.

Deri tani, Ilir Meta e ka bllokuar 3 herë Edi Ramën, 1 herë me votat në parlament për Shkollën e Magjistraturës dhe 2 herë, me mos dekretim e kthim në parlament, të ligjit për Teatrin dhe ligjit, mbi tatimin e fitimit në Lojrat e Fatit, duke i shtyrë biznesin e bixhozit e të kullave tek Teatri.

Ndërsa Edi Rama, deri tani i ka bllokuar Ilir Metës 13 gurore në malet e Skraparit, 4 linja inertesh (zhavorri e rere) përgjatë lumit “Osum”, 7 biznese shfrytëzim pylli për dru zjarri me nga 50-100 hektarë sipërfaqe në Berat, Skrapar e Bulqizë, duke i nxjerr jashtë loje, në emër të “rilindjes” së mjedisit me pyllëzim, të zhdukur nga guroret e Likes.

Sipas informacioneve, që vijnë nga matanë kufirit, nga ata që kanë në dorë “pastrimin” e Shqipërisë nga “plehrat” e derisotme politike, kjo betejë do të vazhdoj me sekuestro e pranga nga lartë poshtë, proces që bashkojë në një “kamping”, gjithë plaçkitësit, varfëruesit dhe shkatërruesit e këtij vendi…/Pamfleti

Edi po përdor ministrat, Iliri përdor gruan Read More »

Aurel Plasari: Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri

Nga Aurel Plasari

Kur bie shi dhe kur kam ngé shkruaj në FaceBook nga një rekomandim leximi, që të tjerëve u duket esé. ‘Ernst Fraenkel, Shteti i dyfishtë-Një kontribut në teorinë e diktaturës’, New York 2010 (Oxford University Press): është një vepër e hershme, e botuar për së pari më 1941 jashtë Gjermanisë, pikërisht kur regjimi nazist i Rajhut të Tretë ndodhej në pikun e vet.

Mirëpo ajo ribotohet dendur dhe në shumë gjuhë, sepse vlerësohet ndër referencat më të domosdoshme, si vepër që zbuloi dhe e shpalli sheshit se qysh lind e instalohet një diktaturë. Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim-gabimisht-se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e ‘fitores’ së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj.

Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese.

Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.

Ta lexosh sot ‘Shtetin e dyfishtë’ të Fraenkel-it i bie të jesh lexues me fat posa që ngjarjet në ndodhje e sipër në ‘Turqinë mike’ dhe në Rumaninë ‘romantike’ të japin dorë si një ilustrim me ngjyra i një deformimi të ngjashëm me atë që përshkruhet te ‘Shteti i dyfishtë’.

Madje shejnitë e kufizimit të lirive kushtetuese dallohen sot aty-këtu edhe në vende të cilësuara si demokratike të Bashkimit Europian me shkasin e mbrojtjes së shtetasve nga “rreziqe potenciale”, si për shembull terrorizmi. Sepse gjithnjë duhet gjetur një shkas. Si e thoshte Don Kishoti i Nolit? “Do të të çkallmonj, veç sa të gjenj një sebep…”.

Fraenkel-i ballafaqon në veprën e tij dy entitete shtetërore: një Shtet normativ (Normenstaat), i mbështetur në kushtetutën e vendit dhe legjislacionin përkatës, dhe një shtet paralel që e ka quajtur ‘Maßnahmenstaat’, i cili mbetet në politologji koncept i tiji origjinal. Duke qenë term i ri dhe jo i lehtë për t’u përkthyer, anglishtja e ka dhënë me ‘Prerogative State’, frëngjishtja me ‘État discrétionnaire’, italishtja me ‘Stato discrezionale’.

Shqip mund të thuhej ‘Shtet i masave të veçanta’, ‘Shtet i masave të jashtëzakonshme’ ose thjesht ‘Shtet i masëmarrjes’. Janë partitë në pushtet ato që synojnë ta prodhojnë një shtet të tillë paralel brenda shtetit kushtetues. Dhe shtetasit, kur u ndodh tjetërsimi ndaj shtetit, që do të thotë kur shteti u duket si diçka e dhënë ‘nga lart’, që nuk e kanë krijuar ata vetë për t’u shërbyer po atyre vetë, u shpëton fakti që shteti si krijim historik nuk ka qenë dhe nuk është dhe as mund të jetë produkt i partive. Kreu “Partia si instrument i shtetit të masave të jashtëzakonshme” në librin e Fraenkel-it përbën njërin nga krerët më të kuptueshëm për lexues si tanët.

Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si ‘Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese’, më sak të emërtuar ‘Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit’ i 28 shkurtit 1933. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut-pra me t’u gjetur shkasi-dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit.

Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i ‘shtetit të masave të jashtëzakonshme’: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë ‘armiq’ të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike.

Nëpërmjet kësaj teknike ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’ zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin ‘armiq’ në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si ‘armiq të regjimit’.

Si të tillë, ‘armiqtë e regjimit’ do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe ‘sovraniteti popullor’ kishte mbetur një fjalë goje.

Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojtur shtetin normativ. Të tjerë u lavirën duke u treguar të paqëndrueshëm. E shumta rezultuan të pakurajë, e mbyllën gojën me würstel dhe e shuan etjen me birrë të zezë. Ndoshta edhe u kërcënuan e shantazhuan, afërmendsh me forma të asaj kohe, ngaqë asomoti sms-të nuk ekzistonin.

Se në ç’katastrofë historike e shpuri popullin gjerman kjo dyfishësi shtetërore, kur ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’ ia doli ta nëpërkëmbte shtetin normativ, kjo po dihet. Gjermanët, që shfajësohen se e pësuan duke u zënë në befasi, e meritojnë t’ua kujtosh thënien e njohur të ustallarëve të materializmit historik të përsëritur për sa të tjerë: kombit dhe gruas nuk u falet çasti i dobësisë kur edhe aventurieri i parë mund t’i vërë poshtë e t’i përdhunojë.

Nëse në Shqipëri ndiqet me interes gjithë sa ndodh në Turqi mbas të quajturit grusht shteti të përdorur për shkas,-si thoshte Don Kishoti i Nolit për sebepin?-ose gjithë sa zhvillohet prej dy javësh në Rumani, ky interes vetëm në dukje i tepruar kot i shqetëson disa shkrues portalesh. Interesi i mirëfilltë nuk ka të bëjë me të qenit ‘vëllezër’ ose ‘jovëllezër’ me turqit e sotëm, as me simpatinë e posaçme për ‘revolucionarët’ rumunë që rrëzuan diktaturën më 1989.

Sentimente të tilla, edhe në ekzistojnë, nuk janë jetike për qytetarët shqiptarë, ky është thelbi. Zhvillimet turke, si dhe ato rumune kanë të bëjnë me dhunimin e lirive kushtetuese dhe deformimin sulltanor të shtetit normativ: ato ndiqen me vëmendje ashtu siç ndiqet një fantazmë që të vjen rrotull dhe që një ditë prej ditësh rrezikon të të çatisë edhe ty brenda në shtëpi. Ja: prej Ernst Fraenkel-it mund të mësohet tanimë që kjo fantazmë është pikërisht ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’.

Zgjatja më tej me ndonjë kapicë shembujsh aktualizues– ata po bëhen tanimë anekdotikë në Shqipërinë e ‘vettingut’-nuk do të kishte kuptim përderisa ky këtu nuk është veçse një rekomandim leximi për librin e politologut Ernst Fraenkel: ‘The Dual State: A Contribution to the Theory of Dictatorship’, New York 2010 (Oxford University Press).

Dhe leximi dihet që është çështje lirie individuale: si e lexoj unë nuk e lexon ti. Me interes është që tekste të tilla të mos mbeten pa u lexuar, pa le të lexohen edhe ndryshe. Vetë e rekomandoj me besimin se për shqiptarët ‘shteti i masave të jashtëzakonshme’-në kuptimin Maßnahmenstaat të z. Fraenkel – nuk ka sesi të jetë e ardhmja: ai është e shkruara që e shumta jonë e kemi përjetuar njëherë dhe që është refuzuar duke ia kthyer shpinën. Sa për ata që nuk parapëlqejnë të lexojnë, edhe ata janë në të drejtën e tyre: aty e kanë gotën e birrës dhe le të hanë würstel-in./faktor .al

Aurel Plasari: Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri Read More »

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE / Nga Arben Abazaj

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE

Dy gjera gjen ne Shqiperi qe e bejne ate te vecante e unike! Bukurine e natyres se saj dhe shemtine e krimit!
Natyra ne kete vend shpalos perkryerjen e nje harmonizimi spektakolar te malit, kodres, fushes, lumit, liqenit, detit, lugines, lagunes, flores se pafundme e faunes aq te vecante e shumellojshme!
Ketu Dielli lind me nje rrezellim te argjend e perendon i florinjt, e gjate kesaj udhe dhuron spektakle drite me shkelqimin e tij, me pasqyrimet e tij aq te bukura e aq shprehese sa asnje lloj arti nuk do mundej ta rrokte ne gjithe mrekulline e spektaklit qe jep thuajse pjesen me te madhe te diteve te vitit!
Ketu Hena lind vec per poete e te dashuruar, duke e bere naten diten e dashurise, kot s’thoshte Naimi : “Nate atje eshte tjater nate,edhe dita tjater dite!”
Ketu ne kete vend majat e maleve pershendesin Zotat lart ne qiej e lumenjt si me nje marsh triumfi luajne pjeset me te bukura te lavdise se natyres!
Ketu deti, thinjoshi qe edhe ne terbim qesh, duket se i ka dhene bucimen e vet historise se ketij vendi!
Ketu zor se ka nje vend ku natyra ta kete braktisur, veshtire se gjen nje vend ku te mos falenderosh Zotin per kujdesin qe ka patur duke u marre edhe me detajin e nje petali luleje apo nje cicerime zogu! Gjithshka perfekte gjithshka frymezuese!

Si per inat te kesaj natyre, ne njerezit perbejme anen negative te ketij kompleksi bashkjetese natyre – njeri!
Njerezit ketu jane “gjeni” ne fantazine e tyre per krime! Ketu gjen cdo lloj krimi te cdo natyre e permase, pa dallim moshe, gjinie e statusi shoqeror!
Ketu vrasesin e ke deputet e te pabuke.
Ketu hajdutin e ke kryeminister e lypsar,
Ketu mashtruesin e ke politikan e te papune,
Ketu vesin e ke menyre jetese e mizerjen shtepine e parajses per njerezit e vesit!
Ketu njeriu eshte kanibal per njeriun e kete e ka per mburrje e zotesi!
Ketu ne kete vend si per inat te mrekullive te natyres shemtia njerezore synon cdo dite e me teper te jap spektakle makabriteti!
Ky vend eshte sa i bekuar aq i mallkuar, i bekuar nga Zoti e i mallkuar nga robi.
Nga ai rob qe jeton me krimin e dy here me i mallkuar nga ai robi tjeter qe i behet rrogoz krimit edhe duke qendruar indiferent!/Arben Abazaj

MAGJIA DHE MALLKIMI I SHQIPERISE / Nga Arben Abazaj Read More »

Çamëri , ti je gjaku që s’falet

Shkruan: Brilant GASHI

Ti je zemra e të gjithë Shqipërisë etnike , ti je një gjakë shqiptar , që kurrë nuk mund të falet nga askush , ti je vet populli ynë i copëtuar shqiptar , ti je një pjesë e pandarë e jona .

Mund të më tregosh se cili shqiptar nuk t’a di dhimbjen tënde ? Ai që nuk t’a di dhimbjen tënde është vetëm një injorant dhe asgjë më shumë , sepse dhimbja jote nuk mund të shlyhet nga historia jonë . Kjo është dhimbje , që akoma nuk njihet nga shqiptarët , por disa shqiptar e dijnë këtë histori të dhimbshme të kësaj pjese të madhe shqiptare .

Një gjysmëshekull , ke kaluar një dhimbje të madhe e cila nuk mund të përshkruhet as me fjalët më të mëdhaja . Jemi përballuar dhëmbë me dhëmbë me armikun tonë .
Gjatë një gjysmëshekulli të plotë , në këtë tokë binte shi i kuq , shi që binte nga gjaku i gjithë atyre trimave që ranë për lirinë e Çamërisë nga krimet makabre të andartëve grekë .

Nuk mund të përshkruhet kjo dhimbje . Lotët e shqiptarëve pikojnë për këtë tokë që padrejtësisht na e ndanë fuqitë e mëdha . Pas ndarjes së tokave tona , Europa i vendosi në treg këto toka për t’i shitur . Greqia e mori tokën e bukur të Çamërisë dhe popullsinë e saj e spastroi etnikisht dhe gjithashtu e shprënguli me të gjitha mjetet më të mira që mund të egzistonin në atë kohë .

Mjet i mirë padyshim se ishte edhe Traktati i Laussanes për shprënguljen e popullsive greko-turke . Ky traktat kishte për qëllim që Grekët e Turqisë të vinin në Greqi kurse myslimanët çamë (të etiketuar si turq) të shprënguleshin me të madhe . Nga kjo , edhe plaga shqiptare u hap edhe më shumë . Kjo plagë ishte e tmerrshme dhe të dhemb sa herë që e kujton !

Kjo plagë nuk do të mbyllej ende deri në vitet e errëta të Luftës së II-të Botërore , ku do të masakroheshin me mijëra shqiptar të pafajshëm nga gjak-pirësi me origjinë shqiptare Napoleon Zervas . Të gjitha këto masakra ishin të nxitura nga Kisha greke .

Por ajo që unë nuk mund t’a pranoj është se drejtësia në këtë shekull mungon për ne shqiptarët , por edhe fajin e kemi vet ne : Që nuk e kërkojmë drejtësinë të cilën ne e meritojmë si popull i traditave dhe i kulturës . Medet për këtë komb që quhet shqiptar !

Masakrat më 27 qershor 1944 , nuk paskan zgjuar interesim të madh tek politika ndërkombëtare dhe për popujt e vegjël si ne nuk janë munduar që t’i hapnin sytë për të parë më qartë barbaritë e mëdha greke . Zoti im , jepi mend këtij populli , të lutem , të përgjërohem sa më shumë ! Fale këtë popull .

Këto ishin fjalët e fundit të gjeneralit gjak-pirës Napoleon Zervas para se të ikte për në ferr :
“Po vdes i lumtur dhe i qetë , e bëra atë që doja . Lashë mbrapa tym e rrëke gjaku , gërmadha , blozë , ulërima fëmijësh , nuse e gra të zhveshura që i kallëm në furrat e ndezura për të mos lindur kurrë më shqiptarë të rinj ! Pastaj lashë mbrapa burra të shpuar me bajoneta , trashëgova shumë gjëra të mira për grekët , bëra që gjuha shqipe të mos flitet më në tokën helene ! Pra , kjo më kënaq mua ashtu siç kënaq çdo shpirt greku!” .

Në vitin 1924 , Musa Demi kishte dërguar një letër Mit’hat Frashërit , një letër të madhe dhe shumë brengosëse ku shkruan :
“Neve po na hiqen pronat , po torturohemi dhe po persekutohemi nga qeveria greke dhe nuk kemi asnjë mbrojtje nga askush!” .

Po në të vërtet , ne kurrë nuk e kemi pasur përkrahjen e askujt sepse nuk i ka interesuar askujt nëse ne egzistojmë apo jo . Çamëri , nëse je gjallë atëherë duhet të të tregojmë se ne do të jemi përherë me ty , si në luftë dhe si në paqe . Edhe nëse politikanët tanë flenë , ne do të jemi me ty !

Ky holokaust do të pranohet nga bota . Të jesh e bindur për këtë nënë Çamëri !

Çamëri , ti je gjaku që s’falet Read More »

Vettingu “merr” edhe Gjykatën e Lartë, Mustafaj: Vendi pa nivelin e tretë të gjykimit, dramatike (Video)

Dramatike e ka cilësuar situatën me sistemin gjyqësor në vend, publicisti Besnik Mustafaj, teksa ka komentuar shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë në kuadër të procesit të vettingut. Në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News24”, ai tha se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi të gjithë aktorët politikë, dhe jo vetëm, që ndërmorën reformën në drejtësi, pa marrë parasysh se mund të gjendeshin në kushte të tilla.

Sakaq, ai ka komentuar edhe zërat se kjo situatë ku ndodhet tashmë sistemi i drejtësisë, “është strategji e Ramës për të marrë nën kontroll gjyqësorin”.

“Është dramatike situata që vendi është pa nivelin e tretë të gjykimit. Sot një shqiptar nuk ka mundësinë e apelimit të një çështje. Kjo është përgjegjësi e të gjithë atyre që ndërmorën këtë reformë, klasës politike, që nuk e morën parasysh një situatë të tillë. Është shumë e rëndë që vendi të mos e ketë Gjykatën e Lartë, pra nivelin e tretë të gjykimit. Ka zëra, kritizerë, që kjo ka qenë e parashikuar nga Rama, në mënyrë që të bllokojë çështjet që mund të shkonin në Strasburg, kjo pasi një çështje nuk mund të shkojë atje nëse nuk ka kaluar të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor në vend. Sipas këtyre akuzave, kjo është strategji e Ramës për të marrë nën kontroll gjyqësorin”, u shpreh Mustafaj.

Publicisti thotë se pas verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe shkarkimit të tyre në rastet kur ka shkelje, duhet të vijohet edhe me pjesën tjetër të procesit, pra zëvendësimin e tyre, për të mos krijuar ngërç në institucionet e drejtësisë.

“Ata që e mbështetin reformën në drejtësi, thonë se po funksionon. Kjo sepse reforma ka mbetur vetëm në fazën e shkartisjes, shkarkimeve, ndërkohë që duhet edhe ana tjetër, pra zëvendësimi i tyre. Kjo reformë ka një vit që ka filluar dhe janë verifikuar më pak se 1/5 apo 1/6 e anëtarëve të gjykatave, dhe me këto ritme do zgjasë me vite procesi. Besoj se duhet të gjendet një mekanizëm për të ecur më shpejt. Nuk e di si i zë gjumi këta politikanë, kur situata me sistemin gjyqësor në vendin tonë, është e tillë”, u shpreh ai.

Duke ngritur shqetësimin për situatën në gjyqësor, Mustafaj thotë se do të ishte tejet kritik momenti nëse vendi ynë do të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme politike apo të sigurisë kombëtare, ku duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.

“Magjistratura do të thotë se do ketë studentë që do përfundojnë për dy vite. Padyshim që ky ligj duhet të ishte miratuar, por ne sot kemi imediate krijimin e të gjitha hallkave të sistemit. Nëse nesër Shqipëria gjendet në një situatë të jashtëzakonshme politike apo të sigurisë kombëtare ku duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese, si do t’ia bëjmë? Kjo nuk është në logjikën normale të atyre që bëjnë shtet”, u shpreh publicisti Besnik Mustafaj.

(BalkanWeb)

Vettingu “merr” edhe Gjykatën e Lartë, Mustafaj: Vendi pa nivelin e tretë të gjykimit, dramatike (Video) Read More »