Opinione

“BYTHLËVIZURIT” ( Për të gjithë ata që nuk kanë by.. )

“BYTHLËVIZURIT”
( Për të gjithë ata që nuk kanë bythë )

U mundova të gjeja një titull pak më etik dhe më komod. Dhashë e mora, po për çudi nuk më vinte ndërmend asnjë titull tjetër, sepse nuk e kam për zakon të përdor fjalë të tilla, por të më falë lexuesi.
Është fjala për ata lloj njerëzish që nuk gjejnë qetësi në një vend dhe eksplorojnë të gjejnë një vend më të rehatshëm dhe më komod dhe që vuajnë për grada, spaleta e lëvdata. Ndoshta njerëz të tillë mund të jenë bërë pishmend edhe pse kanë lindur. Nejse, kështu e kanë njerëzit, kërkojnë të gjejnë më të mirën. Por që të gjesh më të mirën, asnjëherë nuk duhet të priresh nga një njohje empirike. Jo, se zhgënjehesh, nuk është ky problem i vetëm, por kur nuk njeh veten është akoma më keq. Mos i shiko gunën një njeriu, po shikoji punën. Dhe kjo thënie popullore është mbështetur në përvojën e popullit, ndaj dhe ka dalë si shprehje. E njeh ti atë që rend pas tij, apo ecën symbyllazi dhe lajkosesh pas fjalëve dhe spaletave që të mbërthejnë mbi supe. Një këngë e bukur e brilantit Lefter Çipa, në disa prej vargjeve të tij, thotë:
“Edhe rrushi që të piqet,
kërkon një behar të tërë”…
Këta lloj njerëzish lëvizin nga një vend në tjetrin, ose siç thotë populli, “hu më hu”, por duhet patur kujdes, se në finish mund të të mbetet huri në vend të lig dhe nuk do kesh mundësi të çlirohesh prej tij.
Këta lloj njerëzish hyjnë tamam në kategorinë e të “bythlëvizurve”, vuajnë nga deliri i madhështisë dhe për t’u dukur vijnë vërdallë nëpër tub, sikur bëjnë striptizëm. E njeh veten?… E di sa e ke hapin?… Mos u mat me hijen e mëngjesit!… Sa i mençur është populli ynë me këto shprehje të bukura!
Kur nuk di di nga t’ia mbash, do të vijë ndërmend ajo shprehja tjetër popullore:
“ O Gjolekë dhatë-dhatë,
prapë në bythën time ratë”
Ndoshta atëhere do të jetë vonë. “ Kur vijnë mendtë, s’i hanë as qentë”, – thotë një shprehje popullore. Dyert do të jenë mbyllur e ti mbetesh jashtë…, ndaj mos e lëviz bythën, qëndro në një vend dhe ngule bythën mirë. Në ke bythë…?!/kozma Billa

“BYTHLËVIZURIT” ( Për të gjithë ata që nuk kanë by.. ) Read More »

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë

Shqiptarët që lexojnë Shekspirin – njoh nja katër a pesë -, prej disa javësh e kanë patur të pamundur për të mos sjellë e risjellë në mendje monologun e famshëm të Hamletit To be or not to be, that is the question.

Për ta çështja që shtrohej ishte: A do të jetë Shqipëria një mbretëri e pavarur, apo serbi a greku, pavarësisht nga përpjekjet e Vienës apo Konsultës [Italisë] do të vërsulen për të copëtuar territorin e saj?

Por, së pari, ç’është në të vërtetë Shqipëria? Pyetje e çuditshme, të themi. Por jo dhe aq sepse, megjithëqë hasen shqiptarë kudo në Ballkan, nga perëndimi i Vardarit gjer në rrethinat e Athinës dhe në pjesën veriore të Peloponezit drejt Kanalit të Korinthit, Megarës dhe ishujve, ku që prej tre shekujsh ata përbëjnë bazën e popullsisë, prapë është tepër e vështirë të përcaktohen teorikisht kufijtë e një vendi që do të mbante emrin Shqipëri.

Me përjashtim të kohës së Skënderbeut, shqiptarit Gjergj Kastrioti i Krujës, që luftoi si hero epopesh kundër turqve të Muratit, nuk ka patur kurrë mbretëri shqiptare. Dy a tre vjet pas vdekjes së tij, që ndodhi në Lezhë më 1466 [1468], trupat turke rinisën pushtimet e tyre.

Po ashtu, sa më thellë të futemi në histori, do hasim shqiptarët. Janë banorët më të hershëm të gadishullit dhe dorët, që pushtuan Greqinë në shekullin XII [p.e.s.] duke i dhënë fund qytetërimit kretë me themelimin e fuqisë së Spartës, ishin, brenda të gjitha gjasave, një fis shqiptar zbarkuar nga Epiri drejt Jugut. Mbreti Pirro ishte shqiptar. Dijetari Momsen i përafron me pellazgët dhe me fiset italoste. Në atë kohë të largët, ata mbushnin krejt Maqedoninë.

Dhe maqedonët, që shtinë në dorë, me Aleksandrin në krye, Greqinë e Jugut, Egjiptin dhe Azinë, për aq sa njihej kjo e fundit, ishin pasardhësit e tyre.

Por, mjaft t’i thuash një heleni, as më shumë e as më pak që “Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë”, e veç kur do ta shohësh të iki nga mendja apo të arrijë kulmin e shovinizmit.

Një mbrëmje, kur isha në Apirantos për ekskursion, i lodhur pas një marshimi tërë ditën nën diell dhe nëpër dhiare, apo në shtigje mushkash, me potinat që m’u bënë copë, pyeta një naksiot: “Ishulli juaj është i banuar që prej tremijë e pesëqind vjetësh, apo jo? – Oh, ma ktheu, shumë më tepër!

Naksiotët janë bij të pellazgëve, të atyre pellazgëve hyjnorë, siç thotë Homeri. – Bukur, thashë, po si shpjegohet atëhere që, pas kaq e kaq shekujsh, ju ende nuk keni ndërtuar në ishull as edhe një rrugë të vetme?” Më nguli ca sy të çuditshëm, por jo gjatë, për të më thënë: “Po ne këtu s’jemi në Europë dhe s’kemi nevojë për rrugë!”

Kurse tek shqiptarët, ca më keq akoma. Që prej katër mijë vjetësh a më shumë, ata flasin gjuhën e tyre dhe ende nuk e shkruajnë atë.

Shqiptari kurrë nuk ka shkruar dhe kurrë nuk ka patur një libër të tij, si fshatari grek apo muzhiku sllav. Nuk po flas për libra modernë botuar nga propaganda italiane, greke, madje edhe turke me synim politik.

Folkloristë të Athinës dhe Epirit kanë botuar me germa greke këngë shqipe dhe rrëfenja popullore. Por alfabeti grek i përdorur në shqip është i pamjaftueshëm sepse i mungojnë dy a tre germa, j dhe v, për shembull. E njëjta vërejtje vlen edhe për turqit në përpjekjet e tyre.

Po e njëjta vërejtje dhe për librat shqip të shtypur me germa latine. Shqiptarë të greqizuar, që flisnin me lehtësi pothuaj të barabartë frëngjisht, greqisht e shqip, si lexuan një faqe të një broshure shtypur në Siçili, më thanë: “E kuptojmë si gjuhë, si të kuptonim greqisht me germa franceze.

Për ne është një ortografi artificiale dhe shumë nuanca të shqiptimit shqip nuk jepen. Por librat shqipe që përdorin germat greke janë shumë më të vështira për t’u kuptuar”.

Dhe kësaj mungese të një alfabeti praktik shqip i duhet shtuar dëmtimi i kësaj gjuhe gjatë tridhjetë shekujsh nga ndërhyrje dukurish të tilla që e ndryshojnë pa kuptuar fonetikën, si dhe nga prurja e vazhdueshme e fjalëve greke, turke, serbe, italiane apo nga të gjithë popujt me të cilët shqiptarët kanë qenë në lidhje.

Nga Shkodra në Himarë, gjuha vjen e ndryshon, ose të paktën në drejtim të prapashtesave dhe të shqiptimit, sepse Himara pothuaj është greqizuar. Po kush do të jetë gjuha e vërtetë? Ja pra vështirësitë për ortografinë. Dhe vetë kjo fjalë, “ortografi”, a është shqip? Shohim kështu të kapen pas njëri-tjetrit filologë, gjuhëtarë dhe gramatikanë.

E megjithatë, gjuha shqipe ekziston, e pasur me poezi shpërthyese, me përralla gjithë fantazi, me këngë djepi gjithë ngrohtësi, me këngë vaji, satirike a humoristike, si në llojin e pastishit të famshëm të Prosper Merimesë, apo me këngë dashurie e luftarake, që kujtimet e çmuara i kanë regjistruar prej shekujsh të paprekura në kujtesën e këtyre fshatarëve dhe malësorëve kaçakë që kurrë nuk kanë shkruar a lexuar një rresht të gjuhës së tyre. Ja pse ekziston nje Shqipëri.

Por këtë, nuk duhet t’ua kërkosh as grekëve që, ashtu si serbët e reduktojnë në një shirit toke midis liqenit të Ohrit dhe detit Adriatik, as diplomatëve të Romës apo të Vienës, që kanë arsyet e tyre për ta zgjeruar sa më shumë.

Më treguan një hartë austriake ku fjala “albanien” fillon në zemër të Malit të Zi, kur ky vetë aq i ngushtuar, dhe përfundon në det, më poshtë se ishulli i Korfuzit. Me një fjalë, krejt bregu nga gjiri i Kotorrit në gjirin e Artës.

Ç’përfitim për Austrinë sikur sulltani të kishte njohur me një marrëveshje të fshehtë protektoratin e saj në tërë këtë breg mbi treqind kilometra të gjatë!
Shqiptarët e idesë së madhe, sepse ka gjithashtu një ide të madhe shqiptare nuk do të guxonin të pretendonin aq shumë.

Shqipëria e madhe për ta është një territor i kufizuar nga një vijë shumë e çrregullt, me pikënisje Artën e Epirit, për t’u ngjitur në drejtim të Manastirit, pastaj drejt Shkupit, Gjakovës, dhe që andej drejt Shkodrës, kryeqyteti i tyre i vërtetë.

Dhe pretendimet e tyre mbështeten mbi një arsyetim shumë të habitshëm: “Gjithë vendi ku flitet shqip, është i yni, më thotë G., një shqiptar himariot.

Në fakt, gjuha jonë, si më e vjetra, përherë e më shumë është prapsur nga gjuhët e reja, duke i lënë vendin greqishtes ose serbishtes.

Nuk po flas për turqishten, ndaj së cilës është e kollajtë për t’u mbrojtur. E megjithatë, në Artë e në Janinë, madje edhe në perëndim të Manastirit e në Shkup flitet në radhë të parë shqip…”, thotë G., dhe këtu kuptohet përfundimi.

Nisur nga ky arsyetim, unë mund edhe t’i përgjigjesha: “Dafni, dhjetë kilometra larg Athinës, Menidhi, Eleusias [Elefsina] dhe ishujt më grekë nga vetë Athina, Salamina, Egineja dhe Porosi, ku vdiq Demosteni, qenkan ahere shqiptare”. Po a ia vlente? Më mirë të dëgjoja. Sepse të paktën, kështu mëson diçka.

Një tjetër, me mendim më të moderuar, që kërkon thjesht Shqipërinë, dhe jo Shqipërinë e madhe, përshkon me gisht një vijë mbi hartë.

“Shqipëria, thotë ai, kufizohet nga një vijë që do duhej të nisej nga pika më veriore e liqenit të Shkodrës, drejt Prizrenit, dhe që andej drejt Shkupit, dhe nga Shkupi shqiptar, duke lënë në të djathtë Manastirin, do t’i binte qark nga Jugu dy liqeneve të Ohrit e të Prespës gjer në jug të Haxhii-Sarandës përmbi detin Adriatik [Jon]. “

Po mua nuk më takonte në këtë mes të flisja, për më tepër që, për mendimin tim të ndrojtur, vetë Shqipëria nuk e di ku ndodhet me saktësi brenda kufijëve të saj, ndonëse ekzistenca e saj është mëse e sigurt.

Veçse është për të ardhur keq për paqen europiane dhe për zhvillimin industrial e tregtar të popujve të vegjël ballkanikë që Austria, e mbështetur nga ambiciet e pashpallura të aleates së saj, megalomanes Itali, dhe nga bajonetat gjermane mbron dhe nxit pretendime të tilla.

Që pas sukseseve të tyre të para dhe para se Austria ta shpallte tabu bregdetin adriatik, aleatët, për fat të keq, zunë e hallakateshin përherë e më shumë. Dhe, së bashku me ta, edhe ne.

Malazezët merrnin vijën Alesio [Lezhë] – Skutari – Gjakovë, serbët vijën Shkup – Prilep – Durrës dhe grekët vijën Manastir – Vlorë. Shqipëria vazhdonte të ekzistonte me Elbasanin dhe fushën e tij të pasur vaditur nga Genusosi [Shkumbini], me Beratin, apo me Beogradin e arnautëve, aq shumë e tkurrur.

Dhe ja ku Shqipëria shpall sot pavarësinë e saj dhe Austria ua ndalon serbëve dorën mbi Durrësin, dhe Italia, nga ana tjetër, grekëve mbi Vlorën. Të plotëfuqishmit e Londrës do kenë kështu një problem të koklavitur për t’u zgjidhur.

Si përfundim, Shqipëria ekziston në perëndim të Ballkanit. Është më e lashtë nga vetë Europa dhe prapë s’ka histori të vetën [si Shqipëri me kufij të përcaktuar]; ka gjuhë, po s’ka alfabet; ka kufij gjeografikë që e shfaqin territorin e saj sipas oreksit të palëve: ose sa një Mal i Zi, ose sa një Greqi. Dhe prapë, në disfavorin e saj.

Po me vete, ajo ka Austrinë e fuqishme që e lakmon për të mbajtur Adriatikun, dhe Italinë që e dëshiron me të madhe për të mbajtur nën kontroll edhe flotën austriake. Sigurisht që është shumë nga ana e tyre.

Ne francezët, për qetësinë e Europës, për përparimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të gadishullit, dhe në interesin e vetë katolicizmit – dhe këtu e kam fjalën për Serbinë – ne duhet të urojmë një Shqipëri të vogël, por zotëruese të vetvetes, të mbrojtur dhe të siguruar ndaj tekave të politikës midis një Serbie tepër të zgjeruar dhe një Hellade të fortë e të lulëzuar./njekomb

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë Read More »

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior

Akademiku Rexhep Qosja është përfshirë në debatin që po zhvillohet së fundmi për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku i ka dhënë mbështetje presidentit Thaçi.

Në një shkrim për dritare.net Qosja i ka arsyetuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe ka kritikuar ata që kanë dalë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve.

“Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata qe kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë menyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimii territoreve dhe korrigjimii kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës”, ka thënë Qosja.

Ai ka thënë se togëfjalëshin Ndarje e Kosovës nuk e kanë përmendur ata që po akuzohen (Thaçi), por po i vardisen akuzuesit (Ndarjes së Kosovës), duke përmendur disa arsye sipas tij, pse po i bëjnë këto akuza (ndaj Thaçit).

“Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcakojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kluarën e tyre të derivonshme”.

Qosja ka thënë se këta akuzues nuk i merr seriozisht, sepse mendimet e tyre të dikurshme i kanë ndryshuar pas çlirimit të Kosovës.

“Për të gjitha këto arsye pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht. Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat cështë e vërteta i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetëveten e dikurshëm”.

Por, Qosja ka thënë se merr seriozisht përbërjen e delegacionit që po e përfaqëson Kosovën në bisedime ku sipas tij “mbizotërojnë diletantët”.

“Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përtashme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngriten në ato bisedime. Por në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën”.

Akademiku ndër të tjera ka thënë se “faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës”.

Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit, sipas Qosjes duhet ta dinë se “deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën”.

“Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale ( si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”, përfundon shkrimin e tij Rexhep Qosja./Telegrafi/

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior Read More »

NATO fuqi e botës, dha 50 milionë për Bazën e Kuçovës, qeveria jonë “pa brekë në b*th”, dhuroi 160 milionë euro për “Çekapin” e Vilmës

Koncesionet fantazma në shëndetësi janë 500 milionë euro, ose sa 10 Baza Ushtarake të NATO-s, si e Kuçovës

Me ndërtimin dhe krijimin e Bazës Ajrore Ushtarake të NATO-s në Kuçovë, u dha sinjali i qartë, se SHBA dhe Perëndimi kanë kthyer sytë seriozisht e përfundimisht nga Shqipëria, për ta ndryshuar këtë vend të leckosur, 45 vjet të mbajtur peng nga komunizmi dhe 27 vjet, të shkatërruar e plaçiktur barbarisht, nga bandat e korruptuara e të kriminalizuara politike-shtetërore të pluralizmit, fatkeqësisht ende në krye të shtetit, drejtësisë, ekonomisë, pushtetit e politikës.
Për të provuar që kapot e pushteteve politike në Shqipëri, janë koka e korrupsionit, mjafton të krahasojmë dy fakte financiare, që janë aktuale e në veprim, njeri i studiuar prej 15 vitesh dhe miratuar para pak ditësh në Shtabin e NATO-s, ndërsa tjetri i sajuar dhe vulosur brenda 15 minutash, në zyrën e “shtabit” të qeverisjes “rilindja” në Shqipëri, mes të cilëve ka një dallim absurd e skandal të madh financiar.

NATO, për ndërtimin në Kuçovë, të Bazës Ushtarake Ajrore për gjithë Ballkanin, ka akorduar një fond financiar koncesionar, me vlerë 50 milionë euro dhe këtë “çek”, që NATO e konsideron të fuqishëm, do ta lëvrojë me dy “këste”, investim që kryeministri Rama e promovoi me shumë lumturi, si “lajm i madh”, duke cituar disa herë fondin 50 milionë euro.

Qeveria “rilindja”, të cilës prej 3 vitesh nuk i japin më as lekë borxh për ilaçet e spitaleve dhe librat e shkollës, pas marrjes së pushtetit me votën “1 milionë shuplaka anti-korrupsion”, shpiku një koncesion 10-vjeçar në shëndetësi, të quajtur “Çeck-up”, me vlerë 110 milionë euro, të cilin ia dha 100% në “një dorë”, mikeshës dhe ortakes së tij Vilma Nushit e pas 1 viti, duke i shtuar edhe nga 5 milionë euro për çdo vit, me marifetin e zgjerimit të moshës së kontrollit mjekësor.

Si është e mundur, që NATO e cila është supërfuqia ekonomike-ushtarake e Botës, mendohet 15 vite, për të hedhur 50 milionë euro investim konkret, ndërsa qeveria shqiptare që është “pa brekë në b*thë”, për 15 minuta jep koncesion fantazmë, me vlerë 160 milionë euro?!

Pa llogaritur koncesionin 80 milionë USD të Hemodializës, dhënë Klodjan Allajbeut nëpërmjet qoftexheshës nga Berati, koncesionin 100 milionë USD të Sterilizimit të Pajisjeve Mjekësore, Koncesionin e Protezave Ortopedike, të Laboratorëve e të tjerë, me vlerë totale 500 milionë euro koncesione vetëm në mjekësi, ose sa vlera e 10 Bazave Ushtarake të NATO-a, si ajo që do të ndërtohet në Kuçovë?!/Pamfleti

NATO fuqi e botës, dha 50 milionë për Bazën e Kuçovës, qeveria jonë “pa brekë në b*th”, dhuroi 160 milionë euro për “Çekapin” e Vilmës Read More »

Analisti i djathtë: Basha dhe Kryemadhi nuk e mundin ton Ramën, ka vetëm një rrugë…

Agron Gjekmarkaj, analisti i njohur për qëndrimet e tij të djathta, në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, shprehet se, koalicioni PD-LSI nuk i garanton opozitës fitoren përballë Ramës. Sipas tij, ka vetëm një rrugë për ta mundur PS, që është të reagojnë për padrejtësitë që kanë kryer në pushtet.

Shkrimi i plotë

Nuk mjafton një koalicion ndërmjet PD dhe LSI për ta mundur Edi Ramën dhe zhallogën e tij të thirrur Rilindje. Nuk mjafton kjo gjë edhe nëse dëbohen të gjithë armiqtë e brendshëm në këto parti, të cilët me tekat, interesat dhe humoret e tyre penguakan vëllazërimin politik. Nuk është më një çështje aritmetike, e cila duhet respektuar pa asnjë neglizhencë. Koalicioni ndërmjet PD dhe LSI është i domosdoshëm për të hyrë në betejë, qoftë për zgjedhjet lokale e ku më tepër për ato politike. Por, për të fituar diçka rrënjësore, cilësore, frymëzuese, duhet të ndodhë së pari brenda këtyre dy partive, gjë të cilën s’ka koalicion që e zëvendëson.

U bënë 5 vjet që PD udhëhiqet nga Lulzim Basha. Pas trashëgimisë së Sali Berishës, kjo nuk është një barrë e lehtë. Njëkohësisht e madhe ka qenë pritja që kjo parti të fitonte një identitet dhe mision të ri pa komplekse. Nuk është realizuar një gjë e tillë. Komplekset e natyrave të ndryshme kanë eklipsuar misionin dhe identitetin. Nuk ka qenë një gjë e lehtë përballimi i supermaxhorancës të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, veshur me arrogancë e stolisur me përbuzje! Por Opozita nuk ka shfaqur kurajë dhe vullnet të shohë vetveten thellë.

Për disa vjet fajësoi popullin për keqkuptim, keqvotim etj., etj.. PD e udhëhequr nga Basha pësoi dy disfata elektorale, një në vitin 2015 në lokale dhe tjetra katastrofë në çdo kuptim në politikat e qershorit 2017. Ta kërkosh fajin e humbjes tënde vetëm te kundërshtari është naivitet fëmijësh. Lidershipi, trupa njerëzore dhe retorika që PD përdori, nuk ia doli të jetë bindëse.

Një parti, e cila për ekzigjenca personale të Bashës u krastit nga figurat e saj historike, u shfaq si konglomerat mbetjesh pa peshë të PD-së së “vjetër” me personazhe anonim e rastësore, e si të tillë, pa karizëm të rekrutuar nga Basha. Kjo ofertë u refuzua nga elektorati. Nuk kishte asgjë të re në të. Përkundrazi, ishte më e vjetra dhe më e dekompozuara ofertë, që një parti opozitare kishte bërë ndonjëherë. Po kaq u ndëshkua tendenca e Bashës për sundim absolut të PD-së. Në këtë rast, nga votuesit e kësaj force. Mbi 200 mijë i munguan kutisë.

Një vit ka kaluar pas këtij shokimi. Agresiviteti ndaj Bashës është shtuar, po kaq edhe mosveprimi i tij në parti. Një gjendje paralize e ka kapluar faktorin kryesor opozitar. Të gjithë ata që duan ndryshim presin të ndodhe diçka serioze në PD, por “kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”! Sa më shumë i theksohet gjendja e rëndë ku është katandisur opozita, aq më tepër Basha forcon muret e izolacionit dhe mbylljes, duke i qerasur kritikët me terma si antiopozitare. Ka një vit që humbi zgjedhjet e radhës, përveç nji kongresi që çimentonte karrigen e tij në rast humbjesh, asnjë risi s’ka asaj ngrehine.

Nëse lë mënjanë nja 7 a 8 deputetë, zgjedhje të dikurshme të Berishës, grupi i Bashës nuk merret seriozisht prej askujt. Kryetari i PD-së ka dhënë maksimumin e tij në surprizë dhe shastisje, kur mendon që u pat folur shqiptarëve për “Republikë të re”! Zor të ketë shqiptar që aty sheh një qeveri hije. Hierarkia e PD-së aktuale, me nënkryetarë, me sekretarë, me figurat kryesore aktuale përfaqësuese, shfaqet si diçka tejet e konsumuar, joserioze, e lodhur dhe aspak referenciale për ndryshim.

Në disa raste shkaktojnë edhe të qeshura me keqkuptimin, në të cilin jetojnë. Në këtë këndvështrim, PD ka nevojë të rithemelohet, të përcaktojë vetveten, zëdhënëse e kujt dëshiron të jetë! Gjithashtu, ajo e ka jetike ikjen nga banaliteti dhe kthimin në seriozitet! Ka ende mundësi. Mbi të gjitha, ka etje që diçka kësodore të ndodhë. Gjithçka varet nga Basha. Frika e njohur dhe trimëria e tij e panjohur, inteligjenca e shfaqur deri më tash dhe ajo që presim nesër, janë limitet. PD dhe Basha mund të bëhen alternativë ndaj PS-së dhe Ramës nëse ia dalin të vizatojnë në sytë e shoqërisë të ndryshmen, antimodelin dhe jo kopjen e mjerë të tij dhe rraqes -rilindje.

Po kaq e trishtë shfaqet panorama në LSI, e cila dikur lindi si një parti mjaft simpatike dhe luftarake. Ikja e Metës në Presidencë e ka shndërruar LSI-në në deledash, edhe në pushtet edhe në opozitë. Pastaj Meta u zgjodh atje me votat e socialistëve, kjo moralisht e nxjerr pak ligsht. Ky formacion ka ndenjur 8 vjet në pushtet dhe ka veç një vit në gjysmë opozitë. Sapo Meta u zgjodh President, ai dhe partia e tij hynë në një kurth të madh etik. Presidenti i zgjedhur doli në fushatë.

Emëroi Petrit Vasilin kryetar partie, të cilit do t’i binte telefoni për koalicion dhe dy muaj më pas e shkarkoi për ta zëvendësuar me zonjën Kryemadhi. Kjo ishte një shaka tepër serioze për nivelin e demokracisë dhe provë e të qenit familjarë të kësaj partie. Vasili, saç u gëzua kur e pranoi detyrën, me të njëjtin gëzim u dorëhoq. Monika Kryemadhi ka eksperiencë të gjatë në politikë, por është larg aftësive të të shoqit, edhe pse ka mbrojtur doktoraturë në UT.

Pastaj, metamorfoza e LSI-së është më e rëndë se e PD-së apo e PS-së, në raport me personalitetet që e themeluan. Nëse dikur në krah të Metës, gjithmonë në këndvështrimin e majtë, shfaqeshin Pëllumb Xhufi, Zabit Brokaj, Fatos Klosi, Ndre Legisi, Sokol Nako etj., që një CV u lexohej dhe kishin bërë disa beteja politike, ndërsa sot Monika është rrethuar me fëmijë të mbarë, po veç kaq, Nora Malaj dhe disa ish-ministra tradicionalë, në heshtje të plotë nga frika se mos Kryeministri i shantazhon.

Ylli Manjani, i cili ka grintë për t’u përballur, u la jashtë skemës së përfaqësimit se u cenoi humorin në një moment. Kësisoj, edhe LSI e ka të nevojshme të lëshojë disa aksione, si pronë private e Ilir Metës e Monika Kryemadhit, dhe të kthehet te kauzat që mbrojti kur u krijua e mbi të gjitha, te personalitete, personazhe a persona të pranuar nga shoqëria jo thjesht si vegla të bindura të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, por si njerëz që u punojnë në mënyrë autonome veglat e tyre mendore!

Asnjëherë kjo forcë kaq e anatemuar për çështje korruptive nuk ka bërë një akt purifikimi. Një të vetëm. Edi Rama nuk është më një axhami në punët e politikës. Përkundrazi. I njeh të gjitha mjetet me zell Mefistofeli. Në fushën e joshjes dhe banalitetit, pushteti e sidomos ky pushtet kaq korruptim, ka gjithmonë epërsi përballë banalitetit dhe konsumimit të opozitës. Nëse opozita i del në mejdan me armë te tjera si në vitin 2005, e sigurt që e mund dekadencën. Një shoqëri e mpirë ka nevojë ta prekë besimin para se ta japë.

Në një fazë metafizike e kushtëzuar prej politikës, ku të gjithë janë vënë në provë dhe kanë zhgënjyer, gjendet ajo. Dilema e Shën Tomës, që pa e pa nuk beson, është legjitime. Për fjalë, hoka e qyfyre Edi Rama të merr gjak në vetull. Ndaj, koalicioni mes PD-së dhe LSI-së aktuale është në këto kushte, i pamjaftueshëm për ta mundur Edi Ramën. Basha (Berisha) dhe Kryemadhi (Meta) kanë nevojë për koalicion me disa të vërteta e më pas mes tyre. Ata kanë dy rrugë! Të vazhdojnë si deri më tani, ose të shohin të vërtetën në sy e të reagojnë sipas ligjësive të saj. Por ani, si ta kenë!

Analisti i djathtë: Basha dhe Kryemadhi nuk e mundin ton Ramën, ka vetëm një rrugë… Read More »

Historiani i njohur kanadez jep parashikimin e zymtë për Shqipërinë: E ardhmja juaj do të jetë…

Një nga historianët më të njohur, i cili është marrë me çështjen shqiptare shprehet se, elita politike në Shqipëri është e korruptuar dhe e lidhur me krimin. Historiani Kanadez, Robert Austin, duke folur për ekonominë e dobët shqiptare, drejtësinë e kapur dhe polarizimin e partive politike shqiptare, thekson se, elita politike duhet të dalë në ë.

Shqipëria është në mes të një procesi në lidhje me integrimet në Bashkimin Evropian. Si e shihni Robert Austin: shqiptare duhet të situatën në Shqipëri? Situata në Shqipëri në të vërtetë nuk është e keqe. Ka një qetësi politike që shqiptarët e kanë pritur gjatë dhe kjo është me të vërtetë inkurajuese. Që nga viti 1990, klima politike shqiptare ka qenë jashtëzakonisht e polarizuar. Ajo është ende e polarizuar, por më e mirë, në krahasim me vitet e mëparshme. Çmimi i polarizimit, i cili është i dukshëm kudo në botë tani, është shumë i lartë dhe shqiptarët si popull kanë paguar shumë për këtë. Kjo është më e dukshme në ikjen e trurit të Shqipërisë e cila do të vazhdojë të kufizojë shanset e Shqipërisë për stabilitet dhe prosperitet. Dukuria e dytë, në të cilën vihet re ky polarizim, është ekonomia e dobët shqiptare. E ndërsa nga pikëpamja politike, shqiptarët po mbajnë një qëndrim indiferent ndaj politikës, nga ana ekonomike, ky polarizim po vihet re gjithnjë e më shumë tek ekonomia jo e ndershme dhe taksat e larta.

A mendoni se situata politike në Shqipëri është e duhura për të bërë reforma të tilla që Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë? Raportet e fundit të Komisionit të Bashkimit Evropian janë inkurajuese, por Shqipëria ende ka shumë për të bërë dhe përparimi, të paktën për mua, duket jashtëzakonisht i ngadalshëm. Kjo është e vërtetë për të gjithë Ballkanin Perëndimor ku elitat qeverisëse nuk janë të gjitha të afta dhe shumë të gatshme të bëjnë atë që për shumë njerëz do të ishin vendime historike, që do të përparonin më shpejt ëndrrat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Askush nuk e priste që Ballkani Perëndimor, i cili ka një popullsi aq të vogël dhe në rënie të vazhdueshme, do të paraqiste një sfidë të tillë për Bashkimin Evropian. Unë fajësoj një elitë të dobët, e cila asnjëherë nuk dëshiroi me të vërtetë reforma reale. Kjo është e vërtetë për të gjithë rajonin, jo vetëm për Shqipërinë. Reformat juridike janë problemi kryesor në Shqipëri. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për procesin që po ecën ngadalë, çfarë mund të bëj më shumë për këtë reformë, Shqipëria? Reforma gjyqësore është e vështirë dhe e ngadaltë. Procesi ka parë disa përfitime të mëdha kohët e fundit, por jo të mjaftueshme. Një luftë e vërtetë ndaj kriminelëve në gjykata dhe gjetkë kërkon vullnet politik të rëndë dhe madje edhe më shumë trimëri. Unë e kuptoj ngurrimin për të shtyrë gjërat me të vërtetë, pasi është e lehtë që një i huaj të thotë “ta bëjë këtë” kur kostot janë shumë të larta. Kjo vjen edhe nga fakti se elita politike ne Shqipëri është shumë familjare me botën e nëndheshme të krimit.

Elita politike në Shqipëri akuzohet për shkallë të lartë të korrupsionit nga palët e kundërta këtu, a mendoni se është i njëjti problem në Shqipëri si 100 vjet më parë? “Luftërat” e shumëfishta të Shqipërisë për korrupsionin janë të lodhshme dhe nuk kanë çuar pothuajse askund. Sistemi politik ballkanik është thellësisht i ngulitur dhe jo aktiv ndaj korrupsionit. Disa nga aspektet e saj më të këqija u bënë të qarta gjatë krizës së Greqisë. Problemet e rajonit janë kryesisht politike, jo ekonomike dhe mbetem skeptik se rajoni mund të zhvillojë një sistem politik modern që i shërben interesave të qytetarëve të vet. Gjithmonë theksoj se nëse qytetarët tuaj më të arsimuar vazhdojnë të largohen, e ardhmja nuk është shumë e ndritshme. Asnjë qeveri nuk ka arritur të krijojë kushte të përshtatshme për të inkurajuar njerëzit që të kthehen. /Shekulli

Historiani i njohur kanadez jep parashikimin e zymtë për Shqipërinë: E ardhmja juaj do të jetë… Read More »

Gazetari paralajmëron trazira dhe rrëzimin e Ramës: Do e kuptoni se ishte thjeshtë një pleh

Gazetari Çim Peka, i afërt me Partinë Demokratike, shkruan se në vjeshtë do të ketë trazira në vend që do të sjellin rrëzimin e Ramës nga pushteti. Në postimin e tij në Facebook, Peka heq një vijë paralelel me ngjarjet e vitit 1997, duke thënë se uron që të mos dalë një tjetër si Neritan Ceka, duke kujtuar rolin e këtij të fundit në rrëzimin e Berishës.

“Si tha i sëmuri mendor? Për një vit do jem unë drejtësia!! Kush mendo se në vjeshtë nuk do të ketë përplasje civile është thjeshtë budalla. Uroj që të mos dalë një Neritan tjetër t’i kthej të revoltuarit në kërkim të demokracisë nga rruga.

Nuk e di cila do jetë kostoja, por di që në fund të vitit të gjithë do thoni: Sa e lehtë paska qenë të largojmë këtë frikacaj që bënte arrogantin. Do e kuptoni se ishte thjeshtë një plehre”, shkruan Cim Peka.

Gazetari paralajmëron trazira dhe rrëzimin e Ramës: Do e kuptoni se ishte thjeshtë një pleh Read More »

Trondit Spartak Ngjela: Thaçi po i ‘dhuron territor’ Serbisë. Politika mbarë shqiptare është me Beogradin

Nga Spartak Ngjela/ Serbia është një shtet i mundur në një luftë të cilën e ka drejtuar presidenti amerikan, Bill Klinton.
Dhe ka pasur një motiv të qartë: për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Kurse Joshka Fisher, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, gjatë luftës, deklaroi: “ne po mbrojmë të drejtat e popullit më të vjetër në Europë:.

Natyrisht, ky është thelbi i çështjes shqiptare.

Kurse tani po dëgjojmë nga filoserbët që, të tërë këtë, mund ta përmbysë Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po i “dhuron territor” Serbisë.

Por:
Si ka mundësi që deputetë të parlamentit të Kosovës të mos dinë që territori është sovraniteti i një shteti, dhe Parlamenti është zotëruesi absolut i sovranitetit?

Po ky, Hashim Thaçi, mos është ndonjë monark absolut ky, të cilit kushtetuta e Kosovës i ka dhënë tagrin e mbajtësit të sovranitetit të Kosovës?

Po mirë, gjithmonë politikanët shqiptarë nuk do ta dinë që ka një kushtetutë dhe që këta nuk e njohin?
Nuk e dinë deputetët e Kosovës për të cilët po flasim, që territori mund të preket vetëm me 2/3 e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës, dhe, më pas, me referendum mbarëpopullor? Se këta të Tiranës që po flasin, dihet se janë me Beogradin – kanë shqetësimin e gjësë së vjedhur që duhet ta dorëzojnë.

Po mirë, ende nuk e dinë këta që Kosova e ka shpallur pavarësinë me vendimin e Kuvendit të saj, dhe nuk ka më bisedime për pavarësi?

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se brenda tyre ka një ndërhyrje për keq, dhe kundër interesit kombëtar.

Mendimi më i drejtë mund të jetë se këta po bëjnë një politikë infantile për të manipuluar opinionin publik kosovar, i cili sigurisht që nuk ka kulturë kushtetuese.
Por mund të jetë edhe tendenca e korrupsionit të lartë në Shqipëri, që vuan për destabilizim.

Në fakt, kjo është një rrugë shterpë, sepse Kosova është njësi territoriale që garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pse, vërtet mendojnë “naivët” e kushtetutshmërisë se Kosova nuk sulmohet ushtarakisht nga armata serbe, sepse e mbrojnë policët e Kosovës?

Për të gjitha këto arsye: Vërtet mund të bisedojë Hashim Thaçi me kokë të vet, në bisedime dypalëshe që i ka kërkuar politika amerikane?!!
Atëherë çfarë po ndodh me shqiptarët?

Është sëmundja e vjetër që ka ecur me devizën: bashkëpuno me pushtuesin që të marrësh pushtetin. Po tani në Kosovë kjo nuk funksionon, se deviza është ndryshe: bashkëpuno me politikën amerikane që të marrësh pushtetin. Dhe kjo është racionale, sepse i gjithë interes i shqiptar në kosovë mbrohet nga amerikanët, se po të ishte nga shqiptarët, serbët do ta kishin shumë të lehtë për t’i blerë krerët, siç i kanë blerë krerët e Shqipërisë që nga viti 1913.

Ne shqiptarët, nuk duhet të biem më në nivele qesharakë, se jemi në një kohë tjetër.

Duhet të kujtohemi se Kosova është një nyje e spikatur e politikës globale amerikane. Dhe bashkë me të, janë në pikëpyetje globale territore të gjerë zonalë në Kirkizi dhe në Gjeorgji; por është edhe çështja e Krimesë. Si mendon oponenca Kosovare, që në të gjithë këtë botë konfliktuale globalisht, merr pjesë dhe Hashim Thaçi?

Ju lutem, mos na bëni qesharakë, se ka dhe shqiptarë të ditur e të mënçur, madje me shumicë, nuk janë të gjithë trutharë!

Il
Çështja shqiptare sot është një çështje e politikës së madhe botërorë. Ne shqiptarët nuk jemi aktorë në këtë skenë gjigande botërore. Prandaj, qëndroni dhe prisni të bierë perdia, se ne, të gjithë shqiptarët e Ballkanit Perëndimor, kur të bierë perdia, duhet të jemi domosdoshmërisht në skenë: politika amerikane sot është me shqiptarët – kjo na mjafton. Sepse ky aleati ynë është edhe autori, edhe regjizori, por edhe aktori kryesor i kësaj skene botërore. Kjo ndoshta e mërzit shumë Saliun, por nuk kemi ç’t’i bëjmë, Sali, se politika është ende forcë.

Po mirë, vërtet mendojnë këta serbofilë në Tiranë dhe në Prishtinë se do të mundin politikën amerikane?

Trondit Spartak Ngjela: Thaçi po i ‘dhuron territor’ Serbisë. Politika mbarë shqiptare është me Beogradin Read More »