Opinione

Konstituimi i SPAK, Felaj: Do përballen me drejtësinë të gjithë zyrtarët që kanë shkelur ligjin

“Do të përballen me Drejtësinë të gjithë ata zyrtarë dhe ish-zyrtarë që kanë shkelur ligjin”, tha sot e ftuar në një studio televizive, deputetja e PS-së Ermonela Felaj.

Deputetja e PS-së Felaj tha se me konstituiimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK tregon qartazi se dilemat për ecurinë në Drejtësi do të marrin fund sepse është një reformë që dita-ditës po provon vetveten dhe dita-ditës po nxjerrë në pah veprimin e institucioneve të reja në Shqipëri.

“Sigurisht pritshmëria është shumë e madhe për krijimin e kësaj prokurorie, edhe pritshmëria vjen nga kuadri ligjor, mbi bazën e të cilit është ngritur dhe pritet të funksionojë Prokuroria e Posaçme”, tha ajo.

Në lidhje me ndikimin e politikës te SPAK, Felaj tha se mënyra e zgjedhjes së prokurorëve është shumë e rëndësishme për të kuptuar nëse këto persona apo organe do të jenë të varura nga politika. Në fakt, një nga përgjigjet themelore të Reformës në Drejtësi është varësia nga politika.”

Në lidhje me anën profesionale të anëtarëve të SPAK, Felaj tha se janë prokurorë që kanë kaluar Vetingun dhe ata janë të pastër përsa i përket figurës e integritetit profesional.

Në lidhje me dosje të caktuara që mund të merret SPAK, Felaj tha se asnjë organ nuk është imun nga ndërhyrjet, por njerëzit që vendosen në këto organe duhet të jenë të tillë që t’u bëjnë rezistencë këtyre ndërhyrjeve. “Pra, krijimi i organeve të reja nuk do të thotë që pjesa që shkel ligjin automatikisht do pushojë së përpjekuri për të ndërhyrë dhe për të kërkuar për të ndryshuar vendimmarrjen.

Pra, jo më kot reforma u parapri nga Vetingu në mënyrë që në sistem të sigurohen njerëz që janë rezistent ndaj joshjes.

Kjo është garancia më e madhe. Por dua të theksoj se të gjitha komunikimet e tyre dhe të familjarëve janë vazhdimisht në mbikëqyrje, vazhdimisht në monitorim, është një kërkesë e ligjit kjo”, tha Felaj.

Në lidhje me deklaratën e kryetarit të grupit parlamentarë të PS-së Taulant Balla që tha sot se SPAK duhet të ketë dosjen e parë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Felaj tha se beson se Balla i referohet kompetencës që ligji përcakton për SPAK dhe kompetenca e saj lidhet qoftë me veprat që lidhen me krimin e organizuar, qoftë me veprat e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve.

“Flasim jo vetëm për gjithë rrethin e zyrtarëve por dhe të ish-zyrtarëve, nisur dhe nga fakti se së fundmi gjykata ka kthyer çështjen e privatizimit të OSSH për hetim në prokurori, nga vjen dhe kjo deklaratë e zoti Balla”, tha Felaj.

“Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin qofshin të mazhorancës apo të opozitës duhet të dinë se asnjë gjë nuk kalon aq lehtë, sepse një ditë do të përballesh me përgjegjësitë e tua dhe kjo të jetë e qartë për këdo që aspiron të punojë në administratë si zyrtarë”, theksoi ajo. /atsh

Konstituimi i SPAK, Felaj: Do përballen me drejtësinë të gjithë zyrtarët që kanë shkelur ligjin Read More »

Sizmologu Ormeni: Janë paslëkundje të tërmetit të 26 nëntorit, nuk ka vend për panik

Lëkundjet e tërmetit të pasdites së sotme kanë shqetësuar qytetarët, një pjesë e të cilëve kanë dalë në rrugë pasi trauma e tërmetit të 26 nëntorit është ende e freskët.

Por, sizmologët këshillojnë të ruhet qetësia, pasi bëhet fjalë për paslëkundje të tërmetit të 26 nëntorit.

Sizmologu Rrapo Ormeni u shpreh pasditen e sotme, se nuk ka vend për panik dhe frikë pas dridhjeve të tokës.

“Nuk ka asnjë efekt, janë gjëra normale deri në 5 ballë, ndërsa ai që ra pak më parë ishte 4.3 ballë. Këto janë pasgoditje pas lëkundjes së madhe të 26 nëntorit. Nuk ka asnjë vend për panik as në zonën që ra tërmeti, por as në Tiranë pasi lëkundjet vijnë shumë të vogla. Duke qenë se jemi në situatë të tillë pas 26 nëntorit, tashmë na duket sikur lëviz edhe krevati” tha ai. /atsh

Sizmologu Ormeni: Janë paslëkundje të tërmetit të 26 nëntorit, nuk ka vend për panik Read More »

Krijimi i SPAK, Bare: Pas pengesave, opozitës s’i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare deklaroi sot se opozitës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë ngritjen e SPAK.

Në një intervistë televizive i pyetur për përshëndetjen që opozita bëri për ngritjen e SPAK Bare tha se, “unë do të thosha vetëm një shprehje për këtë qëndrim, “kërcen prifti nga belaja”, dhe kjo lidhet me faktin se kemi tre vjet që pengohet reforma në drejtësi, kemi tre vjet që vihen shkopinj nën rrota dhe s fundi ndodhi kjo që ndodhi dhe uroj që të jetë e sinqertë. Për mendimin tim kjo ndodhi ashtu siç detyruan 140 deputetë për të iniciuar reformën në drejtësi faktori ndërkombëtar. Fakti që faktori ndërkombëtar është këmbëngulës e konsideron një nga momentet më të rëndësishme të tranzicionit të zgjatur shqiptar gjë që është mbështetur dhe është fakt edhe nga mazhoranca, tregon qartë se opozita që është sot jashtë parlamentin e ka treguar që nuk ka kthim pas, dhe në këto rrethana nuk mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë”.

I pyetur për paketën antishpifje të miratuar dje në Kuvend dhe për kundërshtitë që pati ndaj kësaj pakete, Bare tha se, “shumica në Shqipëri është populli dhe do të ishte mirë që media të bënte një sondazh. Cili është problemi në në vend, problemi i lirisë së shtypit apo problemi lajmeve të shtrembra që krijojnë drama, problematikë etj. Ligji aktual, do të doja që të pyeten gazetarët e kanë lexuar draftin apo jo dhe po të thosha se po ta kishin lexuar do ta kenë vënë re se ai ka ndryshuar goxha. Edhe forma fillestare nuk ishte unike për Shqipërinë por analoge për shumë vende që kanë adaptuar një legjislacion të tillë”.

Bare tha se, “zhvillimi i internetit ka suksese të jashtëzakonshme pasi në nivel global ka sjellë dhe probleme të jashtëzakonshme, në përgjithësi, interneti, ekspozimi publikimi, interneti, ekspozimi ndaj krimit, pedofilisë dhe pornografisë. Kjo është bërë një problematikë globale dhe mendoj se ky ligj i rregullon këto problematika, insistoj në këtë fakt se në Shqipëri nuk ka problematikë të mungesës së lirisë dhe fjalës së lirë dhe ne e shikojmë këtë në raport me mazhorancën”.

“Ne shikojmë se në shumicën e televizioneve shqiptare anatemohet mazhoranca, dhe ky e shikojnë ne se cili është anatemuar kryeministrin apo tjetrin. Në këtë rrethanë unë do të thosha se sensibiliteti i popullit lidhet me fakte të tjera. Para disa ditës ndodhi një vdekje tragjike dhe ne lexuam lajmin që një çift është helmuar me fostoksinë, por në të vërtetë pa u vërtetuar. Ky lajm krijon një konflikt në familje mes njërës palë dhe palës tjetër. Kemi rastin “Babalja” është një fakt tjetër, dhe në 21 janar u hap lajmi se katër veta janë vrarë me thika dhe me çadra pistoletë, atëherë a mban njeri përgjegjësi për këtë lajm? Të gjitha këto janë një konfuzion në raport me lirinë dhe problematika në Shqipëri nuk është liria e shprehjes dhe e shtypit, ajo që dua të them është se problem është shtrembërimi i lajmeve dhe futja në qorrsokak marrëdhënia brenda familjes marrëdhënia brenda politikës etj”, theksoi Bare.

I pyetur për reformën zgjedhore që nuk u mbyll brenda dhjetorit, Bare tha se, “nuk besoj se keni dyshim se vonesa edhe në këtë proces është për faktin se opozita ka dalë nga parlamenti nuk pranon të ulet në tavolinë dhe jep disa konsiderata të përgjithshme dhe nuk vjen me element konkretë për të nisur mekanizma konkretë që i shërbejnë kësaj reforme, unë mendoj se opozita nuk është e përgatitur edhe për të pasur zgjedhje edhe në 2021 jo më të ketë zgjedhje të parakohshme”./atsh

Krijimi i SPAK, Bare: Pas pengesave, opozitës s’i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë Read More »

Balla: SPAK do luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet

Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur sot krijimin e Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Balla thekson se SPAK do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet.

“Sot është një moment historik për Drejtësinë. SPAK do të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet dhe do të godasë fort krimin e organizuar. Kush bërtiste se Reforma në Drejtësi nuk po ecën përpara, apo ka ngecur, kush u përbetua se do ta bllokonte, sot ka marrë përgjigjen“ -tha ai./atsh

Balla: SPAK do luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet Read More »

Paketa antishpifje, Blushi: Qëndrimi i Presidentit, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka deklaruar sot se Meta do të shprehë qëndrimin e tij ndaj paketës ligjore antishpifje miratuar sot në Kuvend, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues.

I pyetur nga mediet, se cili do të jetë qëndrimi i Presidentit të Republikës ndaj paketës antishpifje, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi sqaroi se Meta do të shprehet në kohën e duhur, pa u ndikuar nga askush përveç Kushtetutës dhe ligjit.

“Pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues, Presidenti Meta do të ndërtojë një proces shterues ligjor, dhe do i njohë qytetarët me qëndrimin e tij përfundimtar”, theksoi Blushi.

Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji u miratua me disa amendime të propozuara nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Kuvendi gjithashtu miratoi me 87 vota pro edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./atsh

Paketa antishpifje, Blushi: Qëndrimi i Presidentit, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore Read More »

Paketa antishpifje, Basha: Atentat kundër fjalës së lirë, Meta të mos e dekretojë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas miratimit në Kuvend të paketës antishpifje, duke theksuar se ajo vjen në kulmin e një krize të rëndë ekonomike, të një gjendje të jashtëzakonshme, kur mijëra familje janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje.

“Sot kur po zbardhet përditë e më qartë përgjegjësia e zyrtarëve të kësaj qeverie për 24 jetët e humbura në Thumanë, me urgjencë miratohet ligji kundër fjalës së lirë.

Sot kur priten te fillojnë hetimet për shitblerjen e votave në Durrës dhe Dibër, për mega skandalin e Unazës së Re, për dështimin e qeverisë në menaxhimin e krizës së tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, miratohet me urgjencë ligji që do ti ndalojë portalet të publikojne këto fakte”, tha Basha.

Sipas tij, miratimi i ligjit kundër fjalës së lirë u bë me urgjencë sot sepse qeveria Rama po përgatit vjedhjen e radhës, kësaj here mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propagandë. Ky akt i turpshëm dhe kriminal e çon vendin dhe qytetarët shqiptarë shumë hapa pas në rrugën e integrimit europian dhe sjell pasoja të rënda për të ardhmen e tyre”, tha Basha. /atsh

Paketa antishpifje, Basha: Atentat kundër fjalës së lirë, Meta të mos e dekretojë Read More »

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard

Kryetari i PD-së Lulzim Basha sot në tryezën e organizuar kundër miratimit të paketës antishpifje bëri edhe një “mea culpa” për sjelljen e PD-së me mediet përgjatë 30 viteve të pluralizmit.

Pas qëndrimit të Bashës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili shprehet se kjo ishte një skenë e ndyrë.

“Mea culpa” nuk e shlyen dot krimin, siç ishte ai i vrasjes së katër protestuesve në mes të Bulevardit”, thekson ai.

Po ashtu, Braçe shton se “’mea culpa’ që shleu vrasjet në Bulevard, që shleu krimet e qeverisë Berisha mbi gazetarë! I njëjti film, e njëjta histori ‘mea culpa’ si amnisti krimesh patjetër, “mea culpa” si për ata të katërt që pushkatuan në mes të Bulevardit!”, shprehet ai.

“Patjetër; “mea culpa” shlyen çdo krim pushteti! Patjetër, ti i jep një dorë me shpifjen “e vrau ky me çadër në dorë, jo pushteti” apo, “gazetari im u shpua nga glasa e një zogu, jo nga plumbi i pushkës së shtetit”! Skenë më të ndyrë se sa kjo “mea culpa” nuk ka!””, shprehet ai. /atsh

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard Read More »

Basha: Media në situatë dramatike, do të zhbëjmë sapo të vijmë në pushtet ligjin që censuron fjalën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “situata me të cilën media po ballafaqohet është një ofensive kundër lirisë së shprehjes”.

Në tryezën për lirinë e medies, Basha tha se “pa lirine e medies nuk ka liri politike”. “Këtu jemi si partnerë në një interes, në interesin e informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi është objektiv i qeverisë dhe Ramës, arrestimeve, presioneve financiare duke ngushtuar informimin. Kjo është një vijë e kuqe e papranueshme për ne Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar. Kjo është një luftë e shpallur kundër lirisë së medies. Qeveria po propozon një ligj për të instaluar censurën”, tha Basha.

Objektivi ynë, tha ai, “është t’i japim vendit një kuadër ligjor për t’i mbyllur derën tranzicionit ndaj medies dhe për ta zhvendosur në standarde europiane, ne praktika të autonomisë dhe lirisë së shprehjes”.

“Nëse çmenduria çohet deri në fund në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetarëve të pezullojmë çdo masë të tillë arbitare”, tha Basha.

Sipas tij, “shteti nis kryesinë e OSBE me një sjellje rrugaçërore dhe kriminale, kundër lirisë së medies”.

“Mirënjohje për institucionet ndërkombëtare që i janë përgjigjur shqetësimit tuaj si gazetarë dhe thirrje për të gjithë për t’u bashkuar në këtë kauzë që është e medias dhe gazetarëve dhe medias por mbi të gjitha e qytetarëve. Ne na bashkon interesi publik”, tha Basha.

Basha bëri po ashtu një “Mea Culpa” në emër të PD-së për gjithçka në këto 30 vite. “Jam i gatshëm të bëj një zotim solemn për anulimin e këtij akti apo çdo akti tjetër që cenon standardet europiane në shprehjes së lirë. Zotimi im është dhënia fund e çdo praktike që ka për qëllim korruptimin e medies në transmetimin e mesazhit me kaseta, bllokim të gazetareve, listë e zezë e cila nuk ekziston”, tha Basha.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se “jemi në krah të gazetarëve”. “Të mbyllësh gojën e gazetarëve është shkelje e të drejtave të njeriut. Duhet solidaritet me njëri-tjetrin. Kemi të njëjtën situatë si në 1945 ku nisën spastrimin e intelektualëve”, tha ajo.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se “duhet një rezolutë e përbashkët për sa i përket kundërshtimit të censurës ndaj lirisë së medias”.

“Duhet të ketë një rezolutë të përbashkët bazuar në pikat e propozuara nga Basha. Mendoj se e kemi mundësinë për takime me ndërkombëtarë të cilët analizojnë çështjen. Shqipëria merr presidencen e OSBE-së dhe vendi po ballafaqohet me një ligj censure të mendimit dhe fjalës së lirë. Duhet nje rezolutë e përbashkët”, tha Mediu./atsh

Basha: Media në situatë dramatike, do të zhbëjmë sapo të vijmë në pushtet ligjin që censuron fjalën e lirë Read More »