Opinione

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë

“Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit”, deklaroi sot kryetarit të PD, Lulzim Basha në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët ku fokus ishte ishte gjendja e ekonomisë.

Basha tha se, “pandemia ekonomike po i zë vendin me shpejtësi pandemisë COVID-19. Është një problem, i cili po zmadhohet me një shpejtësi të frikshme dhe po prek të gjitha familjet shqiptare, duke shkaktuar pasiguri, varfërim dhe papunësi në të gjithë shtresat e popullsisë, natyrisht në veçanti ata që janë më të pambrojtur dhe në pamundësi ekonomike”.

“Fatkeqësisht sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër, ndërkohë që po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë ekonomike”, tha kreu i opozitës.

“Ky është një shqetësim të cilin e paraqitëm prej ditës së parë, ku kërkuam krahas masave për mbrojtjen e popullsisë dhe për sigurimin e mjeteve të mjaftueshëm shëndetësore për të gjithë aspektet e përballjes me pandeminë që nga testimi e deri tek trajtimi i të sëmurëve, të merreshin urgjentisht masat për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste të gjendjes ku gjendet vendi, edhe para pandemisë, edhe para tërmetit të 26 nëntorit”, tha Basha.

“Shqipëria në këto vite që nuk ka ecur me të njëjtën ritëm si vendet e rajonit por ka bërë pas. Vetëm para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtën borxh publik 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë i cili, po të kihet parasysh edhe faturat e koncesioneve, përllogaritet deri në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%; ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës”, theksoi Basha.

“Ndërkohë që ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale të kujdesit për njerëzit, për ekonominë dhe për vendin kemi humbur vetëm sipas Tatimeve mbi 60 mijë vende pune, shifra mund të jetë dy herë më lartë se kaq. Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Edhe një herë vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune”, u shpreh Basha./atsh

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë Read More »

Meta: Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Universitete, i arsyeshëm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilësoi sot si të arsyeshëm vendimin e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për shtyrjen e zgjedhjeve në universitete.

“Është një vendim i arsyeshëm dhe besoj që ishte i pritshëm, sepse në një periudhë të vendosur nga Parlamenti si të fatkeqësisë natyrore, sigurisht që ishte jo e mundur për të patur zgjedhje tërësisht përfshirëse dhe demokratike siç duhet ta meritojnë universitetet tona”, tha Meta në një prononcim për mediet.

I pyetur sesi e vlerëson vendimin e KLGJ-së për t’i marrë një opinion EURALIUS-it dhe OPDAT-it për qëndrimin ose jo në detyrë të Dvoranit, Meta tha se, “e kam dhënë një përgjigje për këtë çështje. Është një përgjegjësi që i mbetet vetëm KLGJ-së dhe askujt tjetër”.

Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal që hyjnë sot në fuqi, Meta tha se, “mesazhi im është të gjithë të bëjnë detyrën e tyre me përgjegjësi. Qeveria, Ministria e Shëndetësisë në veçanti, Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykatat, të nxjerrin të gjitha aktet nënligjore dhe të gjitha udhëzimet në frymën e ndryshimeve, që u bënë në Kodin Penal, të cilat janë më të avancuar në kontinent sipas standardeve daneze”.

Pra, shtoi Meta, “nuk mjafton vetëm formulimi i këtyre ndryshimeve, standardeve në Kodin Penal, por duhet edhe e gjithë kolona e akteve të tjera ku ato do të mbështeten të jetë në këtë frymë. Në mënyrë që t’i shërbejë atyre qëllimeve, të cilat synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë nga sëmundje të tilla të rrezikshme në periudha të tilla të paparashikueshme”.

Sa i përket shqetësimit të shprehur nga Partia Demokratike se qeveria po përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të kufizuar liritë themelore të njeriut, Presidenti Meta tha se, “lidhur me çështjen e protestave, tubimeve, apo manifestimeve më duhet të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, garanton në mënyrën më të qartë këtë të drejtë themelore, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash dhe kushtesh. Kjo është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet”.

“Duke qenë se jemi në një situatë të veçantë, pra jo në një situatë të zakonshme, duhen marrë të gjitha masat, jo që të ndalohet, por të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social apo fizik, të ruajtjes së sigurisë edhe të atyre që dëshirojnë të organizojnë një manifestim dhe duhet të jenë gjithmonë paqësore. Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar në çdo kohë, unë shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë”, tha Meta./atsh

Meta: Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Universitete, i arsyeshëm Read More »

Basha: E ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga zbatimi i kushteve

Partia Demokratike është e angazhuar për procesin jetik të integrimit europian.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, shpërndau një postim të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për prioritetet kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor: sundim i ligjit, vlera demokratike, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e Bashkimit Europian kundër COVID-19 dhe për solidaritetin për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë që kanë për vendin zbatimi i prioriteteve kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë Samitit të EPP në Zagreb rikonfirmova angazhimin e PD për procesin jetik të integrimit europian dhe udhërrëfyesit të qartë prej 15 kushtesh. E ardhmja jonë europiane varet nga zbatimi i këtyre kushteve”, u shpreh kreu i opozitës.

Në njoftimin e PD thuhet se, qëllimi kryesor i PD dhe i opozitës në Shqipëri janë zgjedhjet e lira e të ndershme, të pandikuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar me mbështetjen e qeverisë aktuale./atsh

Basha: E ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga zbatimi i kushteve Read More »

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo në takimin virtual të Komitetit Teknik të Shëndetësisë së ngritur me qëllim në situatës së krijuar nga COVID, u shpreh se vendi ynë ndodhet në parametra optimalë të evolucionit të sëmundjes, situatë kjo që mund të ruhet nëse vijojnë të respektohen rregullat.

“Në opinionin tim si mjek infeksionist por edhe si pjesë përbërëse e Komitetit, fatmirësisht jemi në një stad kur falë përkujdesjes që është bërë dhe duke respektuar maksimalisht 7 elementë , si sjellja në mjedisin, familjar, sjellja në mjedisin publik, distancimin fizik, përdorimin e maskave në fashat orare të lejueshme, higjiena individuale, kolektive, ajrimi, ushqimi, aktiviteti fizik ka bërë që të jemi sot në parametra optimale të evolucionit të sëmundjes”, tha ai.

Me hapjen graduale, sipas Kalos, duhet vijuar me respektimin e masave përsa kohë që do të na duhet të bashkëjetojmë me virusin.

“Ç’ka është tejet e rëndësishme, me hapjen graduale që do të vijojë përsëri, ajo që mua më brengos mua si specialist është që të mos heqim dorë nga këto premisa të mirë të sjelljes ndaj vetes dhe mjedisit që punojmë dhe jetojmë por ti respektojmë ato në vijimësi duke bindur vetveten që tashmë do të jetojmë me një kohë ku rreth nesh do të ketë COVID sikundër ka edhe infeksione të tjera respiratore që janë me dhjetëra. Tashmë egzistojnë dhe do të shtohen më shumë me hapjen e stinës së vjeshtës dhe nëse do të bindemi dhe vijojmë në këtë rrugë, do të jemi në situatë optimale.

Sipas Kalos, “përmes kësaj rruge mund të mundësohet që Shqipëria të mbetet në nivelin e vendeve që menaxhojnë si duhet një epidemi të kësaj natyre. Shtimi i rasteve do të mundet të ndodhë vetëm nëse nuk respektojmë ato që përmenda më lart. Nuk do të ketë rikthim të COVID në vjeshtë pra të valës së Covidit në vjeshtë por do të ketë thjesht që COVIDI do të jetë i përzierë me infeksione të tjera respiratore të stinës, që në mjedisin tonë qarkullojnë mbi 75 deri në 150 infeksione. Me përzierjen e këtyre infeksioneve do të kemi edhe COVID. Por individët të cilët kanë mundur të respektojnë siç duhet masat e marra dhe duke jetuar tashmë në kushte pas shfaqjes së COVID, do të mbajmë situatën që kemi dhe të mos tejkalojmë kapacitetet që kemi, të mirëmenaxhojmë situatën dhe të mbetemi në situatë optimale deri më tani. Përsa kohë që nuk kemi preparate specifik dhe vaksinë, do të jetë vetë infeksioni gradual, ajo që duhet imunizimi masiv aktiv i popullatës që do të realizohet në një moment të caktuar, shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Them se jemi në momente oportune të dobishme që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur”. z.tosku

Mjeku Kalo hodhi poshtë idenë për qarkullimin më herët të virusit COVID- 19 në Shqipëri, duke shtuar se duhet të plotësohen disa faktorë.

“Për fillimin e epidemisë në vendin tonë duhet të plotësohen disa faktorë. Së pari është faktori epidemiologjik, pra kur ke izoluar rastet e para. Së dyti është faktori serologjik, nëse një përqindje e caktuar e popullatës e kapërcen pragun e 15-20% që janë infektuar më parë që prof. Andi na e shprehu që nuk është arritur në ato vlera. Së treti duhet kombinuar me klinikën e të sëmurëve të cilët janë paraqitur në shërbimin infektiv, ose shërbimin ambulator apo shërbimet e tjera spitalore që përkojnë për nga klinika me SarsCov 2. Tjetër element është shtimi i vdekjeve nga infeksionet respiratore në këto kohë dhe nuk më rezulton i tillë në raport me periudhën pas deklarimit të rastit të parë. Duhen kombinuar disa element së bashku dhe një analizë mes specialistëve për t’i shtrirë këto kufijtë kohorë para datës së përcaktuar si fillimi pandemisë Sars Cov 2 në Shqipëri”, tha Kalo./atsh

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale Read More »

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë dhe situata është nën kontroll”, tha sot drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

Brataj tha se ka rënie edhe të numrit të telefonatave drejt Urgjencës Kombëtare. “Numri ka rënë i thirrjeve si te 127, si te 08004040. Në këto momente jemi te 2039-2500 thirrje në 24 ore te 127 dhe 300-400 thirrje te 08004040. Duke menduar se në kohën e pikut të thirrjeve ne patëm 8300 thirrje në 24 orë, nga të cilat mbi 6000 ishin për COVID-19. Kështu që rënia është drastike, kjo është një shenjë e mirë që tregon nivelin e shoqërisë ose nevojat për ndihmë mjekësore”.

I pyetur nëse e kemi kaluar atë moment të rrezikshëm, Brataj tha se “unë mendoj se po, fakti i kësaj kurbe të sheshtë është kontrolli i saj ose menaxhimi i situatës dhe kjo për shkak të marrjes së masave të marra që në fillim, sidomos distancimi social. Ne hyjmë në ato vende që morëm masa menjëherë dhe çoi në kontrollin e epidemisë. Kjo pati disa faktorë pozitiv që sot, po shohim se shtetet po fillojnë të lirojnë masat. Ato që morën masat menjëherë e kanë situatën nën kontroll”.

I pyetur se sa ndikon rritja e temperaturave në uljen e infeksioni, Brataj tha se “ka disa faktorë dhe midis tyre është dhe temperatura e lartë dhe nuk diskutohet, por siç e pamë faktori kryesorë është distancomi social. Ne këtë periudhe duhet të mbushim mendjen se do të bashkëjetojmë për disa kohë me COVID-19, sepse është një virus i ri dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë”.

Brataj theksoi se “mendoj se jemi drejt kontrollit të situatës dhe kjo do të tregojë pas dy javësh të lirimit të masave sa do të jetë numri i të infektuarve, varet nga respektimi i rregullave”.

Në lidhje me rrezikun e kësaj faze të lirimit të masave, Brataj shtoi se “Shqipëri nuk është se i ka masat ndryshe nga vendet e tjera. Po të shohim që nga fillimi i pandemisë, masat janë të gjitha njësojë, me ndryshimin, se kush mori me herët dhe me vonë dhe u dukën rezultate. Është kritik ky moment, lirimi i masave dhe njerëzit që do dalin, por duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse pas dy javësh do kemi raste të shtuara do merren masat sërish”, theksoi ai. /atsh

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët Read More »

Punësimi në UKT i dy gazetareve, vjen reagimi i fortë nga Blendi Fevziu: “E papranueshme, jashtë çdo standarti”

Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në Syri Tv, ka komentuar punësimin e gazetareve Kazhani dhe Sulo në UKT.

Fevziu tha se është e papranueshme që gazetarët të punësohen në struktura të tilla dhe se bie ndesh me misionin e gazetarisë.

Juli Krisafi: Ka gazetarë të përfshirë në lista ujësjellsash, bordesh qeveritare, duke marrë rroga të tilla dhe duke bërë hapur palë me politikën e atij që i jep rrigën e dytë apo të tretë.

Ju si mendoni, duhen ftuar në debate këta personazhe? Apo duhen përjashtuar? Se është e qartë që opinioni i tyre do të jetë i njëanshëm…

Fevziu: Shpeshherë shumë analistë ftohen në debate jo për të dhënë mendim të paanshëm, por për të dhënë mendim të anshëm. Në gjykimin tim është absolutisht e papranueshme, jashtë çdo standarti, që dikush të paguhet në një strukturë tjetër, qoftë politike ose jo dhe të ruajë më pas edhe staturën e gazetarit.

Kush merret me gazetari le të qëndrojë brenda gazetarisë. Unë e di që ka gazetarë që bëjnë dy-tre punë, por bëjnë dy-tre punë brenda profilit të tyre. Një punë që bie ndesh me impenjimin që ka, sigurisht që është e papranueshme.

Punësimi në UKT i dy gazetareve, vjen reagimi i fortë nga Blendi Fevziu: “E papranueshme, jashtë çdo standarti” Read More »

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës

Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog klinik dhe njëkohësisht lektor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, në Tiranë, vlerësoi sot se pavarësisht lehtësimit të masave rastet janë minimale ç’ka sjell shpresë.

Në një intervistë për mediet, Alimehmeti theksoi se jetës normale do t’i kthehemi shumë më shpejt se sa të prodhohet vaksina, edhe pse prodhimi i saj mund të ketë nevojë për të paktën 1-2 vite dhe efikasiteti i saj mbetet ende për t’u vërtetuar pasi të dalë.

Ndërkohë, sipas tij, një përqindje e lartë e popullatës do të jetë natyrisht e imunizuar nga virusi.

Ai u shpreh se “situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë vazhdimisht shumë e butë dhe me ecuri pothuajse të rrafshët”. “Tashmë u bënë disa javë kur rastet janë minimale, me përjashtim të situatës së krijuar në fasonerinë e Krujës që përfshiu edhe Kurbinin dhe në burgjet e Tiranës. Rastet komunitare kanë qëndruar vazhdimisht në nivele minimale. Në këtë situatë është patjetër jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme të lirohen masat për të lejuar aktivitetin sa më normal të shoqërisë, gjithnjë duke e vlerësuar në dinamikë situatën”, tha ai.

Për sa u përket këshillave, ai tha se ato janë këshillat bazë e të përhershme si higjienë sa më e mirë personale dhe ambientale, si edhe njëfarë distance sigurie nga personat e panjohur apo të sëmurë.

Dorezat, sipas Alimehmetit nuk kanë asnjë dobi, madje shumë studime kanë treguar se mbajtja e tyre shoqërohet me dëme jo vetëm të lëkurës, por edhe të transmetimit të koronavirusit përmes dukurisë së njohur si “ndotja e ndërmjetësuar”.

“Maskat kanë efekt në komunitet vetëm nëse mbajtësi i maskës është vetë i sëmurë. Në rast se personi është i shëndetshëm, maska nuk shërben. Gjithashtu, maska këshillohet për personat që punojnë në kontakt me shumë persona, si punonjësit e marketeve, sportelistët etj. Megjithatë, evidencat mbi maskat janë ende të paqarta, ndryshe nga dorezat ku këshilla është mospërdorimi i tyre. Grupimet mbi 50 veta janë qartësisht element që duhet shmangur, ndërkohë që nuk ka evidenca të qarta për grupimet më të vogla se ky numër. Por, për të qëndruar në anën e sigurt të shëndetit, le të themi që grupimet duhet të jenë jo më të mëdha se 5-10 persona. Si përfundim, për evitimin e një vale tjetër mjafton higjiena dhe njëfarë distance e shëndetshme, pa shkuar në kushte paniku”, tha ai.

Pa asnjë diskutim, sipas Alimehmetit, “imuniteti i njeriut është arma më e mirë dhe më efikase kundër virusit. Dhe në fakt e kemi vënë re që të gjithë personat me imunitet normal nuk kanë pasur problem në kalimin e sëmundjes”.

Ndërkohë ai vlerësoi se testet serologjike janë kyçe për të kuptuar shtrirjen e vërtetë të sëmundjes në popullatë. /atsh

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës Read More »

Pipero: Ritmi i epidemisë në ulje, por qytetarët të vijojnë të jenë të kujdesshëm sa kohë virusi qarkullon

Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero ka folur nga qyteti i Vlorës për situatën epidemiologjike në vend, nga ku ka thënë se epidemia ka një ritëm në ulje megjithatë qytetarët duhet të vijojnë të respektojnë rregullat përsa kohë që virusi qarkullon.

Krahas faktit që situata paraqitet e qetë, një lajm i mirë sipas tij është fakti se numri i rasteve të shëruara ka kaluar më shumë se gjysmën e atyre që janë prekur në total nga COVID-19.

“Në terma të përgjithshëm, situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, pra në ulje të konsiderueshme çdo ditë edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara në spital që janë 2,3 në ditë dhe herë pa asnjë rast fare. Edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitivë që ditët e fundit kanë qënë 9, 7 6. Por lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë. Tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur, i kemi të shëruar. Situata është mjaft e qetë por kjo qetësi nuk do të ulë as vigjilencës as kujdesin. Ende virusi qarkullon pavarësisht se me ritëm të ulët dhe virilencë të ulët dhe përsa kohë që virusi qarkullon, ne duhet të respektojmë ato masa që janë të rëndësishme për këtë fazë të dytë, që është faza e hapjes graduale. Ende duhet të kemi kujdes sidomos në mjedise publike, në lokalet që do të hapën nesër apo bankat që janë hapur më parë, apo në institucionet publike, qytetarët kur hyjnë të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza. Higjiena për duart, larja sa më shpesh e duarve me ujë e sapun, dezinfektantë, pra janë ende disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi sa kohë që virusi do të vijojë të qarkullojë jo vetëm tek ne por edhe në rajon”,- tha Pipero.

Më tej, ai shtoi se ”Vlora gradualisht po bëhet gati sepse masat po lehtësohen dita-ditës. Ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi ndërkohë që nesër Vlora shpallet zonë e gjelbër dhe është lajm jashtëzakonisht i mirë. Ka 3, 4 javë pa asnjë rast të ri”. /atsh

Pipero: Ritmi i epidemisë në ulje, por qytetarët të vijojnë të jenë të kujdesshëm sa kohë virusi qarkullon Read More »