Opinione

Spartak Ngjela: Mua s’më vjedh dot njeri, popullin e vjedhin përditë

Avokati Spartak Ngjela tha në emisionin “Kjo Javë” të Nisida Tufës, në News24, se “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare janë kapur, por pritet që të vijë BKH nga Amerika për të nisur hetimi i tyre.

Sipas Ngjelës, BKH do të vinte që në muajin prill, por u shty nga pandemia, dhe tani pritet të mbërrijë në Tiranë brenda 10 ditëve.

“Janë kapur “peshqit e mëdhenj”, por BKH është në Amerikë akoma. Ata duhet të kishin ardhur në prill, por ra pandemia. Tani do të vijnë pas 10 ditësh dhe do t’i shohësh kambanat që do të bien. Të gjithë krerët e dy partive të mëdha janë të kapur. Nuk mund të flasim për kryeministrin, sepse janë shumë të rezervuar të flasin ndërkombëtarët, kurse për ministrat e tij kanë folur ndërkombëtarët. Madje Rama më tha që më kap katër ministra”, u shpreh avokati.

“Unë s’kam burime, por jam i vëmendshëm. Njoh mirë ligjet dhe shoh impenjimin e madh të ambasadores amerikane. Ajo ka folur tre herë rresht për BKH. Ata do jenë nën hetim, sepse kanë vjedhur. Ata kanë vila, pallate. Do ikin të tërë ata që kanë vjedhur shtetin. Dhe jo vetëm ikin të tërë, por do të shpëtoni tërë nga këta. Unë jam i shpëtuar, se nuk çaj kokë nga njeri. Mua s’më vjedh dot njeri, popullin e vjedhin përditë”, ka thënë më tej Ngjela.

Spartak Ngjela: Mua s’më vjedh dot njeri, popullin e vjedhin përditë Read More »

A duhet të marrë një mandate të tretë Edi Rama?/ Hajdari tregon çfarë do të ndodhë në 2021-shin

A duhet të marrë një mandate të tretë Edi Rama?

Kjo është pyetja të cilës deputetja Rudina Hajdari iu përgjigj duke u shprehur se Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe se ai nuk do të marrë një mandate të tretë. Në emisionin Open deputetja e opozitës parlamentare theksoi se kryeministri aktual çfarë kishte për të dhënë e ka dhënë dhe tashmë është koha që ai të largohet.
“ Jam përfaqësuese e opozitës parlamentare dhe një platforme të re politike kështu që dua ta veçoj pak veten nga pjesa tjetër e të ftuarve. Për sa i përket qeverisjes Rama, jam e bindur që Rama dha ça kishte për të dhënë, por dhe mori më shumë se sa dha.

Shqipëria nuk ka progres me të. Asnjë hap përpara. Kemi pasur regres dhe jo progres. Nuk do e marrë një mandat të tretë, se janë bërë bilancet, dhe kemi regres në ça do lloj prizmi ta shikosh,” tha Hajdari.

A duhet të marrë një mandate të tretë Edi Rama?/ Hajdari tregon çfarë do të ndodhë në 2021-shin Read More »

Spartak Ngjela: ‘Të gjithë këta bastardë që kanë negociuar dhe po negociojnë me Greqinë për detin janë shitësit antishqiptare të interesit kombëtar’

Avokat Spartak Ngjela ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale për deklaratën e kryeministrit Rama se çështja e detit me Greqinë do të zgjidhet nga një palë e tretë.

Ngjela shkruan se si mund t’i drejtohet vendi ynë gjykatave ndërkombëtare kur kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ngjela teksa ngre alarmin për rrezikun që na kanoset, i bën thirrje kryeministrit Rama që ta tërheq sa më parë këtë deklaratë dhe menjëherë të vendosë si kusht të negociatave: abrogimin e Ligjit të Luf tës që Greqia ka kundër Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Të gjithë këta bastardë që kanë negociuar dhe po negociojnë me Greqinë për detin, pa hequr ajo ligjin e lu ftës kundër Shqipërisë, janë shitësit antishqiptare të interesit kombëtar.
Por, kryeministri shqiptar dje na nxori edhe një favor tjetër për Greqinë: si kërkoi gjyq ndërkombëtar me ekspertë “të pavarur ” për çështjen e detit.

Rama duhet të kthehet në vendin e tij si kryeministër i Shqipërisë, dhe nuk ka pse na flet antishqiptarizma për gjykata ndërkombëtare, kur, për çështjen e detit, ka një vendimin të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

Ku është parë ndonjëherë që fituesi i gjyqit në Gjykatën Kushtetuese, kërkon t’i drejtohet një gjykate tjetër, sikur ky të jetë humbës i gjyqit dhe jo fituesi tij!

Ç’janë këta bastardë që drejtojnë shqiptarët, duke qenë armiq të shqiptarëve!

Shqiptari i madh, dhe poeti i madh shqiptar, Gjergj Fishta, ishte ai që e tha hapur: “Shqypnia asht ashtu siç e duan anmiqt e saj”.

Turp për këta laro që drejtojnë shqiptarët dhe pakësojnë Shqipërinë për interesin e tyre..

l.

Nuk mund të kuptohet se çfarë kërkon të bëjë në favor të Shqipërisë fendyelli Rama!

Ai duhet të qëndrojë drejt dhe të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për detin, se me rrugën që ka zënë për ta çuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, nuk po kërkon drejtësi për Shqipërinë dhe shqiptarët, por padrejtësi absolute kundër Shqipërisë.

ll.

Po Greqia vetëm, a mund ta çojë çështjen e detit në një gjykatë ndërkombëtare? Jo, ajo mund ta çojë vetëm nëse atë kërkesë e firmos edhe Shqipëria, e vetme, Greqia, juridikisht, nuk mund ta ketë atë të drejtë.

Po kush është ky Edi Rama që na paska të drejtë që, si kryeministër i Shqipërisë, të na qajë edhe hallin e Greqisë!

Veç një antishqiptari të kapur në antishqiptarizëm nga politika greke, askujt tjetër nuk i shkon në mendje kjo.

Por, a mund ta ketë bërë këtë si një budallallëk të tij të radhës, si një njeri që nuk di fare se ç’është shteti, ç’është interesi kombëtar dhe çfarë është një kryeministër?

Po të jetë se ka qenë në këtë derexhe, të tërhiqet sa më parë, aq sa të mos jetë vonë për të.

Dhe, menjëherë të vendosë si kusht të negociatave: abrogimin e Ligjit të Lu ftës që Greqia ka kundër Shqipërisë.

Kjo, duhet të jetë kërkesa shqiptare.

Spartak Ngjela: ‘Të gjithë këta bastardë që kanë negociuar dhe po negociojnë me Greqinë për detin janë shitësit antishqiptare të interesit kombëtar’ Read More »

Basha/ Qeveria e re 9% taksë, 0.5 tatim fitimi,0 lekë taksa për pushtetin lokal

Qeveria e re e kryesuar nga Lulzim Basha nëse opozita e bashkuar fiton zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, do të ulë ndjeshëm barrën fiskale të shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha sonte në intervistë që po transmetohet në faqen e tij në Fb, shprehu angazhimin e opozitës për të ardhmen ekonomike në vend që nga maji i 2021.

Basha tha se tatimi mbi pagë do të jetë 9 për qind. Pagat të paktën deri 30 mijë lekë, pa asnjë tatim.

Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore në total do të jenë 18 për qind ku 9 për qind do ti paguajë punëdhënësi dhe 9 për qind punëmarrësi.

Të gjitha bizneset deri në 14 milionë lekë të reja do të paguajnë si të vetmen taksë, 0.5 për qind të xhiros vjetore, tvsh do të jetë zero dhe taksat bashkiake do të jenë zero.

“300 mijë lekëshi është pa taksa dhe mbi 300 mijë lekë, taksa do të jetë 9% për të ardhurat personale, për tatimin mbi biznesin, për sigurimet shoqërore.

Biznesi i vogël kemi një trajtim tjetër. Do klasifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë të vjetra dhe do paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore dhe asnjë lloj tatimi tjetër qendror ose lokal.

E gjithë kjo pjesë e taksës do t’i dedikohet pushtetit vendor, por taksa të çmendura si taksa për shkollën apo tarifa të tjera që vjedhin qytetarët dhe biznesin, nuk do të ekzistojnë më”.

Basha tha se bizneset shqiptare sidomos në Tiranë po përballen me taksa abuzive dhe të papranueshme nga bashkia e Erion Veliajt i cili ka rritur shumëfish taksat vjetore të të gjitha bizneseve. /noa.al/

Basha/ Qeveria e re 9% taksë, 0.5 tatim fitimi,0 lekë taksa për pushtetin lokal Read More »

Ngjela: ‘Rama të ketë kujdes, mund të përfundojë nën akuzë për tradhëti kombëtare’

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizioi gjatë ditëve të fundit Ankaranë dhe Athinën, në një kohë kyr tensionet mes dy vendeve janë të larta, madje edhe për Shqipërinë, pas debateve lidhur me ndarjen e kufirit detar.

Greqia pretendon zgjerimin me 12 milje në Jon, ndërsa Rama është shprehur se kjo është një e drejtë e vendit fqinj. Kryeministri shqiptar gjatë vizitës hodhi idenë që mosmarrëveshjet e mundshme të zgjidhen përmes një pale të tretë, ose në një gjykatë ndërkombëtare.

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Greqi, ka ngritur “kambanën e alarmit”, për çeljen e një marrëveshje përsa i takon kufijve detarë.

Sipas Spartak Ngjelës, kryeministri nuk do të bëjë një marrëveshje deti me Greqinë, pasi këtë gjë ia kushtëzon vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Përsa i takon konfliktit Turqi-Greqi, avokati theksoi se Rama të tregohet i kujdesshëm, sepse nëse gjendja agravon në dëm të Shqipërisë, ai mund të akuzohet për tradhti kombëtare.

“Përsa i përket marrëveshjes nuk bën dot marrëveshje, e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese. Atë çfarë ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese nuk e bën dot Rama, sepse akuzohet për krim. Edhe nëse nuk e kupton vetë ka stafin që ja thotë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar marrëveshjen e tyre, si skandaloze”.

“Ai tani vjen përballë politikisht. Ai nuk ka shkuar atje për marrëveshjen, por si kryetari i OSBE-së, por i nxorën edhe këtë përpara”.

“Të shohim kur të vij në Shqipëri do ta bëjë apologjinë, do të thotë çfarë ndodhi? Të shohim. Rama duhet të ketë kujdes, sepse këtu luan një interes i madh kombëtar. Në qoftë se çështje degradon në favor të Shqipërisë, mund të shkojë për tradhti kombëtare, të ketë mendjen. Pra duhet të ndjekë interesin kombëtar dhe të ketë bazament patriotik, sepse gjendja është shumë e rëndë. Çdo konflikt midis kundërshtarëve tanë është në favorin tonë”, u shpreh avokati.

Kjo temë u trajtua në emisionin “Top Talk”, ku i ftuar ishte avokati i njohur Spartak Ngjela.

Avokati tha se Greqia ka në fuqi një ligj lufte me Shqipërinë dhe nuk mund të ketë marrëveshje në dobinë tonë, për aq kohë sa ky ligj mbahet në fuqi nga vendi ynë fqinj. Ai shprehu habi që Greqia nuk e heq ligjin e luftës prej dekadash me Shqipërinë.

Ngjela: ‘Rama të ketë kujdes, mund të përfundojë nën akuzë për tradhëti kombëtare’ Read More »

Agim Hushi : Rama është bërë i fr ikshëm

Ish-kandidati për deputet i socialistëve që u përballë në Kavajë me Dr. Berishën i bënë thirrje socialistëve tradicional dhe intelektualëve që të bashkohen dhe ti thërrasin arsyes për të larguar Rilindjen, të keqen më të madhe që po çon Shqipërinë drejt katastrofës. Vetëm vota popullore e bënë Ramën frikacak e të dridhet nga uragani popullor. Drejtësia ,ambasadorët, PPP-të, dhe e vërteta për njeriun cinik, të rremë dhe gënjeshtar

Edi Rama është bërë i frikshëm! Sa më shumë po kalon në pushtet, ai aq më shumë po i afrohet absolutit! Ai di gjithçka, kupton gjithçka, ka në dorë gjithçka! Bile dhe pandeminë, edhe jetën e popullit!

Prof. Dr. Agim Hushi, Mjeshtër i Madh, Tenori shqiptar me famë botërore jeton tashmë në Sidnej, i larguar me zhgënjim nga Shqipëria, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet se të jetosh larg Shqipërisë, është një imponim me forcë, por për Tenorin me famë botërore Agim Hushin, Shqipëria është gjithçka! Është tempulli i përjetshëm i adhurimit dhe dashurisë tonë, është shtrati ynë i përjetshëm. Tenori me famë botërore Agim Hushi thotë se Rama është një zot i rremë. Prof. Hushi pohon se është e dhimbshme që piktori kryeministër nuk i dëgjoi artistët për Teatrin, ndërkohë pohon se është e rëndë për shqiptarët, që Shqipëria të renditet me Bjellorusinë, për mungesën e demokracisë, për shtetin totalitar të Rilindjes. Prof. Hushi shprehet se Rama është kryefakti i dështimit të kësaj klase politike. Prandaj, Prof. Hushi u bën apel shqiptarëve, që në 25 prill 2021 të ngrihen të bashkuar, të kthjellojnë mendjen dhe të largojnë të keqen, kryeministrin Rama përgjithmonë. Dhe, më tej, Prof. Hushi shpreh shpresën se Shqipëria do të bëhet. çdo votë e shqiptarëve që duan Atdheun, do të dërmojë diktaturën.

I nderuar Hushi, ndonëse jetoni larg Shqipërisë, çfarë imazhi keni për Shqipërinë sot? A jemi në drejtimin e duhur të progresit, të demokracisë?

Të jetosh larg Shqipërisë është padyshim një imponim me force, sepse nuk besoj që ka ndonjë shqiptar që do ta linte me dëshirë atdheun e tij! Shqipëria është gjithçka për ne! Është tempulli i përjetshëm i adhurimit dhe dashurisë tonë, është shtrati ynë i përjetshëm, ku kemi vendosur të pushojmë! Është qendra jonë e gravitacionit, pa të cilën ne nuk bëjmë dot! Por për fatin tonë vazhdon të jetë një tokë e mbetur në harrim për Europën dhe botën, një nocion gjeografik, ku pothuajse nuk ndodh asgjë me rëndësi për botën! Për fat të keq ata që e udhëheqin vazhojnë ta copëtojnë dhe përlyejnë me ëndrrat e tyre për pasuri dhe zhvatje! Gjithsesi, mund të them pavarësisht kësaj, Shqipëria është tempulli ynë! Mendoj se më së shumti lënë për të dëshiruar se atdheu ynë, megjithëse i joni, me Zot ka mbetur i largët nga ne, nga klasa sunduese e tij! Shqiptarët po largohen masivisht përditë! Për frymë popullsie jemi nga të parët që po largohemi! Është si gjakderdhje e dhimbshme! E kjo për faktin e rëndë se mungon demokracia. Shpresa për të gjithë, hapësirat për të gjetur veten dhe familjen! Mbyllja totale e rrugëve të jetës!

Në këta 5 vitet e fundit, ka një emigrim masiv, thuajse një shpërngulje e shqiptarëve bashkë me familjet, duke u bërë azilkërkues, sa ky migrim nuk ndodh me asnjë vend tjetër të Rajonit, por as të Europës. Sipas jush, pse ndodh?

Siç e thashë më sipër, kjo ikje është për ne, një mbyllje e derës në fytyrë! Mungesa e plotë e demokracisë, për të jetuar i lirë dhe të pavarur në atdheun tone! Kur na thyejnë brinjët nga tutela e shtetit më të egër dhe çnjerëzor, që gëlon nga taksat, ligjet e dhunshme të pafundme …

Prof. Hushi, dua të ballafaqoj 2 raste. Ardhja në Shqipëri e Besa Shahinit dhe emërimi i saj si Ministre e Arsimit, pa njohje të realitetit të Shqipërisë. Dihet, pastaj, si iku dhe çfarë helmi derdhi, duke akuzuar shqiptarët për racizëm ndaj saj, për shkak të dialektit të gegënishtes. Ana tjetër, shpërfillja deri në injorim nga qeveria jonë ndaj personaliteteve të Arsimit, Artit, siç ndodhi me Ju, konkretisht. Pse ndodh kjo në Shqipëri?

Kjo është një formë e pune e Diktatorit shqiptar, që bën zgjedhje galaktike për emrat e qeveritarëve tanë! Janë të bukura disi të papriturat që ai krijon me emrat, por që padyshim reflektojnë dukshëm papjekurinë e tij. Zgjedh ca të rinj pa identitet fare, që nuk na thonë asgjë; që sapo fillojnë punën, firosen udhës! A thua se i mungojnë Shqipërisë personalitetet e fushave të ndryshme! Mjafton që të jenë pa përvojë dhe jo personalitete që ai t’i këtë nën kontroll total! Mendoj që rasti i Besës ishte një rast tipik! Ajo ishte një e panjohur dhe pa identitet nga Kosova që mendoi gabimisht se po i shërbente Ramës, por gaboi se duhet t’i shërbente arsimit shqiptar! Besoj se gegnishtja e saj ishte një plus që e bënte atë të veçantë dhe gjeografikisht e pasuronte qeverinë!

Edi Rama ka përgjigje në mënyrë të frikshme për gjithçka. S’ka njeri që nuk fyen dhe nuk e shkel me këmbë! Edi Rama është një zot i rremë, i gënjeshtërt! Fjala e tij është vetëm një pjesë e predikimit të tij cinik dhe të pavërtetë!

ijëra shqiptarë, shquhen, përparojnë, bëhen model në shoqërinë, ku ata integrohen, sikur edhe Ju. Krejt e kundërta ndodh me shqiptarët në Shqipëri. Nuk reagojnë ndaj së keqes së madhe të keqqeverisjes, edhe në rastet e nëpërkëmbjes së personalitetit të tyre, shpërfilljes, shkeljes të të Drejtave themelore të tyre, e duke përmendur paskëtaj, mosreagim ndaj korrupsionit qeveritar, drejtësisë së mohuar, etj. Ju si e shpjegoni këtë handikap të karakterit, ndërgjegjes së shqiptarëve?

Mos reagimi ndaj kësaj të keqe ka shumë arsye! Por mendoj, së pari, se reagohet në forma të ndryshme! Por shteti shqiptar nuk do t’i dëgjojë dhe të shohë bijtë e tij si reagojnë! Nuk i intereson t’i shohë të ngrihen, të lëvizin! Edi Rama është bërë i frikshëm! Sa më shumë po kalon në pushtet, ai aq më shumë po i afrohet absolutit! Ai di gjithçka, kupton gjithçka, ka në dorë gjithçka! Bile dhe pandeminë, jetën e popullit! Edi Rama ka përgjigje në mënyrë të frikshme për gjithçka, i përgjigjet gjithkujt, mendon se fiton debatet me gjithkënd. S’ka njeri që nuk fyen dhe nuk e shkel me këmbë! Por harron se po të ishte realisht vërtet kështu, nuk do të ishim këtu ku jemi dhe nuk do të ishim nga fundi Europës. Edi Rama është një zot i rremë, i gënjeshtërt! Fjala e tij është vetëm një pjesë e predikimit të tij cinik dhe të pavërtetë!

Prof. Hushi, ju si akademik i Botës së Artit, si e shpjegoni që një artist, piktor kryeministër, të shembë Teatrin Kombëtar, me arrogancën pushtetore, duke shtypur me dhunë edhe vetë qëndresën e artistëve?

Edi Rama ka një lidhje të çuditshme me artet dhe me teatrin në veçanti! Është e çuditshme se njeriu i cili i adhuron pikturat e tij, për artet e tjera ka një moskokëçarje tipike! Flas për të gjitha artet! Dhe për operan, ku unë kam të lidhur shpirtin dhe e ndjej shumë! Them për librat, poezitë. Është e dhimbshme që ai shembi një teatër dhe nuk arriti të gjente mënyrën të dëgjonte artistët! Besoj se u fol gjithçka, por nuk u bë e duhura! Fitoi kapriçioja kryeministrore! Më ka bërë përshtypje heshtja e tij! Kokëfortësia për të mos i dëgjuar artistët dhe arroganca për të bërë ç’të donte.

Bashkimi Europian sërish, për të tretën herë i mbylli portat e negociatave për anëtarësim në BE shqiptarëve, populli më dashamirës ndaj Perëndimit, duke e diferencuar edhe nga Maqedonia e Veriut, një shtet i ri me lidhje tradicionale me Lindjen. Kush e ka fajin?

Perëndimi ka një strategji të mirëvendosur me gjithë problematikën e tij të brendshme! Por për Perëndimin ideja e zgjuarsisë shqiptare është pjesa më idiote e politikës shqiptare! Perëndimit nuk ia hedh dot mungesën e demokracisë! Shqiptarët zyrtarë harrojnë se të presin sipas fiqirit dhe të përcjellin sipas kokës! Maqedonia e Veriut ka punuar më me përkushtim dhe sigurisht ka marrë më shumë!

Prof. Hushi, si e shpjegoni, që kemi 30 vite tranzicion, dhe ende Shqipëria nuk bën dot zgjedhje të lira, që rezultati zgjedhor të jetë i pranueshëm nga të gjithë palët politike. Tashmë kjo ndodh vetëm në regjimet si Bejellorusia.

Është e rëndë ta mendosh që mund të renditemi me Bjellorusinë! Por unë mendoj se mentalitetet totalariste janë të njëjtë kudo! Ato nuk dallojnë në thelb dhe sillen kështu prej kohësh! Është tragjike të jetosh në thundrën e tyre dhe është mizore të jetosh përkrah tyre, duke mbijetuar dhe bërë sikur po jeton!

Pse në Shqipëri nuk ka rotacion udhëheqësish, siç ndodh në çdo vend që aspiron demokraci. Në asnjë vend tjetër të bllokut ish-komunist, nuk ka më udhëheqës që të jenë në pushtet apo edhe liderët e opozitës, të njëjtët historikisht në 30 vite?

Është tragjike për Shqipërinë që 5 burra vetërrotullohen në vend! Komenteve të Edi Ramës për këtë të ashtuquajtur demokraci do t’i thoja: Sa vjet ke në pushtet? Sa herë janë zhvilluar zgjedhjet e lira në PS? Mendon se nuk je konsumuar gjatë tërë këtyre viteve? Besoj se ky është kryefakti i kësaj klase politike të dështuar me turp! Kjo është arsyeja përse shqiptarët nuk ngrenë krye kurrë në fatin e tyre! Vazhdojnë të qeverisin të njëjtat figura për 30 vite! Nuk rrjedh më uji.

Prof. Hushi, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, që të ndryshojnë rrjedhën e Historisë së tyre, drejt demokratizimit. Mjafton një rotacion politik në 25 prill 2021?

Është jetike që më 25 Prill 2021 shqiptarët të ngrihen të bashkuar! Të kthjellojnë mendjen dhe t’i thërrasin arsyes. Kjo klasë politike ka dështuar plotësisht! Është koha të ndalohet tragjedia e maskuar me fjalë gjumëndjellese dhe magjike e Shqipërisë! Është koha të ndalohet ky sundim antipopullor dhe t’i ndalet dora të keqes! Është e qartë se djalli fshihet pas fjalëve të bukura, premtimeve marramendëse, pas një gjendje të krijuar si me magji që i vë njerëzit në gjumë! Njerëz, Erdhi Koha juaj. Shkunduni një herë e mirë. Largojeni të keqen përgjithmonë!

Pardje kryeministri Rama, deklaroi se objektivi elektoral i “Rilindjes” Socialiste nuk është më 74 vota, (shumica e thjeshtë qeverisëse) por 85 vota, (shumica absolute qeverisëse). Sipas jush, çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe shqiptarët një mandat i tretë qeverisës për kryeministrin Rama?

Zoti Rama në gjithë këto vite në pushtet ka mësuar tre gjëra:

1- si të sundojë,

2- si të zhvasë,

3- si të manipulojë.

Këto i ka mësuar shkëlqyeshëm dhe zor se i del njeri të matet me të! Vetëm fuqia popullore e ç’bën atë! E shndërron atë nga një njeri të frikshëm, në një frikacak që dridhet nga hija popullore!

Pse shqiptarët janë dhe tregohen të pamundur të reagojnë ndaj regjimeve totalitare, edhe kur jetojmë në pluralizëm politik, siç ndodh tani me qeverisjen e kryeministrit Rama?

Mendoj se Rama ka instaluar një diktaturë të vërtetë! Kudo përgjon polici! Përveç një arritje të policisë së Shtetit, kemi një polici që i bën roje shtetit! M’u nën praninë e shqiptarëve kemi një polici që ndjek opozitarin, siç ndjek hajdutin! Është ngritur një polici e mirëfilltë politike që është ngritur policia e Rendit! Kjo natyrisht e ka ulur ndjenjën e revoltës popullore!

Agim Hushi : Rama është bërë i fr ikshëm Read More »

Myslim Murrizi/ Ja pse e uroi Rama, Fatos Nanon: ‘Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos’

Deputeti Myslim Murrizi i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Aktualitet” në Fax News, foli më lidhje me krijimin e partisë së re me të cilën do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

“Kemi krijuar partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare. Do ta dërgojmë në Gjykatë për ta regjistruar tek libri i partive politike shqiptare. Kjo është një parti Politike e krijuar nga një grup deputetësh të opozitës të grupit demokrat. Të gjithë ish-funksionar të partisë Demokratike.”- tha Murrizi.

Ndërkohë që duke komentuar mesazhin e urimit të kryeministrit Edi Rama për ish-liderin e PS-së Fatos Nanon, Murrizi tha se me këtë gjë kërkon që të zgjerojë elektoratin dhe të përfitojë nga dashamirësit e Nanos.

“Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos, që nuk janë të paktë në elektoratin e majtë. Rilindja bazën e ka tek PPSH-ja. Ka qenë shumë i pranueshëm për të qenë president, por Rama nuk e propozoi. Pra po të dojë nuk është qamet i madh, se këto të vrasin natën dhe të qajnë ditën.”- tha Murrizi.

Myslim Murrizi/ Ja pse e uroi Rama, Fatos Nanon: ‘Meqë jemi 8 muaj para zgjedhjeve kërkon që të zgjeroje elektoratin që ka dashamirësi ndaj Nanos’ Read More »

‘Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar’

NGA ARTAN FUGA

Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar. Ideja ime është që largimi i dikujt nga një post publik, ministër a më poshtë a më lart, shoqërohet edhe me një harresë të natyrshme sepse personi në fjalë hyn në botën e tij private dhe del nga vëmendja publike. Me një fjalë, ikën në punën e vet. Kështu e shoh edhe largimin e ish-ministres së Arsimit, qytetares Besa Shahini.

Mirëpo, duke qenë shpesh kritik i politikave arsimore, pra edhe i punëve në krye të së cilës ka qenë ajo për disa vjet, në largim e sipër, ajo tregoi sukseset e punës së saj dhe premtoi se do të mbetet në politikë, për një të majtë jopopuliste, jodemagogjike, feministe dhe se mbetet në dispozicion të qeverisë shqiptare për çdo kontribut, si dhe premtoi se do ta mbështeste ministren e re. Pra, mbetet në sferën publike. Nuk dëgjova asgjë që ajo të thoshte që nuk shkon në fushën e arsimit dhe të edukatës së nxënësve te ne.

Nuk dëgjova së paku një gjë që të tregonte se ka gabuar, dështuar apo nuk ka arritur ta ndreqë dot. Kjo është ajo e majta jodemagogjike? Çfarë kupton ajo me populizëm? Apo që ne populli që kemi sovranitetin (në parim) jemi një tufë injorantësh që nuk duhet dëgjuar? Mendoj se ky qëndrim jokritik ndaj punëve, ky perfeksionizëm i pamundur, është edhe gabimi i fundit të saj deri në çastin e fundit në detyrë. Është një e majtë piramidale, cinike, e vetëkënaqur, autiste politikisht.

Sa keq të vjen që kur sheh se edhe në brezat e mesëm të politikanëve ka të njëjtën mendësi propagandistike për menaxhimin e punëve, ku faji është i të tjerëve, kurse puna e vetes është pa të sharë. Kështu, pa dashur të personalizoj, sidomos tani, ndërkohë që kritikat i kam bërë në kohën e duhur, desha të tregoj se gjendja nuk është ashtu sikurse kujton ish-ministrja e Arsimit. Por, fillimisht ta nis me një histori personale.

Përpara nja dy vjetësh, ndërkohë që debatohej ligji për Akademinë e Shkencave, pasi Ministria e Arsimit kishte bërë nën drejtimin e zonjës Lindita Nikolla një testim, marrje mendimesh nga profesorë universitetesh për modelet e kundërta për Akademinë e Shkencave, konstatoja që procesi kishte ngecur. Madje, edhe opinionet e dhëna zyrtarisht sipas kërkesës të ministrisë, u fshehën ndërkohë që në krye të ministrisë kishte ardhur qytetarja Besa Shahini. Konsultimi me botën akademike u hodh në kosh prej saj. Për këtë kërkova një takim me të dhe për ta marrë takimin vajta në orarin e pritjes të qytetarëve, si qytetar i zakonshëm dhe jo si akademik, që kërkoja takim për punë shtetërore.

Dikush në ministri më tha: Ju nuk keni përse merrni takim si popull, se vini për punë shtetërore. Edhe pritësja që regjistroi kërkesën time u habit, kurse për mua ishte e natyrshme. Duhej marrë shtegu i malit që nga poshtë fare, modestisht dhe pa pretendime. Unë kisha iluzionin që ndofta si akademik nuk isha në nivelin që duhej për të më pritur ministrja, por si qytetar i thjeshtë pretendoja se kisha një lloj statusi. Mendoja se si qytetar do të tërhiqja për pak minuta kohën e ministres. Pas dy ditësh, sekretarja e ministres më kërkon në telefon: Temën e bisedës, – më tha, – ndonëse e kisha shkruar në kërkesë. Pasi e verifikoi, më pas më telefonoi përsëri dhe më tha prerë: Ministrja nuk ju pret dot.

Shkoni te personat që merren me këtë çështje, të cilët ajo e dinte shumë mirë që i kisha kontaktuar pa zgjidhje më parë. Imagjinoni se çfarë trishtimi dhe fyerjeje, mendova: Kur këta nuk presin një njeri që vjen për punët e shtetit, çfarë bëjnë me mësuesit ose prindër a studentë që kanë ndonjë hall personal?

Mendova për platformën e qeverisjes së bashku dhe nënqesh prej asaj kohe hidhur sepse e provova si edhe në një rast tjetër se ku më çonte mushka e naivitetit tim politik. Por, kjo nuk ishte asgjë përpara asaj që ndodhi pak ditë më pas. Ministria e Arsimit kishte marrë detyrën nga Kryeministri me shkrim, për të formuluar bashkë me Akademinë e Shkencave ligjin për këtë të fundit. Papritur qytetarja Besa Shahini, si ministre tashmë, deklaroi në “Facebook” se ishte e lumtur që iniciativën për këtë ligj tani e kishte marrë një grup deputetësh për ta bërë. Si është e mundur që një detyrë që e kishte ministria, brenda pak sekondash e paraqiti sikur të ishte një projektligj i disa deputetëve. Mendova se do të konsultohej me Asamblenë e Akademisë së Shkencave, por as bëhej fjalë.

Injorim komplet! Telefonova deputeten E. Gj., kryesuesen e deputetëve plagjiatë për ta pyetur se përse kishin marrë për bazë njërin model të projektligjit që ishte arkivuar në ministri dhe jo edhe modelin alternativ që ndodhej po atje? Ajo m’u përgjigj: Vetëm këtë na tha ministria! Zhgënjimi tërësor. Pra, censurohet mendimi i universitarëve, censurohet modeli alternativ, braktiset një punë që i është ngarkuar zyrtarisht, u jepet autorëve të tjerë, që në fakt nuk janë autorë, një projektligj që duhej çuar deri në fund në rrugën e nisur, mospranim për t’u konsultuar me zërat ndryshe, këtë metodë konstatova me trishtim dhe keqardhje. Përtej njeriut me pamje modeste dhe timide u shfaq ministri arrogant dhe cinik. Sa keq, – mendova, – sa gjynah! Pritej të bëhej atëkohë sikurse ishte nisur edhe ligji për kërkimin shkencor, por edhe ai u braktis pikërisht sapo qytetarja në fjalë mori frenat e ministrisë, u la në mes të rrugës dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku ka humbur. Pas grevës së studentëve të përpara dy vjetëve u bë i ashtuquajturi “Pakt për Universitetin”.

Ky dokument përmendet prej qytetares Besa Shahini, edhe duke dalë nga zyrat e shtetit pas lënies së postit. A nuk mund ta ketë ditur ajo se ku ka përfunduar ky pakt? Po ia them unë ca! U premtua se shteti do të subvenciononte tekste bazë, fondamentalë, në shkenca të ndryshme që do të vendosnin themelet e një biblioteke të qëndrueshme, e cila mungon. Projekti nuk dha asnjë rezultat. U premtua se do të kishim bibliotekat dixhitale, a thua se një bibliotekë e specializuar është t’u japësh pedagogëve linqet për të hyrë në baza titujsh dhe tekstesh dixhitalë, pa menduar se ku do të arrijnë t’i studiojnë tekstet dixhitale studentët dhe sa prej tyre kanë aftësi gjuhësore për t’i kapur, ose sa ato tekste janë ato që duhet për realitetin shqiptar. Edhe kjo iniciativë ra në ujë. U fol për kampusin universitar në Tiranë, por mbeti pa asnjë vijimësi. Shpenzimet e studentëve për studim, relativisht me të ardhurat mesatare të familjeve, nga më të lartat në Europë.

Të lidhura me rezultatet, pra me notën, ato prodhojnë padrejtësi dhe fiktivitet. E kam thënë që edhe kaosi për zgjedhjet në universitete dhe tensionimi i jetës profesionale në ta erdhi në të shumtën e rasteve nga fakti që ish-ministrja nxirrte urdhra me tekste logjikisht dhe juridikisht kontradiktore, si edhe në ndonjë rast në minutën e fundit, duke e nxjerrë procesin jashtë shinave juridike normale. Qytetarja Besa Shahini shprehet në fjalët e fundit para ikjes nga posti se duhet gjetur mekanizmi që universitetet të mos abuzojnë me autonominë. Asgjë nuk bëri ish-ministrja për t’ua dhënë autonominë universiteteve, sepse ajo mbeti rob i ligjit të gabuar dhe e vullneteve centralizuese.

Ende nuk ka një kuadër të qartë juridik dhe teknik për shkollat doktorale. Për të hapur një drejtim të ri studimesh duhet të kalosh male e kodra burokratike. Madje, edhe për të përmirësuar rrënjësisht një sillabus lënde duhet të shkosh deri në majën e arsimit shqiptar Për të mos thënë që kuotat e pranimit të studentëve nuk kanë asnjë lidhje me nevojat e shoqërisë dhe ministria e lë këtë proces që të prodhojë papunësi intelektuale dhe zhvleftësim të diplomave. Asnjë lidhje nuk ka shpërndarja e fondeve publike me cilësinë e punës në universitete etj. As nuk mund të pritej sikurse e kam kërkuar publikisht që ministria të bënte një studim për të parë se cilat ishin rezultatet e hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë, tani pas pesë a gjashtë vjetësh pasi ka vepruar. Pretendimi që universitetet janë autonome, nuk e shfajëson aspak Ministrinë e Arsimit për të parë se përse kërkimi shkencor në botën akademike nuk ka impakt mbi zhvillimin tonë shoqëror dhe teknologjik.

Përse studentët po largohen nga shumë drejtime studimesh, sidomos në universitetet e rretheve? Përse kjo papunësi e lartë intelektuale që në të diplomuarit e drejtimeve të caktuara mund të shkojë edhe në 80 për qind e tyre? Cili është dhe duhet të jetë modeli i menaxhimit dhe ai financiar i universiteteve publike shqiptare? A mos ndodh që buxheti publik edhe atë pak parà që hedh këtu, në fakt dikasteri vetëm e orienton aty, por nuk mat gjënë kryesore: Çfarë rezultatesh njerëzore, shkencore, financiare ai jep? A kemi gjetur ekuilibrin e duhur midis universiteteve publike, universiteteve private dhe universiteteve publike në rrethe? Këto agjenci e konkurrojnë njëra-tjetrën, mbivendosen mbi njëra-tjetrën, i “hanë bukën” njëratjetrës, dublikojnë ose shumëfishojnë njëratjetrën?

Nuk i bën përshtypje ish-ministres që masim performancën e universiteteve me inputet dhe jo me outputet e tyre? Për të mos folur për të drejtat e pedagogëve dhe të studentëve që janë në pikë të hallit, krejt jashtë standardeve europiane dhe që duhej të përbënin objektin e shqetësimeve të dikasterit. Ish-ministrja guxoi të fyente dhjetëra profesorë e specialistë, qindra e mijëra prindër dhe gazetarë kur plasi skandali më i madh në historinë e arsimit shqiptar, teza e Gjuhës dhe e Letërsisë së Maturës.

I quajti ata të paformuar në nivelin e asaj teze, që ishte një tallje dhe fyerje e inteligjencës së çdo nxënësi. Unë e di që atë tezë nuk e bën ministrja, por marrja nën mbrojtje e mediokritetit në sektorët që mbulojnë arsimin e mesëm në Shqipëri, ka qenë e pafalshme. Flas për qëndrimin e saj personal dhe jo për sëmundje afatgjata të sistemit arsimor shqiptar, që sigurisht ajo jo vetëm që nuk i përballoi, por as arriti t’i artikulojë. Askush nuk ia kërkonte këto. Nga përvoja që kam me maturantët e diplomuar kur vijnë në universitet, kam përfunduar se teza e Maturës ishte budallaqe dhe idiote jo rastësisht. Por sepse, sidomos në shkencat shoqërore dhe humane, gjendja e dijeve atje është për të qarë hallin.

Programet e letërsisë, filozofisë, gjuhëve të huaja, historisë etj., me përjashtime shumë të rralla, janë në gjendje katastrofike. Nëse do të autorizoheshin universitetet shqiptare që për studentët e regjistruar në vitin e parë të bëhej një audit i dijeve, do ta shihnim se çfarë borxhesh të tmerrshme u ka sistemi arsimor të rinjve shqiptarë. Duhet ta pranojmë që dijet e ofruara janë larg kulturës të sotme botërore. Ku letërsia e sotme, shkencat e sotme ekonomike, filozofia, logjika, shkencat gjuhësore etj., dhe ku ajo që mësojnë sistemet parauniversitare shqiptare. Unë kam përshtypjen që dikasteri nuk ka ndjekur me studime konjitive shkallën e përparimit të rinisë shqiptare në aftësitë e saj logjike dhe intelektuale, si edhe me shkallën e informacionit që ajo merr sot. Gjendja e laboratorëve të kimisë, fizikës, biologjisë, mekanikës, që ka vizituar në Shqipëri është ulëritëse. Për të mos folur për burimet e njohurive, ku teknologjitë e reja dixhitale ende nuk kanë marrë të drejtën e qytetarisë. Ende jemi te letra.

Nuk pretendoja që ajo të zgjidhte çështje kapitale të modelit dhe funksionimit të arsimit shqiptar, as të zgjidhte çështje të ndërlikuara të raportit të dijes të diplomuar me shoqërinë, as probleme të mbetura stok lidhur me mënyrën e menaxhimit financiar të buxheteve publike për arsimin publik, as të vendoste në pozicionin e duhur marrëdhëniet midis hierarkisë burokratike, të zgjedhurve dhe pedagogëve e studentëve, asnjë nga çështjet madhore që gjenerojnë cilësi universitare. Por, që Ministria e Arsimit në drejtimin e saj të nxirrte një manual ose disa manuale pedagogjike për mësuesit, prindërit, nxënësit si të përballonin mësimin në kushtet e Covid-19, do të kishte qenë minimumi që do t’u kishte bërë si nder!

Manuale ku të trajtohej pedagogjia e mësimit që bën kombinimin e informacioneve numerike në ueb, e përdorimit të rrjeteve sociale, e platformave të komunikimit interaktiv me zë dhe figurë, e teksteve të shkruara, e punës së mësuesit në klasë, e mësimdhënies në televizione etj. Asgjë. Çfarë bilanci të besueshëm përtej fjalëve na la? Një studim mbi gjendjen e kërkimit shkencor dhe të shkollave doktorale? Asgjë! Një studim mbi shkallën e integrimit profesional të të diplomuarve në tregun e punës në Shqipëri? Asgjë.

Një parashikim dhjetëvjeçar mbi fushat e reja të studimeve në arsimin e lartë shqiptar? Asgjë. Një studim krahasimor midis nivelit të dijes së një maturanti perëndimor dhe një maturanti shqiptar? Asgjë. Një studim krahasues mbi hendekun e llahtarshëm mes modeleve menaxheriale dhe të drejtimit të universiteteve shqiptare dhe atyre perëndimore? Asgjë. Apo një projekt gjigant ndërtese biblioteke universitare? Asfare! Një studim mbi fiktivitetin e notave dhe vlerësimeve në sistemin arsimor shqiptar? Asgjë.

Çfarë bëjnë të gjitha ato agjenci pranë ministrisë që paguhen me paratë e studentëve shqiptarë? Çfarë bëjnë instituti apo shoqata që marrin projekte nga ministria? E vërteta është që nuk është përgjegjësia vetëm e saj. Është e të gjithëve ne që punojmë në arsim dhe në kërkimin shkencor. Parametrat matës të punës sonë janë aq të vjetra dhe jashtë kohe, sa edhe ndofta struktura, organizimi, drejtimi i diplomave në universitetet tona. Jashtë kohe!

Askush i vetëm nuk mund ta ndryshojë situatën! Asnjë ndryshim lidershipi i vetëm po qe se nuk ndryshojnë mekanizmat e drejtimit, menaxhimit, financimit, vlerësimit, matjes së rezultateve në dije nuk bën fajde. Ndofta ai dikaster ku mblidhen ndeshjet e boksit apo të tenisit, çështje thelbësore të kopshteve për fëmijë, libri, përfaqësimi dikasterial i kërkimit shkencor, vlerësimi i performancës universitare, arsimi i mesëm etj., është një konglomerat që ndofta nuk ka dreq që e drejton pa e reformuar. Një kaos i tillë nuk prodhon dot gjë më të mirë sesa Turi!

Këtu unë nuk desha të vendos peshë mbi ish-ministren, që ajo as e mbajti dhe as e mbante dot. Kam qenë fare i qartë. Pa hedhur në kosh ligjin për arsimin e lartë dhe ligje të tjera për arsimin dhe shkencën që janë burimi i të këqijave, kot kërkohet përgjegjësi personale. Pa bërë një strategji të re të konsultuar gjerësisht për arsimin kombëtar, për shkencën, kulturën, gjithçka është e pamundur të bëhet funksionale. Por, pozicionimi personal i saj vazhdon të mbetet i gabuar.

Edhe kur erdhi në detyrë, edhe kur e ushtroi detyrën, edhe kur iku nga detyra. Pra, jo për kontekste kolektive dhe objektive, por për përqasje individuale të pajustifikuara, të paargumentuara, aspak transparente, aspak interaktive, aspak në aksin qendror të përparësive që zgjidhin krizën e akumuluar të arsimit dhe kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, askush të mos harrojë, as ish-ministrja në fjalë, as ministra, më sipër a më poshtë, se Shqipëria brenda dhe jashtë vendit mund të nxjerrë me këtë format e standard ministra, më lart ose më poshtë, nga mijëra individë. Mijëra!

‘Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar’ Read More »