Lajmi i fundit

Saimir Tahiri dhe kanabisi, zbardhen detaje nga dëshmia e Nezar Seitit në Itali, implikohen …

Zbardhen detaje në lidhje me dëshminë e ‘Financierit të Habilajve’, Nezar Seiti të dhënë në Itali.

Seiti mësohet se ka dhënë shpjegime të hollësishme në Prokurorinë e Katanias, ku edhe u ekstradua në mënyrë të fshehtë nga ana e ministrisë së Drejtësisë edhe pse në Shqipëri ai është nën hetim, duke shkaktuar një debat të gjerë politik.

Dëshmia e tij pritet ti vihet në dispozicion prokurorisë për Krime të Rënda në vendin tonë.

Burimet kanë bërë të ditur se Seiti në dëshminë e tij, ka implikuar njerëz të rëndësishëm në Shqipëri, përfshirë edhe nga kupola e drejtësisë shqiptare.

Në një letërporosi të Krimeve të Rënda drejtuar autoriteteve italiane në muajin shkurt, ku kërkohej ndihmë për hetimin e çelur ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, theksohej fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes.

Ndaj në këtë letër porosi u kërkua që të pyetej nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.

Nezar Seiti që konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Moisi Habilajt, (i arrestuar ne Itali) u arrestua në Babicë të Vlorës më 19 tetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis. Përgjatë katër muajve që qëndroi në paraburgim, Nezar Seiti e kyçi gojën për hetuesit shqiptarë, ndërsa nuk dihet nëse do të veprojë njësoj përpara prokurorëve në Itali.

Saimir Tahiri dhe kanabisi, zbardhen detaje nga dëshmia e Nezar Seitit në Itali, implikohen … Read More »

“Pse e ruani me policë kunatin e Beqes?”, Shullazi i ‘sulet’ prokurores

Seanca e djeshme te Krimet e Rënda për gjyqin ndaj Emiljano Shullazit është shoqëruar me debate të ashpra mes të akuzuarit dhe prokurores Elisabeta Imeraj. Shkak është bërë dëshmia e shoferit të Ylvi Beqes, që është edhe kunati i tij. Vitin që shkoi, Besnik Musai dëshmoi në gjyq i mbrojtur nga uniformat blu dhe tha se e kishte parë Emiljano Shullazin të kërcënonte me armë zjarri Ylvi Beqen, teksa hartohej kontrata e dhurimit të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Janë pikërisht këto dy dëshmi, ajo e Musait dhe e Ylvi Beqes, që e mbajnë Emiljano Shullazin në burg, ndërkohë që dëshmitarët e tjerë janë tërhequr nga dëshmitë e para. Në seancën e djeshme, avokatët e Emiljano Shullazit kërkuan që Besnik Musai të thirrej sërish në gjyq dhe pyetën prokuroren nëse ai është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përpara se të dëshmonte në gjykatë.

Prokurorja Elisabeta Imeraj tha se dëshmitari nuk është thirrur më parë në Prokurori dhe se dëshmia e tij e parë për ngjarjet në Durrës ishte ajo që dha para gjykatës. Mirëpo, i akuzuari Emiljano Shullazi vuri në dyshim fjalët e prokurores dhe kërkoi të dinte se përse Besnik Musai ruhej nga uniformat blu.
Sipas tij, vendosja e Musait në ruajtje fizike nga forcat e rendit ka krijuar kushte që ai të japë dëshmi të rreme. Për këtë arsye, Emiljano Shullazi kërkoi që Besnik Musai të rithirrej në gjykatë për të dëshmuar. Por kërkesa e të akuzuarit u hodh poshtë nga gjyqtari Fran Prendi. Gjithashtu, edhe kërkesa për të pyetur oficerin e policisë, Petrit Gjeçaj, nuk u pranua nga gjykata.

Ylvi Beqja dhe Besnik Musai dëshmuan në fund të vitit të kaluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me çështjen e ish-hotel “Vollgës”. Sipas Beqjes, Emiljano Shullazi e pati kërcënuar që ai ta bënte bashkëpronar në objektin në fjalë. Kërcënimi, sipas Beqes, ishte bërë në Durrës te noterja Aida Spahiu, ku Shullazi i vendosi pistoletën Beqjes dhe e detyroi që të përpilonte aktin e dhurimit. Ky version është pohuar edhe nga Besnik Musai. Por Shullazi vetë e ka kundërshtuar, duke thënë se ishte Ylvi Beqja ai që e bëri bashkëpronar pas ndihmës që ai i ofroi për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” si pronë të tijën

“Pse e ruani me policë kunatin e Beqes?”, Shullazi i ‘sulet’ prokurores Read More »

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin e prishur nga Belgjika

Skandali i mishit të prishur që është zbuluar në Belgjikë nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) javën e kaluar, ka prekur edhe Kosovën. Agjencia zbuloi se mishtorja belge “Veviba” kishte shitur sasi të mëdha të mishit të prishur brenda Belgjikës dhe jashtë saj. Hetimi ndaj kompanisë me bazë në Bastonjë të Belgjikës kishte nisur pas asgjësimit të 20 tonëve mish – prej të cilës një sasi e madhe e saj ishte konstatuar të ketë qenë e prishur – nga Dogana e Kosovës në shtatorin e vitit 2016 në Prizren. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë kishte njoftuar autoritetet belge, të cilat pas dy vitesh hetime kishin ardhur në përfundim se kompania “Veviba” kishte prodhuar dhe shitur mish të prishur dhe me afat të skaduar.

Kjo kompani kishte eksportuar mishin e saj në Kosovë edhe para se të asgjësoheshin 20 tonët e mishit të prishur nga Dogana e Kosovës. Insajderi ka siguruar dokumente brenda Doganës së Kosovës që tregojnë emrin e kompanisë kosovare që kishte eksportuar mish nga kompania “Veviba”. Sipas dokumenteve, kompania për përpunimin dhe konservimin e mishit “Euro Ida” me bazë në Komunën e Rahovecit, është kompania kosovare që kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”. “Euro Ida” kishte importuar mish tri herë brenda muajve maj dhe qershor të vitit 2016. Mishi i importuar kishte qenë “mish gjedhi”. “Euro Ida” kishte marrë rreth 60 ton mish nga kompania belge “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras nga njëra-tjetra. Pavarësisht se dokumenti që ka siguruar Insajderi tregon për importet e kompanisë “Euro Ida” nga kompania belge që është pjesë e skandalit të mishit të prishur “Veviba”, drejtori i kompanisë nga Rahoveci, Anton Jupa ka thënë se kompania e tij nuk ka importuar asnjëherë mish nga Belgjika.

“Jo (nuk kemi importuar)”, ka thënë Jupa për Insajderin. Drejtori i kompanisë “Euro Ida”, i pyetur nga Insajderi për importin që kompania e tij ka realizuar nga “Veviba”, ka folur për një skandal mishi, që sipas tij, kishte shpërthyer në Belgjikë “rreth 7-8 muaj më parë”. “Edhe unë jam në ngjarje, por kjo [skandali] ka ndodhë rreth 7-8 muaj më heret, në mos gabofsha. Nuk e di nëse është skandali i Vevibas, por në Belgjikë ka pasur skandal para 7-8 muajve”, deklaroi Jupa. Madje, Jupa ka thënë se edhe autoritetet dhe mediat në Kosovë janë penduar “që e kanë bërë të madhe skandalin e mishit belg”. “Ama kurgjo nuk ka qenë ajo, sepse këta tonët i kanë rënë pizhman që e kanë bërë të madhe këtë punë”, tha për Insajderin, drejtori i kompanisë kosovare “Euro Ida”. Ai ka thënë se kompania e tij bashkëpunon me Brazilin dhe Poloninë, për importin e mishit në Kosovë. Mishi që ishte eksportuar nga kompania belge Veviba për në Kosovë ndonjëherë kishte qenë me afat të skaduar prej 12 vitesh. Sipas asaj që raportoi të martën gazeta belge Brussels Times, një dokument gjyqësor tregon se një kamion mish nga kompania Veviba kishte arritur në Kosovë më 19 shtator të vitit 2016. Shumica e mishit ishte asgjësuar, dhe ishte konstatuar se mishi kishte qenë 12 vjet i vjetër. Gjithashtu u zbulua se një pjesë e mishit kishte ardhur nga disa thertore të tjera belge, siç janë Izegem dhe Harelbeke dhe ishin ri-paketuar në kuti që mbanin markën tregtare të kompanisë Veviba.

Në shtatorin e vitit 2015, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë, për asgjësimin e rreth 20 tonëve të mishit. Ky aksion i AUV-it në shtatorin e 2016-s do të shënonte nisjen e hetimeve ndaj kompanisë “Veviba” – me bazë në Bastonjë të Belgjikës – nga autoritetet belge. Dy vite kishin zgjatur hetimet e Agjencisë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC) ndaj kompanisë “Veviba” Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë sot për Insajderin se në bazë të aksionit të AUV-it kishin nisur hetimet ndaj kompanisë së dyshimtë belge. “Në bazë të atij rasti që ne e kemi zënë, ata kanë filluar hulumtimet dhe e kanë ndjekur kompaninë për dy vjet dhe tash i kanë bërë publike”, thotë Thaçi, teksa shprehet se nga kompania “Veviba” nuk është importuar më mish në Kosovë, që prej shtatorit të 2016-s. AUV thotë se shkaku i procedurave e rregullave nuk ka hyrë më mish nga kompania belge në territorin e Kosovës.

“Nuk ka pas më import nga e njëjta kompani më në Kosovë. Prej asaj kompanie (Veviba, v.j) më nuk ka ardhur sepse janë disa procedura dhe disa rregulla për kontrollet ushqimore”, deklaroi Thaçi. Dy vjet pas njoftimit të autoriteteve belge nga AUV lidhur me mishin e prishur që ishte asgjësuar në Kosovë, autoritetet belge kanë bërë të ditur dje se kanë kontrolluar 200 nga 2000 paleta me mish të kompanisë “Veviba”. Nga këto 200 paleta me mish, përfundimi ka dal të jetë se rreth 70 për qind e mishit të kontrolluar është i dëmshëm. Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë ka njoftuar se ka kontrolluar të gjitha lokalet e kësaj kompanie në Belgjikë. Hetuesit kanë gjetur se në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyrë datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin e prishur nga Belgjika Read More »

Vetëvendosje e palëkundur, nuk do ta votojë Demarkacionin

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim karshi marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ky fakt është bërë i ditur nga deputeti i VV-së, njëherësh sekretar organizativ i partisë, Ismajl Kurteshi. Ky i fundit pohoi për “Epoka e re” se Vetëvendosje është kundër izolimit të Kosovës, por nuk mund ta votojë versionin aktual të Demarkacionit.

Sipas tij, përgjegjësit e këtij izolimi duhet të gjejnë rrugën për të dalë nga kjo situatë. Kurteshi ka vlerësuar se populli po paguan faturat e politikanëve të korruptuar.

Mes të tjerash ai u shpreh i pakënaqur me mënyrën e qeverisjes në vend dhe, sipas tij, qeveria aktuale është duke humbur legjitimitetin dhe besimin qytetar.

Vetëvendosje e palëkundur, nuk do ta votojë Demarkacionin Read More »

Ivanov refuzon dekretimin e ligjit për shqipen: Antikushtetues, nxit tensionet ndëretnike

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e ka quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”, miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. Ai ka bërë të ditur vendimin e tij për mos dekretimin e këtij ligji, të miratuar nën tensione nga shumica parlamentare.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues”, ka thënë Ivanov.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një paraqitje drejtuar qytetarëve të Maqedonisë.

Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit, Zoran Zaev dhe shumicës parlamentare për siç ka thënë, mos respektimin e garancive të dhëna se do të respektojnë kushtetutën dhe se nuk do të miratojnë ligj antishtetërore.

“Ky ligj është shprehje e tiranisë të shumicës parlamentare ndaj shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Shumica e qytetarëve asnjëherë nuk kanë votuar, dhe as që do të votonin një program politik që parasheh një ligj të tillë, antikushtetues, antishtetëror dhe ligj të dëmshëm. Një ligj i tillë jo i drejt nuk meriton të quhet ligj”, ka deklaruar Ivanov.

Por, bazuar në nenin 75 të kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar të dekretoj ligjin, nëse i njëjti miratohet për herë të dytë nga Kuvendi.

Ligjet hynë në fuqi me dekret. Dekreti për hyrjen në fuqi të ligjeve nënshkruhet nga Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendos të mos e dekretoj ligjin për hyrjen e tij në fuqi. Kuvendi sërish voton ligjin dhe nëse miratohet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i obliguar ta dekretoj atë”, thuhet në nenin 75 të kushtetutës.

Ivanov refuzon dekretimin e ligjit për shqipen: Antikushtetues, nxit tensionet ndëretnike Read More »

Arkitekti italian që “ndërtoi” Tiranën po hetohet në Itali, ja për çfarë…

Arkitekti italian, Stefano Boerit ka hartuae planin urbanistik “Tirana në vitin 2030” (Tr030).

Plani është miratuar nga Këshilli Bashkiak.

Por arkitekti po hetohet në Itali, lidhur me procedurat për ndërtimin e qendrës Norcia.

Boeri po hetohet nga prokuroria italiane si drejtor i punimeve në rastin që ka çuar në konfiskimin parandalues të qendrës polivalente të Norcia, projektuar nga arkitekti pas tërmetit të 30 tetorit 2016.

Përveç Boerit është hetuar edhe kryetari i bashkisë së Norcia Nicola Alemanno . Boeri i tha ANSA-s se ishte iqetë, duke shtuar se ky është një keqkuptim i madh.

Plani Urbanistik i Boerit në Tiranë u vlerësua nga Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erjon Veliaj si një projekt ambicioz dhe më i madhi në 100 vjet, që kur Plani i Përgjithshëm Lokal u projektua për herë të parë nga një studio italiane e udhëhequr nga Armando Brasini, i cili hap një fazë të re për të ardhmen e kryeqytetit shqiptar.

Plani i ri i përgjithshëm vendor, i kërkuar me forcë nga qeveria e Edi Ramës (ai ka kryetari i Bashkisë së Tiranës) dhe nga administrata e tanishme e Kryebashkiakut Erion Veliaj, përfshin të gjithë zonën metropolitane të Tiranës dhe gjithashtu merr në konsideratë lidhjet hekurudhore me aeroportin e Tiranës dhe portit të Durrësit, zona e gjelbër dhe korridoret e gjelbër, transportin publik, zonat e reja të zhvillimit të kontrolluar dhe zgjerimin e trashëgimisë arkitekturore të qytetit.

Plani i Përgjithshëm Vendor i Stefano Boerit propozon krijimin e një “Pylli Orbital” me 2 milionë pemë si një rrip i gjelbër i cili do të bëjë të mundur kufizimin e zgjerimit të qytetit të Tiranës përtej kufijve të tij aktuale.

Plani parashikon edhe ndërtimin e 20 shkollave të reja publike.

Arkitekti italian që “ndërtoi” Tiranën po hetohet në Itali, ja për çfarë… Read More »

U denoncua në emisionin investigativ, dorëhiqet zytari i lartë në Kavajë

Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Përparim Çaça ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, per te ushtruar profesionin e tij si avokat. Këtë e konfirmoi edhe kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja në një komunikim me gazetarin e emisionit “Stop”.

Një ditë më parë emisioni investigativ “Stop” transmetoi rastin e nënkryetarit të Bashkisë së Kavajës, Përparim Çaça, i cili krahas detyrës së lartë, ushtronte dhe profesionin e avokatit, në kundërshtim me ligjin.

Kamera e fshehtë e emisionit shfaqi një ditë më parë shkeljet e Përparim Çaçës:

Qytetari – Kemi hartën e vjetër të komunës dhe atë letrën që na ka dhënë komuna atëherë. Kaq metra me kaq, kjo është prona e gjyshit filan fistekut, tani këta dalin me një pretendim, me një hartë tjetër pak më të re.

Përparim Çaça – Kush janë të tjerët?

Qytetari – Janë të lagjes.

Përparim Çaça – S’është puna e lagjes, sa janë 1, 2, 3? Sa janë? Sa veta janë?

Qytetari – 3… 3!

Përparim Çaça – Nuk e di! Ne jemi në ajër se unë nuk kam as letra, as shkresa, asgjë! Po nuk pashë letrat, po nuk pashë shkresat, kupton? M’i sill këtu dhe unë kam diçka që duhet ta vlerësoj edhe të them të takon, s’të takon sipas gjykimit tim, ë?  Unë punoj: Më sill letrat, më sill shkresat t’i shikojmë edhe të them: Zotëri i nderuar, këtë e fitojmë, i hyjmë! Edhe kur i hyj, e di se i hyj se do fitoj, nuk kam kohë për të humbur.

Qytetari – Unë doja të dija a ma merr përsipër si çështje?

Përparim Çaça – Unë do ta marr vetëm kur të shoh letrat! Edhe hartat… hartat nuk është problem se zgjidhen, shikohen.

Qytetari – Po pra, po!

Përparim Çaça – Se unë jam edhe nënkryetar bashkie këtu edhe ato të Luzit atje i marr origjinale ça duhet dhe shohim realisht si janë gjërat.

Qytetari – Fiks pra!

Përparim Çaça – Nuk na ngordh këtu puna, problemi është që të shikojmë mirë gjërat. Në rregull?

Qytetari – Në rregull!

Përparim Çaça – Mirupafshim.

Pas kësaj kamere të fshehtë, ku shfaqej qartë me zë dhe figurë Përparim Çaça duke vijuar aktivitetin e avokatisë, nuk mbeti gjë tjetër veçse të përballej gazetari i emisionit “Stop” me të.

Gazetari – Nënkryetar bashkie me zyrë avokatie, ditë e martë, ora 02:00. Duhet të jesh në orarin zyrtar të punës.

Përparim Çaça – Po, tani po iki atje se isha vetëm thjesht këtu. Këtu nuk jam unë se është një zyrë tjetër, ka ardhur një avokat tjetër.

Gazetari – Ju s’merreni fare me çështje?

Përparim Çaça – Fare, fare! S’kam të drejtë! Absolutisht, është absolutisht është ligji. Absolutisht, nuk ka shanse, as në gjykatë, askund, nuk mundem dot, është me ligj. Absolutisht

Unë që në momentin që kam qenë nënkryetar bashkie, licenca është e pa mundur! Thjesht kanë ngel ato… se do t’i heq. Absolutisht, mund të shkoni në gjykatë, të shikoni!

Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se sipas burimeve pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, nënkryetari i bashkisë ka kryer pagesën e taksave për vitin 2018, pavarësisht mohimit nga ana e tij për vijimin e aktivitetit si avokat pas marrjes së detyrës si nënkryetar i Bashkisë Kavajë.

Sot, nëpërmjet një telefonate, kryetari i Bashkisë Kavajë, Isa Sakja tha se nënkryetari i këtij institucioni ka dhënë dorëheqjen nga posti publik, duke zgjedhur të vijojë aktivitetin e avokatisë.

“Absolutisht, rasti do shihet me detaje edhe në konform me ligjet, do të marr vendimet e mia. Megjithëse nga ana e zotit Çaça është një reagim që dje dhe ka kërkuar vetë që të largohet”.

U denoncua në emisionin investigativ, dorëhiqet zytari i lartë në Kavajë Read More »

Këto janë qytetet shqiptare në të cilat jetojnë BOSAT shqiptarë

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për depozitat sipas qarqeve, vetëm të individëve, në raport me popullsinë përkatëse, të publikuar nga INSTAT kanë marrë në studim kursimet që janë të disponueshme për Tiranën, Durrësin, Vlorën, Elbasanin, Fierin, Korçën, Shkodrën, Lezhën.

Kryeqytetasit kanë gjithsej në banka në lekë e valutë rreth 319 miliardë lekë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ose 67% të totalit të depozitave që ka Tirana (pjesa tjetër zotërohet nga bizneset e institucionet).

Me një popullsi prej 862 mijë banorësh, sipas INSTAT, çdo banor i Tiranës ka një kursim në bankë prej 37 mijë lekësh.

Tirana është edhe qyteti që ka nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë në vend, sipas INSTAT, me 679 mijë lekë në vit, duke qenë në linjë të drejtë me vendin e parë që zë për sa u përket kursimeve për frymë.

Në vend të dytë për nga kursimet për frymë, me 36.1 mijë lekë, pothuajse sa kryeqyteti, është Vlora, qyteti që ka lidhje me emigracionin, por është edhe bazë e trafiqeve të jashtëligjshme, një pjesë e të ardhurave të secilës depozitohen si kursime.

Ndryshe nga Tirana, që i “justifikon” kursimet me të ardhurat e larta për frymë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vlorën. Ky tregues për qytetin bregdetar jugor, sipas INSTAT, është 431 mijë lekë për frymë në vit, ose 63% e PBB-së kryeqytetase dhe Vlora renditet e pesta në të ardhurat për frymë, pas Tiranës, Fierit, Gjirokastrës, Durrësit, duke qenë nën mesataren e Shqipërisë prej 496 mijë lekë.

Të tretët në renditje janë banorët e Durrësit, ku një rol të rëndësishëm luan edhe emigracioni. Qytetarët durrsakë kanë rreth 26 mijë lekë depozita për frymë.

Të katërtët janë korçarët, (22.6 mijë lekë për frymë) që njihen për nikoqirë dhe si të tillë e administrojmë më mirë paranë, duke lënë disa mënjanë. Më pas vijnë Korça dhe Elbasani, me përkatësisht 22 dhe 19.3 mijë lekë për frymë.

Interesant është që Fieri, që është i dyti për të ardhurat për frymë, ka kursime shumë të ulëta prej 18 mijë lekë për frymë, në një tregues që investimet e mëdha në industrinë e rëndë (naftë) në këtë qytet, ndonëse rrisin prodhimin e brendshëm të tij, nuk arrijnë të përkthehen në më shumë mirëqenie e kursime për vetë banorët.

Gjithsej, depozitat e individëve në banka e institucione të tjera financiare në Shqipëri ishin 917 miliardë lekë në fund të tremujorit të tretë (67 miliardë euro), ose 83% e totalit të depozitave në vend.

Vitet e fundit, depozitat e individëve janë ulur për shkak të normave të pafavorshme të interesit. Në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro.

Pavarësisht rënies, Shqipëria vijon të jetë një ndër vendet në zhvillim me nivelin më të lartë të kursimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (aktualisht 66.5% e PBB). Gjysmat e kursimeve janë në monedhën e përbashkët. Bullgaria ka depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%.

Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%. Pak më lart është Sllovenia me 53%. Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%

Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80% (Italia e ka 77%). Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93% depozita në raport me PBB-në

Këto janë qytetet shqiptare në të cilat jetojnë BOSAT shqiptarë Read More »