Kuriozitete

Fakte nga Ago Nezha – Nuk do ta besoni, Dukati eshte sa 1/5 e rrethit te Vlores dhe ka 260 . . .

Një nga zonat më të bukura në  rivierën e vendit tonë është padyshim edhe Dukati, i cili mban brenda vetes një shumësi rrethinash të vogla.

Po si qëndron historia e këtij fshati që mban brenda vetes histori e legjenda të shumta.

Ka shumë historian e studiues që Dukatin e përshkruajnë si vendin ku kalonin vendin “Dukët” për shkak të bukurive natyrore.

Po t’i referohemi fakteve që sjell profesor Eqerem Çabej të gjitha vendbanimet që kanë në emrin e tyre prapashtesën “at” kanë rrënjë qartazi, Ilire.

Ndoshta për këtë arsye, hapësira e madhe që përfshin fshati Dukat përmbledh edhe disa qytete antike, si për të treguar historinë fort të mistershme dhe mjaft të vjetër të këtij vendi.

Nëse përfshijmë banorët e Dukatit të vjetër atij të ri dhe Okrikumit, numri i banorëve mund të shkojë më shumë se 7 mijë banorë, ndërkohë që 3 a 4 mijë të tjerë janë shpërndarë në qytetet më të mëdha të vendit.

Ago Nezha, kryetari i shoqatës “Labëria” thotë se Dukati është një fshat, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë, me përmasa të gjera gjeografike dhe është një fshat për ta pasur zili jo vetëm për gjerësinë gjeografike, po edhe për resurset që ka ai brenda vetes.

Dukati ka 260 kilometra katrorë sipërfaqe, që është 1/5 e rrethit të Vlorës dhe 1/100 e gjithë Shqipërisë.

Fshati fillon tek Kepi i gjuhës dhe në vijë lienare dhe bregdetare është 91 km që përshkon malet Akrokeraune, që sot banorët i quajnë “Malet e vetëtimës”, shkon në Llogara, zbret në Palasë dhe harkon në malet e tjera në Çikë, në Tërbaç, në Vranisht, zbret në Tragjas më e më pas në Rradhimë.

Pra është një amfiteatër natyror që përveç madhësisë ka edhe një diversitet natyror të admirushëm.

Gjurmët më të hershme në këtë krahinë, i gjejmë padyshim në qytetin e lashtë të Orikut. Ai përmendet në fundin e shekullit të VI si një koloni e krijuar edhe më parë nga Eubeasit.

Megjithatë siç në rastin e Dyrrahut apo Apollonisë edhe Oriku u vendos në një qendër të banuar më parë. Vendbanimi shtrihej në gjirin e Dukatit ku u krijua edhe laguna nën të cilën ndodhen edhe rrënojat e pjesës tjetër të qytetit.

Banori i Dukatit Sofo Kuteli thotë se Dukati është një trevë me shumë vendbanime të hershme.

“Unë mund të numëroj 8-9 vendbanime, që po të bësh disa gërmime gjen vlera të mëdha. Brisani, Ravena, Kanali, Maruka, Gjyrati, Erihoi e disa të tjerë”.

Kanë qenë shumë kronikan që kanë kaluar në këto anë dhe Dukatin e kanë përshkruar me nota shumë romantike duke filluar që nga Evlia Çelebia, i cili në kujtimet e tija shkruan që “Kalova nëpër Dukat dhe Dukati kishte brenda vetes së tij 100 fshatra”.

Çelebia i përshkruan dukatasit si njerëz shumë të veçantë, me një trimëri të rrallë e që nuk e njihnin tërheqjen.

Legjendat anë të shumta në këto anë dhe një prej tyre është që në Malin e Vetëtimës ka lindur Zeusi dhe këtë e mbështesin edhe shumë studiues, e një prej tyre është edhe ai anglez, Hamond.

“Këto quhen ‘Malet e vetëtimës’, vetëtima ka zot Zeusin dhe kjo është shtëpia e Zeusit”, kështu shprehet një nga banorët.

Më vitin 48 pas Krishtit, në Palasë zbarkoi Jul Çezari për t’iu ngjitur Llogarasë e për të shkuar në atë vend që edhe sot quhet qafa e Qezarit. Pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun.

Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Thuhet se Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit.

Sipas Mulla Isa Hasko, emri i këtij fshati duhet të ketë prejardhjen nga një monedhë e vjetër dhe me vlerë. Edhe Evilja Celebiu në librin “Shqipëria para dyqind vjetëve”, i përkthyer nga Sali Vuçiterni, hedh dritë mbi emrin e Dukatit.

Ndërsa Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës ose siç quhet sot mali i Rimit.

Në Dukat ndodhet edhe Kulla e Dervish Aliut. Në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike.

I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshtare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është ndërtuar në tokën e tij nga mjeshtrat vendas.

Ajo përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut.

Si pjesë më të rëndësishme të këtij ndërtimi përmendim kullën e vrojtimit, kullën mbrojtëse, divani me kollona guri e harqe, shtëpinë e bukës, odën e miqve e banesa të tjera ndihmëse.

Në banesën e ngritur mbi një truall kulmor janë hapur frengji (vende ku gjuanin luftëtarët) nga ku kontrollohet i gjithë territori përreth.

Kjo e shndërron këtë ndërtim në një kështjellëz të fortifikuar.

Kompleksi është shpallur monument kulture në vitin 1979. Si të shkojmë tek Kullat e Dervish Aliut? Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër.

Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkruhet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.

Fakte nga Ago Nezha – Nuk do ta besoni, Dukati eshte sa 1/5 e rrethit te Vlores dhe ka 260 . . . Read More »

Babagjyshi i Vitit të Ri nuk është më nga Groenlanda, janë edhe këto shtete

Prej një kohë shumë të gjatë, ishulli arktik i Groenlandës ka pretenduar se është atdheu i plakut të shëndoshë me mjekër të bardhë, i veshur me të kuqe dhe me gjyslyke të rrumbullakta, i cili njihet si Babagjyshi i Vitit të Ri apo botërisht si Santa Klaus.

Por, pretendimi se Santa Klausi, të cilit miliona fëmijë i dërgojnë listën e dëshirave, nuk e ka origjinën nga Groenlanda mund të ndryshojë, pikërisht një ditë përpara shkëmbimit të dhuratave, sipas televizionit publik danez, DR.

“Në Danimarkë është rrënjosur ideja se Babagjyshi i Vitit të Ri na përshëndet nga Groenlanda, ndërkohë që në vende të tjera  kjo ide lidhet me Finlandën. Dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë”, thotë Lykke Geisler Yakaboylu, shefe e agjencisë turistike ”Visit Greenland”.

Sipas folklorit finlandez, shtëpia e vërtetë e Santa Klausit ndodhet në zonën malore finlandeze të Korvantunturi, në Laplandin Lindor. Megjithatë, ai shpesh mendohet ta ketë patur shtëpinë në fshatin Santa Claus, pranë Rovaniemit, në Rrethin Arktik, i mbushur me dyqane, restorante, pista rrëshqitjeje dhe atraksione të tjera.

”Gjatë viteve ’90 u bënë përpjekje që ta përcaktonin zyrtarisht Groenlandën si shtëpinë e Babagjyshit të Vitit të Ri, por nuk pati asnjëherë sukses, megjithatë edhe sot ne themi se ai është nga Groenlanda”, thekson Yakaboylu.

Shtete të tjera që pretendojnë origjinën e Babagjyshit të Vitit të Ri janë edhe Turqia dhe Rusia.

Babagjyshi i Vitit të Ri nuk është më nga Groenlanda, janë edhe këto shtete Read More »

Çudibërëse lëkura e qepës, ja përdorimet shëndetësore

Gjëja e parë që bëjmë kur duam të hamë qepë është ta qërojmë atë. Lëkura e qepës hidhet në kosh, por për fat të keq ky është një hap i gabuar sepse ajo përmban shumë vlera ushqimore.Shtresa e jashtme e lëkurës së qepës përmban sasi të mëdha antioksidantësh që promovojnë mirëqenien e përgjithshme të organizmit dhe e mbrojnë atë nga sëmundjet.

Lëkura e qepës fuqizon aftësitë vetë-shëruese të trupit madje mund të mbrojë edhe nga disa forma të sëmundjeve tumorale.

Ajo përmban fibër të tretshme dhe flavonoidë që promovojnë elasticitetin e lëkurës duke ju dhuruar një paraqitje të re dhe pa akne.

Shtresa e jashtme e qepës është shumë e pasur me flavonoidë dhe kuercetinë, dy flavonoidë të rëndësishëm dhe antioksidantë që luftojnë inflamacionin.

Kuercetina lufton radikalet e lira në gjak dhe inflamacionin.

Ajo ul stresin oksidues që shkakton sëmundje si ateroskleroza, sëmundje të zemrës, infeksione të prostatës, ulçerë në stomak, diabet dhe problemet me syrin.

Lëkura e qepës funksionon edhe kundër alergjive, azmës dhe simptomave të tyre.

Çaji i lëkurave të qepës ndihmon gjithashtu në alkalizimin e pehashit të sistemit tretës dhe pastrimin e zorrës së trashë.

Shkencëtarët po studiojnë rolin e kuercetinës në uljen e kolesterolit në gjak dhe tensionit të gjakut por edhe inflamacionin.

Për më tepër, ata besojnë se lëkura e qepës përmirëson rritjen e muskujve, parandalon disa lloje të sëmundjeve të rënda dhe trajton depresionin.

Lëkura ngjyrë kafe dhe shtresat e jashtme të qepës përmbajnë shumë fibër, flavonoidë dhe antioksidantë, por edhe vitaminat A, C dhe E që mbrojnë qelizat e kuqe nga radikalet e lira.

Lëkura e qepës e mban lëkurën më të re dhe përmirëson funksionet e trupit.

Fuqia e lëkurës së qepës

Kuercetina te lëkura e qepës ul tensionin e gjakut dhe parandalon bllokimin e arterieve. Ngrënia e qepës ul rrezikun e:

• Sëmundjeve të zemrës • Tumoreve të zorrës së trashë • Mbipeshës • Diabetit të tipit 2 • Problemeve gastrointestinale

Lëkura e qepës lufton qelizat kancerogjene, mykun, bakteret dhe shërben si antioksidant.

Si të përgatisni çajin me lëkurën e qepës

Lëkura e qepës është detoksifikuese dhe mund të konsumohet si çaj.

Receta:

• Qëroni qepën dhe lëkurat vendosini në një kavanoz

• Mbusheni me ujë dhe lëreni kavanozin në frigorifer për 12 orë.

• Lëkurat do të lëshojnë ushqyesit në ujë.

• Kullojeni lëngun dhe shtoni mjaltë.

• Pijeni përpara fjetjes.

Çudibërëse lëkura e qepës, ja përdorimet shëndetësore Read More »

Interesante ja bimët që mbushin shtëpinë me humor të mirë

Bimët janë pjesë e rëndësishme e zbukurimit të shtëpisë apo zyrës sonë. Ato përcjellin freski dhe bukuri natyrale për çdo ambient.

Përveç të qenit aksesorë të mirë zbukurues për shtëpinë, bimët përmirësojnë rrjedhën e energjisë pozitive në ambient dhe përcjellin ndjesinë e mirëqenies çdo ditë.

Për fat të mirë, ju mund ta zbrapsni energjinë negative duke ftuar disa bimë të veçanta në shtëpi ose në zyrë.

Ndikimi do të jetë i mirëpritur jo vetëm për ju, por edhe për njerëzit që ju rrethojnë.

Borziloku i shenjtë

Rritja e borzilokut në shtëpi ose kopsht besohet të ketë një ndikim shpirtëror shërues në ambient dhe tek njerëzit që e ndajnë atë.

Përfitimet janë të shumta. Borziloku është një nga bimët e pakta që lëshojnë oksigjen 20 orë në ditë dhe përthithin gazrat e dëmshme si dioksidi i karbonit dhe monoksidi i karbonit nga mjedisi.

Bima duhet të vendoset në krahun verior, lindor apo verilindor të shtëpisë ose kopshtit.

Orkidea

Sipas filozofisë kineze, orkidea është një bimë që përcjell energji pozitive.

Ajo jo vetëm që përmirëson energjinë në shtëpi, por edhe jetën e banorëve të saj si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror.

Zambaku i Paqes

Zambaku i paqes është një tjetër bimë që çel lule e cila ndihmon begatinë shpirtërore, fizike dhe mendore.

Gjethet plot shkëlqim të saj përmirësojnë rrjedhën e energjisë së mirë në shtëpi.

Kjo bimë pastron ajrin duke neutralizuar gazrat e dëmshëm të hapësirave të brendshme.

Ajo pastron ajrin nga toksinat si benzene apo monoksidi i karbonit.

Rozmarina

Rozmarina ju bën mirë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Ajo ndihmon në pastrimin e ajrit në shtëpi dhe në zyrë nga toksinat e dëmshme.

Aroma e saj është fantastike dhe ka një ndikim të menjëhershëm në përmirësimin e humorit, gjallërinë shpirtërore, pakësimin e lodhjes, ankthit, përmirësimit të kujtesës, gjumit dhe rikthimit të fuqisë.

Rozmarina sjell paqe në shpirt, ndaj e meriton një vend të denjë në shtëpinë tuaj.

Mbajeni rozmarinën në një vend me diell dhe mos e teproni me ujitjen.

Jazmina

Jazmina, e cila njihet ndryshe si bima e çifteve, përcjell energji pozitive dhe forcon marrdhëniet dhe përmirëson romancat e dashurisë.

Aroma e ëmbël e saj ndihmon të eliminojë energjinë negative nga dhoma dhe u jep vetëbesim dhe optimizëm.

Aloe Vera

Bima e Aloe Verës sjell fat të mbarë dhe energji positive.

Energjia që ajo përcjell largon fatin e keq. Përkujdesja për të është shumë e thjeshtë.

Ju mund ta rrisni në një vend në kontakt jo të drejtpërdrejtë me diellin dhe ta ujisni rregullisht.

Aloe Vera nuk e toleron ujin e ndenjur, ndaj një sistem i mirë kullimi është i domosdoshëm.

Rekomandohet që Aloe Vera të vendoset nëpër korridore që të përthithë energjinë negative në shtëpinë tuaj.

Krizantema

Krizantema jep ndjesi pozitive dhe largon emocionet e këqija. Ajo ka cilësi pastruese të ajrit dhe largon toksinat e dëmshme.

Kjo bimë promovon mirëqenie dhe simbolizon jetëgjatësi.

Interesante ja bimët që mbushin shtëpinë me humor të mirë Read More »

Kikirikët, Si t’i Rrisni Lehtë në Shtëpi

Kikirikët mund të rriten lehtësisht në kushtet e shtëpisë, në rast se plotësoni kushtet që kjo bimë arrore kërkon. Kikirikët kanë nevojë për 8 orë ndriçim dielli, tokë të pasuruar dhe të shkrifët dhe një sistem të mirë kullimi.

Dheu që do të përdorni për rritjen e kikirikëve duhet të jetë i pasuruar me pleh. Kikirikët kanë nevojë për hapësirë që të rriten pa u shqetësuar.

Kikirikët mund të mbillen lehtësisht duke përdorur si farë, kokrrat e kikirikëve të qëruara nga lëvozhga e jashtme.

Farat apo kokkrat duhen mbjellë në ambiente të brendshme në vazo të mbushura me dhe të plehëruar, të cilat mund të zhvendosen direkt në kopësht ku temperatura e tokës arrin në 18 gradë.

Nëse toka është e kulluar mirë, atëherë farat apo kokrrat vendosini 5-7 cm nën dhe si dhe disa centimetra larg nga njëra tjetra, në varësi të madhësisë së vazos. Përdorni 2 apo 3 kokrra pë vazo.

Bima e kikirikut çel lule të verdha. Kjo ndodh 30-40 ditë pas mbjelljes. Çdo lule prodhon një zgjatim që ngulet në tokë për të formuar kikirikun.

Pas rritjes së fidanëve, dheu pranë rrënjës duhet punuar dhe mbledhur për të ndihmuar zënien vend të kikirikëve.

Vaditja është kryesore për rritjen e kikirikëve. Fidanët dhe farat duhet të jenë gjithnjë të ujitur. Që nga çelja e filizave deri tek çelja e luleve, kikirikët kanë nevojë për 40 mm ujë në javë.

Në harkun kohor të 100 ditëve nga mbjellja, toka ose dheu duhet të jetë i vaditur dhe i lagësht që kikirikët të prodhohen siç duhet.

Ndaj në këtë periudhë dheu përreth bimës duhet të jetë i pasuruar dhe i ushqyer me pleh për të ruajtur lagështinë dhe mbajtur larg barishtet e këqija.

2 javë përpara mbledhjes së kikirikëve, bima nuk dëshiron të ujitet. Kini kujdes sepse nëse e teproni me vaditjen, gjethet e bimës do të dëmtohen.

Kikirikët e Duhur për Rritje në Shtëpi

Farat apo kokrrat janë të mbështjella me lëvozhgën e tyre. Mund t’i hapni përpara mbjelljes por nuk është e nevojshme të hiqni shtresën e jashtme të farave e cila është e dobishme për çeljen e filizëve.

Varietetet më të përdorura për mbjellje janë: Valencia, Spanjolle dhe Virginia. Farat gjenden në shumë ngjyra: të kuqe, të zeza, të bardha dhe me lara.

Varieteti Valencia rritet shumë shpejt, ndërsa ato Spanjolle kanë një përmbajtje më të lartë vajore.

Mbledhja e kikirikëve

Numëroni ditët që nga mbjellja e kikirikëve. Një ose dy javë përpara datës së pjekjes, kontrollojini duke gërmuar tokën lehtë kur është e lagësht.

Nëse i keni mbjellë në kopësht, kur gjethnaja e bimës merr ngjyrë të verdhë përdorni një lopatë për të punuar tokën përreth bimës. Ngrijeni atë në ajër së bashku me kikirikët që varen në rrënjë.

Shkundni dheun e tepërt dhe lejoni tharjen e bimës për një javë. Lëreni atë në një vend në kopësht në kontakt me diellin.

Më pas bishtajën e kikirikëve ndajeni nga bima dhe shpërndajeni në një shtresë të hollë në një vend të thatë dhe të freskët për dy deri në tre javë.

Sigurohuni që ato nuk zënë myk, pra të mos i zerë lagështia, sepse në të kundërt,  kikirikët nuk janë të sigurt për konsum.

Pas raundit të dytë të tharjes, kikirikët mund të piqen në furrë ose të ruhen në një qese rrjetë në një vend të thatë dhe të freskët.

Kikirikët, Si t’i Rrisni Lehtë në Shtëpi Read More »

Çaji i Karafilave, Aroma Qetësuese e Mbrëmjes

Njerëzimi i është gëzuar aromës së karafilave prej të paktën 2000 vitesh.

Vendlindja e karafilave nuk është e saktë, por ekspertët besojnë se ato kanë çelur si fillim në vendet e Mesdheut.

Karafilat kanë qenë lulet e preferuara të shkrimtarëve dhe poetëve si Shekspiri dhe Pablo Neruda.

Karafili luan një rol të rëndësishëm për mirëqenien e njeriut dhe kjo jo vetëm falë aromës.

Lulet e karafilit mund t’i zieni në ujë me të cilin më pas mund të lani trupin ose rrobat delikate.

Petalet e karafilit mund të përdoren si zëvëndësues të atyre të trëndafilave në ëmbëlsira dhe shurup.

Petalet e karafilit nxjerrin një vaj esencial që përdoret në terapitë aromatike për të qetësuar nervat.

Përdorimet mjekësore të karafilit

Kundër stresit

Lulja e karafilit mund të konsumohet si çaj kundër stresit dhe nervozismit.

Lulja thahet dhe më pas pihet si çaj, që funksionon edhe kundër depresionit dhe lodhjes.

Në Evropë, çaji i lules së karafilit përdoret jo vetëm kundër nervozizmit por edhe disa problemeve të zemrës dhe të përzierave të shkaktuara nga udhëtimi në det.

Nëse përdorni vajin esencial në lëkurë, ajo do të jetë më e butë dhe e gjallëruar ndërsa aroma do të ketë një efekt të ndjeshëm qetësues.

Kundër inflamacionit

Karafili mund të largojë inflamacionin dhe të rikthejë ekuilibrat hormonalë tek gratë.

Çaji i karafilit është përdorur jo vetëm kundër inflamacionit  por edhe kundër pagjumësisë.

Ky çaj funksionon edhe kundër konstipacionit.

Për lëkurën

Vaji i lules së karafilit ofron përfitime terapeutike per lekuren tuaj dhe e zbut atë.

Shumë gra e përdorin këtë vaj jo vetëm kundër rrudhave, por edhe ekzemës.

Karafili si diuretik

Qytetërimet e lashta të botës kanë përdorur karafilin si tonik.

Kjo arrihet duke zier petalet e lules në ujë dhe më pas duke e konsumuar me nga një lugë gjelle kundër bllokimeve të rrugëve të frymëmarrjes.

Çaji i karafilit përmirëson qarkullimin e gjakut dhe forcon metabolizmin.

Ai pastron trupin nga toksinat por megjithatë nuk rekomandohet për gratë shtatzënë.

Si ta përgatisni çajin e karafilit

Për çaj mund të përdorni 5 lule karafili të thara në diell në 500 ml ujë të ngrohtë.

Ziejini së bashku për 2-4 minuta dhe konsumojeni me mjaltë.

Çaji i Karafilave, Aroma Qetësuese e Mbrëmjes Read More »

Tradita e Bakllavasë – Të Presësh Vitin e Ri me Ëmbëlsi

E ëmbël dhe shije plotë, me sherbet e arra , bakllavaja pa dyshim është lezeti i tryezës shqiptare të vitit të ri.

Një traditë e trashëguar brez pas brezi nga nënat e gjyshet shqiptare, kjo ëmbëlsirë vijon të mbetet edhe sot më e preferuara e shqiptarëve dhe sigurisht nuk mungon në asnjë tryezë kur bëhet fjala për darkën e shumëpritur të ndërrimit të viteve.

Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë bakllavaja u konsiderua si një gatim për njerëzit e pasur, ndaj edhe konsumohej në ceremoni të veçanta.

Ishin Otomanët ata që e sollën bakllavanë në trojet e Ballkanit. Kjo ëmbëlsirë ishte një ndër gatimet më të preferuara në Pallatin e Sulltanit.

Në ditët e sotme, Bakllavaja është shndërruar në një traditë mesdhetare, përgatitja e së cilës kulmon në festat e fundvitit, ku padyshim pjesë e kësaj tradite është edhe Shqipëria.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së bakllavasë në mënyrën shqiptare.

Përgatitja e Bakllavasë në Shtëpi  

Përbërësit

1 kg miell

4 të verdha vezësh

1 vezë e plotë

Një gotë ujë vaj ulliri

2 filxhanë çaj gjalpë i tretur

1.5 kg arra,

3 gota uji me sheqer për shurupin

2 filxhanë çaji niseshte

Përgatitja

Sitim miellin në një tepsi.

Hapim një gropë në mes. Hedhim pak kripë, të verdhat e vezëve dhe ujin.

Nisim të punojmë brumin me dorë derisa të bëhet një masë kompakte dhe homogjene.

E ndajmë në kuleçë të vegjël dhe e lëmë të pushojë përreth një orë.

Më pas, nisim të hapim petat një e nga një duke përdorur niseshte në hapjen e shpejtë të tyre.

Petët mund t’i hapim një e nga një por edhe 2 ose 3 bashkë, duke hapur pak në fillim kuleçët e duke i vendosur një mbi një e më pas i hapim përmes petësit.

Pasi i hapim petët, i lëmë  që të thahen pak e më pas i shtrojmë në tepsi.

Pasi kemi shtruar gjysmat e petëve hedhim në mes arrat e qërrura e të thërrmuara dhe sipër vendosim sërisht gjysmat e tjerave të petave.

Në vijim, mbledhim anët e të dyjavë shtresave të petëve rreth e rrotull tepsisë.

Bëjmë prerjen tipike të bakllavasë në formën e rombave, sipër hedhim gjalpin e tretur në mënyrë të njëtrajtshme.

E fusim në furrën e parangrohur dhe e pjekim derisa bakllavaja të ketë marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Më pas përgatisim, sherbetin, i cili duhet të hidhet i nxehtë ndërsa bakllavaja e ftohtë.

Për përgatitjen e sherbetit përdorim 3 gota me sheqer dhe një gotë ujë.

Për më shumë informacion për historinë e bakllavasë mund të klikoni këtu.

Tradita e Bakllavasë – Të Presësh Vitin e Ri me Ëmbëlsi Read More »