Art-Kulture

Tragjasi i vjeter do shpallet ‘Qender historike’ – Deklarata e papritur e Ministres se . . . !

Në ambientet e Muzeun Historik Kombëtar u mbajt aktiviteti në kuadër të promovimit të botimeve: • “Trashëgimi në rrënoja e fshatit të braktisur mesjetar të Tragjasit: Ruajtja dhe rivitalizimi i së harruarës”, me autor Florian Nepravishta, Ledita Mezini dhe Arta Dollani.

Libri paraqet punën e kryer në kuadër të kërkimit akademik të FAU, të zhvilluar me studentët e vitit të pestë (viti akademik 2015-2016), në bashkëpunim të ngushtë me IMK. • Revista periodike “Monumentet”, nr. 56, si dhe • “Analizë strukturore, Metoda Përforcuese dhe Teknika të Muraturave në Ndërtesat Historike” – botuar dhe realizuar nga IMK gjatë vitit 2017, bazuar në Kursin e Trajnimit me tematikë “Forcimi i Kapaciteteve në Fushën e Trashëgimisë Kulturore”.

Aktiviteti prezantoi rezultatet e një bashkëpunimi të ngushtë e të suksesshëm ndërmet Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, për evidentimin, njohjen dhe realizimin e propozimeve konkrete për rijetëzimin e Fshatit rrënojë të Tragjasit të vjetër.

Diskutimet e zhvilluara ndërmjet panelit dhe grupeve të interesit, të pranishëm në këtë aktivitet, sollën në vëmendje edhe Draft Ligjin për Trashëgimi Kulturore, në të cilin, koncepti i “Rijetëzimit” trajtohet si pjesë mjaft e rëndësishme që lidhet me ruajtjen e ndërtimeve dhe siteve të trashëgimisë kulturore. Paneli i diskutimit përbëhej nga: znj. Mirela Kumbaro Furxhi – Ministre e Kulturës; znj. Arta Dollani – drejtoreshë e IMK-së; Prof. Dr. Florian Nepravishta – dekan i FAU-t pranë UPT-së; Dr. Ledita Mezini – pedagoge pranë FAU; Prof. Dr. Pirro Thomo – ekspert në fushën e trashëgimisë kulturore.

Fshati rrënojë i Tragjasit të Vjetër, sot një muze i hapur i lënë në harresë, vjen në vëmendjen e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, nëpërmjet ekspozitës me projekt propozimet e tyre, ku spikat një dimension i ri idesh për ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij fshati.

Ne promovimin e librit per Tragjasin e Vjeter mori pjese dhe Ministrja e Kultures znj. Mirela Kumbaro e cila deklaroi: Jemi ne rrugen e shpalljes se Tragjasit te Vjeter “Qender Historike”.

Tragjasi i vjeter do shpallet ‘Qender historike’ – Deklarata e papritur e Ministres se . . . ! Read More »

Shqiptari Ermal Meta fiton festivalin e Sanremos në Itali

Festivali i Sanremos në Itali që u zhvillua këtë të shtunë (deri në orën 01.25 të së dielës) ka njohur një zë brilant, atë të shqiptarit Ermal Meta, i cili bashkë me kengëtarin italian Fabrizio Moro u futën si një nga tre këngët më të mira të këtij edicioni në Sanremo.

Kënga e tyre ishte “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë). Në finale ishin edhe Analissa dhe grupi “Stato Sociale”, por pas votimit final për këngën fituese ndër tre finalistët, festivalin e Sanremos e fitoi Ermal Meta dhe Fabrizio Moro.
VIDEO E KENGES FITUESE

 

VIDEO/MOMENTI I SHPALLJES SË FITUESIT TË ÇMIMIT TË PARË

 

Image

Këngëtari shqiptar Ermal Meta bashkë me Fabrizio Moron kanë dalë në konferencë për mediat pasi morën çmimin e parë të festivalit të Sanremos.

Më duket e pabesueshme, pasi ishim të bindur që do të arrinim të 3-të.

Kisha 3 vite që punoja për diçka të tillë.

Jam shumë i lumtur, jo vetëm sepse morëm çmimin e parë, por për mesazhin që jep kjo këngë’, është shprehur Ermal Meta.

Duke komentuar pezullimin dhe më pas rikthimin në festival, këngëtari shqiptar është shprehur se ‘gjithçka shkoi në vendin e vet’.

Mesazhi i këngës së shqiptarit që fitoi Sanremon dhe u kthye hit

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente”, kanë triumfuar në Festivalin e Sanremo-s në Itali. Në komentin e parë pas marrjes së çmimit, Ermal Meta tha se ja dedikonte këtë fitoren precedentit të tij dhe  “atyre që më mbështetën, kur shumë të tjerë mendonin se nuk do ja dilja”.

Përveç çmimit të parë, Ermal Meta dhe Moro, fituan dhe çmimin “Tim Music” në Sanremo 2018. Ky çmim jepet për këngën që është dëgjuar më shumë në rrjetet sociale dhe youtube. Në vetëm dy ditë kënga e tyre arriti në 4 milionë klikime duke u bërë një hit i padiskutueshëm në Itali, por jo vetëm.

Kritika e Sanremos e vlerësoi këngën për zërin e këngëtarëve, muzikën, por edhe mesazhin.

Teksti është revoltë për botën e goditur nga terrorizmi. Titulli “Nuk më keni bërë asgjë” ka marrë spunto nga masakra e Parisit, në vitin 2015, në lokalin “Bataklan” ku gjatë një sulmi terrorist u vranë 89 të rinj dhe banda e rrokut që këndonte në lokal. Një ditë më pas, në homazhet para lokalit ishte bashkë me lulet ishte vendosur një mbishkrim i të afërmeve të viktimave: “Nuk më keni bërë asgjë”. Ky mesazh i fortë i përcjellë me zëri brilant të këngëtarëve dhe muzikën e përkryer bëri që kënga të vlerësohej si më përfaqësuesja e Sanremo 2018.

Pas shumë polemikave këtë edicion të festivalit, Meta dhe Moro kanë arritur të lënë gjithçka pas krahëve dhe me performancat e tyre të jashtëzakonshme fituan zemrat e italianëve duke i bërë më të votuarit në këtë festival.

“Non mi avete fatto niente” u pezullua përkohësisht për dyshim të thyerjes së rregullores së Festivalit, por pas vlerësimeve, “Rai” doli në përfundimin që kënga të vazhdonte garën, nga e cila dy këngëtarët u larguan si triumfues.

Shqiptari Ermal Meta fiton festivalin e Sanremos në Itali Read More »

Jam në krahun tuaj Robert Ndrenika…

Zbrazja e atdheut është tragjedia që po luhet…Dhe ne mbjellim lule, lexojmë me projekt në park romane dhe marrim fonde, bëjmë sikur vrasim mushkonjat me fond japonez dhe fusim paratë në xhep, marrin të gjitha projektet në shoqërinë civile gratë e qeveritarëve,…

Nga Përparim Kabo
Të pash e të dëgjova Robert Ndrenika…ai laku erdhi edhe në grykën time jo si buka e muguar por si shpirti që po mbytet…Popujt e vegjël mund të mbahen nga identiteti, nga kontributet dhe ne shqiptarët në artin teatror e kemi të madh e të shquar atë çfarë kemi bërë…Është për këtë arsye që kryeveprat e Shekspirit u përkthyhen herët nga Fan Nolin në vendin tonë dhe u vunë në skenë qysh në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Sot e prej gati pesë viteve kemi një kryeministër artist-piktor që deklaron se e ka mësuar retorikën te Noli dhe Konica…Por ja i dashur Robert që kur vihet një kryevepër e Shekspirit nga ku mësoi edhe Noli fjalën e gdhendur, kryeministri nuk vjenë në Teatër. Nuk e pa “Zbutjen e Kryeneçes,” megjithëse ajo pjesë shkoi edhe në Kinë në një festival. Ai nuk e pa as “Tre Motrat” e Çehovit megjithëse ishte një nga vëniet me të bukura çehoviane, nuk e pa Ecuus të Peter Shafer megjithëse ajo u vu në skenë nga regjizori i shquar Dino Mustafiç, nuk pa as “Opera për tre Grosh” të Vaclaf Havelit…sepse nuk e di përse….Nuk erdhi në Butrint të shikonte shfaqjen unikale të Teatrit Kombëtar të Pekinit me Ricardin e Tretë, të Shekspirit …

Atëhere unë pyes, Ju zoti Kryeministër si e keni marrdhënien me teatrin…Ju ia keni mbyllur derën vetes jo teatrit! Ai si në çdo kohë dhe në çdo sistem nuk ka nevojë për qeveritarin i cili ka frikë nga teatri, nga skena, nga njeriu i gjallë në skenë. Sot Ju flisni për reformën në drejtësi dhe Vetingun…por kur para disa viteve këmbanat ranë në Teatrin Kombëtar me pjesën “Korbi i Bardhë” të Mjeshtrit Mihal Luarasi ju nuk erdhët, madje ju nuk erdhët edhe kur ai vdiq…kishit punë me sa duket, ai që solli në vitin e largët 1956 Intrig e Dashuri të Shilerit…iku me nderin e kontributit në Teatër…

Vendi po zbrazet Robert, po ikin aktorë të shquar, një nga talentet tona që ndriste në skenë ndejti mbi 10 vjetë pa kontratë dhe iku…Po ikin mjekët Robert se para pesë vitesh i futën me demek në konkurs, po ikin inxhinierët IT, infermierët dhe gjeneratat e reja…Zbrazja e atdheut është tragjedia që po luhet…Dhe ne mbjellim lule, lexojmë me projekt në park romane dhe marrim fonde, bëjmë sikur vrasim mushkonjat me fond japonez dhe fusim paratë në xhep, marrin të gjitha projektet në shoqërinë civile gratë e qeveritarëve,… ndërsa arti ka mbetur jetim, madje i vobekt…Mos e prekni Teatrin Kombëtar…more prishës. Po, ajo godinë nuk është në gjendje, ndaj konservoheni dhe ktheheni në muzeum, si kudo…Nxirrini veshjet e pjesëve nga kthina e garderobës dhe demostrohini në muzeumin Teatër…Rinovoheni skenën dhe rregulloni mikroklimën e tij…Në oborrin e saj ndërtoheni një godinë të lartë teatri me disa kate, ku të ketë sallë qëndrore dhe dytësore më të vogla si dhe atelie për të punuar…Hyrja të jetë nga pedonalja…Nëse ndërton Bunker art, 1 e 2, e se dimë se deri ku do shkohet…

Ndërto teatër, sepse Lucrecia Borxhia që u vu në Teatrin Kombëtar me rregji të Eric Vigne shkoi në festivalin e Bretagnes një festival i nivelit të parë…Pra teatri ynë është në Europë, politika, ajo nuk është dhe nuk mund të shkojë dot në Europë…Vetëm kur ju politikberes të frekuentoni teatrin mund që kthesa të nisi…Me shfaqjet masive të populizmit nga ai live deri te ai dixhital…nuk shkohet asgjekundi…

Edhe diçka Robert Ndrenika. Pash mbrëmë pas intervistës suaj edhe një teatër njerëzor. Një grua plakë në Tarabosh që jetonte në gazeb, si tha dikush që i shpuri ushqime…Dhe ajo grua që nuk dihet se kur kishte vënë për herë të fundit sapun në trupin e saj, por me shumë ndjeshmëri… tha ju faleminers… Populli ynë nuk e meriton poshtërimin, fajtorë më shumë për këtë janë ata që heshtin…Ju e dhatë shëmbullin Robert Ndrenika…Unë jam në krahun tuaj!

Jam në krahun tuaj Robert Ndrenika… Read More »

Deklarata e fortë e Robert Ndrenikës, reagon ‘ministresha’ dhe zbulon se cfarë do të bëjë për ti ‘bindur’

Ditën e djeshme aktori i madh Robert Ndrenika na preku të gjithëve përmes një video-mesazhi ku konstatonte indiferencën e ministrisë së Kulturës ndaj teatrit dhe denonconte se artistët punojnë për një “çapë” bukë.

“Zonja ministreshë”, i drejtohej i madhi Ndrenika Kumbaros me nota ironie. Dhe ka ardhur më në fund reagimi i kësaj të fundit e cila nga Korça ka deklaruar se do flasë me Ndrenikën dhe do i takojë artistët. Pyetur posaçërisht për deklaratën e aktorit, ministrja tha: “Duhet të flas me të”, duke pohuar njëkohësisht se do i takojë të gjithë artistët të cilët janë bërë bashkë për të kundërshtuar ndryshimet për artin, të propozuara së fundmi pa konsultim publik nga ministria e Kulturës.

“Patjetër që do ti takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore sic është teatri i Korcës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla sic janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike. Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që perjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës.

Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore. Projektligjin e kemi nxjerrë për konsultim publik, e kemi nxjerrë në faqen e Ministrisë së Kulturës, e kemi dërguar me email tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Sot ka bashki që i djegin fondet për kulturën sepse nuk dinë si të procedojnë me këto labirinthe burokratike. I kemi ftuar të gjithë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me draftin që kemi propozuar dhe kjo është faza e konsultimit. Dua të theksoj se përvec disave të cilet e kanë lexuar ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit vendorë apo subjekte të tjerë të interesuar. Nga mediat jam njohur me disa organizime të artistëve por besoj se mbasi të takohemi do sqarohemi të gjithë. Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për ti diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet ti takoj artistët pasi para se të kuptojmë cfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata cfarë ofron drafti”, tha Kumbaro.

Deklarata e fortë e Robert Ndrenikës, reagon ‘ministresha’ dhe zbulon se cfarë do të bëjë për ti ‘bindur’ Read More »

Robert Ndrenika sulmon ministren Kumbaro: Ministresha nuk më dha 5 pare për lapidarin e Spahivoglit, po na merr teatrin

Aktorët në Shqipëri kanë dalë sot në një protestë në lidhje me projekt-ligjin e Ministrisë së Kulturës. Sipas tyre, ky ligj ka shumë probleme dhe ministrja duhet ta tërheqë, ose të japë dorëheqjen. Pas shumë zërave kundër, sot ka folur dhe aktori Robert Ndrenika, i cili e quan Kumbaron “ministresh”.

Ai ngriti zërin për problemet që ka teatri sot dhe për zhvendosjen e godinës.

Sipas tij teatri është pronë e artistëve dhe askush nuk duhet të largohet që andej.

Deklarata e Ndrenikës e dhënë për mediat

Jam shumë i gëzuar që shoh një mbledhje serioze serioze të një sindikate. Pothuaj se u thanë të gjitha, unë nuk kam çfarë të shtoj. Jam shumë dakord me të gjithë ato që janë thënë nga të gjithë artistët.

Është premtuar se do të bëhet një teatër, që në komunizëm dhe akoma dhe në 27 vite ne demokraci nuk është bërë akoma teatri. Teatri që është tani është pronë e jona, por gjatë viteve të demokracisë është vjedhur pjesërisht.

Kur të ndërtohet teatri i ri ne duhet të tërhiqemi, pasi ndërtesat e tjera për rreth janë zgjeruar. Po vazhdon një vjedhje e hapur.

Të gjithë kryeqytet e Ballkanit që kam parë, kanë teatro të mrekullueshëm dhe ndërtesa 500 vjeçare. Teatri ndërtohet njëherë në 500 vjet, duhet të jetë monument kulture.

Ajo turbina, ishte qesharake, për teatër nuk bën, është ndonjë fushatë elektorale.

Ajo fjala që i paskam thënë unë ministresësh që do shtrihem atje, dhe ajo që tha le të vij të interpretoj tek turbina që më ironizoi paska qenë e vërtetë. Pa u marr vesh se cfarë do të behet me teatrin asnjë të mos ketë besim, le që ajo opera të mos guxoj të qaset.

Mos keni besim dhe në këta analistë të mëdhenj, se ata 20 vite më parë janë bërë me ministren. Asnjë nuk tha se aty është ndërtuar teatri dhe filarmonia. I vetmi që na përkrahur ka qenë Fatos Lubonja dhe Maks Velo. Kjo ministresha, një herë i kërkova disa para për të bërë një monument për Spahivoglin, dhe nuk ka dha as 5 lekë. Tiranës i takon të ketë një teatër dramatik, për mua sa herë që keni të tilla gjëra mua me keni përkrahë.

https://dailymotion.com/video/x6eg8co

 

Robert Ndrenika sulmon ministren Kumbaro: Ministresha nuk më dha 5 pare për lapidarin e Spahivoglit, po na merr teatrin Read More »

Artistët: Mos e prekni Teatrin Kombëtar!

Teatri Kombëtar është Jeruzalemi i artit shqiptar.

Të tillë e kanë konsideruar artistë të skenës dhe Teatrit Kombëtar, të cilët kanë kundërshtuar fort amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Të organizuar në Sindikatën e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, në një mbledhje të hapur për mediat, ata diskutuan mbi zhvendosjen sipas tyre tërësisht jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina” dhe njëkohësisht amendimet në ligj që ata mendojnë se “cënojnë rëndë” statusin e artistit.
“Personalisht mendoj se duhet ta ngremë presionin shumë lart nëpërmjet protestave, nëpërmjet shumë institucioneve, parlament, kryeministri, presidencë, të ftojmë shoqërinë civile, pra të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance”, thotë aktori Neritan Licaj.

Për Arben Derhemin, “Nëse nuk reagojmë tani nuk do të reagojmë kurrë më, sepse nuk do të kemi shtëpi për të reaguar”. Sipas tij “Teatri Kombëtar pas pesë vjetësh që ka ikur këtej të vijë për godinën e re, e cila do të jetë një godinë e re, marramendëse, fantastike, por nuk dihet se si është pasi nuk ka projekt”.

Regjisorja Taulanta Jupi u shpreh veçanërisht për amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. “Ministria e Kulturës dhe kjo qeveri, me këtë ligj që duan të na përfshijnë dhe të aprovojnë na kanë shpallur luftë” thotë ajo. “Boll 27 vjet kemi dëgjuar fjalët “Ne nuk kemi spitale”, “Ne nuk kemi shkolla”, “Ne nuk kemi rrugë”, “Arti është i fundit”! Jo zotërinj arti nuk është i fundit!” tha regjisorja Jupi.
“Këtu po demitizohet dëshira e lidërve të komunitetit tonë për tu shtrirë në rast se prishet teatri” tha aktori Genc Fuga.
Për regjisorin Altin Basha “U sulmuan fillimisht institucionet që kishin ndërtuar artistët, me pak presion, me pak lobim, me pak mundësi, për të ardhur tek pika e fundit që është ligji. Me pak fjalë unë e kuptoj këtë si vrasje të pluralizmit kulturor”, tha ai.
Me zë të dridhur aktori Mehdi Malkaj tha: “Ne nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare! Ata na marrin na nxjerrin përjashta. Pse na nxjerrin përjashta?”
Mjeshtrat e skenës “Artisti i Popullit” Robert Ndrenika dhe “Artisti i merituar” Mirush Kabashi kundërshtuan në mënyrë kategorike të cilësuarin prej tyre “planin e vjetër për ta zhdukur Teatrin Kombëtar” dhe “rolin e skllavit” në të cilin, thanë ata ky projektligj i detyron artistët.

“Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet”, tha Robert Ndrenika. “I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600 vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të”, tha aktori i njohur.
“Këshilli artistik momentalisht i Teatrit Kombëtar nuk ka asnjë aktor, asnjë regjisor dhe asnjë dramaturg. Ky ligj që ne kemi është më autokratik se në kohë e Ramiz Alisë”, tha aktori Mirush Kabashi.
Pas diskutimeve të gjata artistët kanë dalë në një vendim të përbashkët, që e bëri të ditur aktori Laert Vasili. “Ne kërkojmë: Të anulohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet transparenca e plotë mbi projektin e ndërtimit të teatrit të ri. Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me komunitetin për një projekt-ligj tjetër”.
Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen ata paralajmërojnë bojkot total të shfaqjeve deri në përshkallëzim protestash.
Kjo lëvizje e artistëve të skenës vjen pas reagimeve që patën edhe shoqatat e kineastëve me amendimet që i janë bërë ligjit “Për artin dhe kulturën”.
Ndërkohë që nga zyra e shtypit të Ministrisë së Kulturës njoftojnë se javën e ardhshme është parashikuar një tryeze diskutimi me grupet e interesit. /Mira Tuci – TVSH/

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=fJ7ZR48_GaA?version=3&rel=1&fs=1&autohide=2&showsearch=0&showinfo=1&iv_load_policy=1&wmode=transparent]

https://youtu.be/fJ7ZR48_GaA

Artistët: Mos e prekni Teatrin Kombëtar! Read More »

1 VJETORI I NDARJES NGA JETA E DRITËRO AGOLLIT, MBILLEN 20 SELVI NË PARKUN E LIQENIT

Nga sot, në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopësht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017. Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli” dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe.

 Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë. “Sot e fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriale të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

 Bashkia e Tiranës parashikon që në këtë pjesë të parkut të vendoset edhe busti i shkrimtarit, që së bashku me pemët e selvisë që u mbollën sot, do të krijojnë kopshtin e Dritëro Agollit.

 Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që kontribuojnë duke dhuruar një pemë për qytetin për të shprehur dashurinë apo të përkujtojnë njeriun e tyre të dashur që nuk jeton më. “Do të doja që secili në Tiranë, që ka një kujtim dhe dëshirë për të shprehur dashurinë, mund të vijë të mbjellë lule, një pemë dhe të japë diçka mbrapsht nga ajo kulturë e madhe që morëm nga Dritëroi”, tha Veliaj, duke shtuar se është misioni ynë që t’ia kalojmë stafetën e veprës së Dritëroit një gjenerate të re. “Shpresoj shumë që brezat e rinj, duke filluar nga nipi i tij, të kenë mision përcjelljen e veprës së tij. Është misioni ynë që t’ia kalojmë stafetën e veprës së Dritëroit një gjenerate të re dhe brezit që ndoshta do të na bëjë akoma edhe më krenarë”, nënvizoi Veliaj.

 Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit Dritëro Agolli, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe miqtë, të cilët iu bashkuan kësaj dite të veçantë. “Ju falenderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje në këtë ceremoni. Jemi shumë të kënaqur për të gjithë ata aktivistë që marrin pjesë, miq të Dritëroit. Sigurisht, miqtë e Dritëroit janë në zemrën tonë. Na ka folur direkt për miqtë që ka dhe ka shumë miq”, u shpreh vëllai i shkrimtarit të dashur për të gjithë shqiptarët.

1 VJETORI I NDARJES NGA JETA E DRITËRO AGOLLIT, MBILLEN 20 SELVI NË PARKUN E LIQENIT Read More »

Shoqata “Shqipëria” nderon Margarita Xhepën, Vullnet Sinaj dhe Kujtim Gjonaj !

Albert Z. Zholi

Nderohen “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” Znj. Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), z. Vullnet Sinaj, deputeti i Vlorës, Kujtim Gjonaj (regjisor) “Mjeshtër i Madh”.

Shoqata “Shqipëria” nderon Margarita Xhepën, Vullnet Sinaj dhe Kujtim Gjonaj

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar ,GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU, 10-vjetorit te shoqatës Qendrore Shqipëria Athine, dhe 1 vit nga themelimi i shoqatës Shqipëria Vlorë, kryesia e Shoqatës Shqipëria, dekoroi me titullin “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” Znj. Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), z. Vullnet Sinaj, deputeti i Vlorës, Kujtim Gjonaj (regjisor) “Mjeshtër i Madh”.

Aktiviteti u zhvillua nën moderimin e shkrimtarit të talentuar z. Albert Zholi, në Qendrën Rinore Vlorë . Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, Kryetari i Shoqatës “Shqiëpria” Athinë z. Ilirjan Dhima, kryetari I Shoqatës Labëria dega Vlorë, z. Ahmet Demaj, kryetari i Klubit “Drita” z. Nase Jani, kryetari i Shoqatës “Petro Marko” Vlorë z. Myrteza Mara, poetë, shkrimtarë, aktorë, të qytetit të Vlorës, dashamirës të artit gazetarë lokal të qytetit të Vlorës, Drejtori i Institutit Politologjia, Dr. Sulejman Muça (që ndihmoi në realizimin e aktivitetit) dhe gjithë anëtarësia e Shoqatës “Shqipëria” dega Vlorë.

Takimin e hapi moderatori z. Albert Zholi i cili i përshëndeti të pranishmit duke bërë dhe një prezantim për të tre personalitetet që do dekoroheshin. Pastaj z. Zholi ja dha fjalën kryetarit të Shoqatës Qendrore “Shqipëria” z. Ilirjan Dhima. Në fjalën e tij z. Dhima theksoi se sot më tepër se kurrë shqiptarët kanë më tepër nevojë, për bashkim, vëllazërim dhe bashkëpunim për të bërë bashkë vlerat e kombit në interes të shërbimit ndaj kombit. Më poshtë ai bëri një rezyme të punës së shoqatës në Athinë, ku vuri në dukje problemet e emigrantëve, punën e tyre të madhe në ndihmën ekonomike ndaj vendit, në punën për ruajtjen e traditave, kulturës dhe kryesisht në ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve.

Ai solli përshëndetjet e shqiptarëve në Magra të cilët patën përmbytje nga shirat e shumta dhe falënderoi deputetin e Vlorës, z. Sinaj i cili u gjend pranë tyre duke i ndihmuar në vlera monetare. Më pas e mori fjalën kryetarja e shoqatës Shqipëria Vlorë znj. Edlira Kapllanaj e cila përshëndeti të ftuarit dhe i ftoi të pranishmit të shikonin filmin dokumentar ku ishte treguar qartë veprimtaria e Shoqatës Shqipëria Vlorë që nga themelimi i saj. Gjithë anëtaret e saj ishin në aktivitet. Ideatori dhe themeluesi është Kryetari i Shoqatës Qendrore Shqipëria Athinë Z. Ilirjan Dhima, theksoi ajo. Dr. Sulejman Muça në emër të Institutit të Politologjisë foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes brezave që shoqata Shqipëria e ka moto të punës së saj.

Më pas moderatori z. Albert Zholi ftoi Prefektin e Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, për ti dorëzuar dekoratën “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” deputetit të Vlorës z. Vullnet Sinaj. Ndërsa dekoratën regjisorit, “Mjeshtër i Madh”, Kujtim Gjonaj ja dorëzoi Kryetari Shoqatës z. Ilirjan Dhima. Ai vuri në pah tek të pranishmit punën e madhe regjisoriale të Kujtim Gjonajt, që ka dhënë mesazhe të fuqishme me zë dhe figurë duke lënë duke e lartësuar artin kinematografik të Shqipërisë.

Mrekullia e emocioneve ishte “Nderi i Kombit” shqiptar, Zonja Margarita Xhepa që i ka dhënë artit dhe kulturës shqiptare, pjesë nga shpirti i saj. Dekoratë dijes së ekranit ja dorëzoi mes emocioneve dhe lotëve të gëzimit, Kryetarja e Shoqatës Shqipëria Vlorë, znj. Edlira Kapllanaj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtu na drithëroi shpirtin me vargjet e të madhit Dritëro Agolli!

Faleminderit Margaritë e Madhe për çdo emocion të dhuruar dhe për risjelljen e poetit të shquar, këtij Kolosi të Madh që në vitet në vijim do të na mungojë me risi të tjera, do na mungojë fizikisht, por jo shpirtërisht, vepra e të madhit Dritëro do të mbetet e patjetërsueshme në mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari që e do kulturën, artin dhe letërsinë. Nuk munguan shembujt e tjerë model që vazhdojnë të japin një kontribut të madh me veprën e tyre. E madhja Xhepa falënderoi Shoqatën Shqipëria duke theksuar punën e madhe dhe rolin që kjo Shoqatë ka në emigracion për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe traditave të popullit tonë. Gjatë recitimeve të poezive të Agollit gjithë të pranishmit nga fuqia dhe bukuria e interpretimit lotuan.

Dhe ajo lotoi nga vargjet e përcjella. Ishin momente magjike. Më pas moderatori Zholi para të pranishmëve bëri një pasqyrë jo vetëm të Shoqatës Shqipëria por edhe të jetës artistike të Margarita Xhepës, punës së regjisorit Kujtim Gjonaj si dhe lidhjen e përhershme të deputetit Sinaj me komunitetin ku është zgjedhur deputet. Të tre të dekoruarit kanë vlera të veçanta në shoqërinë shqiptare pasi ata me punën dhe veprën e tyre kanë kthyer shpresën për shumë familje në nevojë. Sot më shumë se kurrë rritet përgjegjësia për të realizuar projekte më dinjitoze dhe për të përfaqësuar denjësisht me punë çdo shqiptar dhe shqiptare në çdo cep të Kombit! Në fund aktiviteti u mbyll me një valle të Gupit të valleve Vlonjate, të interpretuar nga 10 vajza të reja që ishin të veshura me flamurin kombëtar. Ky moment bëri që salla të shpërthente në duartrokitje. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe shoqëronin me duartrokitje grupin e bukur të valleve të vajzave të reja. Flamuri kuq e zi mbizotëronte në gjithë sallën.

Një ambient tejet festiv dhe me mesazh të qartë patriotik: Ta duam atdheun! Ky aktivitet i zhvilluar në Vlorën heroike është një dëshirë e çdo aktivisti që të ofrojë të gjitha grupmoshat në aktivitete të tilla pasi nxjerrin në pah vlerat e këtij Kombi. Aktivitete të tilla tregojnë se të gjithë bashkë mund të realizojmë gjëra të mëdha, gjëra që mund të duken të vogla në dukje, por që janë shpresë dhe dritare për shumë të rinj! Ky aktivitet tregoi se bashkëpunimi i brezave, individ, komunitet pushtet lokal, njerëz të elitës dhe artit mund të sjellin risi, për të ndërtuar dhe projektuar të ardhmen e fëmijëve tanë! Është detyrë t’i mësojmë brezave të rinj ta duan artin dhe kulturën shqiptare dhe të bëhen njerëz të denjë të kësaj shoqërie! Një ndihmë modeste në këtë festë dha dhe Qendrës Rinore Vlorë dhe drejtori z. Ilir Nikaj një intelektual i përkushtuar dhe bashkëpunues. Kur aktiviteti po mbyllej të gjithë të pranishmit rrethuan artisten e madhe Margarita Xhepa dhe filluan të vallëzojnë valle tradicionale. Kënga, vallja, fotografitë vazhduan më shumë se një orë pas aktivitetit.

Shoqata “Shqipëria” nderon Margarita Xhepën, Vullnet Sinaj dhe Kujtim Gjonaj ! Read More »