Art-Kulture

Erseke/Rehova, fshati ku turistët hanë bashkë me banorët

“U gatuajmë bamje me mish në furrë dhe ata duan të hanë bashkë me ne. Kështu u kthye zakon në të gjithë fshatin. Turistët nuk rreshtin së kthyeri”

Vetëm dy kilometra larg Ersekës ndodhet Rehova, palcërisht ortodokse. Me shumë kisha e rrëzë mallt të Gramozit. Fshati është krejt ndryshe nga Erseka, me një rregullsi urbanistike që të mahnit. Mund të quhet me plot gojë edhe fshati i gurtë. Ndërtimet nuk janë më shumë se tri kate dhe çdo banesë ruan elementin e gurit. Nuk sheh gjëkundi suva dhe tulla, karakteristikë e modernizmit urban. Syrit nuk i shpëtojnë edhe trotuaret e ngushta, po të ndërtuara me kalldrëm, madje kjo hollësi është ruajtur edhe në rrugën hyrëse të fshatit, e cila, pavarësisht se është shtruar me asfalt, në dy anët e saj kufizohet nga trotuarë kalldrëmi.

Rehova, fshati ku turistët hanë bashkë me banorët

Rehova ia ka hapur prej shumë pak vitesh dyert turizmit; ky është viti I katërt. Nuk është një fshat si ata që kanë marrë famë përmes investimeve, por për veçantitë që ka. Fshati i pret turistët si miqtë e shtëpisë, 7 shtëpi janë kthyer tashmë në mikpritëse. Në verë, të huajt vijnë çdo fundjavë.
I pari që ka hapur shtëpinë, ishte Koço Thomollari, të cilit iu kërkua nga disa të njohur të priste turistë nga Franca. Në fillim, madje, ai nuk donte. Koçon e gjejmë në qendër të fshatit, një burrë që nuk e ka të vështirë të përfshihet në bisedë e të nisë të tregojë.
“Më kontaktoi një miku im pasi donte të sillte 4 turistë francezë. Nuk doja t’i pranoja, por pas këmbënguljes, u dorëzova. I prita si njerëzit e shtëpisë dhe nga ai moment di të them se në fshat nisën të vijnë turistë njëri pas tjetrit. Tani pres 6 turistë në natë dhe, si unë, janë edhe 7 familje të tjera që presin turistë”- rrëfen ai.
Brenda pak kohësh fshati nisi të gëlojë nga larmia e vizitorëve të huaj, jo vetëm nga Franca.
“Turistët kërkojnë kushtet normale të një banesë, aspak luks, janë të kulturuar dhe na respektojnë. Momentet më të veçanta janë ato të vakteve. Pasi bashkëshortja u shtron tryezën, ata nuk pranojnë të nisin të hanë nëse edhe ne nuk ulemi me ta. Ky u kthye në zakon në të gjithë fshatin. Gatimet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht u gatuajmë bamjet me mish në furrë, pasi në Francë bamja nuk njihet fare. Në fillim e shohin si me çudi dhe më pas përfundojnë duke thënë fjalët më të mira. Me ta ndihemi vëtet mirë, janë të edukuar dhe krijojnë lehtësisht një atmosferë familjare”, tregon ai duke qeshur.
Teksa biseda merr rrjedhë, dielli nis të bëhet përvëlues dhe ne ulemi në shkallët e gurta të kishës. “Turistët rikthehen sidomos edhe për alpinizmin në malin e Gramozit. Shpesh madje thonë se kur ngjiten lart, pjesa shqiptare u duket më e bukur se ajo greke, sepse natyra dhe gjelbërimi dominojnë në çdo stinë. Mbërrijnë zakonisht në drekë dhe deri në mbrëmje shfrytëzojnë kohën për të vizituar fshatin ndërsa të nesërmen në mëngjes nisen drejt majës së malit. Ka raste kur vetë ndonjë nga djemtë e fshatit u bën guidën dhe i shoqëron deri lart duke u kthyer në udhërrëfyesin më të mirë pasi askush nuk e njeh më mirë zonën se vendalinjtë”.
Pas një rruge tejet të ngushtë që të çon në zemër të fshatit, hapet një pamje që të përfshin dhe të bën të ecësh në mënyrë të pavetëdijshme. Pasi ke përshkruar rrugët e kalldrëmta gjendesh në qendër, një shesh jo shumë i madh, por që mban në mes një kishë madhështore. Eshtë kisha e Shën Kollit, e cila daton në vitin 1910, vendi ku çdo banor i Rehovës nis ditën e diel. Një ritual shekullor që i paraprin punëve të fundjavës për banorët.
Pavarësisht bukurisë, fshati nuk i ka shpëtuar braktisjes nga të rinjtë, të cilët prej vitesh kanë gjetur si zgjidhje emgracionin. Gjithsesi, është ndër të pakta fshatra që asnjëherë nuk braktiset dhe ku brezat rikthehen.

Rehova, fshati ku turistët hanë bashkë me banorët

Rehovarët njihen si ustallarë të mirë dhe ndërtuan prej kohësh një “nam“ të mirë për veten në kurbet. Por edhe sollën me vete kulturën e vendeve të huaja. Gurëpunuesit e morën famën shpejt dhe, prej asaj kohe, të gjithë burrat vazhduan të punonin në ndërtim. Edhe sot banorët tregojnë se djemtë e fshatit në emigracion punojnë vetëm në ndërtim. Këtë profesion e kanë në gjak. Fshati, që sot është një ndër më të bukurit në Shqipëri ka ruajtur çdo hollësi të jetës me fanatizëm; askush nuk mund të blejë shtëpi apo tokë në Rehovë. Jo se nuk ka, por ngaqë banorët nuk e lejojnë shitjen.

Erseke/Rehova, fshati ku turistët hanë bashkë me banorët Read More »

Në Llogara, jo vetëm për një kafe …

Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj  që isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta  kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell, nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te arapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell  misri dhe gjalpë.

Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit.

E shijon këtë mrekulli me makinë, natyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur.

Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje.

Llogaraja është shfrytëzuar si vend pushimi që në periudhën komuniste. Këtu ishin ndërtuar kampe pushimi për punonjësit dhe për fëmijët.

Tani aty është krijuar një fshat i bukur turistik me hotele, motele, restorante dhe mjedise argëtuese çlodhëse dhe argëtuese. Vegjetacioni i dendur dhe klima e freskët në verë dhe e ashpër në dimër, me mundësi shfrytëzimi për lojëra dimërore, shto këtu edhe rrugën që shkon nga Tirana për në Sarandë e bëjnë këtë vend nga më të vizitueshmit në Shqipëri.

Fshati turistik

Fshati Turistik Llogora ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Llogora. Ajo ka një sipërfaqe prej 1.2 ha. Në brendësi të saj ndodhen 16 vila druri, hotel 4 katësh me pishinë të brendshme, Beer Club, Tavernë, Restorant, Bar, fushë basketbolli, sallë konferencash dhe dy salla të vogla të cilat mund të përdoren për festa të vogla familjare ose mbledhje.

Në stinën e verës kur temperaturat janë të larta në qytetet e tjera të Shqipërisë, në Llogora temperatura gjatë ditës është 10 gradë Celcius më e ulët, ndërsa gjatë natës arrin 10-12 gradë Celcius. Kjo ju jep një freski gjatë gjithë ditës dhe një gjumë te ëmbël gjatë natës. Ndërsa në periudhën e dimrit Fshati Turistik Llogora mbulohet nga dëbora. Në brendësi të territorit shëtisin të lirë drerë dhe sorkadhe të cilët i bëjnë pushimet në këtë vend akoma më magjike.

Në raste festash, Fshati Turistik Llogora organizon mbrëmje argëtuese me muzike live, darka speciale dhe surpriza te tjera.

Fshati Turistik Llogora ofron mundësi argëtimi për të gjitha moshat, duke filluar që nga pishina, që ndodhet në brendësi të hotelit dhe është funksionale gjatë gjithë vitit, një fushe basketbolli, bilardo, ping-pong, table-soccer, mjetet e nevojshme për trecking (ecje në mal) etj.

Gjithashtu, sipas dëshirës, në dispozicionin të turistëve ka udhërrëfyes që shoqërojnë në zonat më të bukura të parkut kombëtar Llogora si: Pllaja e Jul Cezarit, Pisha Flamur, shpella të zonës, në Dukat etj.

Në Fshatin Turistik Llogora ndodhen tri salla konferencash me kapacitete përkatësisht 160, 30 dhe 20 persona, të cilat mund të përdoren për konferenca, seminare, trajnime, mbledhje biznesi, etj. Këto salla janë të pajisura me të gjitha sistemet bashkëkohore audio dhe vizive.

Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Çuditë natyrore të portës së Rivierës Shqiptare

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një sipërfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shëndetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë,fshati turistik dhe ujët e ftohtë që burojnë nga brendësia e maleve i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare. Parku i Llogarasë përbëhet nga dru halore, pisha e zezë, bredhi, lisi, mëllenja e butë e robulli. Ështe shpallur monument natyror dhe kulturor në vitin 1966, po në atë vit ka marrë dhe statusin e parkut kombëtar. Prej disa vitesh në park funksionojnë një sërë objektesh turistike si hotele të vegjël, restorante, bare të hapura në natyre, etj., të cilët kënaqin kërkesat e turistëve dhe udhëtarëve.

Tri gjëra që nuk duhet të lësh pa parë dhe pa shijuar në Llogara

Pisha flamur

col3

Te kilometri 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, në dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme.

Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe  mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha i përket llojit Pinus nigera. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75 cm, ka moshë rreth 100 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.

Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!

Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat – Llogora deri pra se të dalësh në Qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik. Por edhe po nuk patë Pishën Flamur të evidentuar si të tillë, në Llogara ka plot pisha të tilla, që për shkak të erërave, në një anë janë të zhveshura dhe në anën tjetër kanë  plotë degë, si një flamur i shpalosur.

Kullat e Dervish Aliut në Dukat

Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.

Kullat e Dervish Aliut u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit, si dhe për të shërbyer si strehim në kohë të vështira sulmesh a luftërash.

Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe prej andej mund të luftonin mbi 200 luftëtarë.

Në dhjetor 1977 Kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u  morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Edhe sot ato gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, por  fatkeqësisht, me gjithë rikonstruksioneve që i janë bërë, po shkojnë drejt degradimit.

Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër. Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkohet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.

Specialitete të kuzhinës labe

Sipas dëshirave dhe shijeve këtu gjen të gjitha llojet e kuzhinave, që nga ato evropiane, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Por ajo që është e veçantë në artin kulinar të restoranteve të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.

Të shkosh në Llogara dhe të thuash nuk kam ngrënë arapash, më mirë mos trego se ke qenë atje. Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Se çfarë shije dhe sa i këndshëm është, nuk përshkruhet dot. Po të doni, shkoni dhe e shijoni!

Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror t ë Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Në Llogara, jo vetëm për një kafe … Read More »

Sonte sytë nga Lisbona, ky detaj i tre shqiptarëve na bën krenarë dhe me shpresë për fitore

Është hera e parë që ndodh që tre shqiptarë të ngjiten të performojnë në finalen e madhe të “Eurovizion”-it, edhe pse secili përfaqëson shtete të ndryshme.

Finalja e madhe sot, të shtunën e 12 majit në Lisbonë të Portugalisë dhe në faqen zyrtare të “Eurovizion”-it ka dalë lista e radhës që do të kenë konkurrentët mbrëmjen e nesërme.

Eugent Bushpepa do të këndojë “Mall” dhe do të jetë i 12 në radhë, ndërkohë që Eleni do të performoi e 25-ta dhe i fundit në radhë do të jetë Ermali, i cili do të performojë i 26-i, e që do të mbyllë garën.

“Neser ne mbremje ne naten finale te Eurovisionit Shqiperia konkuron e 12 ne rradhe . Te gjithe Shqiptaret qe ndodhen jashte kufijve te shqiperise kane te drejte te votojne per Eugentin.

Ju lutemi shperndajeni sa me shume kete foto qe te perhapet dhe ne miqte tuaj jashte Shqiperise”, shkruan Eurovizion Albania.

Sonte sytë nga Lisbona, ky detaj i tre shqiptarëve na bën krenarë dhe me shpresë për fitore Read More »

Vlorë- Kalaja e Olympias në Mavrovë edhe si destinacion për turizmin kulturor (Foto)

Emrin Olympia, qyteti mendohet se e mori nga vajza e Mbretit Pirro, Olympia.
Këtë variant e hodhi për herë të parë arkeologu Hasan Ceka. Olympia u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj, i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet 1960 gjeti tetë monedha me mbishkrimin Olympiastan.

Zhvillimin më të madh Olympia e arriti në vitet 229-148 P. K. me nxjerrjen e monedhave, të cilat përdoreshin vetëm brenda ekonomisë së këtij qyteti; ato kishin simbole të ngjashme me monedhat e Apolonisë, Amantias dhe Bylisit.

Interesant është fakti se autorët antikë heshtin për praninë e këtij qyteti, i cili ndeshet vetëm te Stefan Bizantini që e përmend te vepra e tij “Mbi qytetet dhe popujt”.
Olympia shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej 13 ha dhe ishte qytet i pajisur edhe me akropol. Olimpiai kishte organizuar institucionet e saj sipas modelit epirot.

Në krye të qytetit ishte nëpunësi më i lartë ekzekutiv i njohur me emrin Politarkes.

Ai ndihmohej nga një kolegj nëpunësish të quajtur Synarkontë si dhe nga Gramateusi (sekretari).

Duke vlerësuar potencialin historik, bashkia e Vlorës e ka përfshirë këtë qytet në listën e objekteve historike me gjurme antikiteti dhe të vizitueshme .

Të tilla janë ato të “Shpellave të Velçës”, “Shpellave të shkruara të Lepenicës” nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe, “Shpellat e Spilesë” në Himarë apo “Mozaikët e Mesaplikut”, pasuri e rrallë kombëtare.

Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, “Pitosa” të Mallkeqit, tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimësinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronxit dhe të hekurit.

E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete- si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj , Triporti etj. ATSH/a.ke

Vlorë- Kalaja e Olympias në Mavrovë edhe si destinacion për turizmin kulturor (Foto) Read More »

Mozaikët e një katundi në thellësi të shushicës !

Nga Gëzim Llojdia

Krahina e Mesaplikut shtrihet në pjesën jugore të Smokthinës.  Kërkova për të ekspozuar këtë zonë përtej lumit të Kuçit,  aktualisht me ndarjen administrative të,  kufizohet me Vërmikun,  fshati sipër ka vetëm një grusht qiell,  Bolenën,  Vranishtin,  Tërbaçin,  Bratin.  Kodrat e kësaj zone,  që mendohet se formohen nga formacione shkëmbore kanë vetëm një majë të lartë atë,  që vendasit e kanë quajtur Smokthinec.  Ndërsa CCipini është vetëm 1599 m.  Ka një numër të madh monumentet të trashëgimisë kulturore kryesisht materiale të cilat përbëjnë gjurmë dhe dëshmi reale për vendbanimin e hershëm të kësaj treve.  Nga monumentet e kulturës që kanë sjellë të dhënat historike më të përmendur; Qyteza antike Cerja,  Ura e Bogdanit,  Mozaiku i Kaccorit,  Mozaiku i Mesaplikut.

Përqendrohemi në një fshatë,  që ka rëndësi për mozaikun e dytë.  Fshati Mesaplik gjendet në një luginë.  Kodra e lartë  e këtij fshati është Smokthinec.  Ka të dhëna që ilirët e kësaj zone kanë pasur këtë shtrirjen nga Cerja, përgjatë ultësirës të lumit të Smokthinës.  Gjenden krahas toponimeve mbi 15 objekte kulti, thotë D. M në një botim të viteve 2005. Cerja.  Cerja është një ndër qytezat antike  e lumit të Vlorës.  Bënte pjesë në konionin Amantia.  Ka pasur atë rol si Olympia-Mavrova e sotme.  Cerja ka qenë një qytezë fortifikuese  për vëzhgimin e rrepte të kalimit në rrjedhën e lumit Shushicë e luginën e saj nga ku përshkoheshin udhët në antikitet.  Ajo ka një vulë që i përket shekullit të III pes.  Kalaja e saj ka formën piramide me bazë katërkëndëshe.  Amantia , kryeqendra e saj ka qenë ngritur në kodër në formën e një koni me bazë të përmbysur.  Ndërsa kalaja e Cakallovajve,  qyteti i fortifikuar Olympia shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej 13 ha dhe ishte qytet i pajisur edhe me akropol,   rrënojat e së cilës ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë,  në anën e djathtë të lumit Shushica .  Olympe u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj,  i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet 1960 gjeti tetë monedha me mbishkrimin Olympiastan.  Cerja gjendet në të djathtë  të këtij lumi.  Gurtë e shumtë janë të dimensioneve 70×100 cm.

Cerja – Qyteti fortese ne Shushice. Smokthina,  pjesë Qendrore e Labërisë,  në të majtë të lumit Shushicë,  një ultësirë me rreth 500 m mbi nivelin e detit,  përbërës i Krahinës së Mesaplikut,  flet për një histori dhe popullsi autoktone.  Që nga prehistoria dëshmohet se Smokthina ka qenë e banuar prej fiseve pellazgë-ilirë-epirotë të Kaonisë. Sjellim si dëshmi epokën antikitetit,  me hyjnitë e kulteve të shpellave e majave të maleve,  si : Tartari,  në mitologjinë e vjetër personifikon “Korjer hyjnishë”,  Këndrevicë-Kandar-Kad Kurora e malit,  Bozhiku-Bozhur-Bozho-Lot.  etj.  Po mbi të gjitha mbeten gjetjet e shumta gjuhësore.  Të gjitha këto vertetojnë ë se kjo trevë,  si gjithë Labëria ka qenë e banuar nga fise ilire të Kaonisë,  kur këtu zotë ishin Amantët,  Mesapët etj. Sjellim për kujtesë: Vendbanimin e fortifikuar të kalasë Qytezë të Cerjes,   të cilët në lidhje me dhjetëra qendra të tjera të Lumit të Vlorës bëjnë të tërën e një zone tepër të populluar qysh nga lashtësia e hershme. Të parët,  që vijnë prej fiseve ilire,  shtrihen që nga Cerja,  përgjatë Ultësirës së Lumit të Smokthinës,  rrëzë kodrave në Mesaplik e deri në Gërmadha.  E vërteton si fakt të pamohueshëm se së bashku me 15 objektet e kultit e dhjetëra gjetje,  si: Mozaikët e Mesaplikut e të Kaçorrit,  toponimet e shumta flasin shkoqur se vendbanimi i hershëm i Smokthinjotëve ka qenë pikërisht kjo trevë.  Si qendër e rëndësishme e vendbanimit të hershëm ilir,  është Kalaja Qytezë e Cerjes.  E vendosur në majën e një kodre piramidale me bazë katërkëndëshe.  Edhe sot dallohen muret rrethues me blloqe gëlqeror,  ndërtuar në shek.  III para erës sonë.

Gurët e shumtë të dimensioneve 70 x 100 cm janë të skalitur me mjeshtëri.  Brenda saj gjatë kohërave janë gjetur objekte enësh metalike,  si: thika të periudhës së bronzit,  fibula,  kapëse,  figura njerëzish etj.  Në anën jugore të kalasë,  në një lartësi 300 m,  komunikohet me Urën e Bogdanit,  mbeturinat e së cilës ndodhen rrëzë Kodrës së Cerjes,  Buzë lumit Shushicë që shërbente për të lidhur Amantien me Kaoninë.  Po aty ndodhen edhe mbeturinat e një kishe që sot flitet Kisha e Cerjes.  Cerja ka qenë një vendbanim me një kulturë qytetare. Kalaja dhe vet ura ka ekzistuar deri në pushtimin romak dhe siguronte lidhjen dhe mbrojtjen e rrugës së Amantia-Horë dhe Kaninë-Olympia-Cerje-Horë.  U shkatërruan nga ekspedita e legjioneve romake të rekomanduara nga Pal Emili,  që sipas kronikanëve të kohës,  kaloi lumin Shushicë në vendin e quajtur Vau I Palit.  Nënvizojmë se në pjesën e parë të shek.  II para erës Iliria ra nën sundimin e egër të pushtimit romak.  Ata kryen kundër fiseve ilire të Shqipërisë së Jugut barbarizma ç’njerëzore,  dogjën dhe shkatërruan qytete dhe qendra vendbanimi,  përfshirë dhe kalanë e Cerjes.  Kjo periudhë,  afërsisht viti 167 para erës sonë karakterizohej nga një rënie e thellë ekonomike e morale. Duhet përmendur gjithashtu se në vendin e quajtur “Gërmadha”,  buzë lumit të Smokthinës,  përfund fshatrave Matogjin e Bashaj,  ndodhet një vend me emërtim “Pazari i Goricës”,  ku gjenden shenjat e një qytetërimi të lashtë,  si p. sh. gur mermeri, 1 m i lartë,  të punuar për kolona,  si dhe tulla me përmasa 60 x 80 cm,  furra të vjetra për pjekje tullash,  poçeri etj.  Vetë emri “Gërmadha” që është një fjalë shqipe,  si dhe emrat toponim:Hunda e Shënmillit,  Dede,  Gjini,  Brahimi,  Sheshi i Qishës,  Varrezat e Kaurëve etj,  flasin për gjurmë të lashtësisë.

Ajo që ka rëndësi është se emrat e Kalasë së Cerjes,  Maricës dhe Guri i Prerë i Mesaplikut dhe në vende të tjera si të Urës së Bogdanit ekzistojnë gurë të mëdhenj mbi 1 ton dhe të gdhendur në formë katrore e rombi.  Këto janë të njëjtat me muret e kalave të tjera,  si: të Sopotit,  Butrintit,  Himarës dhe Kaonisë.  Ato dëshmojnë se u ngritën nga një popullsi autoktone me kultura të zhvilluara ndërtimore.  Eshtë i rëndësishëm fakti i gjetjeve arkeologjike.  Nivel të lartë të zhvillimit qytetar e kulturor për këtë zonë dëshmojnë mozaikët e gjetur: Mozaiku i parë u zbulua në vitin 1964,  tek vendi i quajtur Kisha e Kacorrit,  pranë burimit me të njëjtin emër,  buzë lumit apo Përroit të Smokthinës.  Në një sipërfaqe pothuaj 80 m katrore.  Ky mozaik u shkatërrua gjatë punimeve bujqësore.  Pushtimet e shumta së të huajve i kanë rrënuar këto kultura.  Mbeturinat nëntokësore të tyre të çojnë në mendimin se në këto treva jeta ka vazhduar në rrjedhën e saj .  Dëshmi e kësaj hershmërie dhe vazhdimësie është lagjja “Parikë” dhe qyteza e Boderit. Lidhur me periudhën që analizojmë Parika dhe qyteza e Boderit,  kjo e dyta njihet si një kala e rrënuar që ndodhet në bregun e majtë të lumit të Smokthinës.  Aty shfaqen mbeturinat e një fortifikimi mesjetar që është vazhdimi i jetës ilire-arbëreshe dhe që shërben ndofta në mbrojtje të parisë së familjes së fundit të Parikajve. Mozaiku i Kaçorit. Burimi i parë përë ekzistencën e këtij mozaiku  e ka bërë D. M në një botim për zonën reth 5 vjet më parë.  Flet vetëm shkurt duke përmendur vetëm të dhënat që janë dëgjuar ose njohur nga vendasit.  Datohet se është zbuluar në vitin 1964.  Nuk ka pasur zbulim arkeologjik.  Nuk ka pasur ekip arkeologësh.  Është fiksuar tek kisha e Kacorit.  Si burim i parë . Edhe i dyti në enciklopedinë e fshatit përmend të njëjtën të dhënë.  Zbuluar pranë burimit me të njëjtin emër.  Vendi ndodhet buzë lumit, tokë e sheshtë.  Ara bujqësore kishte një sipërfaqe prej 80 m2.  Burimi i dytë I. Jahaj mësues në atë fshatë shprehet se  ky mozaik u prish gjatë punimeve me traktor të arës me sip prej 80 m . Edhe burimi i dytë shprehet në të njëjtin linjë.  Burimi dytë sjell dëshmi origjinale.  Një gurë të këtij mozaikut cili ka të gdhendur dy figura  dielli, që në të vërtetë mund të duken si dy planetë me formën që  paraqet figura.  Figura  e parë që është identike edhe tek e figura  e dytë,  paraqet një rreth të plotë,  pas tij vjen sërish rrethi  i dytë brenda të parit, i treti dhe në fund,  rrethi më i vogël sa grushti.  Kjo figurë e gdhendur në këtë gurë është dëshmia e vetme krahas deponimeve që kanë bërë në atë banorët e zonës,  kur u prish me traktorë,  mozaiku gjatë punimeve për mbjelljet.  Mozaiku i Kaçorit . Ndodhej nën anën veriore të Cerjes , pranë lumit të Smokthinës.  Aty ka pasur një ndërtesë publike,  banjo.  Mozaiku u zbulua gjatë punimeve me traktor të arës në vitin 1964 Kishte një sipërfaqe prej me gurë shumëngjyrësh si I Mesaplikut.  Gjithashtu në atë vend janë gjetur gurë e shtylla mermeri.  Nga studiuesit mendohet se ka qenë ndërtesë publike e shekullit 3-4 es.  Janë gjetur aty edhe trupa femre . Mozaiku u prish gjatë punimeve.  Kjo është humbja më e madhe.  Sipas studiuesit D. Komata:”Kisha paleokristiane e Mesaplikut, pushtimet nga lindja dhe perëndimi shkaktuan një rënie të re ekonomike-shoqërore kulturore, prandaj kaonët si të gjitha provincat romake të lindjes dhe perëndimit pranuan të përqafonin fenë e krishterë duke menduar aty shpresën e shpëtimit, lindën faltoret e para të ritit të krishterë që më vonë i kthyen ne peshkopate dhe sipas autorëve këto kanë të ngjarë të vareshin nga Bazilika e Mesaplikut. I. Jahaj mësues dhe studiues nga ky fshatë ka shkruar :” Mozaiku I dytë u gjet në vitin 1979 në vendin e quajtur kisha e Murre në qendër të fshatit Mesaplik.  Ai është një bazilikë e artit palekristianë figura si të këtij mozaiku janë gjendur janë gjetur edhe te kodra e Vreshtës,  pranë Hanajve.  Po ashtu rreth kodrës së Smokthinës ka rreth 8-9 emërtime vendesh e majë kodrash me emrat e kishave.

Në këto vende janë gjetur relike,  forma tjegullash, enë balte, pllaka mermeri, qypa.  Shpërndarja e këtyre monumenteve dhe gjetjeve nga qyteza e fortifikuar Cerje është 3km larg nga 2 mozaikët 2km njëri-tjetrit dhe I një vargu emërtimesh kisha, tregojnë dendësi popullsish. Një zonë e tillë që paraqet shumë interes studimi është ajo e territorit të fshatit Mesaplik, përreth kodrës së lartë të Smokthinecit.  Rrëzë saj janë zbuluar dy mozaik të rrallë që përbëjnë dy monumente të kulturës.  Mozaiku u parë u gjet tek vendi i quajtur kisha e Kaçorit në vitin 1964 në breg të lumit të Smokthinës, por nuk u ruajt u prish gjatë punimeve me traktor të ngastrës.

Kalaja e fortifikuar e Cerjes. Është ngritur në shekullin e 3 pes. . Ndodhet 2. 5 km larg nga fshati Mesaplik.  Ajo është ndërtuar në një kodër ku bashkohet lumi Smokthinës me Shushicën.  Midis saj deh fshatit Brataj janë mbi Shushicë ngrihet ura e Bratit.  Pjerrësitë juglindore të kodrës janë të pakalueshme.  Po kështu edhe tre anët e saj me përjashtim të  anës perëndimore ku ishte hyrja e saj. Në sipërfaqen prej 2 km të saj ka pasur ndërtesa banimi dhe dy objekte kulti Kalaja kishte 5 kulla nga ana lindore.  Çdo gurë është një bllok me përmasa 1. 80-1. 90 të sjellë nga masivet natyrore  që gjenden aty pranë.  Nga ana lindor e saj rreth 300m gjenden mbeturinat e urës së lashtë të Bogdanit.

Mozaiku tjetër i zbuluar në vitin 1979 tek kisha e Murrme në qendër të fshatit Mesaplik ku gjendet aktualisht? Kjo ngre një pikëpyetje sepse ka të dhëna që ai gjendet në depot e DRMK Vlorë .  Mozaiku i parë iku falë pakujdesisë dhe çmendurisë për të hapur toke buke në çdo vend.  Zinxhirët e hekurt prishën dhe shkatërruan tërësisht mozaikun,  dëshminë  e lashtë të banorëve të kësaj treve që sipas E. Cabejt rridhnin nga fisi i ilir i mesapëve.  Mozaiku i parë iku dhe gjurmët e tij nuk duken më.  Sikur të mos ketë ekzistuar.  Kanë mbetur vetëm dëshmitë si dhe një cop fotografi.  Mozaiku i dytë gjendet:” i burgosur “nëpër arka.  Në fakt më mirë kështu në ruajte se sa ta gjenin ndonjë ditë të shkatërruar nga një çmenduri apo lugat i kohës moderne.

Autori ka drejtuar parqet arkeologjike të Vlorës

Mozaikët e një katundi në thellësi të shushicës ! Read More »

Ekskluzive nga Marin Mema/Zbuloni Kodrionin e lashtë të Ilirëve, ndodhet pranë

Kalaja e Irmajt është një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë historike që ndodhet jo larg qytetit të Gramshit. Muret imponuese që sot janë ende të dallueshme dëshmojnë sipas arkeologëve se periudha mes shekujve të IV dhe të II para erës sonë është më thelbësorja në jetën e këtij vendbanimi. Qyteti i lashtë në një pjesë është i mbrojtur nga natyra, ndërsa në tjetrën përmes mureve të larta.

Në gërmimet e kryera në vitin 1960 dy arkeologët Dhimosten Budina dhe Frando Prendi përcaktuan se ky qytet ilir ka patur një pozicion strategjik në rrugët e kohës, çka i ka garantuar një zhvillim të konsiderueshëm. Të parët që u tërhoqën nga rrënojat ishin Hasan Ceka dhe arkeologu italian Sestieri që në vitin 1942 e vizituan këtë vend të veçantë e kaq pak të njohur. Sigurisht qyteti ilir ka disa faza ndërtimore, siç është normale për qendra të tilla. Edhe objektet e shumta arkeologjike të zbuluara i përshtaten këtij realiteti të mbivendosur përgjatë shekujve.

Në Irmaj siç dëshmojnë arkeologët Prendi e Budina në një botim të revistës Iliria, të vitit 1972 u gjetën edhe vegla pune prej hekuri dhe guri, që do të thotë se fillesat e kësaj qendre duhen kërkuar në kohë edhe më të hershme. Në çdo rast jeta e organizuar e qytetit nis pikërisht nga gjysma e dytë e shekullit të IV para erës sonë. Monedhat e gjetura me Filipin e II të Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh tregojnë për tregtinë e dendur me qytete e krahina të tjera siç janë Apollonia, Dyrrahu, Amantia, Bylisi e gjithë Iliria jugore e po kështu Maqedonia e lashtë. Këtu ka patur edhe punishte të prodhimit të qeramikës, vegla të ndryshme, çka dallohet edhe nga ngjyrat e hekurit.

Është interesant fakti se jeta në kalanë e Irmajt ka vijuar edhe në mesjetë, ndoshta zhvillimi nuk ka qenë i njëjtë, por të dhënat tregojnë se banorë ka patur. Pjesa më enigmatike lidhet me emrin e dikurshëm të këtij qyteti. Me shumë gjasa ai ka qenë Kodrioni i lashtë, qytet i fisit ilir të dasaretëve që përmendet nga historianët e lashtësisë Polibi apo Tit Livi. Me siguri mund të thuhet se ai është lënë jashtë vëmendjes e në këto kushte më shumë është vizituar nga kërkuesit dhe trafikantët e objekteve arkeologjike, sesa nga turistët dhe organet përkatëse.

Ekskluzive nga Marin Mema/Zbuloni Kodrionin e lashtë të Ilirëve, ndodhet pranë Read More »

Shqipëria shkon në finalen e Eurovizionit, Genti nuk përmbahet nga emocionet

Shqipëria kualifikohet në finalen e “Eurovision 2018” falë performancës së shkëlqyer të Eugent Bushpepës, i cili arriti të zinte një vend mes 10 finalistëve të natës së parë gjysmëfinale falë votave të publikut anembanë Kontinentit të Vjetër.

Faqja zyrtare e festivalit Eurovision në Facebook ka shpërndarë këngën e këngëtarit shqiptar Eugent Bushpepa, kur e interpretoi ‘live’.

E kjo video, u komentua me të madhe nga shumë frekuentues të faqes, qofshin ata shqiptarë apo nacionaliteteve tjera.

Ata e quajtën Eugentin si një nga zërat më të mirë të meshkujeve që u prezantuan në Eurovision.

Padyshim nuk kanë munguar as komentet e tipit që kënga meriton finalen!

Kështu, jepet një fije shpresë për kualifikim, pas këtyre komenteve.

Mes të kualifikuarve është edhe një tjetër shqiptare, Eleni Foureira, e cila përfaqëson Qipron në këtë kompeticion.

Shqipëria shkon në finalen e Eurovizionit, Genti nuk përmbahet nga emocionet Read More »

Një eksplorim në historinë e Amantias !

Qyteti antik i Amantias është një nga qytetet, sigurisht më të vjetër të kohës, por që me rrënojat e saj ka ardhur deri në ditët tona me të njëjtën madhështi. Ky qytet gjendet në kodrinën mes rrjedhës së dy lumenjve me një shtrirje deri në Detin Jon. Në verilindje kufizohet nga lumi Vjosë i krahinës Mallakastër, e ndërsa në jugperëndim shtrihet lugina e lumit Shushicë. Rrënojat dhe gjurmët e tij në ditët e sotme i gjejmë në fshatin Ploçë të rrethit Vlorë, rreth 34 km larg nga qyteti i lashtë i Aulonës. Sipas studimeve arkeologjike të bëra në zonë, Amantia shfaq tiparet e një qytetërimi 1 mijë vjeçar. Mendohet se ky qytetet është themeluar rreth viteve 350 para Krishtit, dhe ka mundësi të jetë ndërtuar nga fisi ilir i Taulanteve, që ka dominuar ushtarakisht në rajon nga Epidamni deri ne gadishullin e Akrokerauneve ( Karaburun).

Kjo fortesë e madhe dhe e fuqishme, kishte dy porta kryesore dhe dy kulla mbrojtëse në veri dhe sigurisht që ka luajtur një rol të rëndësishëm mbrojtës që nga lugina e lumit të Vjosës, në drejtim të lindjes, duke shkuar kështu  deri në Gjirin e Vlorës.

Qyteti i Amantias, ndryshe nga shumë qytete ilire të vendosura më në veri me një kulturë primitive, u zhvillua shumë shpejt ekonomikisht, nga ana kulturore si dhe duke pasur edhe një rol të rëndësishëm ushtarak dhe politik, që i jepte një rol dominant në rajon.

Sipas të dhënave të mbledhura në shekullin e IV p.e.s,  thuhet se Amantia  nga një vendbanim i thjeshtë, kthehet në një qytet të mirëfilltë dhe në një nga qendrat më të rëndësishme  skllavopronare.

Ajo ka qenë  qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amant, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në Ujin e Ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni). Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova), Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi etj. Si shumë qytete ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj, të cilën e citon Pausania, qyteti u themelua nga abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj, kurse Likofroni thotë se qyteti u themelua nga abantët e Trojës të drejtuar nga Helefenori. Me të tilla legjenda për themelimin ishin mbushur edhe qytetet e tjera fqinje si Oriku dhe Bylisi.

Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 p. K. – 168 p. K., Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin. Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një mirorganizim të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: prytani, agonoteti, epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim toksarkun, komandantin e shigjetareve.

Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha dhe shtrihej përgjatë një kodre, e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë, qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor.

Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, gjimnazi etj. Nga monumentet me të ruajtura në Amantia është pa dyshim stadiumi i cili është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologët, ai ka formë katërkëndëshi të stërzgjatur, me gjatësi të krahëve që shkojnë nga 40.40 m deri në 54.50 m.

Ka të dhëna që flasin se qyteti ilir pësoi një bum me ndërtime, të veçantë të cilat i përshtaten zonës kodrinore ku shtriu gjymtyrët qyteti antik. Godinat me karakter publik u ndërtuan në tarraca u rrethuan me mure. Qyteti kodrinor i Amantias përbënte një pamje të veçantë, por dhe krejt të ndryshme nga qytetet ilire dhe ndryshimi vihej re tek ndërtimet në sheshe tarracash.

Gjatë shekujve  të  III-II p.e.s qyteti ilir i Amantia njihet një qytet me zhvillim shumë të madh, por pas zaptimit të tij nga pushtuesit romak në shekullin e I p.e.s qyteti kodrinor fillon që t’i zbehet madhështia që kishte deri në atë kohë. Pas këtij shekulli fillon dhe rënia e ngadaltë e qytetërimit.

Dëshmi, gjurmët e këtij qytetërimi, sot i gjen te muret rrethues, nekropoli, stadiumi, tempulli i Afërditës, varrezat por stadiumi është me 4000 vende është pjesa e ruajtur më mirë.

Mund të vizitohet duke ndjekur intenerarin Vlorë-Qishëbardhë -Drashovicë-Kotë-Vajzë-Ploçë.

Një eksplorim në historinë e Amantias ! Read More »