Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës.
Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.
Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë.
Me ndarjen e re administrative në Lumin e Vlorës përfshihen dy komuna dhe shtatë njësi administrative, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë dhe Armen.
Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.
Ata kryejnë udhëtime të paharruara që zgjasin 5-6 ditë me nisje fshatin Lapardha e sosje në bregdet, duke të gjithë zonën deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës. Ose duke kaluar nga Vranishti për të dalë në Dhërmi.
Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë për turistët, pasi kalojnë në vende ku rrallë shkel këmba e njeriut. Në këtë rrugëtim turistët shuajnë etjen në ujërat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur, pinë raki të vërtetë dhe kënaqen me bukuritë e rralla natyrore që ka kjo zonë, ndër të tjera edhe me këto dy që po përmendim më poshtë:
Shpellat e Smokthinës…
…Kompleksi Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik
Kompleksi i shpellave është nga atraksionet kulturore më të veçanta që gjenden në vendin tonë. Është shenjë e ekzistencës së jetës në kohët e hershme dhe është dëshmi, që ruhet e trashëgohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Nëse s’do të kishin ekzistuar këto banesa të gdhendura në brendi të shkëmbit, atëherë dëshmitë e së kaluarës do të ishin të mangëta.
Një vendbanim i veçantë me një kompleks shpellash, janë shpellat në zonën e Smokthinës në fshatrat Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik të njësisë administrative Brataj të Bashkisë së Vlorës.
Dëshmi interesante rreth këtyre vendbanimeve sjell Luigi Cardini, i dërgua nga zbuluesi i “Trojës Shqiptare”, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini.
Prehistoriani italian i cili udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe që ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri), ndërkohë që në vitin 1936, ai ka hulumtuar shpellat e Velçës dhe ka kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave atje.
Pas tij me shpellat e Velçës janë marrë arkeologët tanë, të cilët edhe kanë propozuar që ato të shpallen monument kulture. Kështu ato janë shpallur si të tilla që në vitin 1948. Në kompleks ato tashmë njihen si shpellat e Velçës me emërtimet: Kalaja, Skota, Shpella me Qiell, Presarani, Shpella e Bushit, Shpella e Maçit, Kushtègjini , Mëngjilli , Rasali , etj.
Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore ( Britania e Madhe)dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë filluan një studim në terren me qëllim gjetjen e një numri shpellash prehistorike, që janë hulumtuar për herë të parë në vitin 1930 nga Luigi Cardini. Studimi gjeti se shpellat e Velçës kanë mbetur praktikisht të pandryshuar që prej gërmimeve të kohës Cardini.
Sipas studimeve italiane, kjo shpellë duhet të ketë qenë banesë 1000 vjet para Krishtit. Shpellat e Velçës duke radhitur kompleksin e tyre: shpella e Bushit, shpella e Prezaranit,shpella e Skotës etj, janë vendbanime të lashta të banorëve autoktonë. Katundi Velçë ka pasur një emërtim tjetër që lidhet me shpellat.
Ajo quhej Velçë-Shpella. Emërtimi sllav është vendosur më vonë. Po kështu edhe emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë vendi i fiqve. Sllavët dhe pushtuesit e tjerë, që qëndruan me shekuj në këto troje ndryshuan emrat e vendbanimeve, besimet, por nuk arritën dot të mbyllin apo të shkatërrojnë gojët e shpellave, sepse do t’u duhej të shkatërronin gjithë shkëmbinjtë e këtij vendi.
Veç shpellave, në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës.
Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të çrregullt, me perimetër rreth 270 metra. Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi.
Vlen të përmendet një tjetër objekt në këtë zonë që është monument kulture i kategorisë së parë dhe që është shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qënë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive.
Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak në vitin 1923 shkruan se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike.
Sofra e Zotit ose Guri me Qiell
“Sofra e Zotit” ose “Guri me Qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë. Për nga mënyra e vendosjes, pesha dhe forma mund të quhet më i veçanti edhe më gjerë gadishullit tonë.
Asgjëkund syri, nuk të ndesh një monument natyre kaq të veçantë që të tundoj me pamjen e tij, formën, mënyrën e vendosjes. Larg çdo përfytyrimi, guri me qiell përbënë dhuratën e natyrës, për një vend të ashpër malor, vendosur në një vend me pjerrësi diku në faqet e një mali jugor.
Ky monument ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.
Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta. Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi i Zotit”.
Është një monument prehistorik i përhapur ne neolitin e vonë dhe ne epokën e bronzit 4 – 9 mijë vjet më parë.
Kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Sipas arkeologut të njohur Moikom Zeqo, “është një gur gjigant i vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijuar një tryeze për perëndite…”.
Përfundimi i studiuesit Zeqo niset nga fakti që shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.
Gjatë verës në ditët me mot të keq në këtë vend ka shumë vetëtima (bubullima).
Nuk është çudi që edhe emërtimi Vranisht të vijë nga pellazgjishtja e vjetër, i vranët, dhe që më pas me krijimin e perëndive, mori emrin Urani, si perëndia e stuhive dhe luftërave, duke u përjetësuar si planet në yjësinë e qiellit.
Lidhur me emërtimin si Sofra e Zotit, ka lidhje me shpellën Lëmi i Lelerëve, vendosur jo shumë larg, por edhe me malin përballë të Bogonicës.
Është për të ardhur keq, që, si për gjithçka tjetër të kësaj natyre në vendin tonë, edhe për Sofrën e Zotit plot enigma, mite dhe legjenda, mungon një studim, një guidë a përcaktim i saktë për t’u trajtuar si objekt natyror, historik apo si një resurs turistik, siç ndodh në shumë vende të botës për objekte e fenomene të tillë mbinatyrorë.
Nga Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Angjelo KAZO
Të takosh historinë
Moti kish shkundur supet e vesuar dhe kish hedhur vellon e jeshiltë. Malet kishin hequr qeleshen e bardhë të dëborës. Në këmbët e tyre jeta rrjedh e qetë. Zhurmojnë veç rrugët nacionale e qendrat urbane. Fshatrat presin udhët që të “zgjohen”. Pasi kalon ujin e Ftohtë të Tepelenës dhe Shkallën e Zezë përhapet një dritë e ndritshme e luginës së Drinos. Në të majtë lamë Hormovën e kapedanëve dhe të historisë, ku pak kohë më parë Sheh Hysen Hormova kishte zhvilluar një takim mbreslënës. U kthyem djathtas. Morën rrugën që gjarpëron drejt Shtëpëzit, vendi ku u mbajt kuvendi historik i prillit 1914, ku kapedanët lidhën besën për luftë ndaj andartëve grekë. Ka kaluar një shekull dhe Shtëpëzi është mes gjelbërimit me kokën “pështetur” në faqe të malit. Ai ngjason me bedenat e një kalaje të stërlashtë. Vellua e jeshile e hijeshisë e qetësisë, e Shtëpëzit na fton si në një ballkon të luginës së Drinos. Pushteti i dukshmërisë është si në pëllëmbë të dorës, nga Lekëli në Kakavijë. Përballë tij, hijerëndë manastiri i Cepos, vendi i Zotave, një karakoll mijravjeçar i ngjarjeve heroike, me kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja labe e shqiptare. Në të djathtë lugina e lumit të Kardhiqit kullon bardhësi dhe që përfundon me qafën e Skërficës dhe atë të Shtufit. Mali i Gjerë, i Lucës, i Pusit mbyllnin horizontin me rryma të freskëta mëngjesi, që pasojnë me ditë të shndritshme të mbushur me diell. Fshatrat e Labërisë në shekuj kishin qenë gjerdan në kuvende. Sa herë binte briri i luftës lebrit, gjirokastritët, lunxhiotët, tepelenasit e përmetarët ishin bashkë, sikurse thotë polifonia, lidhur “si fishekë gjerdani,/kush na prek i humbet nishani”. Kështu ishin mbledhur dhe para një shekulli, në fillim të prillit 1914 paria e kuvendi të kapedanëve dhe prijësave. Nga Fushëbardha Halil Sullo, legjenda e pushkës, burrërisë dhe mendjemprehtësisë së bashku me katër djem fushëbardhas: Dalip Kondi, Surja Tefa, Rizal Muho e Sejdi Baho. Nga Golëmi ishte kordinatori i katër çetave Solo Beqiri, luftëtar trim dhe i mençur. Nga Zhulati Hazhi Zeman Muxhai, luftëtari kombëtar Çerçiz Topulli, trimi dhe luftëtari i paepur Hasan Xhiku, legjenda e të gjithë luftrave me osmanët, grekun e italianin e 20-tës, Selam Musa Salaria etj. Prijësa e kapedanë të tjerë shkuan në kuvendin e Shtëpëzit, nga Kurveleshi i sipërm dhe Kardhiqi. Në takim ishin edhe kapiteni holandez De Ëaal, lejtnanti Juljus Sonne dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot.Takimi i Shtëpëzit u inicua nga hollandezët mbështetur nga një batalion xhandarmërisë shqiptare. Qëllimi ishte që të vëzhgohej nga afër tërheqja e ushtrisë greke dhe rivendosja e autoritetit të shtetit shqiptar nën drejtimin e V.Vidit. Në fakt ishte direktiva e Fuqive të mëdha. Ushtria e grekut po tërhiqej nga Picari, Fushëbardha e Kardhiqi. Urdhëri i fuqive të Mëdha ishte që ata të dilnin jashtë kufirit të njohur të “Shqipërisë londineze” të miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Takimi i Shtëpëzit ishte përzgjedhur në kohën e vendin e duhur. Shtëpëzi ishte një vendkomandë lufte në faqe të malit, që priste e përcillte kapedanë, ku lidhej besa si gjerdan i gatshëm për beteja. Kuvendi i Shtëpëzit ishte besë për lirinë. Burrat e bashkuar në idealin e lirisë lidhën besë që do të zinin pikësëpari të pesë shtigjet e Labërisë por shtegu i parë ishte qafa e Skërficës. Ata u bashkuan kundër synimeve të qeverisë autonomiste të Vorio-epirit me seli në Gjirokastër. Foli kapedani i çetës së Fushëbardhës Halil Sullo, i cili kërkoi nga hollandezët vetëm armë dhe municion. Gjithë burrat e fshatit ishin të gatshëm për luftë. Kishin vetëm pak mauxer, maliher e disa nagantë, një pjesë e tyre të fshehur në Qafë Dardhë që të mos i gjenin ushtarët e Xhavarrës (komandant i postës greke në 1914). Këto anë nuk kishin pasur ndonjëherë ndihmë shteti deri në këtë periudhë. Për herë të parë shikonin dhe mjekë hollandezë në Labëri. Personel mjekësor tradicional kanë qenë nënat labe dhe ilaçet popullore si melhem për plagët si dhe shehlerët, hoxhallarët e ca “doktorë” pleq e plaka që mjekonin me mjete rrethanore. Foli Sulo Beqiri, Kapedan Çerçizi, Xhaferi nga Gusmari, Latifi nga Progonati… “Fermani i kuvendit të Shtëpëzit” ishte i qartë: “…të mbyllet me çdo kusht e me çdo sakërficë Skërfica, kjo portë e moçme e Labërisë nga kapedan Halili dhe burrat e Fushëbardhës, Zhulatit e Rrëzomës, por edhe luftëtarë të tjerë. Kapedan Sulo Beqiri me çetat e tij u vendos nga Manastiri i Cepos, Qafa e Shtufit, Gryka e Kaparielit dhe Rehovës, Jomenin dhe me radhë.. gjithë shtigjet e Kurveleshit dhe të Labërisë”. Krismat për lirinë përcjellin historinë në një krahinë e treve luftarake të pa nënshtruar ndaj çdo pushtuesi. Ishin këta prijësa dhe çetat e tyre që përbaltën akademikët ushtarakë fqinjë, që hodhën në koshin e plehrave të historisë strategjitë e tyre, përfshi edhe ata ushtarakë grekë që kishin studiuar në akademitë gjermane. Kishin kaluar gjithë jetën me armë në dorë. Takimi pati dhe romuze, kur oficerët hollandezë kërkonin t’u mësonin lebërve artin e luftës dhe armët. Nuk e dinin se shqiptarët kishin lindur me armë. Lebërit ishin mjeshtra kur merrnin nishan në zemër dhe dinin t’i dërgonin plumbat në lule të ballit. Djalëria e labërisë këpuste dhe fijën e gjalmit me plumb. Dyfekun e kishin zanat. “Mësimi” i armëve në Shtëpëz nga lejtnanti Juljus Sonne i njohu me arsenalin e armëve të andartëve grekë që pothuaj ishin që të gjitha i markave bavareze gjermane me pushkë gjysëmautomatike, mitroloza e armë artilerie, topa të kalibrave të lehtë e të mesëm, por dhe thikat (bajonetat). Depërtojmë në gojëdhënën popullore, në arkivën e përjetshme të shqiptarit, por dhe në fondet dokumentare gjejmë ende krismën e betejave popullore të 120 burrave në Fushëbardhë, 60 burrave në Zhulat, 170 luftëtarëve të Golemit, 100 vetë të Lekëdushit, 80 vetë të Gusmarit, 46 burra të Rexhinit, 110 burra të Nivicës dhe çdo fshati të Labërisë. Çdo betejë në Labëri është një epope.
Udha historike në luginën e Kardhiqit
Tek Ura e Kardhiqit, ku rrahin erërat e shekujve ka një tabelë-kilometrazh: “Fushëbardha 17 km”. Një stacion ku janë ankoruar malet e bukuria. Në të djathtë ura që bashkon brigjet dhe lejon të rrjedhin ujrat e bardha të Belicës që derdhen në Drino. Ujrat e maleve të krahinës së Kardhiqit derdhen tek këmbët e kalasë së lashtë të Palokastrës që daton bashkë me romakët. Lugina e lumit të Kardhiqit është një histori më vete. Është një “portë” natyrore, me çelësa tek Qafa e Zenele. Ky është “check point” (pikëkontrolli) i Cepos. Belica ose lumi i bardhë përshkon luginën e Kardhiqit, “mbledh” në një shtrat grykën e Kaparielit, rrëketë e malit të Pusit, lumin e Fushëbardhës, Çullunarin, grykën e Honit e Piriun, rrëketë që zbresin nga mali i Pusit, Grykës së Shurit, Gramatisë, lumit të Piksit, Qafës strategjike të Skërficës, etj. Udhëtim përmes kënaqësive e bukurive mahnitëse. Zogjtë, lumi, fëshfërima e erës, gjelbërimi masiv “flet” me gjuhën e vet. Bregu i Shehe, Çepuna e Zenelaj, vendbanime të lashta e të reja. Historia i njeh si “tuma” ilire. Në një shekull janë jetësuar pranë erës së urbanizimit. Më tej fshatra me rëndësi historike si Plesati, Kardhiqi, Prongjia, Kakodhiqi, Taronina, Zhulati e Fushëbardha. Peizazhi natyror e historik përzihen. Vende-vende natyra është dehëse me lule erëmirë në detin e gjelbërimit. Rruga ekzistuese dikur gjithë gumëzhimë është “e lodhur”. Rruga e re që do të lidhë Urën e Kardhiqit me Skërficën e Sarandën, “përton” të shtrojë transe të re. Koridoret e shtigjeve të lashtë kalojnë përmes gryka malesh që presin të gjallërohen sërish. Nga antikiteti e mesjeta nga kaonët ilirikë, molosëve epirotë të Pirros, maqedonasve të Aleksandrit të Madh, romakëve, sllavëve, osmanëve, grekëve, italianëve, gjermanëve panë e provuan të kalonin Skërficën, këtë “patkua strategjik”, shtegun e parë të Labërisë si një ndër pesë shtigjet e stërralltë të Labërisë. Punimet pesë vjeçare të rrugës së re kanë shkuar deri në këmbët e Kardhiqit, kanë çarë fushën e Kakodhiqit. Banorët e pakët të fshatrave gjysmë të braktisur nuk e besojnë javashllëkun që po shton shpopullimin dhe padurimin. Ka pasur dhe disa investime për shtëpitë e tyre, por që të gjithë banorët e ish banorët janë sy e vesh mbi të rejat e rrugës. Shumëkush pyet: “-Ku janë fshatrat me emër e histori si Fushëbardha, Zhulati..? Ku është jeta e gjallëria e dikurshme?” VKM-ja që mundësuan fushëbardhasit në maj 2005 për rrugën e re Ura e Kardhiqit-Sarandë vetëm 37 kilometra, e cila do lidhë dy shtigje të Labërisë Kardhiqin dhe Skërficën pranë Fushëbardhës, do rindezë shpresat e turizmit malor në një zonë me bukuri e peizazhe mahnitëse. Vetëm me rrugë turizmi malor do gjejë shtëpinë e vet.
Cepua si vendkomandë lufte dhe vend peligrinazhi
Manastiri i Cepos është ndriçim i memories historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian të krahinës së Labërisë. Manastiri ka qenë në vijimësi shtëpia e kuvendeve. Historikisht kapedanët e prijësat mblidheshin poshtë shpatit verior të Malit të Gjerë, një prerje shkëmbore dhe një pikë dominuese strategjike midis Kardhiqit dhe Luginës së Drinos. Kurveleshi, Kardhiqi, Fushëbardha, Tepelena, Lunxhëria, Picari, Kolonja, Golemi. Këtu ishte parlamenti i fjalës dhe besës. Manastiri në Cepo njihej nga vendasit dhe të huajt, për pozicionimin gjeografik strategjik, si vendi i shenjtëruar i besimit, i bekimit dhe i faljes. Këtu ishte selia kundër të gjithë pushtimeve.. Në 1914 mori flakë dyfeku kundër andartëve të etur për tokë e gjak. Cepua ka pritur e përcjellë gjithmonë luftëtarë legjendë të njohur të Jugut të Shqipërisë si Çerçiz Topulli, Halil Sullo, Hasan Xhiku, Sulo Beqiri, Çelo Picari, Barjam Prongjia (Ligu), Hito Labi (Lekdushi) etj. Kënga e ka përjetësuar: “Cepo moj te manastiri,/Gjëmon pushka, buçet briri,/Sokëllin Sulo Beqiri,/Sa dëgjohej nga Erindi/E nxori pallën nga milli/ Se na rrethoi qafiri/U vra Vejo Strokë trimi,/Halo Godua lule prilli,/Elmaz Jaçe bojëmiri..”. Por kjo kala natyrore u shfrytëzua për kuvende e luftra në të gjitha brezat. Edhe gjatë LANÇ këtu u shkrua epope heroizmi e mençurie nga bijtë më të mirë të krahinës si Riza Veipi, Dilaver Poçi, Mustafa Matohiti, Karafil Bello, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, e shumë të tjerë. Pas luftës strategët ushtarakë shqiptarë të mësuar në shkollat më prestigjioze të botës, e bënë Cepon kazermë ushtarake, vendkomandë. U ruajt tradita si vendgrumbullim luftëtarësh, si pikë referimi për kuvendet e brezat dhe ndërtimin e jetës. Nën këmbët e Cepos janë Plesati e Prongjia. Dielli i rreh vetëm në Perëndim në mbretërinë e heshtjes së manastirit me kishë bazilikë me kupolë, hajat, trapezari, hambarë etj., ku jo të gjitha mbijetojnë. Përballë vendlindja e Çelo Picarit, më tej Kolonja, Rehova e Golëmi i Çobo Golëmit. Trima e burra të mëdhenj të krahinës. Çelo Picari ishte djali i hallës së Çobo Golëmit. Të dy bashkë kur vinin në qafë të Skerficës për në Kurvelesh lanin këmbët e kuajve në burimet e Skërficës, që balta e moçalishteve të mos vinte në Labëri. Çelua dhe Çobua anulluan planin e zhvendosjes së Kurveleshit me arsyetimin: “A do donit që atë baltë kur të vdisni ta hidhni mbi trupin tuaj?” Populli këndonte: “Kur dil Çobua në Skërficë,/Të ligjtë bijnë e vdisnë,/Hajde sylesh i syleshit,/Del i pari i Kurveleshit,/Del Çobua me pallë sheshit..”. Rruga ecën paralel me lumin e kristaltë të “Joshe”. Prongjia e identifikuar me emrin e Bajram Ligut (Prongjisë), i cili vrau bimbashin e Gjirokastrës bashkë me Hito Lekdushin (Labin) më 1908 dhe shkroi histori në vigjilje të Pavarësisë. Zhurmëmadh në dimër “Kollopanashi” ku në bashkim me Belicën është një lapidar i 7 gushtit që përkujton batalionin partizan “Asim Zeneli”. “7 gushti” është zëvendësuar me “takim brezash” në Fushëbardhë, Zhulat… që vijë të shuajnë mallë me gjithçka të mirë të trashëguar në shekuj. Humelica, Zhulati e Kardhiqi janë “guri i rëndë” krahinor i së shkuarës. Fshatra me bedena, me qytetari të hershme, që nuk ngjasojnë. Humelica në kodër me gjurmë kishash, Zhulati në gropë me kalanë mbi kokë me gjurmë krishterimi, Kardhiqi në brinjë paralel me kalanë me gjurmë xhamish e tyrbesh. Historiani Halil Inalxhik (Hicri 835 Tarihli Suret-i Defter-i Sancak-ı Arvanid, Ankara: TTK, 1954) sipas Evlia Çelebia, Pukëvili..etj. Kalatë e muret e kështjellave kanë “harruar” të shkuarën, janë braktisur e tjetërsuar. Dritaret e dyert e banesave, pragjet, dyshemetë, tarracat, qemerët e gurit, kullat me frëngjitë, oxhakët kanë humbur mesjetarizmin. Urbanistika e karakteristikat, shkëlqimi dhe “madhështia” janë përkulur sikur duan të kërkojnë ndjesë. Në literaturën gazetareske: “Atë që nuk e bëri hakmarrja e Ali Pashës dhe luftërat e bënë vitet 90-të dhe skamja. Pukëvili, konsulli francez i Napoleon Bonapartit në Oborrin e Ali Pashë Tepelenës, shkruante për mbijetesën në shekuj e banorëve të zonës së Kardhiqit e Zhulatit.. Po sot? Kardhiqotët fshatarat e saj arianë në kohë të Alarikut që shkatërruan Epirin, kristianë ortodoksë kur perandorët e Kostandinopojës zotëronin Epirin, katolikë gjatë invazionit të normanëve dhe katalanëve, myslimanë pas pushtimit të Epirit prej osmanëve; ju fshehën pushtuesve edhe pse me veshje e identitet kaon. I mbijetuan hakmarrjes mizore të Ali Pashë Tepelenës, që afro 40 vjet pas çnderimit të Hankos, më 1812, rrethoi Kardhiqin dhe fillimisht ekzekutoi 60 burra të parisë kardhiqote. Aliu shkroi histori mizore në Kardhiq, në hanin e Xharahajve në Valare, për “faljen e madhe vëllazërore”, që në fakt ishte hakmarrja më e çmendur e shekujve me vrasjen e masakrimin e 705 burrave kardhiqotë. Nuk u përfillën as këshillat e komandantit mirditor Ndrek Gazulli. Thanas Vaja ishte nënshkrues i masakrës, dhe kënga e përjetësoi: “Mu te pusi i Valaresë,/I biri i Hanko kapesë,/Vrau shtatëqind e pesë..”. Historia mbart lavdinë, luftrat, fitoret, dëshmorët, tregon “bardh e zi” mizoritë, brengat, tmerret e tragjeditë. Të gjitha udhët të çojnë tek historia. Idriz Sulli, parlamentari i kanunit dhe sharteve labe është autor i dy kuvendeve madhështore, kuvendin e Besës në Senicë dhe atë të rrepeve të Agait (1773) pranë qytetërimit zhulatas dikur me kala, akademi e bibliotekë të famshme. Brezat mësojnë nga autorë si Ismet Elezi, Marko Koroni, Eqerem Vlora, Ramiz Harxhi, Riza Runa, Agim Hila, Bardhosh Gaçe, Bernard Zotaj, Albert Zholi, Laver Stroka, Rahmi Memushi, Arif Kazo, Mitat Kondi, Resul Bedo, Tamaz Kondi, Zeqo Cama, Muzafer Pula, Xhemil Çeli, Sejmen Gjokoli etj. Nga Taronina duket qartë Zhulati, ku një burrë të ulur këmbëkryq në mes të fshatit, si në kuvende, një perandor që ishte brenda rrapit shekullor të Zhulatit, por që e zbuloi me finesë artistike artisti Murat Shuquri Këraj më 17 gusht 2013. Kalaja “majë kodrine”, pa mure e gurë, por vetëm me ca radhë guri. U grabit në shekuj. Andartët më 1914 i rrëmbyen kambanën e sahatin për të shuar historinë. Zhulati quhej Julius/Zhul.. dhe heraldika botërore e njeh si kaproll në arkivat e Venedikut. Çelebi “Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, me 200 shtëpi .. Kalaja e Zhulatit madhështore si kalaja e Kordusit ose Benefshes në Peloponez, u ngrit nga mbreti i Spanjës dhe ka ndërruar “pronarë”, me Dukën e Venedikut, në shekullin e Bajazitit me Qedik Ahmet Pasha; në shekullin e XVII u sundua nga “Çarçanët”, (titull osman). Çarçanajt janë Gjikaj të Qeparoit, Senicës e Fushëbardhës. “Çarçanët”, komanduan edhe kalanë e Zhulatit.
Në fushëbardhën historike e lapidare të memorialeve
Në këtë trevë padyshim më i madhi është Papa Zhuli burri dhjetë shekullor. Në Taroninë një lapidar kujton të shkuarën luftarake, por dhe vetë duket sikur ka dalë nga LIIB. Në Taroninë mushkëritë zgjerohen nga ajri si parfum mali që të gudulis fytyrën. Para një çerek shekulli korierja e më vonë autobusi i Skënder Veliut, qëndronte çdo mëngjes në këtu, ku merrte “racionin” e Zhulatit, 10 vende të rezervuar në autobus drejt Gjirokastrës. Rruga gjarpëron grykës së Çullunarit në fundin e Hingës, emër i gjetur në zhargonin popullor. Kemi hyrë në Fushëbardhë. Ndihemi ndryshe. Gjaku lëviz me natyrshmëri e gjallëri. Takojmë vendin e këngës, trimërisë, mençurisë, për të cilën këngëtari virtuoz fushëbardhiot Murat Nelo Cama këndon: “Fushëbardhë nuk ka më lartë,/Këtu zoti derdhi mjaltë,/ Të dha bukuri e dije,/Mbretëreshe labërie…”..“Trimëri guxim i labit,/Për kët’ popull fisnik/Fushëbardha lapidare,/Por dhe Qafa në Skërficë…” Emri “Mbretëreshë Labërie” i takon princit të polifonisë pilurjotit me rrënjë Lefter Çipa. Ai erdhi i pari ta prekte memorialin “Fushëbardha 2014”. Fshati e vendbanimi historik ku ka jetuar Papa Zhuli, themeluesi i Kanunit të Labërisë, është i njohur edhe pse 933 vjet më parë në qershor 1081 u realizua dhe marrëveshja e parë në Labëri. Papa Zhuli edhe me këshillën e të urtëve të krahinës bëri pakt me ushtrinë e Boemundit (sipas revistës “Shejzat” Romë 1957). Udhëtari që zbret në Fushëbardhë e gjen vet emrin e fshatit. Fusha e bardhë flet shumë me dy lapidarë, një çezmë me emblemë dhe domethëniet e shekujve për ngjarjet. Monumentet dhe rrapi “monument kulture” tregojnë për luftë e qëndresë, për sakrificë e mbijetesë shekullore, për unitet njerëzor, dikur kanunor, përbën një kompleks vlerash të kulturës shpirtërore të bashkësisë labe, që ngjan si kala qindravjeçare të ndërtuar gur mbi gur, si monument i kulturës materiale, dhe të bashkarisht në unitet të pandarë si pjesë përbërëse e kulturës së kombit shqiptar. Jeta dhe e drejta zakonore janë të gdhendura dhe përbëjnë unitet vlerash zakonore; lirinë, barazinë, nderin, besën, mikpritjen, solidaritetin njerëzor.. Në Fushëbardhë nuk rreshtin gojëdhënat për Papa Zhulin, për mençurinë…për të drejtën zakonore labe. Historiografia nuk e ka thënë plotësisht fjalën e saj për këtë figurë të rëndësishme të Kanunit të Labërisë gjendet qysh atëherë dhe ka vepruar në praktikë krahas monokanunit bizantin, pavarësisht se ende nuk janë gjetur dokumente arkivorë. Një personalitet i kulturës labe e më gjerë studiuesi i apasionuar Fitim Çaushi, e analizon historinë përmes vargjeve të këngës si një nga këngët më të vjetra dhe më të bukura: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysmë shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllima”.
“Fushëbardhë 2014” – memoriali i luftës, qëndresës dhe mbijetesës
Përpara na shfaqet me përmasa të pabesueshme Memoriali “Fushëbardha-2014” në qendër të fshatit, i veçantë në llojin e vet, që mbart historinë e një shekulli më parë, që mbart emocion, mendim të thellë, vërtetësi e vlerë të lartë artistike. Ai flet për betejën në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror, ku çeta bëri një qëndresë heroike për një javë rresht ditë e natë nga 20 deri në 26 qershor 1914. Memoriali fletë për bashkim e burrëri, për qëndresë dhe mbijetesë. Skërfica u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Memoriali të kujton luftën që u bë fillimisht nga 11 fushëbardhas si detashment zbulimi i përparuar në Gurët e Bashe, tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës poshtë Gramatisë, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Memoriali flet më shumë se 1000 fjalë për luftën e Skërficës në një patkua strategjik të gozhduar në të dy anët e malit në darën e malit të Gramatisë dhe të Pylloit. Memoriali përjetëson Skërficën dhe burrat e shquar që u trupëzuan njësh me të në emër të lirisë: Halil Sullo, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Cenko Onjea, Mete Jonuzi si dhe 60 të plagosur që shkruan faqe heroizmi që u gdhend në panteonin e kombit. Memoriali përmban dhe Haxhi Muxhain nga Zhulati; … që ranë dëshmorë në një xhephane të përbashkët lufte për Labërinë, por dhe dëshmorë të tjerë që jetën e bënë fli për atdheun. Dokumenti “dëshmor” i përket vendimin Nr. 162 datë 30.11.1979. botuar në librin “Dëshmorët e Atdheut”, me rastin e 100 vjetorit të shtetit. Memoriali përmban histori, luftë, qëndresë e mbijetesë. Në të janë të shkrira motivet, etapat, mendimi unanim i djemëve të Fushëbardhës, nderim për brezat e sakrificave sublime. Kënga “Fushat me lule, malet me dëborë,/Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë,/Gratë e Kurveleshit nisen për në Vlorë..” është në çdo grimcë të memorialit. Dëshmitari okular, Ramiz Harxhi nga Gjirokastra, ka publikuar një shekull më parë në Amerikë të vërtetën për “Betejën e Skërficës: “Në luftën e rreptë, q’u bë në Skërficë,/Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë,/Grykën e Skërficës, shtegn’e Labërisë,/Ç’e kishin rrethuar shtazët e Greqisë….Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet, /Të pavdekur janë gjith’ata luanë,/Që për nder të kombit u grin’e u vranë”. Skërfica është shtegu i udhës së lashtësisë, si pjesë e strategjisë së mbretërve. Në 230 p.e.s Antigonea. Qafa e Skërficës kjo fortesë natyrore ishte dhe në planet luftarake të kalimit ushtarak për të sunduar në Foinike, kryeqytet i epirotasve. Mbreti Skerdilaid, komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir (217-205 pes), që ishte kunati i Teutës së Durrësit, 23 shekuj më parë, i solli fitoren Mbretëreshës Teuta mbi foinikasit. Skerdilaidi manovroi trupat në Skërficë dhe bashkë me Teutën për krijimin e një Fronti të Adriatikut kundër Romës. Skërfica ishte porta ku vendosej fati i luftës. Zotërimi i Butrintit, Onhezëmës (Saranda) erdhi pas marshimit të Skerdilajdit me ushtrinë në ngushticën e lumit të Kardhiqit, në Fushëbardhë dhe në Skërficë. Historiani grek Polibi, shkruan: “Kur kaonët morën vesh se Skerdilajdi me 5000 luftëtarë ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet”. Më vitin 198 p.e.s., mbreti Filipi V u nis për të pushtuar “ngushticat e Antigonesë”, por në planet e luftës kishte dhe “portën” e Skërficës. Historiani romak Tit Livi, shkruan: “..ushtria romake e udhëhequr nga konsulli romak Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedon në anë të lumit Aos (Vjosa e sotme).
Në shekuj Fushëbardha e Skërfica ishin dhe mbetën çelësi magjik në shtegun e parë të Labërisë. Në gjoksin e grykës së Skërficës u “gozhdua” kujtesa e luftës si ngjarje lapidare e madhore e fillimshekullit të XX. Misioni i thjeshtë, por i madh e i shenjtëruar: “ruajtja e tokës shqiptare”. Lufta zgjati nga 20 deri më 26 qershor 1914. Çeta e Fushëbardhës kishte edhe djem nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma që në total shkonin mbi 120 luftëtarë. Komandoheshin nga Halil Sullo në shtegun e parë të Labërisë. Luanët flisnin me grykën e maliherit ndaj pesëqind andartësh. “Kali i Trojës”, nuk mundi të mposhtë “Patkoin strategjik” të Skërficës deri në largimin e gjithë banorëve drejt Vlorës. Fushëbardha e Skërfica të lidhura pazgjidhshmërisht nëpër shekuj. “Patkoin strategjik” të Skërficës e “zbuluan” për herë të parë dhe u ndeshën legjonet romake, Pirrua i Epirit tregoi muskujt në emër të forcës dhe krenarisë kaone, duke bërë që të lartësohej lavdia e forca e madhështisë ilire. Në Skërficë me marrëveshje me Papa Zhulin kaloi Boemundi, por u bë shteg i pakalueshëm për gjithë hasmët e të pabesët e Shqipërisë. Skërfica dhe Fushëbardha si binjake historike në mbretërinë e Zotave. Shkalla e Bregu i Erëzës bashkë me qafën e pesë priftëre janë mbushur me legjenda e mite që i pështjell Lëmëthi me mistere historike. Ato janë dëshmitare nga kaluan romakë, bizantinë, venecianë, osmanë, grekë etj. Vëndasit u ndeshën me perandoritë në Gjashtë, Lëkurës, Sarandë, Delvinë, Rrëzomë në të gjithë Kaoninë. Liria, dinjiteti, krenaria kanë shoqëruar në shekuj luftëtarët Fushëbardhas, zhulata.. në barikadën e shekujve. Ndaj u bënë barikadë për andartët e 1914-ës. Nuk harrohet “përqafimi” bajonetë më bajonetë e thikë më thikë më pushtuesit në Skërficë. Kaonia, Labëria, Fushëbardha ecin… në rrugën e prosperitetit. Dëshmorët e djeshmja dhe e sotmja bashkë. Rruga aty këtu ndriçon nga gurët e shndritshëm fosforikë, që Fushëbardha i ka me bollëk. Ngjan si bulevard pedonaleje e ndriçuar me drita të “mbira” nga dheu. Ato rezatojnë vetëm lartë. Dëshmorët e 14-ës, luftëtarët e tjerë në Skërficës nuk bënë pakt me dredhinë, sepse nuk u zihej besë të pabesëve. Dëshmorët u trupëzuan me kalanë natyrore të Skërficës, portën e parë të Labërisë. Ata ngelën në panteonin e kombit e memorien popullore të Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë, mbarë kombit shqiptar. Fushëbardhën e kishte mbuluar një mbrëmje magjike ku tingujt e muzikës çanin muzgun. Hëna që sapo nxori synë mbi majin e Lucës si ta dinte që ishte festë nuk e linte fshatin të flinte. Fekste habitshëm mbi lapidarët e dëshmorëve, mbi sheshin e fshatit, shkollën, rrapin, çezmën e re, shtëpi më shtëpi dhe e kishte kthyer natën në ditë!.. Diku larg një lehje qeni, një këngë këndezi, një zile mushke, një blegërimë qingji… Çezma “thërmon” ujin me gurgullimë… Gjithçka flet. Yjet e hëna kuvendojnë gëzueshëm, vallëzojnë dorë më dorë shtegtojnë larg…Sami Frashëri shprehej: “Njerëzit i bëjnë të përjetshëm veprat”. Memoriali i 100 vjetorit të luftës, dëshmorëve të Skërficës dhe kontributit në luftë për liri e pavarësi flet shumë, thjeshtë e qartë. Nisma ka autorësi: “Shoqata “Fushëbardha”, Çuli, Trifoni, Nexhipi, Pajtimi, Banushi, Tiku, Teli, Flamuri…skulptori i talentuar Murat Këraj. 16 gushti 2014 po afron.. Këngë e monumente të reja sërish do ngrihen në Fushëbardhë, por memoriali i luftës, qëndresës e mbijetesës për betejën e Skërficës do tregojë gjatë shekullit XXI dhe në shekujt e tjerë.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
Natyrë e mrekullueshme, ajër i pastër, ushqim karakteristik, shtëpi të bukura, mikpritje.
Keto janë disa nga karakteristikat që janë marrë parasysh për këtë klasifikim në DITA të disa prej fshatrave më të bukur të Shqipërisë.
Nga Vermoshi në Dhërmi, Shqipëria ofron bukuri natyrore të veçanta, shumë pak të eksploruara.
Rekordin e mban zona e Vlorës me 3 fshatra në renditje, pastaj Korça me 2, etj.
Kush ka kohë dhe mundësi, nuk ka pse të mos i vizitojë dhe t’i shijojë, përpara se të mahnitet me bukuritë e botës – shkruan DITA.
1-Vermoshi/Kelmend
Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit.
Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i Lumit të Cenit.
Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.
Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qendrimin në bukuritë e fshatit alpin.
Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.
2-Valbona/Tropojë
Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë.
Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherazi njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut.
Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.
Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathiapomishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.
3-Thethi/Shkodër
Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores.
Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindraturistë vendas e tëhuaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.
Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhetnë 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.
Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese.
Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.
4-Lini/Pogradec
Lini, një fshat i mrekullueshëm gadishullor që ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Rrugina të bukura, ku ngrihen shtëpi karakteristike me gurë e tulla, shtëpi që lartohen buzë ujit, oborre me pjergulla, një mjedis i mrekullueshëm, ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara nga njëri-tjetri.
Bazilika e fshatit, një ngrehinë e shekullit të 7-të pas Krishtit, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku zë vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukuritë e arkitekturës dhe rruginave janë atraksionet e veçanta të fshatit gadishullor që e bëjnë Linin një destinacion të paevitueshëm për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e përditshmja e jetës së qytetit.
5-Voskopoja/Korçë
Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të histories së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit.
Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18-ë me në popullsi prej 30,000 banorësh.
8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat: Manastiri i ShënProdhomit, Kisha e ShënKollit, Kisha e Shën Thanasit apo Kisha e ShënIlias, ku mund të admironi pikturat e mrekullueshme murale të piktorëve të famshëm korçarë si David Selenica apo vëllezërit Zografi.
Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.
6 – Dardha/Korçë
Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës e që ngrihet në 1,350 m lartësi.
Rruga tanimë e përfunduar të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta.
Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, kulakrori i shijshëm i shoqëruar me rakinë e kumbullës apo me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit.
Në fundjavë, fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.
7-Bënja/Përmet
Nëse shkoni në Përmet, qytetin e luleve, shtëpive të vjetra karakteristike dhe kishave të bukura mesjetare, natyrisht që një destinacion i paevitueshëm është Bënja, që ndodhet vetëm 3 km larg Përmetit.
Shtëpitë e bukura, kisha ortodokse e shekullit të 18-ë, natyra e virgjër dhe ujrat termale e kanë kthyer Bënjën në një destinacion të mrekullueshëm turistik gjithëvjetor.
Ura e gurtë e Kaikut mbi lumin e Langaricës është një atraksion tjetër i bukur që paraprin bukurinë e të papriturave të kanioneve të Langaricës.
Bënja natyrisht që njihet edhe për ushqimet karakteristike përmetare që u japin shije ditëve tuaja të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit.
8 – Dhërmiu/Vlorë
Dhërmiu ndodhet 42 km në jug të Vlorës dhe thuajse në të njëjtën largësi në veri të Sarandës. Fshati ngrihet në faqe të malit rreth 200 m lartësi. Pranë Dhërmiut ndodhet Shpella e Piratëve.
Fshati turistik njihet për kishat e bukura mesjetare: Manastiri i Shën Marisë, Kisha e Shën Todhrit, Kisha e Shën Mitrit me pikturat murale të shekujve të 12-ë dhe 14-ë dhe natyrisht për jetën e natës, restorantet, pabet, diskotekat.
Kuzhina karakteristike, gatimet e peshkut, hotelet e shumta, plazhet e bukura me gurishte dhe bukuritë e natyrës malore e bëjnë Dhërmiun një destinacion të veçantë për të gjitha moshat edhe në këtë periudhë të vjeshtës.
9-Vunoi/Vlorë
6 km në jug të Dhërmiut ndodhet Vunoi, që ngrihet në një kodrinë në lartësi 176 m mbi nivelin e detit Jon.Kisha e Shën Spiridhonit, ndërtuar në fundin e shekullit të 18-ë, Kisha e Mesodhias, me pikturat murale të pas-viteve 1780, rrënojat e shtëpisë së Odhise Kasnecit, kulla e Shane Kotes dhe natyrisht plazhi i Jalës, me ujin e kristaltë, rërën dhe bimësinë e tij të larmishme, janë disa nga pikat më domethënëse të Vunoit.
Shtëpitë e gurta dhe rruginat me pllaka guri, bukuria e natyrës, pamjet e bukura detare, ullishtet dhe pemët e shumta frutore, kishat mesjetare, gjithçka e bën Vunoin një destinacion të veçantë për turistët edhe në sezonin e vjeshtës.
10 – Fterra/Vlorë
Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës. Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit.
Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit.
45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta.
Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e paeksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë.
Avioni ulet në aeroportin e Tiranës (i vetmi aeroport aktualisht në vendin), por nuk është kryeqytiti i gjallë dhe kaotike protagonisti i këtij udhëtimi.
Marrim me qera një makinë jashtë nga aeroporti dhe pastaj shkojmë në drejtim të Krujë. Qyteti i lashtë i mbretërisë shqiptare dhe shtëpia e Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroi më i madh kombëtar i të gjitha kohërave, Kruja është një xhevahir i vendosur në mal, i përsosur për të vizituar në një ditë.
Kështu e nis artikullin e publikuar në rubrikën “Dove”, në gazetën italiane “Corriere della Serra” gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti.
Pasi kalon dyqanet e suvenireve të pazarit të vjetër (ku është e pamundur të mos magjepseni nga lëvizja e duarve të grave që me shkathtësi punojnë pëlhura në telajo) dhe vazhdohet drejt Kështjellës së Krujës. Këshilla është që të ecësh ngadalë në mesin e rrugicave mesjetare të gurit, shtëpive tradicionale dhe mbetjet e mureve të lashta.
Pasi porosisni një kafe (turke, sigurisht) nga Mikpritja e Krujës, një shtëpi e vjetër otomane e shndërruar në një qendër mikpritëse, hotel, bar dhe restorant, nga tarraca e së cilës ju mund të admironi pamje madhështore të luginës përreth dhe pastaj hyni në sallat e Muzeut Skënderbej.
Çmimi i biletës kushton 200 lekë (rreth 1.50 euro), një vlerë qesharake për një nga qendrat më të rëndësishme të artit në vend. Projektuar nga vajza dhe dhëndri i diktatorit Enver Hoxha dhe inauguruar në vitin 1982, muzeu përmban kopje të armaturës së ‘400, statuja dhe piktura gjigante që riprodhojnë betejat e udhëheqësit të madh Skënderbeut, një mbrojtës i vendosur i besimit të krishterë, kundër osmanëve.
Qytetet historike dhe kështjellat
Mbrëmja kalon në Hotel Panorama Krujë , nga dhomat e së cilës admirohet një pamje pakrahasueshme e kështjellës dhe maleve që e rrethojnë.
Në mëngjes zgjohemi nga zëri i hoxhës, që vjen nga Xhamia që ndodhet në fillim të pazarit. Një mëngjes i shpejtë në tarracën panoramike të hotelit përpara se të marrim rrugën për në Lezhë , një qytet tjetër historik shqiptar, i lidhur me mitin se Skënderbeu, në 1444, ka mbledhur këtu për princat e tjerë shqiptarë për të luftuar kërcënimin otoman dhe ku ai vdiq në vitin 1468.
Një vizitë në Kalanë e Lezhës, ku ju mund të admironi pamje të qytetit me të njëjtin emër dhe madje edhe bregdetin e Adriatikut, para se të niseni në fshatin Fishtë, për të shijuar një drekë në fermën e agroturizmit “Mrizi Zanave”, ku ju mund të shijoni kuzhinë të mirë me km zero, nga antipasta tek ëmbëlsirat, të shoqëruar me një gotë Kallmet, me rrush të vendit me të cilin prodhohet një nga verërat më prestigjioze të gadishullit Ballkanik (dhe jo vetëm).
Labirinte befasuese
Rruga vazhdon në veri, drejt Shkodrës , në të kaluarën një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe tregtare të Ballkanit, si dhe gjatë Perandorisë Osmane, vilajeti homonim (termi vilajet tregon nënndarjet administrative të Perandorisë Osmane). I gjithë qyteti është një labirint surprizash. Pastaj ju vetëm duhet të ecni ngadalë duke zbuluar pikat kryesore interesante. Përshkohet Pedonalja, rrugë e gjatë vetëm për këmbësorët, që ndan më dysh qendrën e qytetit, në të cilën ndodhen ndërtesa historike mes të cilave Muzeu “Marubi”, kushtuar tërësisht fotografisë.
Kisha dhe xhami
Muzeu është vendosur në studion fotografike të themeluar në gjysmën e dytë të ‘800 nga italiani Pietro Marubi, shqiptar i natyralizuar që u arratis nga Italia në 1856, për shkak të përfshirjes së tij në sulmin ndaj të atëhershmit kryetarit të Piacenza dhe arriti në Shkodër, ku gjeti strehim. Pranë Pedonales meritojnë një vizitë tre ndërtesat kryesore fetare të qytetit, Xhamia e Madhe, Kisha Ortodokse e Lindjes së Jezusit dhe Katedralja Katolike e Shën Stefanit, të cilat e bëjnë Shkodrën, një lloj Jeruzalemi shqiptar.
Qyteti i jep emrin e tij liqenin më të madh në Ballkan, liqenit të Shkodrës, që Shqipëria e ndan me fqinjin Malin e Zi. Është një parajsë e vërtetë për adhuruesit e natyrës dhe aventurat në natyrë. Hiking, kayak, shëtitje, udhëtime me varka, peshkim, not ose gjuetinë e shpendëve janë të gjitha aktivitete që mund të bëni këtu.
Perëndimi shijohet në kalanë e Rozafës, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, historia e të cilës është e lidhur me legjendën e Rozafës, gruaja e njërit prej ndërtuesve të kalasë. Nusja e re sakrifikoi veten e saj për t’u përmbushur profecia e një njeriu të mençur të vjetër, duke u murosur e gjallë brenda vetë kështjellës, por duke kërkuar që të linte jashtë gjysmën e trupit dhe një gji kështu që ajo mund të ushqente dhe të përkundte djalin e saj të porsalindur.
Dizajn dhe mëngjes tipik
Për të pasur kënaqësinë të zgjoheni në një shtëpi tradicionale osmane, zgjidhni një nga dhomat e Hotel Tradita, hotel, muze dhe restorant që gjendet në Rrugën Edith Durham, rruga e dedikuar për udhëtarin, shkrimtarin dhe artistin anglez që në fillim të viteve 1900 udhëtoi i vetëm në Ballkan dhe sidomos në Shqipërinë e veriut.
Dizajn tipik shqiptar dhe dritare me pamje nga një oborr i harlisur i brendshëm. Në mëngjes shërbehet mjaltë, djathra shqiptarë dhe hallvë, një ëmbëlsirë tradicionale me susam. Merrni rrugën SH25, duke gjarpëruar si një gjarpër, i cili, pas kalimit të fshatit Vau Dejës, të çon në terminalin ku tragetet përshkojnë Liqenin e Komanit.
Teatrot e majave dhe relievit
Krijuar artificialisht në fund të viteve shtatëdhjetë, pas ndërtimit të digës hidroelektrike, Koman është një skenografi e majave dhe relievit: muret madhështore të shkëmbinjve që pasqyrohen në një pasqyrë të ujit të pastër ku në sezonin e bukur të verës mund të zhyteni. Në pikën ku sot rrjedhin ujërat e liqenit, ku lumenjtë Drin, Shala dhe Valbona bashkohen, duke krijuar pamje të mrekullueshme, më parë kishte një sërë fshatrash të vegjël.
Me traget shkohet në drejtim të fshatit Fierzë, prej nga pastaj vazhdoni drejt Parkut Kombëtar të Valbonës ose Kosovës dhe ekskursioneve përgjatë liqenit në shtëpizën Marku, ku mund të drekoni me pjata të traditës shqiptare , bëhet kajak dhe arrihet lumi Shala, një nga parajsat e fundit natyrore në Europë.
Është në këtë cep të humbur në zemër të Ballkanit, që udhëtimi mbaron. Spektakli të lë pa frymë: gryka të thella, shpatet e pjerrëta dhe plazhet me ujë kristal të qartë që zbehet nga bluja në të gjelbër. Në sfond, malet madhështore që muzgu ngadalë e ngjyros në portokalli./atsh
Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.
Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.
Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.
Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.
Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.
Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.
Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.
Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqiptarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qendror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.
Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.
Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit nga Teatri Kombëtar. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të zhvillohet në datat 23-30 shtator dhe në të do të marrin pjesë 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare. Skena e re “arTurbina” do të hapë dyert për të mirëpritur artistët dhe publikun në këtë festë të përbashkët.
Festivali i teatrit rikthehet pas 6 vitesh mungesë. I fundit ka qenë ai i zhvilluar në vitin 2012 për dramën shqipe. Por tashmë këtë herë festivali do të ketë jo vetëm vepra shqiptare, por dhe të autorëve të huaj.
Sipas teatrit, Ministria e Kulturës si dhe Bashkia e Tiranës janë në ndihmë të këtij festivali, ku shfaqjet për publikun do të prezantohen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, si dhe te “arTurbina”. /atsh
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në planifikimin ose zhvillimin e vlerave, të cilat ne po intensifikojmë , ose po përpiqemi të nxjerrim në pah në të gjithë këto 100 fshatra”, theksoi sot Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.
Në fjalën e saj në akademinë e organizuar për projektin e “100 Fshatrave+”, Dollani tha se “këto janë 100 fshatrat e para që ne po ndërhymë, kemi bërë një analizë të gjatë në vitet e shkuara, përveç kësaj analize kemi arritur të ngrejmë një rrjetë të tërë bashkëpunimi, mes institucioneve”.
“Me disa prej institucioneve tuaja kemi vite që bashkëpunojmë me të tjerë si në nivel qendror dhe atë lokal, por dhe me institucione arsimore kemi vite që bashkëpunojmë, megjithatë tani kemi arritur që të unifikohemi dhe të mbajmë një ritëm të përbashkët shumë të mirë dhe të kënaqshëm në lidhje me zhvillimet e reja, që planifikojmë të bëjmë në territor”, nënvizoi ajo.
Aktualisht, sqaroi ajo, Ministria e Kulturës ka planifikuar që të ndërhyjë në shumë site të trashëgimisë kulturore.
“Aktualisht po ndjekim në territor kantieret që janë në bashkëpunim me disa donatorë , një prej tyre ndër më të rëndësishmit është Fondacioni Amerikan për Zhvillim”, tha Dollani.
Drejtoresha e IMK-së u shpreh se “gjatë 5 viteve të shkuara në bashkëpunim edhe me ministritë e linjës, kemi filluar ndërhyrjet nga pazari i Krujës, Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe tani do të jemi edhe në qytete të tjera”.
“Gjatë këtyre viteve ndoshta ju keni parë ndërhyrjen, por nuk dini si është prapaskena e organizimit të këtyre kantiereve, kanë qenë kantiere sfidues, ka lindur nevoja e bashkëpunimit me shumë profile dhe profesionistë të fushave të ndryshme”, theksoi Dollani.
Dollani evidentoi se është i domosdoshëm bashkëpunimi i gjithanshëm i institucioneve.
“Nuk flasim dot vetëm për projektim arkitektonik ose konstruktiv duhet të kthejmë sytë nga mënyra se si duhet të jetojnë këto struktura, në të cilat ne po ndërhyjmë në kohë fizike. Pra, sesi ato do ta kenë jetën në vazhdimësi, si do të jenë ato të qëndrueshme, si do të gjenerojnë edhe pika të tjera”, tha ajo.
Dollani bëri të ditur se “ky program do të ndiqet edhe nga programe të tjera, grupeve tona do t’i bashkohen edhe grupe të tjera profesionistësh. Jam e lumtur që shikoj studentët këtu, pasi është një kantier pune real ku studentë të fushave të ndryshme arrijnë të kuptojnë se në profesionin e tyre të mëpasshëm momentin që do të dalin në punë do t’u duhet të bashkëpunojnë, të lëshojnë, të tërheqin, të pasurojnë kulturën e tyre”. /atsh
Mes vargmalesh të pushtetshëm, Shëndelli-Lunxheri-Bureto e Trebeshinë-Dhembel-Nëmërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jug, Zagoria ngjan brenda kësaj kurore me një gur xhevahiri rrezëllitës dhe piktoresk nga të gjitha pikëpamjet. Një hijeshi marramendëse, që nga malet e lartë me atë radhoj shkëmbinj të ashpër e të murrmë në Bisej, Rapavicë, Kreher, ku zogjtë aq të bukur kanë bërë foletë në shkëmbinjtë e thepisur e, deri te lulja më e vogël e ndriçuar nga rrezet e diellit, mbushur nga magjia e kësaj natyre, shtojnë pasionin e mjaftueshëm për të ngopur oreksin e turistëve. Në brendësi, pllaja e ara si peceta dore e kopshte me dhera buke e pranë ujërave, oaze të gjelbra me pemë e bar, të kërcënuara gjithmonë nga shirat e era e shpesh me arën e mbjellë u hipën përroi i nevrikosur dhe e çan mes përmes.
Këtu, sa ngrohtësia e rrezeve të diellit korrikut, ngroh dhe zemra e zagoritit. Jeta këtu i ka damarët e trashë dhe kallot e ngurta. Herë-herë jeta është e kursyer e lëkundet në fije të barit të thatë, herë-herë derdhet në shira piktoreske e gjelbërime fantastike, ku natyra ulet në qilima shumëngjyrëshe lulesh. Por gjithnjë ajër i pastër pranveror që të mbush kraharorin e që fryn si fllad parajse e dimrit era, era që ulërin si nëpër brigjet dhe humbellat e ferrit…
Krojet, gurrat dhe burimet e Zagories janë proverbiale. Të ftohta akull, të pastra e të kulluara zajeve. Pikërisht këto i kanë mbajtur lidhur zagoritet me vendlindjen. Gurra e Konckës, më e madhja në krahinë me dy lugjet e mëdhenj kishte aq shumë ujë sa ujiste të gjitha arat e fshatit deri afër lumit, në Sheshe të Mëdhenj apo deri në Murrize e Ahe. Tek Sheshi i Gurrës, edhe sot gjendet nën dhe kanali i veshur me pllaka e i lyer me një lëng të veçantë (si të gjithë ujësjellësit antikë) që e sillte ujët e pijshëm të gurrës mu në mes të fshatit. Gurra është jeta e fshatit, siç është Çalaku me atë ujë të rrallë e të lehtë, ose burimi i Arminxores. Pastaj gurra e bukur e Nivanit e krojet në Sheper, Ndëran, Topovë, Iliar e Zhej. Ndërsa burimet e Çajupit, anëve asaj fushe, që sikur e ka ndërtuar Perëndia me dorë midis maja malesh, janë një vlerë e paçmuar.
Për rreth burimeve, dhe kudo në Zagori, sidomos në Malin e Dhëmelit e të Rapavicës, gjenden masivet me kullotat nder më të mira në vend, dallohen për shumëllojshmëri të barërave e luleve.
Zagoria ka 10 fshatra të shtrira në faqet e maleve në dy anët e luginës. “Fshatra të vogla që mezi duken, ndërtuar në rrëzë të kodrave të gurëzuar si zogj në sqetullat e erës… “Dhjetë mjegulla në brinjë”, do t’i quante poeti Spiro Dede.
Zagoria, ndryshe nga krahinat e tjera në Shqipëri, është një krahinë me kuriozitet të veçantë qytetar. Zagoritët janë të parët në Shqipëri që rrahën kurbetet, dhe të parët që sollën civilizim në shtëpitë e tyre. Të urtë, të matur, dinjitoz, tradicionalë dhe strikt në zakone, qenë të parët që ndoqën shkollat brenda dhe jashtë vendit, duke nxjerrë figura të shquara në shumë periudha historike. Por qenë edhe të parët që kapën pushkën në të dy luftërat e fundit botërore dhe kazmën në periudhën e vështirë socialiste, duke qëndruar ballëlartë para kombit, para historisë.
Zagoria është një krahinë e lashtë antike (jo emri i saj). Një dokument i vitit 1826 thotë se më 1431 Zagoria kish 3100 frymë. (Vini re diferencën prej 400 vjetësh). Më 1939, pra 500 vjet më vonë, afërisht kishte po kaq. Më 1981, 1565 banorë, pra, më pak se gjysma e 500 vjetëve shkuar. Sot në Zagorie, të regjistruar figurojnë 1280 banorë, faktikisht janë më pak se çereku i tyre. Kjo ikja e fundit e viteve ’90 ka qenë nga ikjet më të mëdha historike.
Monumente të Natyrës
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 676, date 20. 12. 2002 disa nga Monumentet e Natyrës në territorin e Zagorisë janë:
Rrapi i Shkollës, Sheper
Ndodhet në qendër të fshatit Sheper të komunës Zagorie. Dallohet për formë rrethore të rregullt të kurorës. Ka moshë 250 vjeçare, një gjendje të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.
Rrapet e Nivanit
Ndodhen në juglindje të fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Janë të lartë mesatarisht 25 m, ndërsa lartësia maksimale 27 m. Kanë moshë 150-180 vjeçare.
Rrapi i Ndëranit
Ndodhet në qendër të fshatit Ndëran në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt ombrellore të kurorës. Ka moshë 500-vjeçare. Ka gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.
Vënjat e Konckës
Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagorisë, 1100 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë drurë me trung dhe kurorë të veçantë (piramide), me lartësi 15 m dhe diametër të trungut rreth 16 cm dhe moshë mbi 100 vjeçare. Janë bimë të rralla dhe në rrezik zhdukje. Druri i tyre përdoret për prodhimin e temjanit.
Lisat e Manastirit Nivan
Ndodhen në poshtë fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 710 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Kanë moshë 200 vjeçare. Kanë gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.
Bredhi i Zhejit
Bredhishtja e Zhejit shtrihet në lartësitë 500-1900 m nga niveli i detit. Sipërfaqja është rreth 1500 ha dhe shtrihet përballë Fushës së Çajupit. Kati drunor i pyllit përfaqësohet nga formacione te bredhit të Maqedonisë, nënpylli përfaqësohet nga shkoza, dëllinja, mëlleza. Është relativisht i ruajtur mirë dhe përfaqëson pjesë të rëndësishme të biodiversitetit të Shqipërisë Jugore.
Pylli i Gurtë, Ndëran
Gjendet në afërsi të fshatit Ndëran, 1000 m mbi nivelin e detit, në frontin e tarracës homonime. Përfaqëson gurë me forma shpesh të çuditshme dhe afër njëri-tjetrit, sa të lënë përshtypjen e një pylli të dendur, nga ku edhe emri “Pylli i Gurtë”. Nën modelimin e erës dhe të erozionit janë krijuar forma të veçanta të gurëve. Ato janë të larta deri në 2 m dhe të gjerë disa dhjetëra centimetra. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike. V
Tarraca e Ndëranit
Ndodhet në krahun e majtë të lumit të Zagorisë, në afërsi të fshatit të Ndëran. Përfaqëson një fragment tarrace lumoro-deluviale, të formuar nga lumi i Zagorisë në formën e një tarrace të nivelit të tretë, në shpinën e së cilës janë depozituar deluvione dhe koluvione të ardhur nga shpati lindor i malit të Lunxhërisë dhe nga materiale fluvioglaciale të ardhur nga cirqet e lartësive të këtij mali. Është e gjatë rreth 1000 m dhe e gjerë rreth 200 m. Mbi këtë tarracë është zhvilluar një ekosistem i veçantë dhe interesant, që përfaqësohet nga një pyll i përbërë nga lajthitë e famshme të Zagorisë.
Gurra e Nivanit
Ndodhet në fshatin Nivan të komunës së Zagorisë, në rrëzën perëndimore të malit të Dhëmbelit, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik, që dallohet për prurjen konstante gjatë gjithë vitit. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë dhe krijon një mjedis shumë tërheqës përreth.
Shkëmbi i Zheit
Gjendet në afërsi të fshatit të Zheit të komunës së Zagories, 1300 m mbi nivelin e detit. Është i gjatë 200 m, i gjerë 100 m dhe i lartë 500 m. Në shpatet e tij të thepisura kanë folenë pëllumbat e egër, skifterët dhe shqiponjat.
Vrimat e Konckës
Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagories. Karsti ka krijuar këtu një peizazh interesant karstik me një mori formash negative, që u ngjajnë hojeve të bletëve. Mbetet që të kryhen hulumtime të kujdesshme dhe të detajuara për të evidentuar shpella karstike, të cilat duhet të jenë të pranishme dhe vlera të tjera të veçanta të peizazhit karstik.
Monumente abiotike natyrore
Zagoria ka disa vende, të cila kanë shërbyer për grumbullime në festa e takime. Të tilla janë sheshet si ai Pleshës në Hoshtevë, Sheshi Karrozit në Nivan, i Shqezës në Nderan, etj. Janë të rëndësishëm edhe institucionet e kultit si, manastiri i Nivanit, kisha në Hoshtevë, Konckë, etj. Zagoria është vend ku janë te përhapura shpellat karstike, përmendim shpellën e Hosit në Sheper, atë të Milarisë në Ndëran. Kanë rëndësi burimet dhe guvat karstike që janë pothuajse në çdo fshat.
Inxh. Klenathi Mandi/Drejtues i Shoqatës Mjedisore “Çajupi”
Inxh. Gjon Fierza/ Specialist, Agjencia Kombëtare e Mjedisit