Art-Kulture

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e arkeologëve për kërkime dhe zbulimin e historisë nën rrënoja.

Së fundmi, arkeologët e palodhur po sjellin fakte interesante rreth zbulimeve të bëra në fontanën Monumentale, kishën Paleokristiane, portën hyrëse në anën lindore ku janë zbuluar teknika të reja dhe periudha ndërtimi të pahasura më parë.

Rezultatet shkencore të këtij sezoni gërmimesh priten të dalin ku publiku dhe specialistët po i presin me padurim.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /atsh

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto Read More »

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë

E ndodhur mes qytetit të Përmetit dhe Tepelenës, me një urë të varur të dhuruar nga Pashai i saj Ali Tepelena, aq afër  me lumin e Vjosës dhe me një klimë shumë të favorshme për rritjen e agrumeve dhe bimëve të tjera, e bëjnë këtë fshat të vogël shumë të preferuar.

Në zonën përreth e thërrasin ndryshe edhe “Stambolli i vogël”.

Po flasim pikërisht për Dragotin, vend i cili njihet shumë mirë nga të gjithë jugorët për arsye se është e vetmja urë e cila bën të mundur lidhjen e pjesës juperëndimore me atë juglindore të vendit.

Ura e Dragotit ka qenë një dhuratë nga Ali Pashë Tepelena që vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë në këmbë, sigurisht e rikonstruktuar.

Mendohet se emri “Dragot” vjen nga fjala “Dragoi” qenie mitologjike e fortë, mbrojtëse, për shkak të pozicionit të favorshëm për të jetuar dhe klimës së butë që më të drejtë udhëtarët e kanë quajtur “Stambolli i vogël”.

Rruga kryesore vjen paralel me shtratin e lumit dhe Janina e Konica e kishin si rrugën e tyre kryesore që i lidhte me pjesën tjetër. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Edith Durham, diku nga fillimi i shek. XX.

Është thënë se ishte shoqëruar nga një djalë me emrin Sadik e që udhëtarja paska qëndruar në shtëpinë e tij në Dragot.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet po aq mahnitës si për vendasit edhe për të huajt, por fakti që i tërheq më shumë turistët është se aty afër, në Beçisht ka lindur edhe Ali Pashai, por Dragoti ka edhe një simbolikë tjetër, ka një urë që ka marrë emrin e tij.

Është një urë shumë elegante e që silueta e saj e harkuar duket që larg e harmonia e strukturës së saj të befason.

Është plot 100 metra e gjatë e nuk ka këmbë në mes. Bashkon malin e Golikut me Shëndëllinë dhe është një urë me një peshë të madhe strategjike. Kështu është quajtur në kohë lufte dhe paqeje.

Është ruajtur me rojë në kohën e socializmit. Dhe në historinë e saj të luftërave është bombarduar disa herë, por pozicioni strategjik e ka bërë të pamundur shkatërrimin e saj.

Një pllakë çeliku, e vedosur në një nga harqet e saj lexohet “Asaldo. Genova 1936-XIV”. Asaldo duhet të jetë firma ndërtuese e urës, ndërsa “XIV” është viti i 14-të i “erës fashiste”.

Ndërsa në hyrje të urës, në faqen shkëmbore djathtas, ndodhet një gur i cili nuk është i të njëjtës strukture të shkëmbit mbi të cilin ai rri. Ka ngjyrën e betonit dhe një legjendë se kjo urë do të jetojë sa të jetojë edhe ky gur.

Dikush thotë se ai gur është pikë orientimi për ndonjë thesar të fshehur të Ali Pashës. Këto dhe të tjera histori e gojëdhëna, bëjnë kurioz shumë udhëtarë e vizitorë të ngiten në këto anë e të shikojnë nga afër fshatin dhe historinë e tij.

Dragoti është edhe vendlindja e aktorit të madh hollivudian Stan Dragoti.

Është një vend shumë i bukur për tu vizituar dhe sigurisht për të njohur dhe pak mikpritjen e vendasve e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë tipike e kohëve të vjetra.

Fshati vizitohet sipas intenerarit Tepelenë- Dragot- Përmet

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë Read More »

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh

Në 6 muaj, Gramshi ishte destinacioni i preferuar i 14 e 500 turistëve vendas e të huaj.

Ky informacion jepet për ATSH nga strukturat e Bashkisë Gramsh që mbulojnë lëvizjet turistike në këtë Bashki.

Ergita Kaso, punonjëse në këtë bashki tha për ATSH se “këtë vit, Gramshi ka pasur numrin më të lartë të turistëve ndër vite. Pasi rakorduam të dhënat në të gjitha atraksionet turistike të Gramshit, konstatuam se gjatë 6 mujorit të parë të 2018 ka pasur rreth 14500 turistë deri tani, të cilët kanë vizituar pikat më atraktive turistike të zonës si Kanioni i Holtës me 3000 turistë. Kjo natyrë e veçantë e zonës, vazhdon të vizitohet gati çdo ditë nga turistë shqiptarë dhe të huaj”.

Liqeni i Zi, theksoi ajo, është një tjetër pikë e vizitueshme edhe për efektet e ujit kurativ që ka. “Deri tani janë numëruar nga strukturat tona deri 5000 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë gjatë muajit gusht, pasi vijnë për kurimin e sëmundjeve reumatizmale”, thotë për ATSH, përfqësuesja e kësaj Bashkie, Ergita Kaso.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që  mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banoret e disa qyteteve si, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballe të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.

Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacake që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

“Ujëvarën  e Sotirës këtë verë e vizituan 2000 turistë vendas e të huaj, kryesisht gjatë muajit Maj-Qershor, por vazhdon të vizitohet edhe në këtë periudhë”, shton më tej Kaso.

Ajo radhit edhe disa pika të tjera turistike të Gramshit që janë vizituar deri tani si Liqeni i Banjës me 3000 turistë, ku  disa operatorë turistik sjellin dhe kajak apo mjete te tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen  për t’u vizituar. Një tjetër destinacion, ka qenë dhe fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur, e vizituar nga 700 turistë të historisë dhe të kulturës.

Dy kishat ortodokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore. Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit kanë qenë dhe Liqeni i Dushkut, Shpella e Kabashit  e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë. /atsh

          

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh Read More »

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit

Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.

Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.

Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.

Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.

A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?

Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.

Është një gur në formën e një pllake  tepër të madhe ciklopike, që rri varur  mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.

Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.

Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.

Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.

Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.

Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.

Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.

Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.

Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.

Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.

Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur  nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës,  një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.

Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.

Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.

Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Gjurmë Shqiptare” i gazetarit Marin Mema

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit Read More »

Revista prestigjioze “Wide Walls”: Muralja në Urën Vajgurore në 10 më të mirat në botë

Revista prestigjioze zvicerane “Wide Walls” ka përzgjedhur muralen e pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore si një nga 10 më të mirat në botë.

Përzgjedhja është njoftuar nga kryeredaktorja e revistës, Angie Kordic, e cila ka publikuar listen e muraleve të pikturuara gjatë muajit gusht 2018 në të gjithë botën.

Kjo është një traditë, e cila vazhdon prej 14 vitesh për revistën “Wide Walls” dhe në numrin e 169 të saj, në hartën botërore të muraleve më të mira, ka përzgjedhur edhe një qytet nga Shqipëria, pikërisht qytezën e vogël të Urës Vajgurore.

Shqipëria renditet krah Kalifornisë, Austrisë, Norvegjisë, Masaçusetsit, Ilinoisit, Italisë dhe Bjellorusisë.

“Vepra ‘Flirtimi’ është muralja e tretë e pikturuar nga WD (Wild Drawing) në qytetin e Urës Vajgurore në Shqipëri. Piktura vjen si një shembull i përkryer i përdorimit të hapësirës. Në murale shikohet një çift, të cilët vështrojnë njëri-tjetrin nga të dyja anët e pallatit, duke i dhënë jetë një iluzioni të bukur”, thuhet në shkrimin e revistës “Wide Walls”.

“Flirtimi” (The flirt), “Kampioni” (The Champion) dhe “Ura e Mendjes” (Bridge of mind) janë tre muralet që janë pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore nga artisti i njohur me famë ndërkombëtare WD.

“Ai është një nga artistët më të talentuar të skenës së artit bashkëkohor në Greqi. WD është një artist indonezian me banim në Athinë, i njohur gjerësisht për muralet e tij foto-realiste që shpesh adresojnë çështjet aktuale ekonomike, politike dhe sociale në terma vendorë dhe globalë. Kurrë nuk ka frikë të flasë dhe të shprehë mendimet e veta. Ai është i pasionuar për krijimin e pjesëve të guximshme dhe të provokimit të mendimeve që rrisin ndërgjegjësimin për disa prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet bota jonë sot. Midis punës së ngarkuar në mënyrë shoqërore, ai gjithashtu krijon murale të frymëzuara nga natyra, komike, romane grafike dhe karaktere të Disney”, thuhet në përshkrimin që revista zvicerane “Wide Walls” bën për artistin.

Tre muralet janë kuruar nga artisti i njohur shqiptar, Helidon Haliti, me mbështetjen e bashkisë Ura Vajgurore. /atsh

https://www.widewalls.ch/street-update-169/

Revista prestigjioze “Wide Walls”: Muralja në Urën Vajgurore në 10 më të mirat në botë Read More »

Të gjithë së bashku për të parë dokumentarin mbi gadishullin e Karaburunit në Orikum

Ju mirëpresim, të gjithë së bashku për të parë dokumentarin mbi gadishullin e Karaburunit, pasurit detare dhe ato arkeologjike, duke zbuluar historikun e qytetin antik të Orikut.
Filmi është projektuar për të nxjerr në dritë bukurit natyrore dhe materiale të Shqiperisë së Jugut.
Gjatë projektimit të filmit do të jenë të pranishëm arkeologet që kanë zhvilluar gërmimet në Parkun arkeologjik të Orikut për çdo pyetje dhe kuriozitet që mund të dal.

Shihemi të Enjten më datën 20 Shtator 2018 ora 18:00 sheshi përpara godinës së Njësisë Administrative Orikum, Bashkia Vlorë!

Të gjithë së bashku për të parë dokumentarin mbi gadishullin e Karaburunit në Orikum Read More »

“Misteret e Orikumit”, shfaqen për publikun në 20 shtator

Dokumentari mbi gadishullin e Karaburunit, pasurive detare dhe ato arkeologjike të qytetit antik të Orikut, do të shfaqen në datën 20 shtator në Njësinë Administrative Orikum, të bashkisë Vlorë.

Dokumentari është projektuar për të nxjerrë në pah bukuritë natyrore dhe ato materiale të Shqipërisë së Jugut.

Bashkia e Vlorës bën me dije se gjatë projektimit të filmit do të jenë të pranishëm arkeologët që kanë zhvilluar gërmimet në Parkun arkeologjik të Orikut, të cilët do të jenë të hapur ndaj pyetjeve që mund të vijnë nga të pranishmit.

Dokumentari “Misteret e Orikumit” do të shfaqet në orën 18:00 te sheshi përpara godinës së Njësisë Administrative Orikum./atsh

“Misteret e Orikumit”, shfaqen për publikun në 20 shtator Read More »

Xhamia e Plumbit vizitohet nga qindra vizitorë gjatë sezonit të verës

Një nga gjërat e bukura, dhe që e bën më të veçantë Xhaminë e Plumbit Vlorë, është se gjatë gjithë vitit, dhe në veçanti gjatë sezonit të verës, vizitohet nga qindra dhe mijëra vizitorë Shqipëtare dhe të huaj të cilët vijnë nga qytete dhe shtete të ndryshme të botës.

Vizitorët njihen me:

– Historinë e Xhamisë.
– Funksionin e saj.
– Roli që Xhamia ka në qytet.
– Njihen nga afër me Kur’anin, Librin e Shenjtë.
– Njihen në terma të përgjithshme me Fenë Islame.
– Gjithashtu u jepet informacion mbi çdo pyetje që vizitorët mund të kenë.

-Në bazë të mundësive gjithashtu shpërndahen edhe fletushka në gjuhë të ndryshme, ku gjithsecili që ka nevojë për informacione të ketë ku mund të lexojë.
Padiskutim meritë kryesore marin të gjithë ato që kontribojnë në punë të tilla

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - Albania

Fotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - AlbaniaFotografia e Welcome To Vlora - Albania

 

Xhamia e Plumbit vizitohet nga qindra vizitorë gjatë sezonit të verës Read More »