Me punimet në dru të objekteve baritore u njoh qysh në vegjëli, atëhere kur pa mbushur pesëmbëdhjetë vjeç do të shkonte me bagëti, pas të jatit.
Laze Koshena, i jati, mbahej si një nga gdhëndësit e drurit më të njohur në krahinë, sidomos për ca pori të çobanërisë e staneve.
Aty, pas dhënve edhe i biri, Metja, e nisi zanatin e gdhëndjes në dru si trashëgimi nga i jati.
Dhe kështu po vazhdon, një jetë e tërë, gati gjysëm shekulli pa u lodhur, duke bërë sende e objekte të ndryshme, kryesisht me subjekte nga jeta blegtorale. Të gjitha në mënyrë artizanale, një për një të gdhendura vetëm me dorë.
Kërraba çobani, lugë e cyla dyjare, furka për tjerrje leshi, qafore për zile e këmborë, çibuqe e tavlla duhani, vedra bulmeti e dybeqe, po edhe çdo gjë që ja sheh syri, këtij burri duket se ja bën dora.
Shumë prej këtyre objekteve do zinin vend edhe në muzeun- shtëpi, në Kullën e Dervish Aliut aty ndanë qendrës së fshatit, një vlerë e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore, dikur plot shkëlqim ndërsa tani i rrënuar dhimbshëm…
Punimet e gurta janë një tjetër dimension i pasionit dhe talentit të këtij dukatasi me shpirt artisti e ku shtëpinë brenda e jashtë me duart e tij e ka shndërruar në një objekt të këndshëm trashëgimie.
Nga do që kam shkuar, brenda e jashtë vendit, më ka qëlluar të shikoj lloj-lloj gjerdhesh, me shufëra, drunjër e mbase edhe tubo të metalta por, prej guri, askund e asnjëherë më parë s’kam parë.
Vetëm te Mete Koshena, aty në shtëpinë e tij në Dukatin e vjetër, në pllajën rrëzë Golashit mund t’a shikosh këtë “shpikje” të rrallë.
Nuk është një garth butaforik, as thjesht për të treguar një punim artistik, është krejt funksional, në rrethim të oborrit, kopshtit e bahçes aty pranë shtëpisë.
Kur nis e futesh brenda oborrit e shikon se kjo nuk është një rastësi, përkundrazi aty mëson se kjo mënyrë pune artizanale është baza e punës së këtij njeriu, krahas drurit.
Gjithandej punë artistike të gurta, punë murale e objektesh të ndryshme që t’i zë syri gjithandej, deri te inicialet e emrit të tij, “M K”, të vendosura lart, mbi çati.
Vazo lulesh të gurta, vedëra, kusi, sylinjarë uji për burime e çezma guri, oxheqe e modelimi me lloj-lloj imazhesh.
Gurin, ashtu copa-copa, gati të çakëlluar e bie që nga Maja e Thanasit e Barçallaja, si të binte çaj e trëndelinë.
Është një gur krejt i veçantë, gjithandej me pore e i gripuar nga erozioni shekullor aty ku përzihen erërat e detit e të malit.
Përpunimi e dhënia e formave një shkollë më vehte, me durim të jashtëzakonshëm por edhe shpirt të pa diskutueshëm artisti.
Të bësh bashkë e mos t’i kuptosh se dikur kanë qenë të ndara në mijëra e mijëra copa të vogla gurësh.
Vlera të qarta e të padiskutueshme të fuqisë së artit popullor që në ditët tona na vijnë si trashëgimi e kulturës tonë materiale e shpirtërore.
Ngjyrat e Shqipërisë zbritën në Shkodër në Kalanë e Rozafës, në një festë të madhe përmbyllëse për konkursin e përvitshëm “Colours of Albania 2018”.
Mes 35 mijë fotove të publikuara në 6 muaj, një rekord i të katërt edicioneve, u përzgjodhën pesë fotot fituese. Në një atmosferë festive, ekpozitë të 40 prej fotove më të mira, produkteve tradicionale dhe muzikës së Shpat Dedës, të pranishmit shijuan një fundjavë ndryshe, larg rutinës.
Të pranishëm në aktivitet ishin trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, Ministri i Turizmit, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues nga shoqëria civile, komunitetet fetare, operatorë turistikë, artistë dhe të rinj të dhënë pas fotografisë dhe mediave sociale.
Mbrëmja është çelur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili në fjalën e tij theksoi se komponenti kulturor ndihmon në rilidhjen e Shqipërisë me Evropën, me vlerat evropiane dhe civilizimin evropian. Përmes këtij konkursi ku çdo shqiptar e i huaj kanë pasur mundësi të postojnë fotot e tyre me imazhet e Shqipërisë, ne kemi treguar atë çka është më e mira nga ne.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi e quajti një gjetje të zgjuar zhvillimin e aktivitetit në kalanë e Shkodrës duke promovuar kulturën, trashëgiminë kulturore dhe duke promovuar vlera si kjo kala 2500 vjeçare. Ne jemi këtu tha ai për t’i bërë thirrje shumë e shumë turistëve që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë dhe të shohin sa e bukur është ajo. Nëpërmjet fotove ajo duket e mrekullueshme.
Gjithashtu aktiviteti mori dhe vlerësimin e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se delegacioni i BE-së ka qënë një mbështetës i fuqishëm i këtij eventi që i ka treguar të gjithëve më të mirën dhe më të bukurën e asaj që Shqipëria ofron duke e quajtur eventin një edicion përmbyllës të suksesshëm.
Juria e përbërë nga artistë, fotografë të njohur me përvojë të gjatë, si Albes Fusha, Blerta Kambo, Alket Islami dhe Jorida Murati përzgjodhën si foto fituese fusha me livandë në Koplik, me autore Erisa Shaba.
Motoja e këtij viti e Colours of Albania ishte “Trashëgimia kulturore dhe përkatësia europiane”, e cila përkon me lajtmotivin e Bashkimit Europian për vitin 2018. Për 6 muaj qytetarët me fotografitë e tyre u bënë diplomatë duke promovuar bukuritë e vendit. Ata nxorrën në pah trashëgiminë materiale dhe jo materiale të shqiptarëve, ruajtjen e kësaj trashëgimie si pjesë e ruajtjes së identitetit, si vlerë e shtuar për kontinentin ku jetojmë. Ngjyrat e Shqipërisë do të kthehet sërish vitin e ardhshëm./ata
Një e vërtetë historike që mbetet ende e turbullt për një nga ngjarjet më kulmore të historisë së Shqipërisë, ngritjes së flamurit më 28 nëntor të vitit 1912.
Në një komunikim miqësor me fort të nderuarin Qerim Vrioni, mësova një fakt shumë domethënës, që ka të bëjë me të vërtetën e godinës ku u ngrit flamuri ditën e shpalljes së Shqipërisë të mosvarme.
Në një hulumtim të shpejtë mësova diçka më shumë për këtë fakt, i cili gjithsesi nuk është se nuk dihej por nga trumbetimi i vitepasvitshëm, ndoshta pa ndonjë qëllim dashakeq e ka zhvendosur godinën ku është ngritur flamuri më 28 nëntor 1912 nga shtëpia e Xhemil Bej Vlorës te godina ku u vendos qeveria e Ismail Qemalit pas kthimit nga Anglia në pranverën e vitit 1913.
E vërteta
Ngritja e Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor 1912, që shënoi dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë Etnik (në katër vilajetet shqiptare), u ngrit në shtëpitë e familjes së madhe Vlora. Ato ishin shtëpitë e Xhemil Bej Vlorës, kushëririt të Ismail Qemalit dhe ndodheshin në hapësirën ku sot është Sheshi i Flamurit, aty ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë (i inauguruar në vitin 1972) dhe ku përreth shtrihet lulishtja e madhe dhe memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit – vepra këto që u përjetësuan nga skulptori ynë i shquar Odhise Paskali dhe u inauguruan më 28 Nëntor 1932. Këto shtëpi asokohe quheshin saraje, dhe sarajet e kësaj familje kishin dy godina (ndërtesa) të mëdha. Godina ku u mblodh Kuvendi dhe më pas u ngrit flamuri quhej Selamllëk (dhoma e burrave).
Si i përshkruan Eqrem bej Vlora këto saraje?
Eqrem bej Vlora në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925” thotë se: Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Ndërtesa ka pasur 3 kate me shumë dhoma, korridore e ambiente të tjera. Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe në foto duken vetëm 6 dritare. Ndërkaq dritaret e katit të dytë (në anën e majtë) janë 7 copë, të cilat duken në disa formate jo të rregullta. Dritarja ku u shpalos Flamuri më 28 nëntor 1912 është në derë, dhe përpara duken shkallët që të çojnë drejt kësaj hyrje. Në katin e tretë duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark, dhe shquhen rreth 8 të tilla në krahun e majtë, ndërsa në krahun e djathtë duken 3 të tilla të vogla dhe një e madhe. Eqrem bje Vlora, shkruan se – kjo ishte shtëpia e Xhemil Bej Vlorës. Kjo shtëpi historike u shemb në vitin 1925, ndërsa Pinjollët e familjes Vlora u zhvendosën në godina të tjera. Syrja Beu (babai i Eqerem Bej Vlorës), u vendos në godinën që sot emërtohet “Shtëpia e Beut”, ndërsa Siri Beu u zhvendos në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot ndodhet njëra prej vilave të shkatërruara të ish-udhëheqjes komuniste.
FOTOJA E 28 NËNTORIT 1913!
Me të drejt konstaton Harilla Koçit, se, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali në ballkon nuk është e 28 nëntorit 1912, por e 28 nëntorit të vitit 1913, pikërisht në shtëpinë ku u vendos Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, aty ku sot ndodhet Muzeu i Pavarësisë. Dhe këtë foto e ka bërë fotografi ynë i shquar Marubi nga Shkodra, i cili mori pjesë në përvjetorin e Pavarsësisë së Shqiprisë./Albert Vataj
Në pjesën verilindore të Ulqinit në një lëndinë mbi Liqenin e Shasit ndodhet qyteti mesjetar i Shasit. Për të flitet fare pak. Nuk është bërë asgjë veç të drejtës për ta mbuluar me harrim. E megjithatë Shasi mbetet një prej dëshmimeve më domethënëse të qytetërimit ilir. Megjithëse sot vetëm disa rrënoja rreken të na mbajnë të lidhur me këtë qyetetërim të hershëm ilir, Shasi është kaq i gjallë dhe kaq madhështor në çdo fragment të krenaris së saj. Çdo gur dhe çdo mur flet me heshtjen e vet mitike. duke dashur të mbaj gjeneratat të lidhur me këto themele, të cilat mundën të mbërrijnë derimsot si një dëshmi e vitalitetit dhe qëndresës, me të cilin ajo u përball hordhive të barbarëve që e plaçkitën, e dogjën e rrafshun. Por Shasi, banorët e tij, një vullnesë e epërme ka mbajtur në jetë duke e rikthyer atë më epik se më parë deri në gërmadhat e ditëve të sotme, gërmadha të braktisura, dëshmime të mënjanuara, të vërteta historike të ngulura thellë në kujtesën e atyre që e jetësuan në vepër Shasin dhe në këto gurë që i pëcëllon dielli e i mbështjellin myshqet. Emri: shqip quhet Shas, në sllavishte Svaç, në latinishte Suacium. Ishte qytet i fortifikuar mesjetarë. Mendohet se është krijuar që nga periudha e hershme kur u krijua edhe Dioklea.
Shasi gjendet në një kodrinë shkembore përmbi liqenin e Shasit në lartësinë mbi nivelin e detit mes 60 deri 70 metrash, në koordinatat gjeografike: 41° 59’ 11” °N dhe 19° 18’ 58” ‘E.
Shasi përmendet në shekullin VIII si qendër peshkopale Diocesis Suacinensi. Ndërsa supozohet se është themeluar në shkeullin VI, në periudhën e mbretit Justinian. Ndërsa elementet e banimit janë shumë më të hershme. Janë gjetur mbetjet arkeologjike qe nga periudhat: neolitike, eneolitike, koha e hekurit, shekulli IV p.e.r.
Qyteteti ishte i rrethuar me mure dhe kulla mbrojtëse. Hyrja kryesore ishte nga ana veriore, nën të cilën gjenden gjurmat e suburb, ( qytetit përreth qytetit të fortifikuar ). Brenda dhe jashtë fortifikatës së qytetit gjendet një numër i madh i kishave mesjetare të ndërtuara mbi themelet e kishave shumë më të vjetra. Hyrja e dytë ( mbetjet e së cilës janë shumë të ruajtura sikurë edhe ato të hyrjes kryesore ) gjendet në anën e liqenit me të njëtin emër nga i cili popullata e qytetit është furnizuar me ujë. I tërë qyteti i Shasit është një park arkeologjik shumë i pasur me mbetje arkeologjike nga periudhat e ndryshme në të cilin është identifikuar një numër i madh i objekteve të ndryshme, nga të cilat qartë janë identifikuar 15 kisha. Përveç të tjerëve Shasin e shkatërrojë dhe shkretërojë perandori serbë Stefan Nemanja. Këtë e dëshmon në shkrimet e veta i biri i Nemanjës Stefani i Parë i Kurorëzuar i cili thekson se përveç Shasit i jati i tijë kishte rrënuar edhe Drishtin, Shkodrën, Ulqinin edhe qytetin e famshëm të Tivarit (Antibarus).
Me ardhjen e turqëve Shasi definitivisht shkatërrohet dhe jeta në të vdes. Në vazhdim nga Shasi plaçkitet ajo cfare ka mbetur nga pasuria arkeologjike e kjo vazhdon deri në ditët e sotme. Ne Shas ka sherbyer si prift Dom Gjon Buzuku, i cili ne vitin 1555 ka shkruar librin e pare shqip “Meshari”. Nga germimet e koheve te fundit qe po kryhen ne Shas, pritet qe te behen zbulime te antikitetit qe do te kene vlera historike per te gjithe Mesdheun.
Në pjesën verilindore të Ulqinit në një lëndinë mbi Liqenin e Shasit ndodhet qyteti mesjetar i Shasit. Tani është gërmadhë e pabanuar me njerëz. Si i tillë konsiderohet ndër qytetet më atraktive “të vdekura” në bregdetin Adriatik. Sipas pozitës së kësaj kështjelle e cila ishte në afërsi të Liqenit të Shasit në fushën pjellore dhe në rrugën romake Olcinium- Sckodër, me sa duket ka qenë vërtetuar sikur gërmadhë që në kohën e ilirëve. Jo larg qytetit, në fshatin Shas është gjetur amfora antike ovoide e cila ka shërbyer për varrosje, e pak më larg në lokalitetin Gjeret, tek Liqeni i Zogajve edhe gjurmët e vendbanimit primitiv të ilirëve, çka dëshmon se kjo trevë ka qenë e banuar që në periudhat e hershme historike. Shasi për herë të parë në dokumente të shkruara përmendet në shek. IX si qytet ipeshkvnor (Svacia Civitas). Rreth vitit 1183 e pushtoi Stefan Nemanja dhe bashkë me qytetet tjera ia bashkangjiti Rashkës. Mongolët e shkatërruan tërësisht më 1242, ndërsa e rindërtoi mbretëresha Helena Anzhuine. Plotësisht u shkretua kur e zaptuan turqit më 1571. Sipas Marin Biccit – 1610 , Shasi ka pasur 365 kishë, që përkon me numrin e ditëve të një motmoti, por sot në këto rrënoja mund të dallohen vetëm tetë kishë nga të cilat dy janë më të mëdhaja: katedralja e Kishës së Shën Gjonit, e ndërtuar me stil gotik dhe Kisha e françeskanëve të Shën Mërisë, të lashta rreth 1300 vjet. Të gjitha kishat në Shas kanë qenë të zbukuruara me dekorime arkitekturore dhe afreska, e në disa edhe tani dallohen gjurmët e ngjyrave në mure. Pjesët e mbetura të fortesës gjenden në shkrepa mbi Liqenin e Shasit, kurse paralagjja në vazhdim kah perëndimi. Hyrjen në qytet me sipërfaqe prej 15 hektarë e kanë bërë të mundshëm dy porta. Hulumtimet e para arkeologjike të qytetit të Shasit janë bërë në tetor e nëntor të vitit 1985. Me këtë rast u gjetën rreth pesëdhjetë monedha metalike, nga të cilat një e arit, tri të argjendta, kurse të tjerat janë të bronzta. Tri paratë më të vjetra janë nga periudha bizantine nga fundi i shek. XII deri në mesin e shek. XIII.
Nga koha e qeverisë së Nemanjës janë dy copa parash – bizantin e serb; monedhat e shumta nga qytetet fqinje i takojnë çerekut të fundit të shek. XIV, ndërsa nga tri monedha metalike janë të Tivarit, të Kotorrit dhe të qytetit të panjohur. Zbulimet më të vjetra nga qyteti i Shasit i takojnë periudhës parahistorike. Periudha antike nuk është vërtetuar në Shas. Disa copëzime helenike të qeramikës që janë gjetur në pjesën lindore të Shasit tregojnë se është e mundshme që në atë pjesë të tij të gjendet një shtresë helenike. Qyteti mesjetar u formua në kohën e hershme të periudhës bizantine, kurse zgjati në kontinuitet deri me paraqitjen e turqve, respektivisht përafërsisht deri me pushtimin e Shkodrës ose edhe më vonë.
Mjaft të pasur janë zbulimet e vorbëisve, edhe pse nuk janë të përfaqësuara të gjitha epokat. Më së shumti janë gjetur enë shtëpiake. Copëzat e shekullit VI janë të pakta, por me siguri besohet se ato i takojnë rrafshit ilir nga koha e Marvikisë dhe Iraklisë. Vorbësia sllave është e përfaqësuar në të gjitha shtresat nga shek. VII deri në shek. XI. Gati e gjithë vorbësia shtëpiake e shekullit të hershëm mesjetar i takon rrafshit kulturor serb, por kah fundi i jetës së Shasit vërehet prezenca e enëve të importuara, me siguri me origjinë venedikase. Zbulimet e stolive nuk janë të pranishme vetëm si separate në varreza, por edhe në shtresa. Në stoli bizantine bëjnë pjesë qaforet me margaritar xhami, vathë e thjeshtë, unazat, tri pulla korale e disa katramëza. Gjatë gërmimit janë gjetur edhe shumë sende tjera nga hekuri, midis të cilëve pjesë nga pajime shtëpiake: (veriga, pyka, çivi, brava e të ngjashme.Në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me nguti nderpreu hulumtimet, kur vërejten se kan tëbëjnë me nji qytet të lashtë shqiptarë.Sipas prof. Aleksander Qilikov në muzeun etnografik të Ulqinit ruhen 100objekte nga qyteti i Shasit.
Përveq Shasit në periudhen veneciane rreth Liqenit të Shkodres ishin edhe qytet Trishti, Danja dhe Sarda.
Qytetërimi shqiptar më shumë ndodhet nën dhe sesa mbi të. Në viset etnike shqiptare në Mal të Zi, e mbi të gjitha në rajonin e Ulqinit, janë një numër i madh i monumenteve të trashëgimisë sonë nga historia jonë e hershme, ku zë vend edhe qyteti i lashtë i Shasit, sot qytet që nuk banohet.
Shasi është vendbanim antik ilir, i cili ngrihet në malin po me të njëjtin emër. Këndej pari, në periudhën antike ka kaluar rruga e lashtë lidhëse në mes Ulqinit dhe Shkodrës. Shasi në literaturë njihet si: Suatio, Suaço, Savocci, Svaciao, Fshas etj. Baza e qytetit të lashtë është ndërtuar nga gurët e mëdhenj, ndërsa murin rrethues stihitë e kohës e kanë dëmtuar shumë; ky mur bart vlera të mëdha arkitektonike dhe artistike. Edhe sot e kësaj dite aty qëndrojnë dy portat e qytetit.
Arqipeshkvia e Tivarit (mbi 900 vjet) ishte baza kryesore e katolicizmit në Shqipërinë e Veriut, por edhe ipeshkvia e Shasit e luante të njëjtin rol për zonën e vet. Në vitin 1443 ipeshkëv i Shasit ka qenë Palë Dushmani.
Sikur të bëheshin hulumtime nënujore, do të gjendej edhe më shumë nga Shasi, kjo trashëgimi e pa hulumtuar nga ana e jonë është fshehur nga sllavët me shekuj. Ka edhe fakte që dëshmojnë se gjatë verës, kur niveli i ujit të liqenit të Shasit është i ulët shihen pjesë të mureve të shtëpive të dikurshme të banimit.
Gjetjet arkeologjike e provojnë se qytetin e Shasit të panjohur deri në shekullin VIII në të vërtetë e prek krishterimi i hershëm në periudhën ilire. Ilirizmi i kësaj kulture dëshmohet veçmas nga njëjtësia tipologjike e objekteve të kulturës arkeologjike të Shasit me kulturën iliro-arbërore të Komanit.
Shasi më herët u shndërrua në hapësira me vende të fortifikuara sikurse tregon pozicioni i tij në luftën në mes të Papatit dhe Bizantit për të zotëruar këtë qytet në kohën e mesjetës. Hulumtimet në lokalitetin e Shasit të vjetër dëshmojnë për ekzistencën e vendbanimit parahistorik si bazë ku është ngritur qyteti i Shasit pasi qe u bë zbulimi i kulturës së Komanit, me anë të së cilit u bë përcaktimi më i saktë i datimit të objekteve sakrale që kanë ekzistuar që nga shekujt VI-VII.
Ky vendbanim i lashtë përveç rëndësisë strategjike jepte edhe kushte të përshtatshme për jetë, duke u parë edhe vendndodhja e tij në liqenin e Shasit dhe Bunën të pasur me peshk, zogj, shtazë të egra dhe kushte të tjera të veçanta për blegtori dhe bujqësi.
Duke iu referuar një shkruesi të panjohur dhe dorëshkrimit të tij “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, thuhet se “në këtë trevë gjendej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave larg nga Ulqini 15 milje….’. Më tej shkruan se “afër këtij qyteti gjenden liqeni, shpella, burimi ujit dhe mali Lisinjë, Ledhet e Shasit dhe porta ku vdiq Kapedani i Qesarit, duke luftuar tmerrësisht kundër Pompejanit ku janë edhe sot në këmbë dhe si mrekulli një gropë e madhe, ende parrafshuar…”
Shasi mesjetar.
Nuk ka dyshim se Shasi mesjetar si qytet i zhvilluar është përjetësuar edhe në numizmatikë, sepse i ka farkuar monedhat e veta,të cilat e mbanin mbishkrimin Suacium, si dhe ajo që e paraqet figurën e Shën Palit Pagëzuesit, si mbrojtës i qytetit, si dhe pirgun ashtu dhe kështjellën me porën madhështore të këtij qyteti.
Versionet malazeze te kësaj periudhe cekin se Stefan Nemanja (shek XIII) i shkatërroi kishat shqiptare dhe librat e kohës e kreu konvertimin me dhunë të banorëve të mbetur në ortodoks, gjë që e cila përputhet me traditën gojore në Shas, ku banorët tani të fshatit Shas thonë ”se të gjitha kishat në fillim ishin katolike”.
Kërkimet e para të arkeologjisë jugosllave, që u takojnë viteve 1980, zbuluan një hershmëri më të madhe se ajo që dihej. Ishte pikërisht trashëgimia ilire e kultures së Shasit që e trembi shkollën arkeologjike të Beogradit. Në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me nguti ndërpreu hulumtimet, kur vërejtën se kanë të bëjnë me nji qytet të lashtë shqiptarë. Ky pra është qyteti ilir i 365 kishave, që në fillim u shkatërrua nga sllavet e pastaj e vërteta e gërmadhave të tij u fsheh po ashtu nga sllavet./Albert Vataj
Qyteti mesjetar Sarda, sot kalaja e Shurdhahut ndodhet një ishull të liqenit Vau-Dejës afërsisht 10 milje nga qyteza e Vau-Dejësit dhe 4 milje nga fshati Rragam i cili ndodhet 9 km nga qyteti i Shkodrës. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Këtu ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit (Shpella e Gajtanit), vendbanimi i Jubanit (Shpella e Jubanit), Qyteza e Gajtanit, kalaja e Danjës, kalaja e Dalmacës.
Qyteza e Sardës deri në fund të shek. XV ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm
Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn dhe studiues arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartës të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardis, këtu janë gjetur rrënojat e një kalaje romake të shek 6 – 8 p.e.s. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të anët e Drinit nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Sarda dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror; sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike; çfarë ka mbetur sot: përbëhet nga hyrja kryesore e pallatit dhe një kishë e arkitekturës Romake. Nga pika më veriore deri tek skaji jugor gjatësia është ~393m. Uji i liqenit, malet dhe kodrat përreth me gjelbërimin e tyre, krijojnë një Peizazh me bukuri të rrallë, duke i dhënë këtij ishulli vlera të mëdha ekoturistike.
Kur flitet për Shurdhahun si një pikëmbërritje turistike është e pamundur që ta ndash nga liqeni artificial i Vaut të Dejës dhe brigjet e tij piktoreske. Ndërtimi i Liqenit të Vaut të Dejës (sip. 24,7 km²) gjatë regjimit komunist më 1971, për ishullin e Shurdhahut patjetër që ja qënë dhe është një mundësi me vlera që i tejkalojnë dëmet që ka sjellë në trashëgiminë e tij historike. Liqeni me ujin e tij të pastër krijon mundësi për një udhëtim të veçantë dhe mjaft të këndshëm. Ai ka mbuluar murin rrethues të kalasë së Shurdhahut. Megjithatë, përsëri muret e mbetura të kishave dhe të kalasë janë mjaft domethënës dhe që bien lehtë në syrin e vizitorit.
Liqeni i Vaut të Dejës që rrethon Shurdhahun me ujërat e tij, shtrihet thellë nëpër lugina dhe udhëtimi gjatë brigjeve të tij të ofron pamje piktoreske dhe të veçanta ku ndërthuren uji i liqenit, bimësia përreth dhe kafshë t’egra që rriten aty dhe shkëmbintë gëlqeror që janë herë të thepisur herë jo. Udhëtimi në liqen mund të fillohet nga diga e H/C të Vaut të Dejës ose nga diga e Rragamit. Gjatë rrugës mund të shihet dhe mësohet për Kalanë e Danjës në të cilën gjendet Kapela e Zonjës së Dejës e ndërtuar nga Gjergj Kastrioti pas një fitoreje mbi ushtrinë venedikase në malin e Shën Markut, në majë të të cilit është kjo kala e vogël. Më pas vazhdohet të shihet fshat i Sheldisë i famshëm për duhanin e tij, por që ka dge një kishë të ndërtuar mbi një kodër.
Nga Shurdhahu mund të shkohet tek Shpella e Pëllumbave në veri që ofron një pamje të bukur si në vendndodhje ashtu dhe gjatë udhëtimit. Shurdhahut përbën një potencial të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Ky destinacion i ofron turistëve të huaj dhe vendas shumë mundësi argëtimi: peshkim, kanotazh, piknik, shëtitje me lundra në itinerare të tilla si V. Dejës-Lisna-Shurdhah-Shpella e Pëllumbave, etj. WIKIPEDIA
Gjatë muajit qershor të kësaj vere pata një kënaqësi të veçantë; së bashku me kolegun e vjetër, mjeshtrin e monumenteve Novrus Bajrami, vizituam disa stacione paleolitike të reja dhe u njohëm me gjetjet, veglat e strallit, të zbuluara në këto site.
UJI I FTOHTË
Vizitën e parë, në të cilën na u bashkua edhe prof. Aleks Trushaj, njohësi e studiuesi i vlerave historiko-arkeologjike të Kaonisë, e bëmë në zonën e Ujit të Ftohtë, pikërisht në gjirin e vogël e të bukur që gjendet menjëherë pas tunelit, ku shumë vite më parë kisha zbuluar rastësisht disa vegla stralli të periudhës së paleolitit të mesëm. Duke vazhduar gjurmimin rreth 200-300 m në jug, në një xhep të vogël, që formon përsëri deti, e ku sot punohet për ngritjen e një resorti të ri, në shtresën e dheut me ngjyrë të kuqe (Terra rosa), u gjet një nukleus (bërthamë) stralli me ngjyrë gri me gjurmë të qarta përdorimi, i cili tipologjikisht i takon epokës së gurit të vjetër. Kjo gjetje, së bashku me një vegël tjetër të përgatitur nga strall ngjyrë mjalti, me retush anësor, me gjurmë përdorimi, e cilësisë shumë të mirë, janë vegël tipike për kohën e paleolitit të mesëm. Këto vegla stralli, ndonëse të pakta në numër, por tipologjikisht të përcaktuara qartë, d.m.th. të bëra e të përdorura rreth 30.000-40.000 vjet më parë e të depozituara në një shtresë gjeologjike të përcaktuar kohësisht, provojnë se në këtë buzë deti, me kushte të shkëlqyera gjeoklimatike, ka ekzistuar një stacion paleolitik i rëndësishëm për kohën e gurit të vjetër, e që ruan vlera parësore për të gjitha kohët.
GJORM
Në fshatin Gjorm, në vendin e quajtur Fusha e Frengut, e cila ndodhet rreth 3 km larg qendrës së fshatit, në krahun e majtë të lumit të Shushicës, në një sipërfaqe rreth 400 m2, gjurmimi i kujdesshëm i “gjuetarit të strallave” (N.Bajrami), zbuloi gjurmët e një siti paleolitik të dëshmuar nga gjetja këtu e 10-12 veglave të dallueshme tipologjikisht. Stralli i përdorur për bërjen e veglave është ngjyrë gri, mjalti, krem etj., i cilësisë së mirë. Veçohen për cilësinë e punimit një ashkël tipike e teknikës musteriane, një majë mprehte me retush të thellë anësor, një kruese me retush të thellë e gjurmë të shumta përdorimi. Të gjitha veglat e gjetura në Gjorm i takojnë tipologjikisht periudhës musteriane (paleolitit të mesëm). Me interes të veçantë janë gjithashtu edhe dy vegla stralli që kanë karakteristika të kulturës salutre, kulturë e cila kohësisht i takon paleolitit të lartë.
VAJZË
Në fshatin Vajzë, në vendin e quajtur Brus, rreth 700-800 m larg vendit ku në vitin 1954-1956 janë zbuluar tumat e Vajzës, janë gjetur disa dhjetëra vegla stralli të cilësisë së mirë e që tipologjikisht i takojnë kohës së neolitit dhe kohës së bronzit. Vegla të tilla janë gjetur edhe në varret kur u zbuluan tumat e Vajzës. Me shumë gjasë kemi të bëjmë me të njëjtin rit të varrimit të përdorur edhe në tumat e tjera të vendit tonë, ku në vendvarrim sillej dhé e mbetje të tjera nga vendbanimi. Rit që nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe në botën tjetër.
DRASHOVICË
Në Palohor (Drashovicë), dëshmia e aktivitetit të njeriut të gurit të vjetër provohet nga dy vegla masive të bëra nga strall që ruan gjurmë të mellës (shtresa e hollë që mbështjell bërthamën), të cilat kanë retush anësor e të thellë, tipare teknike karakteristike për paleolitin e mesëm.
TRAGJAS
Në vendin e quajtur Kodra e Çure, që ndodhet në periferi të kalasë mesjetare të Gjon Boçarit, gjetjet e mbledhura nga “gjuetari i stralleve” përfaqësohet, nga një ashkël masive me pjesë mëlle, me gjurmë të thella përdorimi, e bërë nga strall ngjyrë gri e cilësor, që provon se në këtë kodër ka pasur veprimtari të njeriut që ka jetuar në epokën e musties (rreth 40.000 vjet më parë).
AMANTIE
Në akropolin e qytetit antik gjetja në sipërfaqe e disa veglave stralli si kruese, shpuese etj., të bëra me strall ngjyrë gri, teknikë cilësore retushimi, janë dëshmi e jetës paraurbane në akropolin e Amanties.
ZVËRNEC
Vendbanimi më i madh e me përfaqësi për epokën e gurit të vjetër, jo vetëm në gjirin e Vlorës, por edhe për territorin e vendit tonë, i zbuluar vitet e fundit në sajë të përkushtimit, vëmendjes e kujdesit të vazhdueshëm të Novrus Bajramit është vendbanimi i Zvërnecit. Ai shtrihet përgjatë bregut, aty ku vija e ujit puqet me tokën saktësisht në mikrotoponimet Dalan i Parë, Porto Nuova e Putanjë, në një brez më shumë se një kilometër të gjatë. Batica vepron çdo ditë mbi rripin e tokës ku shtrihet stacioni dhe pas zbaticës, në rërën e pastër shndrisin veglat e strallit dhe “gjuetari i stralleve” çdo ditë shëtitjen e tij e bën buzë detit ku shtrihet vendbanimi. Dhe koleksioni i stralleve të mbledhura është i jashtëzakonshëm për nga numri (mbi 2000 copë), dhe sidomos për treguesit cilësorë të industrisë litike, prandaj vendbanimi i Zvërnecit, mund të krahasohet e barazohet me kulturat me të zhvilluara paleolitike të Evropës (Musteriane e Salutriane). Studimi e publikimi i gjetjeve të vendbanimit paleolitik të Zvërnecit do të zgjerojë e do të plotësojë ndjeshëm njohjen tonë për epokën e gurit të vjetër jo vetëm për jugun e Shqipërisë, por për tërë trevën e Ballkanit Perëndimor.
Zbulimet e bëra në shpellën e Velçës dhe gjetjet e rastit të bëra në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në stacionin mezolitik të Rrëzës së Kanalit (Dukat) dhe të zgjeruara e plotësuar me gërmimet e viteve të fundit nga prof. I. Gjipali; të dhënat arkeologjike për epokën e bronzit e të epokës së hekurit të nxjerra në dritë nga gërmimet e tumave të Vajzës, në vitet ‘50 të shekullit XX, zbulimi dhe interpretimi historik i pikturës shkëmbore prehistorike të Lepenicës, së bashku me shumësinë e siteve paleolitike të zbuluara së fundi në Ujë të Ftohtë, në Gjorm, në Vajzë, në Drashovicë, në Tragjas, në Amantie dhe në kryeqendrën paleolitike të Zvërnecit, dëshmojnë se Gjiri i Vlorës e prapatoka e tij, kanë pasur një zhvillim parësor në prehistori e protohistori, që parapriu zhvillimin cilësor e kulturor të kësaj treve në epokën historike me ngritjen e katër qyteteve antike, Thronionin (Kaninën), Orikumin, Triportin dhe më pas Aulonën.
P.s. Në shkrim të vendoset edhe një vlerësim i shkurtër për N.Bajramin: “Novrus Bajrami, me veprimtari mbi 35-vjeçare si specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, me kujdes të vazhdueshëm e përkushtim ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen, zbulimin dhe hulumtimin e vlerave historike, arkitektonike, arkeologjike dhe etnografike. Bashkautor në ngritjen e Muzeut Historik të Vlorës dhe Muzeut të Pavarësisë; zbulues i sitit paleolitik të Zvërnecit”.
Ky nderim për Kaninën përmbledh brenda vetes ngjarje e personazhe historike, kulturore e fetare, që kanë lënë gjurmë të thella në jetën shqiptare e më tej. Rrënjët dhe emri i kësaj kryeqendre zëmadhe vijnë prej kohëve nëpërmjet dëshmive e dokumenteve të ndryshme nga autorët antikë, të mesjetës e të kohëve të reja, si një qendër e rëndësishme e Kaonisë prej nga mendohet se rrjedh dhe emri Kaninë. Mirëpo, autorë të ndryshëm; në ecurinë e kohës, kanë hamendësuar emrat: Oenea (M. Frashëri te Historia e Shqipërisë), Thronion (Pauzania), Kioninë (Prokopi i Cezaresë). Mirëpo, sipas të dhënave të Prof. Pullumb Xhufit, mendimi më i saktë duket se është ai që shtron Zigizmondo Alberghetti në studimin e gjerë e të thelluar, që ai ia dërgoi Senatit të Venedikut në vitin 1691, ku mendon se emri Kaninë rrjedh nga emri Kaoni. “Kanina, sipas Alberghettit, shtrihej nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint”. “Madje autorë të tjerë – vijonte ai – e njësonin Kaninën me gjithë Epirin”. Në këto rrethana, ka të ngjarë që te emri Kaoni, në rrjedhën e kohës, ka rënë shkronja “o” dhe është shtuar shkronja “në” e shquar. Pra, emri Kaoni ka mundësi që të jetë ndryshuar në Kaninë. Ky emër shfaqet për herë të parë te shkrimet e disa bizantinologëve të shekullit të X-të. Sa për kohën e krijimit të kështjellës, ajo ka të ngjarë që të jetë e përiudhës së pellazgëve. Kjo mbështetet nga prania në themelet e saj të gurëve pellazgjikë dhe nga ngulimet trojane në rrethinat e maleve Keraune (Oriku, Amantia dhe Thronioni). Këta, sipas Medi Frashërit, ka mundësi që të kenë vënë emrat Oenea, dhe Sinus Oenea, për Kaninën dhe gjirin e Vlorës. Po këtë le t’ua lëmë studjuesve të fushës.
Nga të dhënat e historisë duket qartë se Kanina ka qënë, në rrjedhën e shekujve, kryeqendra administrative, ekonomike, kulturore, politike, ushtarake e fetare më e hershme e trevës labërore e më gjerë. Ajo falë pamjes mahnitëse dhe pozicionit gjeo-strategjik të saj ka qënë syri, veshi, parzmi dhe shtylla kurrizore e luftrave për liri e Pavarësi, si dhe burim i pashtershëm urtimi e frymëzimi atdhedashës për bashkimin e trojeve të kombit Shqiptar në një shtet të vetëm.
Kanina ishte pjesë e Peshkopatës Justiniana Prima të Horit, qysh nga viti 1019, që kishte në varësi 17 peshkopata, me nga 40 klerikë e 30 patrikë. Madje, peshkopi i Kaninës emërtohej edhe i Ilirisë. Në Kaninë përmenden edhe sot emrat e kishave të rrënuara, si kisha e Shën Marisë, e Shën Netjasë, e Shën Onufrit, e Shën Parashqevisë e të tjera, si dhe Manastiri i Kallogjerit, ku përgatiteshin priftërinj për trevat e ndryshme të Arbërisë.
***
Neki Dredha
Kanina, pararoja e Labërisë, ka hequr të zitë e ullirit. Mbi të kanë vërshuar legjionet romake, bizantine, hunët e Atilës, normanët, anzhuinët, sllavët, osmanët, venecianët, italianë dhe gjermanët. Ata plaçkitën, dogjën, shfarosën e bënë të domosdoshëm emigrimin e popullatës, në radhë të parë, të banorëve rrufepritës të Kaninës. Ky është, ndoshta shkaku që në Kaninë një pjesë e fiseve janë të ardhur nga gjiri i Labërisë e trevat e tjera Arbërore. Por popullata e saj, ashtu si feniksi mitik, rilindte përsëri. Kjo rimëkëmbje ndikoi, për fat të mirë, që Kanina të qëndrojë gjithmonë në këmbë, se merrte përherë krahë e forcë, si Anteu, nga toka mëmë, Arbëria.
Në Kaninë, në vitin 1368 lindi dhe mori hov djepi i fuqisë kastriote, kapedani i kështjellës, Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, simbolit të krenarisë së kombit shqiptar.
Tek kjo zjarrishte liridashëse e gjithë kohërave, përzihet lashtësia e lavdishme e qytetit të Kaninës me besnikërinë e dhemshurinë e princeshës Rugjina (Rrexhina) Balshës, e cila luftoi me trimëri kundër osmanëve dhe u mbulua me dheun shpirtëror të Himarës në manastirin e Pondikonizit, në ujëdhesën e Korfuzit, ku prehet e malluar të kthehet në gjirin e Kaninës labërore.
Prej këtej Gjergj Araniti i Madhërishëm organizoi dhe udhëhoqi me trimëri herkuliane kryengritjet legjendare antiosmane të viteve 1431 e 1435. Fitorja e tyre e ngritën lavdinë burrërore të këtij gjigandi të lirisë gjerë në zenit.
Në këtë djep lavdiplotë lindi, u përkund dhe u mëkua me zgjuarësi e qëndrueshmëri të palëkundur Donika Kastrioti, mbretëresha zulmëmadhe e Shqipërisë, eshtrat e të cilës prehen ende në Valence të Spanjës.
Po këtu u lind, u rrit, u edukua dhe u arsimua me ndjenjën e dashurisë, dhemshurisë, urtësisë. bujarisë e përkushtimit fisnikëror kaninjot, Shënjtorja e Arbërisë ose më saktë e Kaninës, Angjelina Aranit Komneni (1440-1520), vajza e gjashtë e Gjergj Aranitit të madhërishëm dhe e konteshës Maria Muzaka. Eshtrat e saj prehen në manastirin e Krushedolit, në Vojvodin, afër qytetit të Sremit.
***
Te kjo brerore vezulluese u frymëzua edhe diplomati mendjendritur, largpamës e urtiplotë, Ismail Qemal bej Vlora, i cili punoi me përkushtim atëror për ngritjen e Flamurit, Shpalljen e Pavarësisë dhe themelimin e Shtetit Demokratik të Parë Shqiptar.
Kanina ka qenë vatra e luftërave për liri e pavarësi. Qysh në vitin 1821 Seit Dalan Kanina luftoi me trimëri të pashembullt në krah të Not e Marko Boçarit kundër hordhive osmane, në afërsi të Artës.
Ishte Ismail bej Vlora i Parë, citon shpluhuruesi i historisë së Vlorës e më gjerë, Prof. Bardhosh Gaçe, që në nëntor të vitit 1828 krijoi “Besëlidhjen Shqiptare” në Berat. “Ka ardhur koha – theksonte Ismail bej Vlora – të punojmë për Shqipërinë”. Në atë kohë shqiptarët e kuptuan se çfarë duhet të bënin për vatanin, që ai të ishte i lirë, si gjithë shtetet e tjera të Evropës. Kjo shkëndijë liridashëse e ndezi më shumë gjakun e mëmëdhetarëve, që vlonte në dejet e Shahin Delvinës, Mahmut bej Vlorës e atdhetarëve të tjerë.
Në sheshin historik të Teqesë, aty te kubeja madhështore, ku prehen eshtrat e kryeministrave kaninjotë, nisën kryengritjet e viteve 1428, 1434, 1447 të kryesuara nga Mahmut bej Vlora, Hadër Sulo, Beqir Velo Kanina i Parë, Dalan Seiti e Mustafa Bimo kundër reformave tinëzare osmane. Këta bashkë me djemtë syshqiponjë të Lumit të Vlorës, Dukatit e të Mallakastrës, me në krye Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Cane Miftarin e Dervish Aliun e të tjerë shpartalluan hordhitë osmane në Sinjë e në Greshicë. Në këtë kryengritje të përgjakshme dhanë jetën e tyre edhe 6 kaninjot fisnikë.
Idet e Mahmut bej Vlorës dhe zëri liridashës i kaninjotëve të tjerë ushtoi edhe në Lidhjen e Prizrenit (10 qershor 1878). Atje Mustafa Pashë Vlrora u zgjodh zëvendës kryetar për Toskërinë. Në vazhdën e luftrave për liri dhe pavarësi gojëtari i shquar Abaz Nuri (Hamzarai) dhe Arshi Selfua krijuan “Shoqatën e Gjuhës Shqipe”, më 14 janar 1902. Vehbi Nuri (Hamzarai), Xhevit Aliu, Hamdi Dervishi, Mahmut Myftiu, Beqir Velo, Elmaz Xhaferi, Halil Cano, Neim Bimo e të tjerë përhapën mësimin e gjuhës shqipe edhe te foletë e shqiponjave, në Labëri e gjetiu. Më 1908 ata hapën shkollën e parë të gjuhës shqipe në Kaninë me 40 djem e vajza. Mësuesi i saj ishte atdhetari mendjendritur Jani Minga.
Kanina dhe Vlora, mbështetur te Labëria syshqiponjë, ishte djepi i luftës për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora, Isa Boletini e të tjerë.
Arshi Selfua ishte ndër të parët që priti Ismail Qemalin, kur zbriti nga lundra në Novoselë. Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, midis gazit dhe haresë së papërshkrueshme, që shpërtheu te Sheshi, ku u shpalos Flamuri nga Ismail Qemal bej Vlora, Sali Hyseni, mëmëdhetari sypatrembur kanininjot, veshur gjithë nur me rroba kombtare hoqi mirë e bukurë vallen, shoqëruar me vargjet e këngës, që thuri aty për aty:
O Smail beu me halle,
Jeshe djalë, e kur m’u zbardhe,?
Dyzet vjet nëpër krale,
Bëre një punë të madhe,
Në Vlorë lirinë e shpalle,
te osmanlliu s’u fale.
Këto vargje fjalëzjarrtë e ndezën më shumë këngën dhe harenë në “Sheshin e Flamurit”.
Pas shpalljes së Pavarësisë Elmas Xhaferi u emrua prefekt i Vlorës, kurse Muhamet Beshua komandant i policisë së Vlorës. Ismail Qemali e krijoi gardën e shtetit në shtëpinë e Hamzarajve me djelmoshat e Kaninës dhe me malësorët e Isa Boletinit, të cilët u strehuan e u mirëmbajtën me veshje e ushqime në vatrat bujare kaniniote.
Më 19 dhjetor 1912 Çeta e Kaninës, me në krye Beqir Velon e Idris Sadirin, bashkë me krerët e Dukatit, shpartalluan andartët grekë në Llogora. Në këto luftime u shquan: Muhamet Bedini, Jaho Veliu, Mehmet Halili, Halil Canua, Mustafa Luzi, Sali Hyseni e të tjerë. Në rrjedhën e punimeve të Kongresit të Lushnjes Myqerem Hamzarai u zgjodh senator.
Kanina, që vallëzonte në gojën e ujkut, luajti një rol të rëndësishëm edhe në Luftën për Çlirimin e Vlorës, më 1920. Në kuvendin e Barçallas e të Beunit Myqerem Hamzarai u zgjedh antar i Komitetit Drejtues të saj. Më 1 qershor 1920 u krijua Çeta e Kaninës me mbi 50 luftëtarë syshkëndijë, si Idris Sadiri, Adem Latifi, Muhamet Besho, Muhamet Bedini, Musa Osmani e të tjerë. Kryetar i çetës u zgjodh Beqir Velo. Çeta e Kaninës kreu një sërë aksionesh. Në të gdhirë të 22 korrikut 1920 nëntë kaninjotë trima (Isa Kocaqi, Zeqir Rakipi, Musa Osmani, Salo Sadedini, Idris Sadiri, Muhamet Bedini, Sheme Hoxha, Mustafa Lamçe dhe Ramo Shaho [nga Berati]), dogjën 10 ballonë në Fushën e Aviacionit, në Ujin e Ftohtë. Çeta e Kaninës, me në krye heroin e luftrave për liri, Beqir Velon, mori pjesë në rrethimi e kështjellës së Kaninës dhe luftoi trimërisht krah për krah me Çetën e Sali Muratit (Vranishtit) për çlirimi e saj nga italianët. Kurse në vitin 1923, nën ndikimin e Shoqatë atdhetaro-kulturoro-politike “Bashkimi”, paria kaninjote krijoi “Shoqatën e Djelmoshave të Kaninës”, me kryetar Mustafa Bega. Kjo Shoqatë ka kryer e kryen veprimtari atdhetaro-kulturore të mirëfilltë edhe nën drejtimin e shkëlqyer të oficerit urtiplotë, Sezai Osmani, mësuesit Agaçe Yzeiri dhe të artistit me fatazi krijuese, Fate Velaj.
Disa nga figurat e shquara kaniniote kanë qënë firmëtarë të Pavarësisë, si Zini Abaz Kanina dhe deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, si Ibrahim Xhindi (dhe senator), Arshi Halili, Elmaz Xhaferi, Eqerem bej Vlora, Ibrahim Dervishi, Manush Myftiu e Aranit Çela. Kryetarë të Bashkisë së Vlorës kanë qënë Xhemil bej Vlora, Nuredin bej Vlora, Arshi Halili si dhe autori i këtij shkrimi.
***
Më 6 prill 1939 mbi 150 bijë të Kaninës, nën drejtimin e Muhamet Bedinit, zbritën në Vlorë, për të luftuar kundër italisë fashiste.
Kanina ka qenë ndër zjarrishtet e para të epopesë së lavdishme të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Qysh në fillim të luftës u rreshtuan mbi 100 të rinj e të reja kaninjotë në Çetën e Kaninës, drejtuar nga oficeri i talentuar, Tasim Bonjaku. Më vonë vendin e tij e zuri Faslli Jaho. Çeta e Kaninës ishte gur themeli në krijimin e Çetës Plak në Gjorm. Faslli Jahua ishte antar i shtabit drejtues të Zonës Operative Vlorë-Gjirokastër. Kurse Mynyr Xhindi, inxhinieri, u zgjodh Sekretar Organizativ i Qarkut të Vlorës, Manush Myftiu ish zv. komisar i Brigadës së V dhe Ibrahim Dervishi përgjegjës për sektorin e shëndetësisë. Në këtë luftë u shquan shumë bijë e bija kaninjote. Mbi 20 luftëtarë kaninjotë trima dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë, të cilët prehen në alltarin e ndritur të dëshmorëve të atdheut.
Kanina ka nxjerrë përherë figura të shquara historike e kulturore, siç ishte edhe ajo e gjeniut të letrave shqipe, filozofit, poetit e historianit erudit Prof. dr. Isuf Luzaj, “Nderi i Kombit”. Ai ishte i lidhur, si mishi me kockën, me Kaninë, vendlindjen e tij të dashur, ku kërkoi me ngulm të prehet përjetësisht trupi i tij. Këtë dëshirë e kanë shfaqur qysh herë edhe kaninjotët e mëdhenj, si Ismail Qemal bej Vlora, Nermin Vlora Falaschi, bashkë me të shoqin, diplomatin e shquar italian, Renzo Falaschin.
***
Kaninjotët janë të penës, të punës, të dyfekut, të këngës e të valles. Kënga kaninjote safi feks si gur xhevahiri në gjerdanin llamburitës të këngëve dhe të valleve vendçe labërore. Kaninjotët japin edhe sot ndihmesë të pareshtur në rindërtimin e përparimin e shoqërisë demokratike Shqiptare. Historia e Kaninës është aq e lashtë dhe e lavdishme sa do ta kishte zili çdo qytet europjan. Në këtë shkrim të thjeshtë paraqita vetëm disa copëza të madhështisë së saj. Kjo na bënë të jemi jo vetëm krenar, por na nxit të kryejmë me nder dhe rigorozitet detyrat që na ngarkon shoqëria demokratike shqiptare, si dhe të vlerësojmë e t’u jemi mirënjohës kujtdo, që bën diçka të mirë për Kaninën. Në festa e në takime të gëzueshme kemi dëgjuar me endje fjalën dritëdhënëse të hulumtuesit dhe shpluhuruesit të historisë së Vlorës e të figurave të ndritura të Kaninës e më gjerë, Prof. dr. Bardhosh Gaçes. Po ashtu, Dr. Bujar Leskaj, frymëzuar nga historia e lavdishme e Kaninës dhe nga ndjenja e lartë e atdhedashurisë, ka dhënë një ndihmesë morale e financiare të çmuar për përgatitjen dhe vendosjen në Kaninë të bustit të themeluesit të Shtetit Demokratik Shqiptar, Ismail Qemalit. Ai, me bujarinë e zjarrtë që e karakterizon i dhuroi Muzeut Kombëtar të Pavarësisë bustin e birit rrënjëthellë të Kaninës, Ismail Qemalit. Në këtë vepër mjeshtërore, “Skulptori i Popullit”, Muntaz Dhrami, e shfaq babain e kombit shqiptar, Ismail Qemal bej Vlorën, ulur në tavolinën e tij të punës, duke firmosur Aktin lavdiplotë të Pavarësisë. Kjo vepër artistike, me kuptim të madhe atdhetar, u porosit dhe u mbulua me shpenzime vetiake nga biri atdhedashës i Vlorës, Bujar Leskaj. Ky dashamirës dhe admirues i historisë së lavdishme të Kaninës labërore ishte nxitës i flaktë edhe për dekorimin e qytetit famëmadh dhe të birit të saj urtiplotë, Isuf Luzit, me dekoratën e lartë: “Nderi i Kombit”. Ne kaninjotët u jemi mirënjohës kujtdo që e ka për zemër Kaninën, po në mënyrë të veçantë i shprehim mirënjohjen Prof. Dr. Bardhosh Gaçes dhe Dr. Bujar Leskajt, për të gjitha këto virtyte të larta njerëzore, që vlojnë në zemrën fisnike të tyre.
***
Në këtë të shënuar, tashmë tradicionale, të qytetit zulmëmadh të Kaninës, u shpreh edhe një dëshirë e veçantë ë bashkëqytetarëve e, padyshim, të gjithë mëmëdhetarëve të kombit tonë faqendritur, të cilët kërkojnë mirëkuptimin e pushtetit e të shtetit Shqiptar, për vendosjen e përmendores së Ismail Qemal bej Vlorës në një nga sheshet kryesore të Tiranës. Po ashtu, është në nderin Tuaj dhe detyrë e pushtetit dhe e shtetit amë, si dhe kënaqësi e veçantë për ne dhe mbarë vendin të sjell në vendlindjen e tyre eshtrat e bijave të tij zemërzhuritur nga malli për atdheun, që prehen në dhe të huaj, sikurse janë eshtrat e princeshës së Kaninës, Rugjina Balsha, mbretëreshës së Shqipërisë, Donika Kastriotit dhe të shënjtores së Arbërisë, Angjelina Aranitit. Kjo përkujdesje atërore do ta lartësonte nderin e shtetit tonë dhe do ta kthente Kaninën në një vend pelegrinazhi, siç është Jeruzalemi dhe Meka.
Kaninjotët vlerësojmë pamasë urtësinë, largpamësinë dhe përçapjet e matura të qeverisë Rama për zgjidhjen e çështjeve madhore të shtetit e të kombit tonë. Ato pasqyrohen mirë e bukur kudo në Shqipëri, veçanërisht në Vlorën e kthesave të mëdha të kombit shqiptar. Po midis halleve dhe plagëve të shumta që ka vendi ynë, të cilat kërkojmë shërim të shpejtë, ne duam të investohet, me ngut edhe për qytetin e Kaninës, që basenet ujore të malit të Lungarit, mos të humbasin në zhavorret e skutat shkëmbore të Gjirit të Vlorës, por të futen në rrjetin ujësjellës të Kaninës, që të shuajnë etjen shekullore të banorëve fisnikë të këtij qyteti princëror, që rrezon si brerore mbi kryet e Vlorës.
Anëtarët e “Akademisë 100 fshatrat” u ndalën në Ardenicë dhe Krutje, dy fshatrat e zgjedhura në Bashkinë e Lushnjes në kuadër të programit “100 fshatrat”.
Evidentimi i potencialeve që ofrojnë këto fshatra dhe hartimi i projekteve konkrete zhvillimore për nxitjen e këtyre potencialeve ishte në fokus të vëmendjen se anëtarëve të Akademisë “100 fshatrat”.
Ata zhvilluan një takim me Kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, i cili nënvizoi rëndësinë e hartimit të projekteve për dy fshatrat e përzgjedhur në Lushnje.
Gjatë takimit u koordinuan punët për realizimin e këtij plani ambicioz në përputhje me standardet e kohës, duke promovuar vizionin e ri për fshatin që duam.
Qeveria shqiptare ka shpallur nismën e saj “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural-Programi i 100 fshatrave”, i cili do të jetësohet në periudhën 2018-2020.
Ky program synon të kordinojë ndërhyrjet në hapësirën rurale me një qasje ndërsektoriale, duke alternuar investimet publike me donatorët dhe investimet private.
Në Bashkinë Lushnje, investimet dhe mbështetja e programit 4-vjeçar do të shtrihet në fshatrat Ardenicë dhe Krutje.
Ardenica
Fshati Ardenicë shtrihet në brezin kodrinor me të njëjtin emër dhe ka potencial për të qenë zona agro-turistike më e rëndësishme e Bashkisë Lushnje, ku krahas panoramës shlodhëse, i shtohen dhe elemente të trashëgimisë kulturore si “Manastiri i SHën Mërisë” Ardenicë, monumenti i natyrës “Dushkaja e Ardenicës” dhe “Selvitë e Manastirit të Ardenicës”.
Zona është e njohur për vreshtat dhe traditën e kulinarisë, ndërsa ekzistenca e ndërtesave shtetërore mund të shërbejë për qendra komunitare, shërbime hotelerie apo prodhimin e produkteve artistike.
Krutje
Njësia administrative Krutje shtrihet në një reliev fushor dhe ka një popullsi prej 10333 banorë.
Ka dalje në dy arterie kryesore në autostradën Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat. Zona është e njohur për prodhimin e perimeve të fushës dhe serrave, vreshtarinë, agrumet etj.
Në fshatin Krutje e Sipërme ngrihet “Kisha e Shën Kollit”, njohur si monument kulture i kategorisë së I. Kjo zonë njihet dhe për traditën sportive në sportin e volejbollit për femra, trashëguar ndër vite./atsh